Nga Dashnor Kaloçi
-Janko Konomi: “Periudha më pozitive ka qenë koha kur drejtohej nga shokët Llambi Gegprifti e Alfred Moisiu, për Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, dhe shoku Feruz Mataj, për montimin”-
Memorie.al / Grupi Operativ Special që u krijua menjëherë pas arrestimit të ish-Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehut, në mesin e muajit tetor të vitit 1982, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, (njëkohësisht mbante edhe funksionin e Drejtorit të Sigurimit të Shtetit) dhe si vartës të tij kishte Enver Zenelin e Hasan Ulqinakun, ndërmjet masave të tjera, siç ishin; studimi dhe analiza e një numër të madh dosjesh arkivore që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe, (1945-1982), u bëri thirrje dhe u kërkoi edhe disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSh-së dhe ish-kuadrove të lartë drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me shkrim, ato që ata dinin, apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, apo dhe personave të tjerë, me të cilët ata i kishte lidhur puna apo jo, gjatë periudhës që ata kishin shërbyer pranë asaj ministrie, apo në Degët e Brendshme në rrethe, në sektorin e Zbulimit Politik, pranë përfaqësive tona diplomatike të akredituara në shtete të ndryshme të botës, etj.
Ndër ish-funksionarët e lartë të PPSh-së dhe kuadrot drejtuese e oficerët e Sigurimit të Shtetit, etj., që iu përgjigjën kësaj thirrje, duke dhënë dëshmitë e tyre me shkrim pranë Grupit Operativ Special, ishin: Liri Belishova, (ish-anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së për propagandë, artin dhe kulturën), Nesti Kerenxhi, (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Punëve të Brendshme), Xhule Çiraku (ish-gjeneral-leitnant, Drejtor i Drejtorisë së Dytë të Sigurimit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Rexhep Kolli (ish-gjeneral-leitnant, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Zija Kambo (ish-gjeneral-major dhe komandant i Gardës së Republikës), Zoi Themeli (ish-gjeneral-leitnant, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Myftar Tare, (ish-kolonel dhe zv/ministër për Zbulimin Politik, i arrestuar në vitin 1949 dhe nxjerrë në lirim), Nevzat Haznedari, (ish-gjeneral-major dhe Kryetari i Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme), Veli Llakaj, (ish-komandant Korpusi dhe Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes), Hekuran Pobrati (ish-kolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), Feti Smokthina (ish-kolonel dhe Komandant i Gardës së Republikës), Zylfi Saliu (ish-kolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe, e deputet i Kuvendit Popullor), Lelo Sinaj, (ish-oficer madhor dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit), Halil Zeneli (ish-kolonel i Sigurimit dhe kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe), Ilo Manushi (oficer madhor dhe drejtor i Drejtorisë së Kuadrit të Ministrisë së Brendshme), Mark Dodani (ish-nënkolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit dhe zv/kryetar i Degës së Brendshme Sarandë), Xhemal Bejto Fasllia, (ish-gjykatës dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme), Ibrahim Kubati (ish-agronom i diplomuar në Bullgari, drejtor i rezervateve të gjuetisë në disa rrethe të vendit, ku shkonte udhëheqja e lartë e PPSh-së për gjueti, i burgosur politik), Ali Kubati, (ish-oficer i Zbulimit Politik në disa shtete të botës dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, i burgosur politik), Nexhip Pajo, (ish-oficer i grupit të shoqërimit pranë Hysni Kapos), etj.
Nga letrat në fjalë të dërguara në adresë të Grupit Operativ Special pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo personalisht ministrit Hekuran Isai, në vitet 1982-1983, (që u përdorën më pas kundër Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut gjatë procesit hetimor dhe në akt-akuzat në gjyq), në numrat e kaluar, kemi publikuar letrat e Liri Belishovës, Hekuran Pobratit, Xhule Çirakut, Mark Dodanit, Ibrahim Kubatit, Nexhip Pajos, Nevzat Haznedarit dhe Sotiraq Zavalanit, kurse në këtë shkrim, po publikojmë letrën e ish-oficerit Janko Konomi, dërguar ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, në vitin 1982, (disa muaj para se ai të arrestohej), gjë e cila iu përdor në procesin hetimor dhe në akt-akuzën e gjyqit të tij, në shtatorin e vitit 1983.
Nga dokumenti në fjalë, Janko Konomi, në letrën e tij drejtuar ministrit Hazbiu, jo vetëm që ka ngritur një sërë problemesh dhe shqetësimesh, lidhur ecurinë e punimeve në ndërtimin e montimin e pajisjeve dhe teknologjisë të “Objektit 2575” në Mjekës të Elbasanit, (siç quhej në atë kohë Uzina Ushtarake për prodhimin e municioneve dhe eksplozivëve), e cila ndërtohej me ndihmën e inxhinierëve dhe specialistëve suedezë, por ai nuk ka nguruar që të akuzojë disa nga kuadrot drejtuese kryesorë që merreshin me ndërtimin e asaj vepre ushtarake, nga më të rëndësishmet që kishte Shqipëria komuniste e asaj kohe, si; Mendu Backa, Nuro Brati, Rexhep Saraçi, Spiro Milo, Orhan Bacellari, etj. Për më shumë rreth kësaj, etj., na njeh dokumenti në fjalë (pjesë e fondit arkivor të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), i cili publikohet i plotë dhe bashkë me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al
LETRA E USHTARAKUT JANKO KONOMI, DREJTUAR MINISTRIT TË MBROJTJES POPULLORE, KADRI HAZBIU, LIDHUR ME PROBLEMET QË KISHIN DALË NË NDËRTIMIN E OBJEKTIT SEKRET TË UZINËS USHTARAKE TË MJEKSIT NË ELBASAN
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE
SEKTORI I PËRGJITHSHËM
Nr 1 – 17 Prot
Tiranë më 28.6.1983
Lënda: Dërgim letre
MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORISË SË HETUESISË
(Grupit të Hetimit)
TIRANË
Sipas kërkesës suaj, bashkëlidhur ju dërgojmë letrën origjinale dhe të shtypur të oficer Janko Konomit, dërguar armikut Kadri Hazbiu, me shënimet që ka bërë ai në këtë letër.
ZËVENDËS SHEFI I SEKTORIT TË PËRGJITHSHËM
ZENEL FRANGU
Shoku Kadri
Pak ditë para vitit të ri, ju keni bërë një mbledhje me shokët që drejtojnë punën në objektin 2575 Mjekës. Detyrat dhe afatet e caktuara nga ju, na u komunikuan menjëherë. Duke gjykuar nga afatet e caktuara, krijova bindjen e plotë se jeni keqinformuar lidhur me gjendjen reale të punimeve në këtë objekt. Prej kohësh më ka bërë përshtypje mënyra e organizimit të punës dhe drejtimi i punimeve në objektin 2575, por të metat dhe defektet shumë të rënda që konstatoj, i kam justifikuar me mungesën e përvojës dhe paaftësinë e shokëve të ngarkuar me drejtimin e punimeve, për t’ju përgjigjur detyrave të këtij niveli.
Fakti që në mbledhjen e fundit shokët, Mendu Backa, Nuro Brati, e Rexhep Saraçi, me ndërgjegje ju kanë dezinformuar, ose gjysëm informuar për gjendjen reale të punimeve në objekt, më detyroi të bëj një sintezë të fakteve dhe ngjarjeve kryesore nga fillimi i punimeve për ndërtimin e tij, dhe konkluzionet personale, që kam nxjerrë, t’jua bëj të njohura personalisht ju.
Më poshtë po rendis në mënyrë kronologjike disa nga faktet kryesore që më kanë bërë përshtypje. Projekti paraprak i këtij objekti, u miratua pa konsultime të mjaftueshme me specialistët përkatës nga shokët Nuro Brati, Mendu Backa, e Rexhep Saraçi, dhe është fakt i njohur që ky projekt, rezultoi me të meta të shumta. Edhe për vendosjen e objekteve, u zgjodh varianti më i shtrenjtë, thuhet me orientim të Mehmet Shehut.
Fondet e nevojshme për ndërtimin e veprës të llogaritura paraprakisht nga specialistët, rezultuan 70 milionë lekë. Kjo vleftë, u reduktua në 40 milionë, me iniciativën e shokut Mendu, duke eliminuar mjaft ambiente pune e hidro-sanitare, magazina e reparte ndihmëse, si dhe duke vlerësuar gabim ato që do të ndërtoheshin, për shkak të pjesëmarrjes në punime të repartit të xhenios, të cilit ju ngarkuan detyra që shumë lehtë verifikohen, se ishin të parealizueshme.
Në parantezë, dua të theksoj se; pjesëmarrja e Brigadës së Xhenios në këtë objekt, më duket një punë e pa menduar mirë dhe që ka dëmtuar shumë (duke pasur parasysh përbërjen e ushtarëve). Vetëm në prag të Kongresit VIII-të, nga efektivi që punon në Mjekës, janë arrestuar disa persona për veprimtari armiqësore, madje dhe për tentativë arratisjeje. Janë bërë dhjetëra akte dëmtimi pajisjesh që janë konstatuar, si dhe mjaft punime jo të mira, të cilat nuk ka arsye të mos konsiderohen akte sabotimi.
Duhet përmendur se projektet e zbatimit të objektit, kanë qenë të ekspozuara ndaj këtij elementi. Nëse do të presupozojmë, një punë të organizuar agjenturore, në gjirin e këtij efektivi që sipas mendimit tim, nuk është e pamundur, dëmi patjetër që nuk është i vogël (në drejtim të dekonspirimit të sekretit). Afatet e përfundimit të objektit, kanë qenë fillimisht ireale dhe kjo u justifikua me nevojën e sigurimit të pajisjeve nga Suedia, gjë që deri diku është e pranueshme.
Më vonë afatet që caktoheshin ishin gjithmonë tepër të nxituara, e duke qenë se ato nuk janë shoqëruar herë me masa efektive organizative, këto afate kanë luajtur një rol të theksuar dekurajues, e de-mobilizues. Këtë e tregon edhe gjendja reale e punimeve. Sipas mendimit tim, në muajin janar, objektet e para duhet të ishin vënë në shfrytëzim, ndërsa të tjerët të ishin në një stad shumë të avancuar.
Periudha më pozitive gjatë së cilës është punuar tamam si e kërkonin detyrat, ka qenë koha kur drejtohej nga shoku Llambi (Gegprifti) dhe shoku Alfred (Moisiu), për Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, dhe shoku Feruz Mataj, për montimin. Më vonë, kjo punë ka ardhur gjithnjë në rënie, ndërsa aktualisht ka degjeneruar fare. Përveç të tjerash në këtë drejtim, jemi vënë në pozitë të vështirë, e mund të them qesharak, edhe para specialistëve të huaj. Për shpejtimin e punimeve në objekt, u dha urdhër nga shoku Mendu Backa, që të punohet paralelisht në ndërtim dhe montim.
Sipas mendimit tim ky vendim, ka qenë krejtësisht i gabuar dhe ka çuar siç u mendua nga shumica e specialistëve, në vonesa dhe dëmtime të konsiderueshme, që edhe sot njihen mjaft. Në lidhje me këtë u dha dhe urdhri, që pajisjet të hapeshin e të dërgoheshin nëpër objekte, gjë që çoi në keqtrajtimin e tyre në një shkallë të tillë, aq sa specialistët suedezë, të deklarojnë se nuk do të mbajnë përgjegjësi për funksionimin e tyre.
Që në periudhën kontaktuese e më tej, personat e dërguar jashtë për zgjidhjen e problemeve, janë caktuar shpesh e në mënyrë shumë subjektive. Kështu shkohet jashtë dy herë, për shoqërimin dhe verifikimin e pajisjeve pa qenë nevoja, nga ana e shokëve Spiro Milo dhe Rexhep Saraçi, si dhe nga Orhan Bacellari, që nuk ka pasur dhe nuk ka kurrfarë lidhje me këtë objekt, por është çuar thjesht për “turizëm”.
Po kështu shokët Mendu Backa e Nuro Brati, kanë shkuar disa herë për probleme që nuk kanë qenë kompetentë, dhe kjo ka pasur pasojat e veta negative, në drejtim të vendimeve e kontraktimeve të bëra, të cilat janë të faktuara dhe ndihen edhe sot e gjithë ditën. Lidhur me këtë, duhet të jeni në dijeni të humbjes së arkës më të shtrenjtë nga të gjitha arkat e ardhura, gjë që është konstatuar që në korrik të 1981, por që është mbajtur e mbyllur deri vonë, pa u bërë asnjë përçapje për të nxjerrë përgjegjësinë.
Objektet 009 dhe 012, janë vendosur në një terren me të dhëna gjeologjike të papërshtatshme, gjë që ka rritur mjaft koston e tyre. Veç kësaj, për neglizhencë ose paaftësi, objekti 009 u ul në një kuotë 3 metra nga ajo e paracaktuar, në vend që të ngrihej rruga 3 metra, duke nxjerrë nevojën e shkarkimeve masive, të paktën me rreth 80.000 m3 më shumë, se ato të nevojshmet.
Punimet në rrjetin inxhinierik, u zvarritën pa asnjë arsye gjatë muajve korrik-tetor dhe u lanë të bëhen pikërisht tani, kur koha është krejt e disfavorshme, duke vënë një pikëpyetje të madhe për kohën e përfundimit të veprës. Pikërisht në periudhën në fjalë, Shtabi i ndërtimit të veprës, thuajse nuk ka funksionuar, duke u bërë shkak i një çorganizimi të madh, e i gjithë vonesave të shkaktuara.
Teknologët e veprës, kanë bërë vërejtje si për problemet teknike ashtu dhe për ato organizative, por ata janë mbajtur larg diskutimit të këtyre problemeve, madje janë orientuar që të merren kryesisht me përgatitjen e personelit, duke ju hequr edhe të drejtat që i njeh urdhëresa e Këshillit të Ministrave Nr. 8, e përfaqësisë së investitorit. Gjatë periudhës së ndërtim-montimit, janë konstatuar të meta të theksuara të cilësisë së punimeve, të cilat ose janë mbuluar, ose janë kaluar shkarazi.
Këto punime të dobëta kanë sjellë humbje të konsiderueshme në kohë e në fonde. Kështu rezervuari i ujit, ka rezultuar i plasur dhe nuk është sqaruar ende se si do të vejë puna e tij. Muri mbajtës para objektit 001, për shkak se u zbatua gabim, me urdhër të shokut Nuro Brati u shemb dhe ka krijuar një situatë shumë të rëndë, në këtë objekt. Është ky shkaku kryesor i vonesës në këtë objekt dhe jo koha e keqe, siç paraqitet në informacionin që merrni.
Lidhur me këtë po bëhet marrja e nxituar në dorëzim e jashtë kushteve teknike të objekteve, sipas mendimit tim, për të krijuar përshtypjen e rreme, se objektet po dorëzohen dhe punët po ecin mirë. Kështu u veprua në kaldajë, në stacionin e pompave, dhe atë të kompresorëve. Kështu synohet të veprohet edhe mbi laboratorin, kësaj radhe thanë me urdhrin tuaj.
Unë nuk e besoj se keni dhënë një urdhër të tillë, por nëse kjo është e vërtetë, unë mendoj shoku Kadri, se duhet ta rishikoni, pasi sipas mendimit tim, nuk qëndron. Të meta të theksuara ka pasur në shtrirjen e kabllove, në cilësinë e montimit të tij, por asnjëherë ato nuk janë trajtuar me seriozitetin e duhur. Edhe në këtë drejtim, jemi vënë në pozitë të vështirë me specialistët e huaj.
Si rezultat i shkeljes së vendimeve të Këshillit të Ministrave, për të përfunduar preventivat e objekteve dhe për të punuar të paktën në preventiva të pjesshme, u është çelur rruga abuzimeve e shpërdorimeve lidhur me shlyerjen e situacioneve. Lidhur me këtë, është bërë një rezistencë e fortë, por personat që kanë ngulur këmbë që të zbatohen këto urdhëresa, janë quajtur sabotatorë.
Në marrëdhënie me specialistët e huaj, si në drejtim të problemeve të punës, ashtu dhe në marrëdhëniet e lira me ta, nga shokët Nuro Brati e Rexhep Saraçi, ka munguar korrektësia. Jo vetëm është folur pa përgjegjësi për problemet e punës, por ka munguar korrektësia, dhe në drejtim të zbatimit të orarit të takimeve, e shpesh pa qenë nevoja, janë përdorur banalitete që nuk na nderojnë. Lidhur me detyrat e ngarkuara për vitin 1982 për Repartin Ushtarak 3202 (xhenio), ato janë krejtësisht të parealizueshme, pasi janë vënë pa u konsultuar me specialistët përkatës.
Mendohet që ky repart, të realizojë 8 milionë lekë punime, ndërkohë që nuk realizohen as 100.000 në muaj! Duhet theksuar se në muajin shkurt 1981, ky repart realizoi rreth 1 milionë lekë punime, por me masat organizative që u morën atëherë, ndërsa këtë muaj nuk do të realizohen as 50 mijë lekë. Duke analizuar faktet e mësipërme e shumë të tjera që kam ndeshur gjatë periudhës që punoj në Mjekës, mendoj se nga paaftësia, ose mungesa e impenjimit në punë, ose me dashje, puna për përfundimin e objektit 2575, është sabotuar.
Gjendja reale shumë e rëndë, nuk ka asnjë arsye objektive, për t’u justifikuar. Kjo gjendje sipas mendimit tim, ngarkon me përgjegjësi të rëndë shokët Mendu Backa, Nuro Brati, dhe Rexhep Saraçi. Shoku Mendu dhe shoku Nuro, sipas mendimit tim, mbajnë përgjegjësi për organizimin jashtëzakonisht të dobët të punës, për dhënien e urdhrave të pabazuara, që kanë pasur pasoja të rënda për ecurinë e punës në objekt, si për marrjen e vendimeve, ku nuk kanë qenë kompetentë.
Ata, mbajnë përgjegjësi për fshehjen e gjendjes dhe mosrealizimin e saj në kohë e realisht. Shoku Rexhep Saraçi, mban gjithashtu përgjegjësi të rëndë, për marrjen e disa vendimeve in-kompetente dhe veçanërisht në qëndrimin oportunist në paraqitjen reale të gjendjes, megjithëse ka pasur presion të madh dhe vërejtje të vazhdueshme nga specialistët që e rrethojnë. Mendoj shoku Kadri, se gjendja në këtë objekt, ndonëse është mjaft e rëndë, nuk është e pandreqshme.
Për t’u njohur më mirë me gjendjen, mendoj se do ishte mirë të vinit vetë në objekt dhe të merrnit një takim edhe me specialistët e tjerë, për të pasur një tablo të plotë dhe të qartë të gjendjes. Lidhur me këtë, edhe për ju kam një kritikë, që nuk keni ardhur deri tani.
Kam mendimin gjithashtu se shtabi i objektit, duhet të riorganizohet këtë radhë pa shokun Nuro Brati, i cili është treguar jo vetëm i pazoti, për të mbajtur një barrë të tillë, por edhe e ka tepruar me qëndrimin e tij të parregullt në objekt, kryesisht me përdorimin e tepruar të pijes, megjithëse edhe të tjerët s’kanë munguar të shtrohen.
Në këtë punë duhet të ingranohet mirë edhe Drejtoria e Industrisë Ushtarake, që ka qëndruar relativisht indiferente. Mendoj se një shkundje e përgjithshme është e domosdoshme, të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur. Aktualisht, afatet e vëna nga ana juaj, nuk mund të realizohen, por mund të bëhet mjaft për të zgjatur sa më pak të jetë e mundur, përfundimin e kompleksit.
Në të kundërtën, me ritmet që po punohet sot, objektet e para që priten të vihen në shfrytëzim, nuk do të jenë gati para fundit të gjashtëmujorit, e ndoshta edhe më tej. Ndërsa kompleksi mund të shtyhet deri në vitin 1983, kur do të ketë përfunduar edhe afati i garancisë së objektit. Memorie.al
Me respekt
Janko Konomi
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016