Nga Musa Çapani
Memorie.al / Ngjan si legjendë, por është ndodhi e diktaturës. Pasi merr me vonesë lejen, Afërdita 4 vjeçe, mbërrin në spital në gjendje të rëndë dhe pas pak ditësh, ndërron jetë. Nëna e saj përshkon e vetme, me të bijën pa jetë në krahë, rrugën nga spitali, në fshatin e internimit. Musa Çapani, sjell historinë rrëqethëse që ia ka përcjellë Engjëll Cani, kushëriri i Afërditës. Të internuarve u duhej leje për të gjitha, edhe për të jetuar. Nuk mund të shkonin as te doktori në qytet, pa e konfirmuar Dega e Punëve të Brendshme dhe nëse rrezikonin jetën teksa prisnin, nuk do të thoshte që burokratët komunistë, do të lëviznin duart më shpejt. Ata ishin “armiqtë e popullit” ose të afërmit e “armiqve” dhe, sipas ideologjisë së kohës, meritonin vetëm mundim e ndëshkim, edhe nëse ishin fëmijë.
Kjo ndodhi dhe me Afërditën, vajzën 4 vjeçe të Emin Canes, i cili ishte arratisur nga Shqipëria, bashkë me të vëllanë, Lutfiun. Familjet e dy vëllezërve, u internuan nga Bilishti në Gjazë të Lushnjes, ku mungesa e ujit, solli përhapjen e epidemive. Afërdita u prek nga dizenteria. Në kamp, nuk kishte qendër shëndetësore. Për të marrë ndihmë mjekësore, duhej shkuar në Lushnje, por të internuarit nuk mund të shkonin askund, pa leje nga dega e Ministrisë së Brendshme.
Kur erdhi leja, e vogla digjej nga temperatura. Mirëpo, në sektorin e Fermës Bujqësore “29 Nëntori” të Lushnjes, nuk mungonte vetëm uji dhe mjeku, por edhe zemra e drejtuesve të atij sektori ose, nëse ekzistonte, ishte e mbushur me frikë. Për vogëlushen e sëmurë, nuk siguruan as një lloj mjeti, qoftë edhe një karrocë, ndaj nënë Timja u nis me të voglën në krahë. Historinë e plotë e tregon Musa Çapani, një ish-i dënuar politik, siç ia ka treguar miku i tij, Engjëll Cani, kushëriri i parë i Afërditës.
Engjëjt ishin të pambrojtur
Ajo fund-vere, për familjen Cani, veç dhimbjes së largimit me dhunë nga vendlindja, po përcillte edhe mundimin e një jete plot privime dhe mallkimin e sëmundjeve epidemike që gjenin terren të përshtatshëm, në këtë qoshe të harruar të Myzeqesë që ishte kthyer në një sektor bujqësor të Ndërmarrjes Bujqësore “29 Nëntori” dhe në një qendër të re internimi në rrethin e Lushnjes.
Sektori kishte një vit që ishte ngritur dhe me përfundimin e ndërtimit të gjashtë godinave përdhese, me katër hyrje secila, filloi të popullohej kryesisht me familje të internuara, të sjella nga zona e Devollit dhe Dibrës. Në fund të vitit 1956, këtu sollën të internuara edhe dy familjet e vëllezërve, Lutfi e Emin Cani nga Bilishti, që për t’i shpëtuar arrestimit të planifikuar, zgjodhën rrugën e arratisë.
I ndërtuar në mes të fushës, vështirësia më e madhe për sektorin e sapo-ngritur, ishte sigurimi i ujit të pijshëm. Ishin hapur tre puse, por sasia e ujit që ata nxirrnin, ishte e pamjaftueshme për të përballuar nevojat e popullatës. Kështu që, banorët çoheshin herët në mëngjes, kush e kush të mund të mbushte dy kova ujë. Fatlumët që zgjoheshin herët, arrinin të mbushnin, ndërsa ata që nuk arrinin në kohë, detyroheshin të bënin sakrilegj.
Në familjen e porsaardhur kur nuk shkonin në kohë, fati i keq i ra Engjëllit, që sapo kishte mbushur tetë vjeç, të cilin e lidhnin me litar, e zbrisnin në fund të pusit dhe ai me një kanaçe, grumbullonte ujin e mbetur, atë ujë që s’arrinte të mbushte kovën e, që ishte më tepër llucë sesa ujë. Konditat e vështira e sidomos mungesa e ujit, bënë që në sektor të shfaqej dizenteria, që nuk kurseu asnjë të moshuar e fëmijë.
Në familjen Cani, sëmundja preku gjyshen e moshuar dhe vajzën katërvjeçare të nënë Times. Gjyshja e përballoi me shumë mundim sëmundjen, ndërsa Ditën e vogël, sëmundja e mposhti. Në sektorin e sapokrijuar, nuk kishte qendër shëndetësore, kështu që të sëmurën u desh ta nisnin për në Lushnje. Leja nga Dega e Punëve të Brendshme, (me telefon), erdhi me vonesë dhe nënë Timja, me vajzën që digjej nga ethet, në krahë, u nis drejt Lushnjes me këmbë.
Drejtuesit e sektorit, të trembur nga pasojat nëse ndihmonin një të internuar, nuk ofruan ndonjë mjet transporti, qoftë edhe një qerre, për ta çuar deri te vendi i quajtur “Pushimi i Shoferit”, një qendër e vogël në rrugën automobilistike, Lushnjë-Fier, qendër në të cilën, ekzistonte mundësia e gjetjes së ndonjë mjeti.
“Pushimi i Shoferit” ishte afërsisht në mes të rrugës Gjazë-Lushnje, që ishte rreth 14 km. e gjatë. Deri aty, e bëri më këmbë, ndërsa prej aty, deri në Lushnjë, u gjend një karrocier zemërmirë, që e ndihmoi. Me të mbërritur në spital, mjekët e konstatuan sëmundjen epidemike dhe e shtruan në repartin infektiv. Në atë repart, nuk lejohej qëndrimi i të afërmve për kujdes dhe mbas paraqitjes në Degë, mori rrugën e kthimit.
Ditën e katërt, njoftojnë me telefon nga spitali se e sëmura kishte dhënë jetë. Nënë Timja mori përsëri rrugën për Lushnje dhe u kthye për në Gjazë, me trupin e së voglës, të pa jetë, në krahë. Gjithë rrugën e kishte bërë në këmbë. Kur erdhi në shtëpi, lëshoi të bijën në duart e të vjehrrit dhe vetë u përplas përtokë, si e vdekur. Të nesërmen, e varrosën në një copë lëndinë, në të hyrë të sektorit. Ishte varri i parë në atë varrezë të re, të cilit mbas një jave, iu shtua edhe varri i gjyshes.
Mbas pesë vjetësh, familjen Cani e trasferuan në kooperativën malore të Kryekuqit. Tani ajo ishte reduktuar. Nënë Timja kishte ngelur vetëm me dy djemtë, ndërsa nënë Ismiani, vetëm me katër fëmijët e vegjël dhe vjehrrin. Dy vajzat e mëdha, ishin martuar me bashkëvuajtës të tyre, njëra në Plug të Lushnjes, e tjetra në “Çlirim” të Fierit. Ndërsa larg atdheut, dy të arratisurit, Lutfiu dhe Emini, kryefamiljarët e Canëve, ishin degdisur, njëri në Kanada e tjetri në Australi.
Në vitin 1963, familjen e Lutfiut e transferuan në sektorin Grabjan të Lushnjes, ndërsa familja e nënë Times, me garancinë e të vëllait komunist, që mori përsipër gjithë pasojat e mundshme, u kthye në Bilisht dhe filloi jetën normale, por gjithmonë nën mbikëqyrjen e Degës së Brendshme dhe njerëzve të Sigurimit të Shtetit që i kishin nën survejim e mbikëqyrje të rreptë. Mbas lirimit nga internimi, familja e Lutfiut, deri në vitin 1983, jetoi në Grabjan, me qëndrim të detyrueshëm, por që ishte e lirë për të lëvizur pa kufizime.
Djali i madh i Lutfiut, Engjëlli, edhe pse ishte martuar me një vajzë nga ajo krahinë, edhe pse e lidhte dashuria me vendlindjen dhe djemtë e xhaxhait, e bënte shpesh rrugën për në Bilisht. Gjatë këtyre vizitave, planifikuan së bashku me Idealin, djalin e Eminit, xhaxhait të tij, arratisjen familjarisht që e realizuan në pranverën e vitit 1983, një arratisje që bëri shumë bujë në atë kohë, e që e vuri “Sigurimin e pathyeshëm Shqiptar” në një situatë të vështirë.
Kalimi i kufirit i dy familjeve me 10 vetë, më e vogla e të cilëve ishte vetëm 6-muajshe, duke kapërcyer me një palë shkallë prej druri plepi, klonin e elektrizuar, ishte një humbje e madhe për “mitin e pathyeshmërisë së kufijve të atdheut” që trumbetohej me aq forcë në atë kohë.
Përcjellja e ndodhisë nga televizionet e shtetit grek, intervistat me të arratisurit edhe nga shumë televizione ndërkombëtare, e tërboi Sigurimin e Shtetit Shqiptar dhe udhëheqjen e lartë komuniste të Partisë së Punës. U morën masa nga më drastiket, për pjesën tjetër të familjarëve të ngelur dhe për gjithë familjet e farefisnisë dhe krushqisë së tyre.
Me ardhjen e demokracisë, në fillimin e viteve ’90-të, pjesa e ngelur e familjes Cani, u zhvendos për në Kanada e Australi. Mbas tridhjetë e pesë vjet ndarjeje, vëllezërit Cani u bashkuan me gratë dhe me gjithë fëmijët e tyre.
Të moshuar, të lodhur nga jeta e të rraskapitur nga malli, arritën që të gëzojnë disa ditë të bardha në gjirin e familjes së tyre. Fëmijët janë sistemuar, kanë ndërtuar mirëqenien e tyre dhe herë pas here malli për vendlindjen e pak të afërm që iu kanë ngelur në Shqipëri, i sjell në atdhe.
Në udhëtimin e parë të kthimit në Shqipëri, shkuan në Gjazë të Lushnjes, për të gjetur varret që kishin lënë aty. U kthyen zemërthyer. Në vend të lëndinëzës së planifikuar për varrezë, gjetën një parcelë të mbjellë me luledielli, ku s’kishte ngelur asnjë gjurmë e varreve të të dashurve të tyre.
Vite më vonë, gjë që u bë dhe shkak i këtyre pak rreshtave të këtij shkrimi, ishte vizita e Engjëllit, që kishte marrë me vete edhe familjen e vajzës së vogël me të shoqin dhe fëmijët, të cilët kishin shprehur dëshirën, për t’u njohur me vendlindjen e prindërve.
Kishin vizituar Bilishtin dhe prej aty, kishin dalë nëpërmjet Kapshticës, në tokën greke. Kishin udhëtuar drejt fshatit kufitar, në vendin ku kishin kaluar kufirin dhe kishin pirë një kafe te bujtina mikpritëse, e vitit të largët 1983, atje ku fqinjët grekë, i kishin pritur dhe ndihmuar.
Dhëndri i Engjëllit, jo shqiptar, kur kishte parë vendin se ku kishte kaluar kufirin vjehrri i tij, peripecitë dhe udhëtimin “me qefin në kokë të familjes” dhe së shoqes që atëherë ishte vetëm gjashtë muajshe, ngeli i mahnitur nga kjo sakrificë e, sidomos nga guximi dhe heroizmi i vjehrrës, që i ishte futur një aventure me rrezik jete. I emocionuar, kishte këputur një lule trëndafili të egër, që kishte gjetur aty, ia kishte dhuruar asaj dhe me veneracion i ishte drejtuar:
– Të falënderoj, zonjë e nderuar, që me sakrificën, kurajon dhe guximin e pashoq, more një iniciativë të tillë, e cila bëri të mundur që unë të jem bashkëshorti i një vajze të mrekullueshme dhe dhëndri i një vjehrre që me mençurinë e sakrificën e saj, mundësoi këtë fat në jetën time! Memorie.al
Marre nga Kujto.al