Nga Maksim Rrapaj
Pjesa e dytë
-Pjesë nga libri “Gjallë pas mbytjes së anijes”, i publicistit, përkthyesit dhe shkrimtarit Maksim Rakipaj, ish-oficer i Marinës Tregtare, që vuajti burgjeve të regjimit komunist, si i dënuar politik-
Memorie.al / Shtator-tetor ’79. Kam mbi tre muaj që jam në Spaç. Vazhdoj me shumë mundim punën e rëndë të minatorit. Puna rëndohet edhe më shumë sepse nga 7-8 atmosferë që duhet të jetë presioni i ajrit që, duhet të vijë në martel, nuk arrin kurrë më shumë se 4 atmosferë dhe baromina, bën vetëm zhurmë e pluhur dhe nuk hap birat në shkëmb. Mua më qëllon, për çudi, të punoj në fronte ku fortësia e shkëmbit është shumë e lartë. Më duhet të rri 4 orë mes pluhurit të martelit që, me zor të arrij të mbyll ciklin e punës. E pres me kënaqësi të madhe përfundimin e turnit, lahem me ujë të ftohtë brenda në galeri, vishem dhe zbres me brigadën për të hyrë në kamp. Kam zënë shumë shokë të rinj këtu, nga e gjithë Shqipëria. Vijnë nga profesione të ndryshme; mësues, si: Ron Çobani dhe Visar Zhiti, shkrimtarë si Halil Laze, piktorë etj. Me bindje politike nga më të ndryshmet: ka euro komunistë(!), ballistë, zogistë, pro rusë, pro amerikanë e ku ta di unë. Nga të gjitha shtresat. Ka prej tyre që kanë lindur internimeve, që vazhdojnë traditën familjare në burgjet komuniste, gjyshi-baba-biri…!
Kush është Maksim Rakipaj, nga biografia familjare, te arrestimi?
Maksim Xhafer Rakipaj, i martuar, me dy fëmijë, ka lindur në Vlorë, më 15 korrik 1951. Mbaroi Shkollën e Marinës në Vlorë në vitin 1972. Punoi si oficer kuverte në anijet e Flotës Tregtare Detare, deri në vitin 1977, kur e arrestuan dhe dënuan me 15 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë dhe kontrabandë. E liruan në muajin shtator të vitit 1984.
Kundërshtoi bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, e lanë 9 muaj pa punë. Filloi punë si minator në muajin qershor 1985, në minierën e e qymyrit në Manzë, sektori Gërdec. Pas vitit 1991, rifilloi punë në anijet e Flotës Tregtare Detare. Në vitin 1996, filloi punë si shef i Marrëdhënieve me Jashtë, shef Protokolli dhe zëdhënës shtypi në Bashkinë e Durrësit.
Në vitin 1999, rifilloi punë në det si kapiten në anije të ndryshme tregtare. Pas vitit 2002, mërgoi në Itali dhe jeton në Lucca (Luka, Toskana). Ka botuar këto libra: ‟20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi” nga Pablo Neruda, përkthim nga spanjishtja, shtëpia botuese TOENA 2003; ‟Profeti” Kahlil Xhibran, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese TOENA 2003; ‟Gjallë pas mbytjes së anijes”, kujtime burgu, botuar nga ISKPK (Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit), 2014; ‟Antologji e poezisë arabo-persiane” përkthime të ndryshme, UEGEN 2015; ‟Trilusa m’Tironë” përkthim, UEGEN 2015; ‟Bukowski poezi”, përkthime nga anglishtja, 2015; ‟Sonetet e plota të Shekspirit”, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese ADA, 2016; ‟Profeti dhe Kopshti i Profetit” nga Kahlil Gibra, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese Toena 2016; ‟Kali Valltar”, nga Jo Jo Moyes roman, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese UEGEN, 2018; ‟I Mbijetuar”, botim i ripunuar i librit ‟Gjallë pas mbytjes së anijes”, Shtëpia Botuese “Dy lindje dy perëndime”, 2018; ‟Antologji e Poetëve Nobelistë”, Shtëpia Botuese ‘UEGEN’, 2019; “Antologji e Poetëve disidentë”, Shtëpia Botuese “Jozef”, 2019; “Poezi nga Maram Al Masri”, përkthime, Shtëpia Botuese “Jozef”, 2020; “E Sigurt (Safe)”, roman nga S.K Barnett, përkthim, Shtëpia Botuese “Jozef” 2021; “Ngjyra e Lëkurës”, “Komunizmi dhe Logjika e Shëndoshë”, publicistikë nga Manning Johnson, përkthim, Shtëpia Botuese “Jozef”, 2021; rreth 20 tituj.
Kujtimet e Maksim Rakipaj
-Policët e Spaçit-
Dimri është mjaft i ashpër këtu në Spaç. Era e akullt të fshikullon fytyrën, njësoj si britmat histerike të policit Nikoll Pula. Disa muaj më parë më transferuan në zonën i dhe rruga për të shkuar deri në galeri është edhe më e gjatë se deri te zona II-të. Por gjithsesi është me e shkurtër se rruga deri në zonën i ku punova pak muaj. Polici shoqërues i brigadës në zonën i quhet Mark T., prej Rrësheni.
Bërtet shumë Mark T., por britmat dhe kërcënimet e tij nuk trembin njeri. Zjarrmëtari Ndrec, tregon që Mark T., ka një grua shumë të bukur, që është valltare e grupit folklorik të Rrëshenit dhe punon si bufiste në barin e qytetit. Marku kohën e lirë e kalon i veshur civil, në barin ku shërben e shoqja. Një ditë, kur hyn Marku në bar, sheh një tip që ia kishte ngulur sytë së shoqes.
Ulet në tryezën e atij tipit: “Nga të kemi, or ti”? – “Nga Tirona, kom ardh me shërbim sot”, – i përgjigjet ai tipi. “Fort po ia ngulke syt asaj bufistes, or ti”!, i thotë Marku qetësisht. “Qeka shumë e mirë dreqi!, Ehhh, lum ai që ia hyp asaj”, i thotë tiranasi. Marku, pa e prishur qejfin fare, i thotë: “Qe ku më ke mu. Un ia hypi sa herë më don qefi! Po ti kris bithën e, dil përjashtë me të mira, se ajo asht gruja ime, o pallavesh…”!
Qejfi i Markut është të mbajë fjalime para brigadës përpara fillimit të punës. Thotë gjithnjë po ato fjalë: “Nigjoni ktu të dënum! Nigjoni dhe mbushniu me mend! Kush nuk më kap ciklin, asht kriminel dhe për kriminelat, Mark T., veç nji dënim ka! Unë ju pushkatoj të dënum! Hajt krisni bithën e, futniu në galeri e na qisni faqebardhë”! Nëse ndokush qeshte, Marku ia fillonte: “Kush krriminel asht aj që po qeshet? Pushkatimi të prêt krrriminel”!
Por vetëm fjalë ka Marku, nuk ka ndëshkuar njeri ndonjëherë. Vetëm njëherë e pashë vërtetë të inatosur Mark T…! Një i dënuar, i ri, kishte goditur një të dënuar tjetër, më të moshuar, pa patur të drejtë. “Ndigjo i dënum! Nëse e përsërit ma, për qill e për dhe, po të betohet Marka T., do të bohesh pishman që ke le! Hajk e mos më dil ma parasysh! Nuk ke turp, si nuk t’u dhimbs, mor rrugaç! Tjetrit i ka dalë shpyrti në galeri e ti, i bjen në shpulla! Turp, turp”!
…Polici Nikoll Pula, është i ri në Spaç. Mendjemadh dhe shpirtkeq. Është parë shpesh në shoqërinë e Operativit të Sigurimit të Spaçit. Ka disa ditë që shoqëron brigadën ku punoj unë, këtu në zonën e I-rë. Që në ditën e pare, e ndiej se nuk do t’i kem punët mirë me të. Kur jemi të rreshtuar, për të vajtur në punë, si zakonisht, pasi nxjerr një bllok nga xhepi, afrohet te të dënuarit që mbajnë mustaqe: “Maksim Rakipi je ti”?! Jo a, mir…! Aaaa, ti qeke Maksim Rakipi, pra”?!
-Rakipaj, zoti shef!
-Hajt se po e shef! – zgërdhihet polici Nikoll. -Ulni jakat e kapotave, që të gjithë. Mos kena llafe, kur të hipim nalt. Mos thoni që nuk ju dula borxhit! Sado ftohtë që bën, që të gjithë ulim jakat e palltove të rrjepura ushtarake të uniformës ngjyrë kafe të burgut. Bie borë e imët, që ngrin në çast, sapo prek tokën e akullt.
Era e veriut, që fryn, na e përplas pa mëshirë në fytyrat e mardhura. Mbërrijmë në sheshin para galerisë. Përsëri në rresht. Mezi presim të hyjmë në galeri, ku nuk ndihet të ftohtët, por jemi të detyruar të rrimë gatitu, para një polici që i është mbushur mendja, të bëjë pak gallatë. Vjen edhe një polic tjetër, me flokë kaçurrela, Mark Gj…! Edhe ky është i ri në Spaç. Nga shprehja e fytyrave të tyre idiote, pritet të ketë ndonjë sherr. Por si?!
Ne rrimë gatitu edhe të heshtur. Dy policët, na hetojnë një nga një, duke na parë në sy. Kanë një ngërdheshje të shpifur. Nxjerrin nga reshti një të burgosur shtatshkurtër dhe të imët. Është Gëzim M., nga fshatrat e Tiranës, një djalë i urtë, që nuk i ndihet zëri kurrë.
-Pse e mbajte ngrejt jakën e kapotës taj?! Me m’u don m’u tallë bitha jote? Hajt se po e shef tani! Hik e prit para zyrës, vrap! Edhe ti Rakipaj! Nuk të pëlqejnë urdhnat e mia ty?! Pse e majte jakën ngrejt?
-Nuk është e vërtetë. Jakën e kam patur gjithmonë të ulur, si gjithë të tjerët, zoti polic. – u përgjigja me zë të qetë.
-Mylle! Mylle po të tham! Ik edhe ti, prit atje ke qetri!
Dal nga rreshti. Kam kohë t’i pëshpëris Andreas që sendet e mia t’ia çojë Zydiut, dhe shkoj ku më thanë. Ka kohë që policët nuk i rrahin më të burgosurit në Spaç. Para revoltës, ndodhnin shpesh rrahje të tilla, por edhe të burgosurit hakmerreshin, duke i rrahur policët, kur i gjenin vetëm në galeri.
Shumë prej policëve, i patën provuar grushtet e të burgosurve, të cilët kujdeseshin të mos u linin shenja në fytyrë. Policët, nuk raportonin, sepse rrezikonin karrierën; në rast se vërtetohej, se një polic ishte rrahur nga të burgosurit, e çmobilizonin dhe e priste puna në kooperativën bujqësore. Kështu që, kur hanin dru, e qepnin gojën dhe mezi prisnin rastin të merrnin hak. Por, pas revoltës së 23 majit 1973, rrahjet u ndaluan, me urdhër nga lart. Sot ç’po ndodh?!
Duhet të jetë ndonjë porosi e operativit, Kosta Priftit, që me sa duket, i ka porositur të më japin një mësim të mirë. Brigada hyn në galeri. Dy policët, afrohen te zyrat e tyre, para së cilës pres unë dhe Gëzimi. Gëzimin e marrin brenda. Mua më lidhin duart prapë, me pranga, te prangat më varin një rrotë vagoni dhe më thonë të rri jashtë. Nga dritarja e zyrës, duken dy policët që i ulërijnë, Gëzimit të shkretë.
Dëgjohen shpullat e para dhe britmat e Gëzimit, që nga dhimbja bërtet në dialektin e tij:-Oj mome! Oj… oj… mos, mjaft… oj momeee! Oj momeee…! Po ça bona mer jahu…pse po më rrifni kotnasikoti! Ububuja, oj momee”! Policët tallen, me dialektin e tiranasit të gjorë. Ajo britma e tij; “oj momee”, duket që i zbavit më tepër. Afrohem pak, aq sa mund të shoh nga dritarja. Dalloj që Gëzimit, ia kanë hequr prangat dhe po e rrahin të zgidhur, me bishtat e kazmave e të lopatave.
Largohem nga dritarja. Rrota e vagonit po m’i këput kyçet e duarve. Brenda vazhdon dajaku. Sa kanë që po e rrahin…?! Një çerek ore…?! Dy orë, një muaj, 10 vjet? Po pse nuk merr një bisht kazme o Gëzim, i ke fare afër, dreqi e mori? Ishalla m’i heqin prangat, kur të më futin edhe mua brenda, për të më rrahur! O unë, o ata! Pse, bëhen edhe 12 vjet burg, duke duruar këta polica shtaza?! Po arrita të vras ndonjërin prej tyre, mbase më pushkatojnë dhe shpëtoj! Ose të dy! Do t’i vras qentë, vetëm të guxojnë të më rrahin zgidhur!
…Përmendem nga zëri i brigadierit të dënuar, që pata muajin e kaluar në zonën I-rë. Është djalë xhaxhai, me Zydi Moravën, por Zydi nuk i flet, meqë ka pranuar të jetë brigadier.
-Maksi, si është puna? Ç’ne ti lidhur?
-Është Nikoll Pula. E dëgjon ç’po i bëjnë atij qyqit brenda?! Po e rrahin zgidhur. Ja dhe pak vjen radha ime. M’i bëj të fala Zydiut, po nuk u pamë më.
-Ika t’i them policit Mark T. Ai të njef ty. Aman, mundohu të fitosh kohë dhe mos bëj ndonjë budallallëk, se edhe ti kokën e Zydiut ke. Shyqyr që kalove, se unë kam për t’u çuar kokat e barominave minatorëve të mi…! Ika…! Gëzim M., e nxjerrin jashtë të larë në gjak. “Lahu, mut”! Qe ku ke ujtin e fuçisë. Edhe marsh në galeri”! Polici Mark Gj., vjen pas meje, më heq rrotën e vagonit nga prangat, pastaj më heq edhe prangat. “Prit këtu, kur të thërrasim ne”!
Duart nuk i ndiej fare. Më janë bërë gjak nga pesha e rëndë e rrotës së vagonit dhe nga të ftohtët. Policët, po shplodhen pranë zjarrit, duke tymosur cigaret dhe gajasen duke imituar Gëzimin: “Oj mome, oj momee!…hahha hahah… të shkërdhefsha momën, mut muti, ahahah”! -Ajde mren ti, mustaqe! Ajde ngrofu pak, se ke mërdhif boll, t’u prit përjasht…! Hahahha e Nkoll, a fillojm me kte?
“Lamtumirë të dashurit e mi, nënë, baba, motra, Dashi im vëlla, dhe ti, gjyshe e shtrenjtë”, – mendoj për herë të fundit ndërsa hyj në dhomën e torturave. Hyj në atë që quhet; “zyra e policit shoqërues të brigadës”. Një barakë prej dërrasash ,dy dritare dhe një derë e ngushtë, që e shtyj dhe futëm brenda. Është një dhomë, me dysheme prej dheu të ngjeshur. Ka dy dritare: një pranë derës dhe tjetra pas shpinës së policëve, njëri prej të cilëve, është ulur mbi tryezë, kurse tjetri, Nikolla, ulur në karrige.
Mbi tryezë, një telefon dhe asgjë tjetër. Nga e majta ime, mbështetur pranë murit prej dërrase, janë nja 10 bishta kazmash. Nga e djathta, ngjitur pas murit, një dollap druri. Brenda dollapit, më kap syri nja 3-4 baromina, rreth një metër të gjata. Një fuçi metalike, e përshtatur për sobë, skuq nga nxehtësia. Policët duken të djersitur.
Më hetojnë gjatë me sy. Edhe unë i shoh drejt në sy. Luftë nervash. Përpiqen të dukem i qetë. Do të kap barominën, përdoret lehtë dhe një goditje në kokë, mbaron punë. Të parin do të godas Nikollën. Shoh që nuk e kanë atë entuziazmin e parë. Buzëqeshjet e kënaqura, u ikin nga fytyrat prej idiotësh. Nikolla, si më i mençur, fillon të më pyesë:
-Nga je, i dënum?
-Nga Durrësi.
-Sa vjet je dënu?
-Më dënuan me vdekje, por më lanë 25 vjet. Kam bërë vetëm tre vjet, kam edhe 22 vjet.
-Për çfarë krimesh të kanë dënu?
-Nuk është puna jote, të dish për çka jam dënuar unë.
-Ashtu, eee? Do ta marrim vesh edhe atë punë…! Pa na thuj njiherë, pse shet pordh? Pse nuk i zbaton urdhrat që merr?
Mas me bisht të syrit, largësinë prej barominës. Mjafton të bëj një hap djathtas dhe mund ta rrëmbej lehtësisht. I përgjigjem duke e parë drejt në sy:
-Ti e di mirë, që unë jakën e kapotës e kam pasë të ulur, sepse gjatë gjithë rrugës, për në galeri, ke qenë një hap mbas meje. Bjeri drejt, ku e ke hallin
-Shife more Marka Gj., si rren! A nuk e don edhe ky nji dajak si ai qetri? – dhe çohet në këmbë. Unë bëj një hap drejt barominës. Mjafton të zgjat dorën; kam kohë t’ia hap trutë, derisa të zbresë tjetri nga tryeza, ku është ulur. Bie telefoni. E kap polici kaçurrel:
-Nikollë, asht Mark T., të don ty.
-Përshnetje Mark T.! Si asht puna? Ehe… po… jo mor burrë, ça thu. Jooo, për zotën, jo…! E mora vesht, pra, s’ke nevojë me bërtitë qe tash, po s’besove, ajde vet ktu. Hajt tujtjeta Marka T…! Ti, mushu, vrap e shko në galeri! E provo mos e kap ciklin, se e shef…! Ajt, zhduku! Vdekja ishte fare pranë në Spaç. Mjaft, të zgjasje pak dorën…! Memorie.al