Nga At Zef Pllumi
Memorie.al / Shoh se Paulinin po e zbrisnin shkallve. Ai trup i gjatë dymetrosh, ishte kërrusë dyfish. Mezi gjimonte. Nuk e lidhën aty në hamamxhik por e nxuerën n’oborr, diku afër murit, në kambë, i hodhen nji batanije në krye si të gjithë tjerëve, që mos ta njifshin shoqishojnë. Roja me automatik në dorë, sillej andej e këndej nëpër oborr. Mandej u ndrruen rojet, që i dorëzojshin njani-tjetrit në prani të kapterave, inventarin njerëzor: pesë në këmbë, gjashtë palmuç, nji tjetër të lidhun në mur, në shkallë apo në trumë. Më shkundën edhe mue, në atë pjeshkë. Mbas asaj zhurme që shkaktoi ndrrimi i rojeve, u ba nji qetësi e cingrimtë, ku ndigjoheshin zanet e mbytuna të pshertimave.
Nuk mund thom nji orë, mbasi un në atë gjendje që ishem, kishem humbë edhe nocionin e matjes së kohës, nuk jam i sigurtë, nëse e numroshem me shekuj apo, me kilometër a me milje, por mbas do kohe, u ndie nji brimë e çmendun: Ndal! Ndal! Dhe nji e shtime breshnije automatiku. N’ate çast, filloi nji stuhi e vërtete zhurmash të ndryshme. Nga të gjitha anët e ndërtesës e oborrit, turreshin njerëz me armë e, fenerë dritash. Brima, të shame e ulurima.
Urdhna. Un ishem i varun aty në pjeshkë, n’atë pozicion që e shumta e skenës, zhvillohej mbrapa meje. Ata që kishem para, ishin palmuç, porsi thasë. Nuk mujta me kuptue mire, çka flitej, për vdekje apo, plagosje në kambë! Me çka pash në terr, sepse dritë elektrike nuk kishte, pa fenerë vajgurit bajtën nji njeri për kambësh e për krahësh dhe e dërguen për nuk dij se ku.
Mandej i muerën të gjithë ata që ishin drejt në kambë, mbulue me batanije. Disa i ngjitën nalt, disa poshtë. U erdhi radha atyne 4-5 vetve, që ishin palmuç para meje, nji nga nji i zhdukën. Mbeta për pak minuta un i vetëm, i varun. Por më muerën dhe më shtinë në nji dhomë, aty poshtë ku mund ishim nga gjashtë nejrëz, palmuç nën batanije. Dhoma nuk kishte dritare. Nji fener vajguri, kishte tymosë aq shumë, sa gadi m’u xu fryma: pamvarsisht dhimbjeve, si i varun, ishëm kenë pothuej ma shnëdosh atje jashtë, në cingrimë. Të gjithë ishin të shtrimë palmuç e mbulue me batanije lecka, përveç meje, që më urdhnuen me ndejë në kambë. Në të vërtetë, edhe ata që ishin përtokë, ishin shumë ngusht. Mbas pak kohe erdhi kapteri e, më dërgoi përsri në hetuesi, te ai oficeri i naltë.
Ishte i tërbuem nga operacioni që kishte drejtue pak minuta para. Çfryni kundra meje me shputa, grushta, kërcnime e të shame: “Asnji nga ju qelbanikët nuk do mbetet i gjall”! – Mandej thirri kapterin. Ai më muer, më zbriti për shkallësh. Kur mbrrijtëm n’atë dhomën që ishim, i largoi ata njerzit palmuç porsi thasë, në mjedis të dhomës; me nji çels hapi nji dry: ishte nji kapanxhë drrasash.
E çoi kapakun dhe ashtu të lidhun, më hodhi mbrendë. Ishte nji podrum i naltë, sa me nxanë nji njeri në kambë. Krejt terr. Kur e mbylli kapanxhen, u solla ashtu në terr, tue prekë me duer para. Nuk ishte aq i madh. M’u duk se dikund ndesha në nji gomë automobili o, diçka të tillë. Mandej ndesha në nji gjasen si thes.
Ishte kenë njeri dhe më foli: – “Kush je”? – “Jam un fra Zef Pllumi” – iu përgjegja. – “Po ti, që kur gjindesh këtu”? – “Jam N.N. Më kanë pru kot, krejt kot. Me emnin tim gjindet dhe nji tjetër burrë në Mirditë, por ai asht i arratisun në mal dhe flitet se ka vra X oficer partizan. Mbasi kemi të njajtin emën, më kanë kapë mue për të. Ka ma shumë se dy javë që jam këtu nën tokë. Puna asht se na, kena të njajtin emën, por nuk jemi në të njajtin katund. Ndërsa këta thonë se ‘të gjithë mirditorët thirren me tre emna, e kështu mendoni ju se do të na e hidhni neve”!
U ula aty në batanijet që kishte. Më tha se ishte i mbushun në morra. Kapanxha hapej vetëm nji herë në ditë, për të dhanë racionin e bukës e, shpesh nji tas ujë. Për nevojë i kishin thanë: “Bëje aty”. Më tha se aty, ishte nji si gomë makine dhe se ulej aty mbi të. Më pveti se ç’ditë ishte, mbasi ai aty, tue mos pa dritë kurr me sy, nuk përcaktonte se, kur mbaron nji ditë e, kur fillon nji tjetër. Më tha se ishte arrestue në muejin gusht, se kishte kalue atje nalt, tre muej torturash ma të tmerrshmet. Më kallxoi se, mbasi e kishin torturue për shumë ditë, tue i lidhë korentin ndër veshë, atëherë ai hetuesi, ia kishte lidhë telat edhe në organet e ulëta të trupit.
E ku me të sjellun të manovelës, ai kishte provue ato therje të çuditshme, që e bajshin me u hjedhë përpjetë e, me u përplasë përtokë, ai kishte çue duert nalt, për me folë dhe u kishte thanë: “Or burra, tash sa dit, që këta tela m’i keni ba provë në krye. Po si mendoni ju, se kur nuk din gja kryet, po din gja b…”?! Qysh atëherë, ata e kishin lanë të qetë nga torturat tjera por, e kishin hedhë për së gjalli n’at varr të qelbtë, ku jetonte tash.
Ai mendonte se ishte tash dy javë, tue e llogaritë me buk’ që e kishin hjedhë aty me 15 nandor, e kështu i takonte që t’ishte aty, prej ma shumë se nji mueji. E kishte marrë malli me folë e, nuk pushonte. Un kishem gjumë dhe i kërkova të falun. Ai me dashamiresinë ma të madhe, më vuni bri vedit. Dhoma ose varri, ishte shumë i ngrohtë. Fjeta. Për ku ishëm, fjeta mirë. Nocionin e kohës e kishem bjerrë tashma edhe un, prandej mund thom se fjeta gjatë, por edhe në gjumë, i ndjejshem dhimbjet e trupit të dërrmuem, prej varjes e të rrahunave.
Kur erdhën e më nxuerën, un ishem në kulmin e bisedimeve me atë malok, aq të mendshem e praktik. Kishem mësue prej tij, gjakftohtësinë edhe në vuejtjet e pabesueshme. Jeta na ndau përgjithmonë, por kujtimi më mbet i pashlyem. Ai oficeri i naltë bukurosh, u tregue shumë i shqetsuem për gabimin e kapterave, që më kishin shti me pushue, n’atë varrin e X-it.
E kishte humbë durimin e, mbas disa ushtrimeve të boksit mbi trupin tim, hapi defterin ose “dokumentat” siç i thirrte ai, për nji akuzë absurde. Më tha se Kleri Katolik, ishte ma obskurantisti i shekujve dhe kishte djegë gjallë Galileo Galilein e, Xhordano Brunon. M’u kërkue llogari, për kryqzatat e inkuizicionin!
Un iu përgjegja se, nuk ishem as Pier L’Eremite, as Torquemada, bile nuk kishem të baj fare me ta, un ishem për dashuninë me të gjithë njerzit, ishem nji bir i padenjë i Françeskut që ka moto Pax et bonum. Kje nji gabim fatal. M’u turr si i terbuem:
– “Me dashtë armikun?! Po ky është diversioni më i madh, i shekujve. Mejtoni se i ha këto profka proletariati?! Neve e kemi luftën e klasave, që do ta rregullojë njerzimin dhe do vërë drejtësinë mbi njerzit e, jo gënjeshtrat tuaja”. Mandej nxori prej sirtarit nji bllok shënimesh, format mesatar.
– “E njeh ti këtë”?
– “E njoh. Asht nji lloj ditari që mbajshem”.
– “Ç’ke shkruar apo ç’ke katranosur këtu”?!
– “Disa mendime të mija”.
– “Mejtime?!
Po çfarë mejtimesh se? Ti je mishërimi i reaksionit borgjez. Dhe ne do t’ia këpusim kokën borgjezisë. E do ta këpusim edhe ty. Ja ç’ke shkrojtur”:…Dhe mbasi e lexoi tha me tërbim: – “Pse gjerman na konsideron ti neve? Më zi se fashistat jemi ne, kështu thua ti?! Fol”! – “Un e kam shkrue ket, kur ju pushkatuet 10 burra prej familjes së dajave të mij, vetëm për raprezalje: Mue nuk më duket e drejtë që të pushkatohen 10 për nji”!
– “Po a mejton ti, se ai një ishte Babë Rexha?! E din ti se kush ishte Babë Rexha”?! – “Kushdo që t’ishte, zakonet shqiptare i lajnë burrat, gjak për gjak dhe nuk kemi nevojë të veprojmë sipas ligjeve të luftës, që kishin vu gjermanët. Kjo nuk ishte logjikë”. – “Ti do të na mësosh neve logjikën?! Ti…ti”?! – dhe nuk u përmbajt ma, por veproi simbas logjikës partizane. Kur u lodh tue më rrahë, atëherë thirri kapterin dhe e urdhënoi që të më varte në pjeshkë.
Oborri ishte vu përsri në veprim. Ndersa po më varshin, kqyra në se po i shof kund ato njollat e gjakut. Paulinin, nuk e pashë ma kurr. As atë burrin, lidhë në trumë bishtshkurtë. Dita dhe nata, ishin shumë të ftohta. Nji firifickë e hollë, ma merrte shpirtin. Por tjera tortura, filluen mbrenda meje: mendimet. Mendimet gjithfarësh, njani ma zi se tjetri.
Ai burri atje poshtë në varr, më pati tregue: “Nder biruca të Lezhës, kisha ndejë gadi nji muej me nji frat, i cili na fillonte uratët e rruzaren: sa burrë i mirë që ishte, na mësote e na këshillote. Por mbas disa kohe që më prunë këtu në Shkodër, baj be, se e kam pa të veshun ushtarak dhe kur un e kqyra me çudi, ai m’u zhduk”!
Për tregimin e malsorit, nuk kishem kurrfarë dyshimi; ishte i saktë, por m’u lodhte mendja, tue pvetë: kush mund ketë kenë ai?! A thue mund t’ishte ndonji, prej shokve të mij?! Cili?! Për nji ishim të sigurtë, se ishte Juda, por kishim dyshime, edhe për të tjerë. Na kishim jo vetëm dyshime, por edhe fakte, ndoshta për ma shumë se nji. Mendime të pafundme. A thue ndonji oficer ose nënoficer, mund të ketë luejtë pjesën e fratit?!
Problem me shumë të panjohura, por që më mundonte aq. Ku ishin gjithë ata fretën profesora e, superjora të mij, që nuk shifshem asnjanin prej tyne? Apo ndoshta ishte ndonjani prej këtyne, të lidhun palmuç këtu para meje e, të mbuluem me batanije…?! Edhe pse trupi ishte mpi krejtësisht, për çudi, truni vazhdonte veprimet e veta, në rregull apo jo? Kush e di…?!
Në nji moment të caktuem, ndjeva çizmet e lustrueme të oficerit (Nesti K.) tue ngjitë shkallët e hymjes. Trupi filloi të më dridhej, në nji mënyrë të çuditshme, nji të dridhun frige. Mbas shkrepjes së çizmeve, do të vinte tortura me korent. Normalisht, ishte krejt e pamundun, që të ndigjoheshin ngjitjet dhe zbritjet e atyne shkallëve, që ishin në të hymen kryesore të shpisë: ishin shumë larg.
Mandej, po t’ishte ashtu, pse nuk ndigjoheshin kur hypshin dhe zdrypshin, tjerë oficerë e kaptera, por vetëm ato të oficerit bukurosh. M’u avit e më tha: “Kërcllin dhëmbët? Aty të ngordhësh”! Pak ma vonë, nuk m’erdh fare çudi, kur erdhi kapteri, më hoqi nga pjeshka e, më shoqnoi atje nalt në zyrë. Dridhjet vazhdojshin. Ato çizme të lustrueme.
“Qumshtin e mëmës! Ne nuk lodhemi, jemi pranë zjarrit, nuk dridhemi si ti. Është më mirë të flasësh, se do të vuash më pak. Këtu nuk ka burra, që nuk i përulim. Këtu jemi e, me gjithfarë mjetesh. Fol”! Ndërsa ai fliste m’u përfytyronte shkrimi në WC “Un Dom Vlash Muçaj, sot më 22 korrik …”, takimi atje nalt në zyrë, kur At Pali më tha: “Dorëzoji, e shef si jam”, Paulini i gjatë…, Guljemi në raft…, ai mirditori në vorr…! O Zot më shpëto!
Atë ç’ka kishem ma tepër frigë, atë ma suell: aparatin e vjetër telefonik. Dridhjet që kishin fillue para nji ore n’oborr, u shndrruen në dhimbje tjera, të padurueshme, të tmerrshme. O Zot, pse më lshove doret?! Miliona gjylpana therse…! Përplasje në dysheme. Përplasje. Atëherë nuk munda të rezistoj ma gjatë. Çova duert e lidhuna nalt, si sheje se doja me folë. M’i hoqen telat prej veshve, tue më qeshë me nji gaz pëbuzës. Më lanë me pushue pak, mandej: “Fol”!
– “Shikjo, – thashë un – ju shkrueni çka të doni dhe un firmosi…”! – “E dimë, – tha – që do të firmosësh, si gjithë të tjerët, ose me lanë shpirtin. Por na trego ne këtu ato lidhjet që ke ti”! – “Po çfarë lidhjesh, kur nuk kam lidhje me kurrkend”? – “Mos u shtir si naiv. Ata reaksionarët, që janë me pushkë në dorë ndër male, kush i drejton? Juve, ju Kleri Katolik”. – “Po, un nuk jam Kleri Katolik, por nji zog i tyne”.
– “Nji zog shumë i rrezikshëm, që jep urdhëra të vriten njerëzit tanë. Ja dokumenti, ja letra e shkruar me dorën tënde, fashist i qelbur. Dëgjo”! Dhe lexoi: “Për veprime tradhtare që ke ba, tuj u shërbye anmiqve të fesë e Atdheut, shpërblimi asht ky: Plumbi. Kjo letër është gjetur mbi kufomën e një njeriut tonë, të vrarë prej reaksionit, me vulën tënde. Ç’thua”?! – “Kjo nuk kërkon nji dije të madhe – i fola un – Mjafton t’i krahasoni shkrimet e mia që i keni këtu, me këtë shkrim, gërmë për gërmë. Të lutem avite ta shoh, konfrontoi gërmat”.
– “Njeriu shkruan si të dojë. – Jo nuk asht e drejtë”. Atje poshtë në rrugë, u ndie nji sinjal fishkullimë. Oficeri bukurosh iu avit dritares. Hapi xhamin dhe i tha: “Prit se erdha”! E kuptova që e thirrte nji vajzë. “O dashuni – thashë me vedi – vetëm ti, duhet të sundosh botën. Vetëm ti, mund t’i zbutish kafshët e egra”! Oficeri bukurosh, e mbylli seancën e pvetjeve. Më kthyen përsri te ajo pjeshkë, që priste mue ose nji tjetër. I varun aty, filluen mendimet. Nuk e ndjejshem aq shumë, premjen që shkaktojshin litarët nën sjetulla. O Zot i madh! Kshtu e krijove ti boten…?! Dhunë e dashuni…?! Dhunë e dashuni”?! Po, e gjithë historia njerzore asht dhunë e dashuni!
Ç’kërkon ajo vajza aty, me ket kriminel sadist? Si mundet nji femen shqiptare, të bajë dashuni me nji kafshë, me nji egërsi, me nji ujk, që ka etje vetëm për gjak…?! Jo, ajo nuk asht njeri, ajo nuk mundet të jetë nanë. Nanë! Nanë simbol i dashunisë! Ajo femen asht ulkonjë, nji ulkonjë e zezë e, untë për gjak njerzor…! Jo, çdo femen shqiptare, që don ta shtojë ket racë antinjerzore, meriton me u zhdukë. Kjo nuk asht dashuni, asht vetem nji instikt i ndytë. E ky instikt, që synon me perjetsue krimin sadist, nuk ka të drejtë me egzistue në shoqninë njerzore.
Asht e poshtër ajo femen shqiptare, që në këto çaste, nuk flitet për çaste, por për nji periudhë kritike fatale, të paimagjinueshme në histori, nji periudhë e zezë me lot e, gjamë nanash, me lot e, vaj fëmijsh, me torturat ma çnjerzore për burrat, për njerzit, për shoqninë, për kombin e, këto femna, t’i përkdhelin këta përbindsha njerzorë, t’i dashunojnë, të shtojnë farën e tyne?! Jo, jo, ky asht krimi ma i madh. Ato duhet ta bojkotojnë ket krim. Vetëm kështu i jepet fund, së keqes mbi tokë. Ato duhet të jenë të ndërgjegjshme, për damin e madh që po i bajnë shoqnisë njerzore e, kombit shqiptar.
Tue shtue këtë farë të keqe, ato janë edhe ma kriminele se vetë kriminelët. Duhen zhdukë: ato për instikte shtazore të vetat, degradojnë shoqninë e kombin. Për to nuk duhet me pasë mëshirë, jo. Gratë e vërteta shqiptare, e dimë nga historia se, u hodhën nga shkambi, për të mos plotsue dëshirat e kqija të anmikut…! Ato po, shembull heroik. Ndërsa këto…?! Këto…! Po sikur këto të bajshin si mendoj un, ç’do të ndodhte? Populli shqiptar, do të shuhej: të mirët po i zhdukin këta, të kqijtë po i zhduki un. Ç’ka mbetet? Kurrgja.
Vdekje. Vdekje me nderë! E kush e din si do ta gjykojnë të tjerët. Vdekja asht vdekje: asgjësimi, kulmi i së keqes, asht hiçi. Ndërsa jeta asht jetë, ka të mirën e të keqen. Ka shpresën: ajo me gishtin shënues të drejton kah e mira. Kanuni i ynë: “Prej të keqit lenë i miri e, prej të mirit lenë i keqi”. E mira dhe e keqja. Filozofi e vjetër, besim i vjetër. Ai njeri i vjetër, nuk ishte budall si mendojmë na, ai ishte filozof i vërtetë. Fajet i ka Zoti. Zoti para materjes, para nesh, krijoi Engjëjt: shpirtin pa materje. Ata shpirtën i krijoi të mirë dhe gjysma e tyne, u banë të kqij.
Pra para materjes kje e mira dhe e keqja. Edhe mbas krijimit të materjes, Zoti, si demokrat i vërtetë, e lejoi të mirën e të keqen: lejoi lirinë. Liria asht e mirë apo e keqe? Asht e mirë dhe e keqe. Dhe i Biri i Tij predikoi: “Mos i zhgulni barnat e kqija, deri të vijnë të korrat. Kur të vijnë të korrat, barnat e kqija hidhni në zjarr e, grunin në hambar”. Hambari i njerzimit. Po hambari i njerzimit, ai i historisë, mjerisht ka ma shumë të kqij se të mirë. Njerzimi, asht në rrugë të gabueme. Ai kultivon me saktësi, të gjitha kafshët e gjalla e, bimët e kopshtit, kultivon vetëm racat e zgjedhuna. Kultivon frytet e arave e, të pemve, të gjitha racat të zgjedhuna, jo vetëm të bukura, por frytdhanse.
Kultivon racat e kuajve, lopve, berreve. Edhe të derrave. Por nuk kultivon vehten. Raca njerzore duhet kultivue. Seleksionimi asht nji detyre e domosdoshme për me dashtë me shpëtue njerzimi; të gjithë të marrtë, idjotët e të smundët nuk dijn me ba kurrgja tjeter, por me shtue marrinë, idiotësinë. Njerzimi do të bahet nji xhahil handikapatësh, i cili do të përpijë gjallë, njerzit e mendshëm. Shtatë lopët e liga të faraonit, që përpijnë lopët e majme. Si rrjedhim, duhet të neutralizohen të gjithë idjotët, të smundët e të poshtrit. Të kultivojmë racën e zgjedhun. Mirë e ka Hitleri: “Pastroje tokën prej së keqes, pastroje me zjarm”, e vrau miljona.
Po mirë, vrau milojna çifutën dhe tjerë. Po kush i njofti që janë të kqij?! Çifutët thonë për vedi, se janë ma të mirët: popull i zgjedhun. Thonë se janë ma të mire, se gjermanët. Po, gjithkush thotë për vedi, se asht ma i miri në botë, edhe na shqiptarët. Ndoshta edhe jevgjit e thonë. Kush e ka këtë të drejtë, të vendosë se cili asht i miri e, cili i keqi?!
– O Kanuni ynë i maleve, ti je ma i urti i botës: “Prej të mirit, del i keqi e, prej të keqit, del i miri”. Ani le të shtohet edhe kjo racë e keqe, se të bijt e tyne kanë për t’i përpi. Po, a kanë për të kenë të zotët, bijtë e tyne? Revolucioni asht nji ulkojë, që han bijt e vet…! Edhe këtu, ashtu do të ndodhin. Të bijt e ktyne, së paku nipat e ktyne, do t’i dënojnë randë. Brezat, vitet kalojnë. Jeta gjallon. Kundra çdo anmiku, jeta vazhdon ciklin e vet, me të mirë e, me të kqij…!
Trupi aty varun në pjeshkë, ishte mpi krejtësisht, ba akull, dru. Vetëm truni kishte jetën, gjallninë, bile mendonte me reformue njerzimin. Un nuk ishem ma në ket botë. Erdhi roja e, më zgjidhi nga pjeshka. Mezi lëizja kambët e ajuna. Kur mbrrita në WC, nuk dijshem ç’të baj, syni më ishte ngulë aty në mur, ku ishte shkrue: “Un Dom Vlash Muçaj, këtu me 22 korrik, piva urinën time, për mos me dekë etjet”. Jeta ban çmos, për me jetue. Un thashë me vedi: “Pse”? Roja uluriti me tërbim:
– “Hej, ti atje, ç’bën? Shpejt! Un nuk mujshem ma, as shpejt, as kadalë. Erdhi e më kapi për krahu. Iu duk se po i rezistoja. Po të kishem fuqi me rezistue, edhe aty i varun në pjeshkë, dojshem me jetue. Pse”?! /Memorie.al