Nga Ahmet Bushati
Pjesa e nëntëmbëdhjetë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhëtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Pjesëtarët e tjerë të familjes, të nxjerrë prej shtëpijet, do të shkojshin një jetë të tanë nën mëshirën e këshillave të lagjeve a të ndonji të afërmi të tyne, që do t’i strehonte ku të mundëte. Kishte ra në burg edhe Pjetër Saraçi, vëlla ma i madh i profesorit të historisë, Angjelin Saraçit, që kishte shkue me luftue në Kosovë bashkë me batalionin “Besnik Çano”, por pa pasë qenë ballist, veç “kombëtar”, siç do t’u shprehte ai ditën e nisjes për atje, e të vuente mandej rreth nji vit burg komunist për atë gja.
Vëlla me ta ishte edhe Ludoviku, ish-oficer xhandarmënie, që me ardhjen e komunistëve ishte arratisë në Mirditë e, vra në përpjekje me forcat e Sigurimit në vendin e quejtun “Bjeshkë të Kaçinarit”.
Nga familja e vjetër Serreqi, intelektualë dhe me gjendje të mirë ekonomike, me ngjarjet e Postrribës, do t’u burgosshin përnjëherë të katër vëllaznit: Gjoni, Ejlli, Luigji e ma i vogli i tyne, Cini. Gjoni, si ma i madhi ndër ta, gjithë jetën ishte marrë me tregti e përgjithësisht me administrimin e pasunisë së shtëpisë. Mbas tij vinte Ejlli, që kishte pasë krye shkollë tregtare në Austri, e që në kohë të Zogut kishte kenë deputet. Dy vëllaznit ma të vogjël, Luigji e Cini, kishin pasë ndjekë shkolla ushtarake në Austri.
Nji ndër të pesët vëllaznit, ishte edhe Zefi, që edhe ai kishte ndjekë karrierë ushtarake, por i ndodhun në Itali qysh në prag të pushtimit të Shqipnisë. Gjoni, mbasi të vuente dhjetë vjet burg, – pjesën ma të madhe në atë të Burrelit – do të kryente edhe pesë vjet të tjerë internim, bashkë me familjen. Ejlli e Luigji do t’u dënojshin me nga pak vite burgu, kurse Cini, ndonëse më kot, do t’u akuzonte si nji ndër organizatorët kryesorë të Kryengritjes së Postrribës e, shtëpia e tyne si qendër mbledhjesh, tue ba që ai t’u dënonte me vdekje e t’u pushkatonte.
Shtëpia e Sokolejve bante shej në Shkodër, jo vetëm si trashëgimtare e patriotit Hodo pasha, po edhe si bujare dhe e emancipueme që ishte, shtëpi rreth së cilës u sillte nji rreth i gjanë miqsh e dashamirësish. Djali ma i madh i shtëpisë, Brahimi, që në Jugosllavi kishte mbarue për Jurisprudencë, do t’u arrestonte qysh para kryengritjes sẽ Postrribës, si ish-eksponent i Legalitetit për Shkodrën. Me ngjarjet e Postrribës do t’u arrestonte Isuf begu, bashkë me birin tjetër, Ramadanin, që në Firence kishte studiue për flaut e kompozicion, e të vuejshin përkatësisht dy e katër vjet burg secili, kurse Brahimi, si të mbaronte të pesë vjetët e dënimit me burg, do të shkonte thuejse nji jetë në internim.
Hodoja, djali i tretë e i fundit i shtëpisë, kishte qenë gjashtëmbëdhjetë vjeç kur babë e dy vëllaznit e tij ma të mëdhaj ishin burgosë, por që kur t’u rriste, edhe ai do të arrestohej në mes të nxanësve, që në atë rast edhe do të qajshin kur të shikojshin me tmerr e çudi të madhe, mësuesin e tyne të respektuem me hekura ndër duer, i cili mandej, si nji ndër Mandelët ma prestixhioze të Shqipnisë, do të vuente me shumë dinjitet mbi njëzetekatër vjet burg, ma të shumtët në atë të Burrelit e, në kampin e Spaçit.
Safeti, e pesta ndër gjashtë vajzat e Isuf begut, që para-kohe ishte prezantue si kangëtare e talentueme para publikut të Shkodrës, e ndonjëherë edhe para atij të Tiranës, Safeti, ajo studente e re e simpatike, që deri atëherë kishte tërheqë vëmendjen e shumë kujt për nji temperament të saj të lirë e të çiltër, do t’iu donte që tue fillue q’prej asaj kohe, t’u flijonte nji herë e përgjithmonë çdo andërr e prandvere të jetës së saj të ardheshme, për t’u vue në shërbim të mbijetesës së vëllazënve të saj të burgosun ose të internuem, për të cilën rrugët e Myzeqesë, të Kuçit lab, të Spaçit e Burrelit, për shumë vjet me radhë të ishin fati i saj i vetëm. Dhe kur Hodoja, mbas aq vitesh burg, t’u kthente në shtëpi, Safetin do ta gjente të dërmueme tejet plakë, me krye të bardhë si bora, sepse deri athëre do të kishin kalue plot katërdhetëkatër vjet, që ajo po u rrekte mbas vëllazënsh ndër burgje e internime.
Nga shtëpia e vjetër Suma, që në Shkodër daton qysh në shekullin e XIV-të e, ndoshta edhe ma parë, shtëpi që prej gjiut të saj nga koha në kohë kishte nxjerrë njerëz të shquem si mjekë, konsuj, përkthyes ndër konsullata etj. , me rastin e kryengritjes së Postrribës, qenë arrestue dy prej pinjollve ma të fundit të saj, vëllaznit Gulielm e Gaspër Suma, i pari që kishte pasë në përdorim të famshmën Kafe të Madhe, kurse Gaspri prift, i akuzuem po për atë kryengritje, me të cilën, sikurse edhe Gulielmi, nuk kishte pasë asnji lidhje.
Gulielmi, i akuzuem si nji ndër organizatorët kryesorë të kryengritjes në fjalë, do t’u pushkatonte, kurse Gaspri, do t’u dënonte me vite burgu, por që megjithatë, nuk do të dilte s’andejmi i gjallë. Edhe dy të bijat e Gulielmit, Terezina dhe Irena, do të vuejshin nga nji vit burg.
Me akuzën; “dijeni për Lëvizjen e Postribës”, ishte arrestue edhe i forti Hafiz Musa Dërguti, për të cilin do t’u fliste, se kur kishte qenë në nji dhomë paraburgimi me Gjon Serreqin dhe i lidhun dorë për dore me të, ishin pasë çue e ulë së bashku si të kishin kenë nji trup i vetëm, sa herë që gjatë ditës e natës t’i vinte vakti Hafizit për me iu falë Zotit, si mysliman e si hoxhë që ishte. Po ndër ato ditë ishte arrestue edhe patër Frano Kiri, që si Hafiz Dërguti, do të vuente mandej dhetë vjet burg e tetë të tjerë internim. Në nji kohë me ta ishte arrestue edhe Patër Donat Kurti, ish-drejtor i Gjimnazit të Fretënve dhe i Stigmatinëve, poliglot e studiues i njohun i folklorit, si dhe mbledhës i të famshmëve “Prralla Kombëtare”.
Mbas shtatëmbëdhjetë vjetësh burg, përgjithësisht kalue në atë të Burrelit, Patër Donati do të dilte i sëmurë e i mplakun, e do të zgjaste jetën edhe për ndonji vjetë ma tepër, tue pasë jetue në shtëpinë përdhese të nji të afërmi të tij të vorfën, diku buzë Zallit të Kirit, ku edhe përfundimisht do të mbyllte sytë përgjithmonë.
Po kështu ishte arrestue edhe Patër Gjon Karma, rektor i fundit i jezuitëve, si edhe prifti tjetër Dom Tomë Laca. Ishte arrestue edhe Dom Pjetër Gruda, i cili mbasi të kryente të tetë vitet e burgut të parë të tij, mbas shumë vjetësh tjera, do t’u arrestonte për së dyti e, t’u dënonte me tetë vjet të tjerë, për të vdekë vetëm pak ditë para se t’i plotësonte edhe ata.
Pak mbas kësaj kohe frati Gjon Pantalia, në përpjekje për t’u arratisë prej burgut të Kuvendit të Fretënve, do t’u kapte i gjallë e të vdiste ndër tortura. Ishte arrestue në atë kohë edhe ish-oficeri i xhandarmërisë, Kolë Zadrima, të cilin do ta mbyllshin brenda nji W.C.-je shumë të pistë, që kundërmonte erë aq të randë, sa të digjte sytë e që donte me të marrë frymën.
Mbas disa ditësh e netësh të pambarim, ai do të gjente shpëtim tue rrotullue rreth qafës nji kabllo të zhveshun teli të trashë, që kur t’i vinte korrenti, ta mbyste në vend, sikurse edhe e pat mbyte, tue i pasë dhanë kështu fund, jo jetës atje në ish-shtëpinë e Çurçisë, të kthyeme në hetuesi e burg, sa torturave, e sidomos asaj V.C.-je të padurueshme që qëllimisht u linte aq e po kështu, si rezultat i torturave të pësueme, do të vdiste rreth moshës shtatëdhjetëvjeçare Nuh Oroshi, i njohun në Shkodër për shumë bujar e burrë zakoni. Do kalojshin vite që edhe i biri i tij i vetëm Xhela, do t’u burgoste e të vuente tetëmbëdhjetë vjet burg.
Zotnijtë Mustafë Dragusha e Dulo Kali, i pari ish-pronar i nji mullini të madh blojet, si dhe i nji fabrike moderne makaronash, kurse i dyi, ish-pronar i të famshmit Hani i “Salo Kalit”, atje në lagjen “Rus”, i njohun në të gjithë Shkodrën e Malcinë. Që të dy të përkushtuem punës e shtëpisë e të përjashtuem kret prej politikës. Do t’u akuzojshin si dy ndër organizatorët kryesorë të Lëvizjes së Postrribës, e të dënuem me vdekje, t’u pushkatojshin.
Nga shtëpia Dragusha, ishte arrestue edhe Hyseni, nip i Mustaf Dragushës, për ndonji vit edhe ish student universiteti në Itali, e që mbas burgut të parë prej disa vitesh, do të vunte edhe nji të dytë, ma të gjatë se i pari. Simon Darragjati, qytetar i njohun shkodran e nip i Dedejakupejve, mbas disa ditësh me tortura, do t’u hidhte prej nji dritareje të katit të sipërm të ndërtesës së Sigurimit e, të binte i dekun poshtë përdhe.
Kur plasi “Kryengritja e Postrribës”, Rasim Gjyrezi bashkë me të shoqen e harapeshën – grue arabe, që si edhe të tjera arabe si ajo, do të shërbejshin me vite të tana në disa shtëpi myslimane – u ndodhte i dalun në katundin Krebaj të Anës së Malit, dhe nji ditë, shumë shpejt mbas asaj kryengritje, ai do të gjindej i rrethuem prej forcave të Sigurimit. Si patriot dhe trim i njohun që ishte, ai do të niste menjiherë pushkën. Thuhet se kishte pasë me vete dy pushkë të gjata, se Rasim Gjyrezi, sa herë që do t’iu mbarojshin fyshekët e njenës pushkë, do të kishte të gatshme tjetrën nga e shoqja që ia mbushte tue i pasë qendrue pranë, derisa ai t’u vriste, mbas nji luftimi relativisht të gjatë.
Me atë rast, shtëpia e Hysë Dobrovodës, ku ai pat bujtë disa ditë me radhë, bashkë me do kushrij të tij, me dërrasat e zhguluna prej nji dysheme dhomet, do të realizojshin shpejt e shpejt nji arkivol, e në heshtje e me respekt, do ta varrosshin trimin Rasim Gjyrezi, diku për fund nji prozhmi.
E kush nuk do t’u arrestonte ndër ato ditë! Nuk mund t’u errte nji natë a’u zbardhte nji ditë, pa të arrestuemit e vet. Sidomos në orët e para të mëngjesit, qytetarët porsa takojshin shoqishojn, do të njoftojshin për të arrestuemin, a të arrestuemët e fundit, e t’u ndajshin tue lëshue mallkimet refren si “Hupi, Zot”! “Ça po bahet”!? “Ç’ka paskan qenë këta hora”!? etj. Të trembëdhjetë burgjet e hapun njiherit, shkolla të kishin qenë, do të meritojshin për më mësue fëmijët e nji qyteti me ma pak se pesëdhjetë mijë banorë që kishte Shkodra, në atë kohë.
Qe arrestue në atë kohë Dioniz Miçaço, ish-kryegjykatës prej vitesh në Shkodër. Në burg ai do të ishte nji ndër njerëzit ma të respektuem, qoftë për karakterin e tij të fortë, për kulturën e tij të gjanë, si edhe për jabanxhi që ishte në Shkodër. Qëndrimi i tij deri konfidencial edhe me ne, ma të rinjt e burgut, kishte ba që ai t’ishte, jo vetëm nji njeri prej të cilit kishim ç’të mësojshim, po edhe nji mik intim i jonë. Nuk e di fatin e nji “Historie të Skënderbeut”, që ai po e shkruente atëhere ndër vargje, të cilën si dhe disa të tjerë, ka gjasë ta ketë marrë me vedi në vorr.
Nji tjetër i burgosun në atë kohë do t’ishte edhe profesori prej Elbasanit, Mehmet Daiu, që në Gjenevë kishte mbarue për pedagogji e që në shkollën pedagogjike “Donika Kastrioti” të vajzave, këtu në Shkodër, kishte dhane landët pedagogji e frengjisht. Pavarësisht moshës e kulturës, Mehmet Daiu do t’ishte nji nga njerëzit, që si të thuesh, ishte shkrie në shoqninë tonë gjatë gjithë viteve të burgut të përbashkët.
Ishte arrestue edhe Qazim Dani, babë i dëshmorit të ardhshëm Bardhosh Dani, nji prej zotnijve ma të respektuem të qytetit, i diplomuem për drejtësi në Stamboll e që kishte qenë edhe deputet në të kaluemen. Ishin arrestue me atë rast qytetarë të nderuem shkodranë, si Malo e Sulë Jubica, Zef Shkreli, Idriz Hoxha me vëlla, Cufin, Riza Hoti, që ishte baba i shokut tim, Burhan Hotit. Ishte arrestue Ali Taipi, pse kishte strehue majorin ballist, Bilbil Hajnin, prej Jugut.
Arrestue ishin edhe Fet Dizdari e Smajl Elezi, bij të dy familjeve të njohuna, patriotë e legalistë. Edhe inxhinieri kimist, Jakë Serreqi, ishte arrestue pak a shumë në atë kohë. Profesori i letërsisë, Luigj Ljarja, gjithashtu. Arrestue ishte edhe Handi Hoti, ishi ri ballist e, pjesëtar batalionit “Besnik Çano”, që kishte marrë pjesë në luftimet për mbrojtjen e tokave shqiptare të Kosovës nga serbët.
Ishin arrestue intelektualët e rij nacionalistë, si Zef Zorba, Zef Toni, bir i ish-përfaqësuesit britanik në Shkodër. Po ashtu, ishin arrestue Sami Barbullushi, Rifat Barbullushi, Karlo Suma, Sirri Anamali, Hajro Ujkashi, të gjithë ish-studentë universitarë, si edhe ma të rijtë, Bep Negri, Tomë Leci, Fuat Rrashi, Gjenarin Topalli, Gac Çuni etj. E ishte arrestue edhe profesori i jonë i matematikës, Adem Bazhdari.
Oficeri i ushtrisë me gradë kapiten, Zef Ashta, ishte arrestue gjithashtu me rastin e kryengritjes së Postrribës, i cili, mbasi të kryente pesë vjetët e burgut të tij të parë, do t’u arrestonte për së dyti, e mbasi të plotësonte edhe shtatë vjet të tjerë burgu, bashkë me nji shokun e tij besnik prej Trushit, njifarë Gjeto Hasanit, – me të cilin, për koinçidencë, do të plotësojshin dënimet pak a shumë në nji kohë – kishin pasë vendosë qysh ma parë, që të arratiseshin së bashku.
Zonën kah do të kalojshin, Gjetoja e njihte me pëllambë, qysh kur ai atje kishte ba ushtri, por që për fatin ma të keq të tyne, ai nuk po dinte se gjatë kohës që kishte qenë në burg, “zona neutrale”, mes dy kufijve, me marreveshje të dy palëve, ishte zgjanue, tue u pasë futë përkatësisht në brendësi të dy anëve, shqiptare dhe asaj jugosllave, kështu që kur nji ditë ata të kalojshin kufinin, si dhe zonën e vjetër neutrale, të lodhun e të gëzuem siç do t’u ndjejshin prej besimit se ma në fund kishin dalë e shpëtue, do t’u ulshin për me pushue. Nuk do të kalojshin veç pak minuta e para tyne, t’u shfaqshin papritmas me automatikë ndër duer forcat shqiptare të ruejtjes së kufinit: Zefi do t’u burgoste për të tretën herë, kurse Gjetja, për të dytën, për t’mos dalë ma asnjeni i gjallë prej burgut.
Paulin Pali
Duhet të kenë qenë të paktë ata njerëz në Shkodër që ta dijshin se Paulin Pali, vëlla i kapitenit Gaspër Pali, që të kishte pasë mbarue shkëlqyeshëm për jurisprudencë në Firencë të Italisë, që prej atij universiteti, ai të ishte cilësue si ma i miri student shqiptar në atë kohë, që në provimet për diplomë “të drejtën romake”, për kënaqësi, t’a kishte dhanë në gjuhën latine dhe jo ma në atë italiane, e së fundi, që ai universitet, të kishte kërkue për me e mbajt në njenën prej katedrave të tij prestigjioze, e që Paulini, i dishruem për Shkodrën e tij, të kishte refuzue.
Në pjacën e Shkodrës ku ai shëtiste në mbramje, nuk do të binte në sy të të tjerëve, vetëm për trupin e tij të gjatë, po edhe për nji ecje të tij të avashët e me hap të shtrime, si edhe për nji elegancë serioze në veshje. Mbi të gjitha, ai ndoshta u ishte ba i njohun bashkëqytetarëve për vetëpërmbajtje të admirueshme, kur mbronte ndër gjye me kuraje e pa u rrëmbye, viktimat e komunizmit. Mbahen mend edhe debatet e tij dinjitoze me kryetarin tendencioz të atij trupi gjykues, togerin Mustafa Iljazi.
Tue mos mundë ma me durue jetën me shtypje e privacione të shumta, Paulini do të hidhte shikimin kah Italia, dhe kur mbas disa ditësh ai në shoqni të Atif Toptanit e, të nji personi tjetër prej katundit Gurëz të Bregut te Matës, po pritshin, që si mbas marrëveshjes, t’u shfaqte prej çastit në atë vend barka që do t’i nxirrte në tokën “e premtueme” të Italisë, nji skuadër ushtarakësh të Sigurimit me pranga ndër duer, do t’ ishte fati ma i fundit i tyne.
Mbasi Paulini të kalonte edhe torturat e vështira të Sigurimit, nji ditë, i hypun në karrocerinë e nji makine të vogël kamionçinë -së bashku me profesorin Kolë Prela, do të merrshin rrugën për në Fushë të Bunës, ku do t’u pushkatojshin, ashtu si të dënuem me vdekje që ishin, nga nji trup gjykues formal qysh vetëm fare pak ditë para.
Në burg edhe Xhemal Juka, që bashkë me nji vëlla të tij ma të vogël, Galipin, kishte vuejtë për dy vjet me radhë burg e internim në Itali, fillë mbas pushtimit të Shqipnisë. Xhemali, i arrestuem me ngjarjet e Postrribës, në krye të trembëdhjetë muejve hetimi e torture, për të shpëtue prej vuejtjeve të matejshme, si dhe për t’u nda me nderë të pacenuem, nji ditë do t’i jepte fund jetës, tue krye nji herakir të vërtetë, kur të priste bark e damarë duersh, me nji copë xhami që kishte muejtë me sigurue për atë qëllim.
Kur prindët e Kolë e Mark Prelës, Prela e Katrina, s’po muejshin ma me e nxjerrë jetën atje në thellësi të Dukagjinit të tyne të vorfën, zbritën nji ditë përfundimisht në Shkodër, tue pasë me vete edhe dy fëmijët e tyne të vegjël. Prela menjiherë filloi të punonte si druvar, por si shumë shëndetlig që ishte, nuk shkoi gjatë e mbas nji sëmundje të shkurtë, vdiq. Katrina e vejë, por e fortë si malsore dhe e squet, për të fitue bukën e “përditshme” për fëmijë e për vetë, qe “atashue” shpejt në disa shtëpi zotnijsh shkodranë, që t’u lante rrobat. Si nanë e mirë e grue e zoja që ishte, ia doli që me shumë mundime të rriste fëmijët e saj jetimë e, t’u jepte edhe shkollë, ashtu si kishte pa se bajshin familjet qytetare.
Vitet kaluen njeni mbas tjetrit e nji ditë Kola, do të kryente shkëlqyeshëm Gjimnazin e Fretënve, gja për të cilën ai do të përfitonte bursë për studime të nalta në Itali e, përfundimisht t’u lauronte për letërsi në Universitetin e Torinos. I kthyem në atdhe, ai do të jepte mësim në liceun e Shkodrës, derisa nji ditë, bashkë me të vëllanë, Markun, – student gjimnazi – të dilshin në mal me armë në dorë. Mbas luftet, Kola, si ish-luftëtar i vëllaznit Kolë e Mark Prela, i Nacionalçlirimtares që kishte qenë, do t’u zgjidhte deputet, megjithëse vetë pa qenë i kënaqun me politikën e regjimit.
Kur t’u zhvillonte gjyqi i pjesëtarëve të organizatës “Bashkimi Shqiptar”, Kola në shenj detyrimi për shkollën ku kishte mësue e, nderimi për profesorët e saj, do t’i dilte në mbrojtje At’Gjon Shllakut, me ç’rast do të deklaronte mes tjerash: “Rrethi ‘Don Bosko’ e ‘Shoqnia Antoniane’, nuk kanë qenë organizata politike, por shoqni fetare dhe edukative”.
Pakënaqësia e Kolës, edhe pse e shfaqun mbrenda nji rrethi të ngushtë shokësh e miqsh të tij intimë, do të binte edhe në veshët e mprehtë të Sigurimit, që i përgjonte të gjithë, pa le të kishin ardhë edhe prej luftet. Në burg do të bijshin të dy vëllaznit: Kola, si gjoja i lidhun me “Grupin e Deputetëve”, kurse Marku, si zakonisht në atë kohë, për Postrribën.
Mbas dënimit me vdekje të Kolës, thuhet se Katrina, e ama, për tri netë me radhe kishte qenë ngujue në nji kopësht të lagjes Ballabane, me shpresë që të shikonte për herë të fundit Kolën e saj, kur andej ta kalojshin për në Zallë të Kirit, vendi ku zakonisht u pushkatojshin të dënuemit me vdekje. Për nji dëshprim ma tepër për të, Kolën – siç kemi folë pak ma sipër – do ta pushkatojshin bashkë me Paulin Palin, në Fushë të Bunës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016