Nga Bashkim Trenova
Pjesa e dyzetë e një
Memorie.al /publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturg dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëri e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
ME “HERONJTË E POPULLIT”
BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA
Përse Enverit nuk mund ta linte të gjallë presidentin Omer Nishani?!
Pas vdekjes së Stalinit në Bashkimin Sovjetik do të dënohej politika e tij e Gulagut, vrasjet, internimet, burgimet. Omer Nishani mund të fliste sërish me ambasadorin rus në vitin 1954, ose më pas, sikurse kishte bërë edhe në vitin 1948. Ai e dinte fort mirë tani, se nuk ishte Koci Xoxe, ish-Shefi i Sigurimit, përgjegjës kryesor për arrestimet e vrasjet pa gjyq, për terrorin dhe dhunën e pakontrolluar, por Enver Hoxha. Ishte ky që kishte urdhëruar Koci Xoxen. Ai urdhëronte edhe Omer Nishanin të vinte firmën për të miratuar ekzekutimin e “armiqve të popullit”. Tani Omer Nishani mund të fliste për të qenë i qetë me ndërgjegjen e tij, por edhe nga frika se mos e pësonte si Koci Xoxe. Asnjëherë nuk dihej se kush do të ishte “Koci Xoxe” i radhës! Ja përse atij i duhej mbyllur goja pa pritur një vdekje natyrale. Këtë gjë Enver Hoxha e kishte bërë edhe më parë me të tjerë, do ta bënte edhe në vitet në vazhdim deri në fund të jetës së tij. Dëshmitarët e krimeve duheshin eliminuar, duheshin dënuar. Duke vepruar në këtë mënyrë, krimi mbetej pa autor, krimineli paraqiste dëshmitarin ose bashkëpunëtorin si autor të tij dhe vetë mbetej i pacënuar, i nderuar, në piedestal.
Nga dokumentet e arkivave sovjetike të botuara së fundi del, për shembull, se më 20 maj 1949, Enver Hoxha i ka thënë ambasadorit të Kremlinit në Tiranë, D. S. Çuvakinit: “Prokurori duhet të kërkojë dënimin me vdekje për Koci Xoxen, burgim të përjetshëm për Pandi Kriston, ndërsa për të pandehurit e tjerë – Vaskë Koleci, Nuri Huta dhe Vangjo Mitrojorgji, gjyqi duhet t’i dënojë përkatësisht me 10-15, 7-8 dhe 3-5 vjet burg.” Ai ka bërë prokurorin dhe gjykatësin suprem gjithnjë në diktaturë.
Në bisedën me ambasadorin sovjetik, Omer Nishani ka folur edhe për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, për politikën koloniale të jugosllavëve ndaj Shqipërisë. Sipas tij ai këtë gjë e ka mësuar vetëm nga Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, sidomos nga raporti për problemet ekonomike, i paraqitur nga Gogo Nushi, në atë kohë ministër në kabinetin e Enver Hoxhës. Kjo gjë nuk duket fort e besueshme, por edhe nuk paraqet interes për t’u zhvilluar më tej. Pra, po i kthehem sërish ditarit të ambasadori sovjetik. Çuvakin shkruan në ditarin e tij se: “sipas mendimit të Omer Nishanit, të gjitha këto ndodhën sepse udhëheqësit shqiptarë, kishin harruar ndjenjën e dinjitetit personal…”!
Këtu Omer Nishani flet në përgjithësi pa kursyer as Enver Hoxhën. A është vënë në dijeni Enver Hoxha nga sovjetikët për bisedën e Omer Nishanit? Përse jo? Njohim raste të tjera, kur ata e kanë vënë atë në dijeni dhe nuk ka përse në këtë rast të bënin përjashtim. Edhe sovjetët kanë bërë politikën e tyre, d.m.th., ata “miq” me të gjithë në kupolë dhe të gjithë në kupolë armiq midis tyre. Enver Hoxha nuk mund të falte atë që i vinte në dukje tek të tjerët, tek emisarët e Vatikanit komunist, “mungesën e dinjitetit personal” edhe pse kjo mungesë vlerësohej, ishte një kartë e favorshme për të në ‘Kullën e Kremlinit’.
Ai, gjatë tërë karrierës së tij politike, që në fillimet e saj e deri në fund, ka treguar në fakt, një mungesë të plotë të dinjitetit personal, duke u bërë lajka nga më të pamenduarat udhëheqësve komunistë, vasal i të cilëve ishte, sipas epokave e rrethanave, pra: Titos, Stalinit, Hrushovit e Mao Ce Dunit. Të gjithëve u është dredhur e përdredhur si një grua rrugësh, të gjithë, përveç Stalinit, i ka sharë e pështyrë, kur ata kanë dashur ta heqin qafet. Këtë mënyrë sjelljeje, ai e ka paraqitur si dinjitet, madje jo vetëm personal, por edhe të vendit e të popullit që ka drejtuar!
Largimi nga Shqipëria i gruas austriake të Omer Nishanit?!
Pas vdekjes, vrasjes apo vetëvrasjes së Omer Nishanit, bashkëshortja e tij, Trëndafilja, kërkoi vazhdimisht me këmbëngulje të largohet nga Shqipëria. Siç duket, nuk ndjehej e sigurt sepse edhe ajo dinte shumë nga jeta e kupolës. Tani ajo ishte fare e pambrojtur, ndaj çdo të papriture të pakëndshme e çdo arbitrariteti. Vitet kalonin dhe kërkesat e saja vazhdimisht refuzoheshin të shoqëruara me konsiderata të larta. Asaj i thuhej se nuk mund ta linin të largohej, sepse gjoja nuk ishte në nderin e vendit, që gruaja e presidentit të parë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, të jetonte jashtë shtetit.
Mbas sa e sa përpjekjesh pa rezultat, dikush e këshillon Trëndafilin, t’i shkruaj Enver Hoxhës. Ajo i shkruan atij, i thotë se është plakur, se është e sëmurë dhe se si gjithkush, edhe ajo dëshironte të vdiste në atdheun e saj, ku ende kishte një shoqe të vetme që e priste, se tani ajo nuk priste tjetër gjë nga jeta veç vdekjes. Ajo i’u lut atij që të mos e linte të vdiste e vetme, pa askënd pranë, për t’i mbyllur sytë, për ta përcjellur me dhimbje e dashuri. Dhe, “çudia” është se këtë herë i eci mbarë. Diktatori dha pëlqimin e tij. Përse? Nuk mund të them gjë të sigurt. Ndoshta edhe ai, sado mizor që ishte, u ndodh në një moment jashtë qenies së tij dhe gjykoi si njeri. Ndoshta arsyetoi se në grahmat e fundit, Trëndafilja nuk kishte më asnjë mundësi, nuk kishte energji për t’iu kushtuar të kaluarës. E kaluara do të mbyllej së shpejti me të.
Trëndafilja u largua nga Shqipëria duke marrë me vete vetëm Trolin, qenin e saj besnik me të cilin, siç do të më shkruaj në letrat e saj, vazhdoi të fliste shqip. Ajo nuk e harroi kurrë Shqipërinë, që e vlerësonte si atdheun e saj të dytë. Më 5 dhjetor 1968, ajo do të më dërgojë një kartolinë, në të cilën shkruan: “Ke të drejtë Bashkim. Jo vetëm me pasaportë kam mbetur shqiptare, nënshtetase, e mbaj lart prestigjin tuaj, por e kam në shpirtin tim vendin. Luftën, revolucionin, sakrificat që keni bërë ju i kam parë, i kam jetuar, nderuar dhe pranuar”! Shëndeti i saj keqësohet gjithnjë e më shumë, vdekja i afrohet gjithnjë e më pranë. Më 30 gusht 1969, ajo shkruan nga Frankfurt mbi Main: “Tani mjekët habiten si kam shpëtuar! Por unë e dija: 1)-Jam poete. 2)-Shqipëria më ka kalitur. Vatra ime e vogël por e ëmbël”. Më 19 gusht 1970, ajo do të më shkruaj: “Ëndërroj akoma të shihemi edhe një herë në të bukurën Shqipëri, ku kam kaluar gjysëm shekulli të jetës time…! Ju përqafoj. Më falni gabimet. Trëndafile. Më vdiq Troli im besnik, shoku. Mbeta si në vetmi”!
Letrat apo kartolinat e mëpasshme do të jenë gjithnjë me shumë mall për Shqipërinë dhe do të shprehin të vetmin peng të saj, atë të kthimit edhe një herë në atë vend ku jetoi një gjysëm shekulli, sa për t’i thënë lamtumirë para se të vdiste. Shëndeti i saj vjen gjithnjë duke u rënduar. Më 5 prill 1970, ajo më dërgon një kartolinë ku shkruan: “I dashur Bashkim…Ka kohë që jam pa lajme. Me shëndet nuk jam mire, jam plakur por nuk dëshiroj të vdes para se të shoh edhe një herë për lamtumirë Shqipërinë…! Shpresova të ju shoh të gjithë juve, por ka dalë ka dalë. Bashkim, shkruaj Trëndafiles! Akoma këtu s’ka ardhur pranvera. Atje do të ketë lulëzuar natyra”.
Dy letrat e fundit që më dërgoj gruaja e Omer Nishanit nga Austria në vitin 1970!
Më 19 dhjetor 1970 ajo do të më dërgojë letrën e fundit, gjithnjë me të njëjtin mall dhe dëshirë për t’u kthyer në Shqipëri. Në këtë letër ajo më shkruan: “Viti ‘70 për mua s’para ka qenë i mire. Të them të vërtetën, nuk shkrova dot për shkak pengese shëndetësore. U plaka dhe ta haj dreqi…! Prandaj s’erdha dot këtë vit. Por shpresoj ende se mund të vij në vitin 1971. Kam qenë shumë sëmurë kur ika unë. Gjithçka e lashë atje, kasollen e vogël e të ëmbël, malin e Dajtit, rrugicat e miqtë besnikë. Si zbrazur dukesha me Trolin vetëm. Por gabova, dashurinë e kisha marrë me vete dhe nuk e humba, nuk humba lidhjet me Shqipërinë…”!
Në të vërtetë “letra” e fundit nga Trëndafilja më ka arritur më 19 korrik 1971. Në fakt nuk është një letër, por një faqe gazete. Është faqja 12 e gazetës gjermane “Landeszeitung” e datës 14 qershor 1971. Në të është vendosur një foto nga ndeshja e futbollit Gjermani – Shqipëri, në stadiumin e Karlsruhes në Gjermani. Kjo ndeshje përfundoi me rezultatin 2 me 0. Artikulli i botuar me këtë rast në gazetën gjermane titullohet: “Asnjë recetë kundër super betonit shqiptar. “Ajo, që kurrë në jetë nuk kishte qenë e interesuar për futbollin, sikurse edhe unë, ishte e gëzuar për lojën e futbollistëve shqiptarë. Duke qenë e pafuqishme të shprehte gëzimin qoftë edhe me dy a tri fjalë, për ta ndarë së bashku atë, ajo ka këputur këtë faqe gazete dhe ma ka dërguar. Nuk e di sa jetoi ende Trëndafilja më pas. Di me siguri se ajo vdiq në vitin 1971.
Vetëvrasjet enigmatike të Omern Nishanit dhe Mehmet Shehut!
Interesant është të shihet njëlloj ngjashmërie dhe njëlloj misteri në vrasjen apo vetëvrasjen e Omer Nishanit dhe në vrasjen apo vetëvrasjen, 27 vjet më vonë, të ish kryeministrit Mehmet Shehu. Në të dy rastet zyrtarisht, këmbëngulet në versionin e vetëvrasjes me dy plumba si pasojë e një sëmundjeje të rëndë apo të një krize nervore. Kjo është e kuptueshme edhe nëse e vërteta është krejt ndryshe. Më tej shihet se të dy këta udhëheqës të lartë të kupolës komuniste në pushtet, janë denigruar, poshtëruar, survejuar në prag të vrasjes apo vetëvrasjes së tyre. Të dy janë varrosur pa nderet që i përkisnin postit të tyre. Ka megjithëkëtë një ndryshim midis fundit të Omer Nishanit dhe atij të Mehmet Shehut. Eliminimi i tyre nuk bëhet për të njëjtat motive. Nëse mund të mendohet se Mehmet Shehu rrezikonte, ndoshta, pushtetin e Enver Hoxhës, nëse ai rrezikonte sidomos pushtetin e Nexhmije Hoxhës, pas vdekjes së Enverit, Omer Nishani nuk ka paraqitur asnjëherë ndonjë rrezik të tillë apo të ngjashëm. Për këtë arsye ndoshta edhe njëri, Mehmet Shehu u deklarua armik , agjent e poli agjent, ndërsa tjetri, Omer Nishani u kursye nga këto epitete.
Ai u la në harresë deri në vitin 1989, kur një spitali në Gjirokastër, qytet i origjinës së Omer Nishanit, i’u dha emëri i tij. Edhe kur po binin kambanat për pushtetin komunist, ai u kujtua vakët për të. Një ndryshim tjetër mund të jetë edhe në qëndrimin që u mbajt ndaj bashkëshorteve të Mehmet Shehut e Omer Nishanit. Gruaja e Mehmet Shehut, Fiqerete Shehu u detyrua të bëjë në hetuesi e në gjyq pohime kundër të shoqit. Ajo kishte fëmijë dhe, kur gjithçka ishte e humbur, mendonte se kështu mund t’i mbronte ata. Trëndafile Nishani, u la në harresë si edhe bashkëshorti i saj. Ajo nuk kishte fëmijë, nuk ishte nënë. Ishte ndoshta ky një nga rastet e rralla kur një grua mund të ndjehet e lumtur që nuk ka fëmijë.
Unë kam patur rastin të takohem edhe me Fiqrete Shehun dhe ‘Heroin e Popullit’, Mehmet Shehun. Me Fiqreten për herë të parë jam “takuar” kur isha student. Në ato vite Teatri i Operës dhe i Baletit të Tiranës nxori në pension në kulmin e karrierës artistike, disa artistë të shkëlqyer, mëkati i vetëm i të cilëve ishte se kishin mbaruar studimet para Luftës në Perëndim. Një prej tyre ishte edhe këngëtarja e madhe lirike, ose siç do të cilësohet në një botim të viteve të fundit, “zonja me shpirt e Operës Shqiptare”, Gjyzepina Kosturi. Unë e adhuroja Gjyzepinën në rolet e saja. Mu duk sikur iu bë një padrejtësi jo vetëm asaj, por edhe mua e të gjithë spektatorëve të Operës Shqiptare. Kisha dëgjuar nga gruaja e xhaxhait tim, Valeria Drenova, që ishte pianiste në Teatrin e Operës, se Fiqrete Shehu tregonte një kujdes të veçantë për artistët lirikë.
Letra ime për Fiqrete Shehu, ku i lutesha për Gjyzepina Kosturin!
I shkruajta një letër Fiqrete Shehut, ku i shpreha mendimin tim për cilësitë e jashtëzakonshme vokale dhe interpretative të sopranos Gjyzepina Kosturi dhe, në fund, i lutesha që të ndërhynte e të mos lejonte që atë ta detyronin të dilte në pension. Meqë unë kam patur gjithnjë një shkrim të keq, i kërkova një shokut të kursit, Sezai Sinanit nga Selenica e Vlorës, që ta kopjonte letrën. Sezaiu, një lab inatçi por edhe shok i besës, pranoi dhe pasi e kopjoi atë, pa pyetje e pa komente, duke qeshur ma ktheu. E postova letrën në adresë të Shkollës së Partisë “V.I.Lenin” drejtoreshë e së cilës ishte Fiqrete Shehu. Sigurisht që ishte një përpjekje e dështuar. Unë nuk e dija dhe as mund ta kuptoja atëherë se, Partia kishte politikën e saj të kuadrit, se ajo duhet të ngjiste në skenë artistët e rinj, të cilët ajo i kishte nisur për studime në Bashkimin Sovjetik apo në vende të tjera të Europës Lindore komuniste, si edhe ata që do të mbaronin studimet në Shqipëri. Kështu do të tregohej edhe kujdesi i saj për artin dhe do të bëheshin të ditura fitoret e socializmit edhe në këtë fushë!
Vetëm pasi kishin kaluar disa vite, Gjyzepina Kosturi ose, siç i thërrisnin miqtë e saj, Gjyzja, do të mësojë për letrën time drejtuar Fiqerete Shehut. Ishte Lili Tafaj, pianistja e talentuar e Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, me të cilën më lidhte një shoqëri e vjetër, ajo që i kishte folur Gjyzepinës për letrën time, si edhe për mua, “Migjenin e vogël”, siç më thërriste ajo nuk e di përse. Vonë kam mësuar se Lili e kishte poetin e saj të zemrës Migjenin e madh, poetin e dhimbjes dhe të rinisë.
Pas kaq vitesh Gjyzepina Kosturi, në shenjë falenderimi, vjen në studion e vogël të pianos së Lili Tafajt në Teatrin e Operës dhe improvizon një “koncert” të vogël me arie nga opera të njohura, vetëm për mua. Në të vërtetë unë thërrita edhe shokun tim, Lulzim Hanën, në këtë mini koncert. E pranishme do të ishte edhe Dhurata Koshi, e ftuar nga Lili Tafaj.
Lili e shoqëroi në piano interpretimin e Gjyzepinës. Ajo ishte gjithnjë po aq e mrekullueshme sikurse edhe në vitet kur zotëronte skenën e Teatrit të Operës. Ndjeva po atë admirim që kisha patur ndër vite për të, por tani edhe keqardhje e trishtim. E duartrokita me zemër dhe ajo u përul si një zonjë e madhe para një zotërie të një epoke tjetër, e jo para një djaloshi, që ende nuk kuptonte nga jeta dhe kurthet e saj. Ndoshta ishin duartrokitjet e fundit të një spektatori për Gjyzepina Kosturin! Pas Gjyzepinës vazhdoi “koncertin” Lili Tafaj. Ajo luajti “Varshavjanka” të Chopin-it. Lili ishte tip i gëzuar, madje e zhurmshme, gurgulluese në gëzimin e saj, por atë ditë mbi tastierë i binin lot.
Në të vërtetë, Lili Tafaj, pavarësisht nga dukja, nuk ishte dhe as mund të ishte e gëzuar në jetë. Ajo ishte e bija e intelektualit dhe avokatit të njohur Jonuz Tafai, i arrestuar nga diktatura në vitin 1947 dhe i burgosur në vitin 1948. Nga shokët e shoqet e përbashkëta, kam mësuar se Lili kishte qenë dashuruar me një futbollist të skuadrës “Partizani”, një djalë i hijshëm me fizik të fortë, me origjinë nga Lushnja, ose banor i Lushnjes më duket. Edhe në dashuri Lili nuk pati fat. Ajo mbetet e vetme me pianon e saj. Aty, përpara tastierës ajo lehtësonte trishtimin.
Nga Lili ruaj një kartolinë që më ka dërguar nga Pekini në majin e vitit 1972. Me shkrim të ngjeshur kërkon të tregojë se sa e lumtur është jo vetëm se po zbulonte një botë të re, të panjohur, por sikurse shkruan ajo, sepse “këtu kam edhe pianistin e madh Çen Pin Gan”. “Me një fjalë kaloj kryevepër”, shkruan Lili, duke mos harruar të shtojë me humor se “dietat i mbaj edhe këtu”. Pastaj vazhdojnë të falat edhe për kolegët e mi të Radio Tiranës. Ajo është e kujdesshme që edhe nga mijëra kilometra larg, të mos harrojë asnjë; Lulin, Halimenë, Natashën, Glinkën, Bardhin. Ne sot, pothuajse, nuk dimë ku është njeri apo tjetri. Jeta na përplasi mijëra kilometra larg njëri-tjetrit. Të gjithë, pa përjashtim, provuam fatin e mërgimit.
Në këtë “koncert” të vogël në studion e Lili Tafajit në Teatrin e Operës e të Baletit, nuk e përmendëm as Fiqrete Shehun dhe as letrën që i kisha drejtuar asaj në vitet e mia studenteske. Fiqretja, siç duket sipas një marrëveshjeje në heshtje, ishte arshivuar në harresën tonë, të paktën për këtë ditë. Pas disa vitesh, rasti e solli që unë të takohesha me të dhe bashkëshortin e saj, Mehmet Shehun.
Takimi im me Mehmet Shehun në vitin 1979, pas dështimit të stërvitjes së madhe, “Biza”!
Për herë të parë me Mehmet Shehun, kryeministrin më jetëgjatë shqiptar, jam takuar në fillimin e vitit 1979. Ky takim ka qenë i një lloji të veçantë. Reparti ushtarak që mbante emrin e “Brigadës së I-rë Sulmuese”, organizoi stërvitjen e koduar “Biza”. Stërvitja u bë në kushte jashtëzakonisht të vështira klimatike, krejtësisht e papërgatitur dhe rezultati nuk vonoi të deklarohej: Shpartallimi i plotë i Brigadës. Pati edhe disa viktima që u tha se i hëngrën ujqërit apo që përfunduan diku në humnerë. Zyrtarisht u pranua vetëm një viktimë, por edhe për atë askush nuk u shqetësua, askush nuk mbajti përgjegjësi, madje as u diskutua.
Emri i “Brigadës I-rë Sulmuese” lidhej me emrin e Mehmet Shehut, që kishte qenë komandant i saj gjatë viteve të Luftës. Për t’u paraqitur si një hero, ky kishte thurur legjenda të tëra për heroizmat dhe lavdinë e kësaj Brigade. Ai nuk mund të pajtohej me shpartallimin e Brigadës në kohë paqe, në një stërvitje ushtarake. Aq më tepër që në atë kohë, përveç postit të kryeministrit, ai kishte edhe atë të ministrit të Mbrojtjes. Në fakt nuk ishte më e njëjta Brigadë, nuk ishte madje as një Brigadë e zakonshme ushtarake që ishte shpartalluar, por një Brigadë me ushtarë rezervistë, një Brigadë pjesëtarët apo trupat e së cilës, ishin punonjës të thjeshtë, fshatarë të krahinave të Tiranës. Brigada përfaqësonte kështu jo ushtrinë shqiptare, por atë që në atë kohë thërritej si “Ushtri e popullit ushtar”, pra popullin e rekrutuar ushtar. Sipas dogmës komuniste, në Shqipëri i gjithë populli ishte ushtar dhe në mbrojtje të socializmit. Për këtë çdo qytetar apo fshatar i Shqipërisë, kryente shërbimin ushtarak të detyruar, 20 dhe 25 ditë në vit, deri në moshën 50 apo 55 vjeçare.
Të gjithë qytetarët apo fshatarët që nuk kishin arritur këtë moshë, grumbulloheshin në qendra të ndryshme ushtarake, që gjendeshin si kërpudha anë e kënd Shqipërisë. Kjo lloj ushtrie, sipas diktatorit shqiptar, ishte tashmë e aftë të luftonte e të fitonte kundër armiqve të shumtë, kundër superfuqive të kohës dhe aleancave të tyre ushtarake, NATO-s e Traktatit të Varshavës veç e veç, apo edhe nëse ato do të bëheshin së bashku! Sipas Mehmet Shehut, ushtritë e vendeve të tilla si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Sovjetik, për të mos përmendur edhe aleatët e tyre, nuk dinin të luftonin e të fitonin sepse ushtarët e tyre ishin “bythë pambuk.” Ushtarët e Shqipërisë socialiste, të brumosur me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver Hoxha, ndryshe nga ata, “hidhnin valle në gojë të ujkut”. Dhe ja, 100 kilometra afër Tiranës, jo në kushte lufte, madje as nga “bythë pabukët”, ngjau shpartallimi i plotë i një prej strukturave më me emër të ushtrisë. Edhe unë isha efektiv i kësaj Brigadë, por në këtë stërvitje nuk mora pjesë. Nuk e mbaj mend se si ndodhi kështu. Besoj meqë punoja në “Zërin e popullit”. Ndoshta kryeredaktori duhet të ketë kërkuar të përjashtohem nga kjo stërvitje.
Dështimi i plotë dhe palavdi i stërvitjes “Biza” u përcoll me një gjendje ankthi në kryeqytet. Kjo për faktin se fajtorë për dështimin e saj u deklaruan punonjësit e Radio Televizionit Shqiptar, që murrën pjesë në të. Sipas versionit zyrtar, ata donin të ktheheshin sa më shpejt në Tiranë, për të mos humbur rastin të shihnin një ndeshje futbolli. Kjo dëshirë e tyre solli anarkinë dhe shpartallimin e Brigadës. Është sigurisht një justifikim mjaft naiv, por kjo nuk e pengoi Mehmet Shehun të urdhërojë që të grumbullohen të gjithë rezervistët pjesëmarrës në atë stërvitje, diku pranë Kombinatit të Tekstileve “Stalin” në periferi të kryeqytetit. Në këtë grumbullim isha i pranishëm edhe unë. Ne na dhanë nga një kallashnikov dhe na bënë të ecim me hap rreshtor, me kallashnikovët në gjoks të mbërthyer nga duart tona, si në paradë. Bëmë disa prova përpara tribunës ku pritej të ngjitej Mehmet Shehu. Kur Mehmet Shehu u ngjit në tribunë, ne kaluam para tij duke shtrirë hapin e duke tendosur muskujt me shpresë se do t’ia zbusnim sadopak zemërimin. Mehmeti nuk ngurroi të përdorë gjuhën e “prangave”. Ai kërcënoi me gjyq ushtarak dhe kërkoi që të vihet në vend nderi i Brigadës së I-rë, d.m.th., të niste edhe një herë nga e para stërvitja “Biza”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016