Nga Elmas Guga
Memorie.al/ Shkaqet e sjelljes mizore të Enver Hoxhës ndaj Mestan Ujanikut dhe Gjin Markut. E vërteta e politikës së tij gjatë luftës dhe pas çlirimit deri në 1948. Pleniumi i Beratit për të vërtetën e kësaj politike. Tito dhe Enveri e donin Shqipërinë për veten e tyre dhe jo për shqiptarët që luftuan e sakrifikuan në luftën e dytë botërore.
Qarku i Beratit prej formimit të shtetit shqiptar dhe deri në 1948, kur qarqet u shkrinë si struktura të pushtetit lokal, ka pasur nën administrim rrethet Berat, Skrapar, Lushnje, Fier dhe Mallakastër. Sipas regjistrimeve të vitit 1938 qarku administronte një territor prej 3932 km² me një popullsi prej 155 mijë banorë. E vlen të sjellim në vëmendjen e lexuesit këto të dhëna për secilin rreth. Berati 61164 banorë dhe sipërfaqe 1134 km². Skrapari 20.207 banorë dhe 793 km². Lushnja 46420 banorë dhe sipërfaqe 835 km². Fieri 17090 banorë dhe 490 km². Mallakastra 12190 banorë dhe 670 km².
Kështu gjatë pushtimit fashist dhe LANÇ-it ky qark qeveriste rreth 18 përqind të popullsisë së vendit me rreth 14 përqind të teritorit. Ky realitet administrativ së bashku me të dhënat, faktet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën e fashizmit dhe luftës dëshmojnë të vërtetën se qarku i Beratit ka qenë promotori i lëvizjes antifashiste dhe LANÇ-it në Shqipëri. Këtu do të sjellim disa momente kryesore në zhvillimin e ngjarjeve të asaj periudhe për të dëshmuar të vërtetën e atij kontributi, jo doemos të bindim cilindo që dëshiron të manipulojë lavdinë tonë të LANÇ-it, por për të çelur udhën e opinionit tonë për çfarë kemi paraparë në titullin e këtij shkrimi.
Pushtimi fashist ka qenë dhimbje dhe plagë e madhe për gjithë popullin dhe vendin. Dhimbja u përjetua me nota të ndezura sidomos në qarkun e Beratit i shquar për shpirt atdhetarie dhe patriotizmi. Për këtë i kujtojmë lexuesit se vetëm nga Tomorrica dhe Skrapari rrokën armët mbi 700 burra e djem në luftën e Vlorës, të organizuar në tre batalione të komanduar nga Servet Zaloshnja, Ali Koprencka dhe Riza Cerova. Ndërsa Zenel Braçi më Xhemal Shtyllën komandonin luftëtarët nga Kolonja. Më vjen keq që nuk di të them me shifra luftëtarët nga Berati, Lushnja, Fieri dhe Mallakastra, gjithsesi në nivel qarku ata ishin mbi dymijë e pesëqind vullnetarë. Në luftën e Vlorës qarku i Beratit dërgoi burrat dhe djemtë e vet jo vetëm me pushkë në krah e torbat me fishekë por edhe karvane me ushqime. Mjafton të themi që edhe Tomorrica e thellë malore i dërgoi komandës ndihma në të holla, bagëti të imta dhe drithëra buke.
Urrejtja dhe era e barutit që mbolli ajo luftë ndjeheshin të freskëta në ato ditë të zeza të prillit 1939, tek iI gjithë populli i qarkut të Beratit. Shprehje e kësaj dhimbjeje të thellë ishte edhe kënga elegji e shkruar në Tomorricë në ditën kur qielli i Shqipërisë u nxi nga avionët e Duçes. Atë ditë, poeti ynë Hekuran Zhiti, mësues në shkollën e Zaloshnjes do të shkruante:
Tridhjet e nëntë mos ardhsh kurrë
Që na rrëzove flamurë
Çke flamur që nuk valon!?
Jam goditur brinjë më brinjë
Që kur sollën Italinë.
Ju o ministrat tanë!
Harram e paçi paranë!
Që na e shitët vatanë.
Kënga bashkë me lajmin e zi të pushtimit u përhap si vetëtimë në çdo fshat e shtëpi jo vetëm në Tomorricë e Skrapar por kudo në qarkun e Beratit. Himni i flamurit bashkë me këngën e tomorricarëve do të këndoheshin maleve nga djemtë që luftonin për lirinë e Shqipërisë.
Në ditët e zeza të prillit kudo në qarkun e Beratit burra e djem vërshuan në qendrat e komunave duke protestuar e kërkuar armë por u kthyen të zhgënjyer e të tradhëtuar. Kështu e pësuan tomorricarët atje në Konak ndaj një pjesë e tyre vendosën të shkojnë në Berat. Mestan Ujaniku me 17 djem nga Gjerbësi, Ujaniku, Trebla, Shpatanji dhe Gradeci, ditën e dytë u gjendën para prefekturës. Mestanin me dy prej tyre e thirrën gjoja për të biseduar ndërsa i izoluan për disa orë dhe të tjerët i dëbuan me forcë. Ky ishte pushteti i mbretit duar përpjetë!
Pranverë-vera e vitit 1939 provoi shpejt shijen e hidhur të pushtimit fashist me një shthurje të theksuar të rendit publik. Pushtetarët lokalë u bënë palë më njerëz të papërgjegjshëm që rrezikonin jetën dhe pasurinë e njerëzve kudo në qarkun e Beratit. Kjo kategori mendonin se me ndihmën e “vëllait të madh” (Italinë) do të bëheshin edhe me agallarë se ç’ishin.
Arrestoheshin dhe burgoseshin njerëz të pafajshëm. Në gusht 1939 për shkak të një akuze të rreme lirohet nga burgu Mestan Ujaniku me djalin e madh Xhemalin.
I sapoliruar, ai arratiset në mal ndërsa familjen me katër djemtë internohen. Xhemali burgoset përsëri. Në vjeshtën e vitit 1940 rebelë të tjerë të regjimit si Hajdër Krushova, Ferhat Gjonbabasi dhe Muharrem Trebla (Abazaj) i bashkohen Mestan Ujanikut në mal. Në këtë kohë edhe Xhemali arratiset nga burgu dhe i bashkohet të atit në mal. Kështu pra në vjeshtën e vitit 1940 u formua bërthama me 5 luftëtarë, e asaj që pak më vonë, janar 1941 do të quhej çeta e Mestan Ujanikut. I ndodhur në vijën e frontit të luftës italo-greke, qarku i Beratit rrezikonte shumë në jetën dhe pasuritë e njerëzve. Dezertimet e djemve nga ushtria ishin probleme të përditshme sikundër edhe refuzimet e rekrutëve për të kryer shërbimin ushtarak.
Nënprefektura e Skraparit ishte pothuaj e paralizuar për mobilizimin e rekrutëve. Efektivi i çetës së Mestan Ujanikut përbëhej kryesisht nga kontigjent i djemve sikundër edhe familjarë që u ishin shkaktuar drama familjare. Në prill të 1941 çeta numëronte 18 luftëtarë. Kjo ka qënë edhe koha kur çeta filloi kontaktet e para me aktivistë antifashistë nga qyteti i Beratit. Shumë shpejt çeta aspironte për më shumë ligj e drejtësi, u bë syri e veshi i njerëzve që rrezikonin jetën dhe pasurinë e tyre. Çeta qarkullonte në të gjithë territorin e qarkut dhe kishte emër të mirë në popull për ndihmat ndaj njerëzve përballë abuzuesve në jetën publike. Kontaktet dhe bashkëpunimi me aktivistë antifashistë nga Berati (Kristo Isak, Mahmud Shehu, Tajar Grepca, Iljaz Sevrani etj. që nga prilli i 1941 e rritën edhe më shumë kontributin e saj në popull. Ndaj emri i mirë i çetës njihej kudo në Shqipërinë e jugut e më gjerë.
Ekzistencën e saj e dinin dhe anglezët në qershor 1941 mdërsa tentuan të inkurajonin lëvizjen antifashiste në Shqipëri. PKSH që në ditët e para të themelimit të saj e kishte prioritet punën politike në qarkun e Beratit sepse kishte një çetë nacionaliste që respektohej në popull. Bashkëpunimi me çetën e Mestan Ujanikut ishte çelësi i suksesit, sikundër ndodhi për rritjen e frymës së antifashizmit në popullin e këtij qarku. Kësisoj në vitin 1941 kjo çetë për bëmat dhe emrin e mirë në popull përtej qarkut të Beratit si dhe impaktin politik që mbartte për rritjen e frymës së antifashizmit në Shqipëri e shënon qarkun e Beratit si numrin një mes qarqeve të tjera të vendit.
Gjin Marku pasi kreu disa detyra politike e organizative në çetën e Pezës në dhjetor 1941 e nisi punën në qarkun e Beratit që në ditët e para të janarit 1942. Kryefjala e bisedës së tij me komunistë e antifashistë të qytetit të Beratit ishte takimi me Mestan Ujanikun. Takimi i parë u bë në fund të janarit në fshatin Velabisht. Në përpjekjet e tyre për bashkëpunim u bë edhe takimi i dytë në shkurt 1942. Takimi i tretë që finalizoi formimin e çetës Plakë të Skraparit u bë në Teqenë e Kulmakut në natën e 13-14 marsit 1942. Në atë takim ku mori pjesë e gjithë çeta u diskutua e debatua gjatë gjithë asaj nate. Në agim të 14 marsit u deklarua formimi i çetës Plakë të Skraparit me komandant Mestan Ujaniku dhe komisar Gjin Marku.
Sapo u legalizua si formacion luftarak i PKSH, çeta e zgjeroi vizionin e saj për detyrat që e prisnin. Edhe në ditën e 14 marsit pati takime të shumta me njerëz që vinin në Tomorr për ditën e Verës. Punohej me plan çdo ditë. Me flamurin kombëtar që i printe e me këngë në gojë çeta marshonte në çdo fshat të Tomorricës, Skraparit e Oparit, duke takuar njerëz që ti bashkoheshin me ta në luftën kundër fashizmit. Në 9 maj në Bofje të Dusharit u bë një takim me komunistë e antifashistë të qarkut të Korçës. Ndërsa aktivistët e Korçës përgatiteshin për formimin e çetave të tyre, Mestani e Gjini dhanë përvojën e tyre në rrugën e luftës për liri. Në fund të qershorit u bë takimi i dytë në të njëjtin vend por tashmë me praninë e 150 partizanëve të çetës Plakë, çetës së Oparit dhe asaj të Mokrës. Qëndruan atje rreth dy javë nën kujdesin e Maliq Dusharit. Në këtë vend ka pasur një ide dhe u bënë përgatitje për konferencën kombëtare që më vonë u mbajt në Peze.
Gjatë muajit gusht 1942, çeta pati disa takime në fshatrat e Kolonjës, ku gjeti mbështetje maksimale për luftën. Atje shtoi radhët e saj me luftëtarë të rinj, nga të cilët mund të përmendim partizanin Baki Dume. Këto aksione të çetës e rritën tensionin e autoriteteve fashiste në Tiranë. Ndaj në ditët e para të gushtit u dërgua në Tomorricë kapiten Xhaferr Bali në krye të 64 milicëve për ti dhënë mësim të mirë çetës dhe tomorricarëve. Çeta e sapokthyer nga Kolonja përgatiti planin e rrethimit të Xhaf Balit dhe e rrethoi atë natën e 30-31 gushtit. Çeta e detyroi Xhafën të dorëzohet me gjithë milicë. Ky aksion dhe fjalimet e Mestanit e Gjinit ishin një kapital i madh politik e ushtarak që Mëlova i përcillte popullit në rrugën e lirisë.
Mëlova u dëshmoi shqiptarëve se gjakun nuk e kishin të tepërt pëer tu vrarë mes njëri-tjetrit! Gjaku duhej kursyer për të luftuar pushtuesin Italian! Aksioni inkurajoi çetën për të përgatitur planin e luftës për çlirimin e Çorovodës. Partizanët e çetës dhe qindra vullnetarë rrethuan Çorovodën në natën e 4-5 shtatorit. Në 5 shtator Çorovoda dhe gjithë Skrapari festonte çlirimin nga pushtimi fashist. Edhe në datat 7 e 9 shtator çeta Plakë dhe populli liridashës i Skraparit përballuan me sukses operacionet fashiste që vërshuan nga Berati, Gramshi e Korça. Çlirimi i Skraparit në 5 shtator 1942 njoftohej si lajm i gëzuar nga radio Londra në 6 shtator 1942.
Çeta dhe vepra e saj do të ishin një kapital i madh politik dhe ushtarak për Konferencën e Pezës në 16 shtator 1942. Në fund të shtatorit çeta numëronte mbi 160 partizanë, ndaj u nda në 4 çeta: Çeta Plakë me komandant Mestan Ujanikun dhe komisar Gjin Markun, çeta e Xhemal Ujanikut e komisar Xhavit Strugën dhe çetat me komandantë Ramis Aranitasin dhe Xhelal Staraveckën.
Në vjeshtën e 1942 tri çetat e Skraparit punuan kryesisht për shuarjen e gjaqeve dhe hasmërive në frymën e platformës kombëtare të Konferencës së Pezës. Ndërkaq Mestani e Gjini në nëntor 1942 bënë një turne sensibilimi në disa krahina jo vetëm të Beratit. Bënë takime me krerët në Vërçë, Berat, Sulovë, Myzeqe e Mallakastër. Në Berat krerët edhe pse mosbesues premtuan se do të bashkëpunonin për të goditur italianët në qytet. Në Myzeqe gjetën mbështetje të plotë për luftë.
Në Mallakstër krerët nuk pranuan të bashkëpunonin sepse sipas tyre dëmtoheshin pronat. U takuan edhe me Ali Këlcyrën i cili refuzoi bashkëpunimin. Kur u kthyen në Berat në 28 nëntor italianët lëviznin si gjarpërinj nëpër qytet. Kishin marrë njoftim nga krerët (Balli në ato kohë nuk ishte formuar si organizatë politike). Në kodrat e Krekëzës ku ndodhej çeta, u dërgua edhe një spiun për vrarë Mestanini ose Gjinin. Spiuni u dekonspirua dhe mori plumbin pas qafe. Ndërsa një aeroplan italian i qëndronte çetës mbi kokë, Mestani më maliherin e tij e goditi dhe e rrëzoi.
Rrëzimi i avionit pati efekt të madh politik jo vetëm brenda vendit po dhe te aleatët. Sikundër shkaktoi panik te autoritetet italiane në Tiranë. Pas kësaj nënprefektura e Gramshit njoftonte eprorët e vet se Mestan Ujaniku me 400 luftëtarë do sulmonte Gramshin. Ka qënë kjo ngasje që në dhjetor 1942, major Halil Alia në krye të 250 milicëve (reçave) u nis drejt Tomorricës por erdhi deri në Dobrenj dhe atje mori njoftimin se nuk do kishte fatin e Xhaf Balit. Ndaj u kthye dhe bëri raprezalje në Sotirë.
Fryma e antifashizmit që mbolli çeta Plakë në qarkun e Beratit gjatë vitit 1942 e detyroi edhe Mustafa Krujën të deklaronte dorëheqjen nga Berati në dhjetor 1942.
Nuk di të them ndonjë qark tjetër që të ketë shkëlqyer si Berati gjatë vitit 1942 në misionin e luftës për lirinë e Shqipërisë.
Në janar 1943 forcat partizane të qarqeve Berat, Korçë e Gjirokastër me veprime të koordinuara bënë luftime të ashpra në aksin Kuqar-Përmet. Në këtë kohë u luftua edhe në Snosën e Kodovjat të Gramshit nga partizanët e çetave të Mokrës, Gorë-Oparit dhe një njësiti partizan të Tomorricës të komanduara nga Safet Vidhani. Këto luftime e rritën më lart nivelin e organizimit të luftës partizane.
Në prill 1943 formohet batalioni i parë partizan i Myzeqesë më komandant Rrahman Ruçi, komisar Muharrem Shabani dhe inspektor ushtarak major Spiro Moisiu. Në qershor 1943 në qafën e Martës formohet batalioni partizan “Riza Cerova” me komandant Neshat Hysin. Në 10 korrik 1943 në Labinot formohet Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë me komandant major Spiro Moisiun dhe komisar Enver Hoxhën. U formuan dhe strukturat lokale në bazë qarqesh. Për shtabin e qarkut të Beratit u zgjodh Mestan Ujaniku komandant e komisar Gjin Marku.
Historia e luftës dhe përpjekjeve të komandës partizane të qarkut të Beratit është vetëm histori suksesi që nga dita e formimit të saj si strukturë e luftës e deri në 22 tetor 1944 kur u shkrinë si të tilla. Që në ditën e formimit të saj në Vithkuq (25 gusht 1943) brigada I S kishte mbi 200 partizanë nga qarku i Beratit. Në 4 shtator komanda partizane urdhëroi sulmin për shpartallimin e bandës kriminale të Isa Toskës. E gjithë udhëheqja lokale mori pjesë në ato luftime. Ndërsa Mestan Ujaniku udhëhoqi operacionin në krye të 550 partizanëve. Shpartallimi i bandës ishte një sukses i madh politik e ushtarak për Frontin Antifashist jo vetëm për qarkun. U rrit besimi në popull te lufta partizane dhe rrokën armët duke trefishuar ushtrinë e qarkut.
Në 11 shtator kur forcat gjermane ishin 5 km larg Beratit (Otllak) komanda partizane urdhëroi sulmin për çlirimin (e parë) të Beratit. Nga kjo datë e deri në 15 nëntor 1943 kur u pushtua nga gjermanët, qyteti gëzoi lirinë e përkohshme. Thënë ndryshe për dy muaj Berati ishte qytet-shtet, që është rast unik në Shqipëri në kohën e luftës. Në atë kohë deri në 25 shtator komanda partizane shtiri në dorë rezervat ushqimore dhe armatimet e lëna nga italianët. Në 19 shtator në Ngurrëz u formua Grupi i parë partizan i Myzeqesë me mbi 600 partizanë dhe ku bënin pjesë mbi 30 vajza nga Fieri e Lushnja. Komandant i grupit ishte Rrahman Uruçi dhe komisar Pipi Bakalli. Brenda shtatorit u formuan tre batalione nga rrethi i Beratit dhe u formua Grupi i dytë partizan i qarkut (Grupi i Shpiragut) me komandant Vangjel Doga dhe komisar Tajar Grepcka
Të gatshëm ishin edhe 3 batalionet e grupit të tretë të Skraparit me komandant e komisar përkatësisht, Zylyftar Veleshnja dhe Iljas Sevrani. Lavdinë e kësaj përiudhe e vlerëson më së miri Kadri Cakrani si kundërshtar i Frontit, – Kush fitonte Beratin, në atë kohë kishte fituar jugun, Dhe kush fitonte jugun ku bëhej lufta kishte marrë çelësat e fitores.
Këtë bëri Mestan Ujaniku e Gjin Marku me komandantët, komisarët, partizanët dhe popullin e qarkut të Beratit. Qarku i Beratit përballoi me sukses operacionin gjermano-ballist të dimrit 1943-1944. Forcat partizane të qarkut në Skrapar e Tomorricë jo vetëm u mbrojtën por edhe u shtuan në numër. Në këtë operacion armik, legjendare ka qënë lufta në Tendën e Qypit. Në 17 mars 1944 në Vlushë, u formua brigada VII S me komandant Gjin Markun. Kjo brigadë dhe formacionet e tjera partizane të qarkut përballuan me sukses përmes luftimesh operacionin gjerman të qershorit 1944, sidomos në ruajtjen e rrugës Berat-Përmet. Ndërsa Tomorrica i siguroi suksesin Divizionit I S në luftën legjendare të Tomorricës. Pas operacionit të qershorit, qarku i Beratit formoi me djemtë e vet Brigadën X S në Karbunarë me komandant Njazi Çepanin dhe në Therepel Brigada XVI S me komandant Rrahman Uruçin. Brigadat partizane të qarkut çliruan Kuçovën dhe Fierin. Çlirimi i Lushnjes në 18 tetor shënoi çlirimin e të gjithë qarkut të Beratit. Për të vazhduar më tej për çlirimin e Tiranës, Mirditës, Lezhës, Shkodrës…
Nga muaji prill 1944 e deri në fund, në qarkun e Beratit udhëhoqi luftën Shtabi i përgjithshëm dhe Enver Hoxha. Në këtë qark E. Hoxha e ndjente veten më të sigurtë sesa në ish Bllok ku sundoi për 40 vjet. Dhe për këtë merita i takoi popullit të këtij qarku dhe komandës partizane me Mestan Ujanikun në krye.
Mbi sa më sipër nuk e teprojmë të themi se qarku i Beratit ka qënë kontribues kryesor dhe lokomotiva e LANÇ-it në Shqipëri. Nëse me të drejtë themi që LANÇ është vepra më madhore dhe kurora e lavdisë e popullit shqiptar në të gjitha kohërat, LANÇ-i në qarkun e Beratit është kurora e lavdisë për LANÇ-in në shkallë vendi. Dhe nëse ka emra të përveçëm që i dhanë lavdinë qarkut të Beratit, gjatë luftës, ata janë Mestan Ujaniku dhe Gjin Marku. Për gjithçka që ata bënë për të mirën e popullit dhe lirinë e Shqipërisë, kontribues të mëdhenj të LANÇ-it.
Në këto rrethana natyrshëm lind pyetja: Pse Enver Hoxha u soll kaq ashpër deri në mizori me këta dy kapedanë të luftës?!
Mestan Ujanikut ju kursyen vuajtjet në burgun e torturës (15 maj 1947-15 korrik 1948) në këmbim të zhdukjes së eshtrave duke e lënë pa varr! Ndërsa Gjin Markut nuk ja kursyen vuajtjet për dekada burgjeve derisa vdiq në këmbim ndoshta të një varri! Ndaj sërish pyesim: A e dëshironte vërtet E. Hoxha suksesin e e LANÇ-it?!- Sigurisht që e dëshironte por vetëm suksesi i saj, atij nuk i hynte gjë në xhep! Suksesin e LANÇ-it ai e donte të ecte me të njëjtin hap me suksesin e luftës për “shtrimin e udhës” drejt pushtetit të tij personal. E. Hoxha zgjodhi të jetë në krye të PKSH për fitimin e pushtetit personal në një Shqipëri “të lirë”. Ndërsa ishin udhëheqës të sukseseve të LANÇ-it, Mestani e Gjini për asnjë çast e rrethanë gjatë luftës, nuk u bënë ushtarë të politikës kontraverse të Enver Hoxhës në luftën e tij për pushtet.
Në Berat jo vetëm komanda partizane ja vuri “kufirin te thana” por edhe pleniumi i Komiteti Qendror i PKSH (23-27 nëntor 1944) e vuri Enverin me shpatulla pas muri për politikën e tij personale në drejtimin e luftës. Kanë qënë këto rrethana që qarku i Beratit ishte dilema e madhe e Enver Hoxhës në luftën e tij për pushtet. Sot ka me dhjetra botime e publikime interesante të studiuesve e publicistëve të pasionuar me të vërtetën historike. Ato janë burim i mjaftueshëm për këdo njeri të përgjegjshëm të këtij vendi që të ketë dhe të japë opinion të vetin për atë që ka ndodhur tek ne gjatë luftës dhe regjimit komunist. Dhënien e një opinion-analize të tillë e ndjej si detyrim jo vetëm si qytetar i qarkut të Beratit por edhe i vendit tim për ti shkuar deri në fund të vërtetës, jo vetëm për atë që ka ndodhur në qarkun e Beratit gjatë luftës dhe jo vetëm për dy prej kapedanëve të saj si Mestan Ujaniku dhe Gjin Marku.
Ndërsa pretendojmë të bëjmë një gjë të tillë nuk mund të mos ndjehem mirë që më në fund kam kuptuar thelbin e gjësë për shumëçka ka ndodhur në kohën e luftës dhe pas çlirimit. Në udhëtimin tonë tek kjo analizë po e nisim me thelbin e dy opinioneve që me kanë dalë nga bisedat me miqtë e mi. Meqë këto opinione ndahen tek një numër jo i vogël i publikut dhe i lexuesve tanë e vlen të ndalim në to.
Opinioni i parë: “Bëni mirë që u hiqet balta Mestan Ujanikut dhe Gjin Markut, por mos ua hidhni të tjerëve”! Dhe vijojnë “Gjynah për çfarë kanë hequr por…ashtu ishte koha!” Mesazhi i tyre është i qartë. Merakun e kanë që të mos preket figura e “komandantit”. Keqardhja për vuajtjet e atyre që në fakt i bëjnë nder kombit dhe historisë sonë, në nivelin e një mëshire të pasinqertë, tregon për nivelin e ulët të ndjeshmërisë tonë publike për atë që ka ndodhur me shqiptarët në kohën e luftës dhe gjatë regjimit komunist. Balta që mbuloi Mestanin dhe Gjinin, në fakt është një pjesë shumë e vogël e baltës gjigande që na mbuloi të gjithëve. Ajo mbuloi dhjetra komandantë dhe komisarë të luftës që udhëhoqën formacionet e ushtrisë partizane. Balta mbuloi dhjetra mijë partizanë ndërsa të tjerët na grabitën lirinë e fituar me gjak e sakrifica. Që mbuloi të gjithë Shtabin e përgjithshëm që udhëhoqi atë luftë heroike.
Ajo mbuloi mijërat e të burgosurve dhe vdekur burgjeve. Ajo baltë që na kthehu të gjithë në skllevër, na ka përdhunuar historinë tonë të luftës të cilën ende sot nuk jemi në gjendje ta shkruajmë sepse na mban peng “hija e komandantit”. Që vazhdojmë të kemi një histori të çalë për rilindjen kombëtare për shkak të “biografive të liga” të disa prej atyre që bënë historinë e saj. Shkaktari i kësaj balte gjigande nuk ka qenë njeri dosido por i pari i vendit për gjysëm shekulli.
Të drejtosh gishtin ndaj tij do të thotë të kuptosh dhe të ndash të vërtetën nga gënjeshtra. Do të thotë të çmosh vlerat dhe paudhësitë e së shkuarës sonë të zezë për të ndriçuar të ardhmen.
Opinioni i dytë: “Mos ta kritikojmë shumë Enverin sepse rrezikojmë të dëmtojmë vlerat tona të LANÇ-it!” Personalisht miku im merakun më shumë e ka me vlerat tona të LANÇ-it sesa për Enverin. Megjithatë ata që ndajnë këtë opinion më shumë merakun e kanë për figurën e Enverit. Duhet ta kuptojmë njëherë e mirë se mbrojtja e vlerave të luftës si vepër madhore e popullit shqiptar nuk mund të bëhet me “doreza” me doemos të mbrohet Enver Hoxha si udhëheqës i saj. Kauza e LANÇ-it si vepër e popullit shqiptar ka qënë tjetër gjë me kauzën e Enverit. Ato janë dy paralele që nuk kanë asnjë pikë të përbashkët./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016