Nga Skifter Këlliçi
(Përsiatje rreth procesit gjyqësor kundër Themistokli Gërmenjit dhe pushkatimit të tij më 9 nëntor 1917)
Memorie.al/ Nëntori i këtij viti përkon me 105-vjetorin e dënimit me vdekje të atdhetarit të madh, Themistokli Gërmenji, që ishte “Veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike para dhe pas Pavarësisë së Shqipërisë…”! Bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit në Vlorë, më 1913 -1914 dhe kreu detyra të rëndësishme në administratën shtetërore”, (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vëllimi 1, faqe 764, 2008).
Pala paditëse në proçesin gjyqësor kundër Themistokli Gërmenjit përbëhej nga Benuai, shefi i Syrtesë, pra, Sigurimit të ushtrisë, Drioja, inspektori i Sigurimit dhe Glavani edhe ai oficer i lartë i Sigurimit. Në përbërjen e Këshillit të Lartë të Luftës ishin pesë ushtarakë francezë, si edhe avokati mbrojtës, Tyber.
Duket e çuditshme se si një oficer si Tyberi, një ndër intriguesit për ta futur Themistokliun në kurth, të ishte avokat i tij mbrojtës!?…Këtë dyshim shpreh edhe historiani i njohur, Muin Çami, në studimin e tij “Rreth dënimit të Themistokli Gërmenjit dhe ekzekutimit të tij”, (“Studime Historike” nr 4, 1977, faqe 118), ku ai ndër të tjera, shkruan: “Në rast se kapiteni Tyber qe me të vërtetë avokati mbrojtës i Themistokliut, atëherë kemi plotësisht të drejtë të pohojmë se ishte sajuar gjithçka, në mënyrë të përsosur, jo vetëm nga akuza, por dhe vetë gjyqi”.
Themistokliu u akuzua për tradhti të lartë, bazuar në aktakuzën, mbështetur në përfundimet e fundit të Syrtesë, sipas të cilave:
A. Të gjitha veprimet armiqësore të ndodhura në krahinën e Korçës nga ana e austriakëve, janë bërë me ndihmën e agjentëve të prefekturës.
B. Në zonën austro-hungareze agjentët e rekrutuar prej shërbimit informativ francez, janë paditur dhe ekzekutuar, kurse familjet e tyre janë internuar e burgosur.
C. Këto(A dhe B), janë shkaktuar si nga shërbimi informativ austriak, ashtu dhe nga partizanët e tij.
Autori anonim i shkrimit të botuar në gazetën “Posta e Korçës”, më 13.2.1930, me titull “Vrasja e dëshmorit”, që përmendëm më sipër, pasi radhit këto pika të rëndësishme të aktakuzës, vazhdon në këtë shkrim edhe fakte të tjera, që nuk janë gjë tjetër, veçse sajime absurde dhe qesharake të Syrtesë.
I tillë është gjoja fakti se para luftimeve të zhvilluara në Boboshticë, Adem Beqiri, bashkëpunëtor i Themistokliut, qenkësh dërguar në zonat e armikut dhe paskësh takuar gjeneralin austriak, Vazari, për t’i dhënë informacione. Jo vetëm kaq, por Themistokliu paskësh shkruar një letër i që i drejtohej shefit të zbulimit austriak, e cila qenkësh gjetur në astarin e një kapote, të një oficeri austriak, siç dëshmonte togeri Dë Mari.
Por të tëra këto bien poshtë nga një raport i gjeneralit Sal, drejtuar komandës së përgjithshme të Armatës së Lindjes, në të cilin ai dëshmon se spiunazhi austro-hungarez në drejtim të Korçës, udhëhiqej në Sovjan nga oficerët madhorë, Semere dhe më pas Vitner, me ndërmjetës një agjent, të quajtur Muharrem, rekrutuar nga prej tyre. (P.Tako, “Themistokli…”,faqe 309). Pra, vetë gjenerali Sal, që siç e kemi parë, kishte zëvendësuar muaj më parë Dakoenin, i respektuar nga shqiptarët, në këtë raport nuk përmend gjëkundi Themistokliun.
Në shkrimin e tij të botuar te “Posta…”, anonimi vë në dukje se në procesin gjyqësor u lexuan edhe disa dëshmi të të burgosurve. Po ato ishin marrë pas torturash të vazhdueshme, ashtu siç do të deklaronte vite më pas Çiz Mehmeti, një xhandar i forcave të Themistokliu. Për me tepër, siç pohon anonimi, këta dëshmitarë nuk u thirrën të depononin gjatë procesit gjyqësor.
Një ndër këta dëshmitarë ishte dhe shqiptari Pasho Kolaneci, i cili u dënua me vdekje, por më pas u fal nga Syrteja. Ishte pikërisht ky që i dha informacione Benuait, se gjoja kishte qenë ndërlidhës i Themistokliut me Fehmi Zboqin, një tjetër shqiptar i akuzuar për tradhti ndaj Francës. Kësisoj Pashoja, u fal e bashkë më të edhe Fehmi Zboqi, që u lirua më pas.
Sipas anonimit, Themistokliu me një gjakftohtësi të pashembullt i hodhi poshtë këto dëshmi, që nuk kishin asnjë bazë. Si përfundim, trupi gjykues nuk mundi të vërtetonte akuzën kundër Themistokliut për tradhti të lartë.
Në vazhdim të artikullit të tij te “Posta…” Anonimi shkruan se avokati mbrojtës, Tyber, vuri në dukje se Këshilli i Luftës nuk mund ta gjykonte Themistokliu si francez, por si shqiptar.
“Mbrojti tezën që njeriu nuk mund të quhet tradhtar, përveçse kur punon kontra kombit dhe atdheut të vet, qoftë i vetëm, ose në bashkëpunim dhe në marrëveshje me fuqi të huaja. Themistokliu, si patriot shqiptar dhe nëpunës i lartë i atdheut të tij, për veprat e tij është përgjegjës, vetëm përpara kombit të vet.” Ndaj kërkoi pafajësinë.
Ndoshta anonimi në fjalë 13 vjet, pas kësaj ngjarjeje ngatërron Tyberin, armik të Themistokliut, me dikë tjetër që mund t’i ketë shprehur këto fjalë, i cili është treguar jo vetëm i ndershëm gjatë këtij procesi gjyqësor të montuar, por edhe objektiv, siç pohon edhe studiuesi Tako, në veprën e tij kushtuar Themistokliut.
Më tutje Tako shkruan se më vonë një profesor i shquar i Universitetit të Parisit, ka shprehur thuajse të njëjtin opinion për dënimin e padrejtë të Themistokliut. Profesori nënvizon se gjatë këtij procesi u bënë shumë akuza të cilat, sipas mendimit të tij, ishin të sajuara. Mund që edhe vetë Tyberi pas shumë vitesh të ketë shprehur ndjenja pendimi për dënimin e padrejtë që e dërgoi Gërmenjin në plumb.
Në librin e tij “Gjashtë muaj të historisë së Shqipërisë”, (frëngjisht), botuar në Paris më 1929, Dakoeni, ish-komandanti i forcave franceze në Korçë, që më pas u zëvendësua nga Sali, “…ka dhënë mendimin se drejtësia franceze duhej ta rishikonte procesin, sepse në gjykimin e çështjes “pati gabime juridike”. Këtë mendim ka shprehur edhe miku i Shqipërisë, Zhysten Godar, në parathënien e këtij libri. Edhe francezë të tjerë që kishin simpati për Shqipërinë kanë qenë të këtij mendimi”. (P.Tako.”Themistokli…”, faqe 311).
Trupi gjykues, pas kësaj farse të neveritshme, me tri vota pro dhe dy kundër e dënoi Themistokliun, me vdekje. Syrteja kështu mposhti përfundimisht Sarrajin dhe shtatmadhorinë, që e kishin mbrojtur Themistokliun.
Të ndalemi te artikulli “E vërteta e ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit nga francezët” shkruar nga studiuesi dhe shkrimtari, Aurel Plasari, botuar më 16 shkurt të vitit 2016, në gazetën “Tema”, ku jepen disa të dhëna të reja nga procesi i mësipërm gjyqësor.
”Dëshmitari kryesor ishte një Demir Hasan”, – thekson Plasari.- Ky ka qenë pjesëtar i çetës së Sali Butkës, ndërkohë që ka punuar edhe për organet e sigurimit francez, në kuadrin e shërbimit të informacionit të Armatës së Lindjes. Me pohimet e tij gjatë procesit ka dëshmuar për kontaktet e fshehta që ka mbajtur Th. Gërmenji me “anën tjetër” të frontit, atë të forcave ushtarake të pushtimit në Shqipëri. Për komandën e Armatës së Lindjes kontakte të tilla konsideroheshin si “tradhti”, në kuptimin e “bashkëpunimit me armikun”. Pra, del se në këtë proces gjyqësor të ketë qenë një dëshmitar shqiptar, por nisur nga qëllimet cinike të Syrtesë, që pa tjetër të akuzojë Themistokliun për “bashkëpunim me armikun”.
“Nga pikëpamja shqiptare kontakte të tilla të Gërmenjit,- vazhdon Plasari, – përbënin një qëndrim largpamës politik në të mirë të ruajtjes së stabilitetit të Republikës Autonome të Korçës, si dhe së ardhmes së saj, kur Lufta e Parë Botërore të kishte përfunduar. Më vonë, gjenerali francez Dakoen, dashamirës i shpallur i Korçës dhe i shqiptarëve, në përgjithësi, – vazhdon Plasari,- e ka shprehur hapur këtë pikëpamje: “Themistokliu kishte lidhje TEK armiku, çfarë nuk do të thotë Me armikun. Ne i kemi shfrytëzuar ato lidhje, së bashku në shumë raste”. (Gen. Descoins, Six mois d’histoire de Albanie, novembre 1916- mai 1917, A. Costes. 1930, f 51)”.
Pasi dëgjoi vendimin e jurisë, Themistokliu tha i qetë: “Sido që u dënova me vdekje, unë po vdes i pafajshëm dhe jam i bindur që vdekja ime ka për t’i shërbyer Shqipërisë. Dhe më poshtë shtoi: “Më vjen keq që po vdes nga plumbat e francezëve, me të cilët lidha besë për t’i shërbyer çështjes shqiptare dhe miqësisë me Francën. Kjo dhembje do të jetë e ëmbël duke ditur që vdes në luftën për lirinë e atdheut tim të dashur, Shqipërisë…. Vdes i lumtur dhe i kënaqur, se e kam ndërgjegjen të pastër dhe shpirtin e qetë në përmbushjen e detyrave, kundrejt Shqipërisë. Lutja e fundit që u drejtoj francezëve është të mos rrëzojmë flamurin kombëtar, që kam ngritur në Korçë dhe të mos bëhen shkak që të prishet ajo copë Shqipëri.”
Sipas Anonimit “…këto fjalë tronditën ata që u ndodhën në sallë, sa mjaft prej tyre ulën kokën nga turpi, se nuk mund ta shihnin atë drejt e në sy”. (“Posta…”, 25.2.1930).
Logjikisht kështu duhet të këtë ndodhur sepse, në mjediset ushtarake franceze, kishte njerëz që e kuptuan se sa poshtë kishin rënë ata, që montuan një proces të tillë të turpshëm, për të bërë theror Themistokliun dhe për t’i dhënë goditjen vdekjeprurëse Krahinës Autonome të Korçës.
Dhe kjo, sepse pushtuesit francezë tashmë kuptuan, gjithashtu, se krijimi kësaj krahine qe një fitore e madhe, jo vetëm e Korçës, por edhe e Shqipërisë, që cënonte interesat e tyre në të ardhmen. Ata edhe pas përfundimit të Luftës së Përbotshme, mendonin të ruanin zona ndikimi në Ballkan e në Shqipëri. Jo më kot e mbajtën Esat Pashën në Paris, që më pas ta kthenin në Shqipëri, për të luajtur kartat franceze dhe serbe.
PUSHKATIMI
Në atë kohë, më 9 nëntor të vitit 1917, Themistokliu nuk ishte veçse 46 vjeç. Që Sigurimi francez e kishte mbërthyer në kthetrat e tij gjakatare, këtë e kishte parandier. Megjithatë, ai nuk u largua nga Korça, gjë që mund ta bënte fare lehtë, sepse askujt nuk do t’i jepte llogari, aq më tepër pushtuesve francezë. Madje, ka pohime se shokët i kishin thënë të largohej, e, megjithatë, ai nuk u largua, i bindur në drejtësinë e tij. (“Gazeta e Korçës”, 11.2 1930).
Në çastet e pushkatimit të Themistokliut ka qenë Ogyst Mortieri, ushtarak francez, që më 1914 ishte martuar me një vajzë pogradecare, të quajtur Athina Sotiri. Dhe më 1917, pas luftimeve në Pogradec, ku mori pjesë edhe Themistokliu, u emërua komandant garnizoni. “Skuadra, – dëshmon ai, – gatitej të shtinte. Themistokliu hapi gjoksin dhe me trupin përpara e priti batarenë e plumbave burrërisht, si shqiptar i vërtetë.” (“Kuvendi Kombëtar”, Ilo Mitkë Qafëzezi, “Vrasja e Themistokli Gërmenjit”, 17 dhjetor 1933).
Më poshtë po aty: “Kur do ta pushkatonin, – ka deklaruar një oficer i shtabit madhor francez, – nuk pranoi t’i lidhnin sytë dhe i kërkoi një copë letër, oficerit të togës së pushkatimit, me lutjen që të lexohej pas mbarimit të detyrës. Dhe në kohën që zbrazeshin pushkë, u dëgjua nga goja e tij: “Rroftë Shqipëria! Rroftë Franca”. Themistokliu ra ngadalë, ashtu si$ pritet një lis i madh. Oficeri Çeli letrën dhe sytë iu mbushën me lot kur lëçiti: “Dhe mbas vdekjes sime”,”Rroftë Franca”.
Me tutje në këtë shkrim, I. M. Qafzezi shkruan: “Pushkatimin e ndiqnin së largu dy hije. Donin të bindeshin me sytë e tyre për vdekjen e tij. Dhe u zhdukën përsëri si fantazma, porsa panë që trimi vaditi me gjakun e tij të pafajshëm, dheun e huaj. Cilët mund të ishin këta? Ndoshta Esat Pasha dhe Eftim Gjini”.
Gërmenji nuk u varros në Korçë, ku pati shprehur dëshirën, por në Zeitenlik të Selanikut. Madje as në varrezat qytetare, por në ato të robërve austriakë. Dhe kjo ndodhi, sepse pushtuesit francezë kishin frikë, se varrimi i Themistokliut në Korçë do të kthehej në manifestime të furishme popullore kundër tyre. (Muin Çami, “Studime…”, nr.4 1977, faqe 120). Eshtrat e Themistokliut, u varrosën pas shumë vjetësh në varrezat e Korçës.
Një ditë pas pushkatimit të Themistokliut, më 10 nëntor, gjenerali Sal, komandanti i forcave pushtuese në Korçë, mblodhi këshillin qeveritar të Krahinës Autonome dhe me cinizëm, njoftoi se një natë më parë Themistokli Gërmenji, ishte pushkatuar si bashkëpunëtor i armiqve të Francës dhe aleatëve të saj.
Ky lajm tronditi pa masë të pranishmit, sepse askush nuk besonte në fjalët e gjeneralit francez. Por, çuditërisht, një major francez, i quajtur Masje, i tha Salit pa drojë: “Nëse Themistokliu ishte fajtor, unë jam fajtori më i madh”. Pra, dëshmonte se Themistolkiu nuk kishte tradhtuar. Nuk kaluan veçse disa ditë dhe Masjeja, nuk u pa më në Korçë. (“Drita”, “Themistokli Gërmenji një nga përpjekësit për vetëqeverimin e Shqipërisë”, 23.11.1973).
Me të marrë këtë mandatë e shoqja e Themistokliut, Evdhoksia, u takua me Glavanin, shefin e Sigurimit francez në Korçë dhe i kërkoi atij t’i shpjegonte arsyet e pushkatimit të burrit të saj.
– Cilat do qofshin ato, unë protestoj për vrasjen tij, se Themistokliu ishte i pafajshëm dhe ra viktimë e shpifjeve – shtoi ajo.
– Shikoni, zonjë,- u përgjigj Glavani, duke përdorur të gjitha argumentet e mundshme.- Ju duhet të pranoni faktin, sado i hidhur të jetë, se Këshilli i Luftës, që dënoi burrin tuaj, u mbështet në prova të sigurta.
-Çfarë provash? M’i jepni ato, – ia preu me zemërim dhe e hidhëruar ajo. – Çfarë gjyqi qe ai, kur nuk u thirr asnjë dëshmitar, për të fajësuar burrin tim?
E veja e shikoi me qortim dhe inat e shtoi:
-Themistokliu asnjëherë nuk ka vepruar me kokën e tij dhe pa biseduar me Dakoenin e më pas me Salin. Për çfarë u akuzua? Ju lutem edhe një herë, më paraqitni provat.
Glavani u zu ngushtë.
– Gjykata e mbështeti vendimin,- tha ai- në provat që u paraqitën, sipas të cilave u vërtetua se Themistokliu i kishte dhënë armikut, informata ushtarake mbi Korçën e krahinën e saj.
– Nuk është e mundur, – iu përgjigj ajo. – Ju lutem, më lejoni të shkoj në Selanik, për të mbledhur të dhënat e nevojshme. Dua që gjyqi i burrit tim, të përsëritet duke u bindur në pafajësinë e tij. (P.Tako,”Themistokli…”, faqe 323).
Por këto prova Glavani dhe oficerë të tjerë madhorë francezë, nuk ia dhanë kurrë Evdhoksisë. Kuptohet, nuk kishin çfarë t’i jipnin.
Megjithatë, Evdhoksia në qershor të vitit 1920 u takua me gjeneralin tjetër francez, Dë Bartu dhe iu lut t’i jepte një kopje të aktit gjyqësor. Dhe Dë Bartui i premtoi. Por kur shkoi në Selanik, pa se të gjitha aktet gjyqësore të Armatës së Lindjes, ishin dërguar në Paris. Megjithatë, ai kërkoi nga Ministria e Drejtësisë në Paris, që t’i dërgohej një kopje e procesit të Selanikut, kundër Themistokliut. Mirëpo ky proces nuk ra në dorë të tij dhe rrjedhimisht, në dorë të Evdhoksisë. (Arkivi i Shtetit, dosje 27, faqe 5, letër e dë Furtusë, Sofje, 7.7.1920).
Pas pushkatimit të Themistokliut, në shënjestër të Syrtesë u vunë komisarët e policisë, Kozma Trebicka e Llazo Progri, Tefik Panariti, Mehmet Starova e më vonë te Qamil Panariti etj. Disa prej tyre vdiqën, në kampin e përqendrimit në Bitinckë, madje edhe në Guajanën franceze .
Pushtuesit francezë abroguan pa ngurrim Protokollin e 10 dhjetorit, në bazë të të cilit Korça, siç e kemi parë në pjesët e para të këtij cikli, shpallej krahinë autonome dhe ajo u quajt thjesht kazaja e Korçës, pushtuar nga forcat e ushtrisë franceze.
“Ne, ushtarët e Francës, – tha Sali me hipokrizi, në një takim me anëtarët e shoqërisë “Përparimi”, – po luftojmë për të përhapur, në të gjithë botën fjalët e lirisë, barazisë dhe të vëllazërimit. Të tërë ata që i kuptojnë, $’duan të thonë këto fjalë, janë miqtë tanë, ata që nuk duan t’i kuptojnë, janë armiqtë tanë.” (“Gazeta e Korçës”, 24 korrik 1917).
Lajmi i pushkatimit të Themistokliut shkaktoi hidhërim, dhembje dhe indinjatë tek të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë atdheut. Midis tyre e ndjeu këtë humbje, shoku i tij i armëve, Sali Butka. Lajmin e vdekjes e botuan shume gazeta, ndër të cilat edhe gazeta “Dielli”, që botohej në Boston e cila shkroi: “Frenqtë dyfeqisnë prefektin e Korçës, atdhetarin e madh, Themistokli Gërmenji”, (18 dhjetor 1917). Kjo ishte e kuptueshme. Duke vrarë kaq mizorisht Themistokliun, Franca kishte vrarë dhe zemrat e shqiptarëve, të cilët tek ai shihnin një atdhetar të madh, të çështjes kombëtare.
EPILOG
Një mëngjes janari të vitit 1999, disa muaj para se të nisesha për në Amerikë, tek shëtisja me publicistin e njohur Pirro Naçe, një burrë më pamje të qeshur, u ndal para nesh. Pasi na përshëndeti, nisi të fliste frëngjisht.
-Njihu me ambasadorin francez në Tiranë, – m’u drejtua më pas Pirroja duke shtuar emrin e tij.
Pastaj edhe unë i thashë se cili isha. Si u mendua një grimë, ai me një shqipe të përsosur, më pyeti se mos isha autor i romanit “Vrasës me duar të bardha”, kushtuar Themistokli Gërmenjit. Pohova me kënaqësi. Pastaj fytyra e tij u mbulua një çast nga një hije trishtimi.
-Para disa ditësh, – zuri të fliste ai, – bëra një vizitë në varrezat e ushtarëve francezë, të rënë në Korçë gjatë Luftës së Parë Botërore. Dhe aty vura një kurorë edhe te varri i atdhetarit të madh shqiptar, Themistokli Gërmenji, që u pushkatua padrejtësisht nga ushtarakët tanë më 1917.
Pas kaq dekadash, Franca, nëpërmjet ambasadorit të saj, kërkonte falje. Me pak fjalë, por domethënëse.
Sidoqoftë, nuk mjaftojnë veprime të tilla fisnike që janë përsëritur edhe nga diplomatë të tjerë francezë, të cilët kanë punuar në Tiranë. Bazuar në fakte që do të zbulohen nga hapja e dosjes së këtij procesi, të kurdisur gjyqësor, do të vërtetohet, tashmë juridikisht, pafajësia e Themistokli Gërmenjit. Dhe shpresohet se kjo dosje, më së fundi, të jetë sa më shpejt e mundur në duart e studiuesve tanë, pra 105 vjet nga dita e dënimit me vdekje të këtij veprimtari të shquar të lëvizjes sonë kombëtare./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016