Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e Zef Lukës nga Shkodra, i cili në 1946-ën u arratis nga Shqipëria për në Greqi, ku qëndroi për disa vite në kampet e azilantëve politikë. Njohja e tij me Alush Lleshanakun, stërvitja në një qendër zbulimi të financuar nga amerikanët në periferi të Romës dhe zbarkimi me parashutë në malet e Mirditës në 1949-ën. Të gjitha peripecitë e “diversantit”, që u bë tmerri i Sigurimit të Shtetit deri në vitin 1953, ku emri dhe veprimtaria e tij për vite me radhë tregohej si në legjenda në qytetin e Shkodrës dhe në gjithë Veriun e Shqipërisë, bëhen publike sipas kujtimeve që ai ka lënë të shkruara në SHBA-ës, ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës si emigrant politik deri në shembjen e regjimit komunist.
Ditari i Zef Lukës
9 Maj 1945
Me shkodranët që ishim ushtar në Delvinë, bisedonim shpesh herë për me ikë (me u arratisë), por nuk e caktonim ditën mbasi pritshim se po ndërron situata. Hamit Sait Toshi, ishte prej katundit Villgarë të Anës së Malit, në kufi me Jugosllavi. Nanës së tij i thoshin File. Ajo kishte motrat të martueme në Ulqin si dhe një vëlla. Hamiti ishte trim e besnik dhe e njihte babën tim kur vinte në pazar me shit ndonjë gjë. Unë dhe Hamiti e kishim lanë me ik të dielën më 16 maj 1945, kur ishte liri-dalje prej orës 13 deri në orën 20 të mbrëmjes. Do t’u takonim në orën 13 tek Kroni i Delvinës. Hamiti më thotë se vjen dhe Osman Dervishi që ishte oficer. Unë i thashë: Hamid, unë nuk i besoj Osmanit. E ai m’u përgjigj: Ti me beson mua? Osmani ka probleme, hasmin e ka në Brigadë. Ky na ndihmon me nxjerr disa armë. Te Kroni i Delvinës na kishim m’shehun 12 bomba dore. Kur ushtria ishte me liri-dalje, skuadrat zbuluese ishin patrullë se mos të ikshin nga ushtria. Pra u donte që të kalohej Ura e Bistricës, ajo kambsore, e cila ruhej fort, para se të bëhej apeli në orën tetë të mbrëmjes. Në këtë kohë vjen Osmani, i cili kishte sjellë automatikun e vet dhe revolen “Beretë” që ia dha Hamitit. Unë mbeta me 12 bomba dore që i kisha të lidhura në një facoletë, duke mbet kështu i pa kënaqun e i pa mbrojtur. Përpara se të vishem të Kroni, i thashë shokut tim, Angjelin Zojzit, se: jam duke ikë. Aty pashë edhe Fofon me shoqe. Asaj i dhashë një napolon arit që kisha, mbasi nuk mendoja se kalonim gjallë në Greqi. Fofo nisi me qa, ndërsa unë vazhdova rrugën duke kaluar rrugë pa rrugë deri sa dolëm te Ura e Bistricës, pra te ajo që ishte kambsore prej druri, e ngushtë sa me ecë vetëm një njeri.
Arratisja nga Delvina në Greqi
Ecëm gjithë natën, kaluam Konispolin e Bamadatin, katunde moderne me vila. Thuhej se të gjitha familjet kishin njerëzit e tyre në SHBA që i ndihmonin. Vijuam rrugën dhe kaluam lumin e Bistricë duke u lidhur dora dorës. Pak më tej dëgjuam disa kumonë delesh, u avitëm dhe pyetëm çobanin: A asht Greqi apo Shqipni këtu? Por ai nuk u përgjigj me asnjë fjalë. Duke ec shtegut, shohim se shtëpiat ishin shumë larg njena tjetrës. Në një qoshe të malit shohim një plakë me dhi, e cila na dha djalin e vet me na përcjellë te posta e kufirit grek. Vijuam rrugën në një shteg të ngushtë që shkonte teposhtë. Te një kaçubë u ndalëm me hangar atë bukë e vezë që na kishte dhënë një çikë që patëm taku rastësisht rrugës. Nuk zgjati shumë dhe një patrullë prej ma se 7 vetash që vinin në drejtimin tonë. Vetëm këmbët ju shihnim. Mos të ishim ndalur me hëngër, do të vriteshim me ta. Zoti na shpëtoi. Kur u avitëm afër postës së kufirit grek, i thamë Osmanit: Ti shko i pari brenda, në rast se janë komunistë, vraju me ta edhe ne po vritemi këtu jashtë. Osmani doli në penxhere të asaj kulle dhe na thirri. Unë kur ju afrova rojës te dera, pashë se kishte kurorën mbretërore të Greqisë në kapelë. Kur hyra brenda nuk mundëm të hanim se na ishte tha fyti, pimë vetëm pak qumësht. Këmbët na ishin bë shika gjaku sa që mezi mundeshim të ecnim. Na vunë në tre mushka dhe prej Kakavije u nisëm për në Delvinancion. Atje ishte rruga e makinës e na nisën për në Duliana, ku për një javë rresht na morën në pyetje grekët e anglezët, që prej asaj dite që kishim lindur, e deri në atë ditë që mbërritëm aty.
Në Janinë, për gjashtë muaj
Në mjedis të Janinës kishte kazerma pa derë e pa penxhere, që u thërriteshim: Strate Pedon. Flejshim ndër ca kartonë që i përdorshin për shtrojë. Për me hëngër na jepnin ç’ka tepronte prej kazanit të ushtrisë. Korçarët që kishin ikë prej Brigadës së 15-të, punojshin me pagën e shtetit dhe flinin aty. Janina ishte qytet i bukur dhe më çonte mallin e Shkodrës: Kalaja, liqeni me një ishull të vogël midism, që e thirrshin Mesopotamo. Edhe klima ishte si në Shkodër. Qyteti i Ali Pashë Tepelenës. Grekët këndojshin këngën; Ali Pasha gimat e kamena, dhen navate. D.m.th. Ali Pasha flen dhe s’ka frikë kërkënd. Aty më thirri Jani Dhamanti që ishte kryetar i Vorio-Epirit. Më vonë pata ndiesinë se e kishin vra spiunët e Shqipërisë. Aty banonte edhe familja Ali Nivicës me vëlla e kushëri. Seidi Baja, Haki Gaba, Bardhok Gjeta, Xhaferr Luka, Veledin Bobi me të vëllanë, që e vranë më vonë kur doli në terren prej grekëve në Shqipni. Më vonë erdhi dhe Muço Çaprati prej Vlore dhe Selim Daci, që ishte oficer celule i Brigadës së 15-të Sulmuese në Delvinë. Vjen aty edhe Tahir Reçi, Isuf Luma e Hasan Spata. Ato mblidhnin bishta cigaresh nëpër qytet dhe fusha sportive. Për me qenë më të sigurt, na çuan në burgun e Janinës. Në Athinë dhe Pire, sidomos në Rrugën e Kuqe (Adhos Kocinja) u luftonte derë më derë dhe mëhallë më mëhallë, ndërmjet zervistave dhe EAM-it.
Në kampin e Kretës dhe Athinës deri në 1947-ën
Nga kampi i Iriaklionit në Kretë ku qëndruam deri më marsin e 1947-ës, u nisëm për në Pire të Athinës, në kampin Haxhi Qiriakon. Ai kamp ishte vendosur në majë të një kodre, afër limanit të Pireut. Aty afër ishte dhe marina greke. Po atë ditë gazeta greke “Athina” botoi një lajm ku thuhej se në qytetin Jera Pjetra të Kretës, komunistët grekë kishin vra 12 kosovarë. Mbas kësaj ngjarje qeveria greke i tërhoqi të gjithë emigrantët, që ndodheshin në atë ishull. Përsëri në mars 1947 jemi në kampin Haxhi Qiriakon të Pireut. Në një dhomë të katit të dytë, ishim: Muharrem Bajraktari me djalin, Fiqëri Dine me djal e vëlla, Hysni Dema, profesor Miftar Spahija, Abaz Ermeni, Tako Baqi dhe Alush Lleshanaku. Gjeneral Preng Pervizi kishte një dhomë më vete në kamp dhe vinte tek ne, vetëm kur kishte ndonjë inspektim. (Pervizi jetonte në mes të Athinës, në hotel “Bancion”, e rrinte në kafen “Janatis” te rruga Omonia Kantes në qendër të Athinës). Në katin e parë banonin Asllan Zeneli me të nipin, Ramazan Cena, Dem Ali Pozhari, Bik Pazari me të vëllanë, Dedë Pepa, Lek Martini dhe Pal Marku. Dauti që ishte prej Tirane, kryente detyrën e guzhinjerit. Kampi u mbush prej atyre që erdhën prej Kretet. Ishin edhe shumë gra gjermane me fëmijë, të cilat ishin martuar me grek, që kishin qenë rob lufte në Gjermani. Muharrem Bajraktari për ditë në mëngjes herët ecte rreth kampit që ishte i rrethuar me pisha të vogla dhe fliste me vete, ku mund ta dëgjoje 10 hapa larg. Po aty banonte dhe Hazis Biçaku me djalin, të cilin Inteligjent Servisi Anglez e merrte në pyetje në lidhje me një oficer të tyre që kishte ra me parashutë në Shqipni për me ndihmue komunistët. Por Hazizi ua kishte dorëzu gjermanëve. Në atë kamp u takova me Alush Lleshanakun, i cili kishte lind në vitin 1913, në katundin Bradashesh të Elbasanit dhe mbasi kishte mbaruar Normalen në atë qytet, kishte dalë mësues. Babës së tij i thoshin Shuaip.
Biseda me Lleshanakun për të zbarkuar në Shqipni
Alushit i thashë: “I je dhembur gjithë rinisë së Shkodrës edhe komunistëve që ishin nxënësit tuaj, kur “Zëri i Popullit” në dhjetor 1944, pati shkrua se ke ra në pritë e je mbytë në Drin dhe se kanë gjetë automatikun tënd në trap”. Alushi gjithmonë herë në mëngjes na çonte me bë gjimnastikën. Kur vinte oficeri i Policisë në orën 9-të, i paraqiteshe një listë të vogël të rinjsh e bashkë me Alushin, për me na dhanë leje për me shkue e me u la në det. Një ditë në plazh, Alushi më thotë: “Zef, me u bë puna me ra në Shqipni me parashutë, a vjen me mua?” Si jo mor Alush, i përgjigjem unë, ne të gjithë atë ditë presim, edhe i pata dhënë besën. Një ditë e pyes: Alush, ç’ka kishe me bë me Enver Hoxhën me të ra në dorë? Ai më tha: “Kisha me e futë në një kafaz e me e shëtitë në të gjithë Shqipnin, por jo me e vra, që të shoh gabimin e vet”.
Në kampin Santa Fara në Itali
Mars 1949
Me një anije transporti greke nisemi prej Pireut për në Bari (të Italisë), në kampin Iro Santa-Fara. Sa arritëm na pajisën me indeks-kart dhe kontroll book. Në këtë kohë vjen prej Romet, Eduart Liço dhe na bën fotografi në kamp. Ky ishte i dërguar prej Bllokut Indipendent Kombëtar. Ai ishte një kamp transiti ku bashin pjesë: Komiteti “Shqipëria e Lirë”, ashtu dhe Blloku Indipendent Kombëtar, që ishte jashtë komitetit. Këto tërhiqshin grupe vullnetarësh që i hidhnin në Shqipni. Grupi i parë ishte ai i Et’hem Çakos, vet i tretë i cili u zu i gjallë. Më vonë këta u vranë njeri pas tjetrit në Llogora të bregdetit shqiptar. Më vonë Hamit Toshi (Saiti) më thotë se ishte duke shkuar vullnetar në Shqipni, por pa Osman Dervishin. “Po ti”, më tha. Unë iu përgjigja: Unë jam duke shkuar me Alush Lleshanakun, se i kam dhanë fjalën që në Greqi. Kështu u ndamë ne tre shokët, që patëm ikë prej Greqie. Osman Dervishi emigroi për në Australi, ndërsa Besim Kusi, në kamp kishte një dhomë në vete dhe punonte si rrobaqepës. Një ditë ky më thërret dhe më thotë: “Zef kam dëgjua se don me shkue në Shqipni”?! Kur unë i thashë: po, ai m’u përgjigj: “Mos u bën i marrë”, dhe më tregoi atë historinë me mullisin që veshi rrobat e gjeneralit dhe u vra i pari në luftë. Kur ishte në prag të vdekjes, dy ushtarë që ishin afër, thanë: “Plumbi i ka rënë në krye”. Mullisi duke dhënë shpirt tha: “Krye kish pasë ai që qëndroi tek mullini”.
Stërvitja ushtarake në kampin Monte Mesala
Roja e derës së kampit më lajmëron se një person më kërkonte te dera. Kur dal, shoh një person me një makinë të zezë, një sahat e byzylykë ari të trashë. Më pyet: “Si e ke emrin”?, i them: Zef Luka. Më tha: “Lajmëro shokët që të vini në hotel ‘Delle Nacioni’ në Via Lungo Mare Bari”. Si shkuam atje, na shtinë në një sallë, na thërrasin emrat dukej na dhanë gjithsecilit nga 40 mijë lire. Sa u errë na futën në një kamion e na nisën drejt e në Golfo di Taranto, një fortesë ushtarake në Monte Mesala. Kamioni ishte i shoqëruar nga mbrapa prej atij personi, që u thërritej Conte Caropio. Në këtë takim, Pal Marku prej Puke, megjithëqë e thirra, nuk erdh. Në Monte Mesla gjetëm: Gjon Gjinajn, Pashko Letajn, Kol Çunin, Kol Bib Mirakajn, Alush Lleshanakun e Xhevdet Blloshmin. Grupi i Mirditës dhe i Shkodrës përbëhej nga: Kol Çuni, Gjon Gjinaj, Pjetër Gjoci, Bardhok Gjeta, Ndue Frisku, Mirash Marku, Nikoll Marku, Pashko Letaj e Zef Luka. Grupi i Elbasanit përbëhej nga: Alush Lleshanaku, Halil Hoxha, Rexhep Kaso, Zenel Cela, Nuri Plaka, Abedin Xhango, dhe grupi i tretë i po këtij rrethi nga: Xhevdet Blloshmi, Shyqëri Biçaku, Isa Kallo dhe Kamber Alla. Kol Çuni ishte i kualifikuam për radio, pasi në kohën e gjermanit ishte qenë në shërbim si radiofonist. Por edhe Alush Lleshanaku mësonte për radio. Ai na mësonte si me ra me parashutë dhe si me qitë në shenj me armë. Në muajin dhjetor 1949, na veshën si marinarë dhe na nisën prej Monte Mesala-Taranto, me një autobus për në Romë, në Fraskati, Via Violata, Vila Rossa. Këtu një herë në javë vijshin me na pa Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni, Ndue Gjo Marku, Lin Shkreli, Xhaferr Deva dhe Ernest Koliqi. Grupi i parë që do të binte në Shqipni, ishte ai i Mirditës dhe i Shkodrës. Një ditë Ernest Koliqi më thirri veçmas dhe më tha: “Unë ta njoh babën tand dhe me të gjetë gjë, nuk kam se çfarë me i thanë. Në mos e ndiesh vetin të aftë me shkue, më thuaj se të ndali këtu, e të nxjerri ndonjë bursë për shkollë”. Unë i thashë: Jo, se i kam dhanë fjalën Alushit që në Greqi. Luigj Ferri ishte përgjegjës i grupeve. Një ditë duke qeshë me të e pyeta: Me bë mos me t’u çilë parashuta, çka duhet me bë?” E po duke qeshë, ai më thotë: “Eja e më difto”.
Veprimtaria e Zef Lukës në arkivat e Sigurimit të Shtetit
Veprimtaria dhe aktiviteti antikomunist i Zef Lukës në Shqipëri nuk është i pasqyruar vetëm në fletët e ditarit të tij, por ai është dokumentuar edhe në mjaft raporte e materiale të shumta arkivore të Sigurimit të Shtetit, i cili e ndiqte atë hap pas hapi. Po kështu, aktiviteti antikomunist i tij, është pasqyruar edhe në disa libra të ish-oficerëve dhe drejtuesve të lartë të Sigurimit të Shtetit, si Mark Dodani (“Fronti i Heshtur”), Themi Bare (“Provokacione, Komplot, Dështime”), Rakip Beqaj, (“Veprimtaria e Armiqësore e Klerit Katolik Shqiptar, 1943-1971”) etj., të botuara para viteve ’90-të, në kohën e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Sipas Injac Saraçit nga Shkodra, (i cili ka bërë edhe parathënien e kujtimeve të Zef Lukës) në një dokument të arkivit të Ministrisë së Brendshme (Dosja 51, Viti 1949, fq. 109) ndërmjet të tjerash shkruhet: “Duke pas frikë se kur të zbarkojshin në Shqipëri, grupet e diversantëve mund të vriteshin nga populli dhe nga forcat e tij të Sigurimit, tregonte Gjon Gjinaj, nga Vatikani vijshin eksponentë të ndryshëm për t’u dhanë kurajo përpara nisjes. Kështu Gjon Gjinaj theksonte: “Para dite, më 27 dhjetor të vitit 1949, erdhi oficeri italian i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Karobi, i shoqnuem nga një prift i Vatikanit, i cili na bekoi që zoti të na shpëtonte nga çdo e keqe. Më 28 dhjetor të po atij viti, grupi diversant i kryesuar nga Gjon Gjinaj ishte përgatitë të nisej për në Shqipni, i shoqëruar nga Karobi, nga De Anxhelo dhe nga tre pilotë. Në çastet e nisjes ky grup ishte takuar me një amerikan që kishte bisedue me Karobin, me Gjon Gjinajn dhe Kol Çunin. Duke shpjegu mënyrën se si u hodhën në tokën shqiptare, diversanti Gjon Gjinaj, theksonte: “…U nisëm nga Roma për në Bari. Kur dolëm nga ana e Shkodrës, Karobi na tha: “Bahuni gati. Kur të dali drita jeshile ju duhet të hidheni shpejt”. Kështu ne filluam të hidhemi njëri mbas tjetrit: i pari Pashko Letaj, i dyti Ndue Frisku, i treti Kolë Çuni, i katërti Zef Luka, i pesti Pjetër Gjoci, i gjashti Mirash Marku, i shtati Bardhok Gjeta, i teti Nikoll Nika dhe i nënti unë. Kishim zbarkue në pyjet e Komit, në krahinën e Mirditës”.
Kush është Zef Luka?
Nga Kolegji i Jezuitëve në kampet e refugjatëve në Greqi e Itali
Autori i këtyre kujtimeve, Zef Luka, u lind në vitin 1926, në një familje të vjetër tregtare shkodrane, ku babai i tij, Loroja, dhe xhaxhai, Ludoviku, njiheshin si përkrahës të flaktë të Luigj Gurakuqit. Zefi u shkollua në kolegjet fetare të françeskanëve dhe jezuitëve në qytetin e tij të lindjes dhe vetëm pak muaj pas mbarimit të Luftës, më 8 mars të vitit 1945, ai u thirr për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në qytezën e Delvinës në jug të vendit. Duke qenë i pakënaqur me regjimin komunist të porsaardhur në pushtet, Zefi me disa shokë të tij, kryesisht nga Shkodra, organizoi arratisjen për në Greqi. Në shtetin helen ai dhe shokët e tij fillimisht u përballën me një jetë të keqe nëpër kampet e refugjatëve politikë, prej nga largoheshin herë pas here, duke kryer edhe punë të tjera të rënda për të fituar diçka. Gjatë asaj periudhe kohe, që Zefi qëndroi nëpër kampet e azilantëve politikë në Greqi, ai u njoh edhe me shumë shqiptarë, eksponentë të njohur antikomunistë. Një nga ata ishte dhe Alush Lleshanaku, i cili hynte dhe dilte me misione të fshehta në Shqipëri. Në marsin e vitit 1949, Zefi largohet nga Greqia dhe vendoset në Itali, ku iu dha mundësia që të vazhdonte studimet e larta. Sipas fjalës që i kishte dhënë Lleshanakut, Zefi inkuadrohet në radhët e shqiptarëve, që u përgatitën nga zbulimet e huaja në disa qendra stërvitore dhe më 26 dhjetor 1949, së bashku me nëntë shqiptarë të tjerë, ai zbarkoi me parashutë në malet e Mirditës. Për dy vjet me radhë, ai me shokët e tij u endën nëpër male nën ndjekjet e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit dhe forcave të ndjekjes, duke u munduar të organizonin një rezistencë të armatosur ndaj regjimit komunist në fuqi. Gjatë atyre viteve, në të gjithë qytetin e Shkodrës emri i Zef Lukës u kthye në një legjendë. Që në atë kohë, por dhe shumë vjet më vonë, thuhej se ai disa herë kishte arritur të futej në shtëpinë e tij në qytet, nën hundën e njerëzve të Sigurimit që e ndiqnin këmba-këmbës. Më 20 gusht të vitit 1951, Zefi me disa shokë të tjerë u detyruan dhe kaluan në Jugosllavi, ku për shkak të veprimtarisë së tij antikomuniste dhe në mbrojtje të flamurit kombëtar, ai u arrestua nga organet e UDB-së. Pasi vuajti disa kohë në burgje, në qershor të ’52-it ai u internua në Sabaç. Më 5 tetor të vitit 1954, pasi u lirua nga internimi, Zefi shkoi përsëri në Itali, ku qëndroi deri në vitin 1956, që iu dha e drejta për të emigruar në SHBA. Nga ai vit, Zefi jetoi e punoi në Cliveland të shtetit të Ohios, ku dhe ka shkruar kujtimet e tij për atë kohë të largët të mbushur me peripecira të pafundme./Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016