Nga Frank Shkreli
“Vuajtja, o bir e ban ma fisnike fitoren”- At Çiprijan Nikaj
Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare, 2023 kujtohet në ish-kampin e internimit të Tepelenës
Memorie.al / Çdo vit, 23 Gushti, shënon Ditën Evropiane të Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, dy ideologjive barbare, shkatërrimtare të shekullit të 20-të, dy regjime kriminale që shkaktuan vdekjen e miliona njerëzve, viktima të pafajshme të totalitarizmit. Është një ditë e cila shënohet, në kujtim të viktimave të komunizmit e nazizmit, në vendet e kontinentit evropian, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. E njohur edhe si “Dita e Shiritit të Zi”, që nga viti 2008, Parlamenti Evropian, e ka caktuar këtë ditë kujtimi për viktimat e komunizëm – nazizmit, që prej atëherë shënohet, zyrtarisht, në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Data e 23 gushtit, është caktuar zyrtarizuar si ditë kujtimi për viktimat e komunizëm-nazizmit, pasi historikisht, përkon me ditën kur është nënshkruar pakti famëkeq ruso-nazist “Molotov-Ribentropp”, midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, më 23 gusht 1939, nga ministrat e jashtëm të dy vendeve, në bazë të cilit Moska dhe Berlini, kishin rënë dakord për të ndarë, midis tyre, Evropën Lindore.
Siç dihet përveç tragjedive të tjera, nënshkrimi i paktit komunisto-nazist “Molotov-Ribbentrop”, ishte fillimi i krimeve dhe i gjithë të zezave anë e mbanë kontinentit të vjetër dhe si rrjedhim, pas fitores kundër nazizmit, e mori “djalli” një pjesë të madhe të Evropës dhe historinë e saj të përgjakshme, e kontrolloi komunizëm – stalinizmi ruso-sovjetik, për pothuaj 50-vjet, përfshirë Shqipërinë dhe trojet shqiptare nën ish-Jugosllavinë. Anë e mbanë Evropës, Shteteve të Bashkuar dhe Kanadasë, është shënuar sot kjo ditë me dhimbje dhe respekt për miliona viktima të pafajshme të komunizmit e nazizmit.
Edhe në Shqipëri, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), njofton në portalin e tij, se në Tepelenë, më 23 gusht 2023, u zhvillua ceremonia e përkujtimit në ish-kampin e internimit të Tepelenës, në kuadër të Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare. Thuhet se morën pjesë përfaqësues të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të mbijetuar e familjarë të viktimave në kampin e internimit 1949-1953, si dhe familjarë të pagjeturve të komunizmit në zonën e Tepelenës.
Ata nderuan vuajtjen e të miturve, grave e të moshuarve pafaj, që u internuan në Tepelenë dhe kujtuan viktimat e komunizmit barbar enverist, sllavo-aziatik, duke vendosur kurora dhe lule pranë ekspozitës informuese në ish-kampin e ngritur nga AIDSSH.
Përkujtimi i kësaj dite mbarë evropiane, kushtuar viktimave të komunizmit e nazizmit, përfshirë ceremoninë e mbajtur në Tepelenë, në kujtim të viktimave të pafajshme; gra, të moshuar e fëmijë, viktima të regjimit barbar komunist të Enver Hoxhës, me gjithë mungesën e autoriteteve të larta të Tiranës zyrtare, në përkujtime të tilla, na bën të besojmë se e keqja, krimet dhe barbarizmat e regjimit komunist në Shqipëri, kundër njerëzimit, nuk e kanë kurrë fjalën e fundit.
Në këtë ndërkohë dhe në kuadër të kësaj dite evropiane në përkujtim të viktimave të komunizmit, disa ditë më pare, më ra në dorë një njoftim i publikuar nga këshilltarja e Bashkisë Shkodër, Eliona Kodra Shkreli, me të cilin përhapte lajmin e mirë se; “Me 26 shtator 2023, në Breglum, Shalë, Shkodër, do të vendoset memoriali i Martirëve të Kishës Katolike Shqiptare, me origjinë nga Dukagjini”, duke shtuar se hollësitë e ceremonisë do të njoftohen më vonë.
“Shekulli i XX-të, paraqet në Shqipëri një panoramë brutale që do të mbahet mend në histori si periudha më e errët e martirizimit”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga një komision përgjegjës, për organizimin e ceremonisë së inaugurimit të Memorialit, kushtuar klerikëve të martirizuar katolikë nga zona e Dukagjinit.
Memoriali në Shalë, u kushtohet 8 burrave të vrarë nga komunizmi dhe të shpallurve “të lumnuar”, nga Kisha Katolike Universale: At Çiprian Nika, O.F.M, At Bernardin Palaj, O.F.M., At Gjon Shllaku, O.F.M., At Gaspër Suma, O.F.M., Dom Dedë Plani, Dom Mark Xhani, Dom Lazer Shantoja dhe Gjelosh Lulashi, martir laik.
Në njoftimin e grupit organizues për ngritjen e Memorialit, thuhet se jeta dhe historia e këtyre martirëve, tregon se besimi nuk është diçka abstrakte, por një forcë e jashtëzakonshme e lidhjes me Zotin, me virtytet më të larta shoqërore dhe njerëzore, është frymëzim dhe kurajo, deri në sakrificë sublime”.
Ngritja e këtij Memoriali, një nismë private (sipas këtij njoftimi) është një ide dhe dëshirë e kahershme, që sot po bëhet realitet nga dy familje të nderuara: familja e Gjin Markaj dhe familja Dedë Prendaj, dy familje të nderuara nga Shala e Dukagjinit. Ky memorial, është një reflektim për çdo dukagjinas dhe shqiptar, për të kujtuar shembujt dhe mesazhet që martirët dhanë deri në minutat e fundit të jetës, thuhet në njoftim.
Këta 8 burra të Dukagjinit, që rrjedhin nga toka fisnike dhe e martirizuar shqiptare, gjatë një dimri të egër gjysëm-shekullor nën regjimin ateist të komunizmit sllavo-aziatik, i dhanë Kishës Universale, shoqërisë dhe Kombit Arbëror, dëshmi dhe shembull, duke vdekur për besimin në Zotin, për vlerat njerëzore, kombëtare, intelektuale dhe shpirtërore, vlera këto që nuk shuhen kurrë.
Edhe ngritja e Memorialit kushtuar klerikëve dukagjinas, muajin që vjen, do të konsiderohet si një ditë që na e dhuroi Zoti, siç është shprehur Papa Gjon Pali i II-të, kur ka përshkruar vizitën e tij në Shqipëri, në vitin 1993, si një shenjë se e keqja dhe tragjedia gjysëm shekullore, e quajtur komunizëm, nuk do të zgjaste përgjithmonë. Se liria do të triumfonte dhe, herët ose vonë, e vërteta do të manifestohej, përgjithmonë!
Vizita apostolike e Papa Gjon Palit të II-të në Shqipëri, në vitin 1993, ishte një dëshmi e kësaj së vërtete, një manifestim i veçantë për Shqipërinë, megjithëse ishte shpallur si vendi parë ateist kundër Zotit dhe Kombin shqiptar. Me atë rast, Gjon Pali i II-të, i tha të vërtetën, botës dhe shqiptarëve, për rolin historik të komunitetit katolik të martirizuar nga regjimi komunist, veçanërisht klerikët e Kishës Katolike, në mbrojtje të vlerave shekullore kombëtare dhe identitetit historik të shqiptarëve.
“Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur…! Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhshëm vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit, dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale, të shumë anëtarëve të saj, traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme, të identitetit autentik shqiptar”, është shprehur Papa Gjon Pali i II-të, më 25 prill 1993, në Shqipëri. E pastaj nxitja atërore e Shën Gjon Palit II-të, për të sotmen e shqiptarëve: “Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”!
Por edhe thirrja për kujtesën e përhershme: “Të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”. Memoriali që do ngrihet, muajin që vjen, në Shalë të Dukagjinit kushtuar klerikëve martirë të asaj zone, simbolikisht, do të bëjë pikërisht këtë: Do të ndihmojë që të mos harrohet e kaluara e dhimbshme. Njëherazi, ky është edhe mesazhi i ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare komunisto-nazizte, 23 gusht, 2023.
E vërteta, më në fund, triumfon, ndërsa e keqja nuk e ka kurrë fjalën e fundit. “At Çiprian Nika, ish- Provincial i Urdhrit të Shën Françeskut në Shkodër, është arrestuar në nëntor, 1946, me akuzën absurde të fshehjes së armëve në Kuvendin Françeskan në Shkodër. Kjo komedi, u shpik dhe inskenua nga Seksioni i Sigurimit të Shtetit, nën kryesinë e major Zoi Themelit dhe u përhap me radio e shtyp nga (komunistët) shqiptarët dhe më vonë edhe nga jugosllavët.
Marsin e vitit 1948, At Çiprian Nika u pushkatua, ndërsa të njëjtën tragjedi, pësuan shumë françeskanë të tjerë shqiptarë. Porosia e At Çiprian Nikajt, për Sami Repishtin, 20-vjeçar në atë kohë, bashkëvuajtës në të njëjtën qeli me të: “Po ta la amanet, nxjerre të vërtetën në shesh”. “Të jap besën”, i është përgjigjur profesori i ardhshëm, i cili është liruar 9 vjet më vonë nga burgjet e komunizmit enverist.
“Për një minutë të pambarim e solemn, mbetëm të heshtun në parzmet e njani tjetrit, sikur të dojshim me u sigurue se, vazhdueshmëria e së vërtetës, e ndërpreme prej vdekjes së fratit, do të mbijetonte në mue e, do ta shfajësonte viktimën”, ka shkruar në librin: Lotë – Lavdi e Lumnim..
𝐃𝐫. 𝐆𝐞𝐧𝐭𝐢𝐚𝐧𝐚 𝐒𝐮𝐥𝐚, kryetare e Autoritetit, tha ndër të tjera: “K𝑗𝑜 𝑑𝑖𝑡ë 𝑠ℎë𝑟𝑏𝑒𝑛 𝑠𝑖 𝑛𝑗ë 𝑘𝑢𝑗𝑡𝑒𝑠ë pë𝑟 𝑚𝑖𝑙𝑖𝑜𝑛𝑎 që 𝑣𝑢𝑎𝑗𝑡ë nën 𝑘ë𝑡𝑜 𝑟𝑒𝑔𝑗𝑖𝑚𝑒, 𝑑𝑢𝑘𝑒 𝑝ë𝑟f𝑠ℎ𝑖𝑟ë 𝑎𝑡𝑎 𝑡ë 𝑏𝑢𝑟𝑔𝑜𝑠𝑢𝑟 𝑛ë 𝑘𝑎𝑚𝑝𝑒𝑡 𝑒 𝑝ë𝑟𝑞𝑒𝑛𝑑𝑟𝑖𝑚𝑖𝑡, 𝑔𝑢𝑙𝑎𝑔ë𝑡 𝑑ℎ𝑒 𝑏𝑢𝑟𝑔𝑗𝑒𝑡. 𝑁𝑒 𝑠𝑦𝑛𝑜𝑗𝑚ë 𝑡ë 𝑛𝑑𝑒𝑟𝑜𝑗𝑚ë ℎ𝑖𝑠𝑡𝑜𝑟𝑖𝑡ë 𝑒 𝑛𝑗𝑒𝑟ë𝑧𝑣𝑒 𝑡𝑎𝑛ë 𝑞ë 𝑢 𝑑𝑒𝑡𝑦𝑟𝑢𝑎𝑛 𝑚e 𝑓𝑜𝑟𝑐ë e 𝑗𝑒𝑡𝑜𝑗𝑛ë 𝑛ë kë𝑡𝑜 𝑘𝑎𝑚𝑝𝑒 𝑑ℎ𝑒 𝑡ë 𝑝𝑎𝑟𝑎𝑛𝑑𝑎𝑙𝑜𝑗𝑚ë 𝑞ë 𝑡𝑟𝑎𝑔𝑗𝑒𝑑𝑖𝑎 𝑒 𝑡𝑦𝑟𝑒 𝑡ë 𝑚𝑜ℎ𝑜ℎ𝑒𝑡 𝑒 ℎ𝑎𝑟𝑟𝑜ℎ𝑒𝑡”.
𝐒𝐢𝐦𝐨𝐧 𝐌𝐢𝐫𝐚𝐤𝐚𝐣, fëmijë kur familja e tij, nëna dhe motrat i internuan në Tepelenë: “𝐸 𝑔𝑗𝑖𝑡ℎë 𝑘𝑗𝑜 𝑡𝑟𝑎𝑔𝑗𝑒𝑑𝑖, 𝑚𝑏𝑖 𝑛𝑗𝑒𝑟ë𝑧 𝑘𝑟𝑒𝑗𝑡ë𝑠𝑖𝑠ℎ𝑡 𝑡ë 𝑝𝑎𝑓𝑎𝑗𝑠ℎë𝑚, 𝑛𝑑𝑜𝑑ℎ𝑖 𝑛ë 𝑘𝑜ℎë 𝑝𝑎𝑞𝑒. 𝐷𝑒𝑡𝑦𝑟𝑎 𝑗𝑜𝑛ë ë𝑠ℎ𝑡ë 𝑡’𝑖 𝑘𝑢𝑗𝑡𝑜𝑗më 𝑡𝑎 që 𝑙𝑎𝑚ë 𝑝𝑎𝑠 𝑑ℎ𝑒 𝑡ë 𝑖𝑛𝑘𝑢𝑟𝑎𝑗𝑜𝑗𝑚ë 𝐴𝑢𝑡𝑜𝑟𝑖𝑡𝑒𝑡𝑖𝑛 𝑞ë në 𝑑𝑟𝑖𝑡ë𝑛 𝑒 𝑑𝑜𝑘𝑢𝑚𝑒𝑛𝑡𝑒𝑣𝑒 𝑡ë 𝑟𝑒𝑗𝑎, 𝑘y 𝑣𝑒𝑛𝑑, 𝑘𝑗𝑜 ℎ𝑖𝑠𝑡𝑜𝑟𝑖, 𝑡ë 𝑏ëℎ𝑒𝑡 𝑒 𝑛𝑗𝑜ℎ𝑢𝑟 𝑛𝑔𝑎 𝑒 𝑎𝑟𝑑ℎ𝑚𝑗𝑎”. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016