Nga SAMI REPISHTI
Pjesa e dymbëdhjetë
Sami Repishti: – “Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
Malësorët e Malësisë së Rranzave, apo të Postrribës, që kurrë nuk u shtuen, sepse u shuen në luftë për tokën që e deshën me shpirt, megjithëse nuk i shuejti, veç sa me i mbajt të gjallë?! Shkodrani që kërrusi shpatullat nga pesha e tridhjetë shekujve histori, që e krenon?! Ndoshta krutani, kavajsi, shijaksi, elbasansi, trashëgimtare të nji epopeje, që nuk lejon me u prishë, me u friksue, me u poshtnue, aq sa me vra edhe vllaun e nanës, që ushqen me gjiun ma të vjetër të Ballkanit?! Cili armik?! Vllaznit e motrat e qyteteve e katundeve të Toskënisë, që besuen në lavdinë e luftës me pushkë, në mbrojtje të votrave të shkeluna?! “Armik” i këtij populli nuk mund të jetë ai që ndau të mirën e të ligën me këtë popull, ai që lindi e jetoi në mesin e tij, ai që nderoi vorret e prindërve, e ushqeu me shpresën për të ardhmen e fëmijëve, ai që u lidh me zemër e gjak, me këto krijesa të kapuna për fyti nga fati mizor. “Armiku” i këtij populli, mund të jetë vetëm i huaji, e ai që i shërbeu të huajit, sepse Shqipnia nuk ia mbushi synin, as xhepin….! Grupi jonë ballafaqohej me nji dilemë të madhe morale.
Me ba nji shok për vete, me sqarue nji mendje të errësueme nga propaganda e përditshme, me “çlirue” nji njeri nga ankthi i frikës që e gozhdonte në vend, ishte për ne, nji virtyt pa gëzim. Sepse, në mendjen tonë na ishim të sigurt që, çdo fitore e korrun do të kushtonte gjak, vuajtje e shpeshherë, të dyja së bashku. Fitorja e korrun do të sillte të rij në burgje, në tortura, vjet të gjatë dënimi e pushkatime. Ajo “fitore”, do të krijonte familje të mbetuna rrugëve, fëmijë të rritun jetimë, prind të dërguem në kampe përqendrimi, bashkëshortë e motra që uria i detyronte me marrë rrugën e akteve poshtnuese, të imponueme nga “pushteti”, mbi familjet e përndjekuna. Nji fitore? Po, nji fitore e dinjitetit të njeriut nuk kishte asnji dyshim, nji fitore e veçantësisë ma tipike të njeriut, e domosdoshmërisë dhe vullnetit tij, me qenë ashtu si ai vete e dëshiron, e pa frikë. Sakrifica ishte nji çmim i naltë, por jo shumë i naltë, kur ishte fjala për qenien e lirë, të lirë prej çdo kufizimi artificial e kontrolli autoritar. Por, sa e këshillueshme ishte puna edukative që përgatiste të rijt, për nji mundësi të këtillë e, vuajtje të këtilla? Pyetja mbetej pa përgjigje!
***
9 shtator 1946. Mbas mesit të natës, gjumi i qytetit u prish nga nji breshni qitjesh me armë, që erdhi e papritun. Ishin katundarët e Postrribës, që mbrojshin tokën e tyne, me gjithë shpirt. “Pushteti” i ri kërcënonte me shtetëzim. Nji grup i madh i tyne, i guximshëm, po i paorganizuem, sulmoi qytetin, kazermat ushtarake e ndërtesat qeveritare, por pa sukses. Përleshja me “forcat e Sigurimit” vazhdoi deri në mëngjes, kur sulmuesit u tërhoqën. Rrjedhimet e këtij akti vetmohues, u treguen katastrofale. “Lëvizja e Postrribës”, ashtu si u quajt nga të gjithë, nuk la shumë viktima në fushën e betejës, por bani shumë viktima në ditët që vazhduen. Në nji fushë afër qytetit, u ekzekutuan njizet e tetë katundare. Me duzina shtëpi u dogjën, e tymi i tyne dukej qartë nga qyteti. Arrestimet u banë në masë dhe jashtë çdo kontrolli! “Lëvizja” u ba shkak “të pastrohej” gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe, nga elementët “armiq të popullit”. Brenda nji muaji, qyteti kishte njëmbëdhjetë burgje të përkohshme, e ma shumë se njimijë e dyqind të arrestuem. Hija e randë e ekzekutimeve, ishte kudo! Por natën, kur filloi pushka nëpër rrugët e qytetit, Shkodra u elektrizue.
Ideja e rrëzimit të “pushtetit komunist”, ndezi fantazitë e të gjithëve. Monstra e kuqe mishngrënëse, ishte plagosë! Nga dritorja e hapun në atë natë shtatori, krizmët e pushkëve më mbushën me shpresë. Digju flakë, o Shkodra ime plakë, digju! Sepse dora kriminale, që skuq me gjak sot gurët e rrugëve tuaja, nuk asht e panjohun prej banorëve tuej. As asht i panjohun vaji i nanave e i grave, që do të copëtoj zemra prindësh e jetimësh nesër në mëngjes, kur të kumtohet kobi i kësaj nate! Nuk asht melodi e re për këtë popull, që asht ushqye me gjak e lotë. Nga Rozafa, sot e zymtë dhe e zemrueme, në këtë natë martirizimi, zana numron viktimat e rame për liri, ndërsa në ledhët tremijevjeçare të kështjellit, legjenda kalitë emnat e tyne për përjetësim. Historia jonë, o Shkodër, asht tingulli i daltës së çeliktë që pret thellë në granitin që copton, e në mermerin e lëmuet, kalitë pavdekësinë e atyne që dhanë jetën, flijime të ndërgjegjshme të njerëzimit të lirë. Digju flakë, o Shkodra ime plakë, digju!
Sot, në errësirën që të ka mbulue anembanë, për ushqim ka përsëri nevojë liria, për djelm ende të parritun si duhet, për burra që nanat kërkojnë, pse duhen ushqye fëmijët që qajnë për bukë e, për babën që nuk asht ma. Ngrije zanin e kushtrimit përsëri, ti o qyteti i Rozafës, shpërndajë errësinën që mbretnon, o Shkodra plakë, e me unën e ndezun në dorën që të shkrumbohet nga zjarri i lirisë, digju, digju flakë, o Shkodra ime plakë, digju! Vështirësimi i gjendjes nga ndjekjet policore, shkaktoi hutim në mes të popullsisë. Në këto ditë të randa, shoku im i zyrës më njoftoi se, afër qytetit, dy të arratisun politikë, ishin ngujue në nji shpellë e gjendeshin në rrezik me vdekë nga uria. Plaka që i furnizonte me bukë, ishte e vorfën e pa mjete me ndihmue. Nji grup i vogël u formue në mes nesh, e u vendos që, nji pjesë e pagesës sonë mujore, të caktohej për ndihmë. Ishte nji ndërmarrje që na ekspozonte para nji rreziku të papritun, shumë të madh. Por nuk kishte rrugë tjetër! Shpeshherë, ngjarjet zhvillohen pa ndërhymjen tonë e, na bahemi pa dashje, instrumenti i zhvillimit. Për afër dy muaj, ky sistem punoi me sukses, deri në nji ditë, kur për nji aksident banal, plaka u zbulue, të arratisunit u rrethuan, e në luftim me forcat ndjekëse, njeni u vra; tjetri u zue rob e u pushkatue ma vonë.
XI
Në mbas-dreken e 22 tetorit 1946, u arrestova në zyrën ku punojsha. Ma në fund, rashë në kurthin e diktaturës. Shokët e punës ngrinë. Binte shi me rrëshekë. Rrugët ishin të zbrazëta. Dy partizanë të armatosun, më shoqnojshin drejt ndërtesës së Sigurimit të Shtetit, skëterrës ku njerëzit vriteshin çdo ditë, me drue e plumb. Me pranga në duar, fillova jetën time si i burgosun politik, kundërshtar i regjimit komunist në Shqipni. “Hapu, ferri i pafund”!, thashë me vete. “Mu në qendër të zjarrit tand, me kambëngulje marshoj! Në zemrën time, nji flakë e ngrohët, nji afsh që djeg e ngjall njikohësisht, mbushe gjoksin e nji të riu shqiptar, që Shqipnia kërkon sot për flijim. Nji shpirt që nuk njeh errësina e thëngjijve tuej pa dritë, më shtyen përpara, edhe këtu, në këtë skutë të pashpresë”. Çka mund të ishte ma fisnike, se ky ballafaqim i nji qenieje pa mbrojtje, por guximtarë, me kërcënimin e pandërpreme e vdekjeprumës të nji fati të verbët që mbizotnon, vetëm pse zotënon armën e vdekjes?!
Në përleshje që nuk fitoj, ngrej sot unë zanin, tregoj parzmin, e në mes të nji rrethi që me tall e përbuz, hedh sfidën time: “Jam njeri i lirë, zot i fatit tim, për sa kohë që jetoj”! Atë çast, nuk njihsha akoma rrugën e kalvarit që më priste…! Në zyrën e “shefit” ku më la partizani, gjeta tre oficerë elegantë. Dukej që më pritshin. Shefi më bani tri pyetje, për tre persona, dy prej të cilëve, ishin të panjohun për mue. Unë u përgjigja. Ai nuk më besoi. Nga tryeza ku rrinte, hodhi me të gjithë fuqinë e krahut, nji zile metalike që mori nga tryeza, e që më kaloi pranë veshit të majtë. I pakënaqun, tue me kërcënue me të gjitha llojet e torturës, u afrue e më dha nji shuplakë, që më errësoi sytë. “Shpirtin do të marr, qen bir qeni”,- më tha – “ose trego gjithçka, e nuk të torturojmë”! Mandej, urdhnoi rojën me më përcjellë në qeli. Oficerët e tjerë nuk folën. Fjala “torturë”, më tronditi! Por shuplaka e parë, duhet të jetë grushti ma i randë, që lëndon dinjitetin e të burgosunit. Më dukej vetja i poshtnuem, pa muejtë me u mbrojtë. Ma vonë, “shuplakët” tjera, u banë disi të mërzitshme, vetëm sepse shkaktojshin dhimbje fizike.
Ndoshta kjo ishte arsyeja që, mbas tronditjes së parë, vuajtje e vazhdueshme bahet pjesë e pranueme dhe e pandame e jetës së përditshme. Ndoshta, kjo asht arsyeja që, edhe popujt mbas grushtit të parë, nuk ndiejnë sa duhet peshën e randë të diktaturës, e përqendrohen me sigurue punën e bukën e përditshme, me kurriz të krrusun, me lehtësue, sa ma shumë që të jetë e mundun, vuajtjen që mbulon e që sjell vorfnia e shtypja e pashmangshme. Asht nji lloj pakti bashkëjetesë me murtajën,…pa shpresë fitimi! Në qelinë ku më hodhën, kishte nji dritë elektrike të varun në tavan, por asnji dritore. Roja, mbasi më lidhi shtrëngueshëm duar e kambë, mbylli derën, fiku dritën, më hodhi nji të shame të ndytë, e u largue. Mbas pak minutash, fillova me u ambientue me errësinën. Isha i lagun deri në palc nga shiu e, ftohtësia e qelisë, më detyroi të tkurrem sa ma shumë. Shtrëngova dy krahët për trup me u ngrohë, hoqa këpucët plot ujë, e fillova me lëvizë kambët e prangueme. Dridhesha pa pushim, pa muejtë me zanë vend. Në atë gjendje të mjerueshme, nuk mund të rrijsha pa pyetë veten: pse më shau roja?
Ai nuk më njihte, as e dinte cili jam unë! Apo ishte ba natyrë e dytë e tij…i ashpër, shpirtkeq, nji idiot që luente me jetët tona. I këputun nga lodhja, i lagun e i uritun, u ula në çimenton e qelisë, me të dy këpucët nën vete. Ftohtësia më ngrinte trupin edhe ma shumë e, më dukej sikur uji i shiut, ishte kthye në akull. Dhambët kërsitshin pa pushim. Fërkojsha duert e lidhuna me hekura kuajsh, e hukatsha pa ndërpremje, por pa dobi. “Nuk mund të vazhdoj kështu deri në mëngjes…”! mendova, “do të vdes”! Rreth mesnatës, filluen të hapen dyert e disa qelive. Ndigjova britmat e rojeve të tërbueme e kambët e të burgosunve, që vrapojshin si kuajt, pa asnji fjalë. Mandej u hap edhe dera ime: “Ngrehu, derr”! më tha roja. Më zgjidhi prangat e kambëve e më urdhnoi me vrapue: “Shpejt, shpejt, derr”! Në zyrën e hetuesit, gjeta tre oficer Sigurimi. Më pyetën si quhem. U përgjigja me za të ulët, që dridhej nga të ftohtit e frika. Me naivitetin tim, shpresojsha se informatat e tyne ishin të gabueme. Doli e kundërta!
Kjo ishte nji taktikë që bante të mundun me fillue torturën, që në takimin e parë kundër “kokëfortëve”. Me grushtet e parë e shkopinjt, përgatitej terreni për hetuesi ma të rregullt, ma vonë. Porsa dhashë përgjegjën, nji breshën shuplakësh, grushtesh e shkelmash, më dërrmuen trupin. Në gjendjen time, kjo batare mjaftoi. Rashë nga karrika në shesh, si nji lamsh. Gjoksi e kërcijt e kambëve, ishin të ekspozueme për shkelma e përsëri shkelma, që më jepshin, sa njeni, aq tjetri. Fillova me rënkue, e sytë m’u mbushën me lotë. “Nuk i njoh, zoti kapiten”!, thashë me nji za lutës, “Ju betohem! Nuk i njoh”! Ata qeshën. “Kemi fakte, prova, dëshmitarë që ti i njeh mirë, e ke bashkëpunuar me ta”. – “E keni gabim”! – përgjegja unë. – “Nuk i njoh”. Atëherë, kapiteni, nji shkurtabiq me trup, por muskuloz, mori nji dru që mbante mbi tryezë, e filloi të më bjerë pa ndërpremje, sidomos në gjoks e në kofshë. Për çdo goditje, hidhesha nga dhimbjet. U luta të më besojshin, se flitsha të vërtetën. Por asnjeni nuk përgjegjej. Më ngritën nga sheshi, zgjidhën litarin që më mbante të lidhun për karrike, e më ulën përsëri në shesh. – “Fol! Shpirtin do të nxjerrim”! – më thanë.
Unë insistova se nuk njihsha personat e kërkuem. Ata banë sikur u zemruen edhe ma shumë. Njeni vazhdoi të rrahë me dru në kurriz, ndërsa dy të tjerët, me këpucët e lustrueme, me dërrmuen mesin e më damtuen veshkët. Fillova me humbë ndjenjat, por akoma ndiejsha dhimbjet. I shtrimë në shesh, me duer e kambë të lidhuna, pashë nji roja që hyni në dhomë. Pa folë fare, preu me thikë pantallonat e mia. Para oficerëve ishin të zbulueme organet gjenitale. Nuk kuptojsha gja. Dy fije telefonike shtrënguen organet e, para se të kisha mundësi me folë, nga nji aparat telefonik doracak, korrenti elektrik më tungi nga vendi. Tronditja e parë më krijoi nji ndjenjë zjarri të brendshëm, shtrëngova dhambët që më kërsitshin, sytë më nxirrshin xhixha, e muskujt e fëtyrës u deformuen. Sa herë që vinte korrenti, shtrëngohesha me vete, e koka ngrihej e mandej përplasej mbi dysheme, pa kontroll. Nuk fola ma, por lotët më rridhshin pa pushim. U duk sikur ata u lodhën. Për nji minutë, i shtrimë në shesh, i lidhun me hekura kambë e duer e, me tela telefonike në organet gjenitale, rrobet e preme me thikë e trupin e dërrmuem, u përpoqa me kuptue gjendjen time.
Në atë kohë, dera e zyrës u hap. Nji burrë, që nuk e pashë, deklaroi se ishte takue me mue, e zhvillue bisedime kundër pushtetit. Kur mbaroi, i dhanë urdhën me u largue. – “E tani, mor i poshtër, e kupton që kemi dëshmitarë? I dimë të gjitha, por duam që ti të tregosh të vërtetën”. I zanun keq në nji gjendje pa rrugëdalje, kuptova se asgja, as pranimi, as mohimi, nuk do të më ndihmonte në këtë rast. Kuptova, se taktika e tyne ishte me tronditë “të akuzuarin” në mesnatën e parë, me nji dozë të randë torture, me shpresën se, nga efekti psikologjik i tmerrit të pësuem, “viktima” do të dorëzohej, do të fillonte “rrëfimin”, ashtu si kërkojshin ata, e do të bante procesin si mbas planeve të tyne djallzore. “Zoti kapiten!”, thashë me nji za që mezi ndigjohej, e me lot në sy nga dhimbjet e padurueshme, “nuk e njoh këtë njeri”! Pa mbarue ende fjalinë, nji valë e re tërbimi u lëshue mbi mue. Para syve gjysëm të mbyllun, më delte trupi i oficerit që më rrahte pa pushim, si nji hije e paformë që dridhej, e që në gjendjen e turbullt nga dhimbjet, më dukej si nji pemë që lëkundej, jo nga era, por nga nji forcë e padukshme që nga rranja, deri në majat e degëve. Nuk kishte mbetë nji gisht vend, në trupin tim, që nuk u godit me dru, ose me shkelm. Ma në fund humba ndjenjat…!
Kur u zgjova, kuptova se isha në qeli. Pranë meje dallova diçka të paformë. Ishte racioni i bukës, që roja kishte hjedhë nga dritorja e vogël me kapak, e derës së qelisë. Ishte ditë. Kur roja urdhnoi të ngrihemi me krye nevoja biologjike, i thashë se nuk mundem me lëvizë. Pa kontroll, mbi trupin tim, kisha urinue në qelinë që qelbej fare! Me vështirësi u ngrita, aq sa të mbështetem për mue. Çdo qelizë e trupit, ishte nji pikë dhimbje fizike e padurueshme. Shikova rreth e rrotull në errësinë, e pashë nji kuti teneqeje, që të burgosunit përdorshin për nevoja personale. Pa shtresë, pa ushqim, me rroba të laguna e të preme me thikë, i dërrmuem prej të ftohtit, urisë e torturës, nuk besojsha në ndryshimin e madh, që kisha pësue brenda nji nate. Më kapi frika se mbas gjithë këtyne vuejtjeve, i rrethuem nga nji heshtje absolute në qeli, pa mundësi me komunikue, nji natë ndoshta jo të largët, mbas nji torture të gjatë e të randë, do të përfundojsha në vdekje, vetëm i harruem. Isha i ri, shumë i ri. Kjo ide banale, më tmerroi!
Të nesërmen, dhe për afër katërmbëdhjetë muej, vazhduen “hetimet”, nji metaforë për torturat e përpjekjet e Sigurimit me ba nji “proces”, ashtu si dëshirojshin ata. Qëllimi i tyne kryesor, nuk ishte “e vërteta”, por “procesi”. Me procese të detyrueshme nga torturat, e të kombinueme me plotësue planet e tyne, Sigurimi i Shtetit, do të nxirrte para publikut nji “organizatë armike”, të zbulueme nga “vigjilenca e popullit e Partisë”. Gjithçka ishte artificiale, gënjeshtër, pandershmëni. Mjaftonte që kjo gënjeshtër, të shërbente nji qëllim: mbajtjen me dhunë të pushtetit absolut! Oficeri hetues më torturonte natën, mbas mesnate, në nji dhomë të vogël, ku ishim vetëm ai e unë, e mjeti i torturës. Dridhesha nga frika! “Sikur të ishte edhe nji njeri tjetër”, mendojsha me vehte, “do të kalojsha gjithçka me guxim. Por jo vetëm”! Ishte nji figment i fantazisë sime, sepse “nji njeri tjetër”, donte të thotë edhe nji torturues ma shumë…! Ideja e torturës në vetmi, e në heshtjen e plotë të mesnatës, si dhe e vdekjes së mundshme përsëri vetëm, përsëritej pa ndërpremje e më mundonte, aq sa edhe druni i pagdhendun që më dërrmonte kockat, aq sa edhe telat që më shrëngojshin organet gjenitale.
“Vetëm të mos vdes i vetëm, të mos vdes i vetëm. Të tjerat i harroj…”! përsëritsha me vehten time. Nji natë, më thirri “majori”, nji oficer Sigurimi, që kisha njohë ma parë, e më tha se dëshironte “me diskutue” me mue. Unë, përgjegja, se në gjendjen time fizike, nuk isha i aftë me mendue. Por ai nuk u bind. Kishte nji nevojë të madhe me folë. Kompleksi i inferioritetit, ndaj intelektualëve e studentëve, ishte i fortë te shumica e tyne. “Na e dijmë që na përçmoni”, më tha atë natë, “sepse na vijmë nga mali, e nuk kemi shkollë. Por na kemi shkollën e partisë sonë heroike, na kemi fitue e ju….”! Talljet e oficerëve me jetën tonë studenteske, relacionet tona me vajzat, diskutimet, shëtitjet në piacë, “luksin” tonë, nji farë nonshalance, mospërfilljen tonë, për “autoritetin” e gjendjen rreth nesh, kishin mjaftue “me bindë” oficeret e Sigurimit, se qëllimi jonë, ishte me tregue “superioritetin” tonë, si “elitë intelektuale”, “intelektualizmin” tonë…! “Unë pështyj në shesh, para se za me gojë emnin tuej”, rrëfeu nji ditë oficeri hetues.
“Na nuk mund të lejojmë ndryshimin e gjendjes së sotme”, më kujtohet që tha “majori”, atë natë. “Jo vetëm sepse në këtë mënyrë na do të pranojshim dështimin e idealeve tona, por kryesisht, sepse metodat tona, me provue saktësinë e idealeve tona, janë të këtilla që nuk lajnë vend për bisedim, aq ma pak për kompromise…! Na e kemi vendosë me ju shfarosë. Ju e shihni! Në mes nesh e jush, po zhvillohet tashti nji luftë pa doreza. S’kemi ç’të fshehim…ashtu si gjatë luftës…! Për ma tepër, nga kush duhet të fshihemi? Nga ju, objekt i terrorit tonë? Nga masat e gjana, që janë tkurrë nga frika? Apo nga anëtarët e partisë sonë, që i janë nënshtrue nji edukimi politik, që përgatit me pranue gjithçka…ti e kupton se ç’due të tham me fjalën ‘gjithçka’… në altarin e fitores së revolucionit tonë popullor”? Unë heshta nga frika e habitja, që më mbuloi nga ky rrëfim i papritun. E njihsha “majorin” shkodran, që në kohën kur kishte qenë “ilegal”, e nuk kishim ushqye ndjenja anmiqësore ma parë.
Mandej, tue vue majën e shkopit në ballin tim, më shtyu lehtas, si me dashtë me tërheqë vëmendjen time, për fjalët që përgatitej më thanë qartë, ngadalë, e me kënaqësinë që ngjall veprimi i pakontrolluem e i pakufizuem. “Ndigjo, këtu”! më tha, “nuk ka rrugë kthimi për ne. O ju…o ne…! Për sa kohë, që kemi fuqinë në dorë, do të jemi ne, e ju…”! Nuk e përfundi fjalinë, ngriti supet. Vuni shkopin mbi tryezë, u afrue pranë dritores, e pa folë, shikonte përjashta rrugët e qytetit. Atë çast pata përshtypjen, se bota e mbyllun e kriminale ku kishte përfundue ai, po e vriste edhe atë. Dyshimi i krimeve të kryeme, dukej se kishte arrijtë ndërgjegjen e tij. Ai mbrohej sipërfaqësisht, me mbulue disfatën e vet të brendshme. Pak minuta ma vonë, u kthye kah unë, e me nji za të pasigurt, më pyeti: – “Pse u ngrite kundër nesh, mor i poshtër, pse kundër nesh? Ti ke qenë anti-fashist…”?! Nuk ishte ma “majori” i mëparshëm. Diçka e thellë kishte ndryshue tek ai. E kuptova nga toni i zanit tij.
Atëherë, mora pak guxim e përgjegja: – “Zoti major, para situatës që keni krijue, edhe sot në këtë gjendje ku më keni prue…, nuk shoh që ka rrugë tjetër për mue…! Kështu, të regjimentueme, nuk ka vend për rrugë të mesme: o me ju o kundër jush”! – “Si asht e mundun, që ti të marrësh anën e Klerit Katolik”?! – “Zoti major! Unë nuk kam lidhje me Klerin Katolik…”! – “Pjesmarrja në funeral të Arqipeshkvit në maj…ne kemi fotografitë…do t’i tregoj”?! tha me nji farë krenarie. – “Jo!”, i thashë. “Po në atë funeral, ka qenë gjysma e qytetit…”! Ai nuk përgjegji. U suell nëpër dhomë, e më pyeti përsëri: – “Të kujtohet Revolucioni Francez”?! Pyetja e tij më erdhi e papritun, e nuk përgjegja fare. “Revolucionarët francezë, ishin kundër aristokracisë, jo kundër klerit”, vazhdoi ai monologun. “Por kur kleri refuzoi të ndahet nga aristokracia, atëherë populli tha: Le të digjet edhe kleri! Historikisht, Kleri Katolik i ka shkaktue vehtes, damet që pësoi. Ashtu si dje, ashtu edhe sot. Ata na sulmojnë, na mbrohemi…”!
Mbas nji heshtje të shkurtë, vazhdoi: – “Ju të gjithë besoni në superioritetin ushtarak të Amerikës…! Bomba atomike? Ha! Mos u shqetësoni! Brenda pak kohë, Bashkimi Sovjetik do të ketë bombat e veta, ma të mëdha, ma të fuqishme…! Ndërkaq, tash për tash do të evitojmë konfliktin, por do t’a provokojmë kur të ndjehemi të fortë nga pozita të favorshme, në kohën e vendin ma të përshtatshëm për ne…”! E me mburrje plotësoi: “Na do të fitojmë luftën finale…”! Ishte i entuziazmuem, dhe qartësisht përsëriste mësimet e marruna në orët e edukimit ideologjik. Sa e besonte “majori” nji paraqitje të këtillë, qoftë të historisë së kalueme, qoftë asaj bashkëkohore?! Nuk e kuptova! Për mue, subjekti ishte i randë, e në gjendjen time shumë i randë. Por, nuk kaloi pa më lanë përshtypjen, se nji indoktrinim i thellë, që përgatiste politikisht kuadrot për “luftën e re”, ishte në rendin e ditës…! “Nji Luftë e Tretë” mendova, “e Lufta e Dytë, akoma nuk ka marrë fund si duhet…”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm