Nga Arben Pustina
Pjesa e pesëmbëdhjetë
-Rrok Gera, një burrë shteti ashtu si duhet –
MINISTËR I EKONOMISË KOMBËTARE NË QEVERINË E KOÇO KOTËS
Memorie.al /Në vijim, në orën 05:25, rreth 45 minuta më vonë nga sa ishte parashikuar, italianët morën urdhrin të fillonin zbarkimin në brigjet e Durrësit. Fakt është se atë ditë ata u pritën me armë dhe pati të vrarë nga të dyja palët. Në Durrës, luftimet ishin mjaft të ashpra dhe italianët u detyruan të tërhiqeshin disa herë. Vetëm ndërhyrja e aviacionit fashist dhe epërsia e madhe e forcave zbarkuese në mjete e forca, mposhtën pak nga pak mbrojtësit heroikë të Durrësit, të cilët luftonin nën komandën e Abaz Kupit. Në Ditarin e Komandës Supreme italiane jepen raportimet e gjeneral Guzzonit për aksionin e zbarkimit, përcjellë orë pas ore për Kabinetin e Luftës në Romë.
Vetë gjenerali, pohonte se ky zbarkim ishte në krizë që në fillim, pasi krejt papritmas, trupat zbarkuese u pritën me një zjarr të dendur mitralozash dhe pushkësh nga rreth 500 forca shqiptare. Kryekomandanti i forcave zbarkuese theksonte se: “…edhe pas goditjeve të artilerisë së anijeve që shoqëronin zbarkimin, zjarri armik ishte aq i fortë, sa gjenerali Messe, komandant i kolonës së parë të zbarkimit, në orën 06:25, kërkoi ndërhyrjen e artilerisë së kalibrit të madh të flotës, për të thyer rezistencën armike”.
Po sipas Ditarit Historik të Komandës Supreme italiane, rreth orës 8:30, mbrojtësit e Durrësit filluan të tërhiqen gradualisht, ndërsa nga ora 9:00, qyteti konsiderohej i pushtuar, megjithëse, siç pohonte Guzzoni, ende qëllohej nga dritaret e disa ndërtesave. Në orën 9:30, vetë gjenerali zbriti nga anija në tokë, për të parë situatën nga afër. Rreth orës 10:00, delegacioni shqiptar, me në krye Rrok Gerën, mbërriti në Durrës, me flamur të bardhë dhe i pajisur me letër-kredencialet, që ishin përpiluar në gjuhën franceze. Për orën e fillimit të negociatave me Guxonin në Durrës, kanë gabuar disa historianë, përfshi këtu dhe B. Fisher, etj.
Versioni në shqip i kredencialeve, ishte si më poshtë: Shkëlqesi. Me urdhër të Madhërisë së Tij, kam nderin të njoftoj shkëlqesinë tuaj që, Shkëlqesia e Tij Rrok Gera, Ministër i Ekonomisë Kombëtare të Shqipërisë dhe zoti, leitnant kolonel i Shtatmadhorisë, Samih Koka, janë ngarkuar të diskutojnë me Shkëlqesinë Tuaj, bazat e një marrëveshjeje ushtarake që ka të bëjë me bashkëpunimin e trupave italiane me trupat shqiptare në Shqipëri. Lutem Shkëlqesi, pranoni sigurimet e konsideratës sime më të lartë”.
Sipas Ditarit historik të Komandës Supreme italiane, Guzzoni raportonte mëngjesin e 7 prillit, se: Rrok Gera e Sami Koka, bashkë me letër-kredencialet e mësipërme të nënshkruara nga ministri i Jashtëm, Libohova, iu paraqitën atij rreth orës 10:05 nga atasheu ushtarak italian në Tiranë, Gabrielli, me qëllim që, sipas urdhrit të Mbretit Zog, të negocionin një marrëveshje me Italinë.
Në raportin e tij për Romën, Guzzoni, argumentonte se priti Rrok Gerën dhe Sami Kokën, sepse ishin të shoqëruar nga atasheu italian në kolonel Gabrielli, i priti sepse ata vetëm për shkak të një kontratempoje nuk kishin mundur të paraqiteshin para se të fillonte zbarkimi dhe, mbi të gjitha, i priti për të dëgjuar propozimet e tyre, pasi vetë Duçja, siç thoshte ai, u jepte shumë rëndësi negociatave me ta. Rrugë me gjak, njerëz të vrarë e të plagosur, tym dhe ndërtesa të dëmtuara nga bombardimet. Ishte kjo skena e rëndë drejt së cilës shkoi atë ditë delegacioni shqiptar që do të negocionte me Guzzonin në Portin e Durrësit.
Me gjithë rrethanat shumë dramatike, negociatat u zhvilluan dhe zgjatën nga ora 10:05 deri pak para mesditës. Sikurse thamë, delegacioni shqiptar ishte porositur të negocionte lidhur me skemën e një konvente ushtarake me Italinë, që parashikonte vendosjen e një formacioni të këmbësorisë italiane në Shqipëri, i cili do të ishte nën komandën e Mbretit Zog. Nëpërmjet markonigrameve të transmetuara me shifër nga kryqëzori “Fiume”, në orën 12:30, Guzzoni informonte urgjentisht Kabinetin e Luftës në Romë, se mori propozimin e negociatorëve shqiptarë dhe u tha atyre se do t’ia përcillte Duçes, i cili ishte i vetmi person që mund të vendoste lidhur me këtë çështje.
Vetë gjenerali i vlerësonte si të papranueshme propozimet e Tiranës. Gjithashtu, ai raportonte se, me këmbënguljen e palës shqiptare, kishte pranuar një armëpushim dhe se ishte parashikuar një tjetër takim me negociatorët shqiptarë. Afati i fundit i takimit ishte ora 16:00. Por pesë minuta para se të mbaronte ky afat, ura e Shijakut mbi Erzen u hodh në erë, ndaj për një takim të dytë, as që mund të bëhej fjalë. Mosardhjen e delegacionit negociues për herë të dytë në Durrës, krye agresori i asaj dite, Guzzoni, pati kurajën ta cilësonte si akt tradhtie (!!!).
Ndërkohë, në telegramin tepër urgjent të orës 16:35, me numër 5788, Mussolini i nervozuar i shkruante komandantit të trupave zbarkuese, Guzzoni, që të lëvizte trupat përpara: “…Propozimet e Zogut janë të papranueshme. Mos humbisni më shumë kohë dhe marshoni drejt kryeqytetit dhe objektivave, siç janë urdhrat …”! Siç do ta shohim edhe më poshtë në ditarin e Cianos, Mussolini kërkonte avancimin e pushtimit me çdo kusht dhe sa më shpejt të ishte e mundur, pasi ishte në ankth për ndonjë reagim të mundshëm të ndërkombëtarëve. Megjithatë, avancimi italian do të bëhej shumë ngadalë dhe trupat italiane hynë në Tiranë paraditen e datës 8 prill, rreth orës 9:30.
Për ngjarjet e 7 prillit, flasin kujtimet e Familjes Mbretërore, të diktuara nga adjutant, kolonel Hysen Selmani. Në ditarin e tij shkruhej se: “…Parlamenti dhe qeveria së bashku, pasi rrahën disa mendime vendosën të dërgojnë një komision (në Durrës). Për këtë, jo se kishte ndonjë shpresë, por të mos zihej shkak se në këtë rast, Shqipëria ishte krejtësisht e izoluar dhe bile e quanin fajtore. Për këtë caktoi të dërgonte pa asnjë konditë: Ministrin e Ekonomisë Kombëtare Rrok Gerën, Nënkolonel Sami Kokën dhe Atasheun ushtarak italian në Tiranë, kolonel Gabrielin. Ata u nisën e shkuan në Durrës në orën 12 të ditës.
Njëkohësisht u urdhërua komanda e ushtrisë që të urdhërojë komandën në Shijak, që të jenë të lirë të kalojnë (anëtarët e delegacionit) dhe për t’u kthyer prapë sipas telegramit. Kjo deri sa komisioni të marrë fund, të ndalohet zjarri, pasi dhe armiku nuk ka për të përparuar. Kur Komisioni arriti në Durrës, natyrisht qyteti ishte i okupuar prej italianëve. Por komandanti (Guzzoni) akoma ishte në një anije lufte dhe delegacioni me një motoskaf, shkoi në anije te gjeneral Guzzoni.
Ndër bisedimet që patën, gjeneral Guzzoni u deklarua se kishte urdhër me telegram prej ministrit të Luftës italiane, që të ndalojë çdo veprim, por të merremi vesh miqësisht e të tërheqim fuqitë. Por detajet ende nuk më kanë ardhë, – u tha gjenerali, – po ta lemë për më vonë, deri sa të marrin detajet që na urdhërojnë me telegram. Ora u caktua për në 6.00 pasdite dhe fuqitë nuk kishin për të lëvizur asnjë hap, as zjarr deri sa të përfundonin bisedimet”. Ne nuk mund të dimë saktësisht se çfarë kishte pasur ndër mend mbreti Zog, kur kishte pranuar misionin e delegacionit të plotfuqishëm për bisedime me Guzonin në Durrës.
Kishte dashur vetëm të fitonte sadopak kohë, apo kjo ishte një përpjekje dëshpëruese për të shpëtuar diçka dhe ai ndoshta kishte vërtet besim se gjërat mund të ndryshonin për mirë? Këtë ne nuk mund ta dimë, por duket se gjërat dalin disi më të qarta në raportimet e ministrit të ShBA-së në Tiranë, Grant, pas takimit të tij me mbretin Zog, pasditen e 6 prillit. Në telegramin e tij nr. 765.75/444, Grant i shkruante Sekretarit Amerikan të Shtetit, se Zogu i kishte deklaruar se refuzonte prerazi çdo propozim të italianëve që do të cenonte integritetin dhe pavarësinë e vendit.
Ndërkohë, sipas ambasadorit amerikan, mbreti kishte pohuar se ushtria e tij nuk mund të rezistonte gjatë ndaj trupave italiane të pajisura aq mirë me armatime, ndaj rezistenca shqiptare do të ishte një lloj proteste ndaj agresionit, për t’i treguar botës se shqiptarët nuk do të dorëzoheshin pa luftuar. Gjithashtu nuk dihet se përse Mussolini (sipas idesë së Çianos), la këtë shteg për negociata. Këtu, natyrshëm mund të lindë mendimi se Duçja kishte pasur shpresë se shqiptarët do të pranonin gjithçka, pa kushte, të trembur nga gjithë ajo prani ushtarake e italianëve.
Për Duçen, kjo do të ishte një mrekulli, pasi do të krijohej përshtypja se trupat e tij hynë në Shqipëri pa luftë dhe reagimi ndërkombëtar do të ishte minimal, pa folur pastaj për opinionin e brendshëm në Shqipëri që, sipas tij, do të ishte edhe më mikpritës me pushtuesin. Në fakt, ngjarjet nuk rrodhën kështu dhe Rrok Gera nuk shkoi në Durrës për të kryer një gjest simbolik, ose sa për të thënë se u përmbush edhe një tjetër përpjekje diplomatike për t’iu kundërvënë pushtimit.
Siç kishte kryer çdo detyrë që kishte marrë përsipër edhe më parë, Gera ishte i bindur në atë që po bënte, me synimin të shpëtonte atë që mund të shpëtohej. Ai negocioi gjatë me Guzonin dhe arriti diçka, siç ishte baza për një marrëveshje të kushtëzuar, si dhe një armëpushim prej disa orësh. Atë ditë, një numër gazetash të huaja citonin një reporter të Rojterit që, bazuar në burime të besueshme, njoftonte nga Tirana se qeveria italiane kishte pranuar kundër propozimet e shqiptarëve. Megjithatë, ngjarjet rrodhën si rrodhën, pasi duket se dy personazhet kryesore të kësaj historie, Zogu dhe Mussolini, ishin më pak të bindur sesa vetë negociuesit se në Durrës mund të arrihej një marrëveshje përfundimtare.
Ndërkohë, gazetat e gjithë botës përcollën lajmet për atë që ndodhte në Shqipëri të premten e 7 prillit. E para që përcolli lajmin, ishte agjencia e lajmeve “Stefani”, e cila dha njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Italisë. Më pas, agjencia “Reuters”, përcolli lajmin nga raportuesi i saj në Tiranë për operacionin italian të pushtimit. Shumë më tepër informacion mori opinioni botëror pasditen e 7 prillit nga gazetat, të cilat merrnin nëpërmjet Radio-Budapestit, lajmet që transmetoheshin nga Tirana çdo gjysmë ore.
Për shkak të ndryshimit të orarit, ishin sidomos gazetat e SHBA-së, që atë të premte shkruanin me detaje për ngjarjen në fjalë, ndërsa ato europiane shkruanin në numrat e tyre të së shtunës, 8 prill. Përveç gazetave të mëdha, si “The New York Times”, “Los Angeles Times”, “The Times”, “Daily News”, “La Stampa”, “L’Humanite”, “L‘Ouest Eclair”, “Vanguardia”, “ABC”, “Le Petit Parisien”, “La Croix”, “Le Matin”, “Le Petit Journal”, “L’Action Francaise”, “Diario de Lisboa” etj., për misionin negociues në Durrës si përpjekje për të evituar pushtimin e Shqipërisë, shkruante në edicionet e 7-8 prillit një numër i pafund gazetash (janë verifikuar të gjitha. – Shën. im, A.P.), duke filluar nga ShBA-ja, Kanadaja, Australia e deri në Zelandën e Re.
Është e rëndësishme të theksohet se, ajo që bie në sy në këto faqe gazetash, lidhur me 7 prillin 1939, është se opinioni ndërkombëtar lexoi një mesazh të qartë: Shqipëria atë ditë luftoi, megjithëse kishte përballë një superfuqi ushtarake. “Shqiptarët luftojnë me heroizëm”, “Italianët u sprapsën katër herë”, “Portet kryesore shqiptare bombardohen nga deti, qielli dhe toka”, “Shqiptarët rezistojnë ashpërsisht përballë një armiku shumë superior në armë e në forca”, “Bombardohen Durrësi dhe Vlora”, “Rezistencë Lart dhe në vijim janë disa pjesë artikujsh nga gazeta ndërkombëtare të datave 7-8 prill 1939.
Përveç rezistencës shqiptare ndaj invazionit, ndër to theksohet dhe misioni negociues me në krye Rrok Gerën. Kundrejt gjithë kësaj, bëhet edhe më paradoksal fakti që, me gjithë jehonën që pati nëpër botë qëndresa shqiptare, një pjesë e historianëve shqiptarë, në të kaluarën, por dhe në ditët e sotme, e minimizojnë atë, duke i barazuar pothuaj me zero luftimet ndaj trupave fashiste që zbarkuan të premten e 7 prillit në brigjet tona.
Duke u rikthyer te misioni negociues i Gerës, vërejmë se në amplifikimin pozitiv që pati në opinionin botëror rezistenca shqiptare, ky mision pati shumë më tepër ndikim, nga sa duket në pamje të parë. Le ta argumentojmë: Operacionet e zbarkimit italian filluan në mëngjes herët. Në Durrës u luftua për rreth 4 orë dhe pastaj pushoi zjarri për të mundësuar zhvillimin e negociatave mes palëve. Këto negociata u zhvilluan nga ora 10:05 deri pas 11:35 (pra mbi 1 orë e 30 minuta bisedime dhe shihet qartë se nuk bëhej fjalë për një formalitet) dhe, në përfundim, u ra dakord që ato të rifillonin në orën 16:00 pasdite, po në Durrës.
Kjo gjë nuk u realizua, por me skadimin e afatit për raundin e dytë të negociatave dhe me afrimin e mbrëmjes, ushtria italiane kishte frikë të ecte më tej. Ndërsa dihet se trupat pushtuese hynë në Tiranë vetëm ditën e nesërme, në orën 09:30 të datës 8 prill, që do të thotë gati 30 orë pas fillimit të operacioneve ushtarake, mund të arrijmë në përfundimin se, megjithëse për disa orë rresht italianët u pritën me pushkë në Durrës, ata do të kishin hyrë në Tiranë ndoshta që nga mesdita e së premtes, po të mos ishte akti i misionit negociues.
Pra, vonesa e italianëve që kishte në origjinë negociatat e mesditës si dhe ato të planifikuara për pasdite, bënë që, në sytë e opinionit botëror, qëndresa shqiptare të merrte përmasa edhe më të mëdha. Se sa e vërtetë ishte kjo, shihet edhe në zemërimin e Mussolinit për vonesën në avancimin e trupave drejt Tiranës, pasqyruar më së miri në Ditarin e Kontit Çiano, ku citohen kujtimet e tij për 7 prillin 1939: “…Guzzoni u takua me përfaqësuesit e Zogut dhe, në vend që të vazhdonte aksionin ushtarak, siç kishte urdhëruar Duçja, pezulloi gjithçka për 6 orë. Duçja është i tërbuar nga zemërimi: kjo vonesë mund të ketë pasoja tepër të rënda. Ne kemi nevojë të arrijmë në kryeqytet për të bërë manovrën tonë politike. Nëpërmjet Vales, Duçja urdhëroi të rinisë marshimi, por ama një ditë e tërë shkoi dëm dhe kjo i mundëson shtypit gjithmonë të qelbur francez, të thotë që italianët u mposhtën nga shqiptarët”.
Një ndër autorët e huaj që kanë trajtuar këtë moment, Massimo Borgogni, shkruan në librin e tij (“Tra Continuita e Incertezza: Italia e Albania” (1914-1939), për negociatat e zhvilluara në Durrës mes delegacionit shqiptar dhe Guzzonit: “…Parlamentarët shqiptarë dhe ushtaraku italian (Atasheu ushtarak italian në Tiranë, Gabrielli. – Shën. im, A.P.), arritën në Durrës rreth orës 10, ndërsa nga anijet vijonte jo pa vështirësi zbarkimi i materialeve e automjeteve dhe lartësitë veriore mbi qytet ishin pushtuar pas bombardimeve që aviacioni u kishte bërë trupave shqiptare të përqendruara në degëzimin e Vorës, pikë strategjike në rrugën drejt Tiranës. Gjeneral Guzzoni u njoh me propozimet shqiptare për një konventë ushtarake…”!
Më tej, ndër të tjera, Borgogni shkruan edhe për ndërprerjen e avancimit të trupave fashiste: “…Ishte e qartë që me pranimin e kërkesës për pezullimin e operacioneve në Durrës, gjenerali italian shkonte shumë përtej udhëzimeve të marra nga Ciano në mbrëmjen e vonë të 6 prillit, të rikonfirmuara më pas gjatë natës, nga Mussolini. Ai merrte personalisht përgjegjësinë për ndërprerjen e papritur të operacioneve, pasi një vendim i tillë do të sillte patjetër një vonesë të madhe në pushtimin e kryeqytetit shqiptar dhe në zbatimin në tërësi të operacionit “Oltre Mare Tirana”. Përveç pritjes së delegacionit shqiptar (që ishte paraqitur në Durrës me 5 orë vonesë) vendimi i Guzzonit duhet të ishte marrë edhe si pasojë e faktit që gjërat nuk po shkonin siç ishin planifikuar.”
Lidhur me debatet që lindën në Romë për shkak të ndërprerjes së përkohshme të operacioneve luftarake të italianëve, Borgogni vëren se në qarqet italiane fillimisht u mendua madje edhe për një komplot nga Ministria italiane e Mbrojtjes, me qëllim sabotimin e punës së Ministrisë së Jashtme, por sot, historiografia e ka përjashtuar krejtësisht si ide, duke dhënë argumente për këtë. Historiani Bernd Fisher, në dy librat e tij “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri” dhe “Shqipëria gjatë luftës 1939-1944”, jep detaje për negociatat në Durrës: “… Zogu u orvat edhe një herë të gjente ndonjë zgjidhje tjetër me italianët, duke i dërguar Guzzonit dy emisarë, siç kishte sugjeruar Mussolini. Aty rreth pasdites, nën mbrojtjen e atasheut italian, Zogu dërgoi ministrin e Ekonomisë Kombëtare Rrok Gerajn, si dhe kolonel Sami Kokën, për të biseduar me italianët në Durrës”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016