Nga Ledia Lleshi
-Si u strehuan hebrenjtë nga familjet e njohura elbasanase dhe kujtimet e Marko Manehamit, i cili jetoi edhe komunizmin shqiptar-
Memorie.al / Hebrenjtë dhe shqiptarët, një lidhje që i mbrojti nga revanshi gjerman dhe internimi në Aushvic, bën pjesë tashmë në kujtesën e popujve. Kjo mikpritje ka marrë vlerësim përtej kufijve, duke e renditur popullin tonë, përkrah mbështetësve dhe mbrojtësve të shumë personave, madje edhe familjeve që gjetën strehë, duke i shpëtuar vdekjes së sigurt. Populli shqiptar, ruajti integritetin e tij dhe çështja e hebrenjve, u cilësua si një çështje e brendshme. Shumë vite pas, ende familjet shqiptare ruajnë kujtimet, kanë marrë vlerësimet dhe madje mirënjohjen e atyre që shpëtuan, nën mbrojtjen e shqiptarëve. Nuk janë shumë, madje me certifikatën e mirënjohjes “Të drejtë midis popujve”.
Një prej këtyre familjeve është familja Nosi në Elbasan. Nipi i kësaj familjes, Skënder Kosturi sjell kujtimet e nënës së tij Adelinës, e cila u nda nga jeta pak kohë më parë. Në këtë familje ka jetuar një hebre, Marko Manehami, i cili nëpërmjet një letre ka treguar historinë e tij, por edhe vlerësimin për familjen Nosi, që e mbajti dhe e mbrojti në çdo rast. Një tjetër rast i njohur për strehimin e hebrenjve, është familja Biçaku nga Qarrishta e Librazhdit. Nga kjo familje nuk kanë mbetur dëshmitarë, pasi shumica prej tyre, emigruan në mundësinë e parë drejt Amerikës, apo vendeve të tjera. Një prej tyre në kujtimet e tij tregon, se si i strehuan 26 hebrenj, të cilët ruajnë edhe kujtime të bukura, nga përpjekjet për t’u fshehur. Një prej tyre në shtëpinë e Biçakajve, u bë baba.
Hebrenjtë e Luftës së Dytë Botërore
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Elbasan u strehuan dhjetëra familje hebrenjsh. Mbiemrat e njohur elbasanas, kanë qenë edhe pritësit e familjeve hebreje, të cilat kërkonin t’i shpëtonin gjenocidit nazist. Mes familjeve që strehuan hebrenj, përmenden familja e madhe e Biçakçinjve, Shuteriqët, familja e Vasil Nosit, Adelina Nosi, Qemal Karaosmani, Destan Kurmaku, Besim Zyma, Niko Piluri, etj. Banorët e lagjes “Kala”, i mirëpritën pasi panë tek hebrenjtë, besimin dhe respektin që kishin ata për shqiptarët.
Edhe pse pushtuesit gjermanë, ishin të rrezikshëm dhe mund të masakronin familjet e tyre, ata sërish ruajtën traditën shqiptare të besës. Gjatë periudhës së Luftës, hebrenjtë kanë qëndruar brenda katër mureve të shtëpive, ku strehoheshin. Jo vetëm familjet ku jetonin, por edhe familjet e tjera të kësaj lagjeje, ofronin ndihma materiale dhe ushqimore për hebrenjtë. Pas përfundimit të Luftës, ata u rikthyen në Elbasan duke ju ofruar ndihmë banorëve të kësaj lagjeje. Hebrenjtë i ndihmuan më pas familjet elbasanase me viza, bursa studimi etj. Miqësia mes familjeve elbasanase dhe hebrenjve ka ekzistuar deri vonë. Hebrenjtë u vlerësuan si njerëz të zgjuar, të suksesshëm dhe të respektuar nga të gjithë.
Dëshmitë
Mark Menahemi, do të hynte në historinë e familjes Nosi, në Elbasan, pasi u mirëprit dhe u strehua tek kjo familje duke ndjekur nga afër edhe arrestimin dhe pushkatimin e Lef Nosit. Në një letër që ai i dërgon familjes Nosi, (pas vitit 1994) fëmijëve të doktor Nosit, Grigorit, Rudit e Vasos, shkruan disa nga peripecitë që hoqën ai dhe të gjithë bashkë në ato ditët para se ta arrestonin Lef Nosin. Ndër të tjera në këtë letër, një kopje të së cilës e ruan djali i Adelinës, Skënder Kosturi, thuhet se: “Në qershor të vitit 1944, gjermanët më ndiqnin meqë kishin marrë informata se unë isha izraelit. Unë ika nga Cërriku në Elbasan dhe u strehova, sipas rekomandimeve, në shtëpinë e familjes Nosi.
Në fillim kam jetuar në shtëpinë e tyre, ku jetonin Vasil Nosi me gruan e tij, vëllai i tij, doktor Steliano Nosi, nëna e tyre Eleonora, që u bë edhe nëna ime, dhe kohë pas kohe vinte motra e tyre Adelina Kosturim e martuar në Tiranë dhe në të njëjtin oborr banonte Lef Nosi, i cili ka qenë njeri nga të tre Regjentët e Shqipërisë në periudhën shtator 1943-nëntor 1944. Më vonë, kur gjendja u bë e vështirë, kalova në fabrikën e alkoolit të familjes Nosi jashtë Elbasanit, ku kisha një dhomë dhe çdo ditë dikush nga familja, më sillte ushqime.
Në këtë kohë arrestohem nga një oficer i Gestapos dhe Vasil Nosi, bëri përpjekje maksimale, për të më shpëtuar kur ndodhesha në qelitë e burgut të Elbasanit. Transferimi i oficerit më të egër të Gestapos në Tiranë, bëri që ai të mundej të më lironte. Ata më pas më strehuan në spitalin e tyre në Llixhat e Elbasanit, ku kujdeseshin për mua. Pas 29 nëntorit 1944, kur komunistët morën pushtetin, unë qëndrova tek Nosët, të cilët më donin shumë dhe më propozuan të qëndroj në Shqipëri e, të punoj në fabrikë”. (Mark Menahemi ishte një inxhinier specialist i disa fushave).
Mbërritja e komunizmit
Në letër ai tregon edhe ditët kur Lef Nosi nuk ishte arrestuar ende dhe ndihmën që i kanë dhënë atij disa njerëz, por edhe tradhtinë e të tjerëve. “Komunistët kërkonin të tre regjentët që ishin në krye të shtetit gjatë okupacionit gjerman, për t’i dënuar me vdekje. Vasili m’u lut për të fshehur xhaxhanë e tij, Lefin. Vasil Nosi, Steliano dhe unë, vajtëm në shtëpinë e një mësueseje, Fahrie Averiqi, në ‘Rrugën e Kavajës’ në Tiranë, me ndihmën e mikut të tyre, Xhemal Farka. Qëllimi ishte që të ndërmjetësonim tek Nako Spiru, që Lefi të dorëzohej vullnetarisht, sepse duke u dorëzuar vullnetarisht, nuk do ta dënonin me vdekje.
Unë nuk isha dakord, sepse diçka nuk shkonte dhe fatkeqësisht doli fjala ime. Ato ditë Nakoja, kishte ikur me shërbim në Moskë dhe atëherë Lefi, kërkoi të dorëzohej nëpërmjet nipit të një mikut të vjetër të tij, figurë e shquar e historisë sonë kombëtare. I thashë Vasilit, se nuk kisha besim tek ky person, pasi përpara se të merrte grada në ushtrinë partizane, kishte një të kaluar të errët, me forca të tjera ushtarake. Pavarësisht nga këto dyshime, rreth orës 9 të mbrëmjes, duhet t’ia dërgonin Lefin këtij kapiteni të ushtrisë partizane, në shtëpi. E hipën në makinë dhe, me të kaluar urën që të çon tek ‘Rruga e Elbasanit’, dy burra të rinj, u lëshuan me vrap për të na ndaluar. Duke dredhuar nga Kryeministria, tek ‘Rruga e Durrësit’, e kthyem Lefin në shtëpinë e mësueses.
Vasili shkoi vetë dhe e kontaktoi personin në fjalë, i cili i qetësoi dhe i tha t’ia sillte Lefin në shtëpi. ‘Unë po të pres në shtëpinë pa drita’ i kishte thënë. E nxorëm Lefin për së dyti. E përcolla unë dhe personi në fjalë, duke kujtuar që unë mund të isha Vasili, më tha: ‘Mos u bëj merak tani Vasil’. Por, sikurse na tregoi Lefi në birucë, kur venim dhe e takonim, pas gjysmë ore, pasi e lamë në atë shtëpi, i kish thënë: ‘Lef, të kërkojnë tek porta’, ai sa hapi portën, e arrestuan. Të njëjtën mbrëmje, u arrestuan edhe Vasil e Steliano Nosin, Xhemal Farkën, por edhe unë, megjithëse isha me pasaportë në xhep, e të nesërmen në mëngjes, duhej të nisesha me një vapor për në Izrael”!
Dënimi i Marko Menahemit, pse ndihmoi familjen Nosi!
Marko Menahemi, u dënua me 4 vjet dhe bëri një vit e gjysmë burg. Më vonë shërbeu si pedagog, në Politeknikumin “17 Nëntori” dhe dha një kontribut të shquar, në shumë projekte madhore të shfrytëzimit të rezervave minerale natyrore të vendit tonë. Pas vitit 1990, iu plotësua ëndrra për të shkuar në Izrael, në atdheun e tij. Në vitin 1993, organizata “Jatt Vashem” në Izrael, në shenjë mirënjohjeje, për shpëtimin e jetës së Marko Menahemit, i akordoi Dr. Steliano Nosit, Vasil Nosit dhe motrës së tyre, Adelina Kosturi, titullin e lartë: “Të drejtë midis popujve”. Emrat e tyre janë të gdhendur në një pllakë bronzi në Muzeun e Holokaustit, në Jatt Vashem, si dhe në Washington.
Titullin e ka tërhequr nipi i familjes Nosi, Skënder Kosturi. “Ishte viti 1992, kur na erdhi ftesa, nëna ime për shkak të shëndetit nuk shkonte dot dhe vendosa të udhëtoj unë drejt Izraelit. Ishim 14 përfaqësues, nga e gjithë Shqipëria. Atje takova Mark Manehamin dhe hebrenj të tjerë, të shpëtuar nga shqiptarët. Këtë aktivitet të madh, e ka sponsorizuar një milioner amerikan Harvey Serner. Ai gjithashtu sponsorizoi realizimin e një filmi dokumentar, për jetën e hebrenjve në Shqipëri. Shqiptarët protagonist, kanë edhe nga një kopje të këtij filmi, me tregimet e të mbijetuarve”, kujtonte Kosturi.
Hebrenjtë në Mesjetë
Sipas të dhënave historike dhe objekteve me karakter arkeologjik, në Elbasan ka jetuar një komunitet i madh hebrenjsh. Gjurmët e para të hebrenjve në Elbasan, hasen në shekullin e XIII-të, ndërsa në fund të shekullit XV-të, dokumentohet me fakte ekzistenca e tyre në këtë qytet. Në fund të shekullit XV-të, një pjesë e hebrenjve të përndjekur nga inkuizicioni spanjoll e portugez, u vendosën në qytetin e Elbasanit. Fillimisht mendohet se janë vendosur në lagjen “Kala”, ku gjetën mikpritjen dhe përkrahjen e popullsisë me traditë të këtij qyteti.
Disa vite më vonë, hebrenjtë e Elbasanit ndërtuan një sinagogë ekzistenca e së cilës vërtetohet nga një fragment rozoni, me Yllin e Davidit, i cili ruhet në muze. Sipas studimeve dhe materialeve të grumbulluara nga Visarion Xhuvani, një ndër patriarkët më të famshëm të Kishës Ortodokse Shqiptare, në Elbasan ka ekzistuar një vend-banim i madh hebrenjsh, gjatë sundimit të Perandorisë Osmane. Në vitin 1930, Visarion Xhuvani shkruan se; “ata kishin një sinagogë, e cila më pas u përdor si han nga turqit i quajtur me emrin “Hani i Shehetilës”. Sipas historianëve dhe arkeologëve, hebrenj kanë banuar në të gjithë trevën e Elbasanit. Ata merreshin kryesisht me tregti. Në afërsi të fshatit Xibrakë të qytezës Belsh, ndodhet një varr guri, i cili mban emrin “Varri i Çifutit”.
Gojëdhëna tregon, se varri i takon një tregtari të njohur hebre, të kohës. Në vitin 1930, kohë kur u ndërtua tregu kryesor në Elbasan, u gjetën monedha ari, me simbole hebraike. Monedhat dhe objektet e tjera arkeologjike, tregojnë se hebrenjtë e Elbasanit, mbanin emra biblike, si; Jakov, Moisi, Abraham, etj. Gjatë viteve të fundit të shekullit të kaluar, në Elbasan u gjet një pllakë guri në formë trapezoidale, në sipërfaqen e së cilës janë skalitur disa rreshta me shkrim hebraik, të vendosur në një kornizë.
Përreth saj, janë 6 yje me 6 cepa, simbole të Yllit të Davidit. Gjurmë të kulturës dhe piketimeve hebraike, takojmë edhe në ditët e sotme në lagjen “Kala”. Një prej tyre, është edhe sinagoga pranë shtëpisë së Dhimitër Shuteriqit. Megjithëse një pjesë e mirë e objekteve janë dëmtuar, kanë mbetur shenja të ekzistencës së objekteve fetare hebraike, si dhe të bashkë ekzistencës së komunitetit hebre, i cili u mirëprit dhe u pranua nga banorët e Elbasanit.
Familja Biçaku, nderimi nga komuniteti hebre
“…..Historia me hebrenjtë në fshatin Qarrishtë, fillon në shtator të vitit 1943. “Dimri ishte tepër i ashpër, sidomos në këtë zonë të largët malore dhe binte shumë dëborë”, kujton Muhamet Biçaku. Për javë të tëra, 26 hebrenjtë u strehuan në dhomat e shtëpisë së Biçakajve, duke fjetur bashkë në ato pak dhoma dhe duke ngrënë ato pak gjëra, që kishte familja; kryesisht bukë misri, gjizë dhe pastërma (mish të tharë). “Por miqtë ishin në besë. Zakoni, tradita e mikpritja, e ka mikun të shenjtë dhe ata nuk mund të dorëzoheshin në çfarëdo rrethane që të ishin”, rrëfen Muhameti, i cili në atë kohë ishte rreth të 20-ave.
“Nuk pranonin të rrinin pa punuar, megjithëse miku sado gjatë të jetë mysafir, në bazë të kodit zakonor, nuk duhet kurrsesi të punojë”, vazhdon Biçaku. Pas çlirimit dhe pas gati dy vjetësh qëndrimi në fshehtësi, 26 hebrenjtë, mund të lëviznin dhe të iknin nga Qarrishta e largët. Ndarja nuk ishte aspak e lehtë, madje e dhimbshme, pasi të gjithë ishin familjarizuar me njëri-tjetrin. Njëri nga hebrenjtë, Majo Aurest, që tani jeton në Argjentinë, ka madje një kujtim tepër të rrallë nga Qarrishta dhe Shqipëria. Gruaja e tij, lindi një vajzë, aty në shtëpinë e Biçakajve. Megjithatë, hebrenjtë që u strehuan në Qarrishtë u shpërndanë nëpër botë, dikush në Rusi, një tjetër në Argjentinë, disa në Amerikë dhe vetëm Rafael Faragi, është sot në Haifa të Izraelit, në atdheun e hebrenjve…..”! Memorie.al