Nga Skifter Këlliçi
Pjesa e gjashtë
Prolog
Memorie.al / Është e katërta herë që po shkruaj për Festivalin e 11-të Kombëtar të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, (22-25 dhjetor 1972), aq sa ç’kam shkruar para disa kohësh për Konferencën e Tiranës, (16-20 prill, 1956). Edhe këtë radhë për të njëjtën arsye: për mungesën e saktësie historike të disa ngjarjeve që lidhen me këtë festival, të cilat Ramiz Alia, ish-sekretar i parë i parë i PPSh-së, pas vdekjes së Enver Hoxhës, i përshkruan në librin e tij të fundit “Jeta ime” (2010), ndonëse në të ka pohime objektive, të sinqerta, sidomos kur ai dëshmon për gabimet e rënda që sollën në dështimin e sistemit komunist në Shqipëri, të drejtuar nga Enver Hoxha, ku edhe kërkon falje. Por në përshkrimin e figurës së tij, Ramiz Alia është shpesh herë kontradiktor, sidomos në kapitullin; “Lufta kundër liberalizmit”, ku ndalet te Festivali i 11-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (22-25 dhjetor 1972).
Cilat ishin “proçkat” e Todi Lubonjës?
Sepse kërkoi t’i jepte fytyrë të re programeve të Radios dhe të pasuronte emisionet e TV-së? Ç’të keqe kishte, se u transmetuan këngët e Festivalit Evropian të vitit 1972 në Radio, këngë të këndshme që freskuan programet muzikore? Ç’të keqe kishte se u transmetuan veprimtari sportive, të marra nga TV-të e huaja, kryesisht italian, për të cilin u ble posaçërisht një aparat i quajtur “telerekording”, (anglisht-regjistrues televiziv), se po nga TV italiane, u regjistruan rubrika e, sidomos filma shumë edukativë, kur ekrani i RTSh-së, dyndej kryesisht nga filma kinezë, a filma të vjetër që shfaqeshin gati çdo javë?
Ç’të keqe kishte pastaj, se revistat televizive, u pasurua edhe me kronika të ardhura nga kompania “Visnjuz”, ose të marra pastaj përsëri nga TV italian? Në fund të fundit, të tëra këto, Todi Lubonja nuk i bëri më kokën e tij. Ai, siç më ka thënë gjatë takimeve tona, në çdo hap konsultohej me Ramiz Alinë dhe Pirro Kondin. Për të mos shkuar më larg, në verë të vitit 1972, siç e kam shpjeguar, ai mori edhe përgëzime nga personalisht Enver Hoxha, për këto të reja që po shiheshin në TVSH.
Pastaj, RTSh-ja nuk ishte një qendër që ndodhej dhe transmetonte në… faqen e prapme të malit të Dajtit dhe nuk shihej në Tiranë!
Programet televizive i shihte, së pari vetë diktatori, shtëpia e të cilit ndodhej jo më shumë se 300 m. larg zyrës së Todi Lubonjës. Atëherë, si nuk e mori atë, të paktën një herë të telefon, ashtu siç deshi e mori kë mundi gjatë transmetimit të përshëndetjes së Papës, me rastin e Krishtlindjeve, më 25 dhjetor të viti 1975, e t’i tërhiqte dhe Todi Lubonjës vërejtje, për këto “risi” televizive?!
Duhet të theksoj se Todi Lubonja, nuk lejoi as më të voglën lajthitje politike, a ideologjike në çdo lloj programi, qoftë në lajme, programe artistike, biseda, emisione për fëmijë, përveç Festivalit të 11-të, sipas gjykimit të Enver Hoxhës, dhe në disa raste të bashkëpunëtorëve, që merrnin pjesë në emisione televizive, me flokë të gjatë, a veshje “moderne”, raste të cilat stërmadhohen, në letrën që një farë mësueseje nga Fieri i dërgonte atij, siç e kemi parë dhe më lart, në mos qoftë edhe kjo letër, si dhe herë të tjera, të ketë qenë e sajuar enkas prej tij. Atëherë, ku janë “proçkat” e tij?!
Le t’i hedhim sy edhe programeve televizive gjatë viti 1972-‘73, kur ai ishte drejtor i përgjithshëm i RTSh-së: Të hënën, si çdo ditë në orën 18.00, dhe në mbyllje të programeve ditore, lajme, në orën 18.30, transmetohej emisioni për fëmijë, në 19.15, emisioni “Për punonjësit e bujqësisë”, 19.30, koncert me muzikë popullore, 20.00, çdo mbrëmje “Revista televizive”, 20.30, “Rubrika sportive”, 21.00, film artistik; Të martën: më 19.15 dokumentar shkencor, më 19.30, teleportazh, më 20.30, pjesë baletesh, 20.30 film artistik; Të mërkurën: 19.15 “Udhëtim nëpër lashtësi”, 19.00, “Trupi dhe shëndeti”, 19.30, “Enciklopedia televizive”, 20.30 koncert. 21.00, film artistik;
E enjte: 19.15, “Mozaik poetik”, 19.30, “Vende dhe popuj”, 20.30, “Nga gurra jonë popullore”, 21.00, film artistik; E premte: 19.15 dokumentar, 19.45, numra cirku, 20.30, koncert, 21, film artistik; E shtunë: “Në botën e bukur të përrallave, 19.15 “Takim me shkencën dhe teknikën”, 19.30, telereportazh, 20.30, koncert me muzike të lehtë, 21.00, film artistik; Të diel: 19.15 “Libri- miku ynë i përbashkët”, 19.30 “Nëpër Republikën Popullore të Kinës”, 20.30, koncert, 21.00 film artistik. Këto emisione pasuroheshin çdo të diel në ditë festash, ose dhe gjatë javës edhe me transmetime sportive, si dhe me programe që iu shtuan TVSH-së, nga ora 10.00 deri 14.00.
Ja, pra, këto ishin programet televizive, që zgjatnin çdo ditë, jo më shumë se sa pesë orë. Kaq ishte forca e TVSH-së së asaj periudhe, me, tri emisione lajmesh çdo ditë, me telereportazhe nga jeta në vendin tonë, rubrika artistike, ku, siç shihet, përfshiheshin emisione me muzikë popullore, me muzikë të lehtë, klasike, rubrika kulturore, shkencore, sportive dhe me filma artistikë, ku, veç filmave të blerë, nisën të shfaqeshin edhe filma të regjistruar nga TV Italian, (RAI). (Të mos harrojmë se pas viteve ‘80-të’ nga RTSh-ja filluan të dërgoheshin në Francë grupe, për të blerë filma artistikë, fakt që gjatë kohës së drejtimit të RTSh-së nga Todi Lubonja, do të quhej gabim i madh politik).
Atëherë, e përsëris, për çfarë proçkash e ka fjalën diktatori, të cilat nuk do t’i lejonte Thanas Nano? Paradoksi më i madh është se Todi nuk hoqi dhe nuk shtoi asnjë nga programet e mësipërme, që i trashëgoi nga koha e Nanos, veçse kërkoi me këmbëngulje që ato të ngriheshin edhe më shumë artistikisht, ashtu siç kërkoi që edhe gazetarët të përpiqeshin që të gjenin rrugë dhe forma të reja për t’ia arritur këtij qëllimi dhe kjo mundtë bëhej vetëm me ngritjen kulturore të atyre vetë.
Sigurisht, ai synoi më pas që të shtonte dhe emisione të tjera, por nuk pati kohë gjatë drejtimit të tij në RTSh, që zgjati një vit e tre muaj, (janar 1972 – prill 1973), ndonëse që nga janari i vitit 1973, ai u bë drejtor fantazmë, për arsyet që shpjegova më lart. Zëvendësimi i tij me Thanas Nanon, na kujton një farë mënyre, rikthimin pas 100 ditësh të Luigjit XVI-të, në fronin mbretëror, që ishte dëbuar nga Napoelon Bonaparti, i cili, me të humbur në Vaterlo, (18 qershor 1815), u kap nga mbretërorët dhe u internua në ishullin e humbur të Shën Helenës. Në Francë u rikthye kështu monarkizmi konservator, pësoi goditje borgjezia e re kapitaliste e liberale.
Çuditërisht, për zëvendësimin e Todi Lubonjës me Thanas Nanon, Ramiz Alia, nuk shkruan asnjë edhe një radhë, në një kohë që duhej ta quante atë veprim tiranik të Enver Hoxhës, që hidhte poshtë propozimet e anëtarëve të Byrosë Politike, duke përfshirë edhe vetë Ramz Alinë, të cilëve as që u kishte shkuar kurrë ndërmend që në RTSh, të kthehej një drejtor konservator, dogmatik, me kulturë të kufizuar, siç ishte Thanas Nano.
A gaboi Todi Lubonja?
Në librin e tij; “Dera e prapme e shtypit”, Marash Hajati shprehet kështu: “Me Todin kishim marrëdhënie të mira, por si kudo, kur ndërrohen drejtuesit, dalin në pah dëshirat për të bërë ndryshime e organizime të reja. Në këtë drejtim, disa gjëra u morën si “me yrysh”. Deri në aparat, erdhën lista për zëvendësime të shumta e propozime për largimin e atyre që quheshin të “mefshtë”, konservatorë, pa iniciativë, etj. Ky oreks disi i tepruar, nuk gjeti jehonë e përkrahje nga lart”! (faqe 78)
Autori i librit nuk përmend emra, por Todi Lubonja e pa të arsyeshme që të largojë, së pari, Klimi Misjen, drejtorin e TVSH-së, me arsyetimin se nuk u përgjigjej kërkesave në rritje të këtij institucioni. Që të flas hapur, nga një pikëpamje kishte të drejtë. Por, c’është e vërteta, asnjë nga ne, jo vetëm që nuk kishte diplomë në fushën e TV-së, (duke përjashtuar kryeinxhinierin, Alfred Xhufka), por nuk kishim bërë as edhe ndonjë specializim, jashtë vendit, problem të cilin Todi, e pati parasysh, siç e kam përmendur më sipër.
Sidoqoftë siç u tha atëherë, largimi i Klimi Misjes u shoqërua me një motivacion të nxituar. Zëvendësimi i tij me regjisorin e mirënjohur, Mihal Luarasi, u cilësua më pas si gabim i rëndë, sepse në postin e drejtorit të TVSH-së duhej “njeri politik” dhe, për më tepër, komunist. Mirëpo, harrohej se, as më shumë e as më pak, në tetor të vitit 1972, pra, disa muaj më parë, vetë Enver Hoxha, në fjalimin e tij të mbajtur në Mat, kishte theksuar se; drejtuesit e institucioneve, mund të mos ishin komunistë.
Pra, duke u zbatuar ky orientim, Mihal Luarasi, si drejtor, do të merrej me ngritjen artistike të TV-së, kurse problemet politike, emisionet e lajmeve, bisedat me karakter ideologjik, do t’i mbulonte një nëndrejtor tjetër. Ku ishte, pra, e keqja e këtij vendimi, që kishte marrë Todi Lubonja, aq me tepër të miratuar, me siguri, edhe nga Ramiz Alia, sepse ishte Komiteti Qendror, që vendoste për çdo emërim të këtij niveli?
Tjetër gabim: Siç kam vënë në dukje edhe më lart, nuk iu përgjigj letrave të ardhura nga të rinjtë, të cilat pa më të voglin dyshim, siç më pohonte Todi Lubonja, ishin të yshtura nga vetë diktatori. Nuk i lexoi dhe diskutoi ato, as në mbledhje partie, as të kolektivave të RTSh-së. Nuk dërgoi në redaksinë e “Zërit të Rinisë”, ku u botuan këto letra, të paktën një përgjigje autokritike. Po, edhe për këto, nuk u ysht të vepronte nga të mësipërmit. Dhe kjo, sepse as ata vetë nuk e dinin se “ç’tërmet” do të shpërthente tirani gjakësor.
Thanas Nano, noton në ujërat e tij…!
Për Thanas Nanon, riemërimi i tij si drejtor i përgjithshëm i RTSh-së, pa dyshim që ishte ngjarja më e madhe, që nuk e kishte marrë me mend kurrë, se do të ndodhte në jetën e tij. Dhe kishte plotësisht të drejtë, të ngazëllehej. Kthehej me urdhër të vetë “Zeusit shqiptar”, që e kishte parapëlqyer para emrash me personalitet, ku e ku ,më të madh se ai.
Ai do vinte kështu në jetë porositë personale të “shokut” Enver. Dhe duhet thënë se këtë detyrë, e kryente shumë mirë, sepse nuk linte të dilte në ekran, qoftë edhe faktin më të vogël që mund të ngjallte dyshim, se nuk shkonte me vijën e Partisë. Madje, edhe parukieret mbanin hazër gërshërët, që të shkurtonin flokët e ndonjë bashkëpunëtori të TV-së, që mund t’i kishte disi të gjatë, para se ai të dilte në ekran.
Por, të themi atë që është për të thënë, kushdo që do të ndodhej në detyrën Thanas Nanos, nuk do të kishte si të vepronte ndryshe. Si pasojë, në RTSh, u hoq çdo e re që kishte sjellë Todi Lubonja, në atë vit e pak muaj që drejtoi këtë institucion. Pra, u varrosën në arkivë këngët e Festivalit të 11-të, të festivalit evropian të një viti më parë e, këngë të tjera të huaja, u ndanë përsëri redaksitë e informacionit të Radios dhe TVSH-së, që ishin bashkuara në një, etj. Nga “Revista televizive”, u hoqën lajmet sportive, të marra nga RAI.
Gjatë verës së vitit 1972, për të ngritur edhe më lart nivelin e “Revistës televizive” të orës 20.00, që ishte e dobët, me aprovimin e Todi Lubonjës, regjistroja nga RAI, rubrikën e përditshme sportive, që transmetohej në orën 19.45 dhe, pasi zgjidhja ato kronika që paraqitnin interes, pa kaluar gjysmë ore, i komentoja para kamerave në “Revistën televizive”, duke shtuar, natyrisht, edhe lajme nga veprimtaritë tona. Mirëpo këtë, nuk e pëlqeu Thanasi dhe dha urdhër të prerë, që kjo nën-rubrikë e “Revistës televizive”, të hiqej një orë e më parë. Dhe ashtu u bë. E përse? Sepse teleshikuesit, mësonin të reja të freskëta nga sporti në botë? Ç’pedantizëm…?!
Mbetën vetëm transmetimet e ndeshjeve sportive, kryesisht të futbollit, ta marra nga televizionet e huaja. Por edhe me to, ndodhi çudia. Veçse, jo për faj të Thanasit. Këto ndeshje, me urdhër nga lart, filluan të transmetoheshin pa zhurmat e stadiumeve, pra, pa brohoritjet, ose duartrokitjet e shikuesve, kinse se mos ndoshta dëgjohej… diçka që nuk shkonte. Me fjalë të tjera, në stadium, dukej se kishte shikues… memecë.
Me urdhër nga lart, u ndërprenë transmetimet televizive të RAI-t, për shikimin e të cilit, ishte vënë enkas një antenë në në Malin e Dajtit. Por, në të njëjtën kohë, u ndërtua një antenë speciale, që lejonte shokët e udhëheqjes, t’i ndiqnin këto programe, sepse ata ishin “të imunizuar nga ndikimi i dëmshëm i tyre, në masat e popullit”.
Në një kohë kur mungonin fondet për ngritjen e përsëritësve, ose përforcuesve televizivë, që sinjali i TVSH-së të shihej edhe në zona të thella, kjo nuk ndodhte, kur ishte fjala për; “…blerjen e disa pajisjeve për garantimin e e ritransmetimeve të programeve të huaja televizive, në Vlorë dhe Pogradec…! Duhen blerë 6 copë përsëritës, grupe diesel-gjeneratorë, 1 makinë “ARO”, gjithsej, 77 mijë USD, ose 23 mijë rubla, ose 282 mijë lekë valutë”. (Nga shkresa e Drejtorisë së Përgjithshme të RTSh-së, drejtuar Komisionit të Planit të Shtetit, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, (Dosja 29, Fondi i RTSh-së, A.Q.SH., datë 24.7.1979).
Shpenzoheshin kështu më mijëra e mijëra dollarë, që Enver Hoxha, kur të pushonte në qytetet e mësipërme, të ndiqte sa më mirë programet e RAI-t. Gjithashtu, u dha urdhër që nga çatitë e pallateve, a shtëpive në çdo qytet të Shqipërisë, të zhdukeshin antenat që shërbenin për shikimin e stacioneve të huaja televizive, e vetmja dritare për të parë një çikë botë, nga e cila diktatori po na ndante…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016