Dashnor Kaloçi
Pjesa e trembëdhjetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti me vendimin e hetuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Elham Gjika, mbi marrjen të pandehur, të Myrteza Bajraktarit
VENDIM
MBI MARRJEN TË PANDEHUR
Në Tiranë më 14 nëntor 1970.
Unë Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mbasi studiova materialet në ngarkim të të arrestuarit Myrteza Bajraktari,
Konstatova:
I pandehuri, është arrestuar më datën 12 nëntor 1970, mbasi ka zhvilluar veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor në formën e agjitacionit dhe propagandës, krim ky që parashikohet nga neni 73/1 të Kodit Penal.
Për këtë arsye, dhe konform nenit 129 të Kodit Penal,
Vendosa:
Që Myrteza Bajraktarin, ta marr të pandehur për kryerjen e krimit të parashikuar nga neni 73/1 të Kodit Penal.
Vendimin t’ja njoftoj të lartpërmendurit, duke i marrë dhe firmën e tij.
Hetuesi
Elham Gjika
Vendimin, u njoftova më datën 14 nëntor 1970
I arrestuari
Myrteza Bajraktari
Dokumenti me proçes-verbalin e marrjes në pyetje të pandehurit Myrteza Bajraktari, nga ana e hetuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Elham Gjika
PROCES-VERBAL
Në Tiranë, më 22/11/1970.
Unë Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme marrë në pyetje të pandehurin, Myrteza Bjaraktari.
Pyetje: Na tregoni, se sa herë jeni takuar me Kapllan Resulin, gjatë vitit 1970.
Përgjigje: Gjatë vitit 1970, me Kapllanin jam takuar, nja dy, ose tre herë. Kapllani më ka ardhur dhe jemi takuar në shtëpinë time këtu në Tiranë. Nja tre ose katër herë, jemi takuar në Lushnje dhe njëherë jemi takuar në rrugë këtu në Tiranë. Në një takim që kam bërë në Lushnje, Kapllani më ka fol keq për Xheladin Feruzin, se nuk shkonin mirë.
Në Tiranë, kam pasur shoqëri edhe me Agim Gjakovën. Agimit i kam shkuar në shtëpi vetëm një herë. Agimi më ka thënë se kishte biseduar me shkrimtarët e Prishtinës, se këta interesohen për dhëndrin tim që kam në burg, Mehmet Alinë, dhe kishin biseduar me motrën time, që ta merrnin nga Shkupi në Prishtinë. Tjetër gjë, për këto gjëra, Agimi nuk më ka thënë.
Në takime të ndryshme, më kujtohet se në një rast, Kapllani më ka folur keq për Agim Gjakovën, si njeri karrierist e që po e shkruan toskërisht, e që t’i hyj në qejf njerëzve të qeverisë.
Për shkrimet e tij, Kapllani më thoshte, se: mua nuk duan të m’i botojnë, kanë krijuar front kundër meje. Kjo ka ndodhur në një rast kur këtë e kanë kritikuar për një tregim që kishte bërë.
Në një rast, kam biseduar me Gani Demirin, se çështja e gjendjes që është sot ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, është oportune dhe shumë e favorshme për zhvillimin e Kosovës, sidomos për çështjen e shkollës.
Kemi thënë, që kjo është si rezultat i punës së Partisë së Punës Shqipërisë.
Me Kapallanin, kohët e fundit nuk kam biseduar për çështjen e Kosovës. Për këtë çështje, me njëri tjetrin kemi biseduar më përpara.
Proces-verbalin e lexova dhe thëniet e mija janë të shkruara drejt dhe e firmosa.
I pandehuri Hetuesi
Myrteza Bajraktari Elham Gjika
Dokumenti me proçes-verbalin e marrjes në pyetje të pandehurit Myrteza Bajraktari, nga ana e hetuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Elham Gjika
PROCES-VERBAL
Në Tiranë, më 1/12/1970
Unë Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, marrë në pyetje të pandehurin, Myrteza Bjaraktari.
Pyetje: Na jepni shpjegim rreth akuzës?
Përgjigje: Unë Myrtezai, jam arratisur nga Jugosllavia për në Shqipëri, në muajin shtator të vitit 1962. Mbasi erdha në Shqipëri, për rreth 5 muaj kam qëndruar në Shijak dhe pastaj më kanë çuar në Seman të Fierit, në qendrën e emigracionit, ku kam qëndruar deri nga fillimi i vitit 1966.
Mbas pesë muajsh që qëndrova në Shijak, unë mendoja që në Shqipëri, do të jetoja i lirë, ku të dëshiroja, dhe kur më morën e më çuan në Seman, qe një gjë krejt e papritur për mua, nuk dija që ekzistonte një qendër e tillë emigracioni.
Mbasi vajta në Seman, atje gjeta një ambient heterogjen, ku kishte kategori të ndryshme njerëzish, e me kombësi të ndryshme, si malazez, serb, kroatë, etj.
Ky lloj trajtimi që m’u bë në Republikën Popullore të Shqipërisë, m’u duk shumë i padrejtë dhe më dëshpëroi. Megjithëkëtë, në fillim jetoja me shpresën se unë jam çuar gabimisht nga autoritetet shqiptare në këtë qendër emigracioni, mbasi aty kishte edhe njerëz që ishin dënuar nga gjyqet e popullit në Shqipëri.
Në fillim, unë kam krijuar shoqëri me Rexhep dhe Halit Llazanën, që edhe këtë ishin emigrant kosovarë. Nga këta, mësova se qëndronin në këtë qendër emigracioni qysh 3-4 vjet më parë. Kjo gjë, përsëri më duket e padrejtë që bëhesh këtu në Shqipëri, me emigrantët.
Këtë, edhe mbasi këta vëllezërit Llazana, më thanë se kishin ardhur në Shqipëri me pasaportë dhe megjithëse kishin ardhur në këtë mënyrë, prap i kishin çuar në këtë qendër emigracioni, ku qëndruan kaq gjatë.
Këta dy vëllezër, më thanë mua që të mos dëshpërohesha, se së shpejti, do të lirohesha nga Semani. Unë u thashë këtyre, pse këta i mbanin kaq gjatë në Seman dhe ata më thanë: që ne të dy, kemi shëtitur nëpër shtetet e Perëndimit dhe për këtë, mundet që, autoritetet shqiptare të dyshojnë për ne.
Kur isha në Seman, autoritetet shqiptare kanë kthyer në Jugosllavi, ndërmjet të tjerëve, edhe shokun tim, Bektash Ismaili, me të cilin, unë kisha ardhur në Shqipëri dhe nuk kishte bërë lutje për kthim.
Unë, përveç Bektashit, kisha marrë vesh që autoritetet shqiptare, kthenin në Jugosllavi edhe emigrant të tjerë, që nuk kishin bërë lutje për kthim. Ky qëndrim i autoriteteve shqiptare më është dukur i padrejtë dhe mbi këtë bazë, më hyri dhe mua frika se më dorëzonin në Jugosllavi.
Me kalimin e kohës, aty në Seman, krijova shoqëri me Alush Bytyçin, një emigrant që ka mbiemrin Myftari, emri nuk më kujtohet, por sot jeton në Shkodër dhe me vëllezërit Llazana. Në ato kohë, disa nga shokëve të mi, u erdhi lirimi nga Semani, e merrnin edhe shtetësi.
Unë qysh në vitin 1963, bëra lutje për të marrë shtetësinë, por ma refuzuan. Mbasi u larguan nga Semani shokët e mi e mëparshëm, Alush Bytyiçi dhe vëllezërit Llazana, në Seman erdhën Ymer Kelmendi e Skënder Kabashi, të cilët kishin qenë studentë në Elbasan, e ishin përjashtuar për përhapje të materialeve pornografike.
Për këtë gjë, ishte përjashtuar Ymeri, ndërsa Skënderi, nuk më kujtohet se përse. Qysh në atë kohë, filloj të më dërgonte letra nga Lushnja, Kapllan Resuli, në të cilat më thoshte që të qëndroja, të mos mërzitesha dhe të mos lejoja djem kosovarë për të bërë lutje kthimi në Jugosllavi. Këto porosi të Kapllanit, jam munduar që ta vë në jetë në Seman.
Me kalimin e kohës, një pjesë e emigrantëve u liruan nga Semani, një pjesë u kthyen në Jugosllavi dhe nga viti 1965, mbetën në Seman, pak njerëz, që edhe këto, kishin bërë lutje për t’u kthyer në Jugosllavi.
Gjatë kësaj kohe, janë bërë akoma dhe më i pakënaqur për këtë qëndrim që mbahej karshi meje, bile, kur ndonjëri, në këto rrethana, më ka kërkuar mendim, nëse duhej të bënte lutje për t’u kthyer në Jugosllavi, unë i kam thënë që; ta bënte dhe këtë e kam bërë, mbasi po shikoja se të gjithë po ktheheshin në Jugosllavi.
Konkretisht nuk më kujtohet se kujt unë i kam thënë në ato kohë që të bënte lutje për kthim në Jugosllavi. Unë erdha në konkluzionin se këtu në Shqipëri, për mua, vend nuk ka, mbasi mbetesha njeri i dyshimtë, deri sa mbahesha në Seman.
Kështu, nga fundi i vitit 1968, edhe unë vetë, kam bërë kërkesë për të shkuar në Turqi, te xhaxhai jem, që kam atje, dhe njërit e tjerë që kam po në Turqi./Memorie.al
I pandehuri Hetuesi
Myrteza Bajraktari Elham Gjika
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016