Nga Thanas L. Gjika
Pjesa e parë
Memorie.al / Historia e popullit tonë, që në kohët e vjetra, është e mbushur me akte trimërie të njerëzve idealistë, të cilët nuk e kursyen jetën, për të mirën e shoqërisë e të atdheut. Për hir të tyre, populli ynë ka fituar lirinë nga zgjedhat e huaja dhe ka ecur drejt përparimit. Të tillë njerëz, ka pasur edhe gjatë viteve të diktaturës komuniste. Ata guxuan të shfaqnin mendimet e tyre ndryshe, madje të kundërshtonin vijën e parties-shtet, por ai regjim, i arrestonte, i dënonte me gjyqet e tij, pa avokat mbrojtës dhe i shpallte; “armiq të popullit” dhe i degdiste nëpër burgje e kampe pune. Kur ata arrinin të delnin nga burgjet, ose të ktheheshin gjallë në shtëpitë e tyre, propaganda shtetërore, i mbulonte me epitete të tilla, që populli t’i braktiste e t’i urrente, derisa të shuheshin e të harroheshin si qenie pa vlerë. Koha e sotme kërkon që të tillë njerëz, të mos lihen në harresë, po të studjohen e të vlerësohen, sepse jeta dhe bëmat e tyre, kanë vlera rigjeneruese për kombin. Edhe ne, si çdo popull, kemi nevojë për pishtarët të tillë, të lirisë e të demokracisë. Një i tillë, ka qenë edhe Thanas Ilo Qeleshi i cili, në rininë e hershme, u pushtua prej ideve komuniste dhe u lidh me Partinë Komuniste, por kur pa e jetoi disa veprime të padrejta të politikës së saj, guxoi të shfaqte mospajtimin e tij dhe të krijonte një celulë partie, kundërshtare me PPSh-në. Jetës dhe bëmave të këtij idealisti, ia kushtojmë këtë ese të shkurtër, mbështetur në disa dokumente dhe kujtime, që i ruan i biri i tij, Mihallaq Th. Qeleshi, të cilin e njoha këtu në SHBA-ës.
Thanas Ilo Qeleshi, u lind në Korçë më 17 mars 1929, në një familje zejtare, që e kishte provuar kurbetin e Amerikës, për shumë vjet. Gjyshi i tij Thanasi, të cilit i kishte marrë emrin, kishte punuar në fillim të shekullit XX-të, në Saint Louis MO. Kurse babai i tij, Ilo Thanas Qeleshi, ishte këpucar që kishte një dyqan të vetin në pazarin e qytetit, ku prodhonte e shiste këpucë.
Bashkëshortja e usta Ilos, Katerina, kishte ngritur veglën në shtëpi dhe bënte qilima, të cilët i shiste te pazari i qytetit. Kjo familje para se të pushtohej Shqipëria prej Italisë Fashiste, me të ardhurat e të dy bashkëshortëve, kishte siguruar një gjendje të mirë ekonomike dhe bënte pjesë në shtresën e mesme të shoqërisë së kohës.
Ajo kishte ndërtuar një shtëpi të gurtë me dy kate, me oborr para e kopsht nga pas, kishte lindur e po rriste katër fëmijë të bukur e të shëndetshëm: dy djem e dy vajza, Gaqon, Thanasin, Dhorkën dhe Pavlinën. Djalin e madh, e kishte dërguar për shkollim në Vlorë te Shkolla Tregtare dhe vajzën e madhe në Tiranë, të studionte te Shkolla Femnore Nana Mbretneshë. Mirëpo dy fëmijët e mëdhenj, vëlla e motër, shumë shpejt u pushtuan prej ideve komuniste. Gaqua dhe Dhorka, ishin bërë anëtarë të Grupit Komunist të të Rinjve dhe pas formimit të PKSH-së, u inkuadruan në radhët e kësaj partie.
Gaqua e bindi babain e tij, për të mirat që synonte Partia Komuniste Shqiptare, e cila propagandonte liri, barazi e drejtësi midis njerëzve, bollëk ekonomik e, një Shqipëri demokratike, që nuk ishte parë në ëndërr, gjatë sundimit të mbretit Zog dhe gjatë pushtimit italian. Kështu ai, me lejen e babait, e ktheu shtëpinë e tij, në bazë të Luftës Antifashiste.
Aty ai mblidhte municione lufte dhe ua shpinte forcave partizane, shkruante trakte e, i ngjiste nëpër muret e qytetit, etj. Në atë shtëpi, në vitin 1942, ai krijoi celulën e PKSH-së për mëhallën e Shën Triadhës (lagje jashtë qytetit), duke bërë anëtarë, djemtë e mëhallës; Dhori Panaritin, Rita Markon, Mikail Trebickën e, Tasi Markon.
Fatkeqësisht Gaqon e kapën dhe e burgosën dy here, forcat e SIMI-t (Shërbimi Italian). Herën e dytë karabinierët e torturuan shumë keq, sa që ai u sëmur rëndë dhe vdiq më 1 mars 1943. Ai nuk arriti të shihte, se si PKSH-ja, eliminoi Anastas Lulon e Sadik Premten, ata që e bënë atë komunist dhe se a i “realizoi” premtimet PKSH-ja, për të cilat ai dha jetën e vet.
Vëllai i tij Thanasi, gjatë Luftës Antifashiste, u aktivizua prej tij si guerilas në Korçë. Duke qenë serioz dhe me trup të gjatë, ky djalosh jepte përshtypjen, se ishte më i madh se mosha e tij e vërtetë. Nga fundi i vitit 1944, duke qenë vëlla dëshmori dhe veprimtar i Luftës u aktivizua me rininë komuniste të qytetit të Korçës. Në mars-prill 1945, shokët e Gaqos, që u mblodhën në Tiranë, e morën me vete Thanasin dhe atje e aktivizuan, si veprimtar të Rinisë. Aty e regjistruan dhe në një kurs për infermier.
Në prill të vitit 1945, Alqi Kondi, u zgjodh prej Kongresit të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, Sekretar i Përgjithshëm i Rinisë. Duke qenë se ky kuadër e njohu dhe e pëlqeu djaloshin e shkathët, Thanas Qeleshi, e mori në zyrën e tij, si sekretar. Mirëpo mbas dy muajsh, Alqi Kondi, u vra aksidentalisht, duke u përplasur motoçikleta e tij me një auto-veturë. Kjo ngjarje e tronditi Thanasin dhe pa u konsultuar me njeri, kërkoi të largohej nga Tirana e, të kthehej pranë prindërve në qytetin e lindjes, ku u regjistrua në gjimnazin e Korçë, të cilin e mbaroi në vitin 1948. Në maj 1948, atë e pranuan në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare. Me fillimin e vitit të ri shkollor, 1948-1949, Thanasi nisi nga puna si mësues në fshatin kufitar Arrëzë. Drejtori, ishte një djalë vendas, quhej Shaban Hysolli.
Në periferi të fshatit e kishte shtëpinë një familje, që i punonte shumë mirë tokat e veta dhe merrte prodhime më shumë se familjet e tjera. I zoti i shtëpisë, gjatë kohës së Luftës kishte futur ujin brenda në shtëpi, nga një burim aty pranë. Thanasin e caktoi këshilli i fshatit, të strehohej tek ajo familje, duke menduar se atje do të gjente qetësi dhe pastërti më të madhe, se në ndonjë shtëpi brenda fshatit.
Bashkëfshatarët e donin atë familje, madje dhe drejtori i shkollës, por atë nuk e donte Nënkryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Korçës, i cili ndikoi që të dërguarit e partisë nga qyteti i Korçës ta shpallnin kulak, pra t’i ngarkonin taksa më shumë edhe pse kjo familje, kishte po aq toka, sa familjet e tjera. Nënkuptimi ishte i qartë; ajo familje duhej të sulmohej me qëllim që edhe në atë fshat, të zhvillohej si kudo lufta e klasave.
Nga fundi i muajit maj 1949 një mëngjes, fshati u gdhi i rrethuar nga forcat e kufirit dhe përforcimet që kishin ardhur nga policia e Korçës. Në shtëpi, ku flinte mësuesi, hyri Ferit Sinica, Nënkryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Korçës, me disa policë. Mësuesit iu dha urdhri, që të vinte urgjent te zyra e Këshillit Popullor të fshatit. Atje ishin mbledhur anëtarët e celulës së partisë, drejtori i shkollës dhe kryetari i Këshillit. Filloi mbledhja. Fjalën e mori Ferrit Sinica:
– “Celula e partisë dhe personeli i shkollës, nuk e kanë kryer detyrën që u ka ngarkuar partia”. Më tej ai e ashpërsoi zërin: “Nën hundën tuaj, armiku i klasës ka bërë qejf, ti Thanas Qeleshi, mbrëmë hëngre darkë me kulakun e fshatit dhe ai, pasi ti re të flije, mori familjen dhe u arratis. Gabimi yt, është shumë i rëndë. Na ke ngarkuar të gjithëve, me përgjegjësi”.
Më tej, folën drejtori i shkollës dhe dy komunistë, të cilët thanë se; anëtarët e asaj familjeje dhe fëmijët e saj, ishin korrektë në sjellje dhe se askush, nuk kishte dëgjuar ndonjë pakënaqësi prej tyre.
Thanasi u ngrit, e qetë qetë, tha:
– “Shoku Ferit, unë nuk e ndjej veten fajtor. Dhe asnjë nga ne, nuk ka faj. Gjatë muajve që kam jetuar në atë familje, asnjë prej anëtarëve të saj, nuk më ka shprehur ndonjë pakënaqësi ndaj pushtetit. Gabimin duhet ta gjeni, te politika që keni ndjekur ju me organet e pushtetit.
Ju e shpallët kulak, familjen më të mirë të fshatit, familjen që punonte më shumë, që kishte arritur të jetonte më mirë, duke punuar e jo duke shfrytëzuar punën e të tjerëve dhe as duke u servilosur. Ju e armiqësuat atë familje, me partinë e pushtetin dhe e detyruat të gjejë rrugën e shpëtimit, duke u arratisur…”!
Feriti, nuk e zgjati, por e mbylli mbledhjen duke thënë:
– “Këtë do ta shqyrtojmë, me organet përkatëse të Korçës”.
Shkoi në qytet dhe filloi nga puna për të sajuar gjëra që do ta rëndonin biografinë e mësuesit dhe të drejtorit të shkollës. Pas dy javësh, kur drejtori dhe mësuesi i shkollës shkuan në Korçë, u arrestuan si “armiq të pushtetit dhe bashkëpunëtorë të armikut”.
U mbajtën në Hetuesinë e Korçës, më shumë se një vit. U bënë presion të vazhdueshëm, që të pranonin se kishin bashkëpunuar me familjen e kulakut dhe se e kishin ndihmuar, që të arratisej, por ata nuk pranuan, gënjeshtra të tilla. Shabani u lirua mbas një vit hetuesie, pasi ndërhynë disa miq të vëllait të tij, i cili punonte në Degën e Punëve të Brendshme të Vlorës, kurse Thanasi, doli në gjyqin e montuar dhe u dënua me tetë vjet heqje lirie.
Në atë kohë, tentativa për arratisje, dënohej me shtatë vjet heqje lirie, kurse Thanas Qeleshin, pa tentuar të arratisej, e dënuan me një vit më tepër. Usta Ilua, shkoi në Tiranë, për të kërkuar ndihmë tek Rita Marko e Dhori Panariti, shokët e djemve të tij, të cilët ishin emëruar në detyra të larta partie e pushteti.
U përmendi vdekjen e djalit të madh, prej torturave, ndihmën që u kishte dhënë gjatë Luftës, aktivitetin e djalit të vogël, të cilin tani për disa fjalë po e dënonte partia…! Por të tillë komunistëve u mungonte shpirti i sakrificës së dëshmorëve të luftës. Ata nuk pranuan të ndërhynin, sepse fjalët kritike të Thanasit, ishin të huaja për të tillë njerëz, që po bënin karrierë, duke ecur në rrugën e servilizmit dhe të nënshtrimit të verbër.
Thanasi u lirua para afatit, në korrik 1953. Vendimi për lirimin e tij, nuk ishte shprehje e zemërgjerësisë së partisë, por e një ngjarjeje, që lidhej me Ferit Sinicën, ish-nënkryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Korçës. Feriti kishte shërbyer si kobure e mbushur, që zbrazej sipas urdhrave të eprorëve të tij. Gjatë Luftës, ai vriste si atentator, pa pyetur se kush ishin ata që vriste.
Pas Luftës, arrestonte, torturonte e vriste këdo për të cilin, i vinte urdhri nga shefat e tij. Mirëpo gjatë viteve 1950-1951, kur kishte dalë për të mbledhur detyrimet e fshatarëve, shumë kushërinj, miq e krushq të tij, që e kishin strehuar gjatë Luftës, i ishin ankuar se detyrimet që u kishte ngarkuar shteti, ishin të larta dhe ata nuk kishin t’i paguanin.
Feriti, duke qenë se e shihte vetë gjendjen e tyre ekonomike, ishte pajtuar me këto ankesa dhe gjatë një darke, pasi kishte pirë, kishte thënë: “Fshatarët, nuk kanë të japin detyrime kaq të larta, Partia e ka tepruar”. Një nga ata që e kishte dëgjuar, e kishte raportuar në organet e Sigurimit.
Shefi i Degës së Punëve të Brendshme, i trembur se ky kokëkrisur mos kryente ndonjë veprim revolte, a mos nxirrte në shesh maskarallëqe që kishin kryer bashkë, vendosi ta eliminonte dhe e eliminoi me ndihmën e dy njerëzve të Sigurimit, vartës të tij e, shokë të Feritit. Pas vrasjes, sipas skemës së parapërgatitur, u hap fjala se Ferit Sinica, donte të arratisej, por e vranë punonjësit vigjilentë të Sigurimit, para se t’i afrohej kufirit.
Pas kësaj ngjarjeje, familjarët e Thanas Qelshit u interesuan dhe arritën të verifikonin shpifjet që Feriti kishte sajuar, kundër njeriut të tyre. Kështu, ish-mësuesit Qeleshi, iu dha pafajësia dhe organet e partisë së Korçës, i thanë se do t’i kthenin rrogën e viteve të burgimit, si dhe teserën e Partisë, duke ia njohur vjetërsinë, që nga viti 1948, kur kishte hyrë në parti. Thanasi, për të mos e marrë teserën e partisë, nuk pranoi të merrte, as rrogën e viteve të dënimit. Ai kërkoi vetëm të fillonte punën, si mësues. Emërimi i doli, në fshatin Selcë të Lozhanit.
Në burgun e Korçës, gjatë viteve të dënimit, Thanasi u njoh dhe me disa intelektualë, si; Tefik Selim Mborja, ish-deputet i qeverisë së Zogut, politikan e diplomat; Koci Shenjti, i diplomuar prej Liceut Francez dhe ish-bashkëpunëtor i Misionit Biblik Evangjelist, si dhe Osman Leskoviku, i mbiquajtur Osman Gazepi, adjutant i Mbretit Zog, ushtarak tepër popullor e, shakatar i mprehtë, etj.
Këta bashkëvuajtës, me bisedat e tyre të mbushura me “kripë antikomuniste”, kishin ndikuar në botëkuptimin e Thanasit dhe ia kishin shuar entuziazmin e hershëm, ndaj idealeve komuniste dhe PKSH-së. Mbas daljes nga burgu, ai u mbyll në vetvete dhe filloi t’u qëndronte larg komunistëve.
Veprimi që e shtyu Thanasin për ta humbur edhe më tej respektin ndaj komunistëve, ishte ngjarja tragjike, që i ndodhi në ditën e dasmës së tij. Disa javë pas daljes nga burgu, njerëzit e familjes, u interesuan të gjenin një nuse të përshtatshme dhe realizuan takime njohjeje, midis Thanasit e Marikës, një vajzë e urtë e simpatike.
Këta e pëlqyen njëri tjetrin, por babai i vajzës dhe vëllezërit e saj, komunistë, thoshin se nuk mund t’ia jepnin Marikën, një ish-të burgosuri politik, me kokën ende të qethur. Thanasi, u tregoi dokumentin e lirimit nga burgu, me pafajësi, atëhere u vendos për fejesë e, pas nja dy muajsh, u organizua dasma modeste.
Një pasdreke të vjeshtës 1953, u shtruan tavolinat e dasmës në oborrin e shtëpisë. Në mes, ishte tavolina e dhëndrit me prindërit dhe nusen, nga njëra anë, ishin tavolinat me njerëzit e fisit, shumica anëtarë partie: motra Dhorkë, me burrin e saj, Pavlina, familjarët e nuses, kushërinj, etj. Në anën tjetër, ishin dy tavolina të vogla, me disa komshinj dhe dy shokë të dhëndërit: Tefik Mborjen dhe Koci Shenjtin, ish-të burgosur.
Pa filluar nga të ngrënat e të pirat, u ngrit Petro Shallua, kunati i dhëndrit, burri i motrës Dhorkë, pra dhëndëri i madh i xha Ilos, e me zë të ashpër tha:
– “Po me kë na ke ulur, të hamë e të pimë, o Ilo, me armiqtë e popullit, me Tefik Mborjen e, Koci Shenjtin”?! dhe nxori koburen.
U ngrit usta Ilua dhe sqaroi:
– “Ju të atyre tavolinave, jeni miqtë e mi dhe keni punë me mua. Këta të këtyre dy tavolinave, janë komshinjtë tanë dhe dy shokë të djalit”.
U ngrit dhëndëri e iu drejtua Petros:
– “Këtu nuk është vendi të na tregosh koburen. Juve ju ka ftuar babai im, kurse këta të dy, i kam ftuar unë. Me ta kam kaluar vuajtjet e burgut dhe dua ta shijoj këtë gëzim, bashkë meta. Shokët e burgut, janë të dhembshur, si shokët e luftës”.
Kur dëgjuan komunistët, se shokët e burgut, dhëndri i vlerësonte njësoj me shokët e luftës, u xhindosën e u turrën kundër Tefik Mborjes e, Koci Shenjtit. Filluan t’i rrihnin me grushte e shkelma. Këta, për të mos e prishur dasmën, nuk kundërshtuan, por u larguan.
Nuses i ra të fikët, dhëndëri ngriti nusen në krahë dhe e shpuri brenda. Ilua ndërhyri për pajtim, por krushqit nuk po e dëgjonin, secili filloi të largohej. Kështu u prish dasma e shumëpritur. Ca kohë, vajza e madhe, Dhorka, nën ndikimin e burrit të saj, nuk shkoi për vizitë te prindërit.
Të tillë ishin komunistët e asaj kohe, ta prishnin dasmën dhe nuk të flisnin, as me gojë. Nuk dinin të kërkonin të falur. Ndoshta të tillë, kanë mbetur ende disa prej tyre…! Më 31 gusht 1954, familja e re u shtua me një djalë, Mihallaqin. Me rastin e 10-vjetorit të çlirimit, Thanasit iu dha Medalja e Trimërisë, dhe më 1964 iu dha Dekorata Skënderbeu.
Më 1960, familja u shtua dhe me një vajzë, së cilës iu dha emri Katerina, në kujtim të gjyshes. Nusja Marika, mbas lindjes së vajzës, pati një dobësi dhe stenozë nitrale. Thanasi bëri kërkesë për ta transferuar në një fshat më afër familjes. Kërkesa iu muarr parasysh dhe ai u emërua mësues, në fshatin Vashtëmi, ku vente e vinte me biçikletë, çdo fundjave. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm