• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Wednesday, June 4, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Art & Kulture

“Pasi ia dënuan djalin Ugo, në burg politik, pse kishte ‘përgojuar’ sekretarin e parë, Nikolinin e përzunë nga teatri dhe kolegët ia kthyen shpinën, edhe kur ai u sëmur…”! / Historia e trishtë e artistit të famshëm

Nga Miho Gjini

                           – NIKOLIN XHOJA, NJË HISTORI DASHURIE TRAGJIKE –

Memorie.al / Çdokush ka një histori, e shënjon atë. Një histori të vërtetë. Dhe e vërteta është edhe më e bukur, sado e trishtuar që është e thuhet. E vërteta është e thjeshta. Dhe ky artist gjenial, ishte i tillë: i thjeshtë, i vërtetë, i bukur…me një histori tragjike jete. Historia vetë është një mit, ose thënë më me elegancë, miti riprodhon brenda materies së vet, histori nga më të përveçmet e, nga më të habitshmet. Një nga këto histori që fqinjëron me mitin për nga habia, e veçanta, e rralla dhe tragjikja, është edhe ajo e prindërve të Nikolin Xhojës, që do të zinte fill në qytetin italian të Brindisit, në vitin 1920. Aty do të shkelte këmba e një vajze shqiptare me origjinë vllahe dhe me emrin Parashqevi Bushi, së bashku me disa emigrantë të tjerë nga Durrësi.

Rastësia, po ndofta edhe bukuria e saj fizike, do ta sillte që këtu ajo të njihej edhe me pronarin e disa kinemave të këtij qyteti, me Teodor Gioia, i cili do të bëhej edhe burri i saj, pa kurorë, e do të lindte fëmijën e parë, si nëpër histori filmash. Fëmija do të quhej Ugo e, do të kishte edhe ai historinë e vet të trishtuar, të rritjes në një institucion Bamirësie, për vet rrethanat e krijuara të asaj kohe. Dy vjet më pas, më 12 maj 1926, do të lindte edhe djali i dytë, Nikolini, një fëmijë e mbarë, i bukur dhe i shëndetshëm.

Gjithashtu mund të lexoni

“Nga anëtar i “Debatikut” e partizan në Brigadën e 23 Sulmuese, drejtor i Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe aktor në role kryesorë të kinematografisë…” ! / Historia e panjohur e Gaqo Spirut

“I ‘infektuar’ nga ‘Lufta e Trojës’, nga Homeri dhe Eskili, shkrimtari Kadare, me ‘Përbindëshin’, shënoi ngjitjen në nivelin më të mirë të letërsisë europiane, pasi…”/ refleksionet e publicistit të njohur nga SHBA-ës.

E frikësuar se mos e humbiste edhe këtë djalë, Parashqevia e braktis të shoqin, ikën fshehtazi, me traget nga Brindizi, bashkë me foshnjën e dytë, për të nisur edhe një herë, kalvarin e një jete të dhimbshme, ca më të vështirë nga ajo e të parëve të saj, që e mbartnin jetën mbi samarin e mushkave, nga njëri vend në tjetrin, mbi tokë e nën qiellin e hapur…!

Krejt e vetme vendoset në një kthinë mbi kodrinën e Sefer Efendiut në Durrës dhe nis të punojë si rrobalarëse, për të nxjerrë bukën e gojës, për vete e fëmijën e saj, që po rritej përmes këtij fukarallëku të tejskajshëm. E gjithmonë, si nëpër skenarë filmash, do të shfaqet një bamirës fisnik, sikundër qe punonjësi i legatës angleze, Profiri Gllatkin, i cili do të zbuste këtë jetë të vrazhdë, së gruas së re e të vetmuar.

Po nata zë ditën e dita zë natën dhe gjërat përsëriten. Varfëria e ashpër e pasiguria e jetës, i detyron ata që ta sistemojnë Nikolinin në “Strehën Vorfnore” të Tiranës, ku djaloshi do të hidhte shtat si ai filizi i pemës, i rimbjellë pranë gurishteve të një lumi…! Gjersa u bë për në shkollë e kthehet pranë së ëmës në Durrës. Me mësime shkolle, me shoqërinë e rrugës e me ndonjë punë që bënte si korrier në Bankën e Qytetit, nën statujën madhore e të hijshme të Mbretëreshës Teuta.

Mirëpo do të vinte nga Mati një njeri tjetër, që do të shpallej “Mbret i Shqiptarëve”, i cili u hapi “dyert” edhe Italianëve. Pas pak aty mbërritën edhe ushtarët e tyre, me vapore, tanka e avionë. Një dualitet i dhimbshëm zhvillohej tani në shpirtin e Nikolinit: I ati i të cilit kishte kombësi italiane dhe nuk qe bërë më i gjallë! Megjithatë, Banka herë mbyllej e herë hapej.

Kishin ardhur kohë të vështira…!

Diku, aty afër u dëgjuan krismat e mitralozit të Mujo Ulqinakut, si edhe u ndje në gjithë vendin një rezistencë spontane. Ndërkohë që Mbreti Zog, me suitën e tij, po ikte në drejtim të Jugut. Ç’po ndodhte kështu?! Nikolini qe ende i hutuar atë ditë, kur korrierin e nisën të shpërndante letrat me njoftimet e reja dhe në derën e Bankës trokiti një djalosh tjetër, i veshur me uniformën e ushtrisë italiane, që kishte po atë fytyrë, po me ato flokë të zeza e, me onde valësh. Dhe që tha se kërkonte Nikolin Xhojën! Nëpunësve iu duk një shaka e rrezikshme, ngaqë Nikolini, po kërkonte Nikolinin!

Befasimin e njerëzve të mbetur gojëhapur, do ta sqaronte vetë ushtari italian, se nuk ishte Nikolini, po i vëllai i tij, Ugo Xhoja! Ai përmendi edhe nënën e tyre, se donte t’i takonte patjetër që të dy, po që koha nuk e priste asnjë sekondë, për të mos i “fluturuar koka”, nëse nuk do t’i bashkohej kolonës ushtarake, që marshonte në drejtim të Gramshit. Dy orë më pas, nënë e bir, do të niseshin edhe ata në drejtim të Gramshit, me makina të rastit, përmes rrëmujës, krismave e frikës. Italia i kishte shpallur luftë Greqisë dhe territori shqiptar, qe bërë “shesh lufte”.

Fatet e luftës përziheshin me fatet e njerëzve! Dhe nëna do ta gjente të birin, Ugo, të vrarë. Dhe vëllai nuk do ta përqafonte dot më, vëllain e madh të shpuar nga plumbat…! Të kujt? Kush e vrau Ugon?! Qe ditë e premte. Dhe nënën e tyre, e quanin Premte, – (Parashqevi, në gjuhën greke), nga ku kishin zbritur vllahët në shtegtimet e tyre, për të ardhur gjer këtu, gjysma të gjallë e gjysma të vdekur!…

I gjithë vendi u kthye në “shesh lufte” e djaloshi 19 vjeçar, duhej të zgjidhte “udhën e vet” të jetës. Dhe e zgjodhi, duke hedhur pushkën krahut e, të dilte malit, tok me iluzionin se këto “kohë të turbullta”, do t’i davariste komunizmi, i cili fillimisht kishte disa ide e mesazhe të krishtere, për vëllazërim e dashuri njerëzore! Është fjala për “zjarrin” e brendshëm të një të riu, kur e rrëmbeu “furtuna” e luftës partizane.

Askush nga partizanët nuk e besonte, se në radhët e tyre do të kishin edhe një djalosh me origjinë italiane, që ishte aq i gatshëm të luftonte kundër bashkëkombësve të vet, që zbarkuan në Durrës. Po ai do t’u thoshte atyre, se e ndjente veten “shqiptar të vërtetë” dhe se qe kundra kësaj lufte, që i “mori” vëllain, si “mish për top”, në luftën Italo-Greke.

Mirëpo, partizanët nuk mund të mos çuditeshin me këtë njeri që, bashkë me pushkën, kishte marrë me vete edhe kitarën e tij. Qe pasioni i tij i hershëm kënga, që fëmijë, po edhe geni (do të thoshnja), nga i ati që projektonte në kinematë e tij në Brindizi, të gjithë filmat e botës së kulturuar. Shoqëruar me ndjesinë e aktrimit, tek lozi në mal skeçin e Besim Levonjës, për prefektin e Tiranës, – një rol që do ta interpretonte të plotë edhe pas çlirimit të vendit, (pas suksesit të bujshëm që pati me këtë rol edhe Mihal Popi e, disa vite më vonë Robert Ndrenika), për t’u bashkuar me ta në Durrësin e çliruar, në një shfaqje të përbashkët, kur atë e “rrëmbeu” teatri i këtij qyteti, me emrin e Aleksandër Moisiut.

Talenti i këtij aktori (të pashkollë), do të shpalosej katërcipërisht në këtë teatër profesionist e, do të ishte aktori më në zë, me një shtrirje të gjerë, në komedi, estradë, dramë e në operetë, po edhe në film. Unë do të mrekullohesha me rolin e Podgolisinit nga komedia ‘Martesa’ e Gogolit e kjo do të ishte nga shkrimet e mia të para si Kritik i Teatrit, që do të vijoja me interpretimin humoristik e fort të besueshëm, që i bënte tashmë Qazim Mulletit të Levonjës.

Paskëtaj ai do të lozte në disa pjesë teatri nga dramaturgjia ruse e asaj kohe e, do të ishte shumë origjinal në 25 vepra të repertorit nacional, për të ndritur në dramatizimin e një romani të Dritëro Agollit, me rolin e Komandantit Rrapo, me po atë shkëlqim që pati edhe në komedinë “Karnavalet e Korçës”, me një personazh proverbial, si Nikollaq Jorganxhiu, ndonëse kryevepra e interpretimeve të tij, do të mbetej Gorodniçi i Gogolit.

Po nuk do të binin më poshtë as rolet mjeshtërore nga komedia klasike, me Shekspirin, Molierin, Goldonin etj., ku humori i tij ishte më se i këndshëm e i natyrshëm. Suksesi i tij do të ishte i menjëhershëm në skenën e Estradës, ku e kthenin me duartrokitje disa herë edhe nëpër skeçet, si edhe në operetat që u realizuan në Durrës, me vepra të Dunajevskit, Dungut e Marës, tek të cilat qe brilant edhe si këngëtar e instrumentist. Pa lënë mënjanë edhe filmat e tij gazmorë, sidomos me personazhin simpatik të Xha Beqos, aq të natyrshëm, me organicitetin e një shkalle superiore.

Nikolin Xhpoja, ishte e mbeti një personalitet i pazëvendësueshëm artistik. Ai sillte diçka të vetën në skenë, edhe nga trashëgimia e artit italian të “Comedia dell’Arte”, si edhe nga “neo realizmi” italian i interpretimit të rrugës, ashtu vetiu, me plot improvizime e befasira të natyrshme, si askush tjetër. Me një larmi e gjerësi interpretuese. Kurdoherë i papërtuar e vital. Me një lirshmëri skenike e sens improvizimi të jashtëzakonshëm, pa i fiksuar rolet asnjëherë e, duke e ndjerë procesin e krijimit gjithmonë si në premierë.

Aktor me një shpirt të madh njerëzor, i dashur e i domosdoshëm, shëmbëlltyrë klasike, e veçantë, për Teatrin Shqiptar e sidomos për brezin e ri të aktorëve që e nisin “udhën e aktrimit” e shkollimin e tyre profesional, me shumë dëshirë e pastaj përfundojnë si figurantë teatri a si kamerierë, pjatalarës a shitës benzene, jashtë vendit të tyre…!

Njëherësh, “Artisti i Popullit” Nikolin Xhoja, qe një komik i mrekullueshëm në skenë e në ekran, si edhe tragjik në jetë. “Nikolin Xhojën e kishte krijuar ZOTI për teatrin, me një pamje simpatike,- më thoshte shoqja ime e klasës e partnere e tij në po këtë teatër, – Qe i bukur në jetë, i bukur në skenë dhe i këndshëm në shoqëri. Por, kur shkelte në pragun e teatrit, bëhej serioz, i përmbajtur dhe i vëmendshëm”.

Partia e Qeveria e asaj kohe, i afronte këta njerëz të talentuar, u jepte teserën e Partisë së tyre, si edhe tituj të lartë, po nëse të “rrëshqiste këmba” e të delje nga “vija e kuqe e oborrit të tyre”, të bënin edhe “gropën”, – sikundër do t’i ndodhte edhe Nikolinit komunist. Atë e degraduan menjëherë për djalin e tij Ugo, me të cilin ringjalli emrin e të vëllait të vrarë në luftë, që e akuzuan për “një fjalë goje”, për “Agjitacion e Propagandë” dhe e rrasën brenda hekurave të burgut.

Nikolini dhe e shoqja e tij Meropi, – aktore edhe ajo, kaluan ditët më të zeza të jetës së tyre. Po ç’kishte bërë vallë i biri i tyre? Qe habitur, se si qe vendosur në krye të Partisë në Durrës, një karrocier i pashkollë e injorant! Dhe pas këtij “akti” e përjashtojnë nga partia dhe e ndalojnë që të hipte në skenë. Aktori i madh sëmuret dhe shtrohet në spital, me diagnozën; “cerrosi epatica”, me mëlçinë e shkatërruar nga alkooli i tepërt që pinte, për të ngushëlluar veten në atë vetmi tragjike, kur të gjithë i kthyen kurrizin e, nuk e pranuan në teatër, as të vdekur në arkivol, për t’i bërë homazhet e rastit këtij artisti gjigant, që nuk i vjen më Shqipërisë!

Duke e përfunduar këtë histori tragjike të trishtuar edhe me marrjen e shtëpisë pas vdekjes, duke i nxjerr në rrugë familjen që la pas, fëmijët, mobiliet e varfra dhe tekstet e roleve të tij të pavdekshme, që i merrte era e detit të trazuar…! Unë eci këto ditë nëpër kalldrëmet e rrugës të fshatit tim, ku miku im Xhoja, ka xhiruar rolin famoz të Xha Beqos, në filmin “Kapedani”, me partner Albert Verrinë, shokun tim të klasës së aktrimit dhe më rrëmbejnë kujtimet e trishta për artin, thjeshtësinë e humorin e përveçëm të këtij njeriu, që bujti edhe në shtëpinë time, me gjithë ekipin e xhirimit.

E,- të më besoni, – e ndjej veten të bekuar që shkrova për të një libër monografik, pa më ndihmuar askush, as për atë vit pune (me ec e jake të panumërta Athinë-Durrës!) e as me dy promovimet në Durrës e Athinë, rrethuar nga indiferenca e zyrtarëve, e vetë Teatrit, bile edhe e të afërmve të tij, që e kishin lënë ta mbulonin ferrat, varr-oshin e artistit të madh, që duhej të qe një vend pelegrinazhi i nderuar për të gjithë. Kur, edhe në këtë promovim që u zhvillua brenda Teatrit, në “Odeonin” me emrin e artistit, nuk u pa e arsyeshme që të merrte pjesë edhe trupa e teatrit, si të vazhdonte “mëria” me këtë personalitet të Artit Shqiptar (!?).

Po ashtu sikundër më kishte ndodhur, për fatin e keq timin, për të gjashtë librat që pata shkruar e botuar, për Kollosët e Aktrimit Shqiptar: Mihal Popin, Naim Frashërin, Margarita Xhepën, si edhe portretet krijuese për Kadri Roshin, Sandër Prosin, Kujtim Spahivoglin, Besim Levonjën, Mihal Stefën, Tano Banushin, Bexhet Nelkun, Robert Ndrenikën, Yllka Mujon e për 15 artistë të tjerë që lanë gjurmë në skenë e në kinematografinë tonë, për të ikur i qetë, edhe unë, në “banesën e përjetshme” e, për t’u takuar aty me shumicën e tyre.

Mandej është e trishtë të mendosh se institucionet e interesuara, teatrot e as të afërmit e këtyre personaliteteve, nuk i kërkojnë për t’i promovuar e blerë këto libra, për t’i patur ndër arshivat e bibliotekat e tyre tyre. Edhe në promovimin e bërë në Akademinë e Arteve, me interesimin e profesor Milto Kutalit e Rektorit Kastriot Çaushi, shumica e studentëve të aktrimit, preferuan më mirë ta kalonin kohën në Kafenenë e Shkollës…!

Medet! Preferohet vetëm që t’ua dhurosh ato, librat studimore për aktrimin, për t’i patur nëpër rafte e çanta, se sa të dëgjonin se çfarë thonin profesorët e tyre rreth këtyre botimeve, pa menduar se gjer këtu arrihet me një punë të madhe krijuese, sakrificash e mundimesh të pallogaritshme në kohë e, asnjëherë të paguara. Parimi i djeshëm i “vullnetarizmit” kudo e ngado, ka mbetur si ato “pullat postare” me figurën e Udhëheqësit të dikurshëm. Ndërkohë që vlerësohen e përjetësohen figurat me të rëndësishme të Kombit, kultura e ndërgjegjja e tij.

Të paharruarit e përjetshëm…! Sikundër qe për ne të gjithë, edhe shqiptaro-italiani NIKOLIN XHOJA. I mëvetshëm edhe ky…! Se mund të harrohen ministra, deputetë, kryeministra e presidentë, po jo këta, që i shkruan emrat në “ALTARIN E KOHËS”…! Memorie.al

 (Shkruar në Piqeras, sipas monografisë sime “’Artisti i Popullit’- Nikolin Xhoja”, 22 shtator 2022.)

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Njëri nga Selenica e Vlorës e, tjetri nga Dukagjini i Shkodrës, kanë ‘qëndisur’ me një gjuhë shqipe të artë, veprat e tyre, si ‘histori që nuk duhet të vdesin, pasi...”/ Refleksionet e publicistit nga SHBA-ja, për dy shkrimtarët e njohur

Next Post

“Simbas vendimit të marrë prej të burgosunve politikë, ishin ‘piketue’ të gjithë spiunët e kampit të Shtyllasit, që u dojshin rrahë ose there dhe një pasdreke...”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

Artikuj të ngjashëm

“Nga anëtar i “Debatikut” e partizan në Brigadën e 23 Sulmuese, drejtor i Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe aktor në role kryesorë të kinematografisë…” ! / Historia e panjohur e Gaqo Spirut
Art & Kulture

“Nga anëtar i “Debatikut” e partizan në Brigadën e 23 Sulmuese, drejtor i Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe aktor në role kryesorë të kinematografisë…” ! / Historia e panjohur e Gaqo Spirut

June 4, 2025
“Me veprën e Kadaresë, ‘hipoteka’ e kulturës shqiptare, ka shtuar një pasuri të patundëshme, me vlerë për të gjithë njerëzimin, pasi…”/ Refleksionet e publicistit të njohur, nga SHBA-ja
Art & Kulture

“I ‘infektuar’ nga ‘Lufta e Trojës’, nga Homeri dhe Eskili, shkrimtari Kadare, me ‘Përbindëshin’, shënoi ngjitjen në nivelin më të mirë të letërsisë europiane, pasi…”/ refleksionet e publicistit të njohur nga SHBA-ës.

June 3, 2025
“Njëri nga Selenica e Vlorës e, tjetri nga Dukagjini i Shkodrës, kanë ‘qëndisur’ me një gjuhë shqipe të artë, veprat e tyre, si ‘histori që nuk duhet të vdesin, pasi…”/ Refleksionet e publicistit nga SHBA-ja, për dy shkrimtarët e njohur

June 2, 2025
“Todi Thanasi ishte mjaft kërkues për rritjen e shkallës së aktrimit dhe për të realizuar rolet, ai studionte më parë…”/ Historia e aktorit e regjisorit që iku i ri, por la gjurmë në teatrin e Durrësit dhe në kinematografi

June 1, 2025
“Pak ditë më pas, Kadare u takua me Todi Lubonjën, i cili i tha; më ke folur, se si priteshin kokat e pashallarëve turq, nëse ke vend në romanin tënd, shkruaj…”/ Historia e trishtë, e autorëve të festivalit 11-të!

May 31, 2025
“Me veprën e Kadaresë, ‘hipoteka’ e kulturës shqiptare, ka shtuar një pasuri të patundëshme, me vlerë për të gjithë njerëzimin, pasi…”/ Refleksionet e publicistit të njohur, nga SHBA-ja
Art & Kulture

“Me veprën e Kadaresë, ‘hipoteka’ e kulturës shqiptare, ka shtuar një pasuri të patundëshme, me vlerë për të gjithë njerëzimin, pasi…”/ Refleksionet e publicistit të njohur, nga SHBA-ja

May 27, 2025
Next Post
“Simbas vendimit të marrë prej të burgosunve politikë, ishin ‘piketue’ të gjithë spiunët e kampit të Shtyllasit, që u dojshin rrahë ose there dhe një pasdreke…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Simbas vendimit të marrë prej të burgosunve politikë, ishin ‘piketue’ të gjithë spiunët e kampit të Shtyllasit, që u dojshin rrahë ose there dhe një pasdreke...”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!