Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përkasin vitit 1990, ku ndodhet një proces – verbal i mbledhjes së sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, e cila si pikë kryesore të rendit të ditës, kishte “mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike” dhe në atë mbledhje e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari I Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, përveç sekretarëve të Komitetit Qendror si: Foto Çami, Hekuran Isai dhe Lenka Çuko, merrnin pjesë edhe disa prej funksionarëve më të lartë të udhëheqjes partiake e shtetërore të asaj kohe, si: Spiro Dede, Abdyl Backa, Ali Vukatana, Sotir Koçollari, Alfred Uçi, Dritëro Agolli, Lisen Bashkurti, Skënder Gjinushi, Neritan Babamusta, Dhimitër Shandro, Marash Hajati etj. Proces-verbali i plotë i zhvillimit të mbledhjes me bisedat e diskutimet në mes Ramiz Alisë e udhëhqjes së lartë partiake e shtetërore të asaj kohe, me drejtuesit kryesorë nga sektori i krijimtarisë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, si: Teodor Laço, Dhimitër Anagnosti e Nexhati Tafa, të cilët u ndalën gjatë në problemet e kinematografisë shqiptare.
“Të dy rrugët duket se janë racionale dhe me dobi. Janë të domosdoshme dhe studimet e plota, p.sh. studentët e degës së regjisë në Institutin e Lartë të Arteve, mund të studiojnë për regjisorë pasi të kenë mbaruar 3-4 vjet shkollë. Në përgjithësi dhe në vendet e tjera të botës, regjisorët përgatiten pasi të kenë mbaruar shkollën e lartë. Studimet për regjisurë janë për ta një shkollë e dytë. Madje në mjaft raste ata që përgatiten për regjisurë, nuk shkojnë nga fakultetet e dramës apo të regjisë, por nga fakultetet e tjera, sidomos nga ai i letërsisë. Këtë deri më sot nuk e kemi praktikuar, por me ato të regjisorit, sepse në kohën e tanishme zakonisht regjisori i filmit është dhe autor ose bashkautor i skenarit. Kjo do të ishte njëra rrugë e përgatitjes së plotë profesionale. Rruga e dytë është që kuadrot që kemi, t’i përgatisim me kurse pasuniversitare me periudhë të shkurtër 1 vjeçare për regjisurë. Përshembull, ne këtë vit mbyllëm me sukses një kurs pasuniversitar me 4 studentë të regjisurës, të cilët realizuan dy filma të mirë. Për t’u përgatitur në rrugën e parë kemi dërguar një student në Francë që do të studiojë 4 vjet regji. Megjithatë ai është një i vetëm dhe për mendimin tim, duke parë kërkesat që ka sot Kinostudioja, është shumë pak…!”
Kështu u shpreh mes të tjerash në fjalën e tij në një nga mbledhjet e sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të vitit 1990, Teodor Laço, asokohe shef i redaksisë së skenarëve në Kinostudion “Shqipëria e Re”, mbledhje me temë “Mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike”, e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, ku përveç sekretarëve të tjerë të Komitetit Qendror, si Foto Çami, Lenka Çuko dhe Hekuran Isai, ishin të pranishëm edhe pjesa më e madhe e udhëhqjes së lartë partiake e shtetërore e asaj kohe që kishin lidhje direkte apo indirekt me artin e kulturën. Për më shumë se çfarë është diskutuar në atë mbledhje ku përveç Teodor Laços, nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, merrnin pjesë dhe regjisori Dhimitër Anagnosti e skenaristi, Nexhati Tafa, na njeh dokumenti në fjalë me proces-verbalin e asaj mbledhje, që Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë, duke filluar nga ky numër.
Proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me kuadrot e sektorit të krijimtarisë së Kinostudios “Shqipëria e Re”
Në këtë mbledhje marrin pjesë sekretarët e Komitetit Qendror të PPSH-së, shokët: Foto Çami, Hekuran Isai dhe Lenka Çuko.
Marrin pjesë si të ftuar për çështjen e parë edhe shokët: Alfred Uçi, Kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve, Dritëro Agolli, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe Kryetar i lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, si dhe shokët Dhimitër Anagnosti e Nexhati Tafa, regjisorë në Kinostudion “Shqipëria e Re”, dhe Teodor Laço, përgjegjës i redaksisë së skenarëve të filmit në Kinostudion “Shqipëria e Re”.
Nga aparati i Komitetit Qendror të Partisë, merr pjesë shoku Spiro Dede, kandidat i Komitetit Qendror të Partisë dhe ndihmës i sekretarit të pare të Komitetit Qendror të Partisë.
Gjatë diskutimit të çështjes së dytë dhe të tretë, merr pjesë si i ftuar, vetëm shoku Dritëro Agolli.
Në diskutimin e çështjes së katërt, marrin pjesë shokët: Sotir Koçollari, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe President i Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë, Ali Vukatana, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe Kryetar i Komitetit të Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit të Fiskulturistve dhe Sportistëve të Shqipërisë, Lisen Bashkuri, sekretar i parë i Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, Skënder Gjinushi, ministër i Arsimit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Nga aparati i Komitetit Qendror të Partisë merr pjesë shoku Neritan Babamusta, instruktor në sektorin e arsim-kulturës.
Në diskutimin e çështjes së pestë, merr pjesë si i ftuar, shoku Dhimitër Shandro, shef i sektorit të statutit në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë.
Në mbledhje marrin pjesë gjithashtu të ftuarit e zakonshëm: shokët Marash Hajati, antar i Komitetit Qendror të Partisë dhe kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”, Abdyl Backa, kandidat i Komitetit Qendror të Partisë dhe ndihmës i sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
SHOKU RAMIZ ALIA: Fillojmë mbledhjen. Në çështjen e parë të rendit të ditës, do të diskutojmë për disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike. Në këtë fushë ka rezultate të mira. Shokët pjesmarrës në mbledhje e kanë lexuar raportin. Ka ndonjë pyetje?
SHOKU FOTO ÇAMI: Kisha unë një pyetje lidhur me idenë që jepet në raport, që edhe televizioni ynë të prodhojë filma artistik.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ka qenë ky parim.
SHOKU FOTO ÇAMI: Në televizion ne kemi një redaksi që përgatit ndonjë film, por ajo më shumë është orientuar për të realizuar ndonjë film të shkurtër, si telenovela, teledrama etj. A do të ishte racionale të kishte dy qendra për të prodhuar filma artistikë, një në kinostudio dhe një në television. Nuk e di se si e kanë mendimin shokët.
SHOKU RAMIZ ALIA: Në raport shprehej shqetësimi për vështirësitë që haseshin në gjetjen e aktorëve të kinematografisë. Si mendoni ta zgjidhni këtë problem?
Kisha edhe një pyetje tjetër, për të cilën mund të japin përgigje Dritëroi, Alfredi apo Teodori: Keni nxjerrë ndonjë konkluzion nga vendimi i Plenumit të 9-të, të Komitetit Qendror të Partisë, lidhur me rregullat e miratimit të skenarëve për filmat, etj., apo do të vazhdojmë me metodat e vjetra? A ka bashkëpunim të mirë pune midis regjisorëve dhe redaksisë së skenarëve, apo ndërmjet kësaj redaksie dhe skenaristëve?
SHOKU DHIMITËR ANAGNOSTI: Me shokët e redaksisë së skenarëve merremi vesh dhe i zgjidhim shqetësimet aty brenda për brenda kinostudios.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po ju, Teodor, ç’problem keni në bashkëpunim me skenaristët? Kur të diskutoni, mund të na sqaroni edhe për këtë çështje. Do të dëshironit të na thoshit edhe ndonjë mendim për shtypin. Shkrimet në shtyp janë pothuajse bardh e zi, ose e nxijnë, ose e bëjnë të shkëlqyer realitetin (qesh), ndërsa filmat janë me ngjyra…
Kush e do fjalën? Atëhere, le të fillojnë diskutimet nga shokët e kinostudios.
SHOKU TEODOR LAÇO: Para se të themi disa mendime lidhur me pyetjet që u bënë këtu, desha të falenderoj edhe në emër të shokëve, Sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë dhe personalisht shokun Ramiz, për konsideratën e lartë që kanë për çështjet e kinematografisë dhe për vëmendjen që tregojnë duke marrë në analizë këto çështje në një mbledhje kaq të rëndësishme. Desha t’ju siguroj njëkohësisht, se kjo mbledhje do të jetë një impuls më i madh në punën tonë për të ardhmen, për të shfrytëzuar gjithnjë e më mirë potencialin e madh intelektual që ka kinostudio “Shqipëria e Re”. Ju sigurojmë se do të vëmë të gjitha forcat për të vënë në jetë orientimet e çmuara të Partisë për të prodhuar filma artistikë në nivel sa më të lartë ideo-artistik dhe për të t’iu përgjigjur kërkesave të kohës.
Vendimet e kësaj mbledhje të Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë do t’i zbatojmë sa më mirë dhe të realizojmë patjetër një kthesë cilësore në kinematografi.
Me gjithë sukseset që janë arritur, ne jemi të ndërgjegjshëm që kemi shumë për të bërë. Tani jemi në një moment delikat të zhvillimit të kinematografisë, në një moment kur na duhet të mendojmë shumë dhe të realizojmë kthesë cilësore, sidomos në drejtim të thellimit të realizimit të filmave tanë, të trajtimit të problemeve të mprehta dhe të rëndësishme të shoqërisë, të mesazheve të mëdha filozofike që duhet të përshkojnë kinematografinë.
Mendojmë se dy janë problem kryesore kyçe që ka sot kinematografia, të cilat do ta kushtëzonin këtë kthesë cilësore:
- Orientimet tematike që nuk na mungojnë. Pak a shumë ato i njohim.
- Problemi i kuadrit krijues dhe i bazës teknike të kinematografisë. Nuk është nevoja të ndalem në këto probleme se janë paraqitur edhe në material, por desha të sqaroj diçka lidhur me problemin e kuadrit. Kemi një potencial të mirë krijues, si regjisorë, skenaristë etj., por skenaristë kemi pak dhe ata që kemi, janë pa përvojë. Skenaristët e vjetër kanë kaluar në detyra të tjera. Në përgjithësi skenaristët i kemi kuadro me përvojë të shkurtër, jo më shumë se katërvjeçare. Skenaristi më i vjetër tani është Nexhati Tafa, ndonëse është ende i ri në moshë.
Ndërsa kemi një numër regjisorësh pak a shumë të formuar, të brezit të mesëm, por që nuk kanë pasur mundësi të kualifikohen në atë shkallë sa të bëjnë me të vërtetë kthesë cilësore në kinematografi. Përgjithësisht ata janë djem të talentuar, të apasionuar, por kanë nevojë t’u hapet më shumë horizont për të rritur nivelin e tyre profesional dhe atë të kinematografisë. Niveli I filmit është tepër i lidhur dhe i varur nga niveli i regjisurës. Kështu që kualifikimi i mëtejshëm i kuadrit dhe veçanërisht përgatitja e regjisorëve të rinj, është pika më delikate midis shqetësimeve të kinostudios në fazën e tanishme.
Në qoftë se do nuk do të përgatisim regjisorë me bagazh të vërtetë profesional dhe ideologjik, kinematografia do të mbetet në këto nivele që ka sot. Dëshirojmë e synojmë të kemi regjisorë që nga pikpamja e mjeshtërisë dhe të aftësive profesionale, t’ua kalojnë edhe regjisorëve më të mirë që kemi sot, si Dhimitër Anagnosti etj.
SHOKU RAMIZ ALIA: (Qesh). Dhimitri nuk i lë që ta kalojnë, ai do të ecë përpara.
SHOKU TEODOR LAÇO: Unë desha të shtoj se përgatitja e regjisorëve të rinj, është një problem tepër i ngutshëm, sepse shumica e regjisorëve të mëparshëm, plotësojnë moshën e pensionit.
Rruga që është ndjekur deri tani për përgatitjen e regjisorve, i dha frytet e saj, megjithëse ajo është një rrugë mjaft empirike. Deri tani regjisorët janë marrë me kuadrot që kanë dalë nga Instituti i lartë i Arteve. Ata kanë mbarur studimet për aktorë, kanë punuar një kohë të gjatë si asistentë regjisorë dhe në fund u është besuar ndonjë film për ta xhiruar. Deri diku kjo ka qenë një rrugë praktike në zgjedhjen e përgatitjes së regjisorve, por ajo nuk është veshur sa duhet edhe me bagazhin e nevojshëm teorik. Në mjaft raste ka munguar edhe thithja e përvojës së domosdoshme profesionale në baza teorike dhe shkencore, e sidomos do të siguronte një kualitet të lartë të filmit.
Prandaj ne mendojmë se problemet e kualifikimit të kuadrit, të përgatitjes së regjisorëve, qëndrojnë para nesh.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kinostudio jonë ka një përvojë shumë të mirë në përgatitjen e regjisorëve dhe të operatorëve. Shumica e regjisorëve tanë kanë qenë më parë operatorë…Çmendoni ju, Teodor, lidhur me këtë çështje.
SHOKU DHIMITËR ANGANOSDTI: Ashtu është. Tre prej regjisorëve tanë më të mirë kanë qenë operatorë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Më duket se regjisorët e përgatitur me shkollë, ne vetëm dy kemi pasur…?
SHOKU DHIMITËR ANGANOSTI: Ashtu është. Pastaj u shtuan edhe tre të tjerë që kishin qenë operatorë, kurse regjisorët që erdhën më pas, janë përgatitur në kinostudio. Edhe unë jam dakord me mendimin e shokut Teodor, se kërkesat për një rritje cilësore të kinematografisë, shtrojnë nevojën për një përgatitje sa më të mirë të regjisorëve.
SHOKU RAMIZ ALIA: Shumë mirë. Kjo është e kuptueshme. Por ju mundeni se nuk keni një përvojë të brendshme të mirë për përgatitjen e regjisorve. Dhe mandej që nuk duhet hequr dorë nga kjo përvojë, e cila ka qenë dhe është mjaft efektive. (Shokët pohojnë se kjo është e vërtetë). Prandaj desha të pyes: Sipas mendimit tuaj, cila rrugë është më racionale për kushtet tona. Të përgatisim regjisorë në shkollat tona të cilët, do të vazhdojnë mësimet disa vjet, apo të kualifikohen regjisorët për një periudhë të caktuar p.sh. për një vit apo si të gjykohet?!
SHOKU TEODOR LAÇO: Të dy rrugët duket se janë racionale dhe me dobi. Janë të domosdoshme dhe studimet e plota, p.sh. studentët e degës së regjisë në Institutin e Lartë të Arteve, mund të studiojnë për regjisorë pasi të kenë mbaruar 3-4 vjet shkollë. Në përgjithësi dhe në vendet e tjera të botës, regjisorët përgatiten pasi të kenë mbaruar shkollën e lartë. Studimet për regjisurë janë për ta një shkollë e dytë. Madje në mjaft raste ata që përgatiten për regjisurë, nuk shkojnë nga fakultetet e dramës apo të regjisë, por nga fakultetet e tjera, sidomos nga ai i letërsisë. Këtë deri më sot nuk e kemi praktikuar, por me ato të regjisorit, sepse në kohën e tanishme zakonisht regjisori i filmit është dhe autor ose bashkautor i skenarit. Kjo do të ishte njëra rrugë e përgatitjes së plotë profesionale. Rruga e dytë është që kuadrot që kemi, t’i përgatisim me kurse pasuniversitare me periudhë të shkurtër 1 vjeçare për regjisurë. Përshembull, ne këtë vit mbyllëm me sukses një kurs pasuniversitar me 4 studentë të regjisurës, të cilët realizuan dy filma të mirë. Për t’u përgatitur në rrugën e parë kemi dërguar një student në Francë që do të studiojë 4 vjet regji. Megjithatë ai është një i vetëm dhe për mendimin tim, duke parë kërkesat që ka sot Kinostudioja, është shumë pak….! Një regjisor i përgatitur në këtë mënyrë mund të realizojë 6 filma në vit të nivelit cilësor. Por nuk mund të realizohen 14 filma të tillë me këtë kuadër që kemi sot në Kinostudio. Situatat shtrojnë para nesh kushtet që keni theksuar ju shoku Ramiz, që ndërmjet sasisë vjetore të filmave, të realizohen jo një apo dy filma me cilësi, por mundësisht gjysma e tërë sasisë së tyre. Problemi tjetër është ai i rinovimit të teknikës. Për këtë mund të flasë më mirë Dhimitër Anagnosti se ai, e njeh më mirë atë, megjithëse unë do të thosha se baza teknike e Kinostudios, tashmë është krejtësisht e konsumuar dhe e ka shlyer vetëveten për një kohë të gjatë. Disa aparatura filmi që përdoren për lëndë të pare, janë të një cilësie që edhe sikur të bëjmë filma artistikë të një cilësie të mirë, ato na i dëmtojnë vlerat e filmit. Cilësia e këtyre materialeve është aq e dobët, saqë nuk arrijmë të shesim filmat tonë në tregjet e huaja sidomos në Perëndim, se në Lindje kemi shitur. Për të këtë qëllim kemi përgatitur një studim të plotë për të parë se sa shpenzime do të duheshin për të prodhuar filma të një cilësie më të mirë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Pse deri tani nuk keni mundur të shisni në Perëndim asnjë nga filmat tanë?!
SHOKU TEODOR LAÇO: Kemi shitur, e shesim vetëm në Lindje.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo ka ndodhur se ju nuk keni hyrë në tregjet e Perëndimit me filmat tanë, apo se vendet e Europës nuk i marrin ato?!
SHOKU TEODOR LAÇO: Natyrisht edhe ne nuk jemi futur dot në panairet ndërkombëtare, se për këtë qëllim duhet hapur stenda dhe duhen shitur filmat.
SHOKU ALFRED UÇI: Ne nuk kemi pasur fonde të mjaftueshme për stenda, se vetëm hapja e saj kushton 8 mijë dollarë.
SHOKU DRITERO AGOLLI: Filma vizatimorë, kemi shitur dhe në Perëndim…Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016