Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të dy vëllezërve, Myzafer dhe Arshi Pipa, të cilët pasi kishin studiuar në Firence e Padova të Italisë, gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut duke u diplomuar për Filozofi dhe Drejtësi, u kthyen në atdhe dhe në janarin e vitit 1944, hapën revistën “Fryma” ku u angazhuan me shkrimet e tyre edhe disa nga emrat më të njohur të elitës intelektuale të asaj kohe, si: Dr. Gaspër Pali, Muhamet Bala, Prof. Filip Ndocaj, Jolanda Kodra, Qemal Draçini, Fadil Podgorica, Agron Libohova, etj. Historia e shkurtër e asaj reviste, që doli vetëm në tetë numra, ku spikatën shkrimet dhe editorialet e Avokat Myzafer Pipës, ku ai ngrinte zërin për rolin dhe vendin që duhet të zinte femra shqiptare në letrat shqipe dhe publicistikën e asaj kohe, duke përmendur emrat e njohur si: Musine Kokalari, Ikbal Çika, Mila Gjokoreci, Hava Toska- Shehu, Jolanda Kodra etj., e deri tek shkrimi ku ai akuzonte ministrat dhe politikanët shqiptarë, duke i etiketuar ata si “dallaveraxhinj e dallkaukë” të cilët përveç pallateve dhe çifligjeve që kishin në Tiranë, Romë etj., nuk kishin bërë asnjë “vepër” tjetër, pasi shikonin vetëm vetën e tyre dhe jo të mirën e përbashkët!
Çfarë synonte “Fryma”?
Në editorialin e parë të revistës “Fryma” që doli në janarin e vitit 1944, midis të tjerash Myzaferi shkruante: “Qenë rrethana të ndryshme që e vonuan këtë ndërmarrje të projektueme me kohë. Pjekuria letrare dhe kulturore sidomos këtu në Shkodër, kërkonte zbërthim. Një frymë e re nji entuziazëm ndihej gjithkah. Diçka e re u donte por edhe e saktë dhe serioze. Diçka përparimtare kah të gjitha degëve të kulturës, u lypte letërsi por edhe art e shkencë. Vepra jonë e fillueme me vullnet e mirëbesim megjithëse në kundërshtim me tronditjet shpirtërore dhe me ushtimën e ngjarjeve universal, kur e shohim që është e drejtë dhe e vetëdijshme dhe ashtë një nga çështjet sa të nevojshme dhe të dobishme për kohën që do të vijë, nuk na ka tutë por përkundrazi na ka nxitë ma tepër për dëshirë pune. Do trajtojmë subjekte të ndryshme dhe do të kemi rubrika të veçanta për shkencat ekonomike, juridike, politike, filozofike, etj. Por rëndësinë ma të madhe do t’ia japin letratyrës së veprave të artit mbasi, pikërisht këto janë dokumente provuese të përparimit të nji vendi”, shkruante Myzaferi në mbylljen e editorialit të parë të revistës “Fryma”. Numri i parë i kësaj reviste që doli në janarin e vitit 1944 (kishte 50 faqe), pas editorialit të drejtuesit të saj Myzafer Pipës, kishte rreth 11 shkrime të tjera, pa përfshirë këtu disa poezi të shkurtra, etj.
Tematika dhe penat që shkruan tek “Fryma”
Autorët e këtyre shkrimeve ishin emra të njohur për kohën në fushën e letrave, si: Dr Gaspër Pali, me: “Andrrime fjorentine”, Muhamet Bala me: “Mësuesi im”, Prof. Filip Ndocaj, me: “Letratyra, ç’ashtë e si duhet të jetë”, Qemal Draçini me: “Një grishje”, Jolanda Kodra me: “Themelimi kreshnik i Shkodrës”, si dhe poezitë e Ndre Mjedës. Gjithashtu në të shkruanin dhe Fadil Podgorica, autor i shkrimit: “Disa motive të poezisë popullore shqiptare”, Dr. A. Ymerati me “Filozofi”, Agron Libohova, me novelën “Tek pusi i martinës”, dhe Skënder Anamali me: “Studimet dhe gërmimet arkeologjike në Shqipëri”. Siç shihet në materialin e lëndës, në numrin e parë, tematika që përcillet aty ka një gamë të gjerë në fushën e publicistikës me hapësira të pafundme për këdo. Nga përmbajtja e këtij materiali bie në sy sidomos shkrimi i Qemal Draçinit, i titulluar “Një grishje”, ku autori ngre problemin e emancipimit të gruas shqiptare. Në këto shkrime, Draçini rreket duke ngritur zërin edhe për pozitën e dobët të gruas shqiptare në fushën e letrave, si dhe vendin që duhet të zejë ajo në krijimtari e botime të ndryshme letrare.
Roli dhe vendi i femrës shqiptare në krijimtari
Lidhur me këtë, midis të tjerash Draçini shkruan: “Ndër ne, as që mund të flitet për shkallë veprimtarie mendore të gruas, për arsyen e thjeshtë se kjo punë mendore pothuajse nuk ekziston. Aty këtu ka pasë ndonjë zë që ngrihesh vetar e i dobët, por u shuhen vrikthi, ke s’kishte të ndjekun. Të gjithë ata që kanë lexue në të shkuemen, në të përkohshmet tonë, kujtojnë patjetër emrat e Kolumbja-s, Muza, Musine Kokalari, Ikbal Çika, Mila Gjokoreci, Lux Secreta, e në mbrame ato të Postribsja, Vjollca e Skanderbeut, Hava Toska- Shehu e Jolanda Kodra. Njehen siç shihet në majë të gishtave. E me gjithë këtë ne nuk jemi krejt pa një klasë grash të shkollueme. Vetëm një numër relativisht shumë i vogël sosh, ka ngritë zanin deri në lartësitë e botimit. Pse kjo?” Mbas botimit të numrit të parë, revista “Fryma” vijoi të dalë si e përmuajshme dhe në shtatë numra të tjerë, deri aty nga korrik-gushti i po atij viti, (1944) kur dhe u mbyll. Nga numri i parë e deri tek i teti, pothuaj u ruajt një farë statukoje, si nga forma e revistës ashtu dhe nga përmbajtja e saj, ku faqeve letrare ju shtuan dhe përkthimet, si në prozë ashtu dhe në poezi, ku më shumë dominonte letërsia europiane me Gëten, (“Panoramë e Lirikës gjermane”), etj. Por në numrat pasardhës që vijuan pati një ngritje cilësore në përmbajtjen e shkrimeve, gjë e cila u ndikua dhe nga shtimi i emrave të bashkëpunëtorëve që filluan të shkruajnë aty, të cilët ishin firma të sprovuara në publicistikën shqiptare të kohës, si Dr. Besim Qorri, Hamit Kokalari, Minella Karajani, Av. Fejzi Dobi, Astrit Delvina, Muzafer Xhaxhiu, Dr. Xhevdet Loloçi etj.
Pse u mbyll “Fryma”?
Siç thamë më lart revista “Fryma” jetëgjatësinë e saj fatkeqësisht e pati vetëm në tetë numra. Numri i fundit i saj doli në korrik-gushtin e vitit 1944. Po cilat ishin shkaqet e vërteta të mbylljes së revistës? Ato kishin të bënin me vetë përmbajtjen e saj, duke qenë se në numrin e fundit, drejtuesi i saj Avokat Myzafer Pipa, shkroi një editorial me titullin “Vetëdije apo Krim”, në të cilin hidhte akuza të ashpra kundrejt qeverisë që ishte në fuqi. Akuzat fillojnë që në krye të shkrimit ku autori i saj thotë:”Në zemër të Europës, si kyç i Adriatikut, Shqipnija si shtet ndër ballkanas, fatalisht dihet si gjendet shumë mbrapa nga shtete të tjerë perëndimore. E pra duhet të ishte shtet model Shqipnija e jonë, mbasi nuk i mungojnë influencat natyrore e mundësitë ekonomike për riformimin e vendit, si dhe lëvizja intelektuale, sidomos 30 vjetët e fundit për m’emkambë nivelin e jetesës e të kulturës dhe me përftue kështu Shqipni të vërtetë e të mire, me Shqiptarë të denjë e të lirë”. Në fillim të këtij shkrimi, Pipa flet në parim për gjendjen e Shqipërisë, ku faji i mbrapa mbetjes së saj i hidhet armiqve shekullorë, turq e sllavë, latinë e neolatinë, për të cilat ai thotë:”Në këtë mënyrë kujtojmë se justifikohemi, dhe numërojmë prapë në vend”. Më tej në këtë shkrim, avokat Pipa akuzon hapur qeveritarët e korruptuar, të cilët i quan “dallaveraxhinj dhe dallkaukë, të cilët shikojnë që të ndreqin vetëm vetën e tyre dhe nuk e kanë mendjen tek e mira e përbashkët”! Lidhur me këtë, Pipa shprehet:”Cili qe deri tash ai Ministër që së paku vuni deri tash një gur në themelin e këtij tempulli, që po ndërtohet me gjakun e djersën e këtij populli? Ku janë veprat dokumentare e monumentare të këtyre prijsave e dirigjuesve të masave, përveç pallateve e çifligjeve private nëpër Tiranë, Romë e gjetkë”?! Më tej në atë shkrim Pipa analizon punën e disa ministrive, të cilat i akuzon si të korruptuara dhe e mbyll editorialin e tij duke thënë:”Dhe barka duhet me pasë jo vetëm motorë të fortë, por edhe kapidana të zot e të sakrificës. Përndryshe, ajo do të mbytet me gjithë njerëzit që ka brenda”. Ishte ky editorial që i detyroi qeveritarët e asaj kohe për të marrë një vendim ekstrem, duke e internuar Myzafer Pipën në Kampin e Prishtinës. Pas lirimit nga internimi, avokat Pipa nuk e vijoi më nxjerrjen e revistës, për arsye se ai u end maleve deri në mbarimin e Luftës në nëntorin e vitit 1944 kur erdhën komunistët në pushtet. Në shkurt-marsin e vitit 1945, avokati dhe publicisti i njohur, Myzafer Pipa, morri përsipër të ishte avokat mbrojtës i disa të akuzuarve në Gjyqin Special, ku me akuzat “armiq e kriminelë të popullit” ishin mbi 60 persona, ish-ministra, kryeministra, deputetë, anëtarë të regjencës dhe funksionar të tjerë të lartë të qeverive shqiptare që nga ajo e Ismail Qemalit dhe deri në pushtimin gjerman të vendit. Një vit më pas, në 1946-ën, Avokat Myzafer Pipa u arrestua në qytetin e Shkodrës, duke u akuzuar si “pjesëmarrës i Lëvizjes së Postribës” dhe ai vdiq në tortura në një nga qelitë e burgjeve të atij qyteti, ende pa dalë në gjyq.
Kush ishte Myzafer Pipa?
Myzaferi lindi në Stamboll në vitin 1914 dhe ishte fëmija i parë nga dy djem dhe katër vajza që kishte Mustafa Pipa (nga dy martesat e tij) i cili ishte shkolluar dhe diplomuar për Drejtësi në Stamboll. Që në bangat e gjimnazit klasik të Shkodrës, Myzaferi, dallonte nga shokët e tij në sjellje dhe në mësime. Gjithashtu ai u aktivizua edhe si futbollist në ekipin e këtij qyteti “Vllaznija” krahas, dy emrave të njohur, Riza Lushtës dhe Naim Kryeziut, të cilët më pas do të bënin emër të madh në elitën e futbollit italian ku ata u aktivizuan për disa kampionate. Pas mbarimit të gjimnazit, babai i tij, Mustafai, duke dashur që ai të ndjek traditën e familjes, e dërgoi Myzaferin në Itali për të ndjekur studimet në Drejtësi. Kjo gjë u bë realitet në shtatorin e vitit 1936, dhe ai la Shkodrën e filloi mësimet në Universitetin e Padova-s, ku pak para tij, kishin studiuar Abaz Ermenji, Jakov Milaj, dhe Nikolla Shurbani. Në vitin 1940, kur Myzaferi ishte akoma student në vitin e fundit të fakultetit, ai u arrestua nga autoritetet italiane për qëndrime anti-fashiste, pasi në një lokal në qendër të qytetit, i cili frekuentohej nga studentët shqiptarë, ai u foli atyre për qëllimet e pushtimit fashist të Shqipërisë. Ata njëkohësisht kënduan këngën “Vlora Vlora”, që u kujtonte italianëve disfatën e 1920-ës në Vlorë. Pas arrestimit ai doli në gjyq dhe u dënua me burgim në ishullin e Ventotenes, ku asokohe ndodheshin të dënuar edhe shumë shqiptarë të tjerë, si: Aabaz Ermenji, Selman Riza, Safet Butka, Abdurrahim Kreshpani, Zef Mala, Emin Duraku. Masar Shehu, etj. Pas një viti, në fundit e 1940-ës, ai u lirua nga kampi dhe u rikthye përsëri në Universitetin e Padovas, ku mbrojti diplomën me rezultate të larta. Më pas ai u kthye në Shkodër, ku qeveria shqiptare e asaj kohe e emëroi si gjykatës i shkallës së parë në qytetin e Tuzit. Këtu ai nuk punoi më shumë se tre muaj, pasi dha dorëheqjen dhe punoi si avokat në Shkodër, në studion e babait të tij Mustafait. Në vitin 1943, familja Pipa u vendosën familjarisht në Tiranë, ku Myzaferi punoi si avokat duke marrë në mbrojtje shumë nga të rinjtë anti-fashistë të asaj kohe që ishin arrestuar nga italianët. Ndonëse ai ishte një demokrat dhe anti-fashist i deklaruar, nuk mori pjesë në asnjë grupim apo formacion politik të kohës. Në janarin e vitit 1944, Myzaferi së bashku me vëllain e tij Arshiun, nxorën revistën “Fryma”, e cila u botua në 8 numra dhe më pas u mbyll nga qeveria shqiptare e asaj kohe. Pas mbarimit të Luftës dhe ardhjes së komunistëve në pushtet, Myzaferi vazhdoi avokatinë dhe në “Gjyqin Special” të zhvilluar në shkurt-mars të 1945-ës, ai mori në mbrojtje, Tahsim Bishqemin, Abedin Xhikun, Anton Kosmaçin, dhe Manush Peshkëpinë, të cilët ishin shpallur dhe akuzoheshin si “armiq të popullit dhe kriminelë lufte”. Në vitin 1946 Myzaferi, u arrestua pasi u akuzua si pjesëmarrës në Kryengritjen e Postribës. Pas torturave të shumta që iu bënë, ai mbeti i vdekur në qelitë e hetuesisë në Degën e Brendshme të Shkodrës, ku thuhet se pasi u torturua me hekur të nxehtë, më pas u qëllua me plumb pas koke, duke u justifikuar se ai tentoi arratisjen. Akoma dhe sot e kësaj dite, familja ende nuk e di se ku ndodhen eshtrat e tij. Më 27 qershor të vitit 2008 në qytetin e Shkodrës u organizua një takim në Teatrin “Migjeni” kushtuar avokat Myzafer Pipës, ku iu dha dhe titulli “Qytetar Nderi”. Ndërsa Presidenti Bamiri Topi i ka akorduar Urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), me motivacionin: “Patriotit dhe intelektualit të shquar, që gjithçka që pati, dijen, kulturën dhe jetën e tij të re ia kushtoi çështjes së lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, duke kundërshtuar deri në flijim vendosjen e diktaturës në Shqipëri”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016