Nga Ahmet Bushati
Pjesa e njëzetë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Marku, i dalë prej burgut mbas dhjetë vjetësh, do të gjente ma në fund pak ngushllim te nji fejesë qẽ pat ba, dhe e ama, Katia, – siç e thirrshin për shkurt kojshi e të afërm – u thonte se qe përtri, por jo për shumë kohë, sepse Marku, si të kishin kalue vetëm pak muej fejese e së “kndelluni”, do të vdiste papritmas tek punonte si topograf në fushë të Zadrimës. Dikush pat thanë se e helmuen njerëzit e Sigurimit, gja që duket se nuk qe provue. Megjithatë, Katrina vetë, për ma të tmerrshmin ndëshkim të fatit, gjallë se gjallë.
Në kohën që Marku vdiste në Fushë të Zadrimës, Katrina me të fejuemen e tij kishin dalë në Theth te njerëzit e tyne, e kur mbas lajmit të marrë, të mbrrijshin te shtëpia rreth mesnatës, do të gjejshin dhomën rreth e rreth- me ish shokë të burgosun të Markut, dhe Katrina, ende pa ba kambë brenda, me zemër të coptueme, po e mbajtun fort prej zakonit, do t’iu drejtonte dhomës me nji za burri: “Prej robit burra, apo prej Zotit?”, e si të merrte përgjigjen e menjihershme të disa vetëve njiherit, do të niste të falej nji për nji me të gjithë sa ishin aty, e mandej si nanë, t’u lëshonte e këputun mbi trupin e pajetë të të birit të shtrimë ne mes të dhomës.
Dëshmia e Sami Repishtit
Inxhinieri pyjor Fahri Rusi, ish-nëpunësi i doganës e mandej edhe i financës, Qamil Nikshiqi, farmacisti Elez Troshani, studentët universitarë Xhevat Meta e Sami Repishti, gjeometri Ndoc Gjoka dhe ma i riu i tyne, studenti i liceut, Sulejman Qehaja, mbas ngjarjeve të Postribës, do të bijshin njeni mbas tjetrit në burg, të akuzuem; “për veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor”!
Lidhun me veprimtarinë e këtij grupi, unë i afroj lexuesit vetë Sami Repishtin, me materialin e tij të maposhtëm, që mue ma pat dërgue prej SH.B.A.-ës, ku ai jetonte q’prej ma shumë se katër dekadash: “Nji ditë gjeometri Ndoc Gjoka, që ishte në nji punë me mue, me njoftoi se kishte marrë kontakt me nji plakë, nanë e dy djelmëve të arratisun, Abdyl dhe Xhelal Hardolli.
Gjatë viteve të okupacionit unë i kisha pa këta vëllazën kur ato shërbejshin si përkëthyes të Misioneve Ushtarake të Lidhjes Britanike në Shqipni. Plaka ishte ankue se nuk kishte mjete me sigurue bukën e tyne, në nji shpellë diku afër qytetit. Atëherë unë fillova mbledhjen e ndihmave pranë ish-shokëve të besueshëm dhe, me anë të Ndocit, ia dhamë plakës. I tregova Qamilit (Qamil Nikshiqit), për lidhjet e reja me vëllaznit Hardolli.
Kur e pashë se ai ishte gati me nihmue, i fola edhe për Ndocin. “Grupi i jonë tash ka nji celulë”, qesha me vete, por ishte e vërtetë. Fryma e konspiracionit na lidhi edhe ma shumë. Zyra ime dhe e Qamilit, u transformue në nji klub diskutimesh me karakter anti-qeveritar. Kontakti me vëllaznit Hardolli, megjithëse indirekt, shënoi bashkëpunimin tonë me të arratisunit. Me kërkesën time, vëllaznit Hardolli pranuen me shtypë në ciklostil dy trakte, të cilët unë dhe shokët e mij i shpërndamë në tetor dhe nandor të vitit 1945, pak ditë para votimeve të para të dhetorit 1945.
Ndërkaq zana të pakonfirmueme qarkullojshin sikur vëllaznit Hardolli, të kishin lidhje me nji prift katolik në Shestan të Krajës, me anë të radios së të cilit transmetojshin lajmet nga Shqipnia. Unë e pranova këtë version që më dha Ndoc Gjoka dhe herë mbas here, dërgojshim lajme te vëllazënt Hardolli, me anë të plakës. Mbas orarit të punës, takimet e mia ma të shpeshta kanë qenë me Eqrem Rusin, shokun e vjetër të liceut, si dhe me studentin e vitit të fundit të liceut, Sulejman Qehanë.
Në shtator 1945, u bisedue për herë të parë mundësia e krijimit të nji organizate që do të koordinonte veprimtarinë tonë. Në mbledhjen e parë (ing. Fahri Rusi, Eqrem Rusi dhe Sami Repishti) përcaktuen vijat e përgjithshme. Emni “Organizata e Rinisë Demokratike”, u propozue prej ing. Fahri Rusit, i cili ishte shumë ma i pjekun se na të tjerët. Pak ditë ma vonë Eqrem Rusi dhe unë, formuluem vijat kryesore të programit.
Hapi i parë ka qenë përhapja e nji trakti që e shpërndanë Ndoc Gjoka, Eqrem Rusi e Sami Repishti. Nji kopje e traktit arriti në duer të Patër Gjon Shllakut, me ndërmjetësi të Ndoc Gjokës. Nji ditë Ndoc Gjoka më njofton se Patër Gjoni, dishronte me u takue me mue. Takimi u ba në nji klasë të errtë të liceut Franfeskan. S’kishte njerëz as dritë. Në dhomën që ndriçonte pak nga dritat e rrugës kryesore, takova fratin filozof. Gjatë gjithë bisedës me za të ultë, Patër Gjoni theksoi nevojën e nji organizimi modern të rinisë antikomuniste, bashkëpunimin me studentë e sidomos pjesëmarrjen e vajzave në organizatë. Ai kritikoi përmbajtjen “akademike” të traktit tonë dhe na këshilloi të pregadisim nji trakt të ri, “ma politik”. Sugjeroi të sulmojshim natyrën anti-demokratike të zgjedhjeve që afrojshin. Në takimet e mija me F. Rusin E. Rusin, Q. Nikshiqin, S. Qehanë e Xhevat Metën, shpjegova individualisht mendimet e Patër Gjonit, pa përmendë emnin.
Me Eqrem Rusin mandej, kemi pregatitë traktin e dytë, të aprovuem prej Fahri Rusit, që mbikëqyrte veprimtarinë tonë, me anë të të cilit denonconte politikën e zgjedhjeve të manipulueme. Shumëzimin e traktit e banë vëllaznit Hardolli. Shpërndamjen e traktit e kanë ba Qemal Nikshiqi, E. Rusi, Ndoc Gjoka e Sami Repishti, e disa kopje Man Qehaja. Nji ditë ma parë erdhi në qytetin tonë nji deputet anglez laburist, Mr. Hutchinson dhe për nderë të tij në ‘Kafen e Madhe’ u dha nji darkë. Ndoc Gjoka e kishte rregullue që të hynte brenda si punëtor. Në mbasdrekën e asaj dite, Xh. Meta, N. Gjoka dhe S. Repishti, kanë pregatitë nji Memorandum mbi gjendjen në Shqipni dhe zgjedhjet e padrejta.
Në frengjisht e ka përkthyer Sami Repishti, ndërsa dorëzimin e tij e ka ba Ndoc Gjoka, në nji korridor të ‘Kafes së Madhe’. Fraza e fundit e Memorandumit ka qenë: “Faites antention, s’il vous plait, aux methodes diaboliques importees de l’Union Sovietique”. Me shpërndamjen e traktit të dytë. fituem ma shumë konfidencë. Por entuziasmi u ndërpre me arrestimin e grupit të “Bashkimit Shqiptar” dhe “Demokristianëve”. Në mes të të arrestuemve edhe Patër Gjon Shllaku i cili, nuk tha asgja lidhun me takimin tonë. Frati françeskan e pagoi me jetë besnikninë në besimin dhe mendimet e tija.
Me këshillën e Fahri Rusit, u vendos që t’u ndërpritshin aksionet tona ilegale. Por ndërkaq, si mbas sugjerimit të Xh. Metës, u vendos që të merrshim kontakt me Kel Çobën dhe nji grup të rinjsh. S. Qehaja na njoftoi se në klasën e tij, kishte mjaft të rinj të gatshëm me u hedhë në aktivitet. Me ndërmjetësinë e tij, unë vetë kam kontaktue me studenteshat Elisabet Hajmeli e Terezina Shllaku. Farmacisti Elez Troshani, me të cilin bisedojshe hapët, do të përpiqej me zgjanue rrethin e vet në mes të personelit mjeksor të spitalit ku punonte. Në pranverën e 1946-ës, mora vesh se grupet ilegale të veriut, kishin fillue kontaktet për nji mbledhje diku mes Lumës e Pukës e, me pjesëmarrjen edhe të Muharrem Bajraktarit. Fahri Rusi nga ana e tij më tha, se lëvizja anti-pushtet në Tiranë po u rriste. Por sidoqoftë celula e jonë e parë u prish.
Ndoc Gjoka u sëmue nga tuberkulozi, Qamil Nikshiqi ndërroi vend pune, duke ba që takimet tona t’u rrallojshin. Me Eqrem Rusin, Xh. Metën e Man Qehanë, takimet vazhdojshin të ishin të shpeshta. Mani zhvillonte aktivitet të dendun në rrethin e liceistave e gjente prej tyne përkrahje. Nji ngjarje e papritun galvanizoi rininë antikomuniste shkodrane: vdekja e Imzot Gaspër Thaçit, Arqipeshkëv i Shkodrës, korrik 1946. Funerali i tij u shndrrue në nji manifestim impozant, në nji demostratë të heshtun.
Elementët demokratë për herë të parë po sfidojshin forcat e Sigurimit. Aty kam kuptue forcën e madhe të Kishës Katolike dhe përkrahjen që ajo gjente tek besimtarët. Të nesërmen në zyrën time, dy sigurimsa kishin kontrollue tryezën time në mungesë time dhe kishin pyet për mue. Edhe shokët e mëparshëm të punës, filluen të më largohen. Abdyl Kokoshit që i rekomanduem prej Fahri Rusit, vinte nga Tirana për t’u lidhë me personin që do ta kontaktonte me Muharrem Bajraktarin, unë nuk muejta t’ia siguroj, sepse personi në fjalë, ishte arrestue. Na nuk e dijshim, por Sigurimi i Shtetit kishte ndjekë kamba-kambës Abdyl Kokoshin, sikurse edhe Ragip e Xhevat Metën, që u lidhshin me të.
Ndodhi Postrriba dhe u arrestuen edhe Ragip e Xhevat Meta, sikurse edhe Abdyl Kokoshi. Ma vonë unë dhe shokët e mij Qamil Nikshiqi, Fahri Rusi, Sulejman Qehaja dhe Elez Troshani. Abdyl Hardolli u vra në nji përpjekje me forcat e Sigurimit dhe Xhelal Hardolli u zue i gjallë. Ndoc Gjoka vdiq nga tuberkulozi. Eqrem Rusi dhe studentët e liceut shpëtuen nga arrestimi. Ing. Fahri Rusi dhe Abdyl Kokoshi, si edhe Xhelal Hardolli, u dënuen me vdekje. Ragip Meta me burgim të përjetshëm; Xhevat Meta me njizet vjet burg; Qamil Nikshiqi e Sami Repishti me nga pesëmbëdhjetë vjet burg; Elez Troshani me dhjetë vjet, kurse Man Qehaja me pesë vjet burg. “Lidhun me manifestimin në rastin e funeralit të Imzot Gaspër Thaçit – për të cilin sapo u fol pak ma sipër – vlen të shtohet çfarë At Konrad Gjolaj, shkruan në librin e tij Çinarët faqe 92:
Data 26 maj 1946 mbetë në historinë e Shkodrës, ndër datat ma të pa harrueshme, ku rinia qytetare shkodrane pa dallim feje, i jep lamtumirën e fundit Argjipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit, tue demostru hapte figurën e nderueme antikomuniste, drejtusit të Klerit Katolik Shqiptar, një prej personaliteteve ma të shqueme të popullit Shkodran.
Qemal Draçini
Lajmi se Qemal Draçini ishte arrestue atje në Tiranë, tek po u merrte me hartimin e teksteve për shkolla të mesme, do të binte si nji bombë e vërtetë për shumë studentë të liceut tonë, e sidomos për ata që gjatë nji vjeti ma parë, kishin marrë mësim prej tij. Disa ditë mbrapa, dikush prej shokëve tonë, do të na tregonte me dëshpërim se si profesor Draçinin, e kishte pa të lidhun duersh mbi karrocerinë e nji kamionçini, që si mbas tij, u dukte se po e sillshin nga Tirana. E kur mbas nji vjeti na të ndigjojshim edhe për vdekjen e tij në Sigurim, pikëllimi ma i thellë do të mbulonte shumë prej ish-nxanësve e nxanëseve të tij, dhe unë vetë s’e kam për zor të pohoj, se me atë rast pata derdhë lot dhimbjeje e malli të madh.
Me marrjen e lajmit të vdekjes së Qemal Draçinit, cilit njeri që atë ta kishte njohë ma parë, nuk do t’iu kujtojshin në çast momente të veçantë nga jeta e tij aq e ngjeshun dhe e vrullshme?! Ndër tjera, që në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, kishte qenë i internuem në Mbreshtan të Beratit e i lidhun dorë për dorë me Qemal Stafën e Vasil Shanton; se pak a shumë rreth asaj kohe e kishte kërkue Fishta për sekretar të tij; se ai do të vazhdonte më qenë ende nji student liceu, kur t’u arrestonte prej italianëve e se kur të ndiqte studimet për jurisprudencë në Firence të Italisë, gjithashtu të kishte kenë nji ndër ma të rinjtë e kursit, e si dikur në lice, përsëri nji ndër ma të dalluemit ndër mësime.
Për rrethana të njohuna lufte, ai do t’u kthente në Shqipni me dëshirën e zjarrtë për t’i qenë pranë atdheut ende të robnuem e natyrisht, pa ma ato andrrat e hershme komuniste që aq fort ia patën ndezë dikur adoleshencën” e tij romantike. Edhe ideja e orëve të fundit, para se Qemal Draçini të vdiste në mënyrë aq tragjike, asht një tjetër dhimbje ma shumë për cilindo që ta mësojë. Qe folë se në agoninë e vdekjes, ai kishte shqiptue në mënyrë konfuze e si përçart, fjalë e fjali me rrokëzime e si pa lidhje mes tyne, tek kërkonte të fliste herë për jetën që po linte e, herë tjera për vdekjen, drejt së cilës ishte drejtue vetë, gja që ne, atëhere e sot, na tronditë e na mbushë me dhimbje të veçantë, kur kemi parasysh botën e tij të madhe dhe interesante, që në ato çaste po u shuente mes përpëlitjesh të mundimshme, për botën e nji njeriu që e kishte dashtë jetën si askush tjetër e, që megjithatë, do t’iu donte ta vriste pa shumë dhimbje në të njizetepestin vjet të saj.
Unë due të besoj se as sot nuk u kanë dalë mendjet ish-bashkënxanësve të mij, shpjegimet elokuente, gjithë frymëzim e fantazi, të ish-profesorit tonë, Qemal Draçinit, atëherë kur do të na dukej se po shikojshim me emocion hapjen e magjishme të botëve të reja. Kush tjetër si Qemal Draçini, do të pikëllonte nji klasë të tanë nxanësish, kur të interpretonte me aq ndjenjë dhimbjeje poezitë e fatkeqit Leopard?! Kush si Qemal Draçini, do të ndizej flakë, ndërsa u përpiqte të shpjegonte dramën shpirtnore të Hamletit të fyem e të dhimbsun, aq sa të na dukej se edhe ai vetë, po ia vuente sinqerisht në ato momente?
Po kur të na fliste për Volterin e veprën e tij, i rrëmbyem siç ishte prej sarkazmës së tij inteligjente, ai, si të donte me marrë edhe pohimin tonë për sa kishte shpjegue pak ma parë, do të na vinte bankë për bankë, me nji portret të zmadhuem të tij në nji faqe të plotë antologjie franceze, e me nji shprehje të ndezun simpatie për të, të na pyeste: “A nuk ju duket edhe ju, se deri edhe balli i tij flet e qeshë tue u tallë? Shikojeni, shikojeni mirë”! Po kur të recitonte “Laurën” e Petrarkës, a nuk do të gjente për shpjegimin e asaj poezie pikërisht ato nota delikate e të paqta, që si të thuesh edhe vetë Petrarka do t’i dishronte për Laurën e tij?!
I tillë ishte profesori i jonë Qemal Draçini dhe të atilla edhe orët e tij të letërsisë, prej të cilave, andrrat tona ma të bukura për jetën, sikur merrshin edhe ma shumë krahë, tue pasë parasyshë se ne kishim atë moshë kur mbi gjithçka po na flitshin ndjenjat. Edhe të tjerë ish-nxanës të tij mund të kujtojnë, se si ai, ndonjiherë, si për të ushqye ndër ne edhe nji sens realist për jetën, mbas nji ofshamjes së lehtë që të nxirrte prej brenda, do shtonte si me keqardhje: “Djelm, ndërkaq asht edhe mundim për t’u fitue”.
Mund të thom se ishte ajo kohë, kur si të thuesh, në sa prej librave që lexojshim e ma fort prej fatit të trishtuem të atdheut, po rritshim mbrenda nesh me shumë zjarr e fantazi ndjenja nga ma të bukurat, e ku pa dyshim, çdo fjalë e prof. Qemal Draçinit do të kishte pjesën e vet të rëndësishme. Kujtimin e profesor Draçinit, ne ish-nxanësit e tij që qemë burgosë, do ta bartshim me vete gjithandej e ta kishim të pranishëm herë si vuejtje e psherëtime e hera-herë, si forcë e frymëzim.
Armë në Kishë?!
Në kohë që valët e nji terrorri ma të egër u përplasshin me tërbim mbi Shkodër, si pasojë e gjoja implikimit të saj në ngjarjet e Postrribës, kur burgjet ishin plot me qytetarë e kur shumë të tjerë përjashta – ndonëse të pafajshëm – nuk e bajshin të qetë gjumin e natës prej frikës se mos u arrestojshin prej çastit në çast, pushteti komunist e Sigurimi në Shkodër, nga ana e tyne, do të vazhdojshin të vritshin mendjen për kurthe të reja ndaj këtij qyteti. Kështu nji ditë Sigurimi, do të përhapte me shumë bujë lajmin sensacional, se gjoja në Kishë të Fretënve ishin gjetë armë të mshehuna.
“Armë në kishë”?! – do të pyeste me çudi kushdo shokun dhe veten ndër ato ditë. Propaganda e pushtetit, do t’u çirrte ditë-natë tue kërkue me bindë në alibinë e vet popullin e Shkodrës. “Armë në kishë”, do të përhapshin pa pushim valët e Radio-Shkodrës e për armët në kishë, s’do të pushonte së shkruemi për disa ditë me radhë gazeta “Koha e Re” e Shkodrës, pa përjashtue disa herë edhe ato të Tiranës. Për skandalin e gjetjes së armëve në kishë, do t’u organizojshin mbledhje të detyrueshme me popull, me qëllim që t’u fuste tek ai psikoza e frikës dhe e pasigurisë, si pjesë e përhershme e strategjisë së pushtetit komunist, për vrasjen e Shkodrës anmike. “Kisha do goditur, dhe me themel”, duhet të ishte porosia që vinte nga nalt, për zbatimin e së cilës qëndrojshin në Shkodër prej kohësh, kuadro të besueshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Tiranës.
Për gjoja futjen e armëve në kishë, ishte arrestue qysh me datën 15 nandor prifti At’Mati Prendushi e, mbas tij Imzot Frano Gjini. Gazeta “Koha e Re” e datës 19 nandor, nën titullin e bujshëm; “Zbulime sensacionale në Kuvendin e Fretënve”, do të përpiqej të shpjegonte me bujë se u bante fjalë për nji arsenal të vërtetë armësh e municioni, si pushkë të gjata, granata, fyshekë e arka me municion. Priftën të dhimbsun, pa pikë gjaku në fytyrë e tue u dridhë, do të ishin të detyruem të pozojshin me armë ndër duer para aparateve fotografike e kasetave filmike të agjensive të ndryshme shqiptare e jugosllave. Me të tilla pamje të trishtueshme do t’u mbushshin faqet e gazetës lokale të Shkodrës, si dhe të atyne të Tiranës, pamje që mandej për dekada do të mbetshin varë nëpër faqet e mureve të muzeut ateist të Shkodrës, me qëllim që kisha historikisht t’u mbante nën akuzë.
Në të vërtetë, e gjitha sa ma sipër, s’ishte veçse nji farsë, farsë komuniste, mija e mija ë tjera të ngjashme mes tyne. Sigurimi qysh nji natë ma parë, me anë të njerëzve të vet, si edhe me ndihmën e nji xhakoni me emnin Ndoc Vasili, – i rekrutuem prej tij si spiun -, si dhe të nji ndihmës – kuzhinieri, kishin futë msheftas armë në kishë e mandej, qysh të nesërmen, do t’u akuzojshin priftënt e pafajshëm. “U zunë me presh ndër duer”, do t’u shprehte me eufori e cinizëm propaganda komuniste, nëpër faqet e shtypit e po ashtu edhe komunistët shkodranë në përgjithësi.
Për futjen e armëve në kishë, qenë akuzue imzot Frano Gjini, At’ Mati Prendushi, Dom Nikollë Deda dhe provinciali i fretënve, At’ Çiprian Nika, të cilët nji gjyq do t’i dënonte me vdekje, kurse me dënim të përjetshëm, etnit Donat Kurti e Palë Doda. E vërteta mbi futjen e armëve në kishë do të shifte dritën e vet me anë të dëshmisë së Patër Aleks Baqlit, i cili gjatë kohës që Sigurimi me agjentët e tij futshin armët në kishë, për gjithë natën, ai kishte qëndrue i mshehun në sakristi tue vërejtë e kontrollue gjithçka: njerëzit e Sigurimit që u merrshin me futjen e atyne armëve në kishë, e bashkë me ta, edhe të pabesët xhakue e ndihmës-kuzhinier, që përmendëm ma nalt.
Tri vjet mbrapa, ish-oficeri i Sigurimit, Pjerin Kçira, i kthyem në kundërshtar i vendosun ndaj regjimit, kur si i burgosun, të dilte në gjyq, ai do të deklaronte para publikut të pranishëm në sallë, se; “armët në kishë i ka futë Sigurimi, me qëllim që të diskreditonte klerin katolik”, deklaratë për të cilën ai mandej do t’u dënonte me vdekje e t’u pushkatonte. Patër Leon Kabashi, tue folë për këtë rast, do t’u shprehte: “Kisha ia ka me borxh mirënjoftjen, Pjerin Kçirës”! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016
#ShqipëriaKomuniste #HistoriaEHarruar