Nga Sadik Elshani
Memorie.al / Me vendimin e padrejtë të Konferencës së Ambasadoreve në Londër më 1913-ën, më shumë se gjysma e tokave dhe popullsisë shqiptare mbeti jashtë kufijve të shtetit të pavarur shqiptar. Kosova dhe trojet shqiptare në Maqedoni e Sanxhak, iu dhanë Serbisë, pjesa tjetër Malit të Zi, ndërsa Çamëria iu dha Greqisë. Për shqiptarët, regjimi serb ishte shumë më i egër se ai turk. Në periudhën në mes te dy luftërave botërore (1918 – 1941), shqiptarët në të ashtuquajturën Mbretëri e Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve, po përjetonin një shtypje të padurueshme të egër e, çnjerëzore. Në kujtesën e shqiptarëve të Kosovës, kjo periudhë njihet si “Koha e Serbisë”.
Dhuna ishte bërë pjesë e përditshme, e pandarë e jetës së shqiptarëve. Dhuna ushtrohej në të gjitha mënyrat fizike e shpirtërore, vetëm e vetëm për ta bërë jetën e shqiptarëve, sa më të mjerueshme dhe për t’i detyruar ata që t’i braktisnin trojet e tyre e, të shpërnguleshin në Turqi, ndërsa në vend të tyre t’i sillnin kolonët serbë e malazezë. Po zbatohej me përpikëri plani famëkeq, “Memorandumi” i akademikut, po ashtu famëkeq, Vasa Çubrilloviq.
Nuk kishte shkolla në gjuhën shqipe, gjuha shqipe ishte e ndaluar në jetën publike dhe në administratë. Në ato pak shkolla që kishte hapur qeveria jugosllave, nxënësit shqiptarë mësonin në gjuhën serbo-kroate: mësonin letërsinë, kulturën, historinë serbe – po mësonin për Kraleviq Markun, Karagjorgjeviqët e Pashiqët, mitet e stërzmadhuara e të rrejshme serbe.
Qëllimi kryesor i këtyre shkollave, nuk ishte arsimimi i shqiptarëve, por tjetërsimi, asimilimi, serbizimi i tyre. Nëpër disa mejtepe, gjuha shqipe mësohej ilegalisht nga hoxhallarët atdhetarë. Të etur për t’u shkolluar në gjuhën amtare, shumë të rinj kosovarë, u arratisën nga trojet e tyre amtare në Jugosllavi dhe erdhën në Shqipëri.
Gati në të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë, kishte nxënës nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare, në ish – Jugosllavi. Konvikti “Kosova” në Krumë, ishte shndërruar në një vatër të ngrohtë për nxënësit nga Kosova. Atdhetarët shqiptarë edhe përkundër rrezikut të madh, sillnin ilegalisht libra shqip nga Shqipëria.
Ende më ka mbetur i freskët në kujtesën time, rrëfimi i një plaku atdhetar, në një emision të Radio-Televizionit të Prishtinës, ku tregonte sesi kishte sjellur fshehurazi libra nga Shqipëria dhe nga frika e ndonjë kontrolli të befasishëm, nuk i kishte mbajtur në shtëpi, por i kishte fshehur ato në mal, në një të çarë të lisit.
Përkundër këtyre vuajtjeve të mëdha, shqiptarët nuk u dorëzuan, por bënë përpjekje mbinjerëzore për t’i dalë zot vendit, duke ruajtur gjuhën, zakonet e traditat tona burrërore, qenjen shqiptare. “Kohës së Serbisë” i erdhi fundi, Jugosllavia e Kralit kapitulloi dhe u pushtua nga Gjermania e Italia.
Pas 30 viteve nën sundimin e egër serb, tani Kosova dhe trojet tjera shqiptare në ish – Jugosllavi, iu bashkuan dheut mëmë, shqiptarët po merrnin frymë pak më lehtë. U hapën shkollat shqipe, u vendos administrata në gjuhën shqipe, me nëpunës shqiptare, me prefektë e nënprefekt shqiptarë. Përsëri po valonte Flamuri Kuq e Zi!
Thirrjes së ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi, iu përgjigjen qindra mësues atdhetarë dhe shkuan vullnetarisht për të punuar në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni e, Mal të Zi. Ishin këta mësues të rinj me plot energji rinore, entuziazëm, mësues që kishin kryer “Normalen” e Elbasanit. E gjetën Kosovën ashtu siç e kishin paramenduar: kreshnikë, kështjellë burrërie e trimërie, djep të shqiptarizmit.
Edhe pse po ballafaqoheshin me shumë problem e vështirësi të mëdha, sepse ishin shkolla që po hapeshin për herë të parë, ata punuan me vetëmohim të papërshkrueshëm, pa u ndalur ditë e natë. Mësonin fëmijët që ishin të etur për dituri, mësonin edhe të rriturit, sepse në atë kohë popullsia e Kosovës, ishte mbi 90 % analfabete. Edhe populli i Kosovës, i priti mësuesit me dashuri vëllazërore, respekt e mirënjohje të thellë, për misionin e tyre të shenjtë.
Këta mësues u bën pishtarë të arsimit shqip në Kosovë. Në vitin shkollor 1941 – 1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941 u hap Shkolla Normale në Prishtinë. Në fillim në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Në mesin e këtyre mësuesve kishte edhe mjaft të rinj nga Kosova që ishin shkolluar në Shqipëri, por nuk kishin mundur të ktheheshin më parë në Kosovë.
Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin shkollor 1943 – 1944, ky numër u rrit në 400. Po në këtë vit shkollor, mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës. Këto shkolla u bën vatra të diturisë dhe atdhedashurisë. Nisur nga kjo, nxënësit e Kosovës po mësonin për herë te parë historinë tonë kombëtare, po mësonin për ilirët, Skënderbeun, Lidhjen e Prizrenit, Ismail Qemalin, etj.
Po mësonin vjershat e Naimit, Çajupit, At Gjergj Fishtës, Dom Ndre Mjedës, Asdrenit – vjersha që me dashuri i këndonin atdheut, gjuhës shqipe, i thurnin himne Shqipërisë. Përveç njohurive që po merrnin për gjuhën, letërsinë, kulturën, historinë shqiptare, ata po brumoseshin edhe me ndjenjat e atdhedashurisë e krenarisë sonë kombëtare.
Për herë të parë e kanë parë flamurin, duke u valëvitur përpara syve të tyre, e kanë kënduar Himnin e Flamurit, me shumë dashuri i kanë kënduar këngët atdhetare: “Për Mëmëdhenë”, “Dalëngadalë po vjen behari”, etj. Përveç punës me përkushtim me nxënësit, ata përmes kurseve të ndryshme përgatitën edhe mësuesit e parë shqiptarë, të cilët më vonë do ta vazhdonin këtë mision.
Pas vitit 1944, një pjesë e këtyre mësuesve u largua nga Kosova, ndërsa pjesa dërmuese, u largua më 1948-ën, kur u prishën marrëdhëniet shqiptaro – jugosllave. Por, disa qëndruan edhe pas vitit 1948 dhe tërë jetën e kaluan në Kosovë. Mehmet Gjevori (1910 – 2007), Tajar Hatipi (1918 – 1977) e shumë të tjerë, e panë të nevojshme që të qëndronin në Kosovë dhe ta vazhdonin këtë mision, duke u bërë bartësit kryesor të zhvillimit të arsimit shqip, veprimtarisë botuese, hartimit të teksteve shkollore, etj.
Periudha 1941 – 1944 njihet në Kosovë si “Koha e Shqipnisë”, sepse shkollat, administrata ishin të gjitha në gjuhën shqipe, nëpunësit dhe drejtuesit e pushtetit vendor ishin shqiptarë. Kuptohet, vendi ishte i pushtuar nga Italia e më vonë Gjermania. Pushtues të mirë nuk ka, por për shqiptarët e Kosovës, “Koha e Shqipnisë” as që mund të krahasohet me kohën e egër e barbare, “Kohën e Serbisë”.
Për fat të keq të shqiptarëve të Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare në ish – Jugosllavi, pas vitit 1944, përsëri erdhi “Koha e Serbisë” – këtë radhë nën maskën e komunizmit. Sidomos e vështirë ka qenë periudha 1945 – 1966, e njohur si “Koha e Rankoviqit”, Ministrit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë. Ata u munduan t’i mbyllnin shkollat shqipe, por shqiptarët i mbrojtën ato, me këmbëngulje e vendosmëri.
Nisur nga kjo, autoritetet jugosllave, nuk mund të loznin edhe aq lehtë me shqiptarët e shkolluar. Pas rënies së Rankoviqit, (korrik, 1966), u hapën shumë shkolla të mesme e të larta anembanë Kosovës, u formuan institucionet e larta arsimore, shkencore e kulturore, u themelua Universiteti i Prishtinës (1970), Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1975), Radio-Televizioni i Prishtinës (1975), etj. Dhe të gjitha këto të arritura, burimin, rrënjët i kanë te “Koha e Shqipnisë”.
Në Suharekën time (tani Theranda), mësues ka qenë zotni Ilmi Duli, nga Shkodra. Të gjithë ish nxënësit e tij, gjithë qytetarët e Suharekës, që e kanë njohur atë, gjithmonë e kujtonin me shumë mall, me shumë dashuri e respekt. Edhe pse Shqipëria e para viteve 1990-të, ishte e mbyllur hermetikisht, por suharekasit kurrë nuk i kanë ndërprerë lidhjet me mësuesin e tyre të dashur.
Dikush e kontaktonte përmes letrave, dikush i dërgonte të fala përmes familjarëve që i kishin në Shqipëri, dikush i dërgonte të fala përmes pjesëtarëve të grupeve sportive e artistike që e vizitonin Kosovën, ndërsa disa, pak nga ata që kishin patur rastin të vizitonin Shqipërinë, gjithsesi janë munduar që ta takonin mësuesin e tyre të dashur, të nderuarin Ilmi Duli.
Pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri, kur u hapën edhe kufijtë, atëhere shumë ish nxënës kanë shkuar për ta vizituar mësuesin e tyre të parë. Këto lidhje, takime janë duke vazhduar edhe sot me familjarët e mësues Ilmiut. Janë këto lidhje shumë të forta, sepse janë farkuar në një kohë të jashtëzakonshme, në “Kohën e Shqipnisë”.
Daja im, i ndieri Bafti Gashi, nga Suhareka, ka qenë nxënës i mësues Ilmiut dhe ai gjithmonë na fliste për përvojën e tij shkollore, për mësuesin që i kishte mësuar, edukuar me shumë dashuri e përkushtim. Ai i ka ruajtur me kujdes librat dhe çantën e tij shkollore, i kishte fshehur në tavanin e shtëpisë së tij dhe ne fëmijët duke luajtur “fsheza”, duke u fshehur në tavan, i zbuluam ato libra margaritarë.
Ende më kujtohet përmbajtja e dy nga ato librave, “Libri i Këndimit” dhe “Gjeografia e Shqipërisë”, e profesor Ahmet Gashit. Për ne ato libra ishin një thesar i vërtetë. Aty për herë të parë jemi njohur, me vjershat e Naimit, Çajupit, Dom Ndre Mjedës e, shumë autorëve të tjerë, që për herë të parë po ua dëgjonim emrin.
Ato vjersha me përmbajtje atdhetare, ato shkrime për Pirron e Epirit, Skënderbeun, Ismail Qemalin, Flamurin Kuq e Zi, dhe shumë atdhetarë të tjerë e ngjarje historike, ato pjesë leximi me motive mjaft edukative, na ngjallën ndjenjat e atdhedashurisë, që në atë moshë të njomë fëmijërore. Tavani ishte bërë vendi më i dashur për ne, aty fshiheshin thesare shumë të çmuara.
Ato libra përmbanin diçka krejt ndryshe nga librat tanë që ne atëhere i përdornim në Kosovë. Libri “Gjeografia e Shqipërisë”, siç e tregon edhe vetë titulli, e përshkruante në imtësi gjeografinë e tërë Shqipërisë Etnike, duke përfshirë shumë fotografi dhe duke i përshkruar të gjitha qytetet e qytezat e Shqipërisë Etnike, përfshirë edhe Suharekën time. Aty për herë të parë i kemi parë se si dukeshin qytetet e Shqipërisë.
Profesor Ahmet Gashi, si një atdhetar i vërtetë që ishte, e kishte shkruar këtë libër, me shumë atdhedashuri. Ato libra ishin bërë për ne, ura kontakti me Shqipërinë. Kishte kohë që “Koha e Shqipnisë”, kishte kaluar, mësuesit ishin kthyer në Shqipëri, por ja ato libra ende vazhdonin t’i edukonin, t’i brumosnin me ndjenjat e atdhedashurisë, edhe shumë breza të rinj të Kosovës, pse jo edhe të rriturit.
Shpesh ulesha në mes të odës dhe burrave të pranishëm në ato ndeja, u lexoja vjershat atdhetare nga ato libra me vlera të padiskutueshme, edukative e atdhetare. Kam dëgjuar e lexuar se edhe shumë të tjerë, e kanë bërë të njëjtën gjë.
Në fund të letrës që Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, më 23 qershor, 1941, i dërgonte kryetarit të këtij misioni të jashtëzakonshëm shkollor, Ali Hashorvës, shkruante: “Ju uroj të gjithëve punë të mbarë, në të kryemit e kësaj detyre të shenjtë kombëtare e, me rëndësi historike”. Dhe vërtet i tillë ishte ky mision: i shenjtë e me rëndësi të jashtëzakonshme historike që dha të korra mjajt të begatshme.
Kjo periudhë duhet të analizohet në imtësi, të shkruhen studime e disertacione, për ta mbajtur gjallë në kujtesën e kombit tonë. Populli i Kosovës gjithmonë e ka shprehur mirënjohjen për të gjithë mësuesit që punuan në atë kohë me shumë përkushtim. Shkollat, rrugët, sheshet, institucionet arsimore, pedagogjike e kulturore, duhet të mbajnë emrat e Ernest Koliqit, Ali Hashorvës dhe të gjithë atyre mësuesve atdhetarë, që punuan në të katër anët e Kosovës, në ato rrethana të jashtëzakonshme historike.
Le të jetë ky shkrim modest, një shprehje mirënjohjeje e falenderimi për të gjithë ata titullarë, arsimtarë, administratorë, nxënës e prindër, që u angazhuan në këtë mision të shenjtë e historik kombëtar – mision që i ringjalli shpresat e shqiptarëve të Kosovës dhe e mbajti të ndezur zjarrin e atdhedashurisë. Ju faleminderit përjetë atyre! Memorie.al
Marrë nga Botasot.info