• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Saturday, June 7, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Pasi roja i tërbuem, i vuni cigaren e ndezun në sy, ai lëshoi nji britëm therëse; ‘o Aristidh Karrabeci, edhe Zotin mund ta harroj, por jo…”/ Dëshmia tronditëse e ish-të dënuarit politik nga SHBA-ja

“Në kampin e Vloçishtit ku ishte komandant, vëllai i Rita Markos, vdiqën nga uria apo u vranë nga ushtarët, 73 shokë të burgosur…”/ Dëshmia rrëqethese e ish-të dënuarit që u arratis…
“Bishat mishngranëse të Sigurimit të Shtetit, u banë vullnetarisht kriminelë ordinerë, që nji fat i egër i vuni në shërbim të ‘Partisë’ e të ‘Shtetit’…”/ Kujtimet e ish të dënuarit politik nga SHBA-ës
“Në kampin e Vloçishtit ku ishte komandant, vëllai i Rita Markos, vdiqën nga uria apo u vranë nga ushtarët, 73 shokë të burgosur…”/ Dëshmia rrëqethese e ish-të dënuarit që u arratis…
“Bishat mishngranëse të Sigurimit të Shtetit, u banë vullnetarisht kriminelë ordinerë, që nji fat i egër i vuni në shërbim të ‘Partisë’ e të ‘Shtetit’…”/ Kujtimet e ish të dënuarit politik nga SHBA-ës
“Inxhinierin nga Vlora që ishte diplomuar me ‘Medalje Ari’ në Vjenë e akuzuan si ‘sabotator e armik i popullit’ dhe e varën dy herë në litar, pasi…”/ Historia tragjike e vitit 1946

Nga SAMI REPISHTI

Pjesa e njëzetetre

Sami Repishti: – “Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –

                                                            ‘Nën hijen e Rozafës’                  

Gjithashtu mund të lexoni

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjtë, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.

                                                    Vijon nga numri i kaluar

XX

Me ardhjen e qershorit, filloi kontrolli mjekësor për të burgosunit që do të dërgoheshin në kampin e punës. Burgun e kishte zanë frika, sepse kësaj radhe përmendej kampi i shfarosjes së Vloçishtit, Maliq. “Veteranët” kishin tregue me hollësi, jetën e punën në atë kamp. Vetëm emni Vloçisht, i tmerronte: punë e randë në baltë, torturë, uri e pushkatime, ose vrasje me dru. Në këtë atmosferë kërcënuese, u banë listat që përfshijshin pothuejse të gjithë të burgosunit, me përjashtim të dhomave 2 e 10, ku mbaheshin të sëmurët e pa shërim. Era e vdekjes frynte nga të gjitha dritaret e burgut, e shpresat e kthimit gjashtë muaj ma vonë, pothuejse kishin vdekë. Edhe të rinjt frikësoheshin; përvoja e Bedenit, ishte akoma shumë e freskët.

Nji ditë qershori, në mëngjes herët, u ngritëm nga britmat e rojeve që filluen leximin e emnave të gjithë atyne që do të niseshin për kamp. Mandej, u dha urdhni të mblidheshin të gjitha leckat e të dilshim në oborrin e jashtëm. Filloi ngarkimi i kamionëve, me të burgosun të lidhun me zinxhirë. Të ulun në shesh, të ngjeshun si sardinat në kuti, rojet na lidhën me litar në grupe gjashtë vetësh. Për çdo kamion, kishte katër roje me mashinka, e shkopij.

Rreth makinës, ishin rojet me “Jeep” ose, motoçikleta e mitrolozë. Ma në fund, u nisëm! Rruga deri në Korçë, do të zgjaste më shumë se dymbëdhjetë orë. Pa bukë, pa ujë, pa mundësi me krye nevojat personale e, nën diellin e nxehtë të qershorit e të shkopinjve të rojeve që dëfreheshin, ma shumë se pesëqind të burgosun, kaluen nji ndër ditët ma të vështira të burgimit. Askush nuk fliste.

Çdo kërkesë merrte nji shkop në kokë, si përgjigje. Çdo ankesë, ishte nji dënesë të të këpuste shpirtin, por pa asnji efekt. Kjo shtypje e pamshirshme kundër nesh, nuk ishte frika fizike që komunistët mund të kishin nga nji kundërveprim i yni. Na ishim të dërmueme! Marrja në dorë e pushtetit absolut nga sundimtarët e kuq, kishte hedhë bazat e nji vetëbesimi të rranjosun ngulmënisht në mendjet e tyne, e që forcohej çdo ditë e ma shumë, nga nji konjunkturë e jashtme politikë e favorshme. Sundimtarët e kuq, flitshin me sigurinë e nji faraoni që trashëgonte kultin mijëvjeçar të monarkut, sovran e zot i jetës, së masave të nënshtrueme.

Shtypja që na bahej ditë e natë, kishte rrajë të tjera: ajo lindte nga nevojat e zhdukjes së gjurmëve të gjakut e të krimit të kryem, praktikisht që nga themelimi i “Partisë”, e që vazhdonte pa shpresë, pa ndërpremje, çdo ditë, çdo orë, çdo minutë. Të burgosunit e kampeve të punës së detyrueshme ishin pasqyra ku reflektoheshin aktet monstruoze të regjimit, e përbajshin, për xhelatët e kuq, nji akt padie të gjallë, lëvizëse, folëse, të aftë me krijue edhe me heshtje, nji rrëmujë në ndërgjegjen e fajtorit, e me shkaktue në brendinë e tij atë dyluftim të paevitueshëm, atë përleshje të pashmangshme, atë proces të gjatë, të pandalshëm, të përhershëm që bren ngadalë e me siguri si krymbi pemën, tue tha palcin e jetës e, tue prishë qetësinë e zemrës.

Turri shtazarak me të cilin rojet tona hidheshin mbi viktimat, ishte shprehja kuptimplotë e nevojës së tyne, me u çlirue nga nji barrë, që nuk mbajshin dot në kurriz, nga nji vuejtje që nuk e durojshin, nga nji shtymjeje, së cilës nuk i qëndrojshin, e kërkojshin me ikë. Si pijaneci në alkool, ata gjeshin rrugëdalje mashtruese në krim, në nji zhveshje nga cilësitë njerëzore, sidomos të mendimit; e tue u shndërrue në kafshë, ata pranojshin me lehtësi bindjen kundrejt të vetmit padron të pakundërshtueshëm të qenieve të tyne: epshit shkatërrues shtazarak! Ditën e parë u ndamë në brigada dhe u vendosëm në baraka dykatëshe, në rreshta të gjatë, si stallë bagëtish. Përsëri, çatia ishte prej teneqeje, dhe muret me kashtë kënete.

Gjatë verës, nxehtësia na merrte frymën, ndërsa në muajt e ftohtë, era na ngrinte kockat. Puna ishte e randë, por sidomos e vështirë. Në mungesë të eskavatorëve, na detyruen me hapë kanalet e para të kullimit të ujit. Të zhytun në ujë të ftohtë, deri në brez, që në mëngjes, ramë viktimë e ushujzave që ngjiteshin për trup e thithshin gjakun. Në fillim, nuk dijshim si me veprue. Nji fshatar vendës, na këshilloi t’i heqim me sapun. Insekti i ndytë, rrëshqiste e binte në shesh. Nga uji i ftohtë, erdhi ngrimja e trupit. Filluam gërmimin me turne. Kur njeni dilte në breg për ngrohje, zëvendësohej prej të tjerëve. Kjo metodë zgjati, derisa uji filloi të rrjedhë, e sipërfaqet e përmbytuna dolën në shesh.

Puna në Maliq, synonte thamjen e fushës e hapjen e nji shtrati të ri për lumin Devoll, që në disa pika, kishte nji gjanësi prej shtatëdhjetë e pesë metrash. Gërmimi ishte i vështirë, dheu kryesisht baltë e ngjeshun kënetë, e trajtimi i rreptë i policëve, dënimet pa bukë, e kalimi i natës në qeli të ftohta, e bajshin të padurueshëm. I ndjekun kamba-kambës, nuk gjejsha shpëtim nga roja, as guxim me kundërshtue. Për ngushëllim, kënaqesha me dialogun e brendshëm: “Hukas duart e ngrime me avull të gojës me u ngrohë, e ti më bjen me shkop, sepse po tallesh më thue, që të mos punosh. Shtrëngoj për qafe, nji leckë me u mbrojtë prej erës së ftohtë, që më ngrin deri në palcë, e ti më gjuan me gur, sepse po pushon, më thue.

Përpiqem me u ruajtë nga uji i pellgut ku punoj, e ti më gjuen me baltë, që të njomish edhe këmishën që kam në trup, sepse i ik punës që kërkon populli, më thue. Dridhem prej ngricës që rrobet e laguna e era e fushës së Maliqit, e bajnë të padurueshme, e ti më kap për zverku e, më hedh në qelinë e rrethueme me tela me gjemba: kalo natën këtu, më thue, sepse nuk ke plotësue normën. E kur në mëngjes, gjysëm i vdekun, shokët më ndihmojnë me ecë, atëherë ti, o përbindësh me fytyrë njeriu, gjen rastin me shfrye përsëri mëninë tande si ortek bore, që “Nana Parti”, të ka mësue: me rrahë, e me rrahë pa mëshirë, derisa të lodhet krahu, krahu i nji të riu idiot.

Të shikoj atëherë drejt në fytyrën tande të çoroditun, ma keq se zemra në gjoks, e ti më kupton. Linde për nji çast nji rreze shpresë. Por ti, tue u zgërdhi nga gëzimi: “Nuk të vras”! më lajmërove; “duhet të paguash akoma për krimet tuaja”! Atëherë, më errësohen sytë e veshët më shungullojne pa pushim “krimet tueja, krimet tueja, krimet tueja, krimet tueja…”! Në shtratin e ri të lumit Devoll, naltësia e skarpatës ishte e madhe e, larg nga vendi i gërmimit. Rreshtat e gjatë të “qerrkave”, të mbushuna me baltë, ngjiteshin si mizat përdhecke në lamije gruni, bajshin gjysëm rrethin, me zbrazë dheun në pikën ma të naltë, e zbritshin përsëri pranë kanalit, ku i priste “qerrka” tjetër, e ngarkueme plot.

Si kali në lamë, i burgosuni shkonte e vinte rrotull, për dhjetë orë në ditë, pa pushim, përveç orës drekës, kur merrej luga me bollgur, ose patate të zieme, pa vaj. Në mbramje na priste nji lugë çaj, e në mëngjes bollgur i ziem, përsëri. Uria ishte e gjithëmbarshme. Disa kishin humbë pamjen e tyne njerëzore; dukeshin si kufoma që lëvizshin. Nji fshatar nga Librazhdi, pësoi nji ndryshim fytyrë aq të theksuem, sa mori tiparet e nji bishe. Dhambët e mëdhej e të plotë, dilshin nga nji gojë me buzë të shkurta, që nuk mbyllej kurrë.

Qafa e shtrime përpara dilte nga kurrizi i kërrusun prej lodhjes. Gishtat e duerve ishin gjysëm të mbledhun si kthetra në pritje të gjahut, kambët mezi e mbajshin, si ata të nji plaku të parakohshëm, e sidomos sytë, oh sytë, që shikojshin drejt pa asnji drejtim, të humbun, pa lëvizje, të mëdhaj sa dy sfera xhami të ndritshëm, por pa shprehje e që thojshin gjithçka…! Megjithatë, në atë trup që po shkrihej në kambë nga mungesa e ushqimit e lodhja dërrmuese, sytë dukej sikur akuzojshin: “Ç’jam unë? Kafshë pune, qen rrugësh, apo njeri?!” – Venu në rresht me të tjerët, derr! – i thirri roja nga mbrapa.

Ishte zani i policit Karrabec, që njihshim mirë, sepse kishte djegë me cigare synin e nji të burgosuni. – “Ç’ke qenë ti, derr”? – pyeti të burgosunin nji ditë. – “Armen, i ardhur në Shqipëri”, – u përgjegj viktima.

– “Armik i ardhur në Shqipëri? O derri i derrit”, – u tërbue roja e, pa nji, pa dy, i vuni cigaren e ndezun në sy. Viktima lëshoi nji britëm therëse, e me nji za plot urrejtje, i tha: – “O, Aristidh Karrabeci! Edhe Zotin mund ta harroj, por jo fytyrën e emrin tand”! Idioti zemërgur, mbeti në vend pa za, pa lëvizje, si nji statujë e, u largue pa folë.

Nga Shkodra erdhi lajmi, se dy ish-oficerë të Sigurimit që kishin kalue nëpër nji krizë ndërgjegje e dekonspirue sekrete të Sigurimit, ishin dënue me vdekje, e me pesëmbëdhjetë vjet burgim, respektivisht. Zakoni mesjetar në Europë e, në pallatet e satrapeve orientale, me krye krimet nga njerëz memecë, ose nga agjentë të destinuem me u zhdukë si krimi i kryem, po adoptohej edhe në vendin tonë nga Sigurimi “shqiptar”. Vetëm kështu mund të shpjegohej masa jashtëzakonisht e rreptë, kundër dezertorit të ri. Krimi lindë, zhvillohet, e mbulohet në errësinë!

Gusht 1949. Nga toka greke vinte zhurma e artilerisë. Në mëngjes, urdhni nga komanda e kampit, na detyroi të rrimë brenda barakave. Kurioziteti rritej me afrimin e zhurmës. Rojet, të frikësueme, na treguen se po zhvillohej nji ofensive e ushtrisë greke, kundër forcave komuniste të EAM-it, që furnizoheshin natën nga qeveria shqiptare. Nga vrimat e mureve prej kashte e dritoret e vogla, çdo natë shihshim vargje të gjatë kamionësh ushtarake, me nga nji drite të ndezun, që kalojshin buzë malit të Podgorjes, e merrshin drejtimin e Bilishtit. Të nesërmen, morëm urdhën të përgatitemi, për largimin nga kampi. Luftimet vazhduen gjithë ditën.

Zhurma e artilerisë greke dhe e bombardimeve ajrore, ishte krejt e afërt, sikur të ishte në tokën shqiptare. Natën, në malet e Visit e Gramozit, shiheshin zjarret e ushtrisë e ndigjoheshin eksplodimet e bombave ajrore. Ditën e tretë, zhurma e luftës pushoi. Me urdhën të drejtorisë, të gjithë të burgosunit u mblodhën në sheshin e kampit. Konferencë politike. Drejtori na shpjegoi se si “Monarko-fashistët grekë”, provokojshin Republikën e Shqipërisë, “por forcat tona, i zmbrapsën ata me sukses”. Askush nuk foli. Nji heshtje e plotë. Atëherë, deklaroi me za të naltë: “Ndoshta keni pritur çlirimin tuaj, nga forcat monarko-fashiste”, e filloi me qeshë me të madhe. Askush nuk foli.

Jeta e kampit e puna në kanalet e Maliqit, vazhdoi e pandërpreme, e pandryshim. Që nga lindja e diellit e, deri në perëndim, afër dymijë të burgosun, politikë e ordinerë, punojshin me lopata e “qerrka”, në nji pune kockëdërrmuese, e nën kamxhikun e rojeve të kampit-burg. Shumica e tyne kryente “shërbimin” me kënaqësi. Norma e ditës për çdo skuadër, kompani e brigade, duhej plotësue. Dënimi, ishte izolimi në qeli prej teneqeje, pa bukë, pa ujë, pa krevat. Nata në Maliq, ishte e ftohtë edhe gjatë verës, e rrobet tona ishin të lehta. Monotonia e jetës në kamp e, puna që na imponohej, ishin të mjaftueshme me na prue në pragun e çmendjes: ditë natë, natë ditë, si tortura kineze.

Shamjet, rrahjet, dënimet, lodhja e pamasë, e sidomos ndjenja e poshtnimit që na mundonte çdo çast, na dobsonte shumë. Çdonjeni luftonte për mbijetesë, qoftë edhe për të mos i dhanë kënaqësi xhelatit që priste me gojëhapun ramjen tonë. Si ishte e mundun që rojet e kuqe përqafojshin zbatimin e “rregullave” të kampit, si qëllim i vetëm i jetës tyne? Si mund të shkonte aq larg, boshatisja e qenies së tyne, vogëlsia, shtymja kah asgjasimi i çdo gjaje që meriton emnin “njeri”?! Njeri! O krijesë fisnike kaq shumë e lanun në duert e botës pa mend, e ne mëshirën e landës pa jetë!

Kam takue bacën Vatë prej Dukagjinit, gjashtëdhjetë vjeçar e gjithëherë i mendueshëm, tue thithë nji çibuk ma të shumtën bosh për mungesë duhani. Ai më kishte tërheqë qysh në fillim kur erdhi në burg, i akuzuem për strehim “kriminelësh” të arratisun. Gjatë torturave të randa, ai kishte mohue vazhdimisht akuzën. Nji oficer finok, që kishte kuptue thellësinë e besimit të plakut në Zotin, e shfrytëzoi atë në mënyrën ma makiavelike, tue prue nji kryq druni, me Krishtin e gozhduem në të. – “Tashti, – i kishte thanë bacës Vatë. – Betoju para Krishtit, se ke thanë të vërtetën, e se nuk ke strehue të arratisunit”. Plaku dukagjinas kishte mbetë pa gojë.

E mandej. – “Jo, – ishte përgjegj. Nuk betohem”. – “Atëherë e pranon akuzën, – i kishte thanë oficeri, – e do të dënohesh”. Kur e pyeta plakun besimtar, pse nuk kishte vazhdue me mohue, ai u përgjegj: “Nuk muejta me rrejtë Krishtin, bre burrë…! Ku të shkoj unë pa Krishtin”?! E mbasi u mendue pak, shtoi: “E tash, sa herë që gaboj, i tham vetes: lum Vata, Krishti të njeh mirë, Krishti të falë! E nuk mërzitem”!

Në fytyrën e tij të parrueme, vërehej qartë trishtimi i plakut, që ruente në parzëm zemrën e hovshme të nji rinie, që nuk ishte ma. E kishte lanë kamba e dora, e kishte lodhë jeta! Shikojsha bacën Vatë e, mendojsha për viktimat e përhershme të vendit tonë, tridhjetë shekullor. Katundarët e padije, brumi ideal për shtypje, punë të randë e mundim, nuk kishte ndryshue, as nuk kishte ndryshue shtypsi, ndjenja e tij shtazore, krahu i tij që godiste pa mëshirë, kurrizin e përkulun.

Pesëkandëshi i kuq internacionalist, nuk ishte ma e mirë se shallvarja turkoshake, ose kamba e hekurt sllave, greke, romake. Vuejtja që na mbështillte, më jepte të drejtë. Rreth e përqark, e kuqja e gjakut që derdhej pa faj, mbante vulën e shtypjes, terrorit, e vdekjes, shoqnim i pandashëm i yllit të kuq, që e shkaktoi. Shikojsha bacën Vatë, e më delshin përpara malsorët që kishin jetue për mijëra vjet ne të njëjtin vend, punëtorë të palodhun, kundër natyrës së egër e dorështrëngueme të vendit që i lindi, i rriti e i gëlltiti pa lanë gjurmë tjetër, veçse fërkimit që kamba e tyne e zbathun, ose me opinga lëkure, la mbi shkambin që shërbeu si udhë, si kalldrëm, si shkallë, si jastëk, si i vetmi vend-prehje i fortë, i patundshëm, i ashpër, e i kandshëm njikohësisht, sigurisht i dashtun prej gjyshit e babës e djalit e…nipit, që ka fillue me ecë!

Ishte kjo thjeshtësi e jetës dhe e fjalës së tyne, nji çiltërsi që më magjepste, e që përmbante thelbin e urtësisë njerëzore në këtë humnerë ku kishim ra. “Komunista, bre burrë! Çka pret tjetër prej tyne?” Ndamja ishte e plotë, e pariparueshme, e përhershme! Në këtë pikë kulminuese të antagonizmit të dy botëve, ballafaqimi i termave të përcaktuem të dy qëndrimeve diametralisht të kundërta, e kundërshtarë për vdekje, paraqitej në formën e saj ma thjeshtë, epitomi i dënimit pa kompromis, pa kondita. Këtu gjejshim fisnikërinë shpirtnore të nji malsori, ballë për ballë me poshtërsinë çnjerëzore të rojes së kuqe, frymën e vllaznimit të kultivuem për shekuj të njenit, ballë për ballë me krimin e kultivuem me metoda shkencore të tjetrit, besën, nderin, burrninë, e mikpritjen e bacës Vatë, ballë për ballë me pabesinë e mashtrimin e oficerit hetues të Sigurimit e të Karrabecit…!

Çka mund të ishte ma sublime, ma frymëzuese se nji qëndrim i këtillë, i nji malsori të thjeshtë, që të forconte bindjen time, në fisnikërinë inkoherente të qenieve njerëzore, e veçanërisht të malsorëve tonë, të papërlyem nga ngjarjet e shekujve, e kambët e flliquna të pushtuesve shekullorë? “Baca Vatë! Ne këtë gropë të errët ku kemi ra, thjeshtësia jote, shërben si qiriu dritedhanës, në rrugën e vështirë të nderit që duhet ndjekë, për ata që dëshirojnë me mbetë besnikë të vetvetes. Sepse, përsa kohë që ti i bindesh, vetëm zanit të ndërgjegjes sate, e traditës që e forcon atë, ti do të jesh njeri i lirë…, dhe se ditën që do ta harrosh, do të pushosh së qeni ai që je, e do të përfundosh si skllav modern”! Njeri, o krijesë fisnike, kaq shumë e lanun, në duert e botës së pamend!

Në muajin tetor, filluen edhe ditët me shi. Në Maliq, jetuem vështirësitë që krijon balta, për ata që punojnë e jetojnë në atë zonë. Ecja ishte e ngadalshme, kambët ngjiteshin në baltën që kapej si brumë buke, e shpeshherë, nxirrte këpucën nga kamba, e detyronte me ecë zbathun. Lopata ngarkohej, mezi ngrihej e nuk zbrazej. Edhe ma keq ishte transportimi me karro dore e, balta nuk shkoqej pa u hedhë me lopatë. Puna vështirësohej aq shumë, saqë asnjani nuk plotësonte ma normën ditore. Rojet e brendshme egërsoheshin, shajshin, gjuejshin me gurë, e kur asgja nuk ecte, ata sulmojshin me dru, brigadën e ngujueme në baltë. Ndërkaq, kanali duhej përfundue para nandorit. Në ditët me diell, fillojshim herët e ktheheshim në kamp vonë. Ritmi i punës shtohej, e shtoheshin edhe të rrahunat. Dënimet pa bukë e ujë, krijojshin rreshta të gjatë të burgosunish, të uritun e të dërrmuem.

Me ardhjen e shinave të shpeshta, vendi i punës u mbush edhe me ujë që, pak nga pak, arriti edhe në kampin tonë. Në pamundësi me punue, rrijshim të mbyllun në baraka. Kur ndahej gjella e buka, hiqshim këpucët, e zbathun në ujë e baltë, rreshtoheshim tue u dridhë. Frynte era e ftohtë e Devollit. Rrobet e shkyeme, nuk mbajshin ma shiun. Rojet e tërbueme, na rrahshin me dru. Ishte ferri mbi tokë, nji situate, ku të pakët ishin ata që mendojshin tjetër, veçse nji copë bukë e, nji lugë gjellë pa fjalë, pa asnji reagim, veç hukatjes së duerve të ngrime e, lëvizjes me ngrohë kambët e akullta, në ujë e baltë. Gjendja u keqësue edhe ma shumë, me prishjen e rendit të brendshëm. Rojet nuk lëvizshin shumë. Kampi u kthye në nji xhungël.

Të burgosunit ordinerë shfrytëzuen mungesën e rojeve, e filluen plaçkitjen, kudo që mundshin e sidomos tek pleqtë, që nuk mbroheshin nga sulmet. Të rij me prirje kriminale, afroheshin pranë krevateve tona e, rrëmbejshin me nji shpejtësi të çuditshme, çdo gja që shihshin: bukë, ushqim, rrobe, këpucë, edhe krevatin bashkë me mbulesa, kur i burgosuni nuk gjindej aty me e pengue. Kjo na detyroi të organizohemi në grupe, e të armatosemi me copa druni e rripa lëkurë, me mbrojtë njeni-tjetrin, brenda në barakë e, përjashta në rreshtat e bukës. Problem i madh, ishte nevojtorja e zbulueme. E nderueme në mënyrën ma primitive, detyroheshim me ecë me kujdes, mbi dërrasa të mbulueme me baltë, që rrëshqitshin.

Të fëlliquna përtej mase, sepse askush nuk pastronte, nevojtoret u banë nji rrezik i vërtetë. Të burgosunit filluen me krye nevojet e tyne, përjashta në oborr, para kazermës, e ma në fund, edhe brenda në korridorin e kazermës. Rreziku i një epidemie si kolera e tifoja, rritej çdo ditë e ma shumë. Në pamundësi me punue, komanda e kampit, vendosi kthimin tonë në burgjet përkatëse. Përsëri, kamionët e ngarkuem me kufomat lëvizëse që ishim ato ditë, të lidhun me zinxhirë e litarë, leckamanë të mbuluem me baltë, e gjysëm të vdekun nga lodhja, uria e të ftohtit. Për ma shumë se dymbëdhjetë orë, nën drunin e rojeve gjakpirëse, kurrizet tona u nxinë prej shkopinjve të papushim, e shkelmave e grushtave të “qenve të kuq” të tërbuem. /Memorie.al

                                                         Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Kur Haxhi Lleshi, doli dëshmitar në gjyqin ndaj fisit Ndreu, duke i quajtur ata tradhtar, Xhelal Ndreu, i tha; babai jot, Haliti, ishte me serbët dhe...”/ Historia tragjike e pasardhësve të Elez Isuf Ndreut

Next Post

Kalendari Historik 15 Dhjetor 2023

Artikuj të ngjashëm

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Kujtime

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

May 30, 2025
“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
Next Post
Kalendari Historik 1 Dhjetor 2023

Kalendari Historik 15 Dhjetor 2023

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!