Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish – Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë,), të cilat i përkasin vitit 1983 dhe janë pjesë e një dosje me siglën “Tepër Sekret”, ku ndodhet korrespodenca ndërmjet, Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me materialet në ngarkim të katër ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes dhe qeverisë shqiptare, si: Kadriu Hazbiu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, Ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministër i Mbrojtjes Popullore, Llambi Ziçishti, ministër i Shëndetësisë, Feçor Shehu, zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, si dhe Llambi Peçini, drejtor i Drejtorisë së Ruajtjes Fizike dhe Sigurisë së udhëheqjes së lartë të PPSH-së, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët që në vitin 1982, ishin arrestuar si “armiq të popullit” dhe mbaheshin në hetuesinë e Tiranës, ‘Repartit 313’, me akuzën: “bashkëpunëtorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, përveç akt-akuzës së Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, (të kryesuar nga Aranit Çela), e cila i dënoi me vdekje Kadri Hazbiun, Llambi Peçinin, Feçor Shehun dhe Mihallaq Ziçishtin, ndodhen dhe dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor, të kryesuar nga Ramiz Alia, ku kanë diskutuar pjesa më e madhe e anëtarëve të tij, duke marrë në shqyrtim kërkesat që katër të pandehurit, i kishin dërguar atij forumi të lartë, për faljen e jetës. Po kështu në këto dokumente, janë edhe proces-verbalet e ekzekutimit të katër ish-funksionarëve të lartë, personat që asistuan si dhe fjalët e tyre të fundit para pushkatimit. Për më shumë, na njohin dokumentet në fjalë, të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al, me faksimilet përkatëse.
Dokumenti i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor, lidhur me dënimin me vdekje të Kadri Hazbiut, Llambi Ziçishtit Feçor Shehut e Llambi Peçinit
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
Nr. 778 Prot Tepër sekret
Tiranë më 8.9.1983
Lënda: Mbi të dënuarit me vdekje Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, dhe Llambi Ziçishti.
PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR
TIRANË
Bashkëlidhur me këtë shkresë, ju dërgojmë përmbledhjen e vendimeve Nr. 7 datë 1.9.1983 të Kolegjit Penal dhe Nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë me të cilët, është vendosur dënimi me vdekje i të pandehurve: Kadri Hazbi Hazbiu, Feçor Refat Shehu, Llambi Vasil Peçini, dhe Llambi Petro Ziçishti, për krimet e tradhtisë ndaj atdheut, pjesëmarrjes aktive në organizatë kundërrevolucionare, të veprave terroriste të mbetura në fazën e përgatitjes, të sabotimit, dhe agjitacionit e propagandës kundër shtetit.
KRYETARI I GJYKATËS SË LARTË Tepër Sekret
Aranit Çela
Përmbledhje e vendimit Nr.7 datë 1.9.1983 të Kolegjit Penal dhe Nr.8 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, mbi dënimin me vdekje të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Peçinit, dhe Llambi Ziçishtit.
Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të R.P.S.SH. me vendimin Nr.8 datë 5.9.1983 dënoi me vdekje:
- Kadri Hazbiun, i biri i Hazbiut dhe i Xhevos, lindur në 1922 në Mavrovë të Vlorës, dhe banues në Tiranë, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, dhe gjendje shoqërore nëpunës, me 4 fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me arsim të lartë, i arrestuar më 15 Tetor 1982.
- Feçor Shehun, biri i Refatit dhe i Merushes, lindur në 1926 në Hekal të Fierit, dhe banues në Tiranë, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, dhe gjendje shoqërore nëpunës, me 2 fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me arsim të lartë, i arrestuar në 24 Mars 1982.
- Llambi Peçinin, i biri i Vasilit dhe i Vanthisë, lindur në 1925 në Elbasan dhe banues po aty, me origjinë shoqërore punëtore, me gjendje shoqërore nëpunës, me 2 fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me arsim të lartë të pambaruar, i arrestuar në 15 Maj 1982.
- Llambi Ziçishtin, i biri i Petros dhe i Julias, lindur në 1923 në Ziçisht të Korçës, dhe banues në Tiranë, me origjinë shoqërore zanatçi individual, me gjendje shoqërore nëpunës, me 2 fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me arsim të lartë, i arrestuar në 15 Maj 1982.
Të gjithë sepse:
- Kanë tradhtuar Atdheun, duke u vënë në shërbim të zbulimeve të huaja, duke kryer detyrat agjenturore të ngarkuara nga ato, dhe nën drejtimin e poli-agjentit Mehmet Shehu, kanë marrë pjesë në përgatitjen e një puci ushtarak për përmbysjen e diktaturës së proletariatit në Shqipëri.
- Kanë marrë pjesë aktive në organizatën kundërrevolucionare komplotistë e puçiste për të goditur vijën e drejtë marksiste leniniste të Partisë, e për të përmbysur shtetin e diktaturës së proletariatit, duke qenë i dënuari Kadri Hazbiu ndihmësi më i afërt i poli-agjentit Mehmet Shehu, dhe i dënuari Feçor Shehu, bashkëpunëtori më i afërt.
- Kanë kryer veprime përgatitore për eliminimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
- Kanë sabotuar zbatimin e vijës politike të Partisë së Punës së Shqipërisë në fusha të ndryshme, sidomos në ekonomi, duke i sjellë shtetit një dëm pasuror me vlerë 1.219.764 lekë.
- Kanë zhvilluar agjitacion dhe propagandë, për dobësimin dhe minimin e shtetit të diktaturës së proletariatit, krime këto që parashikohen përkatësisht në nga nenet 47 gërma e dhe g, 50 dhe 57, paragrafi i I dhe i II, 53 dhe 55, paragrafi i I i Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Në veçanti Kadri Hazbiu, është dënuar dhe për organizimin dhe futjen e një bande të armatosur në Shqipëri, e cila kishte si qëllim likuidimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, dhe që gjatë lëvizjes së saj për në Tiranë, vrau 6 shtetas shqiptarë që ishin në mbrojtje të Atdheut, krime këto të parashikuara nga nenet 50 dhe 51 të Kodit Penal.
Nga gjykimi i çështjes dolën plotësisht të vërtetuara dhe të bazuara akuzat në ngarkim të secilit nga të dënuarit dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të tyre. Aktiviteti armiqësor i gjatë, i organizuar i të dënuarve të mësipërm është realizuar në këto drejtime kryesore:
- Janë vënë në shërbim të agjenturave të huaja, dhe kanë kryer detyra spiunazhi në favor të tyre.
Armiqtë Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu, janë vënë në shërbim të zbulimit jugosllav që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Në vitet e para të çlirimit, janë vënë dhe në shërbim të zbulimit të fshehtë sovjetik. I dënuari Feçor Shehu me kohë, ka qenë vënë gjithashtu dhe në shërbim të zbulimit anglez.
Poli-agjenti Mehmet Shehu dhe e dënuara Fiqrete Shehu, janë vënë në shërbim të zbulimeve të huaja të cilëve dhe ju shërbenin, dhe të dënuarit Llambi Peçini e Llambi Ziçishti. Në vitet 1955-1956 i dënuar Llambi Ziçishti, është vënë në shërbim të zbulimit jugosllav nga Zvetozar Koçiç që ka qenë Sekretar i ambasadës jugosllave në Tiranë.
Si agjentë të zbulimeve të huaja të dënuarit me vdekje, dhe bashkëpunëtorët e tyre, të drejtuar nga poli-agjenti Mehmet Shehu, kanë kryer detyrat e ngarkuara nga këto zbulime kundër Partisë, Popullit, dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, Batalioni i Parë i Brigadës së Pestë Sulmuese, me urdhër të armikut Kadri Hazbiu, ka bërë masakra në fshatin Sinë në rrethin e Dibrës, duke djegur tërë kasollet e shtëpitë e fshatit, si dhe duke vrarë e plaçkitur njerëzit.
E shumtë dhe e egër është veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut, menjëherë pas çlirimit në zbatim të vijës trockiste të Koçi Xoxes e cila, karakterizohej nga arbitrariteti dhe dhuna cinike e pashembullt. Në këtë drejtim ka vepruar edhe i dënuari Llambi Peçini që zinte post të rëndësishëm në hierarkinë e kryebanditit Koci Xoxe.
Mbas goditjes së veprimtarisë armiqësore trockiste të këtij të fundit, poli-agjenti Mehmet Shehu, ndikoi që Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, e bashkëpunëtorët e tjerë të tij të zinin poste të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Të gjithë këta, në tërë këto vite, u përpoqën që të shmangnin Sigurimin e Shtetit nga zbulimi i veprimtarisë armiqësore, lanë jashtë kontrollit agjentë të implikuar rëndë në grupet armiqësore që ishin zbuluar më parë, dhe duke vepruar gjithmonë në funksion të detyrave që u kishin caktuar zbulimet e huaja, morën masa për të liruar nga burgu (me falje ose amnisti) agjentët e dënuar të këtyre zbulimeve.
Për të rritur lavdinë personale si dhe për tu paraqitur para Partisë si “kuadro të aftë” këta armiq e drejtuan punën e Sigurimit të Shtetit kryesisht kundër bandave armike duke spekuluar me fitoret që arrinte i gjithë populli ynë në luftë kundër këtyre bandave. Nga ana tjetër ata, nxisnin arratisjen jashtë shtetit të disa njerëzve tanë.
Pas vdekjes së Stalinit dhe kur Nikita Hrushovi, afrohet me Titon e Jugosllavinë, në kundërshtim me të hapur me porositë e qarta të Partisë, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, dhe Llambi Peçini, pushojnë ndjekjet ndaj agjentëve jugosllavë e sidomos ndaj legatës jugosllave e cila zhvillonte një aktivitet të gjerë armiqësor ndaj vendit tonë.
Të katër të dënuarit me vdekje bashkë me armiqtë e tjerë, duke zbatuar detyrat e ngarkuara nga zbulimi jugosllav e sovjetik, punuan aktivisht për organizimin dhe realizimin e prapaskenës së Konferencës së Partisë së Tiranës, në vitin 1956. Pas shpartallimit të kësaj prapaskene ata, fshehën veprimtarinë e tyre armiqësore, u përpoqën të shpëtojnë bashkëpunëtorët e pa demaskuar, dhe mbrojtën me forma të ndryshme ata që u goditën nga Partia.
Më vonë me urdhër të zbulimit jugosllav, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj, nën drejtimin e Mehmet Shehut organizuan arratisjen e armiqve Dali Ndreu, Liri Gega, e Panajot Plaku, me të cilin kanë mbajtur lidhje edhe pas arratisjes. Me këtë agjent, janë takuar në Pentar të Shkodrës në vitin 1962, Feçor Shehu së bashku me Mihallaq Ziçishtin, dhe kanë këmbyer informata agjenturore.
Në zbatim të detyrave të dhëna nga zbulimi sovjetik, këta armiq ju kishin dhënë “carta bianca” këshilltarëve sovjetike. Kadri Hazbiu dhe Llambi Peçini, kanë dërguar në Bashkimin Sovjetik një sërë dokumentesh të rëndësishme tepër sekrete, deri edhe Platformën e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë për Organet e Sigurimit të Shtetit.
Poli-agjenti Mehmet Shehu, së bashku me armiqtë Beqir Balluku e Kadri Hazbiu, kanë përpunuar komplotin e Teme Sejkos që fshihte lidhjet e tij me sovjetikët, për realizimin e komplotit me qëllim që ti bënin presion Partisë për ti mos demaskuar revizionistët sovjetikë dhe për mos ti larguar ata nga baza e Vlorës.
Në vitin 1972, të dënuarit Llambi Peçini e Llambi Ziçishti, kanë qenë të pranishëm në takimin që bëri poli-agjenti Mehmet Shehu në mjediset e spitalit të Parisit me një përfaqësues të zbulimit amerikan, nga i cili morën një radio të sofistikuar për t’u lidhur me të. Të dy këta të dënuar, kanë qenë të pranishëm dhe në takimin që bëri poli-agjenti Mehmet Shehu me Josip Broz Titon dhe Randolf Çërçillin, në trans-oqeanikun “Queen Elizabeth”.
Me porosi të Mehmet Shehut, i dënuari Llambi Ziçishti në vitin 1978 ka realizuar në Paris takimin agjenturor me një person të zbulimit amerikan, me të cilin ai është takuar dhe në plazhin e Durrësit në Korrik të vitit 1980, kur agjenti kishte ardhur në vendin tonë i maskuar si turist.
Në vitet 1980-1981 të gjithë këta armiq kanë shpeshtuar lidhjet e tyre me përfaqësuesit e agjenturave të huaja dhe këmbimet e mesazheve qoftë në Tiranë e qoftë jashtë shtetit. Në veçanti i dënuari Feçor Shehu, deri një javë para vetëvrasjes së poli-agjentit Mehmet Shehu, ka këmbyer shpeshherë letra me Spase Tuniçin e ambasadës jugosllave, në floktoren e hotel “Dajtit”.
Pra u vërtetua gjatë gjykimit se si agjentë të zbulimeve të huaja, Kadri Hazbiu, Fecor Shehu, Llambi Pecini, dhe Llambi Zicishti, me mënyra e mjete të ndryshme, kanë vendosur lidhje agjenturore, brenda e jashtë vendit, me agjenturat e huaja të spiunazhit dhe ju kanë dorëzuar atyre, informata të ndryshme politike, ekonomike, ushtarake, si dhe të dhëna të tjera që përbënin sekret shtetëror duke marrë prej tyre edhe porosi për vazhdimin e veprimtarisë armiqësore. Këto lidhje zënë fill që gjatë luftës Nacionalçlirimtare dhe vijojnë deri në zbulimin dhe demaskimin e tyre.
- Të dënuarit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, dhe Llambi Ziçishti, kanë qenë pjesëmarrës aktivë në organizatën kundërrevolucionare, të kryesuar nga poli-agjenti Mehmet Shehu i cili, ishte zëdhënësi kryesor i zbulimeve të huaja në këtë organizatë. Programi dhe pikësynimi thellësisht armiqësor e deri tek mënyra e veprimit të kësaj organizate kundërrevolucionare, për afro 40 vjet me radhë janë të diktuara nga zbulimet e huaja, dhe në radhë të parë nga zbulimi amerikan e më pas nga ai sovjetik, jugosllav, etj.
Veprimtaria e gjerë kriminale e saj, ka pasur karakter të theksuar kompleks. Ajo, paraqet një gërshetim të veprimtarisë së spiunazhit me atë të terrorit dhe sabotimit gjithashtu të shoqëruar dhe me propagandën helmuese, duke synuar që të godasë Partinë e Punës së Shqipërisë, Udhëheqësin e saj, të përmbysë Diktaturën e Proletariatit, si dhe të vendoste në Shqipëri rendin borgjezo-revizionist.
Ekzistenca dhe veprimtaria e kësaj organizate përbën një pjesë të rëndësishme të komplotit të madh të kurdisur nga imperializmi e social-imperializmi, nga revizionistët dhe në përgjithësi nga reaksioni botëror, kundër shtetit e popullit shqiptar gjatë këtyre 40 viteve të fundit. Që në vitin 1942 agjentët e zbulimit amerikan dhe anglez, e dërguan Mehmet Shehun në Shqipëri me qëllim që të minonte dhe të dëmtonte nga brenda luftën e popullit tonë, duke i dhënë me vete dhe një program tipik social-demokrat. I dënuari Kadri Hazbiu, është njohur me këtë program që atëherë dhe ka qenë dakord me të.
Armiqtë Mehmet Shehu, Fiqrete Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, dhe pjesëtarët e tjerë të kësaj organizate, pas çdo goditjeje që Partia ju ka dhënë grupeve armiqësore e antiparti, kanë përdorur të njëjtën taktikë për të mbuluar gjurmët e veprimtarisë së tyre, godisnin të demaskuarit, punonin në prapaskenë për të shpëtuar këdo që mundnin, dhe shtonin radhët e organizatës me elementë të rinj kundërrevolucionarë.
Secili nga pjesëtarët e kësaj organizate, është ngarkuar me detyra konkrete, dhe ka punuar aktivisht për zbatimin e tyre. Për ta konkretizuar këtë gjë mjafton të përmendësh sesi këta armiq do të realizonin pucin ushtarak. Kështu u zbulua plotësisht se sido që të veprohej për likuidimin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe përmbysjen e pushtetit popullor.
E mirë informuara Fiqrete Shehu, gjatë gjykimit të saj shpjegoi:
“Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu që kryesonin grupin tonë, kishin me duar dhe masat që duheshin marrë e veprimet që duheshin kryer në rast se Byroja Politike nuk do të ishte dakord që Mehmet Shehu të zgjidhej Sekretar i Parë. Në rast se do të përdorej forca, do të arrestohej personi që do të kundërshtonte propozimin e Kadri Hazbiut për Mehmet Shehun, duke hyrë në veprim Feçor Shehu me persona të tjerë.
Dhe në rast se shumica e anëtarëve të Byrosë Politike, do të shpreheshin kundër këtij propozimi, do të arrihej gjer në rrethimin e selisë së Komitetit Qendror duke përdorur tanket e repartit të Gardës së Republikës, që do të urdhëroheshin nga Fecor Shehu.
Ndërsa Kadri Hazbiu, do të mbante në gatishmëri repartin e tankeve në Sauk, dhe po të ishte e nevojshme ai, do të urdhëronte përdorimin e menjëhershëm të tyre. Do të aktivizoheshin dhe Llambi Peçini e Mihallaq Ziçishti të cilët do të arrestonin dhe izolonin personat që do të bëheshin pengesë për marrjen e drejtimit të Partisë dhe Shtetit nga Mehmeti e Kadriu”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016