Nga Prof. Dr. Luan Malltezi
Memorie.al. / “Mësuesin e Popullit”, historianin, publicistin dhe studiuesin e njohur, të nderuarin mikun tim, Sherif Delvina, e kam njohur fillimisht kur isha Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, në vitet 1992-1997. Për të më kishte folur për herë të parë miku im, historiani i njohur prof. Ferit Duka: “Sherifi ka lexuar shumë libra për historinë dhe kulturën shqiptare, ai është si një bibliotekë lëvizëse, si historian”.
Në vitin 1994, Sherifi më kërkoi një takim në zyrë; kërkoi të mos pengohej në kërkimet e tij shkencore në Arkiv. Më erdhi keq për këtë kërkesë, sepse nuk kisha penguar deri atëhere asnjë studiues në Arkiv. Pas takimit, thirra shefin e sallës së leximit dhe e porosita të mos pengohej ky studiues. Pas vitit 1997, u bëra mik me Sherifin; bashkë botuam katër libra për Mit’hat Frashërin.
Bisedat midis nesh ishin kryesisht për historinë, për prof. Budën, prof. Pollon, që kishin drejtuar historianët tanë në Institutin e Historisë. Rasti e sillte që në këto biseda, Sherifi të fliste edhe për të parët e familjes së tij, një familje e madhe e vjetër patriotike…! Disa nga kujtimet e tij, fillova t’i regjistroj me aparatet celularë që dolën vitet e fundit. Këto regjistrime po botoj në këtë artikull, në kujtim emrit të tij, për miqtë dhe të dashurit e tij të shumtë…!
Kujtimet e Sherif Delvinës:
“Pas viteve ’90-të kam marrë pjesë në shumë aktivitete shkencore; një aktivitet të rëndësishëm shkencor, kam bërë me prof. Ferit Dukën në “Bilkent University”, në Turqi; një qytet universitar, 30 minuta larg Stambollit. Turqit na priten në mënyrë madhështore; në këtë takim u diskutua çështja e minoriteteve; në këtë takim kishte ardhë edhe ambasadori shqiptar. Unë fola për shtrirjen e shqiptarëve në jugë të vendit, në periudhën antike bazuar në të dhënat e autorëve të vjetër grekë, Homeri. Takimi shkoi i tensionuar; studiuesit grekë, pretendonin kufirin e tyre etnik deri në Shkumbim.
Unë pata një përplasje me një studiuese të njohur greke, që kishte mbaruar studimet në Havard. Kjo më pas u ftua edhe në Shqipëri; mua nuk më ftuan, por unë shkova në mbledhjen që u zhvillohej në Pallatin e Kongreseve; isha ulur afër profesor Kristaq Priftit; salla ishte plot; pasi foli studiuesja greke, e kërkova fjalën unë; ajo më njohu; të lutem tha, këtu do flitet vetëm frëngjisht; atëhere i’a ktheva edhe unë në frëngjisht; në fund i thashë: ju e nderuara profesoreshë, jini krejtësisht e papërgatitur, prandaj po ju jap një botim timin për Epirin në anglisht dhe i ofrova librin. Ajo u tërbua fare; “pse nuk vini emrin dhe firmën tuaj tek ky libër që po më dhuroni”- tha ajo me zemërim, “sepse policia do ju fuste në burg, i’a preva menjëherë”.
Unë kam ndjekur me interesa kërkimet që zhvillonin arkeologët shqiptarë në Shqipëri; unë isha i interesuar për vend-varrimet e mëdha ilire; në tumat ilire kishte skelete të varrosura sipas traditave të lashta ilire; në këto vite u lidha shumë me Aleksandër Dhimën, antropologun shqiptar; Kryetari i Akademisë së Shkencave, Profesor Aleks Buda, e kishte dërguar për specializim në Kinë, si antropolog; detyra tij ishte të studionte skeletet e vend-varrimeve ilire, për përcaktimin e tipit ilir të tyre; kalova një kohë të mirë me Aleksandër Dhimën, në matjet e skeleteve; ai kishte formim të plotë nga literatura e posaçme që kishte ndjekur në studimin e të dhënave të skeleteve ilire. Arkeologët Shqiptarë që zhvillonin kërkime në Shqipëri nuk kishin formim antropologjik dhe i hidhnin skeletet pa i studiuar.
Unë ngrita zërin lart, kur arkeologët shqiptarë nuk sillnin në Qendrën Arkeologjike, skeletet e zbuluara. Në këtë kohë pata rast të njihte nga afër me shefin e Qendrës Arkeologjikë, Prof. Selim Islamin. Unë diskutoja shumë me të; ai ishte një burrë i ndershëm, kishte studiuar në ish-Bashkimin Sovjetik, unë i bëra të ditur të dhënat që jepnin autorët e vjetër grekë për kufijtë e Greqisë antike, për vlerën që kishin studimet e skeleteve të vjetra të zbuluara në gërmime arkeologjike në Shqipëri, për mbrojtjen e karakterit etnik kombëtar etj. Unë u bëra shumë mik me të dhe i përmenda historianët e mëdhenj grekë, veprat e tyre që gjendeshin në fondet e Bibliotekës Kombëtare. “Më vjen keq Sherif – më tha ai, pas diskutimeve të shumta – që nuk të kam njohur më parë”!
Pas proçesve demokratike, kam botuar artikuj për minoritetet në Shqipëri. Përballë sulmit të hapur që ndërmorën grekët ndaj shqiptarëve, botova në gjuhën e angleze, një studim shkencor për shtrirjen e grekëve të vjetër, deri në gjirin e Artës, kam shkruar artikuj edhe për përpjekjeve që kishin bërë shqiptarët kundër Kishës Ortodokse greke, luftën për hapjen e shkollave shqipe nga rilindas shqiptarë dhe shkrime për karakterin kombëtar të Korçës dhe Gjirokastrës, që pretendonin grekët si qytete të tyre”,
Me mikun tim të ngushtë, profesor Sherif Delvinën, bisedat kanë qenë interesante, ai kishe lexuar shumë libra, kishte kujtesë të shkëlqyer, njihte mirë Bibliotekën Kombëtare, fondet e saj; dinte të punonte në fondet e Biblioteka Kombëtare dhe të Arkivi Qendror të Shtetit; se sa njohje të thellë kishte mjafton të them këtu, se me të konsultohej edhe vetë drejtori i Bibliotekës Kombëtare për vend-ndodhjen në fondet e Bibliotekës së shkrimeve dhe artikuj të veçantë.
Profesor Delvina, thoshte se, “e kishte rregulluar punën mirë me ato të shërbimit të Bibliotekës, që merrnin zyrtarisht në dorëzim librat që vinin në Bibliotekë; këtë punë thonte se, e bënte “për të pas dijeni”, për librat që hynin në Bibliotekë. Me sa kisha kuptuar, ai merrte nga ky shërbim librat që vinin dhe pasi i hidhte një sy, i kthente në sektorin poshtë, ku regjistroheshin dhe kalonin në fondet përkatëse.
Miq të profesor Sherifit, miq që konsultoheshin për libra e artikuj shkencore të veçantë me të, ishin prof. Pëllumb Xhufi dhe Prof. Aurel Plasari. Mik i tij ishte edhe Fotaq Andrea, nxënës i Jusuf Vrionit, autor i shumë librave për Shqipërinë dhe shqiptarët. Delvina pati një bashkëpunim të ngushtë me të në vitet 2014; Delvnia i dha shpjegime atij për një vajze të quajtur “Lejla”; Fotaq Andrea kishte ndeshur këtë emër në një libër frëngjisht, që ai mendonte se mund të ishte shkruar prej Konicës; Sherifi i tha atij se: “Lelja” kishte qenë e bija e Faik Konicës; befasia e z. Andrea kur dëgjoi këto, që e madhe; Sherifi i solli më pas edhe fotografinë e “Lejlas” që e ruante në shtëpi, si fotografi të një njeriu të afërt të familjes. Njoftimi për z.Andrea ishte tepër i rëndësishëm; nëpërmjet këtij informacioni, ai arriti të zbulojë dhe botojë dy romane të panjohura të Konicisë, të cilët i promovoi me shumë sukses pranë shoqatës “Vatra” në SHBA-ës.
Profesor Sherifi kishte mikeshë, albanologen e shquar italiane Luçia Nadin; profesoresha Nadin, kishte kryer studime klasike në Itali; ishte nga Venediku dhe atje kishte edhe një vajzë, me të cilën ishte shumë e lidhur; shkrimet në latinisht dhe italisht të Arkivit të Venedikut, zonja në fjalë nuk i kishte për gjë. Zonja u bë e njohur në Shqipëri pas zbulimit nga ana e saj të Statuteve të vjetra të qytetit të Shkodrës në Mesjetë. Ky zbulim është me vlerë të jashtëzakonshme në historinë dhe kulturën shqiptare në Mesjetën para-osmane; një zbulim i tillë nuk pritej pas kërkimeve të shumta që ishin bërë në Venedik nga historianë dhe specialistë të njohur të këtij arkivi. Bashkia e Shkodrës e vlerësoi këtë zbulim të rëndësishëm shkencor; ajo i dha zonjës në fjalë, titullin “Qytetare nderi e qytetit të Shkodrës” në takimin që organizoi posaçërisht për të në Bibliotekën e Shkodrës.
Këtë Statut zonja në fjalë e gjeti në “Muzeun Korrer” të Venedikut. At Valentini, kaloi një jetë të tërë në kërkime intensive në arkivat e Venedikut, por këtë statut nuk e zbuloi dot; At Valentini botoi rreth 24 volume me dokumente veneciane për Shqipërinë në shekujt XIII-XV, por këtë statut nuk e zbuloi dot. Statutet e Shkodrës, dëshmojnë shkallën që kishte arritur qyteti i Shkodrës, në zhvillimin ekonomik kulturor në Mesjetë. Ky statut monumental është përkthye shqip nga njohësi i thellë i gjuhës italiane, Prof. Pëllumb Xhufi. Me këtë zonjë të kulturuar veneciane, zoti Delvina kishte shumë miqësi, ai njihte mirë italishten dhe kjo i jepte mundësi të ishte në kontakt të vazhdueshëm më të, të ndiqte kërkimet që kryente ajo për shqiptarët e mërguar në Venedik, pas rënies së Shkodrës më 1481-in; për zbulimet që kishte kryer në “Shkollën e shqiptarëve” në Venedik, për Marin Barletin etj.
Zonja Nadin ka ardhur disa herë në Shqipëri, dhe në të gjitha rastet, ishte zoti Delvina që do ta përcillte atë në biseda të karakterit shkencor. Zonja Nadin, ka një dëshirë të jashtëzakonshme të ndihmojë Shqipërinë, por askush në Shqipëri nuk do të dijë për të; Ministria e Kulturës nuk deshën të dinë asnjëherë për këtë fat që i kishte ardhur Shqipërisë në derë; kjo Ministri nuk kuptojë rolin e saj (znj. Nadin), si njohëse e shkëlqyer e latinishtes veneciane. Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave, mund t’a kishin angazhuar më kohë zonjën Nadin, për të kryer hulumtime në arkivat veneciane për zbulimin e dokumente të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Këto dokumente kishte marrë përsipër t’i botonte në vitet ’60-të, studiuesi i njohur At Zef Valentini. Financimin për të kryer këtë punë me rëndësi të jashtëzakonshme, e kishin marrë përsipër atë kohë disa universitet evropianë; Valentini botoi 24 vëllime me dokumente veneciane, për shekujt XIV-XV; duke shënuar kështu një sukses të jashtëzakonshme të shkencës në evidentimin e dokumenteve të historisë së Shqipërisë, në shekullin e XV-të, por Valentini vdiq në punë e sipër, ai shkoi në kërkime deri aty nga viti 1464.
Duhen edhe pak punë për mbyllur më sukses këtë ndërmarrje që nderon Shqipërinë dhe heroin e saj. Këtë punë mund të përfundojë me sukses zonja Luaçiana Nadin. Jam përpjekur disa here, t’i them zonjës në fjalë të angazhohet më këtë punë sepse është nga Venediku dhe shkrimet e këtij arkivi i njihte siç njihte italishten, por ajo s’kishte kujt t’i thonte një fjalë, “historianët kishin punët e tyre; Akademia merrej me probleme të tjera dhe Ministria Kulturës, nuk kuptonte këtë detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme.
Miku i saj i vetëm në Shqipëri mbeti zoti Delvina; ai do të ftonte në hotelet e dhe restorantet e lira të Tiranës, aty ku mund të gjetën vend më pak para, ku mund të hante një drekë lamtumire, një drekë me një mik pa asnjë pushtet, por plot shkëlqim nga dija dhe kultura, Dhe për t’a mbyllur këtë bisedë për bashkëpunimin dhe miqësinë e ngushtë që kishte Prof. Sherifi me Luça Nadin, dua t’i kujtoj lexuesit, se ata flisnin midis tyre italisht si dy italianë të vërtetë,
Zoti Delvina kishte lidhje të vjetra familjare edhe me të ndjerin, shkrimtarin Sabri Godo; sepse zonja e tij, vinte nga familja Delvina. Për këtë zonjë, Profesor Delvina kishte një nderim të jashtëzakonshëm. Godo ishte atëhere Drejtor i Drejtorisë së Ndërmarrjes “Fruta Perimeve të Tiranës”; por ai mbante lidhje të ngushta me Prof. Stefanaq Pollon, Prof. Luan Omarin dhe intelektualë të tjerë të shquar të kohës etj. Këto lidhje vinin për shkak se Godo, ishte i interesuar për letërsinë dhe historinë; ai pat shkruar romane për plakun Butka, për Skënderbeun; dhe Ali Pashë Tepelenën, etj. Për botimin e këtij të fundit, Godo u mbështet edhe në gjykimet e zotit Delvina, sepse ky i fundit njihte autorët e vjetër evropianë (anglezë, francezë, gjermanë, italianë, etj., që kishin shkruar libra për Ali Pashën. Këto libra zoti Delvina i kishte lexuar të gjitha dhe jo rastësisht; Pashai i Janinës, kishte qenë në përplasje me fisin e tij të fuqishëm në Delvinë.
Duke njohur këtë formim të Prof. Delvinës, Godo i dha atij dorëshkrimin e tij për Ali Pashën; profesori i bëri vërejte të shumta autorit, në konceptimin e Ali Pashë Tepelenës si figurë me karakter historik. Më pas libri u botua me shumë sukses nga Godo; pas botimit ai i’u drejtua profesorit me këtë fjalë: “Sherif, unë e botova librin dhe dua me këtë rast të falënderoj për ndihmën tënde: falenderimi im është ky: bën mirë të mos shkruash”!
Nga kjo shprehje, profesori kuptoi se vërejtjet e tij për Ali Pashën, kishin qenë pa vlerë. Pas proçesve demokratike në Shqipëri, drejtorë të shtëpive botuese, i’u drejtuan profesor Sherifit, t’u rekomandonte libra me karakter historik për lexuesin. Profesori u dha këtyre gjithë librat e vjetër që ishin shkruar për Ali Pashën, nga autorë të evropianë të kohës. Librat filluan të dilnin në shtyp njëri pa tjetrit. Të gjithë këto libra, kishin të bënin me “historinë e politizuar” të Godos për Ali Pashën; “Sherif – i tha Godo këtij në Bibliotekën Kombëtare, përse me lufton me këto botime”?!
Mik të ngushtë profesori kishte Petro Zhejin. Zheji kishte punuar përkthyes, por kishte bëre edhe botime të rëndësishme gjuhësore. Delvina kishte një nderim të madh për të. Nga fundi i jetës kur ishte i sëmurë, Zheji jetonte nën kujdesin e të birit, i cili kishte vënë edhe njerëz të që kujdeseshin 24 orë në ditë për të. Zheji ishte poliglot, njihte anglishten, gjermanishten, rusishten, frëngjishten, italishten; ai njihte indishten dhe në fund u përpoq të mësonte edhe gjuhën kineze. Zheji e kalonte kohën në studime; ai kishte bërë katër botime “interesante” siç thonte miku im, (Sherifi), në fushën e gjuhësisë. Ata njiheshin të rinj midis tyre; Zheji ishte më i madh. Pas viteve ‘90, Zheji i kërkoi mikut të tij, të shkonin në Amerikë; atje shpresonte të gjente libra që nuk kishte mundur të gjente në Shqipëri. Zheji e kaloi gjithë jetën tij “midis librave”, më tha një ditë miku im, Sherifi.
Me Zhejin, miku im Sherif Delvina, para viteve ’90-të, kishte bërë shumë shëtitje turistike në Shqipëri; me të ai kishte shkuar tre herë në këmbë “për shëtitje”, nga Tirana në Burrel; po kaq herë kishin shkuar nga Tirana në Elbasan, kurse nga Tirana në Durrës, kishin shkuar shumë herë. (Siç më tregonte Sherifi, Zheji i bënte ato “shëtitje” të gjata, në shenjë proteste ndaj regjimit komunist dhe ai gjente rastin të udhëtonte, kur në ato rrugë kalonin “Benz”-at e udhëheqjes, me rastin e ndonjë feste, apo kur “shoku Enver”, shkonte me pushime në Pogradec, i shoqëruar nga një dyzinë automjetesh). Një herë Zheji më tha në një bisedë: Shiko, po ma prishe, do më ngelet hatri; shkojmë në malin e Dajtit për të kaluar Vitin e Ri, si në kohën e “komunizmit primitiv”. Kisha mendimin se miku im, nuk kishte pranuar por jo, nuk kishte ndodhur kështu. “Jo, jo tha ai,- Zheji nguli këmbë të shkonim dhe nuk nuk i’a prisha; morëm me vete ushqimin e nevojshëm, radio dore, birrë, gjetëm një zgavër dhe aty kaluam Vitin e Ri, duke biseduar e kënduar”.
“Një ditë Zheji më kërkoi të niseshim në këmbë nga Tirana në Korçë duke ecur nëpër male, por nuk pranova se mu duk larg”, më tregonte miku im, prof. Sherifi. Petro Zheji ishte nga Zagoria, ai ishte i afërt me familjen e profesor Sherifit, nënën, motrën; ai kishte shkuar disa here për drekë tek ata. “Zheji, – thonte miku im – ishte “një gjuhëtar i jashtëzakonshëm, talent i madh”. Ai bisedonte me të me orë të tërë në fushën e kërkimeve të tij; “nipërve të mi, më tha Delvina, Zheji u mësojë italishten dhe anglishten. Zheji u kishte mësuar anglisht edhe shumë të rinjve të kohës. “Çfarë bisedonit për politikën, e pyeta një herë mikun tim. “Asgjë – m’u përgjigj ai; nuk merreshin fare me politikë; nuk na interesonte, interesi ynë ishin librat”.
Shok fëmijërie profesor Delvina pati edhe kryetarin e parë të minoritet grek në Shqipëri, të ndjerin z. Vasil Melo. Pas viteve ’90-të, profesor Delvina fillojë të shkruajë shkrime kundër Hirësisë së Tij, Kryepeshkopit Janullatos dhe Kishës greke në përgjithësi. I ndjeri Milo, i premtonte mikut të tij “shumë privilegje”, mjaft të mos shkruante kundër Janullatosit, por në këtë pike, duket se nuk e njihte atë mirë; luftën kundër grekëve, ai e kishte të trashëguar nga të parët e tij, si ‘Heroi i Popullit’, Alo Beu, me Kishën greke në Shqipëri. “Në kundërshtimin e tij ndaj Hirësisë së Tij, Janullatosit, si Kryepeshkop i Kishës Autoqefale Shqiptare, miku im, Sherifi, kishte shkuar shumë larg; ai dinte qëndrimin e papranueshme të Hirësisë së tij Janullatosit, ndaj myslimanëve dhe liderit të tyre Muhamedit; autori kishte shprehur këtë qëndrim ,në një artikull të botuar në një revistë serioze.
Këtë artikull miku im e kishte në çantë. Për këtë çështje miku im pati edhe përplasje të drejtpërdrejtë me Janullatosin, në një një takim të organizuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ndryshe sa kishte shkruar në artikullin e tij, Janullatosi foli për “mirëkuptimin midis besimeve fetare në Shqipëri”; pas fjalës së tij, Delvina u ngrit dhe i kujtoj atij se: në një shkrim të tij, ai shprehtë një mendim tjetër për myslimanët dhe liderin të tyre Muhamedin. Pas kësaj akuze të drejtpërdrejtë kundrejt tij, salla u trondit, por Hirësia e Tij Janullatosi, mori fjalën dhe tha: “Zotëria ka të drejtë; është e vërtetë që kam shkruar kështu, por atëherë kam qenë i ri”. Meqenëse vazhdonte të shkruante kundër Hirësisë së Tij, Janullatosit, njerëz të e Kishës e kërcënuan Sherif Delvinën me vdekje, por këto qëndrime, nuk e trembnin atë.
Një ditë, këta e morën në telefon dhe i thanë se: ‘je i dënuar me vdekje’, por në këtë pike, mikut tim nuk i bënte syri tërr; ai i’u përgjigj këtyre qetë qetë: “Gënjeni; kështu kini shkruar me kohë, por nuk kini bërë gjë. Ç’prisni”? Njerëzit e SHIK-ut të Bashkim Gazidedës, që duket se ishin të angazhuar kundër Janullatosit, u përpoqën t’a afronin profesorin, por nuk nuk ishin këta që e shtynin atë kundër Janullatosit dhe Kishës Greke; nxitja kundër Hirësisë së Tij, Janullatosit dhe Kishës greke, vinte nga të parët e tij. Lidhje profesori pati më pas edhe edhe me SHIK-un e Fatos Klosit, që duket se ndiqte të njëjtën linjë me Gazideden, kur ishte fjala për Hirësinë e Tij, Janullatosin dhe Kishën Autoqefale Shqiptare që drejtohej në mënyrë të paligjshme prej prej tij.
Kujdes ndaj Kishës greke dhe Hirësisë së Tij, Janullatosit, miku im Sherif Delvina, pati deri në fund të jetës së tij. Kujtoj këtu një ditë në janar të vitit 2018, kur më dha një kopje të gazetës së Kishës, që bënte fjalë për një çështje që miku im e dinte ndryshe. Këtë gazetë, miku im e kontrollonte çdo numër, gjithë jetën e tij. Mua më bënte përshtypje se nuk e kishte për gjë të shkonte vetë në Kishën Autoqefale, të merrte gazetën që i interesonte dhe të të kontrollonte të gjithë botimet e gazetës në bibliotekën e këtij institucioni. Delvina më fliste vazhdimisht, se kishte gati shkrime kundër Janullatosit, në rast se do të shpallej ‘Martir të Kishës…’!
Sherifin për shumë kohë e vlerësoja thjesht si studiues, historian; një ditë kur ktheheshim nga Biblioteka, më tha se kishte botuar një dramë; dramën e kishte me vete dhe ma dha ta lexoja. Drama kishte përmbajtje nga periudha e ilirëve dhe mbante titullin “Genti”, emrin e sundimtarit të ardianëve.
Biseda për dramën më kujtoi një shok të vjetër, aktor në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ai ishte i pasionuar me dramaturgjinë; ai më fliste për shkollat dramatike, për regjisorë të njohur shqiptarë që i kishte pasur pedagogë. Nga bisedat me të kisha formuar mendimin se drama ishte gjini letrare e vështirë; shkrimtarët shkruanin drama, por asnjë nuk arrinte të kishte vlerë dramaturgjike, siç kërkonin dramaturgët, regjisorët, aktorët.
Me këtë mendim mora edhe dramën që më dha miku im. Për mirësjellje thashë “t’i hidhja një sy” në mbrëmje para se të flija, por drama më mbajti të zgjuar gjithë natën; duke e lexuar autori kishte realizuar një vepër të jashtëzakonshme për dramaturgjinë shqiptare. Drama kishte fituar vendin e parë në konkursin e organizuar nga Ministria e Kulturës; dhe autori kishte marrë edhe një çmim prej 20 mijë $ shpërblim, por drama vetë deri tani nuk është shfaqur nga teatri shqiptar! Kjo sigurisht më bëri mjaft përshtypje; personalisht jam i bindur se një një dramë të tillë nuk do të jetë në gjendje të shkruaj në të ardhmen asnjë shkrimtar.
Them kështu sepse autori nuk është se njeh thellë dramaturgjinë klasike, Shekspirin dhe autorë të tjerë, por sepse autori njeh mirë historinë, etnografinë dhe kulturën e lashtë të vendit të vet, folklorin, mitet dhe legjendat, zanat dhe shtojzovallet; autori ka jetuar më këto legjenda gjithë jetën e tij dhe ka ditur t’i shprehtë ato në mënyrë artistike si dramaturg. Drama do të jetë vlerë të përjetshme për gjithë brazave e ardhshëm të shqiptarëve, sepse ka përmbajtje të saj historinë dhe mbijetesën e të parëve tanë si popull, para pushtimit romak.
Kohët e fundit autori botoi një dramë tjetër të tij për shekullin e XV-të me vlerë për kulturën shqiptare, Autori kishte menduar për këtë prej vitesh; ai e shkroi këtë këto muajt e fundit duke menduar për për çdo detaj të saj para botimit. Memorie.al
Ky shkrim, botohet në shenjë homazhi për historianin e studiuesin e njohur, Sherif Delvina, “Mësues i Popullit”, i cili u nda sot nga jeta në moshën 90 vjeçare dhe u përcoll dje për në banesën e fundit.
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016