Nga Shkëlqim ABAZI
Pjesa e katërt
SPAÇI
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Zot o Zot ç’humnerë!
Një mal të kuqërremtë dhe të zhveshur, mbase nga korrozioni i koncentratit të piritit apo mallkim nga Zoti, s’di ç’të them, e kishin qarkuar me gjerdhe. Pjerrësia në skajin e epërm, ishte rreth dyzet e pesë gradë, kurse në zgripin fundor rrokullisej thikë.
Mbi rrëpirë kishin gërryer tarraca dhe kishin përftuar disa nivele që zvogëloheshin nga lart-poshtë. Në hapësirën pesëmijë metër katrorë, kishin instaluar që nga zyrat e komandës, fjetoret e ushtarëve dhe policëve, mensa për personelin e shërbimit, salla për edukimin politik dhe zbriste me birucat, barakat, kuzhinën, dyqanin, zyrën teknike, kuzhinën private, çezmat e, për të përfunduar me nevojtoret.
Po e paraqes planimetrinë sipas rendit pamor. Ta nisim nga sipër.
Krah rrugës që ngjitej në miniera, lartohej godina e komandës së kampit-burg. Ca metër më tej fjetoret e ushtarëve, pas tyre kolibet qenve nuhatës dhe nevojtoret e efektivit ushtarak. Në nivelin e dytë, dy metër nën rrafshin e parë, ishte porta hyrëse e kampit, bri saj një mini-godinë, tre me tre, që shërbente si strehë për oficerin e rojës, dhe njëherësh, pikë kontrolli për ushqimet dhe familjarët, kur vinin në takim.
Tarraca me gjerësi tre deri në gjashtë metër, shtrihej nga dhoma e takimeve speciale për njerëz specialë dhe përfundonte te qelitë e izolimit.
Pak pedencë dhe zbrisje në nivelin e tretë, ku kishin improvizuar një portë që të çonte në kamp, nëpërmjet ca shkallinave të mihura direkt në tokë. Në të djathtë të hyrjes, ngrihej një kapanon i vogël në raport me të tjerët, po më i ajrosur. Kundruall tij, kuzhina kolektive dhe një dhomëz, që përdorej herë si skutë përgjimi nga operativi dhe herë si dhomë torture, nga policët e shërbimit.
Në një shtyllë druri, ngjitur qelës-kasaphanë, ulërinte altoparlanti që na hëngri ymrin me marshet luftarake dhe funebre, me ditirambe për Partinë dhe udhëheqësit e komunizmit botëror, me paroditë që dërrmuan imperialistë-revizionistët, por kulmin e kapte me fjalimet kobzeza, të vampirit Enver.
Niveli i katërt ishte hapësira më e bollshme në krejt territorin, (siç do mësoja nga një mik mirditor, kjo copëz kish qenë arë). Në të djathtë lartoheshin dy ngrehina, njëra për së gjati, tjetra për së gjeri, duke formuar një profil “L”-je. Sheshi para tyre shërbente për apelin, njëherësh edhe si kënd lodrash me dorë, pjacë për xhiron e të papunëve dhe si purgator për të larë dhe shpëlarë “mëkatet”, ndonjë i burgosur rebel, kur i tekej komandantit.
Ky farë sheshi kish fituar statusin e “place-d’arme” ri-arrestimesh, ku prokurori i rrethit demonstronte forcën dhe komisari shpaloste “diturinë”; domethënë një tip “Golgote” modeme. Në të majtë rreshtoheshin “rezidenca” apo, klinika e Met Karakashit, dentistit më jetëgjatë në burgje, vazhdonte me dyqanin e Ndojës, bri tij, depoja e ushqimeve dhe veshmbathjeve, në mes spitali i Kosovrastit dhe mbyllej në skaj, me lavanterinë e Bozhos, një homoseksual malazezo- boshnjak.
Në vijën ndarëse mes nivelit të katërt dhe të pestë, kishin ngulur dy stenda xhami, ku reklamonin lajme, citate dhe sentenca të marksistëve e të xhelatit Enver. Në ditët e revoltës së Spaçit, i shqyen me çeqet e kazmave dhe zbrazën mllefin antikomunist, duke iu kallur flakën.
Në të djathtë të nivelit të pestë, lartohej fjetorja mbi abis ku më strehuan mua, bri saj, berberhania e mallakastriotit hundaç dhe një hapësirë minore, për shtrungën e numërimit. Në të majtë ishin dushet, kuzhina private dhe kovaçhana, si dhe një kthinë më tej, që s’ia mora vesh përdorimin, gojët flisnin për aktivitete perverse të kryetarit të zyrës teknike, Medi Noku, me larot që e ndiqnin pas.
Ne nivelin e gjashtë dhe të fundit, kishin instaluar nevojtoret, krah çezmat me lekanin kuqal dhe fill nën to, tabelat e ndalim-kalimit, niste rrethimi me tela gjembaçë, tej të cilit ishin karakollët. Dua të theksoj se pjerrësia në këtë pozicion, ishte marramendëse, po të humbje ekuilibrin, do bije në theqafje.
Përfund rrëzimës, dimrit gurgullonin ujërat e përroit që zbriste nga lartësitë e Munellës, ndërsa verës, skuqnin zajet. Mbi të varej një urë me litar çeliku, që lidhte shpatin me monopatin që gjarpëronte ndanë rrethimit, gjersa piqej me udhën kryesore.
Në cepin fundor, mes fjetores “L” dhe asaj mbi abis, çante një perpendikulare në të teposhtën bri rrëkesë që derdhte ujërat e galerive në përroin kolektor. Bash atje zinte fill kalvari që të çonte në kampin e punës.
Krejt territorin, përjashto zyrat e komandës dhe fjetoret e ushtarëve, e kishin qarkuar me gjerdhe shumëfish, në çdo tridhjetë metër, lartohej një vendroje, por në pozicionet më të rrezikshme, karakollët ishin në njëzet metër dhe, ku posibiliteti për t’u arratisur gjykohej i lartë, kishin trefish rrethim.
Vendi ishte shkreti, veç dy-tri akaciet bri fjetores sime dhe ca luleve që kultivonte Mihal Cerja, agronomi shule, s’shihje tjetër gjelbërim. Mbi krye ndehej një vatër qiell, si të qe shqyer nga atmosfera dhe ngërthyer në rrotullamet e telave gjembaçë.
Dimrit, dielli llapëtinte rrëshqanthi mbi buzët e honit pus, ndërsa verës pothuaj të asfiksonte një saç i padukshëm.
Plan-vendosja që gjeta kur mbërrita, ngeli e njëjtë në rrjedhën e viteve, përjashto pallatin trekatësh në nivelin e katërt, pasi prishën fjetoret “V” dhe një godinë me tarracë betoni e një palë shkallë në mes, që e ngulën gjoja për dushe, në fakt krijuan një vathë më të gjerë, për numërim.
Ky ndryshim i përket kohës së vonë, gjer atëherë do rridhnin shumë ujëra dhe do ndodhnin shumë ngjarje. Për të kompletuar konturet e ferrit, s’mjafton vetëm paraqitja e plan-vendosjes së kampit të fjetjes, ku ngjizej dhe finalizohej mjerimi, por duhet të përshkruajmë edhe mbretërinë e Hadit, ferrin nëntokësor që në pamje makro, paraqiste kalvarin ku jetësoheshin mundimet, ngaqë ne ato vrima konkurrohej mes robit dhe djallit, për vazhdimësinë apo ndërprerjen e jetës.
Ju ftoj të përfytyroni dy faqe mali me dimensione të stërmëdha, që krijuesi në inat e sipër, i kishte ndarë simetrikisht me një të rënë shpate. Përfund gjarpëronte përroi me zanafillë lartësitë e Munellës dhe të Kalimashit, që derdhej në Fan, karshi Repsit. Në të majtë, rrethimi qarkonte territorin e kodrës, me postë-roje të shpërndara gjer në kojkën më të lartë.
Qindra hektarëshin me pjerrësi alanitëse, e kishin ndarë në tre zona, (mbas lirimit mësova, se kishin shtuar edhe një tjetër dhe më pas, edhe një tjetër, po kjo i përket kohës së re). Veçimi në zona, përfaqësonte statistikën e njësisë administrative dhe bënte dallimin, mes minierave të bakrit e piritit.
Kur kaptoje portën, përballeshe me të përpjetën që gjarpëronte bri rrëkesë, nëpër shkallinat e mihura në shtuf, merrte rrëzë rrethimit të brendshëm dhe bashkohej me udhën kryesore. Monopatin që lidhej me xhadenë, ku qarkullonin makinat që sillnin trupa për armim dhe bartnin mineral për në fabrikat e pasurimit në Reps, Rubik apo Laç, verës e mbulonte pluhuri verdhan dhe dimrit ngricat kallkan.
Zona e parë niste fill mbi aks dhe përfshinte vrimat që zgjateshin horizontalisht në barkun e malit, rrallë hasje ndonjë front me fumela vertikale dhe me puse të cekët. Nga këto miniera qitej mineral bakri. Ndonëse ujërat rridhnin dimër e verë ishin disi më të mirëmbajtura dhe me kushte paksa më komode. Meqë gjendeshin pranë kampit, në to punonin të moshuarit dhe kontingjenti më pak problematik.
Rreth dyqind metër më sipër, hapeshin vrimat e zonës së tretë. Edhe ato zvargeshin horizontalisht në thellësi të malit, por kishte dhe me furnela vertikalë. Në to nxirrej mineral bakri, por në ca xhepa anësorë, ndeshej ndonjë përzierje xeherori.
Ato gjarpëronin nën sipërfaqe dhe rreziku ishte ku e ku më i lartë, sepse shkëmbinjtë ishin të thërrmueshëm. Në skajin fundor hasje ca miniera të lëna pas dore, mbase jo fort të pasura, që i ruanin për kohë të vështirë.
Në galeritë e kësaj zone, shpesh dërgonin të dënuarit paksa më të ekuilibruar, po ende me ide subversive dhe pa ndonjë shpresë të hershme rehabilitimi.
Zona e dytë niste pas një hullie që shquhej me sy të lirë, po më tepër imagjinare, ngaqë kodra dilte si zhguall breshke dhe të hallakaste pamjen. Kjo gungë i ngjiste ballkonit nga ku mund të kundroje hinkën e V-Spaç dhe ishte arteria e vetme që na lidhte me botën e të gjallëve. Në veri-lindje të tunelit qiellor, syri përvidhej kodër mbas kodre, gjersa humbte në sinorët mes Mirditës dhe Kukësit.
Galeritë e asaj zone, zgjateshin kaotike. Askush s’e hamendësonte ç’drejtim mund të ndiqnin, sepse drejtimi mund të ndryshonte pas çdo metri, si pasojë e shembjeve të paparashikuara. Mund të shkonin drejt, të çanin anash në të majtë apo në të djathtë, apo sipër, apo poshtë. Në to avancohej kuturu dhe sipas tekave të rastit. Galeritë nuk çanin thellë, por të çrregullta dhe të pasigurta për jetën, krijonin hone të mëdha që s’iu dukej kulmi.
Kjo zonë kishte mineral cilësor, madje edhe pranë sipërfaqes. Temperaturat në acarin dimëror kapnin, plus tridhjetë e pesë-dyzet gradë, ndoshta edhe më shumë, sa s’mund të rezistoje pa u zhveshur cullak, ndërsa në zhegun veror, duhej të visheshe me rroba dimërore, për t’iu ruajtur plevitit. Nga tavanet rridhte një koncentrat acidi sulfurik i përqendruar, që i shndërronte teshat në veshje kamuflazhi dhe kur vepronte në thellësi, në zhele dordolecësh.
Piriti i ngjet pak a shumë rërës apo shkëmbinjve shtufo-ranor dhe peshon rëndë. Ismet Boletini, e barazonte një lopatë mineral me afër njëzet e pesë kilogramë, ndërsa vagonin dy-tre ton. Po t’i zbrisje sarkazmën, e vërteta mbetej aproksimative: “Plus- minuset lidhen me cilësinë, i pasuri më i rëndë dhe i varfëri më i lehtë” – shpjegonte ai.
Po vazhdojmë meqë llogaritë ala-Ismet, s’kanë lidhje me temën.
Veç peshës specifike dhe bollëkut, piriti të sterron lëkurën. Kur mbas tetë orësh dilje nga gryka e minierës, i shëmbëlleje një afro-ekuadoriali, sa zor të të njihte nëna. Të zbardhnin dhëmbët dhe kokërdhokët e syve, sa të thoshe se gjendeshe në zemrën e Afrikës, në Ganë, apo Gibon.
Për këto cilësi e konsideronin “rezervati eksperimental” apo, “burgu brenda burgut”, si një lloj vend-internimi për ndëshkimin e të pabindurve që s’jepnin shenja përmirësimi politik. Kësisoj, rezidenca e Hadit, i ngjiste rrethit të nëntë ku Dantja strehoi mëkatarët.
Ndërkaq, ekzistonte edhe Purgatori…!
Veç minierave, në territorin me tela operonin edhe sektorë ndihmës, si; ofiçina e riparimit të martelëve dhe vagonetave, brigada e elektro-hidraulikëve, magazinat e veshmbathjeve, veglave dhe karbitit, trimozhat e planit të pjerrët, ku depozitohej minerali që qitej nga minierat dhe ngarkoheshin makinat që e transportonin në destinacion; grupi i shina-shtruesve dhe tubistëve të ajrimit, që ndonëse punonin nëntokë, parapërgatitjet i bënin jashtë, por edhe “tekahytët” e pastrimit të rrugëve nga gurët e dherat, apo nga bora që i bllokonte në dimër.
Në këto brigada punonin specialistë të mirëfilltë që ua ndjenin nevojën, të sëmurë me një vandak raporte, që i shtrydhnin gjer në shterim dhe i syrgjynosnin të jepnin xhan në burgjet e tjerë, ose të afërmit e operativit, “legenët” e Medi Nokut dhe lapangjozët e tij.
Gjithë pllajën e kishin qarkuar me gjerdhe, në mbi tri metër lartësi. Përkrye shtyllave, kishin lidhur një llambë dhe në çdo pesëdhjetë metër, nga një projektor, madje në vendet ku rrëketë gjarpëronin dhe kryqëzoheshin, me përroin kolektor, nga dy në kundër-drejtim. Në po atë distance, lartoheshin karakollët ku ruanin ushtarë të armatosur, deri në dhëmbë.
Në pozicionet problematike, atje ku mundësia për t’u arratisur mbetej evidente, i kishin vendosur kundruall, jo më se dhjetë metër larg.
Largësia me vend-komandën ishte sfilitëse, për të kapur skajin fundor ushtarëve, iu lipsej të përballnin marshime pindarike. Ndaj kishin stacionuar nënreparte të ndërmjetme, për të shkurtuar distancat. Rreth malit kishin sajuar do baraka rrjepacuke, ku flinin ushtarët.
Por, ky trajtim i diferencuar kishte rritur pakënaqësinë dhe kish kallur grindje në gjirin e efektivëve që na ruanin. Atyre që u kishte rënë pjesa larg qendrës, shihnin ziliqar kolegët që i kish ndihur fati apo miku të shërbenin pranë komandës. Kësisoj, të largëtit e konsideronin veten të diskriminuar dhe shokët të privilegjuar.
Ndaj, pa dashje lindi fenomeni i xhelozisë dhe zellit të tepruar, për t’i zënë vendin shoqit, gjë që e stimulonte edhe komanda. Në afshin e zellshmërisë, secili tregohej vigjilent në mbrojtjen e sektorit përkatës, sa shtinin kot së koti mbi të dënuarit, që baritnin larg tabelave të ndalim-kalimit, duke shkaktuar viktima të panevojshme. Ky kaos i detyroi eprorët, t’iu tërhiqnin vërejtje për përdorim armësh, jashtë kushteve ligjore, paçka se s’pati konsekuenca, ngaqë s’mbajti ndonjëri përgjegjësi nominale.
Mes vrullit vend-dashës, kolegu i ngrinte kurth kolegut, për t’i zënë vendin. U zvetënuan karakteret në atë farë feje, sa efektivët u llapashitën në batakun e spiunllëqeve dhe kodoshllëqeve. Kur ndonjë tentativë arratisje rezultonte e suksesshme, kolegu fërkonte duart për hatanë që gjente të ngjashmin dhe i gëzohej shansit, që i trokiste në derë.
Kur çau ferrin një dibran dhe arriti të dilte jashtë rrethimit, ani pse për dy ditë, mbi repartin ushtarak, u shkreh furtuna. Ra gjithë zinxhiri drejtues, deri edhe efektivët e thjeshtë, s’u panë më në vendrojat e mëparshme. Kë degdisën në pikat skajore, mallkuan Myftarin, për gjëmën që iu shkaktoi, të tjerët që u afruan, uruan Myftarin, për aktin kuturisës.
Relievi s’paraqiste ndonjë panoramë mbresëlënëse. Ndonëse kalova tre vjet, Spaçin fshat, s’arrita ta shihja, veç ndonjë binaje në kodrën përballë dhe ca banesa, në të hyrë të grykës.
Dy shpate rrjepacukë, me një përrua përfund, i bënin karshillëk njëri tjetrit. Majat, gati të barabarta, rrëzoheshin perpendikulare drejt përroit që gjarpëronte mes kodrave të zhveshura dhe humbte fill pas një bërryli, jo larg kampit.
Kishte vetëm dy stinë, dimër i gjatë dhe verë e thatë. Vjeshta s’para binte në sy, pemët ishin të rrjepura dhe ajo kalonte vetëtimthi e shkrihej sakaq, në një dimër tejet të ashpër. Në muajt e ftohtë, edhe në ditën më të bukur, dielli ndeshej rrallë e për mall me ato zgëqe dhe rrezet s’ndriçonin mbi tri orë.
Dimri zgjaste mbi gjysmë viti. Temperatura zbriste njëzet gradë nën zero, binte borë, bënte ngrica dhe erërat acar qethnin majat e pemëve. Thellimi dhe turbulencat, i shtrembëronin shkurret skeletike dhe gërryenin shtufin e kuqërremtë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016