Nga Sokol Parruca
Pjesa e pestë
– Dëshmitë e rralla të juristit të njohur Sokol Parruca, për ikonat e futbollit shkodran ndër vite, si; Halepiani, Hasa, Rragami, Rakiqi, Bizi, Dani, Zhega, etj.,artistëve si Vasija, Tërshana, Aliaj, Ljarja, etj., si dhe personazhe të tjerë emblematikë të atij qyteti, etj. –
Memorie.al / E vështirë të shkruash për ish-futbollistët e ekipit “Vllaznia” të Shkodrës ndër vite, pa qenë studiues dhe specialist futbolli, por unë po hedh impresionet, për ata që njoha, preka e i pashë, për trajnerët e moshave, pa pretenduar se po them gjithçka që meritojnë. E padyshim gjykoj se është e pamundur të mos përmendsh, Ernest Halepianin. Kam qenë rreth 9 vjeç, nuk e mbaj mend me cilin shok të lagjes kam shkuar për herë të parë, te “Parku i Pionierëve”, pranë ish-shkollës “11 Janari”, për të filluar stërvitjen në sportin e futbollit. Aty ishte trajner për fëmijët, një burrë i shkurtër, flokë me kaçurrela të imët, me një fytyrë që i ndrinte nga mirësia.
ZAKINOJA
(Zakino Kantozi)
Ishte fillim viti 1960, kur një grup djemsh ende të pa rritur mirë, u ndodhëm në të njëjtën lagje, aty pranë ish-Kinema “Republika” e, të rriteshim, për të ndarë së bashku vitet e fëmijërisë. Njëri prej nesh ishte Zakinoja, djali më i madh i Mimiko Kantozit, familje kjo hebreje, e ardhur kushedi qëkur në Shkodër, por që ishin përshtatur kaq mirë me doket e zakonet shkodrane, sa Zakinoja ishte njëri prej nesh.
Ai vinte disi më i gjatë nga shtati, më i bëshëm, fytyrë-bardhë e tipare të zeza, sytë e mëdhenj me bisht e të zezë dhe qerpikët e gjatë i jepnin pamjes së tij tej hijeshi, si një fëmijë-kartolinë. Nuk ishte vetëm më i bukuri ndër ne, por dhe më i edukuari, më i mençuri. Rrinte e shoqërohej me ne arrakattë, por dinte të shmangej me finesë dhe të mos përzihej në prapësirat e paudhësitë tona të moshës. Ishte i pjekur për moshën, tepër xhentëlmen, ani pse ende i pa rritur mirë.
Sa herë që gjyshja e tij e mirë zbriste shkallët, për t’i dhënë rriskën e bukës për të ngrënë, ai na e zgjaste ne një herë, për ta kafshuar, pa qenë nevoja t’ia kërkonim, siç asokohe ishte zakon ndër ne. E kështu, kushedi sa here zbriste e ngjiste shkallët gjyshja, me rriskën e bukës në dorë, gjithnjë me buzën në gaz, mbasi e shihte se bukën e mbaronim të gjithë sa ishim, kafshatë-kafshatë e gojë më gojë, se kështu ngopej e ndjehej mirë dhe Zakinoja, e sigurisht edhe ne shokët e tij. Sa afrim e bashkim kishte në atë kafshatë buke, sa shumë dashuri.
Një ditë, kur një shoku ynë, po rrihej i vetëm me tre djem të një lagjeje tjetër, e kur forcat po e linin pa mundur të përballonte goditjet e njëpasnjëshme të djelmoshave, vjen Zakinoja e si luan, futet në mbrojtje të shokut, duke i zbrapsur e ndjekur ata gjersa u larguan dhe në fund ai shoku tek shihte me admirim Zakinon, por dhe i habitur, se kurrë ai nuk kishte bërë fjalë me njeri, jo më të rrihej, e ndërsa në cepin e buzës rridhte një curril e hollë gjaku, si për t’i thënë se shoku mbrohet dhe me gjak.
E kështu në këtë shoqëri me shumë dashuri po përcillnim vitet e fëmijërisë e të adoleshencës, gjersa një ditë vere, morëm lajmin e kobshëm, se ai më i miri, më i bukuri, më i mençuri, Zakinoja jonë kishte ndërruar jetë. Ndodhi në ditët e pushimit në Razëm, në një natë me gjëmime e shkreptima, një rrufe mundi të godiste e të bënte të pushojë zemrën e bardhë të Zakinos. Mbaj mend që u mblodhëm të gjithë ne shokët, në heshtje, pa mundur të nxirrnim asnjë fjalë, por fjalët ia kishin lënë vendin lotëve dhe lotët flisnin me gjuhën e vet, me gjuhën e shpirtit.
Nuk ka si dhimbja për humbjen e shokut pa i mbushur të njëzetat. Më vonë familja e Zakinos u transferua në Tiranë, po ashtu dhe familja ime. Rastisi të ishim afër, në Tiranën e Re. Një ditë u ndesha ballë për ballë me gjyshen e Zakinos, te pallatet “Agimi”, diku aty poshtë dritares të Enis Terihatit, volejbollistit.
Ishte ngarkuar me zarzavate e ushqime dhe sa më pá, lëshoi çantat apo i ranë nuk e mora vesh, zgjati duart drejt meje e unë shpejtova drejt saj. Më përfshiu, më shtrëngoi fort e u shkreh në vajë, ndonëse nuk ndjeva zërin ngashërues, por ndjeva ulërimin e shpirtit që po vuante, të rrahurat e forta të një zemre gati për të dalë nga pafuqia për të mbajtur peshën e kësaj vuajtjeje.
E ashtu ndenjëm një copë herë, me këtë dyluftim dhimbjeje, gjersa më lëshoi. Bëra t’i kap krahun, ta shoqëroja, por më bëri shenjë ta linja. Kalova rrugën, te cepi i urës u ndala, hapat nuk po i hidhja dot. U ktheva dhe po e shoqëroja me sy siluetën e asaj nëne, tek tërhiqte hapat rëndë – rëndë, gati për t’u rrëzuar nga pesha e dhimbjes së mallit, për djalin e humbur.
FREDERIK RRESHPJA
Ah… dhe ky përvjetor i lindjes tënde shkoi në vetmi! Ti madhështor, i dënuar me heshtje. Ndërsa, do të duhej e gjithë Kryeministria, në mënyrë të veçantë Ministria e Kulturës këtë ditë, ta shpallte dita “DITA E FREDERIKUT”, ku të organizoheshin evente të larmishme, në nderë të lirikut të madh, Frederik Rreshpja.
Sot do të duhej të të uronim për ditëlindjen. Ike prej nesh sapo mbushe 67 vjet, në kulmin e artit tënd madhështor lirik. Të tjerëve u thuren lavde por ti ishe më i madhi poeti ynë. Të përcollëm me heshtje, në varfëri e mjerim o Zot ty që na lé thesare me lirika! Nuk të dhamë vendin që meritoje, nuk të vlerësuam sa meritoje, nuk të deshëm sa meritoje…!
Por, brezat që do vijnë do të dinë të vënë në vend figurën tënde madhështore. Atëherë kur të tjerët do të harrohen si poetë të rëndomtë, emri yt do të lartësohet dhe lirikat e tua do të pëlqehen dhe jetojnë brez pas brezi.
* * *
U enda gjatë në panairin e librit, nuk lashë kënd pa pyetur, i pashë të gjitha stendat, të gjitha shtëpitë botuese, pyeta drejtorë e botues, miq të mi, por një libër të Frederik Rreshpjes, nuk ma zuri syri e nuk e gjeta. Të gjithë ngrinin supet si të habitur e kërkonin të më shmangeshin nga që isha edhe i irrituar. Pashë poetucë që rrinin gjithë ditën aty të vet-kënaqur që jepnin autografe, por më i madhi poet, Frederiku askund nuk ekzistonte, i harruar, atë të vetmin që poezia e ndiqte nga pas e ai nxitimthi qëndiste lirikat e tij perlë.
E kam ndjerë me dhimbje ikjen tënde Rrik, por paske bërë mire, o vëlla! Ti nuk ishe për këtu, ti i përkisje hapësirës, parajsës, mirësisë, një bote tjetër, ku strehohen e vlerësohen gjenitë…
* * *
Pogradeci ja ngriti bustin lirikut të vet… po qyteti im, Shkodra jonë, kur do t’ja ngrejë monumentin birit të vet, lirikut të madh shqiptar, Frederik Rreshpja!?
PREZANTIMI I VËLLIMIT ME POEZI, “UDHË NË PASQYRË” I AHMET PREMÇIT
Afër një çerek shekulli më parë, të njoha kur ditën e parë të punës, e fillove në një zyrë me mua. Ishe djalosh ku të dallohej çiltërsia. Fytyrat tona u panë “me hënë të mirë” dhe në ditët në vijim, ne nuk ishim vetëm kolegë, nuk ndanim zyrën e oraret e zgjatura të punës, por dhe pushimet e kohën e lirë.
U bëmë miq. Diskutonim aq shumë për letërsinë, recitonim Eseninin, Pushkinin, Gëten, Bërnsin, Hygonë e tjerë dhe ti njihje mirë klasikët e letërsisë botërore, por dhe autorët modernë të kohës së sotme.
Të kujtohet ajo ditë, kur si më ndroje më thé se kishe shkruar diçka kohë më parë dhe nxore fletoren, ku ishin radhitur mirë e bukur vargjet e shkruara, që kur ishe fëmijë, se si ato bashkë me rritjen tënde, kapërcenin faqe pas faqeje, duke shkruar poezi.
E ky vëllim poetik që prezantohet sot ka aromën, frymën e nismën nga ajo fletore, ku poezitë e para të fëmijërisë janë shkruar, tek vije nga rruga e gjatë, që duhej të bëje nga shkolla në shtëpi e në ato kodrina tërë frymëmarrje, uleshe buzë një rrëpire dhe nga çanta prej lecke ngjyrë të zezë, nxirrje bukën e fletoren e bardhë, ku me njërën dorë ushqeheshe e me dorën tjetër shkruaje.
Për ty kishte rëndësi të ushqeje si stomakun ashtu dhe shpirtin. Pra, ky mjedis i gjelbërt ishte studioja, ku kundërmonte era e barit të livadheve e fishkëllima e erës, që të përplasej si dallgë përkëdhelëse nëpër mendimet e tua, zogjtë që nuk të zhurmonin por cicëronin ëmbël e iknin për të të lënë të qetë në frymëzimin tënd, për fjalët e vargjet që shkruaje.
Në ato fillime të punës tënde të mësova teknikën legjislative penale, siç të tjerët kanë bërë më parë me mua, ndërsa ti më mësove frymën e re të komunikimit, sepse ti je një mjeshtër i komunikimit me njerëzit e kolegët. Të kam parë të shqetësohesh për problemet e shokëve e kurrë nuk të pashë të shqetësuar për hallet e dertet e tua.
Ti ishe i veçantë dhe dije të krijoje raporte korrekte me të arrestuarit. Ishe tjetër gjë. E shihja se si komunikoje, me sa inteligjencë e njerëzisht dhe ata, tek ti nuk shihnin hetuesin apo prokurorin, por njeriun, që di të sillet e të të zgjasë dorën e ngrohtësisë edhe në ato biruca të errëta e të ftohta, ku mbytesh nga dëshpërimi.
Ti kurrë nuk fyeve, kurrë nuk përdore dhunë për të marrë pohimin e të arrestuarve, por ti ishe mjeshtër në grumbullimin e marrjen e provave dhe të të provuarit me fakte e mjete shkencore. E ktheve në art. Ata nuk shihnin tek ti njeriun që don t’i rëndojë pa të drejtë e t’i fundosë, por atë që të zgjaste dorën e shpresës. E kjo mirësi së brendshmi të vinte se në shpirt ishe poet.
Poezia nuk është vetëm fjalë, vetëm varg a vetëm strofë, mbi të gjitha është shpirt, është frymë, është sjellje. E ti ishe poet në shpirt e sjellje. Të sjellurit me poezi mësova nga ti miku im. Unë nuk pretendoj të bëj analizën dhe kritikën letrare të poezive të tua të botuara në këtë vëllim të parë, por di mirë se ato janë shkruar me shpirt e një shpirt bukur si ti, nuk kishte si mos të shkruante poezi të ndjera, që kur i lexova i përjetova mrekullisht.
Ndaj me zemër të uroj të vazhdosh në rrugën e poezisë, se ti mundesh, se ti je poet, Ahmet! Po kaloja ditë të trishta, sepse sapo kisha humbur mikun e shtrenjtë, Rikard Ljarja dhe isha i mbyllur në një dhomë buzë gjolit në Pogradec. Po e përjetoja tepër rëndë emocionalisht. Në orët e natës bie zilja e celularit. Ishte Ahmeti, i cili më thotë se po të nisi dorëshkrimin e romanit. E lexova brenda natës, gjersa rrezet e diellit kishin arritur të depërtonin ndërmjet grilave të dritares.
Të nesërmen, gjithë ditën nuk më shqitej nga mendja dorëshkrimi i romanit. Si është e mundur? Ahmetin e njihja nga afër, ja dija talentin dhe dellin poetik, shpirtin e tij të bukur, por kurrë nuk do ta besoja se ai mund të shkruante një roman të këtij niveli të lartë. Kam lexuar gjithë jetën romane, letërsi, por një fabul dashurie të tillë që përshkon gjithë fillin e romanit nuk e kam ndeshur. ”Anja” është një dashuri krejt e veçantë dhe do t’ju mbesë gjatë në kujtesë, kur ta lexoni.
Natën vonë, i shkruajta: “Ku e gjete o vëlla, se mua sapo më janë tharë lotët… dhe romanin tënd e lexova me lot”.
KARLO RADOJA
I dashtun Karlo!
Librin që sapo ma dhurove e lexova me një frymë. Të them të drejtën mbeta disi i habitur, nuk e dija këtë dhunti tënden, dija që ishe një muzikant i talentuar, dija që ishe një shok e mik me besë e zemër, porse të shkruaje kaq bukur nuk e imagjinoja. Por gjërat e thëna e të shkruara me vërtetësi e kanë bukurinë brenda, ndaj më dha një kënaqësi të veçantë libri yt, çka mendoj se është një kontribut me vlerë për bashkëqytetarët shkodranë.
Për mua, është një letërsi e mirëfilltë memuaristike exellente, një raport ideal mes reales dhe artit. Të lumtë Karlo, për këtë estetikë e vërtetësi të shkruari, për këtë alkimi gjendjesh brenda marrëdhënieve njerëzore në raport me prindërit, familjen, të afërmit dhe miqtë.
U ndjeva mrekullisht mirë pas çdo flete që shfletoja sepse për gjithçka ke shkruar, për episode e karakterizimet për persona të veçantë, përputhen me opinionin tim për ta, si dhe përshkrimi i dhimbshëm, drithërues për miqtë e larguar nga kjo jetë, për të cilët ndjejmë mall.
Uroj ta vazhdosh këtë dhunti prej rrëfimtari të vërtetë!
LIBRI ME POEZI “63”, I SHPRESA KAPISYZI RAMA
Sapo mbarova së lexuari vëllimin e fundit me poezi; “63”. Me ëndje kalova rreshtat e vargjet e se si mendja më fluturoi larg në vite, kur ti adoleshente, një vajzë e lexuar, bëje shumë pyetje e rendje t’u përgjigjeshe, por koha të detyronte të heshtje, për të shpërthyer vite më vonë, në mijra vargje shumëngjyrëshe e erëkëndshme.
Më kot lodhesh të numërosh 63 rrathët e një druri të sapo-prerë. Ti duhet të numërosh fletët e një luleje dalë nga lythi i një gonxheje, sepse ti mbete një gonxhe që lë vargje që kanë aromën e luleve të livadheve të pashkelura. E gjithë krijimtaria jote është në lëvizje, drejt së resë.
E kërkon ti në shtëpinë e gjinkallës, në trungun e plasaritur të një mani, siç kërkonte para teje i madhi Frederik Rreshpja, por me stilin, klasin, ëmbëlsinë, ndjeshmërinë e individualitetin tënd, për t’i dhënë ngjyrat e një Shprese që nuk tkurret nga vitet, por mbetet Shpresë në mendime e gjithmonë e re në frymëzime, falë shpirtit e talentit që koha i ka dhënë dimensione të tjera pjekurisë së poezisë.
Shkrova çfarë ndjeva, pasi të lexova me ëndje, mikja ime e të uroj për vargjet e derdhura nga thellësia e shpirtit, që mbetet i ndjeshëm njëlloj si atëherë kur të njoha, një vajzë që pyeste e kërkonte… me shikimin larg…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016