Nga Spartak Topollaj
-LEHTËSIA E PAPËRBALLUESHME E MOSNDËSHKIMIT TË MERITUAR TË KRIMINELËVE!-
Memorie.al /Sa herë mbarojnë luftërat dhe agresionet, apo shemben regjimet totalitare, diktaturat dhe pushtetet despotike, të majta apo të djathta qofshin, gjithnjë kam menduar, nëse ka patur një ndëshkim të drejtë ligjor mbi ata, të cilët urdhëruan, apo zbatuan deri si ekzekutorë materialë, gjenocid, krime lufte, masakra, vrasje, përdhunime, terror, tortura dhe deportime me forcë, ndaj njerëzimit. Natyrisht, kriminelë të tillë pati kudo gjatë luftërave, apo diktaturave dhe do të duhen kolana të tëra librash, të paraqiten e të vërtetohen me dokumente këto krime dhe autorët urdhërues, apo ekzekutues të tyre!
Më me interes për né shqiptarët, do të ishte fati dhe fundi kriminelëve në Shqipërinë e Diktatorit Hoxha, e në Kosovën e sunduar nga klika Tito – Rankoviç, e më pas nga ajo Milosheviç – Vuçiç, pastaj, edhe ai i kriminelëve të luftës në Gjermaninë naziste hitleriane, Italinë fashiste musoliniane , apo në BRSS, gjatë sundimit bolshevik, kryesisht gjatë 35 viteve,kur udhëhiqeshin nga Lenini dhe Stalini!
Në Shqipërinë e Diktatorit Hoxha, për mbi 40 vite , ku çdo krim shtetëror, bëhej me dijeninë dhe miratimin e Komandantit (siç pohonte në gjyq vetë Koçi Xoxe, 1948-‘49, e pas tij ministrat Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, e të tjerët – 1983), pati vetëm dy herë ndëshkime të kriminelëve në krye të Sigurimit të Shtetit dhe këto, vetëm për një numër të kufizuar syresh!
Kështu, u dënuan disa hierarkë të kohës së Koçit, deri te famëkeqi sadist Toger Baba (Hodo Habibi), që në fakt gabimisht dhe djallëzisht, e quajtën të “kohës së Koçit”, mbasi ato krime ishin në të vërtetë, të kohës së Enverit, deri edhe té grupi i fundit në gjallje, të paranoiakut makbethian, Enver Hoxhës, i cili dënoi me vdekje katër, nga ata që i inkuadroi në “Grupin e madh armiqësor, të poliagjentit Mehmet Shehu”, 27 vite Kryeministër i tij…?!
Si nxitje përfundimtare për këtë shkrim, për mua, u bënë njëkohësisht, një libër dhe një film, ku secili ka rolin e tij, në dhënien e një opinioni timit, mbi (mos)ndëshkimin e kriminelëve nazistë me damkë, nga Göringu, e Himmleri, deri té monstra ç’njerëzore Dr. Mengele i Auchvicit!
Një pasdite vjeshte në Milano, ku sapo isha emëruar Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë (Shef i Misionit tonë Diplomatik), teksa po shëtisnim në Galerinë e mrekullueshme Vittoro Emanuele II, së bashku me zonjën, më tërhoqën vëmendjen, në vitrinat e mëdha të qelqta të Librarisë së famshme Rizzoli, dy tituj librash:
“Himmler il Burocrate dello Sterminio” dhe “Archivio Mitrokhin”!
Pasi u futëm brenda, pa hezituar i blemë të dy librat, e që nga ajo ditë, rrallë më qëllonte të mos frekuentoja Rizzoli-in, ku merrja dhe gazetën më të madhe të përditshme në shqip, “Bota Sot”, të vëllezërve Mazrekaj, në Zvicër!
Për librin e dytë, do të shkruaj një herë tjetër, pasi autori i tij kryesor, ishte Vasilij Mitrokhin, Drejtor për 22 vite i Arkivit të KGB-së sovjetike, arratisur në Britani me një numër të pafund dokumentesh ‘Top sekret’ të mikrofilmuara nga arkivi që drejtonte vetë…!
Autor i librit të pare, ishte historiani dhe profesori i famshëm amerikan i Universitetit të HARVARD-it, (aktualisht 75 – vjeçar), Richard David Breitman.
Në origjinalin anglisht, libri titullohej: “Arkitekti i Gjenocidit – Himmler dhe Zgjidhja Finale”
(The Architect of Genocide – Himmler and the Final Solution), por mua, nuk di pse, mu duk më i goditur titulli në italisht, “Himmler – IL Burocrate dello Sterminio” (“Himler – Burokrati i Shfarosjes”) !
Ky libër, sa tronditës, aq edhe mahnitës, paraqet me vërtetësi të pakundërshtueshme dhe me dokumente autentike, ideatorët e Zgjidhjes Finale, Holokaustit, pra shfarosjes së Kombit Hebré, ashtu si edhe ngritjen, organizimin dhe funksionimin e makinës së përkryer gjigande të Shtetit, ekonomisë, ushtrisë, e spiunazhit në Rajhun III-të hitlerian të dhunës unikale në Europë!
(Endé mbetet vështirësish e kuptueshme, se si Hitleri, ardhur në pushtet më 30 janar 1933, në një Gjermani të mundur e të rrafshuar për tokë, në fund të Luftës së Parë Botërore, por edhe pas krizës më të madhe ekonomiko-financiare botërore, të viteve 1929-1933, e nxori Gjermaninë më 1938-ën, fuqi të parë të Europës dhe të dytën në Botë pas SHBA-ës, madje pa patur koloni gjysmën e planetit, siç edhe e kishin, Britania e Madhe dhe Franca?!).
Duke krijuar një sistem të tillë informativ, gjurmues, spiunimi, zbulimi e hetimi, Fyhreri nazist, Adolf Alois Hitler, mbajti në këmbë ngrehinën e tij shtetërore dhe pushtetin absolut personal!
Ai u ndihmua më së shumti nga tre figurat më të larta të Nacional-Socializmit gjerman: Hermann Wilhelm Göring (12/01/1893-15/10/1946), Heinrich Luitpold Himmler,(07/10/1900-23/05/1945) dhe Paul Josef Goebbels, (29/10/1897 – 01/05/1945)!
Ata u morën personalisht, kuptohet me miratimin e Hitlerit, në përzgjedhjen e krerëve më besnikë dhe më fanatikë, që do të viheshin në krye të Shërbimeve Inteligjente dhe Policive Politike Sekrete, si GESTAPÓ, SS, ABWEHR, SD, RASH,SA, si edhe me propagandën e pareshtur naziste etj!
Emra, si Admirali me origjinë italiane Wilhelm Franz Canaris,(01/01/1887-09/04/1945) Reinhardt Tristan Eugene Heydrich, (07/03/1904-4/06/1942 ), Walter Friedrich Schellenberg, 16/01/1910-31/03/1952, Ernst Kaltenbrunner (austriak), 04/10/1903-16/10/1946) Heinrich Müller 28/05/1900-01/05/1945) Otto Adolf Eichman (19/03/1906-01/06/1962)
Josef Rudolf Mengele (16/03/1911-07/02/1979) etj., etj,, edhe sot e kësaj, dite kanë mbetur simbol i deformimit dhe i denatyrimit shtazarak të mendjes njerëzore, e cila me një ftohtësi drithëruese, pranonte madje me bindje të plotë, se: vrasja e një njeriu, mund të quhet krim, ndërsa vrasja e miliona njerëzve, është thjeshtë dhe vetëm statistikë?!
Holokausti nazist mori jetën e mbi 6 milionë hebrenjve, duke qenë kështu super gjenocid dhe jo statistikë!
Né si shqiptarë, të paktën kemi mbetur unikalë, për faktin se nuk denoncuam asnjë familje hebreje té gjermanët në të gjitha trojet shqiptare dhe se ishim i vetmi vend , ku numri i tyre në mbarim të Luftës, ishte më i madh, se ai në fillim të saj !…
GESTAPO – Geheime Staatspolizei (Policia Politike Sekrete e Shtetit).
SS – Schutzstaffel – Forcë paramilitare e Partisë Nacional – Socialiste SD Sicherheitsdienst. RSHA -Reichssicherheitshauptamt. ABWEHR – Mbrojtja – Shërbimi Sekret Inteligjent i Ushtrisë.
SA – Sturmabteilung. Këto ishin Shërbimet kryesore Inteligjente naziste. Me përjashtim të Reinhardt Tristan Eugene Heidrich, i cili vdiq plot 80 vite më parë, pas një atentati në Pragë nga të rinj anti-nazistë dhe atdhetarë, teksa ishte plagosur rëndë, kur ai ishte jo vetëm Shefi i SD-ve, por edhe Governator i Çekosllovakisë, si Mëkëmbës i Fyhrerit atje !
Që pati dënime të kriminelëve nazistë të Luftës, kjo dihet, por a ishin ato, në raport të drejtë me krimet e llahtarshme, që ata urdhëruan e zbatuan kundër njerëzimit në vitet 1939 – 1945, pra gjatë gjithë Luftës II-të Botërore?! Me plot gojën mund të thuhet: JO! Vërtetë u zhvillua Gjyqi i madh i Nurembergut, për rreth 200 kriminelë nazistë, që zgjati plot 1 vit (Tetor 1945 – Tetor ‘46 ), në fund të të cilit, 24 kryesorët e tyre u dënuan rëndë, me vdekje (varje në litar), 11 të tillë, të tjerët me burgim të gjatë, ndërsa në të gjitha gjykatat ushtarake kaluan dhe u dënuan rreth 1600 syresh…, por kjo, ishte shumë pak!
Fyhreri, Adolf Alois Hitler, i pa shpresë për shpëtim me arratisje, i bindur për fundin e tij, (Ushtria e Kuqe ishte vetëm disa qindra metër nga Superbunkeri i tij), pasditen e 30 prillit 1945, mbasi kreu celebrimin e martesës me Ewa Braun, provoi efektin e cianurit te qeni i tij “Blondi”, (që shijoi për të fundit herë “tortën” dhe ngordhi mbas disa sekondash), bëri të njëjtën gjë për vete dhe Ewën! Ai kish urdhëruar badigardin personal, që fill pas vdekjes së tij, ta qëllonte në kokë me ‘Walter’-in, që s’e hiqte kurrë nga brezi, për të krijuar përshtypjen e vetëvrasjes me revolver, pas së cilës, trupat e tyre të digjeshin, detyrë që, badigardi dhe shoferi i ‘Mercedes – Benz’-it të tij super të blinduar (770 W 150 II me tre diferencialë), në nxitim e sipër, nuk e kryen mirë dhe trupat pjesërisht të karbonizuar, u gjetën nga skuadra speciale e Kolonelit sovjetik Lev Bezimenski nën rrënojat betonarme të super-bunkerit, që koloneli tjetër hebréo-sovjetik, eksperti kriminalist, Dr. Faust Çkaraviski, lehtësisht i identifikoi si Hitleri (dhe jo Adami i Biblës me Ewën e tij)!
Mosha, gjatësia, krahasimi i urave të florinjta të dhëmbëve me kartelën dentare të Hitlerit (gjetur në kabinetin e dentistes personale), si edhe defekti i lindur i tij-Monorhizmi, (mungesa e njërit prej testikujve, ndaj ai s’pati kurrë fëmijë), vërtetonin padyshim, se kufoma ishte vetë Fyhreri ! Stalini, urdhëroi rreptësisht ruajtjen e sekretit dhe përhapjen e legjendave se Hitleri, e bashkë me atë edhe nazizmi, janë gjallë ?! Variantin real e dhanë (gjoja si imagjinar) në filmin “Rënia e Berlinit”. Ndërsa, vetëm 10 vite pas vdekjes së Stalinit, më 1963, Hrushovi lejoi publikimin e librit të Bezimenskit, “Më në fund, e vërteta mbi vdekjen e Hitlerit” me dokumente dhe foto autentike të këtyre që përshkruam më lartë! Hitlerit, i’u bënë një numër i madh atentatesh, por çuditërisht, ai i’u shpëtoi të gjithave?!
Ndër më të çuditshmit ishte ai i kolonelit Claus Schenk Graf von Stauffenberg, i 20 korrikut 1944, ora 12.42’, në Konferencën e Rastenburgut, në sallën Wolfsschanzen, ku dinamiti i vendosur poshtë tavolinës shpërtheu, por këmba e saj e trashë prej druri të staxhionuar arre, e shpëtoi Fyhrerin vetëm me një plagosje?! Atentati ishte finalizimi i Operacionit “Valkiria”, një grusht shteti i pasuksesshëm i ushtarakëve të pakënaqur nga humbjet dhe strategjia e politika e gabuar e Fyhrerit të tyre, mes të cilëve i dyshuar ishte edhe Admirali Kanaris, arrestuar nga ai që e zëvendësoi në krye të ABWEHR-it, Walter Schelenberg.
I torturuar egërsisht, vdiq i varur me një kordë pianoforteje. U arrestuan rreth 5.000 komplotistë, 200 prej të cilëve me Stauffenberg të parin, kaluan në duart e xhelatëve dhe plotonit të ekzekutimit! Göring, heroi i Aviacionit, themelues e Komandant i Lüftwafe-s, mbërriti deri gradën më të lartë të Wehrmacht-it, Feldmareshal dhe vetë Hitleri, e kish paracaktuar si njeriun e parë, që mund ta zëvendësonte (i dyti ishte Rudolf Walter Richard Hess)!
Göring ishte një grykës i pangopur, obez deri 140 kg., i fiksuar pas gjuetisë, madje mbahej si krye-gjahtar i Gjermanisë, ves që Hitlerit s’i pëlqeu kurrë dhe koleksionist patologjik i veprave të artit, grabitur nga nazistët në vendet e pushtuara prej tyre, si Francë, Holandë e Itali! Pas dhënies së vendimit për dënimin me vdekje, ai i lut Gjykatës së Nurembergut, t’ia kthente varjen në litar, në pushkatim, por kërkesa iu refuzua kategorikisht! Kështu, disa orë para se ta varnin, gëlltiti ampulën me cianur potasi, sjellë nga roja i tij, togeri amerikan Jack Wheelis, i kompromentuar herët prej Göringut, që i kish dhuruar plot gjëra me vlerë, përfshi një orë të personalizuar floriri me diamante ! E megjithatë, trupi i vdekur i tij, iu ekspozua dëshmitarëve të varjes së 10 kriminelëve të luftës, bashkë me ata, duke u bërë kështu i 11 kriminel i vdekur në Nuremberg ! Xhelati që i vari ata, ishte rreshteri amerikan John C. Woods!
Hess më 10 Maj 1941, kish fluturuar me një Messershmitt 110 BF për në Skoci, ku u detyrua të ulej pas një defekti, me urdhër,apo miratim të Hitlerit, për té britanikët, por ata, e konsideruan me probleme neuropsikike, si rrjedhojë të pabesueshëm, ndaj dhe e arrestuan, e katër vite më pas, 1945, e dërguan në Gjyqin e Nurembergut, ku u dënua me burgim të përjetshëm, deri sa në rrethana enigmatike, u vetëvar në burgun Spandau, të Berlinit Perëndimor, më 17/08/1987, 93 vjeç, në prag të lirimit, me dakordësinë e sovjetikëve, e personalisht Gorbaçovit?! Të njëjtin fund, kish patur më parë edhe Himmler. I vetë dorëzuar te aleatët, ky, ndryshe nga Göringu, mjeshtërisht kish fshehur ampulën me cianur në çizme dhe e gëlltiti atë më 23 maj 1945! Përpjekjet për t’a detyruar ta villte helmin, dështuan!
Gëbbelsi, ndër më të mëdhenjtë të propagandës trushplarëse, që ka njohur historia bashkë me Zhdanovin e Stalinit, i dha fund jetës në Superbunkerin e Kancelarisë së Rajhut, disa orë pas Hitlerit, pra më 1 maj 1945, duke vrarë me revolver Magdën e tij besnike, e cila ia kish falur lidhjen e gjatë me artisten çeke Lida Baarová, e pastaj edhe veten e tij! E pabesueshme, e llahtarshme, por e vërtetë, para vetëvrasjes, çifti Gëbbels helmoi me cianur të gjashtë fëmijët e tyre?!
Karl Dönitz, Kryeadmiral, (1891 – 1980), President i Rajhut për 23 ditë, ndër të fundit, që e takoi Hitlerin në Superbunkerin e tij në Prill të 1945 ishte njëkohësisht Strateg i luftës me nëndetëset cilësore gjermane! U dënua me 10 vite burg në Nuremberg dhe më 1958, publikoi librin “Dhjetë vjet e njëzet ditë”.
Martin Ludwig Borman (1900 – 1945), Shef i Kancelarisë së Partisë Naziste dhe Sekretar personal i Hitlerit, një nga njerëzit më të besuar dhe influentë té Fyhreri! Vdekja e tij, si për askënd tjetër nga hierarkët nazistë, deri vonë ka qenë e mveshur me mister dhe teori konspirative pa fund, mbi arratisjen në Spanjë, e më pas, në disa nga vendet latinoamerikane, ku qeverisnin juntat e djathta, e deri dhe probabiliteti, që ai të ishte një spiun i Stalinit, këshillat qëllimisht të gabuara të të cilit ndaj Hitlerit, çuan disa herë në disfata ushtrinë e Rajhut III-të!
Eshtrat e Bormannit u gjetën vonë dhe ADN e njërit prej 10 fëmijëve të tij (Martin Bormannit të ri), vërtetoi, se ishte mbi 99.69 % e njëjtë me atë të babait, Martin Ludwig Bormann! Edhe për gjeneralin, Heinrich Müller, Shefin e GESTAPÓ-së, ashtu si edhe për Bormanin ka patur disa versione, një nga të cilët, është edhe ai, (Muller), që sovjetikët e përdorën për të marrë çdo informacion dhe e sollën në Shqipëri në vitet ’50-të, duke e përdorur, ashtu si Kim Filbin, për kapjen e të dërguarve, nga anglo-amerikanët, të atyreve antikomunistëve, që synonin rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës, të njohur si diversantët!
Në Nuremberg, u ekzekutuan me varje :
- Ulrich Friedrich Wilhelm Joachim von Ribbentrop, Ministër i Jashtëm.
- Wilhelm Bodewin Johann Gustav Keitel – Gjeneral.
- Ernst Kaltenbrunner – Gjeneral
- Alfred Ernst Rosenberg Ideolog i Partisë Naziste.
- Karl Hermann – Gjeneral, Politikan, Ministër.
- Frank Wilhelm Frick – Politikan, Gjeneral, Ministër i parë i Brendshëm i Hitlerit, që në vitin 1933.
- Julius Streicher – politikan nazist, botues i “Der Stürmer”, gazetë antisemite e tërbuar.
- Ernst Fiedrich Christoph “Fritz” Sauckel, Politikan, Ministër i Plotfuwishëm i Punës.
- Alfred Jodl, – Gjeneral, që kish firmosur kapitullimin pa kushte të e Gjerrmanisë naziste!
- Arthur Seyss- Inquart – Kancelar i Austrisë, Komisar nazist pêr Vendet e Ulëta, Ministër i Jashtëm .
Prokuror i kësaj Gjykate ishte: Robert Houghwout Jackson, ndërsa Kryetar i Gjyqit: Geofrey Lawrence, dhe Iona Timofejeviç Nikitçenko, ai që kish dënuar me vdekje Kamenievin dhe Zinovievin, një nga prokurorët më të tmerrshëm të purgës staliniane në BRSS !
Kërkimi, kapja dhe rrëmbimi, apo ekstradimi i bishave të tilla, me fytyrë njeriu, nuk di pse u ndal nga MOSSAD-i izraelit, apo CIA, Intelixhens Servis, BND-ja, me Otto Adolf Eichman, edhe ndonjë tjetër, jo aq të rëndësishëm, i cili, pasi u kap i fshehur nën emrin fals Rikardo Clement, e u soll në Izrael nga Argjentina, u gjykua, u dënua me vdekje dhe u var në Burgun Ayalon në Rammallah më 1 Qershor 1962 ! Këtu nuk mund të mos përmendim Simon Wiesenthal, 1908 – 2005, hebreo-austriakun e mbijetuar të Mat’hauzenit, ing. dhe shkrimtar, që i’a kushtoi jetën gjetjes dhe kapjes së kriminelëve nazistë si Eichman, ndihmësit të tij Bryner (vdekur në Siri té Assadi),
Komandantit të Kampit të Treblinkës, vrasësit të Anna Frankut, e disa të tjerëve! Nga ana tjetër, kurrë nuk u kuptua, si nuk ia mbërritën ta gjenin, ta kapnin dhe ta sillnin në Izrael, apo në Gjermani, Doktorin e vdekjes, Josef Rudolf Mengele, njeriun mostër, që krimin e perfeksionoi si shkencë?! I akullt, i paskrupullt, gjakftohtë dhe urrejtës ndaj mëshirës, ai do të mbetet unikal, jo thjeshtë për numrin e të vrarëve (shumica në duart e tij ), po për mënyrën se si dhe sa “shkencërisht” i çoi viktimat e veta në atë botë, përfshi edhe qindra fëmijë, veçanërisht kur ata ishin binjakë monozigotë, ndaj të cilëve, në trupat e tyre të gjallë, pa kurrfarë narkoze, eksperimentoi çfarë i tha mendja diabolike prej antropologu dhe eugjenologu xhahil, që do t’ia kishin zili Markezi de Sad dhe Drakula vetë!
Me dy diploma universitare në Mynih dhe Frankfurt, ai iu vu me një vullnet të hekurt, e ambicie të pakufishme, pa u ndalur para asnjë krimi, vërtetimit në praktikë super çnjerëzore dhe megakriminale, të teorisë racisto-naziste mbi epërsinë e racës ariane ?!!! Ndaj, edhe me zell të paparë, ai nisi punën në Kampin e llahtarshëm nazist të shfarosjes në Auschwitz! Sado e fortë të jetë pena e kujtdo, nuk mund të përshkruhen kurrë të tëra dhe të plota eksperimentet torturuese çnjerëzore të tij ndaj të mjerëve, që kalonin në duart e “Engjëllit të Vdekjes”, apo “Engjëllit të Bardhë”, siç u mbiquajt ai ! Injektimi i fenolit në vena për të matur, se pas sa sekondash do të vdiste “pacienti” fatkeq i radhës, e deri te eterocromia (nxjerrja e syve për së gjalli, té ata të burgosur, që njërin sy e kishin të kaltër e tjetrin ngjyrë gështenjë), për t’i studiuar në laboratorët e Berlinit!…(nuk duhet harruar, se edhe të pushkatuarve të Revoltës së Qafë – Barit, Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit (i’u nxorën sytë për “studime” shkencore, me urdhër të Hekuran Isait, anëtar i Byrosë Politike dhe Ministër i Brendshëm i regjimit komunist enverian)?!
Eugjenetika dha Aktion T 4, plus eutanasia e asistuar, ishin normale për “studimet shkencore”të Mengelesë, që do t’i “vërtetonte” Hitlerit dhe gjermanëve, epërsinë e racës ariane mbi të tjerat?!!!
Gjermania mbi të gjitha, ndryshonte kryekëput, nga Gjermania mbi të gjithë?!
Helmut Gregor, ishte emri i rremë i tij në Itali, prej nga ku, iku në Argjentinë, Paraguai e Brazil, deri sa, 25 vite më pas, në një ditë vere, 07/02/1979, mbytet fare pranë bregut në Atlantik, mesa duket, mbas ndonjë iktusi të pësuar ?!!!…
U varros si Wolfgang Gerhard në Bertioga të Brazilit, por prova gjenetike e ADN-së më 1992, vërtetoi se në varr, nuk ishte askush tjetër, veç kryemonstrës, që paradoksalisht vdiq në liri ?! Tmerret dhe krimet e përbindshme të tij, Hollywood-i i paraqiti në dy filma të mrekullueshëm për nga realizimi dhe interpretimi, i regjisorëve dhe aktorëve të mëdhenj:
1976: “IL Maratoneta” (Njëriu Maratonë) John Schlesinger, regjisor, Dustin Hofmman dhe Laurence Olivier aktorë dhe 1978 “I ragazzi venuti del Brasile” (Djemtë e ardhur nga Brazili) Regjisor Franklin J. Schaffner me aktorët Gergori Peck dhe përsëri Laurence Olivier!
Njerëzimi, natyrshëm dhe me të drejtë, priste ndëshkime dhe dënime të rënda për kriminelët e luftës, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi!
Përgjegjësia, ishte së pari e aleatëve Anglo – Franko – Amerkanë, të cilët i patën të gjitha mundësitë ta bënin, ashtu si edhe vetë Gjermanisë së Kancelarit Konrad Adenauer!
E pabesueshme, por e vërtetë, edhe pse është fyerje e rëndë për miliona viktimat e nazizmit, nê Amerikën e demokracisë, vetëm pak ditë më parë, del në ankand , një nga orët e arta me 12 rubinë të kuq e koleksionit të Hitlerit dhe e personalizuar me inicialet A H e markës ‘HUBER’ që u ble për 1.1 milionë $ ?!
Në krye të këtij shkrimi, përmendet një film i mrekullueshëm gjerman, protagonist kryesor i të cilit, një prokuror i ri , i përkushtuar për drejtësi dhe idealizëm, iu vu me shumë zell detyrës, të zbulonte hierarkë dhe krerë partiakë apo ushtarakë nazistë, që ashtu si pa u ndjerë, ishin stabilizuar e rehabilituar pas Lufte, në punëra komode, administratë, funksione publike, deri dhe në Drejtësinë e re?!
Kudo gjeti pengesa nga ata më “lartë”, që këshillonin, të mos merrej me këtë histori, që shefat e konsideronin tashmë të mbyllur dhe kundër produktive! Ai vazhdoi me këmbëngulje, por fatkeqësisht zbuloi, se edhe i ati e vjehrri, kishin qenë pjesë e Partisë Naziste, ashtu si shumica e gjermanëve, trutë e të cilëve, edhe pse komb vital i disiplinuar e me virtyte, i kishte shpëlarë doktrina hitleriano – gëbelsiane e supremacisë së racës së “pastër” ariane! Jep dorëheqjen në një moment dëshpërimi, por në fund, i këshilluar dhe i ndihmuar nga eprori i tij po aq pozitiv, sa ai, rikthehet në detyrë si prokuror, me moton: lufta për drejtësi duhet të vazhdojë!
E këtu, për ta mbyllur këtë shkrim, i cili do të pasohet nga të tjerë shkrime po me këtë temë, dua të shtroj pyetjen: Si mund ta kuptojnë shqiptarët, 50 vite të vrarë, torturuar, burgosur, internuar dhe persekutuar, nga diktatura komuniste më antiamerikane dhe anti perëndimore e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij karikaturë, por gjakatar të tij, që e tërë nomenklatura e lartë, e Partisë dhe Shtetit, nga Politbyroja, Komiteti Qendror i PPSh-së, e deri té krerët e organeve represive të dhunës shtetërore, (Ministria e Brendshme, Sigurimi i Shtetit, Prokuroria, Hetuesia etj.), të dënuar nga drejtësia e re pas vitit 1992, nën Presidencën e Prof. Dr. Sali Berishës (madje tre më tipikët, Aranit Çela, Rrapi Mino e Zylyftar Ramizi edhe me vdekje, vendim, që Këshilli i Europës nuk e lejoi të ekzekutohej ?!), gjetën strehim politik, pikërisht në Perëndim, ata që ikën në ‘92-sin nga frika e ndëshkimit për krimet e tmerrshme, madje në tejkalim edhe tê vetë ligjeve e Kodit Penal të Diktaturës, si edhe ata që i nxori nga burgu, ‘97-a, përjashtuar Nexhmije Hoxhën dhe Ramiz Alinë, që parapëlqyen të bënin “shkrimtarin” e gënjeshtrave, duke pretenduar, deri sa vdiqën të mallkuar përjetësisht, se dëshmonin për historinë?!
Thuhet, se gungaçëve, vetëm varri mund t’iu a drejtojë gungën, por Ramiz Alisë =, Nexhmije Hoxhës dhe të tjerëve të sojit të tyre kriminal e antikombëtar, besoj se as varri nuk do t’iu a ketë drejtuar gungën! O Tempora, o mores, thonë latinët! Memorie.al
DIPLOMAT & HISTORIAN