Nga Fatjon Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al/ Të dhëna të ndryshme, ndonjë herë edhe kontradiktore, vijnë për gjenealogjinë e familjes së bejlerëve të Koprënckës, që mbajnë mbiemrin Mançe. Nga gojëdhënat, e më pas nga dokumentet historike, saktësohet se kjo familje nga mesi i shekullit të XIX-të, deri në vitet ’30-të të shekullit të XX-të, ka pasur në zotërim mijëra hektarë tokë buke, livadhe, kullota, kryesisht verore dhe pyje. Këto toka kanë qenë në; Gostënckë, Leshnje, Vlushë, Kapinovë, Krastë (Bërsakë), Potom, Çorovodë, kullotat verore të Ostrovicës, Shtyllës, Sherës, Qafës së Martës, Gorrulit, Bulgarecit të Korçës, si dhe tokat e fshatit Cërrunjë të Gramshit. Se si është vënë ky çiflig, ka versione të ndryshme, një ndër të cilët është edhe lidhja me Ali Pashë Tepelenën dhe besnikëria e pinjojve të kësaj dere ndaj tij, çka është një e vërtetë historike. Por titulli bej me ferman duhet të jetë marrë shumë kohë më parë, në kohën e spahinjve.
Nga kjo derë ka dalë edhe një njeri tjetër me rol jo të vogël në historinë e Skraparit dhe të gjithë Shqipërisë, që është Ali Koprëncka (Ali Efendiu), djalë xhaxhai me Xhelalin, Dulen dhe Hasanin. Ai studioi jashtë shtetit në Akademinë e Stambollit. Në vitin 1909 shkon në Selanik dhe bëhet një nga organizatorët e drejtuesit kryesorë të klubit “Liria”, të çelur më 22 shkurt 1909. Si këshilltar i Pleqësisë së Klubit, ai kishte si detyrë kryesore, arsimin dhe gjuhën shqipe. Reflekset e punës së tij në Selanik, janë edhe hapja e shkollave shqipe në Skrapar në ato vite dhe mitingu i Koprënckës, për të cilat folëm më lartë.
Në vitin 1911, ai vjen në Skrapar ku merret me lidhjen dhe koordinimin e veprimtarisë së çetave patriotike. Ishte viti 1912, kur Ali Koprëncka u doli trimërisht ushtrive osmane që donin të pushtonin disa krahina të Shqipërisë së Mesme. Në korrik të vitit 1913, Ali Koprëncka mori pjesë me vullnetarë skraparllinj, panaritas dhe kolonjarë, kundër andartëve grekë në Qafën e Martës, pika më dominuese, tok me Sali Butkën, ku mbetën të vrarë të trimat e njohur; Lace Backa, Jake Dajlan Panariti e Nasi Spiro Qafëzezi.
Në vitet 1914- 1915, Ali Koprëncka ishte vënë në dispozicion të Qeverisë së Vlorës me detyra të ndryshme, sidomos në fushën ushtarake. Kur kryente detyrën e komandantit të xhandarmërisë dhe nënprefektit në Elbasan, shtypi i kohës shkruante: “Ali Koprëncka, e kuptoi drejt detyrën e tij për të cilën është derdhur gjak dhe i ndaloi jeniçerët e Pashës të hynin të armatosur në qytet”. Në janar të vitit 1920, ai mori pjesë si delegat në Kongresin e Lushnjës, por edhe u vu me forca vullnetarësh në mbrojtje të tij. Më pas, mori pjesë në Luftën e Vlorës të vitit 1920.
Pas kësaj, aftësia drejtuese dhe besnikëria e Ali Koprënckës, u bë e njohur nga të gjitha strukturat shtetërore të asaj kohe, ndaj qeveritë e ndryshme e emërojnë në detyra të rëndësishme në Skrapar, Korçë, Durrës, Elbasan dhe Kolonjë. Në mars të vitit 1919, në Zaloshnjë të Skraparit, u krijua Komiteti për Shpëtimin Kombëtar, me në krye patriotin Hysen Zaloshnja, anëtar i të cilit, ishte edhe Ali Koprëncka.
Në vitin 1921, bëhen përpjekje për ngritjen e parlamentit të parë shqiptar. Në fushatën zgjedhore populli i Skraparit, propozoi dy kandidatura të tij, Ali Koprënckën dhe Maliq Vlushën, por në anën tjetër, u vunë edhe kandidaturat e Vrionasve. Fushata u zhvillua e ashpër, përfaqësuesit e parisë së Skraparit, kundërshtuan me forcë kandidaturën e Vrionasve dhe ngulën këmbë në propozimet e tyre.
Në zgjedhjet e dyta, ata iu përgjigjën me votë dhe me shkrim:
“Kandidatura e Maliq Vlushës dhe Ali Koprënckës, është deklaruar prej nesh, duke çmuar veprat patriotike të tyre, kurse zotin Sami, Qemal, Iljaz dhe Seit Vrionasi, që ju i lavdëroni, i njeh fort popullit i Skraparit. Veprat e tyre antikombëtare, janë këto që shkruajmë më poshtë”.
Në letër përmenden disa veprime antikombëtare të tyre që në kohën e Turqisë, por edhe më vonë, në kohën që kishin prefekturën në dorë, dërguan esadistë e dogjën edhe ato shtëpi që kishte lënë pa djegur greku, nuk deshën të mblidhej Kongresi i Leshnjës etj. Dhe Aliu e justifikoi besimin e popullit. Ai ishte deputeti më aktiv i parlamentit, që në atë kohë quhej Këshilli Kombëtar.
Që në fillim, ai mbajti një fjalim të zjarrtë pro demokracisë, ku godiste ashpër bejlerët dhe feudalët që mendonin vetëm për të shitur sa më shtrenjtë prodhimet e tyre. Sa ishte deputet në gati dy vjet, deri në 23 dhjetor 1923, kur u bënë zgjedhjet tjera dhe në vend të tij u zgjodh bashkëfshatari i tij, Sami Koprëncka, Aliu ka diskutuar dhe debatuar 86 herë, të cilat janë të pasqyra në botimin: “Bisedime të Këshillit Kombëtar”. Është kërkesa energjike e Ali Koprëncës, që u vendos të ngrihej internati në Vërzhezhë.
Po kështu është këmbëngulja e tij, që si tradhtar i kombit, t’i sekuestrohej pasuria Esat pashë Toptanit. “Duke sekuestruar pasurinë e Esat Pashë Toptanit, marrim hakun e një milion njerëzve, prandaj të votojmë”, është shprehur ai. Po të shikosh proces-verbalet e parlamentit, sekretari nuk ka harruar të vendosë reagimin e sallës, pas çdo fjale të Aliut: “Bravo Ali”! “Të lumtë Ali”! “Duartrokitje”. Edhe pas lënies së poltronit të deputetit, ai ngeli një politikan aktiv, kundërshtar i qeverisë së Zogut, që edhe pse kishte pasuri, nuk ua ktheu asnjëherë shpinën banorëve të varfër të Skraparit.
Ndryshe nga Xhelali, që njihej për karakterin e tij të fortë, si përfaqësues besnik i shtresës së tij, ndonjë herë edhe i ashpër dhe mospërfillës ndaj të vegjëlve, Aliu e ka vërtetuar me mijëra herë, duke vënë në rrezik jetën e tij, se ishte engjëlli mbrojtës i vegjëlisë, përfaqësuesi më i denjë i kësaj shtrese. Firmën e tij, e gjen në shumë dokumente të kohës.
Korrespondencat e vazhdueshme me strukturat e shtetit, ishin një komunikim dhe lidhje mes tij dhe halleve të popullit. Si një nga miqtë më të mirë të Nolit, domosdo që e ndihmoi fuqishëm këtë të fundit, në ndërmarrjen e tij të guximshme, “Revolucionin e Qershorit”, të 1924-ës, duke nisur drejt Tiranës, mbi 400 burra skraparllinj të armatosur.
Noli e emëroi në një vend delikat, siç ishte Korça në atë kohë, komandant të xhandarmërisë dhe zëvendës-prefekt. Pas dështimit të Revolucionit të Nolit, Aliu u vu në shënjestrën e mbretit Zog, me anë të ligjit famëkeq mbi “jatakët”, që dënonte jo vetëm pjesëmarrësit në kryengritje, por edhe familjet, fëmijët, miqtë e shokët që i strehonin dhe i ndihmonin ata.
Ndaj dhe detyrohet që bashkë me Riza Cerovën, Muço Kapinovën, Nuri Vlushën e, shumë të tjerë, në fund të dhjetorit të vitit 1924, të arratisen në Greqi dhe të vendosën si emigrantë politikë në Selanik. Pasi u rikthye Zogu në fuqi dhe pasi forcoi pozitat, pas Revolucionit të Qershorit, në vitin 1928, ai bëri një amnisti të përgjithshme, për gjithë të dënuarit.
Në këtë kohë, Ali Koprëncka kthehet në atdhe, pasi i vdes edhe djali. Sa e mori vesh Zogu që Aliu erdhi, e thërret dhe i ofron detyrën e qark komandantit në Shkodër, prefektit në Vlorë, ose kryetarit të bashkisë në Berat. Aliu i shqetësuar nga humbja e djalit, por më shumë nga politika që ndiqte Zogu, nuk pranoi dhe i tha në sy Zogut: “Bashkëpunimi im me ty nuk ka nder. Ti je i lidhur me bejlerët e Vrionit dhe gjakpirës të tjerë të vendit. Luftova me pushkë në dorë për ardhjen e Fan Nolit në pushtet dhe ika i përzënë me pushkë prej teje. U ktheva në atdhe për arsyet e mia familjare. Postet e mia në qeverinë tënde, nuk kanë lezet, prandaj më lër të qetë në punën time”.
Aliu qëndroi pranë familjes së tij në Korçë, por gjithmonë i survejuar nga agjentët e Zogut, që nuk ia harronte si atë që u bë me Nolin, por edhe tjetrën, refuzimin e detyrave që i ofroi. Ende pa i kaluar dhimbja për djalin që i kishte vdekur, Aliut i erdhi një dhimbje tjetër, djali tjetër, Petriti, që sapo kishte mbushur 1 vjeç, nuk ndihej mirë. Mjekët konstatuan se kishte shikimin shumë të kufizuar, gjë që ai e vuajti tërë jetën.
Siç thamë më lartë, urrejtja dhe lufta që kishte bërë Ali Koprëncka kundër regjimit të Zogut dhe njerëzve të tij, nuk harroheshin lehtë. Duke qenë në pushtet, 15 vjet më vonë, ata do të organizonin vrasjen e beftë të këtij patrioti të rrallë. Të sajuar dhe nën pretekstin e pronave, ndaj koprënckallinjve, futën kushëririn e tij, Kajmak Koprëncka, i cili në dredhi e pabesi, bëri krimin më makabër.
Ishte 12 korrik i vitit 1930, kur vrasësi katil, kur doli ditën e pazarit tek Hani i Zalos e, Sheshi i Peshkut në Korçë, la të vdekur Ali Koprënckën dhe Muharrem Backën. Gazeta “Shqipëria e Re”, e atyre viteve, shkroi: “Ngjarja ka bërë një përshtypje të thellë në Korçë, sa dhe në Tiranë, tue qenë viktima e parë Ali Kopërncka, i cili ka qenë gjithmonë midis nacionalistëve të vjetër e patriotëve të dorës së parë”.
Në të vërtetë, vrasja e Aliut nuk ishte vepër kriminale e Kajmakut, por e Ahmet Zogut. Në këtë mënyrë, ai likuidoi patriotët me famë; Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Muço Kapinovën e dhjetëra të tjerë. Vrasësin e Aliut, nuk e nxorën në gjyq, pasi dilte e vërteta në shesh, prandaj e helmuan dhe vdiq në burg.
Pas vdekjes ai është vlerësuar me urdhra e dekorata, por jo të një niveli që i takonin. Dhe kjo për shkak të paragjykimeve politike të periudhës komuniste dhe alergjisë ndaj titullit bej. Mjerisht edhe më vonë, në kohën e demokracisë, vihet re i njëjti vlerësim dhe heshtje për këtë krye-patriot, këmbëngulës deri në flijim.
Brezi i Xhelalit, ku edhe do të ndalemi në këtë shkrim, mban për mbiemër Koprëncka dhe përfaqësohet nga Xhelali e tre vëllezërit e tjerë, Hasani, Zalua dhe Abdyli (Dulja) si dhe nga katër motrat, Refikaja, Ruvedija, Gjylishani dhe një motër tjetër, që ka vrarë veten, pasi nuk përballoi dot vrasjen aksidentale të të vëllait, Zalos. Pas shkëlqimit të kësaj dere të madhe, të njohur dhe të respektuar edhe jashtë krahinës së Skraparit, vjen rënia dhe shpërndarja. Pas djegies së sarajeve nga “greku i pare” në Koprënckë, në 1914-ën, ata ndërtuan një shtëpi të përkohshme në Gostënckë, ku kishin dajllarët, pastaj shkuan në Çorovodë dhe Korçë, në pronat e dikurshme.
Atdhetarë dhe arsimdashës
Duke ndjekur rrugën e rilindësve më të shquar, pjesëtarët e kësaj familjeje në vitet 1900-1909 iu kushtuan veprës mëmëdhetare, çeljes së shkollave shqipe. Më 1908, çelen tri shkolla shqipe nga Hasan Dalip Koprëncka, në Koprënckë me 53 nxënës, në Gostënckë me 57 nxënës, (34 të ditës dhe 23 të natës) dhe në Çorovodë, me 43 nxënës.
Këto shkolla mbahen financiarisht nga vetë Hasani. Një vit pas Kongresit të Manastirit, mbahet Kongresi i Elbasanit, nga data 2 deri më 8 shtator të vitit 1909, ku merr pjesë edhe Dulja (Abdyli). Siç mësohet nga dokumentet arkivore, ata kanë kontribuar me të holla për çeljen e ‘Normales’ së Elbasanit. Më 6 maj 1909, në Çorovodë u formua klubi “Pellazg”, me kryetar Abdylin, që u quajt edhe klubi i “Dramës”.
Me iniciativën e dy vëllezërve, në fillim të vitit 1910, u bënë përpjekje për mbajtjen e një mitingu në Koprënckë, por meqenëse në këtë miting ishin ftuar vetëm myslimanë të sektit bektashi, mitingu u anulua dhe u la një datë tjetër, ku u ftuan edhe të krishterë nga zona e Frashërit, Përmetit dhe Kolonjës. Kështu që mitingu tjetër u zhvillua më 25 maj të vitit 1910. Në këtë miting, që u drejtua nga Hasani dhe Abdyli, morën pjesë 3000 vetë dhe u fol për gjuhën dhe shkollat shqipe. E gjithë veprimtaria e vëllezërve Koprëncka, që përshkruam shkurt më lartë, është pasqyruar nga shtypi i kohës, veçanërisht nga gazeta “Liria e Selanikut”
Kush ishte Xhelal Koprëncka?
Xhelali ka lindur në Koprënckë në vitin 1876. Mësimet e para fillore i mori në Korçë dhe më pas vazhdoi studimet në Robert-Kolezh të Stambollit. Studimet e larta i kreu po në Stamboll, në shkollë ushtarake, ku edhe u dallua për rezultate të mira dhe cilësi të veçanta të karakterit të tij. Pas përfundimit të studimeve, shërben në repartet ushtarake të Selanikut. Në vitin 1911, emërohet komandant i Qarkut të Janinës.
Edhe pse oficer i lartë, ai përfshihet në lëvizjen kombëtare të Rilindjes. Koordinon që nga Selaniku dhe Janina punët, për përhapjen e gjuhës shqipe me vëllezërit e tij, Dulen e Hasanin. Në këtë kohë ai mban lidhje të ngushta me botuesit e “Kalendarit Kombëtar” dhe gazetës “Liria e Selanikut” si dhe merrte rregullisht gazetën e Jani Vretos, “Rrufeja”.
Xhelal Koprëncka firmos Pavarësinë, në 28 nëntor 1012
Ngjarja që mblodhi dhe vuri në lëvizje të gjithë ajkën e patriotëve shqiptarë, ishte Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912. Ata erdhën aty nga ishin e nga s’ishin. Në këto ditë të shënuara dhe të shumëpritura nga i gjithë populli shqiptar, krahas shumë figurave të njohura, ishte në Vlorë edhe Xhelal Koprënckën. Ai përfaqësonte krahinën e Skraparit, dhe në emër të saj, ka firmosur dokumentin përfundimtar dhe historik të Shpalljes së Pavarësisë. Në proces-verbalin e Kuvendit për ngritjen e flamurit, ai mban numrin rendor 13, ku shkruhet: “Nga Berati, mori pjesë Xhelal bej Koprëncka…”!
Në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës, Xhelali figuron në dokumentet e kohës në Vlorë, nga 28 nëntori i 1912-ës deri më 27 dhjetor të 1912-ës, me detyrë specifike nga Qeveria e Vlorës, organizimin e ushtrisë përkrah ministrit të Mbrojtjes, Mehmet Pash Dërhalla, organizimin e xhandarmërisë në Lushnjë, si dhe organizimin e frontit të luftës kundër pushtuesve të huaj, për çlirimin e territoreve që mbaheshin të pushtuara edhe pas formimit të shtetit shqiptar, kryesisht në jug, nga shovinistët grekë.
Gjatë këtyre ditëve, si zëvendësministër i Mbrojtjes, që përgjigjej për kufirin jug-lindor të asaj zone, që përfshinte Qeveria e Vlorës në atë kohë, ai mban lidhje me zonat me Mahmut Ali Pashën në Delvinë, Selam Koprënckën në Skrapar, Hazis Vrionin në Berat etj. Më pas ai është caktuar për të përgatitur rezervistët për të shkuar në Skrapar, për t’u bërë pritë forcave shoviniste greke. Kjo gjë konfirmohet edhe nga korrespondenca e Ismail Qemalit, ku në një telegram dërguar Hazis Pashës në Berat thuhet: “Kështu ju vumë porosi të provoni patriotizmin tuej dhe të forconi e të vini (zini) pozitat e pritat që është nevoja, mbasi kemi biseduar me Xhelal benë e zotërinj të tjerë, që do të vijnë aty”. Dokumenti është nënshkruar nga Ismail Qemali dhe mban datën 14 dhjetor 1912.
Hileja e prefektit të Beratit
Hazis Pash Vrioni, në atë kohë ishte administrator i Beratit. Xhelali, që prej kohësh nuk shkonte mirë me Xhelalin, grindet ashpër, pasi Hazizi nuk i jep mbështetje, por kërkon që përballja me grekun, të bëhet vetëm nga forcat e Skraparit. Kjo vërtetohet me telegramin e datës 18 dhjetor 1912, që qeveritari i dërgon Vlorës, ku thuhet: “Xhelal beu erdhi mbrëmë, në ora 4. Po përpiqem me ia imponue që të nisen në Skrapar, por qet shkas mos me shkue…”!
Duke parë amullinë dhe pamundësinë e Qeverisë së Vlorës t’i vinte mirë gjërat në vend, Xhelali detyrohet të shkojë në Skrapar, edhe me kushtin që i vuri Hazizi. Menjëherë pas kësaj, Vrionasi shpejton të lajmërojë Vlorën me telegramin e datës 21 dhjetor, se: “…sot u nisën për në Skrapar e Tomorricë…z. Myftar sheh Hasani dhe kapitan Tajar beu (Vëndresha). Me të mbërrit Xhelal beu do të mendohet veçanërisht ç’duhet ba”.
Në frontin e luftës
Detyrën e ngarkuar nga Qeveria e Vlorës, për ndalimin andartëve grek në territoret e Korçës, Kolonjës dhe Skraparit, në vitet 1913-‘14, Xhelali e kreu më së miri. Ai bashkoi çetat e Skraparit dhe zuri shtigjet më të rëndësishme. Krahas detyrave ushtarake, Xhelali në këtë kohë caktohet edhe me detyrën e nënprefektit të Skraparit. Ai gëzonte respekt të veçantë dhe shihej me besim nga Ismail Qemali.
Kjo gjë vërtetohet me letërkëmbimin dhe korrespondencën e tyre të pasur. Në një telegram të qershorit të vitit 1913, Xhelali e gëzon plakun e Vlorës, kur informon se 1500 vullnetarë, bashkë me ushtarët e vendit; “janë tue kontrollue grykat e qafat e Skraparit”. Rezistenca zgjati mbi pesë muaj, megjithatë ajo ngeli në kuadrin lokal dhe greket arritën kohë pas kohe deri në Berat.
Në krye të kryengritësve kundër Esat Pash Toptanit
Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, zhvillimet politike në Shqipëri morën rrjedha të tjera. Në këto rrjedha historike, të pandarë asnjë ditë, gjejmë Xhelal Koprënckën. Kështu në këtë periudhë, ka tërhequr vëmendjen e forcave patriotike veprimtaria antikombëtare e Esat pash Toptanit. Ai në këtë kohë, shtriu pushtetin e tij deri në Skrapar.
Xhelali organizon në shtëpinë e tij, një mbledhje me të gjithë krerët e Skraparit, ku vendoset organizimi i një kryengritjeje antiesadiste. Kryengritja filloi më 27 dhjetor 1915 dhe forcat esadiste, u shtynë deri matanë lumit Devoll. Atje forcat kryengritëse u thyen.
Në duart e Esatit, ranë robër Sokoll Radëshi, Adil Satka, po nga Radëshi dhe Asllan Vëseshta. Sokolli dhe Asllani, u ekzekutuan me varje në Shijak, ndërsa Adili, u dënua me burg në Shkodër, por që u pushkatua më vonë. Ndaj kryengritësve, një qëndrim të keq dhe ekstremist, mbajti prefekti i asaj kohe i Beratit, Sami Vrioni, duke e quajtur lëvizjen donkishoteske dhe Xhelalin, Ali Koprënckën e Sakoll Radëshin, tradhtarë të kombit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm