Nga At Zef Pllumi
– At Zef Pllumi: “Duli m’tregonte: Un ishem bazhdar, që peshojshem në treg me kandar dhe e kam rrenën profesion, dikush më thirrte; Dul Qorri e dikush; Dul Rrena. Ndërsa Partia sot, më ka ba nieri të nderuem”!
– DUHEN KURBANE TJERA –
Memorie.al / Këto triumfe të “Pushtetit Popullor Demokratik”, shkaktuen nji eufori të madhe në pushtetarët e rinj. Ata menduen se ia kishin dalë me e rrejtë gjithë opinionin publik botnor, me atë parodinë e “zgjedhjeve të lira“ që përfunduen me 90% e, sa tjera këso manipolimesh të dhunshme: ata ishin verbue fare, ose ishin kenë gjithmonë të verbuem, për me shti në dorë e me mbajtë pushtetin përmbi vllazënt e vet shqiptarë, me të cilët, aspak nuk u treguen vllazën, por si katila të verbtë të Beogradit: E kryezoti i ri i Shqipnisë – Beogradi kishte me marrë shumë hake në shqiptarët, deri atëherë kryeneçë. Së pari, duhej zhdukë krenaria kombëtare e nji shteti sovran: ç’i duheshin përfaqsueset e huej Shqipnisë, në Tiranë?!
Politika shqiptare, planifikohej në Beograd. Prandej qitën jashtë misionet përfaqsuese diplomatike të Anglisë dhe SH.B. Amerikës, tue shpallë se kishin organizue spiunazhet në Shqipni. Si përfaqsues konsullarë simbolikë, mbetën ai i Francës dhe i Bashkimit Sovjetik, njani për Prendimin e, tjetri për Lindjen. “Vllazërimi i popujve shqiptar-jugosllave”, mbrrijti kulmet e euforisë.
Ky “vllazërim”, kërkonte medoemos dy kurbane: Klerin Katolik dhe inteligjencën shqiptare. Lufta kundër tyne, ishte zhvillue qysh nga dita 29 Nandor 1944, por disi e mbulueme me shkaqe të ndryshme, tue u mundue me i dhanë pamjen ligjore: me akuzat; o si bashkpuntorë të ushtrive të hueja, ose si pjesmarrës ndër veprimtaritë politike, antinacional-çlirimtare. Këta që kishin teprue, nuk kishin njolla, megjithëkëtë duheshin zhdukë: kushedi, ndoshta në nji t’ardhme, mund të baheshin të rrezikshëm, sepse mendojshin me krye të vet e, jo të huej.
Viti 1946, kje viti i gjuetisë ma të tërbueme. Gjuetia nuk ishte ma ajo e shtrigave si dikur, por “e shtrigajve”. Të gjithë u akuzuen, sikur t’ishin rekrutue ndër spiunazhet e atyne vendeve ku kishin krye studimet. Për ma tepër, edhe të gjithë ata që kishin marrë mësim ndër shkollat Teknike Amerikane të Kavajës e Tiranës, i futën në burg, si spiuna të Amerikes: si “agjenta të Fultzit”.
Në të njajtën kohë, u zhvillue e pamëshirshme lufta ndërmjet vllazënve në pushtet, kundra “Grupit të Deputetve”, e cila përfundoi me zhdukjen fizike, të gjithë atyne njerzve me emën të cilët kishin marrë pjesë në drejtimin e asaj që thirrej; “Lufta Nacionalçlirimtare”.
ARMET NE KUVENDIN FRANÇECKAN
I mbështetun në shpalljen qeveritare, për dorzimin e armëve, gardjani i Kuvendit, At Çiprian Nika, lajmoi se kishte në Muzeun e Françeskanve, 3 copë armë dhe në Kuvendin Françeskan, nji armë gjeutie me tri gryka, që dikur e kishte pasë në përdorim në Kep të Rodonit, deri në vjetin 1929. Po n’atë kohë, ishte tue u vu në veprim e quejtuna “Reformë Agrare”, dhe kështu tokat e Kishës Françeskane në Lezhë, ishin shtetzue, ashtu dhe të Kuvendit të Troshanit.
At Çipriani, u nis për Tiranë më kërkue kthimin e ktyne tokave, mbasi françeskanët, nuk kishin mundsi jetese pa ato. Posa u kthye prej Tirane, n’oborr të Kuvendit, rrijshin tue e prtië oficerat e arrestimit: i vunë prangat në duerë menjiherë dhe i kërkuen armët, për të cilat ai kishte lajmue. At Çipriani i dërgoi në muzeum, ndërsa armën e gjuetisë me tri gryka dhe nji tjetër, me “A.Zog”, i kishte shti nën dyshemen prej drrase, në odën e vet.
Ahmet Zogu, tue njoftë mirë dishirin e shqiptarve, për armë të bukura, kishte porositë në nji fabrikë armësh jashtë, nji sasi revlverash, të zbukuruem me emnin “A.Zog”, të cilën ua jepte dhanti, miqve të vet. Ajo armë, dikur ishte mbajtë në Muzeumin Franceskan, por tue kenë se mund të përdorej, At Çipriani e hoqi prej muzeumit dhe e mshefi në dhomë të vet. Mueren armët, e At Çiprianin, e dërguen në burg.
Mbas pak ditësh, erdhën e arrestuen At Pal Dodajn. Mbas tij kje arrestue edhe Superjori i Franceskanve të Shqipnisë, At Matí Prendushi. Përditë vijshin lajme të sigurta, se kishin arrestue në qytet, pothuej njerzit ma të një njoftun e, ma të mirët. Mbas arrestimit të At Palit, Ap Çiprianit e At Matisë, mbet si Superjor, At Donat Kurti: erdhen e arrestuen edhe atë. Shifej kjartë, se do të na arrestojshin të gjithve.
At Aleks Baqli, i cili tash bante detyrën e ekonomit të Kuvendit Franceskan, më tha nji ditë: Fra Zef, shif se edhe mue, do të më arrestojnë: u pa kjo punë. Në dorë të Zotit kjoshim. Mund arrestojn edhe ty, sidokjoftë, na të dy duhet t’i kombinojmë fjalët, mbasi jena shokë të ngushtë: në rasë se na arrestojnë të dyve, mos gabo me pranue, kur kanë me të thanë se At Aleksi, ka deponue kështu e ashtu për ty. As un nuk kam me pranue.
– As të vërtetat? – e pyeta.
– Të vërtetat … të vërtetat kishte me u dashtë me i pranue, megjithkëta, ata i shtremnojnë aq shumë e, u ndrrojn vështrimin krejtsisht.
– E si t’ia bajmë na atëherë? Për shka pregatitemi?
– Jo, deshta veç sa me të thane, se na ende nuk i kemi provue torturat, por kur i shofim e i ndigjojmë të tjerët, në atë gjendje të mjerueshme, dridhem në shpirt. Kushedi mund pranojmë edhe gjana të pakenuna: Ti qindro.
– E si të qindroj un?! A ta merr mendja, që u reziston kush torturave?!
– Nejse – më tha ai – na do të mundohemi me qindrue: Kjoftë ndima e Zotit. Por puna asht, që asnjani mos t’u besojmë fjalve, që kanë me na thanë ata.
– Unë nuk e dij, se për çka mund na akuzojnë.
Me dt. 14 Nandor 1946, Kuvendi Franceskan i Gjuhadolit, u gjet i rrethuem që në orët ma të para. Zakonisht na fretent në Kuvend, u zgjojshim shumë herët, pa dalë drita, aq sa në Shkodër, thuhej fjala: “Çohen ma heret fretent, se dreqent”! Kur At Ferdinand Pali e, fra Ndou, deshtën me hapë dyert, gjetën rojet partizane, të cilat nuk i lanë me dalë, as me i hapë dyert. Para orës 8, erdh oficer Dul Rrjodhi, me nji skuadër ushtarakësh. Na urdhnuen me u mbledhë të gjithë, në mensë. Ata vetë filluen me kontrollue Kuvendin. Mbasi perfunduen kontrollin e parë, kah mesdita, na urdhnuen mos me dalë prej mense pa leje, as për nevoja personale.
Në derë të menses, vunë nji roje dhe nji tjetër në korridor. At Aleks Baqli, kishte veprue pothuej si ai, ma i zoti i punës. Foli me Dulin për shërbimin fetar në Kishë dhe për jetesën e komunitetit. Duli vendosi që na do flejshim, sejcili në dhomë të vet. Mbas zgjimit, me atë orarin e funksionave fetare që njifte populli, Kisha do të mbyllej, na do të rrijshim gjithë diten e lume në mensë, me polic në derë e corridor, e në mbramje, persri do të kthejshim me fjetë, ndër dhomat tona. Kështu do të veprojmë, derisa të duen qeveria.
Ashtu u ba. Për blemjen e ushqimeve, At Aleksi do të delte në Pazar, i shoqnuem me nji polic: kurr vetem. Kryeroje mbi ne, ishte nji farë Smajl Sheme: Falna o Zot, por ai ishte gjysa kafshë e, gjysa nieri. Nuk e pyetëm kurr, se nga ishte. Por shpeshherë, ai këndonte: “Kurvelesh o zemra ime”. Ai, kur donte me sha ndonjanin prej nesh, i thonte: “Krisht! He Krisht”! Nji ditë e pyeta: A e din ti, shka asht Krishti? Ai u përgjegj “nji fashist i qelbur, si ju”.
Mbas nja 3-4 ditësh, aty në mensën ku ishim të mbledhun, na vijshin për vizitë oficera të Sigurimit, si Nesti Kopali, Zoj Shkurti, Fadil Kapisyzi e, shumë tjerë, që tash ua kam harrue emnat, si edhe shumë tjerë, që nuk i njifshim. Na kritikojshin, bile na shajshin si; borgjez, shovinista e fashista, sikur vetem na ta kishim fajin, që ish ba Shqipnia!
Duli i kishte marrë në dorzim, të gjithë çilsat e Kuvendit, jo vetem të hymjes e daljes, por edhe të gjitha zyrave, ashtu të Arkivit, të Muzeumit, të Bibliotekës, të Odës-Muzeum të Fishtës, të ambienteve tjera të kulturës e, të çlodhjes, ashtu edhe çilsat e odave të fretënve, që ishin në burg.
Ndigjoheshin disa njerz, që lëvizshin e punojshin neper Kuvend, ndersa ai e kishte si zakon, që vinte ndonji orë e rrinte aty me ne, në mensë poshtë. Nji ditë pruni disa foto të mëdha, që i kishte hjekë nga albumet, që ishin në arkiv. Fotot paraqitshin pritjen e Viktor Emanuelit. Ndër ata njerzit e veshun me kostumet e bukura kombtare, ishte dhe ai vetë. Iu suell At Marinit, e i tha: Këto i keni ruejtë, për me na akuzue? At Marini i shpjegoi, se po t’ishte për me akuzue, ato nuk do t’u ndryjshin në arkiv.
Prej Odës-Muzeum të Fishtës, ai merrte, si pa gja të keq stilografat, lapsat e tjera kinkaleri dhe i mbante në xhepin e gjoksit, me kreni. Nuk kishim shka me i thane, mbasi tash ishte ai zot shpie. Në nji mbrame, Duli erdh e më muer, më shoqni deri në nji dhomë-zyrë. Mbasi më bani me u ulë, nxuer atë stilografin e çmueshëm të Fishtës e, më tha: do të shkruejm një proces-verbal, se ma kërkojnë shokët në seksion. Ti e din se Pater Palin, e kemi në burg. Na kerkojme prej tij, ditarët: i kemi marrë të gjithë, por i mungojnë këto 3-4 vjetët e fundit, dhe ai thotë, se t’i ka dhanë ty, me i mshefë. Si asht puna e tyne, e na i dorzo.
Un iu pergjegja se; gjatë kontrolleve që kishin ba Brigadat kah fillimi i 1945-ës, ai m’i kishte dhanë, un i mora ato dhe i shtina në tubin e nji stufe, e cila nuk do të ndezej e kur mbaroi kontrolli, i mora persri e ia kam kthye.
– Ai thotë se, i ke ti gjithnji.
– Ai asht plak. e ka harrue ku i ka lanë.
– Po shif – më tha – se kjo punë, asht me pergjegjsi, se un të ballafaqoj me te.
– Më ballafaqo.
– Ven firmë ti, këtu.
– Po.
A e din si asht puna më tha: Kjo puna juej mbaroi. Në të vërtetë, si të dukena na ty?!
– Për çka po më pyetë ti? A e mendon se, e ha un at kokerr ullini? Don me më shti në burg, me firmen teme?!
– Jo, mor djalë i mirë, më tha ai, as që më shkon mendja me të shti ty në burg, se un, kam mundsi me të shti aty, ku nuk të nxjerr as buelli. Por na e kemi krijue nji farë besimi dhe mund i flasim me sinqeritet kto fjalë. Un, nuk kam me shkrue kurrgja, por vetem kështu shoqnisht, me i dijtë. Edhe na duem orientim.
– Sa për shoqnisht – i thashë un – duhet të tregoj të vërtetën, se sa për mue e, për popullin, jeni ma zi se shejtani.
– Ti fol për vedin e, jo për popullin, se populli jemi na.
– A më the që po flasim si shokë e, sinqerisht?! Ju nuk jeni populli, por katilat e tij. Ju flitni për gjermanët, po ata ishin zotnitë e zotnive, karshi jush! Ju i mbytni njerzit, pa pikë faji.
– E kur i mbytem na, kta të pafaj?!
– Nuk po i përmendi të gjithë, se ndoshta gabohem, por po të paraqes, vetem atë të dajave të mi, në Gurzë: janë pushkatue 10 vetë. Dhetë vetë, për nji nieri, që as atë nuk e kanë vra ata! As gjermanët, nuk e banë ketë punë, që keni ba ju.
– Po tjetër?! Pyeti Duli. Din tjetër?!
– E shka pvetë për tjetër? Ju a e shifni, se nuk jeni si tanë bota? Po kush e rrahë popullin në hu, përveç jush edhe i thoni mandje: “Je anmik, në kjoftë se nuk më don”! Po a nuk e dini, se dashunia nuk vendoset me dhunë?! Ju e dini mirë fjalën e popullit tonë, që thotë: “Më duej e më druej, nuk i thohet kurrkuj”.
– Gëzohem – tha Duli – gëzohem shumë, për sinqeritetin tand: kshtu i duem djelmët: Bravo-Zdravo!
Ai, nuk shkroi atë natë, kurrnji proces-verbal, por mbas dy ditësh, më thirri përsri e më tha:
– Duhet nënshkrue ky proces-verbal.
– A e lexoj nji here, para firmës?
Un e lexova. Ai kishte shti ato çka kisha thanë për At Palin edhe atë paknaqsinë, që i kisha thanë për vrasjen e dajave të mij, pa kurrnji faj.
– Po ti më the, se nuk do ta shkruejshe në proces-verbal!? A i kishim fjalët kështu, apo jo?!
– Ashtu, ashtu, asht – më tha Duli. Këtu kërkohet, vetëm çashtja e Pater Palit. Të tjerat, nuk kanë kurrfarë randësie.
– Ndigjo Dul, un po e nënshkruej arrestimin tem – dhe vuna firmen.
– Jo, djalë i mirë – më tha Duli, as që na shkon ndër mend, me të arrestue. Na kështu i duem njerzit: që të na thonë të vërtetën, ndër sy. Na jemi të sinqertë. Por ket proces-verbal, këte deklaratë tanden, na do ta ballafaqojmë përsri me At Palin. Na duem të vërtetën.
Ndër ato dit muarem vesh, se në burg kishte dekë At Bernardin Palaj. Kurrkush nuk dyshonte për mbarimin e tij, ndër tortura. Iu lutem Zotit.
Mbas nja katër-pesë ditësh, Duli erdhi e më muer përsri. Më dërgoi në atë zyrën e vet, që e kishte vendosë në Kuvend e, më tha:
– Zef ti je i ri, mos e merr vedin në qafë. Pater Pali, nuk e pranon proces-verbalin, që kemi ba bashkë. Ai thotë se asht e vërtetë, që m’i ka kthye nji herë, porse tue kenë se kontrollet ishin të shpeshta, atëherë, ia kam dhanë përsri e, nuk ia kam kërkue ma, veçse i kam thane, siguroi mirë e, mos t’i gjejnë. I thashë Dulit se; Pater Pali ishte plakë e, nuk mbante mend kurrgja: un nuk i kam ato ditare, të cilët i kërkon ti. Mendojshem me vedi: e ku t’i çoj shkrimet e, tjerve?!
Atehere Duli, më muer me vedi. Duelëm jashtë. Ishte natë. Ecëm rrugës bashkë. Më dërgoi te seksjoni i Sigurimit të Shtetit, në shpi të Pjetër Çurçisë. Un e pashë se po don me më arrestue. Ai u ndal para se t’u ngjitej shkallëve dhe foli me nji ushtarak. E prita aty në kambë, për gati nji çerek ore. Erdhi Duli përsri, e u ngjitëm shkallëve. Në krye të shkallëve, ishte nji copë corridor, ku shifeshin dy njerz të mbuluem me batanije dhe katër dyer. Hapi njanën prej tyne dhe hymë mbrendë. Në tavolinë, ishte nji burrë i veshun ushtarak. U ula në nji karrige. Pritshem se kur po m’i venë hekurat në duer. Ai ushtaraku foli:
– Si të quajnë?
– Zef Pllumi.
– Zef?
– Po.
– Ndigjo Zef, po ta tham un, se nuk duhet luajtur me qeverinë, por duhet thënë e vërteta, sepse ju priftërinjtë katolikë, nuk keni lënë gjë pa bërë, kontra qeverisë e popullit. Sot u ka ardhur fundi. Thuaje të vërtetën dhe ti do të shpëtosh.
– Un e thom të vërtetën, por edhe ju duhet t’i besoni të vërtetës, se po s’i besuet së vërtetës, atëherë më merrni më qafë mue, edhe të tjerët.
Në atë çast u hap dera dhe hini mbrendë Dul Rrjodhi e, mbas tij, At Pali. Ai merzi i lëvizte kambët: nuk i kishte mbetë as gjysa, atë e kishin kthye në gjysë njeriu. Mbas tij edhe nji ushtarak, që e mbante për krahit. Ndërsa Duli, filloi me folë:
– Pater Pal, besoj se e njeh mirë Zef Pllumin, un kërkoj ditarët e tu, të viteve 1939, 1940, 1941, deri më 1945. Njani prej jush, do të m’i dorzojë mue: ti ose ti, ndërkaq shenjoi me dorë, atë dhe mue. Fol ti Pater Pal, si asht puna juej?!
At Pali tha se; që në rasën e kontrollit të parë, kah fillimi i vjetit 1945, ai m’i kishte dhanë mue, 3 ose 4 blloqe, që ishin ditarët e ktyne vjetve, ia dhashë për me i mshefe, sepse ky asht i ri e i gjallë, ndërsa mue m’i kapte kontrolli në dorë.
– Fol Zef, më tha Duli. Ku i çove ti, e si i shpëtove prej kontrollit; por fol të vërtetën.
Un atëherë tregova që; me të vërtetë Pater Pali m’i dha, atë ditën e vështirë të kontrollit të parë. Për fat tim, ndër oficerat që drejtojshin kontrollin, ishte edhe Halil Bala. Këtë e kam pasë, jo vetëm shok klase në gjimnazin françeskan, por edhe me të cilin, kishim shkue mirë. Ai kje shkëputë mbas semimaturet nga gjimnazi. Mbas sa vitesh, u takuem gjatë këtij kontrolli. U përqafuem me dashuninë e nji rinie të parë: na kishte marre malli, për shoqi-shojnë, se nuk ishim pa për sa vite.
Më tha: ku e ke dhomën tande? Un ia tregova. Ai hyni mbrenda dhomës, muer letër e lapsë e shkroi: “Kjo dhomë asht kontrollue prej meje, Oficer Halil Bala”. Këtë letër ai e ngjiti jashta derës, të cilën e mbylli dhe ma dha çilsin mue. Vetëm këtë, lejoje me qarkullue. – Un atëherë hyna në atë dhomën e përbashkët, ku ishte stufa e pandezun, nxora ditaret e At Palit dhe i shtina në dhomën time, që nuk do të kontrollohej. Por mandej, un ia ktheva Pater Palit: ç’më duheshin mue?!
Duli atëhere, iu suell At Palit:
– E ndigjon apo jo? Trego ku i ke ditarët!
Atëhere At Pali, që mezi qëndronte në kambë, u suell kah un, sikur të kërkonte mëshirë, e me atë za të mekun, më tha:
– Djalë, a e shef si jam? … Në daç me më shpëtue jetën dorzoji! … Mos më mbyt ti, me dorën tande!…
N’atë çast, un vdiqa. Nuk kishte ma kurrnji vështrim, qindresa ime. Pse të vdiste At Pali, për ditaret e tij?! Kje nji ças tepër urgjent, i jetës time. Nuk muejta me e durue At Palin, që vuente. Vendosa për jetën e tij e jo, për letrat e tija. Po ndera, po besa ime?! Nëkjoftëse asht jeta, të gjitha do të skjarohen e, do të shërohen. Jeta ka shumë plagë: Sot pvesë a thue kje nji gabim?! Le të gjykojnë të tjerët: Nemo Judex in causa sua! (Kurrkush, nuk mund të jetë gjykatës i vetes).
Ndër këto çaste të rralla, ma shumë punon zemra e nxehtë, sesa logjika e ftohtë. Të gjitha këto veprime, u banë vetëm në nji sekond: aq ishte. Vendosa për jetën dhe jo për letrat!
Thashë: Po! Ditaret i kam un.
Katilave që kishim përreth, u ndritën sytë prej gëzimit. Duli qeshi me të madhe. Ia tha atij oficerit, që ishte ulun në tavolinë.
– A e din prej nga asht ky? – Prej Malit të Rrencit: dhe mendon se do të na rrejë neve! – Më duhet të baj nji parantezë. Mali i Rrencit, asht ai mal përmbi Shëngjin. Etimologjia i vjen: Mali i Lorencit, por në gjuhen shqipe, shkurtimi i emnit e qet – rencit (gënjeshtarit).
Duli atëhere, më kapi për krahit, e më tha: Shkojmë! U ulëm për shkallëve: atje poshtë partizanët këndojshin, tue hjedhë valle: “Sofo lule djalë, Sofo lule djalë”. Duli ia filloi me më qestisë: “Zef o lule djalë, Zef o lule djalë”! Krah për krah, duelëm në rrugë. Atëhere filloi me folë.
– Zef, a e din ti, se shka kam punue un?!
– Jo.
– Un ishem bazhdar. Bazhdar, që peshojshem në treg me kandar. Un e kam rrenën profesion, sepse, sikur mos të rrejshem me kandar, un do të delshem filuze. E si mendove ti, me më rrejtë mue?! – Shikoj më tha: Un ishem nji njeri i përbuzun, prej gjithkuj: dikush më thirrte; Dul Qorri e, dikush; Dul Rrena. Ndërsa Partia sot, më ka ba nieri të nderuem: Më shef? I veshun e i mbathun, si krajl, ha e pi, shka më do qefi: e atëhere, si mos të punoj për Partine.
A e mendon ndopak, se këto sorollatje që m’i ke ba mue ose, që ia ke ba Partisë, dënohen me burg?! Të shofim shka kanë me thanë shokët. Ti je mësue, me i rrfye mëkatet, aty ku të kanë dhanë pendesë, pesë Falemi Mari, por na rrfejmë ndryshe: të japim pesë vjet burg. Apo don edhe ti me hi, në burg si të tjeret? E don burgun?!
– Jo, nuk e due.
Kur mbrrijtëm në Kuvend më tha:
– Ku janë ditarët? Ec para. Thirri edhe nji roje me fener në dorë. U ngjitëm në shkallë, që çonte nalt në trapazan përmbi tavan të arkivit. Aty kishem vendosë, ato dy arkat metalike: njana me dorshkrime të P. Ambroz Marlaskajt dhe tjetra me dorshkrime të P.S htjefën Gjeçovit. Këtu në këtë të dytën, kishem shti edhe ditaret e P. Palit. Ishin me dry (kyç). Çilsat i kishem lanë për nën arkat. I mora e i hapa:
– Qe ditaret e P. Palit.
– Po këto tjerat, çe janë?
– Dorshkrime të P. Shtjefën Gjeçovit, thashe unë.
– Kush ishte ky maskara?
– Shka thue ashtu! Ky asht shkencëtar, me famë botnore: Ky që ka mbledhë Kanunin e Lekë Dukagjinit.
– Kanunin e Leke Dukagjinit? Po e kam edhe un atë libër, plot marrina malsorësh. Ku asht ky tash: ku gjindet?
– Po këtë e kanë vra serbët, në Zym.
– Mirë ia paskan ba: duhen qirue hesapet. Po arka tjetër e kuj ishte?
– P.Ambroz Marlaskaj, profesor filozofie në Romë.
– Ky edhe ma maskara. – tha Duli. Ku gjindet?! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm