Nga Ahmet Bushati
Pjesa e njëzetetetë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Lamtumirë shtëpi e shkollë!
20 Janar 1948
U zgjova edhe atë ditë si zakonisht në orën e caktueme, dhe si çdo ditë u pregatita për shkollë, pa shafqë ndonji shqetësim para njerëzve të shtëpisë. Me çantë në dorë, aty në krye të shkallëve, instinktivisht m’u dha që të ndalojsha e të vërejsha edhe nji herë hapsinën përreth, ku pullaze të tjetër e të deformuem nën peshën e moteve të shumtë që kishin kalue, po m’u dukshin sikur lotojshin si përgjumshëm e me trishtim, ndërsa atë ditë me shi, si mbas nji ritmi monoton e tingull vatues, lëshojshin vuajtje e tyne të pakët poshtë streve mbi kalldram. Ma tej, si përherë, kreshta madhështore e “Çinarit” tonë, do u lëkundte me ngadalë prej nji ere të përzieme që frynte pa ia da.
Masa shiu të imtë, si t’ishin prej pluhni në ngjyrë gri, u vërtitshin në pështjellim e u zhdukshin shpejt brenda nji atmosfere të turbullt mjegulle mjaft të dendun. Nji ditë kjo, në pajtim edhe me fatin e gjendjen time shpirtnore, ishte plotësisht “e ligë”, si i thojshin atëherë në Shkodër. Në nji çast, se si m’u kujtue nji temë hartimi “Trishtim në natyrë, trishtim në zemrat tona”, që na e pat dhanë para dy vjetësh i ndjeri profesor Qemal Draçini dhe shpejt u solla me mendje kah burgu që më priste e, mjerimi që po lejsha në shtëpi.
Kështu pra, si pata fiksue për pak çaste, dhe marrë me vete kujtimin e nji mjedisi mes të cilit isha rritë, s’kisha pse t’u zgjatsha ma me dobësi të tilla dhe prej kreut të shkallëve, thirra ma fort se herët e tjera “Lamtumirë”! e u lëshova gjoja si me shkujdesje teposhtë tyne, që ishin rinjtë nga lagështina e disa ditëve me mot të keq. Përshëndetjes time iu përgjigjën si me sustë njiherit të gjithë njerëzit e shtëpisë, tue më urue nga drejtime të ndryshme, kush me; “Udha e mbarë!” me; “T’marrsha t’keqen”! dikush tjetër; “T’ruejt Zoti!” etj.
Si për nji mundim ma tepër, sa pata zbrit poshtë në oborr, ndigjova çap-çapet e hapave të butë, që nëpër çardak po bante motra e ime ma e vogël, me moshë ma pak se pesë vjeçe, që shpejtonte të më nxirrte fytyrën e saj të bukur përmes parmakëve të drunjtë të çardakut të madh, tue më thanë si me naze: “Ma bjer prap atë-e”! Ishte fjala për treqind gram bukë gruni, që ajo si foshnje, kishte fillue ta përfitonte me triskë të veçantë qysh prej katër ditësh, e që unë gjatë atyne pak ditëve, i a kisha sjellë me të dalë prej shkollet.
Para se të kalojsha derën e oborrit, si për të marrë me vete kujtimin e fundit të shtëpisë, ndalova edhe nji herë, e ndërsa po e vërejsha, nji ndjenjë mëshire m’u duk se po provojsha edhe për të: çuditërisht atë ditë, ajo po më dukej ma e vjetër dhe e shkretë se kurr! Megjithëse po lejsha mbrapa nji shtëpi në mjerim e lot, mblodha veten e tue mos mendue ma për asgja, u nisa i vetëm për shkollë. Sapo u futa në oborrin e shkollës, ra zilja e nxënësit filluen t’u mblidhshin ndër rreshta si mbas klasave.
Unë, si i përjashtuem prej “Organizatës së Rinisë” me “ceremoninë” e njohun gysh nji ditë më parë, bashkë me Asime Pipën, Abdulla Milotin, Qazim Borshin, Marie Rranxin, Linda Boriçin, Suzana Lacën, Dodona Karafilin e ndonji tjetër, si mbas rregullit, zuna vend në fund të rreshtit, pa qenë nevoja që atë gja të ma kujtonte nji prej atyne lakejve të pështirë, që për atë qëllim, po merrte drejtimin kah unë. Edhe në klasë mandej, sa qeshë futë, i njajti person, Ferit Mandia, që ishte personifikimi i shpirtit ma të keq dhe i shëmtimit si njeri, tue drejtue gishtin kah banka e fundit, do të më thonte si me autoritet: “Atje, në fund!”
Ishte ora e dytë e mësimit kur në klasë u fut Mark Manovi, krye kujdestari i shkollës, që tue iu drejtue profesorit Jorgji Kono, që po shpjegonte landën e tij të fizikës, i tha: “Kërkojnë në drejtori Ahmet Bushatin”. Sa Mark Manovi po i përsëriste edhe nji herë porosinë e drejtorit, profesor Jorgji Konos që nuk ndigjonte mirë, unë kisha dalë prej bankës dhe i isha afrue katedrës së tij, prej ku përshëndeta me përkulje ma parë atë dhe mandej i sjellun kah klasa, do të thojsha me za: “Lamtumirë shokë”, e të dilsha klaset.
I shoqnuem prej Mark Manovit përshkova korridorin deri te porta e zyrës së drejtorit, që mbasi e hapa, pashë se në ballë qëndronte i ulun në karrige Shaban Saiti, oficeri i Sigurimit, i veshun si gjithnji civil, që na njihte mirë, si në patronazh që kishte gjimnazin gysh dy-tri vjet ma parë. Unë, si bana nji ose dy hapa brenda zyrës, shikojsha vetëm kah drejtori Fadil Hoxha, të cilin edhe e përshëndeta me krye, ndërkohë që ai, – kam përshtypjen se me keqardhje – tue u ngritë si përgjysë e pa largue shikimin prej meje, do të zgjaste dorën kah punonjësi i Sigurimit, tue më thanë: “Shoku ka punë me ty” dhe ende pa pasë mbarue fjalën, Shaban Saiti nga ana e tij, ndoshta për nji rregull që duhet të kishin, do t’u hidhte përnjëherë në krahun tim.
Kur dolëm në korridor, atij i thashë: “Kam pallton aty në varse, mund ta marr”? Ai pohoi me krye, tue më shoqnue së afërmi nëpër korridor. Po më vinte keq, se po u largojsha pa pasë marrë përshëndetjen time të lamtumirës edhe Simja, me të cilën sa kishim nisë të shkruejshim nji roman, por që atë ditë mungonte. Rrugës për në Sigurim, Shabani nuk do të më fliste asnjiherë, – dhe asnjiherë nuk do të më fliste as gjatë nji vjeti e gjysë që do të qëndrojsha në Sigurim – me përjashtim të nji herë kur, po atë ditë, në rrugë e sipër për në Sigurim, do të më pyeste: “Kur e keni pushimin e madh”? Siç do ta vërtetojsha mbrapa, në pushimin e madh të asaj dite ishte planifikue t’u arrestonte Ernest Përdoda.
Ndërsa ecsha, kërkojsha me shikim ndonji njeri të njohun. Ndjejsha nevojë të madhe që dikush të më shikonte se unë s’po kisha frikë, me qëllim që atë gja ta merrte vesh ma së pari familja e ta kishte si ngushllim, si edhe shokët, që të vazhdojshin me besue në mue. Nuk e kisha urrejtë ndonjëherë komunizmin sa atë ditë kur po u drejtojsha për në Sigurim, dhe po ashtu, nuk kisha provue në vetvete nji guxim e gufim të atillë forcash të brendshme, sa atë ditë! Dhimbja për familje, edukata e fortë, idealet që kishim ushqye ndër vite, si dhe amaneti i nji nate ma parë nga ana e babës, ishin mbledhë e përqendrue në nji pikë, gati me shpërthye në rastin ma të parë. Nuk e di çfarë të kenë provue të tjerët në raste të tilla, por unë atë ditë, si gjatë rrugës për në Sigurim, ashtu edhe gjatë hetimit mbrapa, kam ndie vazhdimisht nevojën e sfidës e të reagimit të fortë.
Me këtë gjendje të ndezun shpirtnore e me nji barrë sekretesh në shpinë, i vendosun që t’mos flitsha për asgja e për askënd, kalova pragun e Sigurimit, pragun e asaj skëterre ku q’prej ma shumë se tre vjetve, u torturojshin e vdisnshin njerëz të pafajshëm. Kur u ngjitëm nalt, Shabani, pa më largue asnjiherë prej vetes, provoi të hapte disa dyer në kërkim të personit që do të më merrte në pyetje. Në mungesë të tij, si jashtë detyrës për atë rast, më priti vetë shefi Lilo Zeneli, i cili edhe mbas ma shumë se tri vjetësh që kishte mbarue Lufta, vazhdonte të mbante nji copë napë të zezë mbi synin e damtuem qysh në nji përpjekje me milicinë fashiste, të zhvillueme diku në bjeshkët e Domnit në vitin 1943, kur edhe qe vra Tomë Kola, ish-konviktor i “Maleve Tona”.
Ajo copë napë e zezë mbi syun e Lilo Zenelit edhe në ato çaste, vazhdonte të më kujtonte besnikërinë e tij ndaj luftës e idealeve të saj, por ç’e do, se ai, si i pazhvilluem që ishte për mungesë thuejse të plotë arsimimi, s’do ta kuptonte anjiherë se me punën që po kryente, s’do të ishte veçse personifikimi ma i realizuem i pështjellimit, pra i kontradiktës mes qëllimeve të mira që kishte pasë Lufta, – në pajtim ndoshta edhe me prirjet e tij natyrore – nga njena anë, dhe pasojave negative që kishte pasë ajo luftë, përfshi edhe katandisjen e tij personale në shef Sigurimi, gja që ai s’do ta kuptonte athëre e ndoshta askurrë, pavarësisht ndonjë momenti kur ai do të lëkundej si nji lavjerrës i keq e i pakontrolluem.
Edhe në se ai do të tregohej ma pak negativ se varsit e tij kriminelë, fakti që ai vazhdonte me qendrue në krye të nji organi të mirëfilltë dhune e krimi, ku mashtrimi, pabesia e mizoria, ishin disa prej instrumentave bazë të punës së tij çnjerëzore, tue e mëshirue, mund t’u karakterizonte si mbas lutjes biblike: “Fale, o Zot, se s’din ç’ka ban”!
U ndodhsha pra, në zyrë të shefit Lilo Zeneli, ku fintat e buzëqeshjet e tij artificiale, si artificial ishte edhe toni i të folunit hipokrit të tij, e po ashtu edhe cingarja që ai kërkonte të ma servirte me xhentilesë, si hileqar që do të ishte edhe kur të më trajtonte si gjoja nji njeri me të cilin vazhdonte ta lidhte qytetaria e lufta, të gjitha këto tregojshin se partia e tij, nuk e kishte pasë fare të vështirë që Lilo Zenelin e pashkollë, nga nji njeri të thjeshtë e luftëtar të mirë, ta kishte prishë e shndrue në nji manekin të verbët të saj.
Mue më kishte ulë në nji karrige, kurse vetë qëndronte në kambë, përballë meje, tue u sjellë me poza paqësore sa nga unë, aq edhe kah majori i policisë me fytyrë të vramë lijet, njifarë Shaban Haxhijet, që aty asnjëherë s’e hapi gojën, por që fjalët e Lilos, si për mirësjellje e në shenj miratimi, do t’i shoqnonte vazhdimisht me nji buzëqeshje të lehtë. Ndër të tjera, Lilo-ja atë ditë do të më thonte: “Me ty s’kemi punë. Ti për shembull, edhe mund të kesh ba ndonji gabim të parëndësishme, që ne e dimë, por ne t’kemi thirr këtu që të na tregosh për shokët e tu, për ça kanë ba ata, si të pakënaqun që kanë qenë prej reformave që i kanë prekë”!
Toni artificial dhe mënyra naive me të cilën ai po më trajtonte, bani që unë t’u ndjejsha mjaft i ofenduem. Unë s’isha fëmijë që t’u mashtrojsha siç dishronte e besonte ai, kur në mënyrën ma serioze u ndodhsha aty i arrestuem për veprimtari antipushtet, gja që ai e dinte sikurse unë, kështu që shprehjeve të tij hipokrite si; “ti, si i luftës që ke qenë”, – kur në fakt unë s’kisha kenë veçse nji fëmijë – dhe “jo i prekun nga reformat” etj., unë mezi do të pritsha që t’iu përgjigjesha: “edhe ata – tue e pasë fjalën për Xhevatin e Remzinë – e kanë ndihmue luftën me sa kanë mundë, e sa për reformën, ajo ka prekë edhe shtëpinë time”, gja që Liloja e dinte, por që i shtyem nga detyra e qëllimi, do të më ndërhynte gjoja si miqësisht, sikur t’ishim në nji kafe dhe jo në zyrën e nji shefi të Sigurimit: “E ç’ju ka marrë reforma ju?! Nji gja shumë të vogël, që s’ka aspak randësi”.
Me kaq kjo seancë e parë e jo shumë zyrtar, u mbyll, dhe mue më kaluen në nji zyrë tjetër, në pritje të nji personi që do t’u merrte me mue. Si kaloi nji kohë prej rreth nji ore që isha i ulun aty në nji karrige e ku, nga frika, s’më fliste dhe as më shikonte asnji prej do katundarve që aty hyjshin e dilshin për punë dhe u lidhshin me dokumentacion armësh që kishin në ngarkim, në nji kohë si papritmas u hap me forcë dera e zyrës dhe nji oficer i hollë e i gjatë, me fytyrë të thatë e shprehje të randë, “mavruke”, -siç i thojnë, m’u drejtue gjithë arrogancë: “Ti je Ahmet Bushati”?
“Po”, – iu përgjigja unë pa luejtë vendit. Ndoshta prej qëndrimit tim disi indiferent, ai do të ndërhynte edhe ma me ton: “E di ti se ku ndodhesh”? dhe prerazi do të shtonte: “Eja me mua”! Hetuesi të cilit unë po i shkojsha mbrapa nëpër korridor, ishte Sirri Çarçani, emën që unë do ta mësojsha mbas disa ditësh. Përveç fytyrës të keqe që kishte, – si të nji majmuni – te ai njeri po më hiqte vërejtjen edhe nji ecje me do gjunjë që iu thyejshin shumë e ritmikisht ndërsa ecte, tamam si e atyne malokëve që s’kishin pa kurrë qytet me sy. E ma fort se kjo, ndoshta mënyra e ecjes së shkujdesun e si me përtesë, më bajshin me besue se do të kisha të baje me nji copë injoranti, që në rastin tim po u kaperdiste prej kënaqësisë që duhet të ndjente prej faktit se po më kishte në grackën e tij.
Shumë shpejt u ndodhëm në zyrën e tij e përballë njeni-tjetrit: unë i ulun në stolin e të inkriminuemit, kurse ai, në nji karrige me tryezë para. Me fytyrën e tij ma tepër të vrazhdë se serioze, nisi të më pyeste shpejt e në atë mënyrë, që kërkojshin përgjigje të shkurta, si; “Po”, ose “Jo”, “E dij”, ose “S’e di”, “Asht” ose “S’asht e vërtetë” etj. Qysh në fillim ky hetues do të më vinte në dukje rëndësinë që do të kishte për mue nji “qëndrim i mirë” nga ana e ime e, në të njajtën kohë, të më kujtonte forcën e vendosmërinë e Pushtetit për të luftue pa mëshirë e deri në fund çdo anmik të tij.
Meqë seanca po zgjaste disa orë, ai do të gjente kohë edhe për kthesat e tij dinake, kur si gjoja për të mirën time, të më këshillonte si në mirëbesim e me tone mjaft njerëzore: “Bën mirë të mbarosh punë me mua, përndryshe, po kalove në duart e të tjerëve, do e kesh punën shumë keq”. Disa herë ai do t’m’u drejtonte me fjalë, që herë do t’ishin të ashpra e herë të buta e, si mbas rastit, do të alternonte edhe tonet e të krijonte gjithashtu edhe pauza të shkurta ose të gjata, me qëllim që unë të kisha kohë me reflektue para se me u thye.
Mbas nji këshillimi me të butë, me qëllim që në nji mënyrë a në nji tjetër të realizonte ato synime që kishte me mue, ai papritmas do të shpërthente me egërsi e do të më kërcënonte, do të më ironizonte mbrapa, e kështu me radhë, tue mos lanë gja pa futë në veprim prej arsenalit të tij si hetues me eksperiencë e kriminel që ishte.
Ma e dukshmja gja në qëndrimin e tij do të ishte nji urrejtje e tij e thellë dhe klasore për çdo kundërshtar, për çka në këtë rast, duhej t’i mjaftonte edhe vetëm mbiemri i im “Bushati”. Nji herë do të më thonte se duhet të paguejsha edhe për babën, e kur unë t’i thojsha se; “im atë s’asht marrë me politikë”, ai si në përrallën e “Ujkut me Qingjin”, tue u ngërdhesh e bërtitë edhe ma fort, do të shtonte: “Do të paguash edhe për gjyshin e të tjerë para tij”.
Gjatë kësaj seance të parë hetimi, unë disa herë do t’ia shqyrtojsha fytyrën e tij të thartë, të prishun nga natyra, në të cilën nuk do t’u shquente asnji gjurmë njerëzore, tue konfirmue edhe nji herë atë që vazhdimisht e kishim shprehë me shokët: “Këtyne të Sigurimit deri edhe surrati ua difton shpirtin”!
Te ajo fytyrë e tij e keqe dhe nervoze, në të cilën ishin skalitë dukshëm urrejtja për njerëzit e ndoshta edhe pakënaqësia për vete, do të më hiqshin vërejtjen gjithashtu edhe do buzë të tij të daluna, që siç duket, në shenj mërzitjet e përbuzjet, sidomos ajo e poshtmja, i kishte ngelë varë. Apo s’iu dukshin shumë të kuqe ato buzë në sfondin e verdhë të fytyrës së tij! T’u mbushte mendja se çdo tipar e muskul në atë fytyrë prej të pakënaquni të përjetshëm, kishte marrë formë si mbas përshtypjeve që ai njeri i keq e fodull, duhet të kishte pësue gjatë jetës. Ai duhet ta kishte randë edhe veten.
Hera-herë ai, prej poshtë tryezës, seleksiononte do fotografi të mia e mandej të m’i paraqiste si prova komprometuese, me që ishin të Çurçillit e Rusveltit. Ishin fotografi që i kishte sjellë U.N.R.R.A. me shumicë, fill mbas mbarimit të Luftës, pa pasë përjashtue as ato të Titos, Stalinit, Enver Hoxhës e të Mehmet Shehut, që na i patëm ble në dyqan nga ajo pak nostalgji konfuze, ende e mbetun prej inercisë së Luftës. Bashkë me to, gjatë kontrollit që Sigurimi kishte ushtrue në shtëpinë time atë mëngjes, më kishin sekuestrue edhe dy ditarë, prej të cilëve Sirri Çarçani do të merrte shkas që t’u kënaqte tue më fajsue e ironizue për fjalë e fraza që shkëpuste prej tyne, të cilat, me qëllim intimidimi, do të m’i deklamonte me intonacionet e duhuna.
Po ashtu, me qëllim që unë të dijsha se me cilin po kisha të bajë, ai drejtpërdrejt a tërthoraz, do të kërkonte me më bindë për kulturën që zotnonte, sidomos për atë “dialektikën” e tij, me të cilën do t’u mburrte para meje, edhe pse si i ri e i burgosun që isha. Po me atë rast, ai do të më fliste me ironi edhe për Qemal Draçinin, kur mes tjerash të më thonte: “Ai kujtonte se çfarë ishte dhe gjeti atë që kërkoi”! Dhe nuk i shkonte ndër mend atij hetuesi të djallëzuem e të pamoralshëm, për efektin e kundërt që ajo deklaratë e tij bante në mue, tue mos e marrë me mend se Qemal Draçini kishte qenë profesori ma i respektuem e i dashtun i jonë, e nji nga viktimat ma të dhimbshme për nji qytet të tanë të Shkodrës.
E s’i vinte turp! Me Qemal Draçinin ai kishte qenë bashkënxënës në liceun e Shkodrës, por që në këtë rast, ndoshta për nji kompleks inferioriteti intelektual që ai të kishte pasë provue ndaj Qemal Draçinit, kishte rastin të kërkonte ligësisht me gjetë nji arsye, që atë ta denigronte edhe për s’dekni. Vite ma vonë, tek u ndodhshim në nji kamp pune për ndërtimin e nji aerodromi ushtarak në afërsi të Beratit, nji burrë prej Vlonet, tue folë për këtë Sirri Çarçan, do të na tregonte:
“Ishte Sirri Çarçani ai qerrata-burrë, që nga Tirana do të vraponte drejt burgut të Vlorës, për t’i komunikuar ish-profesorit të tija të matematikës në shkollën Tregtare, Bego Gjonzenelit, aq të nderuar e patriot, se kërkesa për falje jete, nuk i ishte marrë parasysh, e pa fare keqardhje, t’i tregonte gjithashtu edhe orën e natës kur ai do të ekzekutohej. Në fund Begua, ia pat kthyer atij komunisti të keq, që dikur e kishte pasë nxënës: “Isha unë, që dikur ju prija në demonstratat anti-italiane në Vlorë”!
Ma në fund, mbasi kishin kalue rreth dy orë mbas dreke, Sirri Çarçani, mbas sa e sa akuzash, provokimesh e kërcënimesh dhe më kishte ba, si dhe mbas sa ligjëratash me të cilat ai kërkonte me më bindë për nivelin e tij të kulturës, do ta mbyllte atë seancë të parë me mue, tue më përsëritë: “Tani shko atje në birucë e mendohu, dhe kur të të thërras pastaj, të flasësh. Bën mirë të mbarosh punë me mua, sepse po re në duar të të tjerëve, do e kesh punën shumë më keq. Me të mirë, a me të keq, për të folur, do flasësh si bilbil”.
I shoqnuem prej nji polici përshkova nji oborr të madh që vinte mbas ndërtesës së Sigurimit, në fund të të cilit, nga e djathta e tij, u zgjaste nji godinë përdhese, me hymje pa portë në qendër të saj e me do dritare nalt nën çati. Hymja prej tre-katër metër gjatësi ndante burgun majtas e djathtas në dy biruca ka tri korridore, ku secili prej tyne u zgjaste me nga shtatë çifte dyer birucash të vendosuna simetrikisht përballe njena-tjetrës, tue qenë përfundimisht katërmbëdhjetë prej tyne që të shikojshin nga oborri, me anë të disa dritareve të vogla ngjitë me tavanin e naltë, e katërmbëdhjetë tjera nga ana e errët, që u mendonte të merrshin sadopak dritë prej nji korridori që mezi u ndriçonte për vetë prej vetëm dy baxhave të vogla, nga nji në secilin skaj të tij, dritë që pak-pak, mund të hynte ndoshta ndër dy-tri birucat ma afër tyne. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016