Nga Novruz Xh. Shehu
Memorie.al / Megjithëse me dy operime në zemër, në moshën 69 vjeç, poeti Dalan Luzaj, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë, ato ditë e ndjeu të domosdoshme të kapërcejë Atlantikun, që nga Cikago – Illionis dhe mbërriti në Shqipëri, të festonte në datën 3 gusht, ditëlindjen, në kasollen e internimit në fshatin Sherishte Vlorës, së bashku me bashkëshorten e tij, Burbuqen. Të dy nuk i kishin njohur baballarët, mbasi të dyve u ishin larguar në Amerikë, të përndjekur nga komunistët, të dy ishin shoqëruar kudo me zellin e vigjilencës ndaj “armikut”, të dy u fejuan në kushtet e kësaj “barazie”paradoksale, u martuan, lindën katër fëmijë dhe për 23 vite me radhë, kaluan internimin në një kasolle me kashtë, në fshatin e Sherishtës, kasolle që do të mbetet në kujtesën e tyre për tërë jetën.
E kisha takuar në qershor të vitit 2010, në Hotel “Tirana”, ku kish shoqëruar poetin anglo-amerikan Frederik Turnerin, së bashku me studiuesin, poetin e shkrimtarin, Gjek Marinaj, në takim me shkrimtarë e artistë të Shqipërisë. Në 27 korrik, të atij viti, ndërsa pija kafe, në një nga mijëra karriget e vendosura në trotuaret e Tiranës, më qëndroi pranë një burrë simpatik, që rrezatonte mirësi, paqe e fisnikëri të dukshme.
”Më falni, a njihemi, bashkë…”?! më pyeti ai. I thashë se duhej të njiheshim patjetër…! “Jam Dalan Luzaj…”, pohoi dhe ky emër më kujtoi fjalët e dhëna në një intervistë për “Illyria”, zonjës Kozeta Zylo: “Asnjëherë në jetë s’e kam ngatërruar Atdheun me Partitë…! Ai ngeli një dhimbje mbi dhimbjet, që përcjell çuditë e bijve…”, ishte shprehur ai.
Më dhuroi librin e tij “Kasollja e Internimit”, botuar mbas katër vëllimeve poetike. Pyetjes se ç’përfaqësonte “Kasollja”, ju përgjigj se; fëmijërinë e kaloi në Ujin e Ftohtë të Vlorës, ku kreu dhe shkollën fillore. Në vitet 1962-1963, mbaroi shkollën e mesme Pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë.
Punoi pak vite si mësues në fshatrat e Tepelenës, por u kujtuan se ai ish biri i Profesor Isuf Luzit, një nga personalitetet më të shquar të nacionalizmit në Shqipëri, bashkëthemelues i Partisë Social-Demokrate me Musine Kokalarin e Kastriot Muçon…!
Prof Isufi, edhe pse ishte për një kohë shok në Paris, me Enver Hoxhën, dhe më vonë mësonjësa në të njëjtin Lice, në Korçë, si dhe me vajtje-ardhje familjare, u vendos në shënjestrën e pushkatimit, të cilit i shpëtoi me largim të menjëhershëm nga Atdheu në tetor të vitit 1944, duke lënë mbrapa gruan dhe pesë fëmijë, të cilët u përndoqën e u mbajtën nën ankthin e ferrit e kërkëllimave të zinxhirëve për në çdo natë në ëndërr.
Pikërisht kjo kasolle në Sherishtë, e mbuluar me llamarina, që pikonin në dimër, me mure kashte e balte që sa s’binin jo pak herë nga stuhitë, me ujin që shkonte jo pak herë në mes të krevateve të sajuar, nuk mund të harrohej dhe do të vendosej në kujtesën e Dalanit, motrave e vëllezërve e nipave e mbesave, për të kryer pelegrinazh në atë vend…! Ajo kasolle është prishur, por vendi është dhe Dalani ka porositur një pllakë për ta vendosur me diçiturën: “Miq, bij, e bashkatdhetarë të çdo shtrese e periudhe kohore…, këtu qëndruam për 23 vite, të internuar pa asnjë faj…! Të mos të harrojmë kurrë, të mos të përsëritet kurrë…”!
Në vitin 1990, Dalani niset në Ambasadën amerikane, ku punonjëses Gabriela i pohon se, kish 45 vite pa e takuar babanë dhe e kish në Amerikë…! Gabriela s’mund të fliste…! Nuk dihet se ç’llahtarë e dramë ndjeu në ato moment…! Vetëm shënoi në një letër: “Thuaj babait, t’i shkruaj ambasadës amerikane se, është i sëmurë…”! Eh, Gabriela vendosi të kërkojë të gënjehet, qoftë të ndëshkohet, por vetëm të zhdukte nga faqe e dheut dramën e këtij djali që….!
Në këtë moment, pikërisht unë nuk mund të shkruaj…! E kam të pamundur ta përshkruaj, i përfshirë nga një ndjesi që s’mund ta duroj, po përsëris fjalë për fjalë, (duke i kërkuar ndjesë që si kam marrë leje), ato që Dalani ka shkruar më 2010-ën:
“Dola nga zyra dhe renda në postë, i shpjegova babait, ç’më tha Gabriel
-Po bir – m’u përgjigj babai, – tani ma lërë mua në dorë.
Ai kishte biseduar me ambasadorin italian dhe ne na ngeli përgatitja për nisje.
Në një telefonatë të shkurtër e pyeta:
-Po mirë që do nisem, por unë s’të njoh?
-Njeriu që do shikosh veshur me të bardha te porti në Trieste, është yt atë.
Dëshmia e Dalan Isuf Luzaj
Nisja u bë një ditë gushti 1990, me një traget modern “PALLUMBJA”. O Zot sa e gjatë ishte rruga nga porti, hyrja gjer te trageti…! Emocione dhe frika e kthimit, apo më keq ndonjë arrestim na shoqëroi tërë udhëtimin. Kjo luftë nervore motivesh, shoqërohej me një lëvizje të vazhdueshme timen, pa parë dhe ndierë që gjithë trupi ishte ujë, djersën e ndjeja gjer në këpucë, dhe më bëhej sikur të isha në Sherishte me çizmet e prera me ujin brenda…! Isha ndarë, trupi ne traget, ndërsa mendja e shthurur s’gjente vend ku të rrinte. Më solli në vete tronditja e tragetit që lëvizi, ende s’më besohej…!
Trageti dolli në ujërat neutrale dhe unë fillova të thoshja BABA, bëja prova si e thoshja, si e shqiptoja, kjo ishte një fjalë e një fjalori të panjohur për mua, a do ta thoshja duke i dhënë edhe ndjenjën, se fjalët mëmë edhe baba, kanë brenda ëmbëlsinë dhe dashurinë, detyrën dhe përgjegjësinë që na mungonin, ndaj dhe s’i ndërtoja saktë.
S’më flihej, përkrah kisha bregdetin “Dalmat” dhe sipër një hënë e plotë që udhëtoi me ne gjer sa ra mugëtira e mëngjesit.
Ngadalë, që për mua ishin largësi mujore, po afrohej Triestja, në të cilën dalloheshin ndërtesat dhe njerëzit. Në një port të thjesht detar dukej një turmë njerëzish.
Ja, i thashë zemrës, mes turmës një njeri shtatlartë me të bardha i cili mes tyre binte në sy për i huaj mes të huajve.
Sapo trageti preku tokën, pa u hedhur cimat, kalova në tokë.
Po i afrohesha po kujt…?!
Dielli të digjte, im atë s’e priste që të dilja kaq shpejt dhe po bisedonte me dikë në një gjuhë që edhe sot s’e kam marrë vesh, s’e kuptova, ngaqë s’e pyeta.
Iu afrova, O Zot, më jep forca po lutesha!
I dola përballë…! Dashuri, dhimbje, tronditje, mungesa dhe pikëllimi i nënës, të cilën një vit më parë e lamë nën selvi dhe s’pa një ditë të bardhë, dhe sot mungonte, vuajtjet dhe gjithë shqetësimet e jetës u bën xhëng në grykë dhe s’më lejonin të flisja…!
Këto lloj emocionesh janë tepër të rralla qe i kam provuar, por e keqja ime është se s’mund të përcjellë as pjesën më të vogël të tyre…
Isha plot me djersë dhe më ndodhi një fenomen i çuditshëm si: “në se ndonjë nga ju e ka provuar në gjumë, mes një ëndrre të frikshme që kërkon ndihmë, kërkon të flasë dhe s’flet dot…”!
BABA, s’di se ç’më doli nga shpirti një pjesë e tij apo ai xhëngu që më merrte frymën…! Nga sytë e tij, zbritën një zinxhir lotësh…! Ne ishim ballë për ballë. Ai ishte truphedhur, më rroku, koka ime ishte në gjoksin e tij. Unë ndjeva aromën e babait pas 45 vjetësh, për ta besuar që ishte im atë ndjeva mbi flokë pikat e strehës së kasolles, ku na internuan, që në vjeshtë pikonte mbi mua.
Isha në në një botë të panjohur, është e madhe bota e prindërit dhe sidomos e atij që na kishte lënë një boshllëk aq të madh? S’di sa ndenjëm se s’isha i përqendruar, ish kohë, apo ëndërr e jetuar…? Më largoi dhe me duart e tij në supet e mi më vështroi thellë që, hyri gjer në gjak ai vështrim…!
-Përse kaq i dobët mor bir…?!
Dëgjova “bir” për herë të parë e cila, erdhi dhe u bë si një ombrellë. Unë ndjeja një lloj ngrohtësie që s’e kisha ndjerë, ngrohtësi shpirti jo lëkure.
Më rroku dhe ndjeja një lëkundje sizmike të përqendruar në ato centimetra katrore ku shpirtrat tanë komunikonin me një urdhër hyjnor.
Ai që kish humbur luftën dhe familjen, i trokiste brenda vetes e kaluara e hidhur dhe padyshim, mbante pohueshëm pjesën e “fajit” që Atij, i kish rënduar gjithë jetës.
Hodha sytë në qelqet e Triestes që dërgonin gjithë diellin me një dritë që sikur ishte shpirti i asaj Drite (emri i nënës sime), që vuajti aq shumë dhimbje, të cilat s’na u ndanë kurrë…”!
– Dalani, ka katër fëmijë. Në Amerikë, në vitin 2000, disa ditë para vdekjes, i ati, Prof Isufi, u la detyrë të botonin kolanën prej 120 librave të shkruara më dorë e, të vendosura në kasafortë të koduar. Deri tani janë botuar 10 libra të profesor Isufit, prej poetit dhe studiuesit Xhevat Beqaraj…! Për fat të keq, media ka bërë shumë pak, ose më sakt, intelektualët shqiptarë nuk kanë përqendruar seriozisht vëmendjen ndaj kësaj figureje poliedrike: Filozof, poet, shkrimtar, politikan, vlerësuar nga presidentët e Amerikës Regan dhe Bush, personalitete nga më të mëdhenjtë në Itali, Francë, Argjentinë etj.
Vepra e prof Isuf Luzaj, me gjithë përkushtimin e pazakontë të Xhevat Beqaraj, nuk është përhapur e propaganduar sa duhet.
Akademia e Shkencave dhe universitetet shqiptare s’po e vendosin në programe, këtë personalitet të shquar të universiteteve amerikane e më tej. Shtëpia Botuese ku ai janë botuar librat e tij, s’ka kryer shpërndarjen dhe reklamimin në nivelin që e meriton ky burrë i madh i kombit…!
Portreti i Isuf Luzaj
– Jeta në arrati dhe kulmet e karrierës –
Isuf Luzaj (1913-2000) lindi në Kaninë më 21 shkurt 1913, në një familje fetare, i ati ishte hoxha i fshatit. Isuf Luzaj shkollën fillore e kreu në Vlorë me 1926. Gjimnazin e vijoi në Shkodër, ku e kreu më 1933. Në vitin e dytë, fitoi bursë nga gjimnazi për të studiuar jashtë vendit, aplikoi për bursë por i’u refuzua. Për të shkuar me studime, u detyrua ta shesë pjesën e vet të tokës me ullinj. Me 1933 shkoi në Paris.
Pasi ishte regjistruar dhe kreu liceun, u regjistrua pranë Universitetit të Sorbonës. Nga pamundësia ekonomike, u detyrua të tërhiqej nga studimet në Francë. Në Shqipëri kthehet me 1936. Pas betimit para Mbretit Zog fillon punën në “Normalen” e Elbasanit, si mësues frëngjishteje, drejtor i së cilës ishte Aleksandër Xhuvani. Mandej u transferua në liceun e Korçës, po si mësues frëngjishteje, në periudhën 1936-’38, ku asokohe punonte dhe udhëheqësi i ardhshëm i Shqipërisë së, Enver Hoxha.
Pas “Protestës së Bukës” të mbajtur në Korçë më 28 nëntor të vitit 1938, e kalojnë në Institutin Tregtar të Vlorës ku, jep letërsi. Në vitin 1938, botoi përmbledhjen e parë poetike me titull “Rrëfime”. Pasi botoi këtë përmbledhje, e cila nuk arriti as të shpërndahet si duhet, u burgos, dhe si shkas ishte poezia “Neroni”. Pasi e nxorën në gjyq, mbas 94 ditëve burg, u lirua si i pafajshëm…! Me 120 studentë kishte vendosur të luftojë kundër trupave italiane (të cilat, zbarkoheshin më 7 prill të vitit 1939), bashkë me Hysni Lepenicësn dhe Skënder Muçon, merr pjesë ndër protestat e djalërisë dhe qytetarisë vlonjate, me 28 nëntor 1939, me flamurin shqiptar pa shenjat e Liktorit.
I dyshuar për vrasjen e një polici Italian, burgoset në Vlorë, transferohet në Durrës nga ku, pas disa muajve, transferohet në Brindisi të Italisë, me 12 studentë të Institutit Tregtar të Vlorës, andej në Gaeta e, prej andej në Ventotene (ishull), deri në vitin 1942. Nga këtu, transferohet në kështjellën e Cortona D’Arezzo, për shkak të disa poezive kushtuar Luftës së Vlorës. Aty ra në kontakt me Ali Këlcyrën, Mit’hat Frashërin, Fuad Bej Dibrën e Lef Nosin të cilët, në kështjellë kishin shkruar Dekalogun e Ballit Kombëtar. Isufi, propozoi që në ‘Dekalog’, të hynte pika e shtatë: “Organizata e ‘Ballit Kombëtar’, do të zbulojë vlerat e vërteta, do t’i edukojë njerëzit pa marrë parasysh besimin, krahinën ose partinë politike”.
Lirohet nga burgu dhe kthehet në Shqipëri në tetor 1942. Organizon çetat e ‘Ballit’ në Dukat. Në Selenicë, komandon luftën prej 13 orësh, dukë dalë fitimtarë ndaj pushtuesit. Në vitin 1943, në fshatin Vajzë, futet brenda një autoblinde italiane, ku lufton më tepër se një orë. I’u bashkua patriotëve të vendit dhe ishte pjesëmarrës aktiv i Konferencës së Mukjes. Merr pjesë në themelimin e Partisë Social-Demokrate në rrethet Shkodër, Tiranë dhe Vlorë, me Musine Kokalarin dhe av. Skënder Muço me 12 tetor 1943…! Në vitin 1944 më 28 nëntor, largohet nga Shqipëria, duke lënë në Kaninë gruan më 5 fëmijë të mitur.
Djali i madh nuk kishte veç 7 vjet. Shkoi në Itali e aty arrestohet, si i dyshuar për vrasje e gjeneralit Zanini. Kërkohet nga qeveria komuniste shqiptare të riatdhesohet, që t’i nënshtrohet “gjyqit të popullit për krime lufte”. Punoi më tepër se 2 vjet, me rekomandim të Sandro Pertinit, me të cilin ishte njohur në Ventotene, në Bibliotekën e Vatikanit, gjatë vuajtjes të dënim-internimit. Pas amnistisë, del nga burgu dhe vendoset në Brescia ku, jep mësim latinisht në një seminar pranë qytetit. Me 1948, largohet drejt Argjentinës. Fillon punë në Ministrinë e Arsimit si, përkthyes i frëngjishtes, italishtes, latinishtes, në spanjisht.
Përveç kësaj punë ai, përgatiste edhe lajmet për Radion “Europa e Lirë”, dhe gazetën “Laprensa”. Njihet me shkrimtarin Jorge Luis Borges. Me 1957, diplomohet në Letërsi e Filozofi. Po atë vit, fillon punë në Universitetin e Buenos Airesit. Me 1960, emërohet drejtor i institutit francez “La France à l’étranger”, i cili përshëndetet dhe vizitohet personalisht nga ish-presidenti i Francës De Gaule. Në vitin 1961-1962, emërohet këshilltar i Ministrit të Arsimit në Argjentinë, ku përgatiste programet akademike për universitetet e vendit…! Më 1965, dekorohet me ‘Medalje ari’, nga Universiteti i Buenos Airesit. Në vitin 1965, anëtarët e ‘Ballit’ e thërrasin në Amerikë, pasi kishte vdekur Ali Këlcyra më 1963.
Në kongresin e mbajtur në New York, zgjidhet kryetar i ‘Balli Kombëtar’. Në SHBA-ës, fiton konkursin në frëngjisht dhe fillon punë si profesor i filozofisë dhe gjuhës frënge, në Universitetin e New Hampshire (Nju Hempshajer). Në vitin 1966, në Ministrinë e Arsimit Washington D.C., bën unifikimin e diplomave që kishte marrë në Argjentinë. Mes viteve 1966 e 1968, emërohet shef katedre po në Universitetin e New Hampshire. Vitin akademik 1968-’69, punon profesor i letërsisë spanjolle, frënge, dhe drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Gjuhëve të Huaja në Barat College-Lake Forest, Illinois. Vitin tjetër akademik, 1969-’70, emërohet profesor i letërsisë frënge në St. Joseph College, Indiana, SHBA-ës. Punon shef katedre në Universitetin e Indianas, ku programonte dhe drejtonte kurset e 59 profesorëve të filozofisë.
Del në pension më 1980, por gjithnjë aktiv, qëndron në krye të katedrës së Filozofisë në Universitetin e shtetit të Illinois-it ku ishte emëruar që nga viti 1979. Në vitin 1979, ishte emëruar titullar katedre i 87 profesorëve në universitetin e Illinois-it. Më 29 dhjetor 1990, jep dorëheqjen për arsye moshe dhe shëndetësore.
Vepra të prof Isuf Luzaj të botuara:
Në vitin 1946, përfundon librin: “Ideologjia Falimentuese si interpretim materialist i historisë”, botuar nga Universiteti Gregorian në Romë. Ka qenë bashkëpunëtor i revistave “Mbrojtja Kombëtarë” dhe “Besa”, të cilat botoheshin në Kosovë. Në vitin 1954, boton novelën politike-shoqërore filozofike kundra komunizmit “Lumejt derdhen të kuq”, në spanjisht (titulli origjinal Los Rios Bajan Rojos), Shtëpia Botuese “Ultramar”. Në vitin 1965, boton “Metodologjia për studimet e filozofisë” që është përdorur për shkollat e mesme. Ndër vitet 1963-’90, boton artikuj, pothuajse në të gjitha gazetat e Amerikës mbi, filozofinë e Historisë së Marksizmit në teori dhe praktikë. I janë botuar 10 libra, gjatë 15 viteve të fundit në Shqipëri.
Isuf Luzaj ka marrë titullin “Profesor emeritus” në SHBA-ës, një dekoratë që mban shënimin: “Profesor i Amerikës” dhe të cilën ia pat dorëzuar vetë presidenti Ronald Regan, sepse ai kishte dhënë mësim në universitetet amerikane: Harvard, Columbia, Vox Hampshire, Indiana, Illinois, etj. Në vitin 1990, Universiteti i Illinois-it, i dorëzon medaljen: “Për shërbime të jashtëzakonshme akademike”. Në këtë ceremoni, merrte pjesë presidenti i atëhershëm i SHBA, George H.W. Bush, guvernatori i shtetit të Illinoisit dhe Sekretari i Arsimit. Në dhjetor 1990, Shoqata e Gazetarëve të Amerikës, i jep “Medalje nderi” për: 94 artikuj të botuar tek “Edistenologjia e Materializmit Historik”.
Në Shqipëri dekorohet me Urdhri i Punës, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë, në vitin 2012. Ndërsa 100 vjetori i lindjes së tij, që ishte në viti 2013, as që u përkujtua.
Një projekt pranë kasolles së internimit!
Dalan Luzaj, ka sjell bashkë me projektin për një pelegrinazh ne “Kasollen e Internimit”, edhe 12 vëllime filozofike, nën titullin: “Kujdesi Bletes”, te Prof Isuf Luzaj. Ai, ju ka bërë thirrje një grupi akademikësh e studiuesit, ta paraqitin të tërë kolanën e këtij filozofi të përmasave botërore…!
Mbas varrimit në vendlindjen e tij, Kaninë, sipas amanetit të tij të lënë (vdiq 25 nëntor 2000 në Çikago), botimi i kësaj kolane do të jetë zbatimi i një amaneti tjetër të rëndësishëm për kombin tonë.
I vlerësuar nga personalitetet më të mëdhenj në Itali, Francë, Argjentinë, Amerikë, besoj se edhe në vendin e lindjes do të marrë vlerësimin e plotë e të merituar. Kjo është në nderin e Akademisë, të presidencës, të tërë popullit shqipfolës brenda dhe jashtë hartës gjeografike. Memorie.al
Nga Dalan Luzaj
KASOLLJA E INTERNIMIT
Kasolles, shiu ia zhveshi baltën mureve për rreth,
Paralele purtekat, si brinjët tona, pentagram,
Druri që lidhte purtekat në mes,
Si një solfezh ngulu në shpirt ende e kam.
Paralele hynin te shpejta vetëtima,
Larg ishin gjëmimat, qaseshin ngadalë
Pentagramit, pikat e shiut, notat më të vështira,
Kompozohej melodrama e ferrit fatal.
Uji brinjëve të cara, uji dhe nga lart,
Fëmijët në mes, ne për rreth,
Një duf errësire dilte jashtë,
Te hollat vetëtima, i shkelnim baltës në mes.
Më zgjodhi fati, tjetër gjë do të zgjidhja,
Internimi ngeli kyçur, pa spjegim,
Një qind ferre shpirtit do t`ia hidhja,
Në se gjeja fajin që zgjodhi fatin tim.
Kur gjëmon, edhe sot ndjej frikë,
Mos vërshon uji, brinjëve, në kasolle.,
Ndal o mesnatë! Jam në Amerikë,
O ëndëerr përvëlonjese dhe këtu ma sollle?
Herë shkoj në Sherishtë, herë vjen ne Oak Parke,
Zbërthyer brinjët, kalbur, duke tretur,
U kërrus nën vuajtje, shkrihet pak nga pak,
Internimi dhe kasollja, bashkë kemi për të vdekur.
Qytetare në shpirt, detin kam në gen,
Ky vend , m’i mjekoi plagët që më dhe,
Plagosur malli im vjen dhe të gjen,
Mbret në Amerike, rob në Mëmëdhe.