Nga Robert Kostaq Cipo
Pjesa e dytë
Memorie.al / Linda ne Korçë një ditë të martë më 16 shtator të vitit 1930, në ora 10 të mëngjesit. Prindërit e mi kanë qenë, Kostaq Cipo, i biri i Simon Cipos e Agnia (Xhuvani) Cipo, dhe Margarita (Papajani) Cipo, shtëpijake, e bija e Doktor Filip Papajanit dhe i Angjeliqì (Kostantinesku) Papajani, shtëpijake. Kur linda im atë ishte profesor i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe si dhe i letërsive të tjera, përveç asaj Franceze, në Liceun Kombëtar Shqiptaro-Frëng në Korçë ndërsa doktor Filip Papajani ishte mjeku i vetëm i rrethit të Pogradecit deri në çlirimin e Shqipërisë, patriot i periudhës së Pavarësisë, shkrimtar dhe poet i përmendur edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.
Thonë se ky person, (Stefan Prifti), që nuk i kishte mbetur asnjë fije nderi, u muar më vonë edhe me aktivitet shkencor, duke botuar dhe disa studime. Por a kishin vlerë këto, përpara nderit të poshtëruar, duke lejuar të kryhej ky veprim çnjerëzor e barbar, në institucionin e shenjtë të shkollës, ku ai në rolin e barìut, ishte ngarkuar në ruajtje të nxënësve?! Të flasim pak edhe për pseudo-shokët e klasës, të atyre që rastësia i kishte sjellë të uleshin edhe ata në bankat e asaj shkolle, që gjithmonë kishte mbajtur emrin e nderuar, të Naim Frashërit.
Ndër këto fytyra të ndyra, të një sistemi të “emancipuar” pseudo-komunist, mund të përmendim krye injorantin e shkollës, Theodhos B., i mbiquajturi “Xoxi”, e pastaj me radhë, Perikli Sh. (që pas vitit 1991 hyri në Ambasadën Italiane dhe prej andej bashkë me familjen kaloi në Amerikë, duke u paraqitur si antikomunist) Sirri J., Dashamir T., Dashamir H., Simon Ç., Hajredin Sh., Dhimosten B., Besnik B., Viktor R., e disa servilo-dallkaukë të tjerë, që me shpresë se do të mund të fitonin ndonjë bursë (e që në të vërtetë disa e fituan), ngritën dorën vullnetarisht, kundra shokëve të tyre, e këtë vetëm se ja u kërkoi Organizata. Ironia e fatit e solli, që pikërisht ata që ngritën dorën, kishin secili nga një person të familjes në burg. Por a mund të ulet njeriu, kaq poshtë?! Nuk mund të lemë pa përmendur, edhe fytyrën më të ndyrë, krye-spiunin e të gjithë kohërave, të “nderuarin” Mikel G.
Për këtë ngjarje “të madhërishme” në shtypin zyrtar të kohës, u botuan dy artikuj, një me 4 tetor në gazetën “Zëri i Popullit” me titull; “Një masë e drejtë” dhe një në gazetën “Rinia”, po në tetor 1949, me titull; “Një masë me vend”. Por a mund të quhet masë e drejtë dhe me vend, rrahja e nxënësve të mitur brenda në ambientet e shkollës, nga njerëz të veshur me pushtet?! Ku e ka varrin sot, ky Spiro Panoja, për t’ja ndyrë? Edhe në këtë rast, im atë nuk më hoqi asnjë vërejtje, vetëm më tha se; mos e humb kohën kot, mos u dëshpëro, mëso dhe studio, se jeta është e gjatë. Më tha gjithashtu se; “deri sa të mbushësh 18 vjet, je nën kujdesin tim, se kështu e përmban ligji dhe jam unë përgjegjës për veprimet e tua, vetëm mbas moshës 18 vjeç, do të jesh ti përgjegjës për veprimet e tua”.
Por i vinte çudi, se si mund të përjashtoheshin nga shkolla nxënësit, për bindjet e tyre politike! Ai sa herë që bisedohej në shtëpi, ishte i bindur, se nxënësi mund të dëbohej nga shkolla, për mos përgatitje në mësime, për mungesa të përsëritura të vazhdueshme, për nota negative në të gjitha mësimet etj., por thoshte, sikur kjo të ndodhte në shtetet perëndimore, ku vazhdimisht studentët dalin në rrugë e protestojnë kundra politikës së qeverisë, apo në mbështetje të prindërve të tyre grevistë, çdo të bëhej, po të përjashtoheshin të gjithë këta nga shkolla?! Duhet që të mbylleshin shkollat.
Ai, gjatë periudhës pas-internimit, atëhere kur punonte si inspektor në Ministrinë e Arsimit, kishte diskutime të përditshme dhe shumë të ashpra, me Ernest Koliqin, Ministrin e atëhershëm të Arsimit, ku secili mbronte me pasion dhe me bindje pikëpamjet e tij politike dhe asnjërit nuk i shkoi ndërmend, as Ernest Koliqit, ta arrestonte Kostaq Cipon, vetëm se shprehej për pikëpamjet e tij antifashiste dhe as Cipoja, po ta kishte patur Ernest Koliqin vartës, kur u bë Ministër i Arsimit, as nuk do t’i shkonte ndërmend, ta denonconte se kishte mendime fashiste. Por meqë Cipoja, nuk po arrinte të kuptonte realitetin rus, që po instalohej në Shqipëri, dhe i biri u përjashtua nga shkolla, u ndoq këshilla e tij, që jeta është shumë e gjatë, se shkolla të jep zanat, për të nxjerrë bukën e gojës, ndërsa kultura, merret me libra e studime të vazhdueshme. Shpesh për të mbështetur këtë pikëpamje, sillte si shembull Ezopin në Greqinë e lashtë.
Dhe kështu u bë. Pothuaj përditë takohesha me Bamir Çanon, edhe ky i përjashtuar, dhe që të dy studionim së bashku të shtëpia e Bamirit, apo te e imja, lëndët e maturës. Ndërkohë, meqë më vinte dorësh për vizatim, duke ndjekur shpjegimet e sugjerimet e tim eti, e ndihmova atë në pregatitjen e skicave vizatimore, që do të botoheshin në një tekst Fonetike, mbi lëvizjet që pësojnë organet zanore, gjatë shqiptimit të germave. Kjo gjendje pritshmërie, vazhdoi përreth pothuaj një vit, e meqë im atë kur vuri re se me gjithë insistimet e tij, vendimi për përjashtimin nuk po anulohej, filloi të interesohej, për të më gjetur ndonjë punë të çfarëdoshme, kudo që të ishte, mjafton që të shtoheshin në një farë mënyre, të ardhurat në familje.
Por në dhjetor të vitit 1950, më thërresin për të kryer shërbimin ushtarak. Aty im atë, u mërzit jashtë mase, pasi personi që ai vetë e kishte ngarkuar dhe ja kishte qarë hallin për të më gjetur punë, tradhtisht po ky person (emrin nuk e tregoi kurrë) shkoi e lajmëroi në Degën Ushtarake, që të më rekrutonin. Fillimisht më dërgojnë në Krastë të Elbasanit, në një repart xhenier, duke e bërë më këmbë, rrugën Tiranë-Elbasan. Por me insistimin e vete tim eti, më transferojnë në Tiranë, për t’i qenë afër tij, që po rëndohej nga sëmundja çdo ditë e më shumë, e provizorisht, sa të gjendej reparti ku do të caktohesha, për të kryer shërbimin ushtarak, vendosem për disa ditë si bujtës, në repartin Ushtarak Nr.3806, që ishte Reparti i Shoferëve të Komandës së Përgjithshme (Ministrisë së Mbrojtjes).
Aty më qëlloi fati, se kishin kaq kohë që po kërkonin një daktilografist (profesion i rrallë në atë kohë), për t’i dhënë mundësinë atij që e kryente këtë detyrë, të lirohej nga shërbimi ushtarak. Atëhere provizorisht, meqë dija të punoja në makinën e shkrimit, më mbajtën aty, derisa të gjenin një ushtar tjetër që të kryente këtë punë. Për një farë periudhe njëvjeçare, më kaluan në Sekretarinë e Degës Ekonomike të Shtatmadhorisë. Aty u caktova si daktilografist dhe të ndihmoja në veprimet e sekretarisë.
Një ditë aty më ra rasti, të hap postën e përditshme dhe në një shkresë që i drejtohej Ministrisë së Mbrojtjes, lexova se Reparti i Xhenjove të Tiranës, e njoftonte Ministrinë, se ishte gjithnjë në pritje të rekrutit Robert Cipo, që kishte qenë caktuar për të kryer shërbimin ushtarak në repartin e tyre. Pa u thelluar, e marr shkresën dhe e hedh në koshin e letrave. Pas dy muajve, vjen përsëri një shkresë tjetër, po me këtë përmbajtje, e cila përfundoi si e para. Kështu që nuk pati më kërkesa të tjera dhe unë vazhdova të kryeja shërbimin ushtarak, në Sekretarinë e Degës Ekonomike të Shtatmadhorisë, duke kaluar për një farë periudhe, edhe Shef Sekretarie. Dhe kjo pritje vazhdoi pothuaj për dy vjet, derisa erdhi koha të lirohem nga shërbimi ushtarak.
Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak, pata rastin të njihesha më nga afër, me gjeneralët Teme Sejko, me të cilin përshëndetesha edhe mbasi u lirova nga ushtria, me Petrit Dumen, Rahman Parllakun, etj. Nga shokët e ushtrisë, shumicën e mbaj mend si fytyra, por emrat ja kam harruar, përveç njërit prej tyre, më të cilin dhe u miqësova. Ky është Mirush Cami, shoferi i Petrit Dumes, që në atë kohë kishte mbaruar vetëm shkollën fillore. Me insistimin tim, e detyrova shoqërisht të vazhdonte shkollën, në fillim të përfundonte shtatëvjeçaren dhe pastaj edhe shkollën e mesme. Miqësia me të vazhdon akoma në ditët e sotme, mbas 50 vjetëve nga jeta ushtarake. Nga ajo periudhë, më kujtohen shoferët; Hasan Balla, Galip Mene dhe Riza Kasapi (Ferhati), i cili pas shërbimit ushtarak, punoi shofer autobusi në linjën Kombinat-Kinostudio, por që vdiq sapo doli në pension.
Ndërkaq gjendja shëndetësore e tim eti, sa vinte e keqësohej megjithëse shkonte rregullisht në punë, si dhe jepte pa pushim mësim, në Institutin Pedagogjik. Nga fundi i vitit 1951, ai shtrohet në Spital. Unë së bashku me tim vëlla, Ferdinandin, shkonim pothuaj përditë, për ta vizituar. Në bisedë ishte krejtësisht i vetëdijshëm. Aq sa një ditë, na thotë; “unë po vdes, të keni kujdes mamanë dhe i qëndroni gjithnjë afër njëri-tjetrit. Më mbeti merak, që nuk arrita t’i shkruaja kujtimet e mia”.
Vdiq më 6 Janar 1952. Si ndodhi vdekja dhe ceremonia mortore si dhe aspekte të tjera të lidhura me të mund të lexohen në Monografinë e Prof. Kostaq Cipos, shkruar prej meje, e botuar më 2004. Më kujtohet se për ngushëllim, erdhën Sejfullah Maleshova, Tuk Jakova dhe Major Galip Sojli, shok i ngushtë i dajës tim, kampion kombëtar në Maratonë dhe në 10.000 metra, i cili disa ditë më vonë, do të mundohej të kalonte kufirin me Jugosllavinë, por u kap nga UDB-ja. Pas kthimit në Shqipëri, pas shumë e shumë vitesh, dënohet me 10 vjet burg. Mbasi doli nga burgu, pata rastin të takoj të birin, të cilit i rekomandova që babai duhet të fillojë të shkruajë kujtimet. “Ja kemi sugjeruar dhe ne në familje, – m’u përgjigj, – por ai pretendon se tashmë i ka humbur kujtesa”.
Mbasi u lirova nga ushtria, meqë ndërkaq ishte anulluar vendimi i përjashtimit tonë nga shkollat e Shqipërisë, bëra kërkesë dhe ndoqa vitin e katërt, të gjimnazit të shkollës së natës. Aty më qëlloi të kem shok banke, një nxënës të quajtur Xhavit Struga, të cilin nuk e njihja. Meqë qëlloi të kishim një orë pushim, dolëm së bashku për një xhiro në rrugët e Tiranës dhe më bëri përshtypje respekti dhe më tepër frika, me të cilën njerëzit e përshëndesnin atë, por pa ndaluar për ta takuar. Sapo kishim filluar këtë xhiro, qëlloj të përshëndesja ish-shokun e gjimnazit, Gani Karapici. Ai kur me pa në shoqërinë e këtij personi, mbeti shumë i habitur dhe e pashë që bëri një gjest, sikur deshte të më thoshte; “po ti, nga u njohe me këtë person”?!
Më vonë, duke pyetur, mora vesh se ishte Prokurori Ushtarak në Gjyqet e Popullit. Prej asaj dite, gjeta rastin dhe ndërrova bankën në klasë, megjithatë, kjo njohje vazhdoi për një kohë të gjatë edhe pas shkolle, me salutime e shkëmbim mendimesh, veçanërisht për muzikën klasike, për të cilën thoshte se ishte shumë i apasionuar. E kishin shumë në konsideratë dhe shpesh shkonte me delegacione jashtë shtetit. Por mbas kthimit, nga një vizitë qeveritare në Kinë, çuditërisht vdiq.
Në shkollën e natës, mbaj mend një shoqe klase, të quajtur Hilmie Kosovrasti, që më vonë për një farë periudhe, u lidh ngushtë me shokun tim, Simon Dedën, futbollistin e “Partizanit”. Hilmien e takova përsëri, kur shkova të punoj në Spital, aty ku ajo punonte si mjeke. Më vonë, do të bëhej deputete e Partisë Demokratike. Ndërkohë, ishte shkëputur nga shoku im, Simoni. Pikërisht në këtë kohë, ishte viti 1993, Simoni sëmuret “nga infeksioni në zorrën e trashë” dhe vdes.
Para këtyre ngjarjeve, punova për një farë periudhe të shkurtër, si nëpunës në Degën e Ndërtimeve Ushtarake, në “Rrugën e Durrësit” dhe në vijim më kaluan në Ndërmarrjen e Ndërtimeve Ushtarake, me qendër te Rrapi Trishit. Këtu takova Bamir Çanon, që ishte duke kryer aty shërbimin ushtarak, si gjeometër. Prej andej, duke përfituar se gjatë kësaj periudhe, ishte hequr dënimi i përjashtimit nga shkolla, bëra një kërkesë në Ministrinë e Arsimit, për një të drejtë studimi në Institutin e Lartë të Inxhinierisë, po me gjithë përpjekjet e mija, më dhanë të drejtën, vetëm për Inxhinier Gjeolog. Pasi bëra disa muaj leksione, meqenëse nuk më vendosën për Inxhinieri Elektrike, u largova, duke menduar se do të gjeja një punë, të çfarëdoshme.
Dhe kjo situatë pritje dhe kërkimesh, nga një vend në tjetrin, vazhdoi për disa vjet. Vetëm në vitin 1957, me interesimin e dajës tim, Dr. Virgjil Papajani, pranë Nëndrejtorit të Spitalit Civil, Dr. Aleko Bozo, u vendosa si daktilografist, në Zyrën e Statistikës të Spitalit Nr.1 të Tiranës, ku ishte drejtor, Sherif Klosi. Por dhe këtu, nuk më lanë rehat. Ish shoku i klasës, i cili kishte marrë pjesë në rrahjen tonë, që do të përjashtoheshim, i quajturi Simon Ç., i biri i Cin Ç., ish-Drejtorit të Bankës së Shqipërisë, gjatë periudhës së okupacionit, që ndërkohë kishte mbaruar studimet si mjek në BRSS, dhe si vigjilent që ishte, sapo më pa në zyrat e Spitalit, lajmëroi në çast Shefen e Kuadrit, duke i thënë se, kisha qenë përjashtuar nga gjithë shkollat e Shqipërisë dhe duke i kërkuar menjëherë, largimin tim nga puna.
Brenda 10 minutave nga denoncimi, më thërresin në kuadër, duke ju nënshtruar një seri pyetjesh, ku pyetja e parë ishte; “pse u përjashtove nga shkolla”? Shpëtova pa u pushuar, vetëm falë ndërhyrjes së drejtorit të Spitalit Dr. Sherif Klosit. Me kalimin e një viti, caktohem Shef i Statistikës për të tre spitalet dhe Sekretar i Komisionit Mjekësor, për ata që bënin kërkesë për t’u kuruar jashtë shtetit. Aty pata rastin të njihem mire, me ish studentët e tim eti, Prof. Fejzi Hoxhën, Prof. Dr. Xhavit Gjata, Prof. Dr. Pëllumb Bitri, si dhe me Prof. Dr. Ferdinand Paparisto, Prof. Dr. Petro Cani, Dr. Kristo Kristidhin, Dr. Besim Zymën, Dr. Qazim Bakallin, Dr. Tika Theodhosin, Dr. Nuni Theodhosin, etj. Duke ndenjur në shoqërinë e tyre, përfitova shumë, si nga ana profesionale mjekësore, ashtu dhe nga ana humane.
Zura gjithashtu miqësi, me mjekët; Piro Vesho e Aleko Veshi, me Dr. Drini Ohrin, Dr. Josif Adhamin dhe ndihmësin e tij, Dr. Milto Kostaqi, shok klase në gjimnaz, me vëllain tim. Kisha gjithashtu miqësi, me Dr. Nesti Boçkën, që megjithëse mori vesh se kisha qenë përjashtuar nga të gjitha Shkollat e Shqipërisë, mbajti një qëndrim miqësor, për tu lavdëruar. Gjatë punës në Spital, pata rastin të njihem shumë mire, me Dr. Pandeli Çinën, Dr. Hysni (Cyne) Rusin, Dr. Ibrahim Dervishin, Dr. Pavllo Pavlin, i cili sa herë që do kalonte nga zyra ime, do t’i binte xhamit të dritares dhe do të bërtiste italisht; “Roberto, il Diavolo”.
Pata rastin dhe u miqësova në Istitutin e Higjienës edhe me të birin e tij, Stefan Pavlin, edhe ky mjek, miqësi që vazhdon akoma në ditët e sotme. Aty lidha miqësi të ngushtë edhe me Dr. Çesk Rrokun, mjekun e Shërbimit të Anatomi-Patollogjisë, i cili kishte mbaruar studimet në Pragë dhe ishte martuar me një çeke, e kishin dhe një vajzë. Për shkak të kësaj martese, u gjet rasti dhe e transferuan (internuan) në Krujë, ku dhe vdiq më 1991 apo 1992. Duan të thonë, se atë “e detyruan të vdes”, mbasi gjatë periudhës së kryerjes së shërbimit në sektorin e Anatomi-Patologjisë, kishte kryer autopsinë, edhe të personave të eliminuar nga Sigurimi i Shtetit.
Meqë isha përgjegjës i Statistikës, për të tre spitalet, lidha miqësi edhe me mjekët kirurgë, si me Dr. Rushen Golemin dhe me shumë e shumë të tjerë, të cilët sot pas 40 vjetëve, edhe për shkak të sklerozës, më kujtohen si pamje, por jua kam harruar emrat. Aty njoha dhe lidha miqësi (këtë nuk mund ta harroj) me të parin Kandidat të Shkencave Mjekësore, që deri atëhere kishte Shqipëria, me Dr. Fadil Spahiun. Kaloja gjithmonë nga zyra e tij në Pavionin e Ortopedisë dhe bisedonim gjatë me të, për shkrimtarë dhe për librat e tyre. Ishte nga Kukësi. Kishte mbaruar studimet në Bashkimin Sovietik dhe kishte marrë për grua një sovjetike.
Kur ecte nëpër spital, ai do të ecte përpara ndërsa e shoqja, sipas kërkesës së tij, ecte disa metra prapa, sipas zakoneve të veriut, meqë burri dhe gruaja, nuk mund të ecin së bashku. Kishte aftësi shumë të larta, profesionale. Kur më 1993, u shtrova dhe u operova nga prostata, ai qëlloi të kthehej për disa javë nga Bashkimi Sovjetik, ku kishte shkuar pas ngjarjeve të vitit 1991 dhe ku punonte në një nga klinikat më në zë të Moskës. Kur pyeti për mua dhe mori vesh nga shokët se unë ndodhesha i shtruar në spital dhe plaga nuk po më mbyllej, megjithëse kishin kaluar 4 muaj pas operacionit, më dërgoi fjalë që; “i thoni Robertit, të gjejë mundësinë e të vijë tek unë në Moskë, se kam për ta rinuar”.
Më kujtohet se në klinikën e tij, këtu në Spitalin Nr. 2, punonte dhe një mjek tjetër, i quajtur Ali Spahia. Në paraqitje, ishte jashtëzakonisht i shëmtuar. Edhe me këtë kisha mjaft muhabet, por rrinte gjithmonë si i veçuar dhe si i trembur. Kuptova se kishte mendime përparimtare, por e ngatërruan keq dhe e dënuan me burg, dënim të cilin e kreu kryesisht po në Spitalin Nr. 2, në Pavionin e Burgut. Mbas vitit 1990, u ndodh në Shkodër dhe u përzje në lëvizjet antikomuniste dhe më pas, u zgjodh deputet dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
Në Spital zura gjithashtu shoqëri me mjekun Fedhon Meksi, me Farmacistin e Spitalit Dr. Erebara, i cili u dënua në burg (nuk e mora kurrë vesh, se për ç’arsye) dhe me farmacistin tjetër, Ylber Fortuzin, që kishte marrë për grua një bullgare, me të cilët lidhëm miqësi shoqërore. Zura miqësi edhe me mjekët Lumto Peçi (e bija e Shefqet Peçit), Perlanda Pirdeni (dy vëllezërit e saj i kisha shumë shokë) dhe Violeta Moskon.
Nuk mund të harroj Dr. Ylli Shtyllën, të birin e Dr. Medar Shtyllës, mik i babës tim. Miqësia me të vazhdon edhe në ditët e sotme. Aty lidha miqësi me mjekun e sapo diplomuar, Stefan Vokopola (i biri i mjekut, Mit Vokopola, nga Durrësi, që rastësisht, duke dashur ta uroj me rastin e Vitit të Ri 2005, e shoqja më njofton në telefon, se Stefani kishte tashmë dy muaj që kishte vdekur), si dhe me shokët e grupit te tij; Jorgji Jani, Afrim Çeço, Ben Çeta (Benjamin Çeta), Nestor Polimeri, etj., që kryenin praktikën pas-universitare, në klinikat e Spitalit.
Gjithashtu zura miqësi edhe në Spitalin e Pediatrisë me Prof. Selaudin Bekteshin, me nipin e tij Dr. Inis Boletini (i nipi i Isa Boletinit) me Dr. Krisavgji Rekën dhe me një grup mjekësh pediatër. Pa harruar dhe një grup shumë të madh infermierësh dhe infermieresh, nga të tre spitalet. Në atë periudhë, u miqësova shumë me mjekun neuropsikiatër, Nestor Polimeri, elbasanas. Me insistimin e tij, shkova dhe në Elbasan dhe bashkë me të, vizitova Repartin Psikiatrik, ku aty ndodhej “i shtruar” edhe i vëllai i Teme Sejkos. U ftova dhe në shtëpinë e tij, ku takova nënën e tij, mbi 60 vjeçe, që e gjeta duke lexuar një roman anglisht. Më shpjegoi se kishte ndjekur kursin për vajza, në “Robert College” të Stambollit (atë që ja kishin propozuar dhe nënës time, por mentaliteti i kohës, nuk e lejoi që të shkonte). Pas vitit 1991, Nestori shkoi dhe ai jashtë shtetit, në Greqi, ku vdiq (kështu thonë) nga një kancer në tru.
Më duket se e teprova me gjithë këta emra. Aty në Spital, siç e përmenda, u njoha edhe me mjekun, Jorgji Jani, i cili kishte shkuar për specializim në Çekosllovaki dhe ishte kthyer si specialist i prodhimit të ‘Gama Globulinës’. Për shkak të miqësisë së krijuar, i kërkova atij, të kaloja në vartësi të tij, si Laborant Mikrobiolog. Dhe kështu u bë. Më 1962, kalova në varësi të tij, në një repart që sapo ishte hapur në Spitalin Nr. 2, aty ku sot ndodhet Farmacia e këtij Spitali.
Aty fillova të punoj në prodhimin e ‘Gama Globulinës’ në dhoma frigoriferike’ me temperatura nën –5°C. Aty pata shokë pune’ Hajredin Zajmin (i cili ndërroi jetë në dhjetor 2005). Duke punuar aty, pa shkëputje nga puna, ndoqa kursin njëvjeçar, për Laborant Mikrobiolog, të cilin e përfundova me notën 8 (diploma me firmën e Dr. Drini Ohrit, Zv/Ministër i Shëndetësisë, ndodhet në dokumentet e mia). Duhet të shënoj se këtu në këtë repart, erdhi të punojë edhe laborantja Lejla Stermasi, e bija e Aqif Beut, me të cilën u miqësuam dhe më vonë u dashuruam dhe u martuam. Nga kjo martesë, lindën dy djem; Kostaqi më 1969 dhe Klodiani, më 1975. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm