Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e pesëdhjetekatër
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetë vjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Takimi i parë
(Varka e mbytur në stere)
“Përpjekjet e mia dhe të atyre që më erdhën në ndihmë, na vanë dëm. Kur i hoqëm lakun, sytë e Lutit kishin perënduar njëherë e përgjithmonë. Kufoma e nxehtë regëtinte mbi dysheme, me kokën varur mënjanë dhe gjuhën jashtë, ndërsa currili i gjakut që rridhte nga maja e gjuhës, binte i valë mbi plloçat e gurta të hajatit, duke krijuar një pellg të zi viskoz. Rruazat e qafës qenë këputur, s’arrinin ta mbanin peshën e kokës. Ai burrë i paepur, që kish kapërcyer shumë peripeci, mbasi i kishin fishkëllyer mbi krye mijra plumba armiqsh italianë, gjermanë dhe partizanë dhe s’i kish luajtur qerpiku i syrit, një lak i hollë çeliku, e kishte mposhtur, kish nxjerrë xhan!
Vetëm ideja se tortura mund të përsëritej, e tmerronte. Shpirti i tij i dëlirë, s’mundi ta mbante barrën e rëndë të turpit, spiunllëku s’kish qëlluar për masën e tij. Ai vetë-zgjodhi harresën, largimin nga kjo jallane, pa u njollosur ende, me vulën e krimit. Zgjodhi vetëflijimin me këmishën e trupit që e kishte shqyer në retra. Coha angleze kishte qëlluar e re dhe e fortë, për ta mbajtur gjithë atë peshë. Në vitet e demokracisë, një nip i tij, erdhi për të pyetur, ngaqë kam mbetur i vetmi i mbijetuar i asaj mynxyre. I rrëfeva ç’dija por, s’e orientova dot të gjente eshtrat. S’dihet në ç’gropë ka përfunduar! Gjetët rahmet”!
Ky ishte tregimi i Bajramit, sa i dhimbshëm aq edhe i pabesueshëm. Të njëjtën ngjarje, me nota edhe më tragjike, ma rrëfeu më pas edhe Muhamet Hoxha apo “DIVERSANTI” gjirokastrit, siç e thërrisnim të gjithë, shoku i idealit dhe i ekzilit të qyqarit nga Vlora. Për ngjarjen tjetër shokuese dhe mizore deri në tmerr, jam vet dëshmitar. Duhet të ketë qenë aty nga gjysma e dytë e muajit tetor 1968, data s’më kujtohet, po faktin e rrallë kur papritmas u gjenda para një trupi të shpërfytyruar, mbuluar kokë e këmbë me gjak, e kam fiksuar në kujtesë, si masakrën më të llahtarshme, që më kishin zënë sytë deri atë kohë.
Ishte dita e fundit e hetuesisë, siç më thanë trojka e hetuesve. Më kishin ngujuar mes zyrës mbi një karrige metalike të betonuar, ndërsa përqark, vërdalloseshin tre burra. Në këmbë, krye-hetuesi, Llambi Gegeni, me ca shkresa në dorë; në të djathtë ulur, prokurori Thoma Tutulani dhe një tjetër hetues i moshuar; një avdall që e shihja për së pari, që herë pas here lëvizte i nervozuar pas shpatullave të mija dhe shante e ulërinte me të madhe, sa herë pushonin të tjerët. Siç do e mësoja, quhej Shyqyri Çoku. – “Kemi mbërritur aktin e fundit”! – më tha njëri prej tyre. Veçse për të vulosur “suksesin”, iu nevojitej edhe një formalitet i “vockël fare”, domethënë një “çiçkë firmë” siç i pëlqente Llambit të tallej dhe unë, jo se isha trim dhe s’e vija atë “çiçkë firmë”, por përfytyroni; fëmijë në moshën time? Kisha për ligjin koncepte libreske, besoja se: “Po mos të firmosje, s’kanë ç’të të bëjnë! S’të dënojnë dot, edhe po të kesh vrarë”! Jo më unë që s’vrisja dot një mizë!
Preh i këtyre romantizmave arkaike, e ndava mendjen të mos firmosja. Por pasojat do ishin fatale, gishti i madh i dorës majtë, i thyer për ibret, që edhe sot luan nga ta kthesh, si dhe një hu i shëndoshë, që më ka lenë kujtim një vazhdë rreth pesëmbëdhjetë centimetër mbi ballë, një sy qorr, një vesh gjysmak. Nejse…! Ngaqë s’përbëja ndonjë rast kushedi, s’ma zgjatën shumë. Më dhanë mësimin e rastit, gishtin ma theu Llambi, ballin ma çau Shyqi, kurse prokurori si dashamirës dhe patriot i imi nga Berati, kinse i dhimbsesha, ndërhyri: – “Sa keq më vjen! Po i shkakton vetes dëm të madh! Ore, po firmos ti, s’firmos ti, kostumin ta kemi prerë, një dhjeçe me yll”!
Duket gjithçka e kish paravendosur trojka. Ai uli sytë e fryrë si bark bretkose, mbi letra, i ngriti sërish dhe nga poshtë syzeve të trasha, më hodhi një shikim të shtrembër, mandej shtoi: – “Po këtë here do ma hedhësh! Ke gjysëm dënimi”! – puliti sytë e mufatur, mandej: – “Ama, s’na prish punë, qiraxhiu me hanxhinë piqen, herën tjetër të zë sagllam”! – “Si mund të më dënoni, kur s’kam bërë asgjë”! – e ndërpreva unë. – “Pse ore, budallenj na di ti, sa ta lëmë zotërinë tënde të bëj, e pastaj ta dënokemi? Na, ore! Po, ne e dimë ç’bluan ti, në atë rradaken tënde armike e, t’i shkurtojmë urat pa rënë zjarri! Të fusim një dhjeçe dhe prapa, shohim e bëjmë”!
– “Ju s’jeni gjykatë, të dënoni njerëz! Vetëm ata kanë të drejtën e dënimit por, jo pa fakte”! – e ndërpreva sërish. – “O shokë-ëë! Pa shiheni mo, ç’rrotë qenka ky patrilla im! Si more, s’e ditke që gjykatat i kemi rrecka, për të fshirë këpucët, ne”?! – kur vuri re habinë time, shtoi: – “Epo mirë, do ta shohësh vet”! – i dha fund Thomai dhe barku i rrumbullt, i hovi lartë nga gazi. Ai kish pasur të drejtë! Vërtetë ma kishin prerë kostumin! Unë isha treguar naiv me brirë, kur besoja në drejtësinë e gjykatave socialiste! Po t’i dija asohere ato që do mësoja më pas, do t’i kisha kursyer vetes shumë mundime të tepërta, po mbi të gjitha s’do isha sakatuar. Po, le të kthehemi në rrjedhë.
Kokëfortësia prej budallai, i mërziti tepër hetuesit, ndaj s’e zgjatën, po mbyllën dosjen fët e fët dhe u dhanë urdhër dy policëve: – “Merreni, çojeni në birucë! Po më parë, kthejeni njëherë te vendi”! Ngaqë më dridheshin këmbët si purteka e, s’më bindeshin, policët më hoqën osh, më çuan te çezma e më plasën te lekani. Mesa dukej me termin “te vendi”, nënkuptonin çezmën. Më hoqën hekurat, thirrën përgjegjësin e birucave, Jonuzin dhe u larguan. Gjaku më kishte ngallosur kokë e trup, kish rrjedhur nga e çara në ballë dhe ish përtharë në fytyrë e mbi teshat e zdralura.
Hodha ca grushta ujë. Kur ç’të shoh, lekani u skuq. Duket e çara e ballit u çërmit sepse plaga po më përcëllonte. Nisi të rridhte gjak. Jonuzi, pak më tej po ledhatonte kotelet: “mic-mic, mic-mic”! Sapo vëreu ujin e përskuqur, i la ato dhe m’u kthye i habitur: – “E ‘re patriot, të paskan zhdëpur sot”? – u qas më pranë, më kapi poshtë mjekrës dhe më ngriti kryet lartë. – “Mbaje kështu, të pushoj gjaku”! – urdhëroi. Duket atë çast vuri re të çarën në ballë, sepse m’u shkreh: – “Ua-aah, po të paskan xhallavitur, ore”! Ma uli sërish kokën mbi lavamanin e betontë, gjaku vazhdoi të rridhte. – “Po paske pasur tërë atë gjak ‘re”! – shtoi, kur pa të pikonte ende. – “Obo-bo, po të paskan bërë sallatë, si këtë qyqin këtu! Pse ‘re, për sot e paskeni lënë të tërë? Ore, ore”! Kur dëgjova se në hallin tim, gjendej dhe një tjetër, ktheva shikimin andej nga bënte shenjë Jonuzi. Shtanga. Ç’të shoh!
Një gjallesë pa konture, që mund të ish çdo lloj kafshe e therur, përveç kurm njeriu, e kishin plandosur rrëzë trungut të pemës! Një kurm i përçudnuar, ngallosur fund e majë me gjak, sa edhe teshat s’i kuptoje, ç’ngjyrë do kishin pasur më parë. Rreth e qark kësaj mase pa identitet, sterronte një pllangë gjaku, që sapo kish nisur të mpiksej. Një zgjua mizash gjigante, zukatnin rrotull masës pa formë dhe pështynin sipër gjakut, miliona larva të zdregosura lëvrinin mbi pelten e gjaktë. S’e kuptova në ish i lidhur apo, e kishin vërvitur si e kish zënë momenti. S’lëvizte, s’jepte asnjë shenjë jete. Dukej i humbur tërësisht. Por ndërkaq, diçka si një muskul regëtiu në pjesën e sipërme, që s’merrej vesh, në ish shpina apo barku, ngaqë gjithë kjo qenie, ish katandisur një kapicë mishi. – “Duhet të jetë ende gjallë” dhe iu ktheva Jonuzit: “Zoti Jonuz, ju lutem, bëni diçka”! – “Ju bëftë m’u në grykë, ju bëftë! Ç’ti bëj këtij ditëziu, more? Vetëm në ndihmoftë Perëndia, t’ja marrë xhanin një sahat e më parë”! “Gjynah”! – e harrova plagën time, atë moment. “O po qy, ‘re! Po, shih ore veten njimë! Qy ka mbaruar me nemcen ‘re”! më mori për krahu e më ktheu në qeli.
Mandej u largua, po shpejt u rikthye me një kuti ndihme të shpejtë. Më shpëlau ballin me një shuk pambuk të lagur, më leu me jodio, pastaj mbështolli si çallmë rreth kokës një rrotull fasho. Duke bërë infermierin, çdo veprim e shoqëronte me këngë, si vajtojcat: “Ah, more, lumë e përrua, mjeri ti, ç’më gjeti mua! Oii-oiii. Ç’u katandise kështu? O kërriç, o kokëdru! Oii-oiii. Qyqi un’ për këtë djalë, ç’e more damkën në ballë! Oii, oiii! Korbi ti, o djal’ deli, mbete me një vesh e sy. Oii, oiii”. Jnuzi, polici veteran i birucave të Shkodrës, ish më i egri dhe nga më skrupulozët në detyrë. Por me mua, s’di ç’e gjeti! Mbase nga mosha, kish ngarë zemra, që po tregohej i butë? Një Zot e di? Por ai, s’e besonte Zotin! Atëhere, ç’të kish ndodhur?!
Mbase si beratas, në vend të huaj, m’u gjind! Gjithsesi, s’do t’ia harroj asnjëherë, ç’ka bëri për mua ato ditë mjerimi. Për të dhe të ngjashmit e tij të tjerë, do angazhohem në një kapitull të veçantë. Kur na nxorën në banjo, mbas-dite vonë, të gjakosurin s’e pashë më te “vendi”. Luta Zotin, ta kishin çuar në spital e të kish shpëtuar! Por…! O Zot! Të nesërmen në mëngjes, Jonuzi më veniti çdo shpresë: – “Qyqari ai, vdiq! S’i ngrysi dot dy orë! Ama, qe një kokëmushkë që…”! Asnjëherë s’e mësova kush kish qenë, nga kish qenë dhe ç’mund të kish bërë ky “kokëmushkë”! Porse ajo pamje për ngjethëse edhe sot mbas dyzet e kusur vitesh, s’më shqitet nga mendja, më ndjek pas si fantazmë, ashtu si i fiksova, për herë të fundit.
Në të dyja rastet përfundimi është, vdekja! E ç’rëndësi ka, në ishin vetëvrasje apo, mbetje në dorë! Individin e vlerësonin më pak se një qen! Një tjetër rast, përbënin edhe vdekjet me shkak bashkëvuajtësit. Natyrisht edhe këto i klasifikonin të dhunshme, po gjithsesi shkaktarët e vërtetë të këtyre gjëmave, dilnin në ledh e ngrohnin duart, në zjarrin e gjakmarrjes që ndiznin vetë. Jetesa brenda caqeve të ngushtë, me veprime të kushtëzuara nga nenet e rregulloreve, të impononte bashkë ekzistencën në grup edhe me tipa të pa dëshirueshëm, që në liri, s’do pranoje të këmbeje as mirë-mëngjesin. Shumë individë psikopatë dhe anti socialë, me probleme të theksuara mendore e, me karaktere të deformuar, me bindje të kundërta politike apo, fanatikë obskurantistë, e kishin të vështirë, në mos të pamundur të ndanin të njëjtën hapësirë.
Në kushte izolimi, këta tipa bëheshin edhe më të padurueshëm, madje edhe shumë agresivë. Këto cilësi negative i shfrytëzonin operativët dhe komanda, që me metoda nga më diaboliket, mbillnin urrejtjen dhe nxisnin hasmëritë mes të dënuarve. Në burg s’ish aspak e vështirë të gjeneronte një shkak, sado banal në dukje, që të nxiste pakënaqësi. Një mosmarrëveshje e çastit, mund të degjeneronte në dhunë. Një shikim i shtrembër, një fjalë dykuptimëshe, një shaka pa kripë, një gjest pa të keq, një prekje bërryli në sheshin e rreshtimit, një veprim apo mosveprim në kohën e duhur, ktheheshin në qeder. Plasnin sherre për radhët: jo e imja, jo e jotja, jo radha te berberi, jo radha te banjot, jo radha te dushet, jo radha te kuzhina private, jo radha te kazani i supës, etj., sepse atje jeta ish radhë!
Mandej edhe për hundë: jo jam filani, jo ti je fistani, jo unë jam gegë e, jo ti je toskë, jo më the, e jo thashë, etj., sepse atje egoja arrinte pikun! Mbi të gjitha mosmarrëveshjet, cinikët i qëmtonin si pula melin; i hidhnin si bujku kallëzat e grurit në arë; i sistemonin si kartelistët kartelat; i shoshitnin si amvisa miellin; i kthenin dhe i rikthenin mbarë e mbrapshtë dhe i kalonin në lupë. Më pas i përpunonin në magjen e thashethemeve, nga ku i nxirrnin të vala si nga furra e xhehenemit dhe ua servirnin inatçorëve, të përvëloheshin.
Gjendeshin përherë dembelë dhe qelepirxhinjë, të prirë për poshtërsi, huliganë perversë, që laturiseshin në brumin e intrigave, me miell krunde; bash si ato shtrigat sqep kërrusura të përrallave të lashta, që nakatosnin leshtë e prerë të derrit me thonjtë e maceve dhe legjendonin prapaskenat që në kushte normale, asnjë fantazist modern, sado i ithët, s’do ish i aftë t’i sajonte. Me aq mjaftonte të nisnin hakmarrjet e radhës, që herë-herë i kapërcenin edhe gjerdhet e telave gjembaçë dhe me shpejtësi skëterre, transferoheshin nga njëri kamp në tjetrin, por edhe jashtë burgogradit, në familjet e qyqarëve, në vendlindje apo edhe në vend-internime. Për pasojë, shumë prej tyre, merrnin arratinë nga sytë këmbët apo, ndryheshin nëpër shtëpi. Ka ndodhur që fise të tëra, të ngujoheshin. Ky fenomen mortal, tipik sidomos për veriorët, po që s’përjashtoi as jugorët, shkatërroi fizikisht, moralisht dhe psiqikisht, dhjetëra burra me “rr” të madhe.
Operativët vigjilonin si korbat e zinj nga sipër qiellit, skërkave kërma; kapnin, përpunonin, stimulonin çdo grindje të çastit, sado papërfillshme të dukej ajo. Mandej i frynin zjarrit të urrejtjes, që rriste agresionin mes të dënuarve, si një metodë efikase për t’i mbajtur më lehtë kontroll armiqtë e regjimit. Punonjës të veçantë të Sigurimit, të maskuar nën petkat e policit të shërbimit të brendshëm por, ndonjëherë edhe nën rrobat kafe të burgosurit politik, kryenin detyra specifike në terren, ndiqnin e këqyrnin individët “problematikë”. Shpesh arrinin të depërtonin deri në thellësi të subjektit, të studionin karakterin e personit të piketuar për viktimë apo, për xhelat, të qëmtonin çdo fjalë, çdo gjest që mandej të ndërhynin gjoja në emër të ligjit, apo në mbrojtje të jetës së të kërcënuarit.
Por synimi primar, s’ishte siguria e jetës dhe as shuarja e konfliktit. Përkundrazi. Me infiltrimin brenda konflikteve personale, mëtonin të arrinin dy qëllime themelorë; së pari shfrytëzonin rastin, për të shtuar radhët e bashkëpunëtorëve të tyre dhe e dyta: nxisnin armiqësinë. Duke i hedhur benzinë zjarrit të urrejtjes brenda llojit, vetvetiu rritej mosbesimin ndërmjet “armiqve” të Partisë dhe si rrjedhojë, mbinte fara e përçarjes dhe rritej marazi. Piketonin individë me emër të mirë, i diskreditonin, i turpëronin para mexhlisit për t’iu ulur kokën. Burra me vlera të larta morale, politike, nacionalistë të spikatur, kundërshtarë të paepur të komunizmit, që s’ishin dhënë para shumë e shumë vështirësive, që gëzonin integritet të padiskutueshëm; s’duhej të dilnin gjallë nga burgu.
Me çdo formë e me çdo mjet, iu stisnin afera të pista, që t’i shtinin nën kthetrat e hasmërisë. Rasti për të cilin do tregoj, kish ndodhur afër një vit para se të mbërrija unë, por për të flitej gjithandej, si të kish ndodhur dje. Bëhej fjalë për Ali Maliqin, njeriun që u shndërruar në emblemë i burgjeve politikë. Ali Maliqi, ishte pinjoll i “oxhakut” të shquar Agolli, të njohur në Dibër e më gjerë, për atdhetarizëm, urtësi dhe trimëri. Ky fis kish nxjerrë përherë burra fjale dhe pushke. Të farkëtuar e të kalitur në kudhrën e “kuvendit të odave”, ku edukoheshin dhe iu mësohej të rinjve se: “fjala vret, ma rëndë se plumbi” dhe se: “për me ngreh këmbëzën e pushkës, duhet me mbreh dy pendë që!” Produkt i këtij mjedisi ishte Aliu.
Që në rini, spikatën aftësitë e veçanta intelektuale dhe ndjenjat e forta patriotike. Aliut i kish lezet qoshja, fjala e mençme i ngjiste si me zamkë, ndaj në të “nantë malet e Dibrës” e nderonin dhe e respektonin. Ky burr bese dëgjohej ngado, paria e zonës e ndiqnin pas. Falë vetive të jashtëzakonshme organizative, udhëhoqi me urtësi dhe trimëri popullin në luftë kundër pushtuesve. Mirëpo komunistëve dibranë, Lleshëve, Xhuglinëve dhe disa pseudo-fetarëve, hipokritë, që ditën bënin dua dhe natën putheshin, filistinët, (si Baba Fajë Martaneshi, që, në fakt, ia kishin ngjitur kot llagapin, pasi ishte “Dylber Kavaje”), s’iu vinte pas midesë kjo famë. Kështu, herë tinëz, herë haptas, iu kundërvunë me intriga që treteshin si kripa në ujë, sepse, në popull, pesha e Aliu rritej çdo ditë e më tepër.
Provuan ta joshnin me nishane, i premtuan pushtet. Provuan e ç’nuk provuan! Po rrugët ishin ndarë, gjuha e kompromisit nuk u gjet. Kur e panë se tentativat dështuan, nisën lojën e kulisave. Sidoqoftë, me largpamësinë që e karakterizonte, sërish ai u përpoq të shmangte gjakderdhjen mes vëllezërve të një race. Dhe ia arriti. Politika pacifiste që predikonte ai, i tërboi edhe më shumë komunistët, ij me të marrë pushtetin do t’a piketonin ndër të parët që arrestuan. I stisën akuza politike dhe e dënuan gjatë si antishqiptar, edhe pse në Dibër e respektonin për nacionalist të kulluar.
Kalvarin e vuajtjeve e nisi që herët në burgun e Tiranës; e transferuan në kallamishtet e Vloçishtit dhe në gjolin e Maliqit, në kanalin e Vlashukut e të Bedenit, në kënetën e Thumanës dhe me radhë: në burgun e Burrelit, në kampet e Laçit të parë e të dytë, në Rubik, në Fushë Krujë e, së fundi, në fabrikën e çimentos në Elbasan. Kish plotësuar afër njëzet e pesë vite burg, edhe pak muaj e ndanin nga dita e lirimit. I gëzohej faktit, jo se shpresonte kushedi çdo ndryshonte në përditshmërinë e tij; gjithë familja jetonin në internim, moçaleve të Myzeqesë, po vetë mundësia se po ja mbërrinte të ngryste pleqërinë në shtëpinë e tyre, e afektonte.
Por lirimin e Aliut, s’e dëshironte Sigurimi. Figura e tij pa cene, reputacioni që gëzonte ende, sidomos ndër krahinorët e vet, i trembte. Këta s’e kishin për gajle ta dënonin për së dyti dhe për së treti; dy dëshmitarë jallan -shahitë, nga kallëpi i minjve të birucave, i gjenin kur të donin, i fusnin një dhjeçe, dhe nëse ishte jetëgjatë, edhe një dhjeçe tjetër, sa të shuhej në burg e, të mbyllej kapitulli. Por i kishin rezervuar një fund ende më të trishtë: ta zhduknin fizikisht, ta eliminonin moralisht, të fusnin dy fise në një hasmëri të gjatë e, pa krye. Këtë e realizuan nëpërmjet ingranazheve të makinerisë së thashethemnajave.
Vunë në lëvizje rrjetin agjenturor të brendshëm; ndërmjet intrigantëve të paskrupuj, inskenuan një aferë të paqenë, përhapën fjalë të pathëna asnjëherë. Gjetën më së fundi, një mjeran që mbasi e përpunuan, nxitën te ai ndjenjën e urrejtjes hakmarrëse primitive. Duke i lënduar sedrën e sëmurë Lazam Shotës, e orientuan sipas dëshirës së tyre. “Ustallarët” që përpunuan skenën e krimit me imtësi, arritën t’i vinin përballë dy “armiqtë”, vetëm për vetëm, në një oxhak-kullë. Ndërsa Aliu u nis si përditë, në frontin ku e kishin caktuar të punonte, me qysqi dhe sqepar në dorë, të dizajnonte armaturën në oxhak, komplet innocent, për fatin që i kishin taksur Zeusët; Llazamin nga ana tjetër, e armatosën me një levë hekuri, e vunë në pritë sipër kullës, e parapërgatitën shpirtërisht, për mynxyrën që ish paravendosur dhe i kishin ngarkuar të kryente.
Ky shpirtkatran i instruktuar më së miri, e qëlloi disa herë në kokë plakun e gjorë. Që të sigurohej se e përmbushi veprën me sukses të plotë, i dha edhe goditjen fatale; e plandosi përtokë që nga lartësia. E shkarraviti mizorisht burrin e vjetër! Kur u bind se e realizoi misionin, iu dorëzua, në besë, përfaqësuesve të komandës, atyre, të cilët për t’i garantuar jetën, nga miqtë e Ali Maliqit, e nisën në birucat e Degës së Punëve të Brendshme në Elbasan. Për ekzistencën e një marrëveshje paraprake mes xhelatit dhe Sigurimit, ishin pothuaj të gjithë të bindur. Mjafton analiza e veprimeve të sinkronizuara, për të fshirë çdo hije dyshimi. Pra, synimi final ishte eliminimi fizik i nacionalistit të shquar dhe lënien e litarit zvarrë pas vdekjes së tij.
Vetë fakti që, ekzekutuesi, me të kryer krimin u vetë-dorëzua, dhe e siguruan në polici, iu jep të drejtë skeptikëve për bashkërendim veprimesh. Pra, kishte një akord paraprak, mëse të përsosur. Kjo besoj, s’do komente! Kur mbërrita unë në Reps, dëgjova të flisnin për këtë krim të shëmtuar, shumë bashkë-vuajtës që kishin qenë dëshmitarë në vend-ngjarje apo, pranë saj, secili në variant të ndryshëm. Meqë ky krim katran më la shije të hidhur, aq më tepër kur dëgjoja superlativat me të cilat e vishnin figurën e Ali Maliqit, u bëra kurioz: i mblodha të gjitha këto të dhëna, i analizova dhe në fund më rezultoi se të gjitha konvergonin në një pikë: “Ky mbetej krim shtetëror, i mirë-organizuar nga komanda, për arsye që i dinin vetë ata”! Po ta vëresh me kujdes ecurinë e ngjarjeve, siç rrodhën më pas, forcon edhe më këtë konkluzion:
“Kriminelin e ndëshkuan me dënim simbolik dhe për më tepër, i siguruan jetën me masa mbrojtëse nga përkrahësit e viktimës, kur në praktikë aplikonin të kundërtën, domethënë; zgjatnin pafund hallkat e zinxhirit të hakmarrjes”! Më vonë rastisa të takohesha me Lazamin në Burrel; atje njoha një njeri të mbaruar. Ndoshta këtë ndjesi ma përforconte ideja se kisha para një kriminel, ndoshta, vlerësimi im qe i nxituar. S’e shpjegoj dot, por sidoqoftë hë në personin e tij një apatik, pa motive për jetën. Kur ishim ball për ballë, s’më pa asnjëherë drejt në sy, po e përvidhte vështrimin pareshtur sa para, mbrapa dhe anash, i papërqendruar e në stres. Të shëmbëllente një sistemi alarmi. Miq të mi, që rrinin prej kohësh në të njëjtën dhomë me të, më rrëfenin; “dhe në gjumë, ky rob e mban përherë një sy hapur”! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016