Nga Njazi Nelaj
Pjesa e dhjetë
Memorie.al / Të përzënë nga shkolla sovjetike e Aviacionit, me ëndrra të prera në mes, një pjesë e grupit të studentëve për pilotë, që kishim studiuar një vit në qytetin e Batajskut, më 8 janar të vitit 1962, pas një lundrimi “skëterrë”, me një anije mallrash, mbërritëm në qendrën e Shkollës së Tretë të Aviacionit Ushtarak të Kinës, në qytetin Çin Zhou. Ai ndodhet në “zemër” të Mançurisë; në atë kohë kishte rreth 200.000 banorë. Pa ndonjë industri të spikatur. Një qytet me ndërtime 2-3 katëshe por me rrugë të asfaltuara. Terreni përqark qytetit ishte fushor; pranë tij janë brigjet Perëndimorë të Detit të Verdhë. Njëra nga vlerat e këtij qyteti mbahej fakti që aty ishte qendra e Shkollës së Tretë të aviacionit ushtarak të Kinës. Vajtja ime në këtë shkollë e në atë qytet ishte një rast fatlum. Në listën prej 7 studentësh të kursit tonë ku bënin pjesë: Adem Çeça, Dhori Zhezha, Mihal Pano, Bashkim Agolli, Andrea Toli dhe Sherif Hajnaj (Bracki), u përfshi, fare rastësisht dhe emri im, Niazi Nelaj.
– Në shkollën kineze të aviacionit ushtarak –
Një “gonxhe” çeli në spitalin ushtarak të aviacionit, në Çhang Çunit
Një ditë u ndodhëm shumë pranë, në radhë e ajo mori guximin e më foli e para. E dinte që unë komunikoja rusisht, prandaj, me një rusishte copë-copë e me zë ku nuk fshihej emocioni, m’u drejtua me fjalët: “Hoçu izuçat russkij jazik”! që do të thot먔Dua të mësoj gjuhën ruse”! Doja të prezantoheshim, ndaj, jo pa qëllim, e pyeta: “Qao shë mo minxë”? d.m.th: “Si të quajnë”? Gjuha që flisja, gjithashtu ishte copë –copë por ajo e kuptoi esencën. Vajza u përgjigj: “Ua shë mo minxë Sen – Sjao Sen “dhe plotësori mbiemrin e saj: Sen Shu Sen. Kuptohet, unë i thashë identitetin tim.
Po përpiqej të zgjidhte hieroglifin që i përkiste emrit dhe mbiemrit tim. Siç ndodh në këta raste, për të qëndruar sa më gjatë pranë saj, e pyeta për punën që bënte, në atë spital. Pa u menduar fare, ajo u përgjigj se mësonte të bëhej infermiere. I thashë specialitetin tim e ajo, në shenjë kënaqësie tha: “Hën kao sin”. që, në gjuhën tonë ka kuptimin: “Jam shumë e kënaqur”! Vijuam të komunikonim; ca në rusisht e ca në kinezçe. Kur nuk na mjaftonin fjalët, na vinin në ndihmë duart dhe këmbët. Për habinë time, edhe nëpërmjet kësaj gjuhe, pa zë, merreshim vesh me njëri-tjetrin.
Siç u pa më vonë, vajzës adoleshente i pëlqeu njohja dhe shoqëria me mua, djalin nga një vend i largët. Nuk e fsheh, mua, gjithashtu më pëlqeu të qëndroja sa më gjatë pranë saj. Para se të ndaheshim, në hollin e katit të parë, vogëlushja Sen, krejt pa pritur, në vend që të më jepte dorën, siç bëjmë ne, e të më përshëndeste me një: të mirë u pafshim, më tha, në gjuhën e saj: “Nën pu nën xao hao pangjou”? Gjuhën kineze nuk e zotëroja por ato fjalë, të veçanta i dija. Ishin fjalë kuptimi i të cilave e grishte djalin apo vajzën të lidheshin njëri me tjetrin me miqësi të ngushtë.
Fjalë të ëmbla e me kuptim, të thëna jo pa qëllim. U habita por nuk e dhashë veten. Ku qëndronte habia? Aty, në Mançurinë e largët; mijëra kilometra larg fshatit tim të lindjes, një adoleshente 16 vjeçare kineze, po më propozonte të lidheshim me miqësi. Me çiltërsinë e karakterit dhe të moshës, i tunduar nga një grishje e papritur, solla ndërmend atë ligjin e rreptë e pa ekuivokë që na lexuan ditën e parë të mbërritjes në shkollë, sipas të cilit, ndaloheshin martesat e të huajve me vajza kineze.
Mendova dhe mjaft vështirësi e pengesa që do të hasja rrugës, megjithatë vajzën nuk e refuzova në kërkesën e saj të pastër. Mirë, i thashë; Sjao Sen, unë do të të ndihmoj të mësosh gjuhën ruse e ti, do të më mësosh të luaj ping-pong. Nuk thonë kot se “rasti është mbreti i botës”! Kështu ndodhi e ne të dy u lidhëm. Nisëm të luanim më shpesh ping-pong e të bisedonim nëpër korridoret e Spitalit të Aviacionit të Çhang Çunit.
Kjo lidhje e brishtë e platonike nuk kaloi pa rënë në sy të vendasve xhelozë. Kur ne luanim ping-pong, vendasit, të mbledhur rreth tavolinës ku luhej, pa shkak, qeshnin e brohorisnin, duke përplasur duart. Kur na shikonin të bisedonim nëpër korridore, na rrethonin e zgërdhiheshin tërë hipokrizi. Të dilja jashtë territorit të spitalit, së bashku me vogëlushen kineze, praktikisht e pamundur.
Xhelozët kureshtarë na shoqëronin në çdo hap. Doja e donte të takoheshim por nuk kishte si e ku? Me fytyrë të bardhë, me hundë të madhe; për bela kisha lënë dhe mustaqe, unë bija në sy menjëherë, si ai “kau balash” që dëftojnë në fshatin tim. Situatën e vështirë që m’u krijua ma lehtësoi përkthyesi im i ri, Petja dhe një oficer kinez, me gradën e gjeneralit, me detyrë komandant divizioni. Ja si ndodhi:
Në spitalin ku isha shtruar erdhi një pilot kinez, të cilin e quanin Petja. Ai fluturonte në aeroplanë bombardues, me helikë, të kohëve të shkuara, të tipit ‘TU-4’. Ai vuante nga një lumbago, e cila, në Kinë ishte mjaft e përhapur, sidomos mes pilotëve të helikopterëve, shoferëve, pilotëve që fluturonin në aeroplanë bombardues të shpejtësive të vogla dhe konsiderohej sëmundje profesionale. Ishim të shtruar në të njëjtin pavijon dhe kuroheshim me metoda të njëjta.
Halli i përbashkët, zotërimi i gjuhës ruse dhe të jetuarit në të njëjtën ngrehinë, bënë të mundur njohjen tonë. Petja ishte me origjinë nga krahina autonome e Ujgurit. Nënën e kishte ruse e babanë kinez. Gjuhën ruse e zotëronte më mirë se unë, dhe kishte tipare të përziera të fytyrës; ngjante si aziatik e pjesërisht si europian. Më pëlqeu natyra e qetë e tij dhe karakteri tolerues. Më shoqëronte kudo e gjithë kohën.
Kishte interes se hanim së bashku, në mensë dhe atë e trajtuan, me ushqim njëlloj me mua që isha “i privilegjuar”. Me të ardhur në spital Petja, “gjurmuesi” im nuk u pa më në atë mjedis spitalor. Administrata e spitalit, për fatin tim të mirë, ma largoi atë bezdi që më shkaktonte dhimbje koke, me sjelljen e tij të shtirë e të pështirë. Ai u kthye në Shkollën e Aviacionit e unë mbeta atje ku isha, në spital, në shoqërinë e pilotit me emrin e çuditshëm për një kinez: Petja.
Miku im i ri, kolegu në profesion, Petja, një ditë më çoi të luanim me letra, në apartamentin e një gjenerali kinez e më prezantoi me të. Gjenerali ishte një kinez i shëndoshë, sa me zor merrte frymë, trupmadh e me kokë të madhe, me detyrë komandant divizioni. Mosha e tij ishte rreth 40 vjeç dhe hiqej “babaxhan”.
Meqenëse njësia, të cilën ai komandonte, ishte e dislokuar në Veri të Mançurisë, përgjatë brigjeve ujore të lumit Amur, i cili ndan dy shtetet: Bashkimin Sovjetik të atyre viteve me Kinën, gjenerali kishte mësuar disa fjalë rusisht dhe kishte dëshirë të shoqërohej me mua. Ndoshta për shkak të profesionit që kisha zgjedhur, mundet për shkak të moshës apo të vendit të origjinës time e ku ta di unë. Ai hiqej sikur dinte rusisht; në fakt kishte mësuar disa fjalë të përgjithshme, të cilat i fliste me theks kinez. Në Kinë, aso kohe, kuadrot e sërës së tij trajtoheshin në mënyrë të diferencuar, gjë që binte në sy, jo për të mirë. I njohuri im i ri, me gjithë diferencën e dukshme në moshë që na ndante, më ftonte në apartamentin e tij, për të biseduar e për të luajtur me letra.
Në ato kohë të luaje me letra, në vendin tonë ishte e ndaluar. Po të të kapnin duke luajtur me letra bixhozi, e paguaje shtrenjtë dhe e kishe burgun të siguruar. Në Kinë loja me letra ishte shumë e përhapur e letrat shiteshin fare lirshëm. Loja më e preferuar e tyre, me letra ishte: “Njanja” që do të thotë princeshë. Ai që fitonte lojën, shpallej: “Huansha”, princ. Të gjithë synonin të bëheshin princ. Apartamenti i gjeneralit ishte: një paradhomë; një dhomë dhe me anekset përkatëse. Apartamenti i gjeneralit përbënte hyrje më vete.
Në dhomën e tij ishte vendosur një krevat dopio, kolltuqe të rëndë e pajisje të tjera, të shtrenjta. Paradhoma ishte e madhe, e pajisur, gjithashtu me kolltuqe të rëndë. Në apartamentin e tij shërbente një punëtore vendase, e cila kujdesej për mjedisin dhe për gjeneralin. Në apartamentin e tij hynte dhe adoleshentja Sen Shu Sen, rishtaz e njohura ime, e cila donte të mësonte rusisht. I dinte barkmadh marrëdhëniet e mija me kursanten për infermiere. Hyja në “shtëpinë” e tij, së bashku me pilotin bombardier nga Ujguri, si miku i gjeneralit barkalec.
Një ditë shkova në apartamentin luksoz të gjeneralit, i vetëm. Ai kishte ftuar, në të njëjtën kohë edhe adoleshenten Sen. Ajo erdhi disi e ndrojtur e, kur më pa që isha aty, u gëzua. Në atë çast nuk mendova se takimi ishte diçka e menduar nga miku im gjeneral por, e mora si rastësi. Fakti që nuk ishte i pranishëm përkthyesi Petja, më la një shijë dyshimi. Megjithatë, përpara takimit me Senin, të tjerat u s’fumuan shpejt. Do të kishim një strehë ku të bisedonim dhe mbrojtjen e një gjenerali kinez.
Kursantja për infermiere Sen Shu Sen, u ul në një kolltuk në paradhomë e, unë pranë saj. Në paradhomë erdhi gjenerali e na gjeti të kapur dorë për dore. Në vend të përshëndetjes të zakonshme, “Nji hao”, gjenerali, me një rusishte të çalë tha: “V Kitaj, mozhno: çut – çut”! Kaq tha oficeri madhor e shkoi përsëri në dhomë. Kuptova se në Kinë, në marrëdhëniet me femrat nuk duhej tepruar. Kjo lidhej me atë ligj famëmadh që ndalonte martesa të të huajve me femrat kineze. Adoleshentja Sen, e dëshironte miqësinë time por, po të binte në sy të autoriteteve, atë e kërcënonte largimi nga puna (shkolla).
Gjithsesi, “strehëza” jonë në apartamentin e gjeneralit dhe mbrojtja e tij vërtet na u ofruan por, nuk ishin të sigurta. Takimet tona nuk mund të mbeteshin jashtë vëzhgimeve të kinezëve të vëmendshëm që, mbushnin korridoret e spitalit. Vogëlushja Sen, ishte si një kukull e bukur. Ajo sapo kishte çelur, si një gonxhe, plot hire femërore të fshehura. Qëndronim pak, në kolltukët e paradhomës së gjeneralit kinez dhe bisedonim, me zë të ulët, për gjëra të përgjithshme.
Ne bënim “dashuri” platonike, duke vështruar njëri-tjetrin, me ëmbëlsi e jo pa interes, kurse “rojtari ynë cilësor”, bënte sikur lexonte gazetën. Në ato kushte, u ndjeva i lumturuar. Arrita t’i përkëdhelja, lehtë gërshetat e saj të gjatë, të thurur bukur, të cilët i binin deri tek vithet. Vajza qeshte e qeshte, pa zë, e pa pushim. Të dy na tërhoqi ajo aventurë, pa fillim e pa fund. Digjeshim të dy nga një avër e brendshme, pa arritur t’i thonim njëri-tjetrit atë që na mundonte. Kisha dëgjuar e lexuar për dashuritë platonike; në Çhang Çun e “shijova” ndjesinë e mirë dhe “hidhësinë” që të dhuron ajo, kur nuk konkretizohet.
Një ditë, në spital erdhi nëna e vajzës. Një provinciale, me moshë mesatare e me trup si e bija. Nuk kishte gërshetë por flokë të prerë shkurt. Nuk i kishte rënë në pjesë, shansi, t’i kishte këmbët të vogla e trupin të madh. Ecte normalisht. Kishte veshur pantallona e një xhup të zi. Në fytyrë ngjanin të dyja, si dy pika uji. I gjeta, të dyja, nënë e bijë, në katin nëntokë, të ngrehinës së spitalit në një si labirinth ku ishte vendosur ujë mbajtësja metalike disa tonëshe, tek po mbushnin ujë të ngrohtë për të pirë, në një çezmë të posaçme.
Shkova në atë vend jo rastësisht dhe i gjeta me termusa në dorë. I fola vajzës së re dhe përshëndeta shoqëruesen e saj. Ajo, diçka i tha nënës, me gjuhë “të shkurtër “, në dialektin Ljao Nin, fjalë, të cilat nuk i kuptova. Edhe pse u bëra sy e veshë, nga kureshtja të mësoj diçka nga dialogu mes tyre, nuk kapa asnjë fjalë. Femrat kishin “kodin” e tyre të komunikimit. Nga sa pashë së jashtmi, kuptova se i kisha pëlqyer t’ëmës. E dëgjova kur i tha së bijës: “Hao Khan”, me zë të kuptueshëm, në mënyrë që ta kuptoja unë. Fjalët që dëgjova, në shqip mund të përkthehen: “I pashëm”! Sjao Sen, më prezantoi me nënën e vet, si mikun e saj. Gruaja e re më zgjati dorën e unë i’a shtrëngova atë, miqësisht.
Mjedisi ku u bë prezantimi kishte ngarkesë të madhe njerëzish. Hynin e dilnin mjaft femra e meshkuj, vendas, me termusë në duar. Na u desh të ndaheshim shpejt, edhe pse të dy donim që koha së toku të ishte pa limit. Përfundova mjekimin e u ktheva në Shkollën e Aviacionit, në bazën ajrore të Suj Xunit, tek shokët e mi studentë. Nuk ua fsheha shokëve atë që më kishte ngjarë. Nuk kisha arsye të mos ua dëftoja ndodhinë. Nuk shita mend por tregova të vërtetën, siç rrodhi. Rastin fatlum e përjetova me tërë ato që të sjell në derë fati, pa teprime e pa abuzuar me mirësinë e vajzës të parritur. Sjellja ime mund të ishte vetëm e tillë.
Pas një periudhë kohe, shkova sërish në atë spital, për të parë efektet e mjekimit, por dhe për të parë miken time. E kërkova Senin por nuk e gjeta. Atë e kishin larguar nga spitali. Ndoshta si masë ndëshkimore, për lidhjen tonë, sido që funksionoi. Ndoshta për të tjera arsye. Tek po shëtisja, pranë hyrjes së spitalit, një mbas ditë pashë Senin, të vinte, në mes të një grupi prej 5-6 shoqesh. I dola përpara që të bija në sy të saj. Më pa dhe e pashë, kalimthi, në ecje e sipër. Si në fillim, dhe atë çast, më foli ajo e para.
Si e zënë në faj, për të prishur heshtjen e atij çasti, i cili m’u duk tepër i gjatë, vajza belbëzoi: ”Çë më ndëla”? Pyetja e saj përmblidhte çdo fjalë të pa thënë; kuptimi i saj është: “Çfarë të ka ndodhur”? Jam i sëmurë i thashë,- në përgjigje dhe nuk e zgjata. Kuptova se diçka ndjeja për atë adoleshente rishtare. Këtu përfundoi lidhja jonë e pafat e më nuk u pamë. Pas gjithë kësaj kohe që ka kaluar, ajo, me siguri është “rreshkur”, si unë e s’dihet ku e ka përplasur fati. Sidoqoftë, në botën time rinore adoleshentja kineze hyri rastësisht e ashtu doli prap. Fakti që e kujtoj edhe tani, nuk është i pakuptimtë.
Në fundvitin 1962, kur në Mançuri ishte shtruar këmbëkryq dimri i ashpër, me temperatura siberiane por pa borë, në aerodromin e Sui Xunit, me shtrirje buzë Detit të Verdhë, nisëm fluturimet vozitëse me aeroplanët mësimorë reaktivë, ‘Mig-15’. Nga studentët e grupit të Batajskut, kishim mbetur 5 vetë. Sherifi ishte larguar në Universitetin e Pekinit; Misha ishte, në shkollë, së bashku me ne, por komisioni mjekësor e kishte deklaruar të paaftë për pilot dhe ai e shtynte kohën, si të mundte. Gjithsesi, ai trajtohej njëlloj si ne; edhe pse nuk fluturonte. U ndamë në grupe fluturuesish.
Më caktuan në të njëjtin grup me fierakun Dhori Nasi Zhezha. Instruktor pilot na caktuan kinezin e rritur por të pamartuar, Lju Shë Mo. I pakët nga trupi e “i rreshkur” në fytyrë, si “Nipçja” ynë, Lju-ja ynë, për nga aftësitë si fluturues ishte nga më të mirët. I saktë, i qetë, tepër korrekt, si në tokë dhe në ajër, ai na dha çdo gjë që dinte, e na bëri pilotë luftarakë. Ruaj kujtime të vyera e respekt të veçantë për atë njeri. Ai, pa ego, me thjeshtësinë e dëlirë të pilotit, sakrifikoi mjaft, për të na bërë ata që u bëmë.
Në tërë morinë e vlerave që pamë tek ata njerëz të jashtëzakonshëm, i veçantë e për t’u mbajtur mend është organizimi i ditës së fluturimeve. Rasti ynë përbënte veçori dhe ata e kishin studiuar në detaje këtë. Ne ishim studentë të huaj e nuk e zotëronim gjuhën kineze. Ky fakt krijonte një boshllëk të arsyeshëm i cili, kurrsesi nuk mund të injorohej. Fluturonim mbi hapësira qiellore të një vendi tjetër, të cilin nuk e njihnim aq mirë.
Ishim rishtarë, në moshë e në profesion. Papërvoja jonë mund të sillte të papritura jo të këndshme. Një humbje e pjesshme apo e plotë e orientimit në ajër, mund të sillte rrezik potencial e mund të bëhej shkak për pasoja serioze. Aeroplani me të cilin fluturonim, ishte i shpejtësive relativisht të mëdha. Fluturohej pranë kufijve shtetërorë me vende të tjerë e mund të ndodhte, pa dashje ndonjë kalim kufiri shtetëror. Në ajër ekziston vazhdimisht rreziku i ndonjë ngjarje të veçantë (avari) e moszotërimi i gjuhës, i hiqte studentit mundësinë të priste ndihmë verbale, nga toka. etj.
Për t’u paraprirë këtyre dukurive dhe të tjerave që ngjajnë me to; organizatorët e ditës së fluturimeve kishin gjetur zgjidhje të përshtatshme, unikale. Duke njohur vlerën që merr komunikimi i pilotit në ajër me udhëheqësin e fluturimeve, në tokë, pranë këtij të fundit, qëndronte vazhdimisht njëri nga përkthyesit tanë të rusishtes. Natyrisht ai që e zotëronte më mirë rusishten, që kishte njohuri të mjaftueshme për fluturimin dhe që kishte diksion të kuptueshëm e të ëmbël. Gjetja më e mirë ishte përkthyesi me origjinë nga rajoni autonom i Ujgurit- Petja.
Ndoshta një herë tjetër do ta cek këtë çështje madhore; temën interesante të rolit dhe vendit të udhëheqësit të fluturimeve. Tek ne Petja i dinte mirë të dyja gjuhët: Rusishten dhe Kinishten. Ai kishte aftësinë t’i përpunonte me shpejtësi ato që i thosh udhëheqësi i fluturimeve, duke i’a përcjellë shkurt e qartë pilotit në ajër.
Elokuenca e zërit të tij dhe saktësia e atyre që transmetonte e bënin më guximtar e më optimist pilotin. Kur ishte rasti emergjent e duhej ndërhyrë shpejt, Petja i merrte nga dora mikrofonin udhëheqësit të fluturimeve dhe, aty për aty, me mendje bënte përkthim të shpejtë e të saktë. Kjo ishte njëra nga masat e sigurimit të fluturimeve tona por jo e vetmja.
Erdhi radha e fluturimeve në rrugëkalim. Na duhej të largoheshim nga aerodromi në distanca më të mëdha. Për efekte sigurie, rrugëkalimi zgjidhej të kalonte pranë Mongolisë, e cila, në atë kohë konsiderohej vend i sigurt. Por, për të patur më shumë siguri, kinezët kishin organizuar një kinezëri. 1000-2OOO m. sipër lartësisë në të cilën fluturonte studenti shqiptar fluturonte një instruktor të cilit i raportonin vazhdimisht lokatorët, mbi vendndodhjen e avionit me student në bord.
Përveç kësaj, ky instruktor, nga lartësia në të cilën fluturonte i kishte të gjitha mundësitë të vrojtonte avionin (avionët) që pilotoheshin nga studentë shqiptarë. Instruktori “roja”, merrte rol të veçantë në rast se studenti shqiptar humbiste orientimin e nuk gjente dot aerodromin e vet. Në këtë rast “roja”i afrohej, i fliste, i dilte përpara dhe e udhëzonte ta ndiqte atë, deri sa të gjente e të njihte aerodromin e tij.
Aeroplanët me të cilët ngriheshim në ajër, ne, shqiptarët, ishin nga më të mirët sa u takon karakteristikave aerodinamike, kishin resurse kalendarike brenda normave shkencore dhe, çka duhet theksuar, ata përgatiteshin e kontrolloheshin me përgjegjësi të madhe. Jo se avionët e tjerë lëshoheshin në fluturim pa u përgatitur e pa u kontrolluar, por tek ne shtohej vëmendja e përkushtimi i njerëzve të teknikës. Kjo masë ishte në të mirë të sigurisë të fluturimeve tona. Edhe mjetet tokësore, radioteknike që bëjnë sigurimin e fluturimeve, në ditët kur fluturonim ne, viheshin në efiçencë maksimale dhe avioni me të cilin fluturonin shqiptarët ishte i vrojtuar shumëfish. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016