Nga Arben P. Llalla
Pjesa e parë
– Kolaboracionistët grek, projektuesit dhe udhëheqësit e gjenocidit në Çamëri (1944-1945) E vërteta e bashkëpunimit të çamëve, me gjermanët –
Libri u kushtohet dëshmorëve të Batalionit “ÇAMËRIA”, të cilët luftuan krah- përkrah me partizanët grek të EAM-ELAS, kundër pushtuesit gjerman.
PARATHËNIE
Memorie.al / Periudha që kam nisur për të shkruar librin ka qenë nga viti 2008-2016, duke mbledhur materialet pak e nga pak. E kam patur tepër të vështirë për të gjetur fotografitë origjinale dhe disa gazeta në gjuhën greke, për vitet që bëhet fjalë. Shteti grek me strukturat e saj shtetërore prej rreth 70 vitesh, e ushqejnë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, me libra dhe shkrime të gënjeshtrës rreth asaj që ka ndodhur në të vërtetë nga viti 1936-1945, në lidhje me minoritetin shqiptar në Çamëri-Epiri i Jugut.
Ka shumë fotografi të keqinterpretuar qëllimisht nga historianët dhe publicistët grekë, rreth akuzës të pa faktuar të bashkëpunimit të çamëve me gjermanët. Pas shumë vitesh punë, munda të gjej të vërtetën e atyre fotografive që grekët pretendojnë se janë bashkëpunëtorët çamë me gjermanët. Besoj se puna ime disa vjeçare për të botuar këtë libër, do vlerësohet drejtë nga lexuesit dhe kritika. Nuk ka patur asnjëherë bashkëpunim kolektiv të popullsisë çame me pushtuesit italian dhe gjermanë, qëllimi i Gjenocidit grek, ishte për të spastruar Çamërinë-Epirin e Jugut nga shqiptarët myslimanë, grabitja e pasurisë si dhe vendosja e refugjatëve orthodoksë të ardhur ndër vite nga Azia e Vogël.
Gjatë operacionit në shpërnguljen e hebrenjve të Janinës për në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes, gjermanët në bashkëpunim me xhandarmërinë greke, shpërngulën edhe dhjetëra çam antifashistë. Kjo tregon qartë se shqiptarët e Çamërisë, ishin në anën e partizanëve grek. Konservimi nga ana e shtetit grek, të shtëpive dhe tokës private që pronarë të vërtetë janë shqiptarët, tregon qartë se spastrimi etnik i Çamërisë nga elementi shqiptar, ka patur prapavijë politike e pa mbështetur në asnjë fakt për akuzën e bashkëpunimit me gjermanët. Pa një zgjidhje të çështjes kaq delikate çame nuk mund të ketë fqinjësi të mirë, miqësi të sinqertë midis grekëve dhe shqiptarëve të cilëve më shumë i bashkojnë lidhjet e interesave se sa i ndajnë.
Mendoj që mbi pasionin të dalë vlerësimi objektiv shkencor i dukurive dhe fakteve që parashtroj e analizoj, po botojmë fotografitë origjinale, ku tregohet qartë bashkëpunimi i shtetit grek dhe klerikëve të lartë të Kishës Orthodokse Autoqefale të Greqisë, me pushtuesit italian dhe gjermanë. Historia e vërtetë nuk quhet ajo histori që shkruhet nga gjysma e vërtetë e përzier me gjysmë gënjeshtre. Historia e vërtetë është ajo histori që shkruhet mbi baza të dokumenteve të vërteta, sado e hidhur të jenë ato.
Falenderojmë mirëbërësin Hysni Omer Idrizin nga Margëlliçi, për mbështetjen financiare që dha për botimin e këtij libri, në përkujtim të të parëve të tij në Çamëri.
HYRJE
Në Greqinë e sotme, shqiptarët që në kohën e lashtë, para Krishtit, kanë banuar dhe banojnë ende me emrat që njihen arvanitas dhe allvanos, në tre pjesë: 1. Në Greqinë e Veriut, nga Kosturi e deri në kufi me Turqinë. 2. Në zemrën e Greqisë, Athinë, Evia, Peloponezi, dhe ishujt. 3. Në Epirin e Jugut me qendër Janinën. Shqiptarët në Epirin e Jugut i njohin në përgjithësi me emrin çam, por shqiptar ka pasur dhe ka ende edhe në, Grevena, Konicë të cilat nuk janë pjesë të krahinës së Çamërisë.
Çamëria është një krahinë që shtrihet në anën perëndimore të Epirit. Rrethet kryesore të saj janë Filati, Gumenica, Parga, Arta, Margëlliçi, Paramithëa e Preveza. Në veri kufijtë e saj shkojnë deri në zonën e Delvinës, në jug kufizohet me gjirin e Artës (Prevezë), në perëndim laget nga deti Jon, kurse në lindje ndahet prej pellgut të Janinës nga malet e Olliçikës e të Llakës. Është një krahinë mjaftë e begatë me fusha, si fusha e Frarit apo me kodra të buta e të përshtatshme për kultivimin e ullirit e të agrumeve.
Emri “Çamëria” vjen nga emri antik ilir i lumit Çamis, i cili përshkonte territorin e fisit antik ilir të Thesprotisë. Çamëria bënte pjesë në Perandorinë Romake, para se të pushtohej nga Bizanti dhe në shekullin e XIII-të u përfshi në Despotatin e Epirit. Në gjysmën e dytë të shekullit të XIV-të, ajo, u përfshi në Despotatin shqiptar të Artës. Pas pushtimit otoman, në shekullin XV-të, ajo u përfshi fillimisht në Sanxhakun e Delvinës dhe më pas në atë të Janinës.
Në shekujt e XVII-XVIII-të, pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare të Çamërisë veriore, nga Konispoli deri te lumi Griqi, u shndërrua me forcë në popullsi myslimane, ndërsa ajo që banonte në jug të Greqisë dhe deri te Gjiri i Prevezës, mbeti popullsi e krishterë orthodokse. Shqiptarët myslimanë të Epirit, kanë qenë vazhdimisht në grindje me fqinjët e tyre të krishterë dhe kanë favorizuar myslimanët turq, kanë përfituar tokat më të mira, ndërsa të krishterët u detyruan të zinin toka më pak pjellore.
Rajoni i Epirit ka pasur historikisht konflikte etnike. Sikundër vinte në dukje një nga vizitorët e fundit të shekullit të XIX-të: i gjithë vendi i toskëve ka qenë nën influencën e fortë të Greqisë dhe ishte e vështirë të thuhej nëse Epiri është grek apo, Greqia veri-perëndimore është shqiptare. Ndonëse në të folur përdoret dialekti jugor i shqipes, greqishtja kuptohet nga të gjithë. Grekët e morëm Çamërinë fazë-fazë.
Në qershor të vitit 1881, qytetin e Artës e morën grekët dhe dalëngadalë filloj përzënia e shqiptarëve mysliman dhe asimilimi i shqiptarëve ortodoks. Në tetor të 1912, ushtria greke mori Prevezën, dhe në shkurt të 1913, Janinën. Kështu, qendrat kryesore të Çamërisë i mori Greqia, ndërsa Shqipërisë ju la Konispoli e Delvina.
Prej sundimit turk, me rënien e Janinës, më 21 shkurt 1912, edhe Çamëria bie nën okupimimin grek. Popullata e Çamërisë përbëhej në atë kohë me afro 40.000 myslimanë shqiptarë dhe 30.000 të krishterë, që flisnin dhe flasin shqip e me zakone shqiptare të shpërndarë në Frar, Paramithia dhe bregdeti, që nga Parga deri në kufirin shqiptar.
Në vitin 1913, kemi shpërnguljen e dytë të shqiptarëve nga Çamëria, pas shpërnguljes së parë të vitit 1881, kur Artën e morën grekët. Ka shumë pak të dhëna rreth këtyre dy shpërnguljeve të shqiptarëve sepse regjistruesit grek dhe të huaj i regjistronin në bazë të fesë (myslimanët-turq dhe ortodoksit-grek) dhe jo në bazë të kombësisë.
Shpërngulja e tretë e shqiptarëve nga Çamëria ka filluar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Lozanës të 1923, ku shumë shqiptarë nga Çamëria u detyruan jashtë vullnetit të tyre të shkëmbehen me popullsinë ortodokse nga Azia e Vogël, të cilët u vendosën në Greqi.
Shqiptarët e shpërngulur, pas vitit 1923, si popullsi e shkëmbyeshme midis Greqisë dhe Turqisë u vendosën kryesisht në Izmir. Gjatë kërkimeve të mia, kam mundur të gjej vetëm një fotografi të dobët ku tregohen shqiptarët duke hipur në anije nga porti i Gumenicës për në Turqi. Problemi i shkëmbimit të popullsisë shqiptare myslimane si turq, hasi në reagime të forta të Shqipërisë.
Më 17 dhjetor,(1923) Blinishti, shefi i sekretariatit të përhershëm shqiptar të akredituar në Gjenevë, tha para Këshillit të Lidhjes së Kombeve, se prona e shqiptarëve myslimanë ishte konfiskuar, të korrat qenë rekuizuar, atyre u ishte ndaluar ta mbillnin drithin e tyre apo të shisnin a të jepnin me qira pronën e vet.
Për të penguar konfiskimin e saj, refugjatët grekë ishin vendosur në shtëpitë e tyre dhe e drejta e votimit u ishte hequr. Prandaj Këshilli i Lidhjes së Kombeve, vendosi të tërhiqte vëmendjen e Komisionit të Përbashkët mbi Shkëmbimin Popullsive Greke dhe Turke, duke kërkuar që ai të dëgjonte çdo dëshmi që Qeveria Shqiptare, mund të dëshironte të paraqiste para tij.
Grekët, ishin të etur ta hiqnin qafe pakicën shqiptare myslimane, brenda kufijve të tyre – elementin shqiptar të krishterë, ajo do ta asimilonte në njëfarë shkalle në mënyrë që pretendimet e Shqipërisë për territorin shqiptar që ajo kishte marrë më 1913 mund të binin në heshtje. Turqia, që e kishte përkrahur shkëmbimin, ishte e etur të rimëkëmbte popullsinë e saj, të pakësuar nga lufta me Greqinë, dhe nuk pritej që ajo të refuzonte myslimanët, për më tepër, prona që ata linin pas, u bë një pasuri në llogari të saj me Greqinë.
Problemi i shpërnguljeve të shqiptarëve nga Çamëria dhe viseve të tjera në Greqi për në Turqi, si popullsi e shkëmbyeshme, detyroj kryeministrin e Greqisë Theodhoros Pangallos, të bëjë një deklaratë zyrtare para Lidhjes së Kombeve, me të cilën Greqia njihte minoritetin shqiptar në Greqi dhe nuk i quante më, shqiptarët muhamedan që jetonin në territorin e saj si popullsi turke. Ai ndër të tjera tha: “Pavarësia dhe statuskuoja e Shqipërisë, përbëjnë interes të madh për Greqinë, sepse politika e saj është bazë për ruajtjen e paqes në Ballkan…!
Teza që është mbajtur nga ne deri sot, se orthodoksit shqiptarë janë grekë, është e gabuar dhe e shkelmuar nga të gjithë. Me që ajo, ka marrë të tatëpjetën dhe arriti pikën e rraskapitjes, mora masat e duhura dhe shpërndava të gjitha shoqëritë vorio-epiriote që mëshironin skaje më ekstreme të këtij mendimi të sëmurë“.
Deklarimi i Kryetarit të Republikës Greke, gjenerali Theodhoros Pangalos, për të përjashtuar shqiptarët në Çamëri nga masa e shkëmbimit midis popullsisë turke myslimane me popullsinë ortodokse nga Azia e Vogël, ishte vendimtare për zhvillimet e mëtutjeshme të miqësisë mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Kështu, nga çështja “greko-turke”, tashmë zhvillohet tema që kishte të bënte me marrëdhëniet greko-shqiptare, të cilat do të ndikonin dhe në periudhën e ardhshme në një shkalle shumë të lartë. Disa vite më vonë, gjatë provokacioneve të Gushtit 1949, ish-kryetari i Greqisë, Gjenerali në pension Theodhor Pangallos, do të botonte në gazetën “Akropolis“, një shkrim rreth marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, ku do të përmendte edhe problemin e shqiptarëve në Çamëri.
“Në fillim të korrikut 1925, marrëdhëniet me Shqipërinë u gjendën para krizës, për shkak të çështjes së Çamërisë. Përfaqësuesi i Shqipërisë erdhi në zyrën time dhe më njoftoi se autoritetet greke në mënyrë të dhunshme dhe pa marrë parasysh marrëveshjen, dëbojnë banorët shqiptarë të asaj zone (Çamërisë shënim A. Llalla) dhe nëpërmjet detit i dërgojnë në Azinë e Vogël dhe kundërshtimeve të tyre u përgjigjen duke u thënë se ata janë të shkëmbyeshëm.
Shqyrtova dokumentet përkatëse dhe u binda që deklarimi i Ministrisë së Jashtme greke nuk qëndronte, pasi Marrëveshja e Lozanës përcaktonte prerë, se shqiptarët muhamedanë të Epirit, konsideroheshin minoritet dhe jo të shkëmbyeshëm, si turqit e Thrakës, etj. Për sqarim më të plotë të çështjes, i telefonova ambasadorit tonë në Londër, Kaklamonos, i cili kishte përfaqësuar Greqinë gjatë hartimit të Marrëveshjes së Lozanës dhe ai m’u përgjigj pa ngurrim se çamët nuk janë të shkëmbyeshëm dhe rrjedhimisht vendimi i Ministrisë së Jashtme nuk qëndronte.
Thirra menjëherë drejtorin përkatës dhe ai tha diçka që më la me gojë hapur: – “Formalisht shqiptarët kanë të drejtë, mirëpo arsyet emergjence dhe qëllimi kombëtar na detyrojnë të dëbojmë shqiptarët, për t’u zbrazur fshatrat e tyre dhe për t’u vendosur refugjatët tanë homogjenë që kanë ardhur nga Azia e Vogël. Nuk ia vlen të merremi me 5-6 mijë paloshqiptarë (shqiptarë të këqij, shënim i. A. Llalla) zoti Kryetar“.
– Mezi e mbajta veten dhe nuk e nxora përjashta me shqelma diplomatin. Ndërkaq, sipas raporteve të autoriteteve policore, në Epir po luhej një dramë e vërtetë; fshatarët duke qarë ndaheshin nga shtëpitë e tyre ku kishin lindur dhe jetuar ndër shekuj dhe hipnin në anijet që do t’i shpinin në Azinë e Vogël.
Dhashë urdhër të zbriten dhe të kthehen të lirë në fshatrat e tyre. Shqiptarët, ashtu si gjithë popujt e pazhvilluar, kanë dobësi serioze, por kanë edhe virtyte të shkëlqyera. Ky fakt, ishte shkaku që ndërmjet dy vendeve tona u vendosën marrëdhëniet kaq të përzemërta, të cilat morën, siç do shohim, pothuaj trajtën e një konfederate. Mbreti Ahmet Zogu, nëpërmjet një letre të ngrohtë, më shprehte mirënjohjen, që siç thoshte, nuk do ta harronte kurrë.
Dhe vërtetë, deri në ditën e largimit të tij nga froni, sa herë që vinte ndonjë përfaqësues shqiptar në Greqi, me porosi të Zogut, vinte dhe në shtëpinë time dhe më sillte përshëndetjet e Mbretit, duke më thënë në shqip: “Vëlla i madh“. Dhe unë atëherë nuk isha veç një gjeneral i çmobilizuar. Kjo është ajo që në shqip quhet “BESA“.
Po t’i hedhim një vështrim të shpejtë në hartën e Ballkanit, mjafton për të kuptuar rëndësinë strategjike të Shqipërisë. Për Greqinë, një Shqipëri mike dhe aleate përbënë një mburojë natyrore të madhe, kundër çdo sulmi nga Veriu…! Për sa i përket periudhës përpara vitit 1928, të dhënat e pakta të besueshme që disponojmë na i jep Komisioni i Përbërë për Shkëmbimin e Popullsive, anëtarët e së cilit realizuan një udhëtim në të gjithë Epirin, në qershor të vitit 1928.
Sipas këtyre të dhënave, popullsia shqiptare myslimane e Epirit në atë kohë ishte rreth 20.160 banorë, të cilët jetonin të shpërndarë në 63 vendbanime (qytete dhe fshatra). Deri në atë datë, Nën komisioni i Katërmbëdhjetë kompetent i Epirit, i cili ishte i ngarkuar me detyrën e këmbimit të popullsive, kishte shpallur si myslimanë të shkëmbyer gjithsej 2.993, të cilët kishin braktisur shtetin grek dhe ishin drejtuar për në Turqi.
Këto janë dhe të dhënat e para që kemi në dispozicion për sa u përket myslimanëve shqiptarë të Epirit, të cilat siç rezulton dhe nga të dhënat që vijojnë, duket se gjenden shumë afër me realitetin. Në përputhje me rezultatet e regjistrimit të 15-16 Majit të vitit 1928, në Epir banonin gjithsej 312.634 banorë, 17.008 myslimanë, folës të gjuhës shqipe, të cilët pashmangshmërisht duhet të përkojnë me çamët. Ekzistojnë gjithashtu shmangie për sa i përket regjistrimit të popullsisë sipas besimit fetar dhe gjuhës.
Kështu, në tabelën e renditjes sipas besimit fetar, myslimanët e Epirit janë 19.244 persona, por vetëm 17.029 deklarojnë si gjuhën e tyre amtare, shqipen. Ka shumë mundësi që shmangia e vogël nga numri 17.008, që përfshihet në tabelën përmbledhëse të renditjes së popullsisë sipas besimit fetar dhe gjuhës i takon faktit, se disa prej tyre deklaruan si gjuhë Kolaboracionistët grek, projektuesit dhe udhëheqësit e gjenocidit në Çamëri si gjuhë amtare shqipen, por si gjuhë të folur, atë greke, një ndryshim që do ta ndeshim dhe më vonë, në regjistrimin e vitit 1940.
Dhuna e shtetit grek për t‟i përzënë shqiptarët nga Çamëri nuk u ndal, ajo u bë me mënyra të tjera duke ju sekuestruar pronat, rrahje, burgosje dhe vrasje. Për të ardhur në vitin 1944-1945, në përzënien me forcë dhe masakra kolektive nga forcat ushtarake të udhëhequr nga gjenerali Napoleon Zerva, me direktivat e drejtuesve të lartë të Kishës Autoqefale të Greqisë. Masakrat dhe përzënia kolektive e viteve 1944-1945, u bë me pretekstin se shqiptarët në Çamëri ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve, një akuzë që nuk u vërtetua asnjëherë.
Do të sjellim fakte të pamohueshme se kryepeshkopët dhe mitropolitët e Kishës Autoqefale të Greqisë, janë skenaristët dhe pjesëmarrësit direkt të gjenocidit grek kundër shqiptarëve mysliman në Çamëri. Me anë të fotografive të viteve 1944-‘45 ne do të vërtetojmë se Kryepeshkopi Serafim dhe Mitropoliti Dhorotheos, kanë qenë pjesëmarrës në masakrën e 27 qershorit 1944 në Paramithi, me uniformë ushtarake të ushtrisë së Zervës, EDES. Do sjellim të dhëna se kryeministrat, ministrat dhe deputetë të Greqisë të pas viteve 1980, rridhnin nga familje që kishin qenë bashkëpunëtorë të gjermanëve dhe pas vitit 1945, këta bashkëpunëtorë nuk u dënuan, as u internuan, as ju mor pasuria ashtu siç ndodhi me shqiptarët myslimanë të Çamërisë.
Pikërisht qëllimi i këtij libri është për të sjellë dokumente të asaj kohe që çamët nuk kanë bashkëpunuar asnjëherë kolektivisht me italianët dhe gjermanët. Ka patur individë që kanë bashkëpunuar me këta pushtues, por nuk mund të masakrohet një popull i tërë për individë të cilët edhe në të shkuarën i kanë shërbyer pushtuesve të ndryshëm për të ruajtur pasurinë dhe privilegjet. Ne, do të sjellim fakte se djemtë e Çamërisë ishin përkrah ushtrisë partizane greke EAM-ELAS.
Do sjellim të vërtetën se kush janë ata që bashkëpunuan zyrtarisht me pushtuesit italian dhe gjerman. Këto fakte ne i kemi nxjerrë nga arkivat greke, 90% e bibliografisë sonë do të mbështetet tek gazetat, revistat dhe librat e autorëve grek. Duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën, atë të vërtetë që duhet ta themi të gjithë bashkë, grek e shqiptar nëse duam një fqinjësi të mirë, nëse duam një të ardhme paqësore. Pa zgjidhje të çështjes çame, asnjëherë s‟do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë midis dy popujve.
E ardhmja nuk e dimë se çfarë befasirash na ofron, por fillimi i shek.21, po tregon se në Ballkan ka më shumë shqiptar se sa grek. Strategët ushtarak grek gjithnjë kanë thënë se Greqia duhet t‟i ruhet një sulmi nga Veriu se sa nga shqiptarët të cilët janë një mburojë e fortë kundër këtij sulmi. Këta gjeneralë grek, kur thonë Veriu e kanë fjalën për sllavët (serbët, sllavo-maqedonasit) dhe bullgarët. / Memorie.al
















