Nga Agron Mema
-Dëshmia e rrallë e shoferit të ish-kryetarit të Degës së Brendshme të Sarandës, Sali Veliu, që u burgos me dy zëvendësit e tij, Panajot Barka dhe Sami Resuli-
Memorie.al / Sarandi Nikolla, ish – shofer i kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Sarandës, Sali Veliu, rrëfen për arrestimin e bujshëm të vitit 1984, të drejtuesve të Degës dhe Shtabit të Batalionit të kufirit të Jugut. Nata e tmerrit dhe ditët e frikshme që pasuan,vijnë në këtë rrëfim, që edhe sot pas kaq shumë vitesh, jehona e saj nuk ka ikur nga memoria e sarandjotëve, ashtu siç nuk ka ikur portreti i mirë i ish-shefit të Degës së Punëve të brendshme, Sali Veliu, i arrestuar katër ditë pasi martoi vajzën e vetme. Akuza, si përgatitës i një puçi ndaj shtetit, sepse në dasmën e vajzës, vuri në trapezë meze me kokë të pjekura. Çdo të thoshte kjo? Për të gjithë asgjë, por për shtetin e kohës, thoshte shumë: “Të kujt qenë kokat që hante kryetari dhe dasmorët”?!
Gjashtë oficerë të lartë përfundojnë në pranga si “armiq të popullit”. Në rrëfimin e Sarand Nikolla, ish-shoferi i kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Sarandës, shpaloset panorama e frikshme e rrethimit të Degës nga forcat e Gardës së Republikës, mbledhjet e mesnatës deri në të gdhirë, hetuesia dhe pushimet nga puna.
Vijnë portretet e Kadri Hazbiut, Hekuran Isait dhe Zylyftar Ramizit, ashtu si dhe kotësia dhe terrori psikologjik i shumë veprimeve të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, sidomos pas spastrimeve me vetëvrasjen e kryeministrit Mehmet Shehu, etj.
Z. Sarandi, duke ju falënderuar për mundësimin e kësaj bisede, për të hedhur dritë në një nga ngjarjet më të bujshme të arrestimeve, jo vetëm në Sarandë, por edhe në Shqipëri, fillimisht po ju pyes, se sa vite punuat si shofer në Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës?
Faleminderit! Por nuk do flas shumë dhe mos më shtrëngoni! Do tregoj vetëm për atë natë. Në Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës, punova 20 vjet, si shofer i kryetarit të saj.
Atëherë ç’mund të thoni për atë ngjarje që ka mbetur e ngulitur në mendjet e sarandjotëve?
Po! Kur u arrestuan ka qenë viti 1984, siç më kujtohet mua. Ne ishim lajmëruar të ishim të gjithë në Degë dhe aty rinim. Nuk bëje dot naze. Po vinte mesnata dhe asnjë urdhër, po ishim mësuar me të tilla, se ishim edhe rreth kufitar dhe ngjarje mund të kishte me kufirin; si për ikje dhe për shkelje, diversantë. Një dyshim lëvrinte, por nuk na i mbante.
Hamendësimet e shprehura, zakonisht të përfundonin prapa hekurave të hetuesisë. Po sot, po e them dyshimin që pata: “Si neve na mbajnë në gatishmëri dhe kryetari e dy nënkryetarët, s’janë këtu?! Epo do jetë ndonjë ngjarje e rëndë, ndaj do jenë në mbledhje tek Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit”, se atje shkonin njëherë, para ndonjë situate, apo arrestimi.
Po nuk flisnim. Në këto hamendësime na gjeti mesnata, kur vijnë dhe ndalojnë në oborrin e Degës dy automjete “IFA” (kamionë) me gardistë dhe gjashtë “ARO” (automjete veturë rumune, që përdoreshin nga zyrtarët) me zv/ministrin Zylyftar Ramizi dhe operativ të Ministrisë së Brendshme. Gardistët rrethuan Degën e Brendshme, ndërsa Zylyftari pa folur fare, hyri në zyrën e oficerit të rojës, të cilin e nxori jashtë, me një fjalë të vetme: “Ik”! Mbajti vetëm nënoficerin.
Në kohën që merrej Zylyftari me nënoficerin, pyeta shokët e mi, shoferë të Tiranës, se; ç’është?! Më thanë me supe ngritur, se ishin të çoroditur: “Fillimisht urdhëruan për në Durrës, se ka kryengritje, më pas në Lushnjë, Fier, Gjirokastër dhe përfunduam në Sarandë. Asgjë s’dimë! Po mesa duket, këtu është dasma. Se nuk ndaluam në asnjë qytet, pavarësisht se na urdhëronin sa i afroheshim qytetit thoshin, se kryengritësit janë më tutje, deri sa erdhëm këtu”!
Siç tregova më lartë, zv/ministri i Brendshëm, Zylyftari, pasi largoi oficerin e rojës nga detyra, u mor me nënoficerin, të cilin e urdhëroi të njoftonte kryetarin dhe dy nënkryetarët, të paraqiteshin në organ urgjent. U njoftuan menjëherë. Prisnim në ankth se ç’do ndodhte. Megjithëse ishim mësuar, prapë çdo rast kishte çudinë e tij. Qetësi absolute. Sytë e Zylyftarit, na kaluan në revistë të gjithë neve, që akoma rrinim gatitu. Ndërkohë, kryetari, Sali Veliu, hyri tek porta.
Zylyftari doli nga zyra e oficerit të rojës, që qe ngjitur me portën e madhe të jashtme dhe dorës së shtrirë të mirëseardhjes së kryetarit, ju drejtua me fjalët: “Me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, je i arrestuar”! Shtangëm të gjithë! E futën me pranga në njërën nga “ARO”-t. Të them të vërtetën, më shkanë lot, po më ndihmoi nata e nuk më panë, se ndryshe më piu e zeza. Pas disa minutash, vjen nënkryetari, Panajot Barka. Edhe ky të njëjtin fat dhe fjalë, si kryetari.
Dega e Brendshme dukej se dridhej e gjitha, si nga ndonjë tërmet 10 ballë dhe do të rrafshonte gjithçka. Dhe vërtet rrafshoi gjithçka. Pas pak vjen edhe nënkryetari tjetër, Sami Resuli, se vinin sipas largësisë së banesave me këmbë, as mua s’më lanë, ta merrja kryetarin me makinë. Edhe ky përfundoi në pranga. Nuk i mbajtën më, po i nisën urgjent drejt Tiranës. Ushtarët kërcitën armët. Frikë kudo. Dy nga “ARO”-t e ardhura u nisën drejt Livadhjasë, ku ndodhej Komanda dhe Shtabi i Batalionit të Kufirit për Jugun. Aty arrestuan shefin e Shtabit të Kufirit dhe një nënoficer.
Na thanë të ikim në shtëpi. Sa arritëm, mbërritën ushtarët dhe policët dhe na lajmëruan për t’u paraqitur përsëri në Degë. “Epo vate kjo punë”!- thashë. Si unë thanë edhe të tjerët, siç treguan më pas. Pashë edhe një herë fëmijët dhe u nisa për në Degë. Nuk kam ndjerë më dhimbje në veten time, kur pashë gruan dhe fëmijët, që më shikonin të çuditur…! A pa, pa! Çaste tmerri…! Shpirti dhembka shumë, nga dëshpërimi i gruas dhe qelqi i syrit të fëmijës?! Po nejse…vajta në Degë.
Qenë mbledhur shumë, e të tjerë vinin. Të hutuar e të trembur. Po rrinim tek porta e “Shën Pjetrit” dhe prisnim kujt do t’i flitej emri…?! Na futën në sallën e mbledhjeve, ku erdhi përsëri zv/ministri, Zylyftar Ramizi dhe shkurt komunikoi zyrtarisht emrat e të arrestuarve. Vetëm emrat, pa motivacion. Sallën e mbretëronte një qetësi dhe frikë absolute. More, nuk dëgjohej miza! Nuk të besohet, po kështu qe vërtet. Na pyeti të gjithëve me radhë.
Një oficeri të kontrollit, i foli ashpër: -“Po ti?! Nuk i kape dot ato dy vajzat, që u arratisën? Që në Qafë të Muzinës, t’i kapje, ndaj je! Apo ha bostan shumë ti, të pëlqen i shkreti, ë?! Edhe një Punëtori tjetër Operativ të qytetit, i tha: -“Edhe ty do të fut në burg, sylesh! Të duket vetja bukurosh dhe s’e ke mendjen në punë”. Dhe vërtet, pas tre ditësh, Qazimi u arrestua dhe u burgos. S’e bënte fjalën dy Ramizi, jo! Ja kjo qe historia e bujshme e arrestimit të tyre. Një arrestim i tmerrshëm. As Kadri Hazbiut, nuk iu bë arrestim i tillë…!
Me shumë interes për lexuesin këto që na treguat, por mund të vazhdojmë edhe pak? Si u prit nga punonjësit e Degës, arrestimi i Kryetarit dhe dy shefave kryesorë?
Diçka thashë edhe më lart. Nuk mbajta asgjë. U bë një arrestim shumë i poshtër. Një arrestim, që s’kish bërë vaki ndonjëherë që Dega e Punëve të Brendshme, jo vetëm e Sarandës, të rrethohej nga forcat e Gardës së Republikës dhe të arrestohen drejtuesit e saj në atë mënyrë! Mund t’i thërritnin në mbledhje në Ministri dhe t’i arrestonin. Dyqind forca, dhe në atë kohë…me gjithë ato mjete dhe operativë të ministrisë së Brendshme?!
Sot a beson në akuzën që u hodh mbi të arrestuarit që përmendëm?
E vërteta është që në shpirt, nuk e besuam. Po heshtëm, frika…! Sali Veliu, qe një kryetar shumë i mirë, babaxhan e popullor. Edhe dy nënkryetarët, Panajoti dhe Samiu, shumë të mirë qenë. U çuditëm se si ky njeri, që qe shumë i rregullt në punë e shoqëri përfundoi në pranga! Po ma do mendja, me që qe mallakastriot dhe s’qenë mbaruar akoma spastrimet, nga krahu i Mehmet Shehut…!
Juve, ju thirrën në hetuesi?
Po, po! Na pyetën shumë. Po lëre…! Më në fund, na hoqën edhe nga puna. Për këtë nuk flas!
Po më thatë, që punuat 20 vjet shofer, tek kryetari i Degës së Punëve të Brendshme. Udhëtuat ndonjëherë me ministrin e Brendshëm?
Po! Kam udhëtuar dy herë me Kadri Hazbiun dhe një herë me Hekuran Isain. Kadriu më dukej njeri shumë i mirë. Nuk të bënte përshtypje shumë të keqe ai njeri. Qe i rregullt dhe i përpiktë, në sjellje e fjalë. Me të udhëtova, njëherë në Konispol dhe njëherë në Vlorë.
Gjatë rrugës, të dy rastet, nuk bëri asnjë pyetje provokuese. Qe burrë i matur. Me Hekuranin, udhëtova vetëm njëherë, në Himarë. Edhe ky qe shumë i urtë dhe i mirë. Po mund të them, sipas mendimit tim, se po t’i krahasosh, qe më i mirë nga Kadriu…!
Pse?
(Nuk jep shpjegime për këtë pyetje…?!)
Mirë, po si mendoni, të qe vërtet armik, Kadri Hazbiu?
Nuk e di! Si të them… klane… bërryla… kolltuku… pushteti…! Unë s’kam aq shumë shkollë sa të gjykoj e, të jap një mendim të saktë, si përgjigje të pyetjes suaj. As e kuptonim fare atëherë, se pse e si u futën në burg, sepse edhe mendimi, të çonte në burg. Le të flisje po të doje! Sot ka komente e dokumente të ndryshme, që mund ta zbardhin të vërtetën.
Ndonjë kujtim tjetër që ruan me kryetarin?
Ka shumë! Të gjitha i kam të palidhura me punën. Nuk fliste në makinë fare. I vetmi kujtim me punën dhe më i hidhuri, është arrestimi i tij. Fola dhe më lart. Qe njeri i mirë. Nuk merrte asgjë si dhuratë a, ryshfet. (nga ato që kishte koha produkte bujqësore e blegtorale.) Bile më thoshte, që me mua dhe për mua, mos merr asgjë! Megjithëse me një rrogë të vogël e, me shpenzime të shumta, qe njeri i mirë e i rregullt, Sali Veliu.
A keni ndonjë një kujtim familjar?
Po, se edhe ai ka lidhje me arrestimin. Sali Veliu bëri dasmën e vajzës dhe menjëherë pas katër ditësh, e arrestuan.
Mos kish ndonjë motiv nga dasma, arrestimi?!
Jo! Para dasmës më dërgoi mua në frigoriferin e thertores (thertorja e jugut) së Delvinës dhe mora koka qengji, për t’i servirur të pjekura, tek të gjithë të ftuarit. Mora dhe mish. Pagova lekët dhe i prura faturën. Të gjitha i çuam tek Bar-Restorant “Bistrica”, për t’i gatuar, se aty u bë dhe dasma.
Bëri një dasmë shumë të mirë, se e kish dhe vajzë të vetme. Ke të drejtë që pyet se edhe në hetuesi, na pyetën: -“Pse e bëri kryetari dasmën, me koka qengji”?! Kushedi ku u shkonte mendja atyre…?!
Pas gjithë këtyre, e ndjenit se mund t’u vinte arrestimi edhe juve si shofer i kryetarit, tanimë i akuzuar si armik dhe puçist?!
Pas kësaj më pushuan nga puna si shofer i kryetarit dhe më caktuan në zjarrfikëset e qytetit. Po nga Dega e Punëve të Brendshme, varej edhe ky repart. Muaj të tërë, rrija i trembur. As me shokët s’flisja. Le që edhe ata, nuk rrinin e flisnin me mua. Ruheshim shumë. Edhe sot çuditem, se si nuk përfundova në pranga…?!
Qe koha e spastrimeve të mëdha. Edhe njëherë të vetme të kishe pirë kafe, me një nga “armiqtë” e etiketuar, pikëpyetja kthehej në pranga. Edhe sot falënderoj fatin, që më shpëtoi. Po nga që situatat precipituan e, rrodhën ndryshe shumë shpejt, shpëtuam.
Sot pas 40 vitesh të ngjarjes, si e gjykon veprimin e asaj kohe?
Shumë të keq! Një arrestim, që s’ka bërë kurrë vaki në atë kohë! U arrestuan shumë grupe armiqësore, anëtarë të Byrosë Politike e të Këshillit të Ministrave, po si ky lloj arrestimi, jo, jo, nuk kam parë e, mos më pafshin më sytë. Nuk e kuptuam, pse në atë mënyrë…?! Kryetari qe edhe anëtar i Byrosë së Komitetit të Partisë së rrethit dhe aq i thjeshtë, sa takohej dhe me kooperativistë e njerëz të zakonshëm, kushdo që kërkonte ta takonte.
Qe masovik. Në arrestime, nuk merrte pjesë. Nuk qe njeri agresiv. Edhe kur binin të arrestuar, skuqej në fytyrë dhe nuk u foli me gojë, asnjëherë. Me kolegët dhe vartësit, sillej mirë. Qe shumë i rregullt: zyrë-punë-shtëpi! S’futej në ahengje e klube, jo! Pas arrestimit të tyre, u vendosën rregulla më të rrepta dhe një frikë rrezatonte kudo e, në çdo fytyrë të punonjësve të Degës së Punëve të Brendshme në Sarandë. U kryen edhe veprime, që edhe sot, kanë shijen e hidhur tek opinioni publik i Sarandës. Po ikën e kaluan…! Besoj je i kënaqur, me këto që ju thashë? /Memorie.al