Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Nisur nga specifika e veçantë që kishte Radio-Televizioni Shqiptar, si një nga institucionet më të rëndësishme të informacionit dhe propagandës së regjimit komunist deri në fundin e viteve ’80-të, ai ishte jo vetëm nën vartësinë dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, por edhe të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, të cilat si “ORV” (Objekt i Rëndësisë së Veçantë), e mbanin atë nën një kontroll të rreptë, jo vetëm nga ana e sigurisë fizike të atij institucioni, por deri te “pastërtia dhe figura morale e politike” e punonjësve të tij, biografia e të cilëve shikohej me hollësi në disa breza, duke i kaluar ata një “sitë” të imët, vit pas viti.
Jo vetëm kaq, por organet e Sigurimit të Shtetit, me anë të agjenturës që kishin rekrutuar brenda atij institucioni, e kishin dhe e mbanin Radio-Televizionin, në një kontroll të vazhdueshëm e të rreptë, duke penetruar në të gjithë hallkat e tij, si; drejtoria, redaksitë përkatëse, pikat e montazhit, studiot e transmetimit, studio e regjistrimit të zërit, arkiva, grupet e realizimit të filmave, magazinat, prapavija, shoferët dhe automjetet e tyre, e deri te kontrolli fizik i punonjësve dhe të ftuarve, te portat e dyert ky hynin e dilnin ata. Të gjitha këto, veç të tjerash, bëhen të ditura edhe nga një sërë dokumentesh arkivore që janë pjesë e një dosje sekrete (tashmë e de-klasifikuar) që i përket këtij institucioni tejet të rëndësishëm, që nga krijimi i tij në vitin 1961, e deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1991.
Nga kjo dosje voluminoze me mijëra fletë, të cilat janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (fondi i ish-Sigurimit të Shtetit), të cilat janë pjesë Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, kemi përzgjedhur tre dokumente që i përkasin viteve 1975, 1978 dhe 1982, ku drejtorët e Drejtorisë Punëve të Brendshme të Tiranës, përkatësisht Nustret Dauti dhe Zef Loka, informojnë Komitetin Qendror të PPSH-së, mbi të gjithë problematikën e këtij institucioni. Për më shumë rreth kësaj, na njohin dokumentet në fjalë, të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al
DOKUMENTI SEKRET I HARTUAR NGA DREJTORI I DREJTORISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË TIRANËS, NUSTRET DAUTI, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, ME LISTËN E PUNONJËSVE TË RADIO-TELEVIZIONIT SHQIPTAR, TË CILËT KANË PROBLEME BIOGRAFIKE DHE ZHVILLOJNË VEPRIMTARI ARMIQËSORE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 2
DREJTORIA E PUNËVE TË BRENDSHME E përkohshme 2 vjet
Nr. 2839 Tiranë, më 26. IV.1975
LËNDA: Mbi personat me përbërje dhe qëndrim të keq politik, që punojnë në Radio-Televizion.
- Sokrat Harallamb Sallamani, i datëlindjes 1925, lindur në katundin Pendallofo të Greqisë, me arsim të lartë, përkthyes në Radion e Jashtme, është anëtar i PPSH-së, me banim në qytetin e Tiranës. Ka ardhur në Shqipëri në vitin 1949, me grupin e demokratëve greke. Ky ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Radio-Zbulim. Në vitin 1950, u transferua në kompaninë e Radio-Përgjimit, në drejtorinë e Zbulimit Ushtarak, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Ky transferim është kërkuar dhe është bërë nga armiku i popullit Teme Sejko. Nga burimet tona, del se në Kongresin e IV të PPSH-së, ky ka dashur të takohet me delegatin e Partisë Komuniste Greke, që merrte pjesë në kongres. Gjithashtu është shprehur se; “uniforma që mbaj, më duket si e Dhespotit, se ç’kam brenda në zemër, unë e di”. Në vitin 1964 është shprehur se; unë do të iki në Poloni që të bashkohem me Partinë time (materialet janë të mbyllura dhe mendojmë që të mos ekspozohen).
- Hysen Ivzi Pojani, i datëlindjes 1927, lindur në Tiranë, me banim në Tiranë, me arsim të lartë, me profesion redaktor në Radion e Jashtme. Në vitin 1962, kur ka qenë në Republikën Popullore të Kinës, i ka dorëzuar një letër një gruaje sovjetike, e cila ishte në Kinë, me qëllim për t’ia dhënë ambasadorit sovjetik në Kinë. Ambasadori, e ka porositur gruan, që t’i thoshte Hysenit, që ta mbante këtë çështje sekret. Në vitin 1962, për një fjalim të shokut Enver, ka thënë se; ky artikull mbyt kritikën. Kur u prishëm marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, ka shfaqur shqetësimin, duke thënë; “Si do t’ja bëjmë ne tani” (materialet janë të mbyllura dhe mendojmë të mos ekspozohen).
- Thoma Petro Afezolli, i datëlindjes 1916, lindur në Hoçisht të rrethit të Korçës, me arsim të mesëm, përkthyes në Radion e Jashtme, me banim në Tiranë. Shtresë e mesme, në të kaluarën me qëndrim indiferent. Në vitin 1963, është implikuar në procesin e Fadil Kokomanit, i cili thotë se; biseda me karakter armiqësor, ka zhvilluar edhe me Thomain, sidomos pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Maqua thoshte: “A janë në vete këta udhëheqësit e partisë sonë. Gjerë më tani kanë thënë, se pa Bashkimin Sovjetik, nuk ndërtohet socializmi, kurse tani flasin ndryshe. Po na izolojnë nga të gjithë. Vetëm Kina çfarë do të bëjë. Maqoja dëgjonte Radio-Londrën e radion çeke, e bënte komente rreth tyre”. Shpreh se; kështu nuk jetohet, po vuajmë shumë, nuk del rroga për të ngrënë, e jo më për veshje, etj.
- Mehmet Idriz Hoxha, i datëlindjes 1937, lindur në Pakisht të Kukësit, me arsim të lartë, me profesion redaktor në Televizion, me banim në Tiranë. Rrjedh nga një familje shtresë e varfër, në të kaluarën me qëndrim të mirë. Mehmeti ka qenë kandidat partie por u përjashtua si in aktiv. Gjatë kohës që ka qenë student në vitet 1964-1967, ka propaganduar kundër Partisë dhe pushtetit popullor, duke mbrojtur Toliatin, është tallur me fjalimet e shokut Enver, flet se; në vendin tonë nuk ka liri arti, liri veprimi, etj. Është kundër orientimeve të Partisë për emancipimin e gruas. (Materialet janë të mbyllura dhe mendojmë të mos ekspozohen).
- Shpëtim Mehmet Gina, i datëlindjes 1951, lindur në Berat, me arsim të lartë, profesioni redaktor në Televizion, me banim në qytetin e Tiranës. Qëndrimi politik i familjes së tij, është indiferent. Shpëtimi ka pasur shoqëri të ngushtë me Mihallaq Luarasin. Është autor i dramës “Armiqtë”, për të cilën është kritikuar. Implikohet nga Emin Jero, si përkrahës i të dënuarit Mihallaq Luarasi.
- Shpresa Haki Mysliu, e datëlindjes 1934, vendlindja Shkrel i rrethit Shkodër, me arsim të lartë, me profesion redaktore në Televizion, banon në lagjen…! Shpresa implikohet në procesin e Mihallaq Luarasit, i cili thotë: “Shpresa e dinte se unë kisha shoqëri me Todin. Mbasi kishte dështuar Festivali i 11, dhe unë isha përjashtuar nga Partia, një ditë jam takuar në korridorin e Televizionit, e unë isha i mërzitur. Shpresa më shtrëngoi dorën e më tha: “Mos u mërzit që të përjashtuan, ja vlente. Mjafton që ky u bë festival i tillë”.
- Mërkur Saliko Bozgo, i datëlindjes 1941, lindur në Gjirokastër, me arsim të lartë, me profesion redaktor, me banim në Tiranë. Rrjedh nga një shtresë e mesme, familja e tij njihet me qëndrim të mirë. Në vitin 1972, është implikuar në procesin e Mark Demës dhe Terezina Demës, për të cilin thonë se; kemi folur me Mërkurin, duke shprehur se këtu nuk ka liri, këtu njerëzit shfrytëzohen, tjetër kush punon e, tjetër kush merr lëvdata. Ky pushtet nuk bëri mirë që prishi kishat e xhamitë, sepse në vendet e qytetëruara, feja është e lirë. Kjo qeveri ndjek politikën kineze. Populli ynë vuan shumë, pasi ka mungesa në ushqime, rrogat janë të vogla. Arti e kultura, janë ngritur në vendet e perëndimit, këtu ka nivel të ulët, etj. Ndaj tij nuk është marrë ndonjë masë, se u ….
- Remzi Shaban Tufina, lindur në 1937, banues në Tiranë, në lagjen nr 2, rruga “Hoxhë Vokrri”, me punë teknik në Televizion. Rrjedh nga një familje shtresë e pasur tregtarësh. Në Tiranë kanë pasur dyqan orësh. Mbas çlirimit, janë prekur nga reformat e pushtetit popullor, e janë tatuar rëndë.
DREJTORI
NUSRET DAUTAJ
KONCEPT
PIRRO KATRO
DAKTIL N.M.
KOPJE 3
DOKUMENTI SEKRET I HARTUAR NGA ZV/DREJTORI I DREJTORISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË TIRANËS, ZEF LOKA, DREJTUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, ME LISTËN E PUNONJËSVE TË RADIO-TELEVIZIONIT SHQIPTAR, TË CILËT KANË PROBLEME BIOGRAFIKE DHE ZHVILLOJNË VEPRIMTARI ARMIQËSORE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 3
DREJTORIA E PUNËVE TË BRENDSHME E përkohshme 5 vjet
Nr. 2336 Tiranë, më 1.VI.1978
I N F O R M A C I O N
MBI PERSONAT ME PËRBËRJE DHE QËNDRIM TË KEQ
POLITIK, QË PUNOJNË NË RADIO-TELEVIZION
KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT
SHOKUT SIMON STEFANI
MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
Drejtorisë I-rë (Degës së III)
T I R A N Ë
Radio Televizioni, është një objekt me rëndësi të madhe politike dhe ideologjike. Nga ana jonë është mbajtur parasysh vazhdimisht, ruajtja e pastërtisë morale-politike të punonjësve të këtij institucioni.
Për këtë çështje, kemi informuar edhe herë të tjera Komitetin e Partisë së rrethit e mbi këtë bazë, janë marrë edhe masa spastrimi. Por nga verifikimi i fundit, rezulton se ka akoma shumë elementë, të cilët mendojmë se në të ardhmen, duhet të largohen nga ky institucion. Të tillë janë:
- Janka Trilonov Selimi, lindur në 1925 në Bullgari, me kombësi dhe shtetësi bullgare, e martuar me Skënder Selimin, e padënuar, e paorganizuar në parti, me punë përkthyese në emisionin në gjuhën bullgare në Radio-Tirana, me banim në lagjen 8. E përmendura ka frekuentuar ambasadën bullgare, ka mbajtur lidhje të ngushta me Maria Hafizin dhe Kalina Fortuzin, e para e larguar në Bullgari, tjetra nën kontrollin tonë. I shoqi i saj, mban qëndrim jo të mirë. Aktualisht, vetë Janka, ndiqet nga ana jonë, si agjente e Zbulimit Bullgar.
- Vjesllava Vlladisllav Hidri, lindur në Poloni në vitin 1936, me kombësi dhe shtetësi polake, martuar me Ymer Hidrin, me arsim të lartë, me specialitet inxhiniere kimiste, me profesion përkthyese e emisioneve të Radio-Tiranës në gjuhën polake, e padënuar, e paorganizuar në parti, me banim në lagjen 6. E përmendura, ka filluar punë në Radio-Tirana në vitin 1969. Nga ana jonë ndiqet aktualisht si agjente e Zbulimit Polak, zhvillon aktivitet armiqësore edhe në formën e agjitacionit e propagandës me gojë, si dhe me përkthimet e emisioneve nga shqip, në polonisht, bën “gabim” të cilat sjellin ndryshimin e fjalëve, e ndryshimin e kuptimin e shprehjeve.
- Robert Julia Zhvarc, lindur në Sarajevë të Jugosllavisë në vitin 1932, me arsim të lartë, me kombësi gjermane e shtetësi shqiptare, i padënuar ndonjëherë, i paorganizuar në parti, me punë në Radion e Jashtme të Radio-Tiranës, me banim në lagjen 2. I përmenduri rrjedh nga një familje zanatçi individuale, i ati i tij është me origjinë çifute. Roberti është në ndjekje nga organet tona, sepse zhvillon aktivitet armiqësor aktual, si agjitacion e propaganda e njëkohësisht në ngarkim të tij kemi materiale të dyshimta që të jetë vënë në shërbim të Zbulimit Gjerman.
- Vera Vasllav Kazazi, lindur në Çekosllovaki në vitin 1931, me kombësi dhe shtetësi çeke, e martuar me Enver Kazazin, (anëtar partie), me arsim të lartë, e padënuar, e paorganizuar në parti, me punë përkthyese në Radio-Tirana, në Radion e Jashtme në emisionet në gjuhën çekishte, me banim në lagjen 6. Vera është lidhje e çekes, Danila Kërtusha, me banim në Durrës, si dhe ka marrë kontakte me një punonjëse të ambasadës çeke, shpreh pakënaqësi për jetën.
- Maria Rydle Rroku, lindur në Çekosllovaki në vitin 1930, me kombësi dhe shtetësi çeke, me arsim të lartë, me punë përkthyese në Radion Tirana, në Radion e Jashtme, për emisionet në gjuhën çeke, e paorganizuar, e padënuar ndonjëherë, e martuar me Çesk Rrokun, me banim në lagjen 10. E përmendura, shpreh pakënaqësi për jetën.
- Julia Nikolla Bardhi, lindur në Rumani në vitin 1926, me kombësi rumune dhe shtetësi shqiptare, e martuar, e paorganizuar në parti, e padënuar ndonjëherë, me punë përkthyese në emisionet në gjuhën rumune në Radio-Tirana. Julia ka frekuentuar rregullisht ambasadën rumune, (aktualisht e ka ndërprerë).
- Dobrrila Vuksan Shoshkiq, lindur në Ulqin të Malit të Zi më 1928, me kombësi jugosllave dhe shtetësi shqiptare, me arsim të mesëm, shtresë e varfër, i paorganizuar, me profesion ekonomist, me punë përkthyes në gjuhën serbo-kroatishte, në Radio-Tirana, me banim në lagjen 9. I sipërpërmenduri rrjedh nga shtresë e varfër, ka ardhur në vendin tonë si emigrant politik në vitin 1949. Në ngarkim të tij, nuk kemi materiale.
- Vasil Todi Lato, lindur më 1937 në Korçë, me banim në lagjen 9, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i organizuar në parti (A.P.), i padënuar ndonjëherë, me arsim të lartë, me specialitet inxhinier elektrik, me punë redaktor i emisioneve në gjuhën çeke në Radio-Tirana. Vasili është implikuar nga tradhtarët Kiço Ngjela dhe Vasil Kati, se ka qenë për zgjerimin e marrëdhënieve me vendet revizioniste, sidomos me Çekosllovakinë dhe Jugosllavinë. Për të realizuar këtë ide, ai kur ka qenë drejtor i Eksport-Alb, firmave jugosllave u ka shitur krom me çmim më të ulët nga të tregut të devizës së lirë. Kemi edhe materiale të tjera, ku implikohet si agjent i mundshëm i Zbulimit Sovjetik. Është në ndjekje nga ana jonë.
- Prokop Dhimitër Nishku, lindur në Tiranë më 1934, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me arsim të lartë tri klasë, i martuar, i padënuar ndonjëherë, i paorganizuar në parti, me profesion instrumentist në orkestrën e Radio-Televizionit, me banim në lagjen 2. Prokopi rrjedh nga një familje zanatçi individual, familja e vet, para dhe gjatë okupacionit, ka mbajtur qëndrim të mirë. I lartpërmenduri ndiqet nga ana jonë, si agjent i mundshëm i Zbulimit Sovjetik, mbasi kemi materiale në ngarkim të tij.
- Cin Lazër Simoni, lindur në Shkodër më 1930, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i paorganizuar, i padënuar ndonjëherë, i martuar, me profesion instrumentist (violinist), me arsim të mesëm, me punë në orkestrën simfonike të Radio-Televizorit, me banim në lagjen 2. Rrjedh nga një familje, tregtar i mesëm. I ati i tij, para dhe pas okupacionit, është marrë me tregti, ka patur dyqanin manifakture dhe përkrahjen e atyre regjimeve. Në çlirim, i janë shtetëzuar nga pushteti popullor. Vetë i ati është dënuar për mos denoncim ari. Qëndrimi aktual, është indiferent.
- Gjon Lazër Simoni, lindur në Shkodër më 1936, me arsim të lartë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i paorganizuar, i padënuar ndonjëherë, i martuar, me profesion kompozitor, me punë në Radio-Televizion, shef i redaksisë së muzikës. Gjoni rrjedh nga një familje tregtari i mesëm. I ati i tij, ka pasur dyqan manifakture dhe është marrë me tregti, para dhe gjatë okupacionit, për këtë ka pasur përkrahjen e regjimeve të atëhershme. Pasuria u është shtetëzuar në çlirim. I ati është dënuar për mos denoncim ari. Aktualisht mban qëndrim indiferent. (Ky është vëllai i Cin Simonit. (Nr.10)
- Adnan Selim Çiftja, lindur në Tiranë në vitin 1943, me arsim të mesëm, me profesion teknik në Televizion, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i paorganizuar në parti, i padënuar ndonjëherë, me banim në lagjen 9. Familja e tij ka qenë pro regjimit të Zogut dhe okupacionit, megjithëse i ati ka qenë llogaritar tek të pasurit. Xhaxhai i tij, Ali Çiftja, në kohën e Zogut dhe gjatë okupacionit, ka qenë ushtarak me gradën e kapiten. Mbas çlirimit është dënuar për aktivitet armiqësor me 15 vjet burg dhe ka vdekur mbas dënimit. Aktualisht vetë Adnani, mban qëndrim indiferent.
- Marketin Pashko Shoshi, lindur në 1943 në Tiranë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me arsim të mesëm, me profesion teknik në Televizion, i paorganizuar, i padënuar ndonjëherë, me banim në lagjen 10. I ati i Marketinit, është nga Podgorica e Jugosllavisë. Ka qenë anëtar i Partisë Fashiste Italiane. Gjatë okupacionit, ka qenë besnik i pushtuesve, gjatë kësaj kohe me punë ka qenë në Bankën e Shtetit. Në kohën e Zogut, ka pas kontakte me elementë fashistë. Marketini ka një teze në Itali të martuar, burri i një teze tjetër, është pushkatuar si armik, një burrë tezeje tjetër që aktualisht është me banim në Elbasan, ka qenë oficer kuesture në Shkodër, mbas çlirimit është dënuar 10 vjet, mbas 6 vjet u arratis dhe është kthyer prapë me amnisti. Vetë Marketini, mban qëndrim indiferent. Memorie.al
ZËVENDËS DREJTORI I PUNËVE TË BRENDSHME
ZEF LOKA
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016