Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e dyzeteshtatë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
XXII
Së dyti në spital!
(Kur ringjallej i vdekuri!)
Vrimat katedra
Zona e dytë m’u bë shtëpi, ndërsa brigada, familje e madhe. Në të rropatej një konglomerat disa racash, disa kombësish, disa fesh; me prejardhje të ndryshme, me formim të ndryshëm, po i përafronte një “ves”: pikëpamjet politike, pothuaj të përafërta dhe predizpozicioni i mangët për rehabilitim, natyrisht sipas këndvështrimit të kryetarit të Zyrës Teknike dhe Komandës së Kampit. Atje kishin mbledhur të bardhë dhe jevgj, italianë e grekë, serbë e malazez, boshnjakë e bullgarë, arumunë, minoritarë grekë, shule nga Posteci i pellgut të Prespës, goran e vrakaçorë, etj., madje edhe qytetarë amerikanë dhe një australian, bile edhe një arixhi, por mbi nëntëdhjetë për qind, përbëhej nga shqiptarët etnikë, e trevat e ndryshme.
Për sa i përket prejardhjes shoqërore, kishte dallime thelbësore; niste me pinjollë aristokratësh dhe bijë të dyerve të mëdha, vazhdonte me pasardhës patriotësh të shquar, bejlerë, agallarë, borgjezë, latifondistë dhe kompletohej me një mori qytetarësh e fshatarësh, të pasur e të varfër. Ndërsa ana profesionale, ishte më e larmishme. Hasje gjithfarë profesionesh e zanatesh; që nga bujq e blegtorë, punëtorë të të gjithë zejeve dhe intelektualë, gjer te baballarë të kombit, ish-ministra, ish-diplomatë, ish-deputetë, filozofë e profesorë, inxhinierë e mjekë, artistë e muzikantë, piktorë e skulptorë, shkrimtarë e poetë, gazetarë e sportistë, studentë e, deri shkencëtarë akademikë, po edhe një xhambaz kuajsh.
Në miniera “strehuan” udhëheqësit e besimeve fetare, hoxhallarë e baballarë, priftërinjtë katolikë e ortodoksë, deri te seminaristë, medresetë e dhjakonj, duke i kthyer në katakombe të modernitetit. Në galera gumëzhinin debatet, si në auditorë. Mbi tavanet e gurtë, u plasën filozofi dhe mendime të ndritura, po të ekzistonin atëbotë aparaturat digjitale, sot do kishim shans të ndiqnim tema dhe referate, me tematikë që i tejkalojnë ku e ku të sotmet, servirur nga intelektualë guximtarë, të cilëve do t’ua kishin zili, edhe filozofët modernë, madje erudicionin do t’ua lakmonte çdo katedër universiteti, do lartësonin çdo aulë parlamenti dhe do ishin nderi i çdo akademie shkencash.
Në atmosferën e elektrizuar të kavernave, u gjenda si peshku në ujë. Mes personaliteve të spikatur, dëgjoja in vivo, ç’ka mësoja nga librat dhe i përtypja më lehtë. Frontin e punës e kishim ca larg dhe rruga të sfiliste. Gjatë shirave, mbi truallin e rrahur nga mijëra këmbë, formohej një llurbë e kuqërremtë, në të cilën llapa-shiteshin çizmet mos o zot, ndërsa ngricat i shndërronin monopatet në pista skish, ku mund të shkisje përfund skarpatës e, të përfundoje me trauma të rënda. Ndaj nën tabanin e çizmeve, ngjishnim ca nallçe me thumba metalikë, i ngërthenim me rripa në pjesën e poshtme të qafës dhe vargoseshim si kuaj të mbathur me potkonj, në të përpjetën e kalvarit. Ky novacion praktik i Milto Feshtit dhe Fiqiri Muhës, sa pengues, po aq i dobishëm, kushtonte dy apo tre paketa “Partizani” dhe u bë pjesë e pazëvendësueshme, e takëmeve të stinës.
Sa hyje në grykën e galerisë, iu shpëtoje mundimeve, ndonëse lipsej të shtyje tetë orë të lodhshëm. Temperatura në barkun e malit, kompensonte një farësoj zjarrin, që na e privuan komunistët, por na e “dhuroi” Hadi me tepri. Veç këtij, gëzonim një privilegj tjetër. Me të flakur nallçat-pengojca dhe borën nga mushamatë, ndiheshim të çlirët, ndiznim kandilat e zhyteshim udhëve të ferrit, me ndjesinë e zotit të shtëpisë, që njeh çdo skutë e kamare dhe gjen verbazi çdo hyrje, çdo dalje, çdo cep, çdo kënd, ngaqë ishim në mjedisin tonë, mes njerëzish që mirëkuptoheshim.
Meqë na ra pjesa në zgripin më të palakmueshëm të Spaçit, debatonim pa ndjesinë e përgjimit, sepse gjendeshim larg syrit dhe veshit të policëve dhe spiunëve, që rrallëherë shkelnin në ato vrima. Përjashto brigadierët, të lirin e të burgosurin, që vinin dy herë në turn, për kontroll, shto edhe zjarrmëtarët që bënin plasjen për turnin pasardhës dhe në raste të përveçme, edhe ndonjë polic, s’dukej tjetër kush. Natyrisht “neglizhenca”, s’nënkuptonte lëshime, përkundrazi, e kërkonin normën që ç’ke me të! Brigadierët dhe zjarrmëtarët, ishin syri dhe veshi që i mbanin komandën në korrent, për ç’ndodhte nëntokë. Kur ndodhte të mos kapej cikli, xhumba policësh suleshin terma dhe kërciste huri e, vringëllinin hekurat, zot o zot; dufin për relievin e molepsur, e shfrenin mbi shpinat tona.
Të gjithë e urrenin atë zonë, policët më shumë se gjithkush sepse i tmerronte rreziku permanent i formacioneve ranor-shtufore, të shkallmuar nga erozioni dhe plasjet e vazhdueshme. Shembjet e befta nga tavanet e shpartalluar, që kullonte pa pra shi acid dhe të zhytej në mish, duke i shndërruar rrobat në zhele dordolecësh, po edhe pasojat e pariparueshme që linte në sy e mbi lëkurë. Një tjetër shkak për t’u shmangur, ishte pisllëku. Hyje i pastër dhe dilje i zgjebosur, si straxhiot pas pastrimit të grasos, apo vajit të djegur. Kush do ta lakmonte këtë farë tualeti, që po ta lëpinte lopa, do ngordhte në vend? Askush! Policët më pak se askush, sepse iu humbte shkëlqimi i uniformave ala kineze, me të cilat krekoseshin, si gjelat majë plehut. Vrimat e piritit, sterronin gjithkënd. Kur dilje i nxirë kokë e këmbë, të pështirosej vetja.
Edhe pas muajsh, s’u ambientova dot me zgjyrën dhe me duhmën e acidit, madje ditë pas dite më shtohej neveria. Kur dilja nga galera, mbyllja sytë të mos shihja shokët që nxinin si qymyri, sepse imagjinoja edhe veten, në atë derexhe. Ndaj ngjishja turinjve hundçen e sfungjertë, të mos thëthija duhmën e teshave të mia dhe iu shtrija dorën në distancë bashkëvuajtësve, që iu dorëzonim turnin. Të nxirë asisoj shpotisnim shoqi-shoqin: “U-ah, ç’bukurosh”! – njëri. “Paske vënë maskën e Luçiferrit”! – tjetri.
“Mos bën prova për të luajtur Otellon”? – më ngacmoi një ditë doktori- shkrimtar. “Refuzoj të përgjigjem i nderuar, sepse ti përfaqëson ‘sintezën e sistemit’”! – ia ktheva duke qeshur. Duke lënë mënjanë modestinë, “sinteza e sistemit”, kishte autorësinë time, që e përvetësuan edhe të tjerët. Me këtë silogjizëm ,pagëzova kolegët e galerive të piritit. Natyrisht, pa përjashtuar veten, thumbin e drejtoja ndaj doktor Astrit Delvinës, që na qesëndiste e na etiketonte; “monedha regjimi”, demek na përdornin si njësi këmbimi, në trataktivat për shit-blerje personazhesh. Dhe e ilustronte kështu:
“Sapo vërejnë te dikush shenja kryeneçësie, apo troç fare, i teket kryetarit të Zyrës Teknike, brigadierit të lire, apo të dënuarit, një spiuni apo një polici, që dyshon se iksi s’jep shenja rehabilitimi, apo pse tregohet intransigjent në anti-komunizmin e vet, nisin trataktivat e shkëmbimit: “Ma nep kët’ të butin, të nap kët’ të sertin! apo: “Të nap kët’ ballistin, më nep dy revizionistë”! dhe shkëmbimi bëhej për krerë, si në pazarin e gjësë gjallë, madje edhe me hyst!
Mandej teorinë e konkretizonte me fakte: “Ja, marrim shembull zotin Esat, që me prezencën e tij, zbukuron radhët tona, domethënë e kemi efektiv në brigadën tonë. Por për të realizuar këtë transaksion, u desh një pazar i gjatë, me çmim goxha të kripur. U vunë në lojë, dy krerë me mjaft peshë, një socialist-revizionist, i përmasave ndërkombëtare, si shoku Skënder Thaçi dhe vëllai i madh i zotit Esat, ballisti Bejo. “Shyqyr, u arrit akord, sot kemi në gjirin tonë hirësinë e tij, zotin Esat!” – shpotiste Astriti. Po edhe Esati s’qëndronte më poshtë, ia kthente me të njëjtën monedhë: “I nderuar sh-krim-tar, mua më lëvizin ngado në orbitën e burgogradit, si elektron të lirë, po ty që të ngrinë e të shkrinë, në të njëjtën zonë, o ditëzi”!
“Pikërisht këtu konsiston ndryshimi, i dashur, sepse përfaqësoj bërthamën që thith elektronet”! – shpaguhej doktori. – “Pse ore, kot të kemi mbiquajtur ‘sinteza e sistemit’”?! – dhe hokat vazhdonin. Sado që këto hoka bëheshin në ambientet tona, shakatë e kapërcenin rrethin dhe mbërrinin në komandë, gojë më gojë e vesh më vesh, gjersa u bënë mollë sherri dhe i kushtoi një javë birucë, shkrimtarit. “Përse s’keni realizue pllanin”? – gjeti sebep, Shahin Skura. “Bëmë të pamundurën të kapnim normën, por…”! “Ç’a kjo;‘por’”? – e ndërpreu komisari i tërbuar. – “Doja t’ju thosha se janë të paparashikueshme, avaritë minerare…”! – “S’më interesojnë avaritë i d’nuem, unë due pllanin”! – “Na dolën pengesa, zotni! Një shembje këtu, tjetra më tej, pastaj tubat i gërryen acidi dhe plasin, gozhdët dhe shinat shkasin nga binarët, dhe koha iku…”, – u rrek të mbrohej shkrimtari.
“Justifikime kalemxhi! Po për llogje u dalka koha?! Apo jeni mbledhur një tufë sabotatorësh, që doni m’u tall me planet e Partisë dhe shokut Enver, për me na nxi faqen! Por s’ju lemë na, o pllanin, o xhanin, njitu ka me ju dalë shpirti”! – ulëriu Shahini, për të trembur pos Astritit, të tjerët. “Zotni, sipas vlerësimit të teoricienit të lavdishëm, shokut Stalin, ‘njeriu mbetet kapitali më i çmuar’! Ne përpiqemi ta jetësojmë këtë porosi, me vlera humane”, – ironizoi doktori. “Ke gojë e zë shokun Stalin, ti armik”?! – “Përmenda citatin që e keni shkruar me germa kapitale, në faqen e shkëmbit”! Vërtet mund ta lexoje parullën mbi galeritë e zonës së parë, si një ironi të hidhur. “E kena shkrue për të rehabilitue”. – e ndërpreu i pezmatuar komisari.
“S’e imagjinoj si mund t’i veçoni fatet njerëzore! Me sa di unë, çdo jetë, është e barasvlershme me të tjerat dhe është e drejtë universale…”! “Ç’mi ba Partisë dhe shokut Enver, pa ta tregoj unë të drejtën universale! Ju ballistët, s’meritoni asnjë të drejtë”! Ndoshta u ndje keq, pse kishin shkruar në letër, ato që s’i zbatuan kurrë?! “S’po e kuptoj, për ç’të drejta e keni fjalën”? – ia ktheu miku im ,i drobitur nga lodhja e tetë orëve. – “Për lirinë, që ma gëzoni me pashë”! – iu krekos komisari. – “Ku është fshehur kjo qyqe, prej vitesh po gërmoj dhe s’e kam ndeshur gjëkundi”? – ironizoi Astriti.
“Këtu, mes jush! – u rrek të imitonte “Heroin Kombëtar”, në kontekstin e papërsëritshëm historik dhe shtoi me ligësi: – “Keqdashja dhe urrejtja për pushtetin popullor, u ka verbue sa s’keni sy me pa”! – “Natyrisht në vrimat ku më keni ndryrë, s’mund ta shoh begatinë që na blatoni, ama has çdo ditë antitezën, tmerrin, dhunën, mjerimin vuajtjen, burgun, dënimet, ekzekutimet dhe persekutimet. Nëse e keni fjalën për këtë farë lirie, e gëzojmë që ç’ke me të, madje me tepricë”! – vijoi ironinë shkrimtari.
“Me syzet kapitalist-revizioniste, këtë ngjyrë sheh! Pa pyet popullin, sa i lumtur ndihet”? – “S’e di kë konsideroni popull, por pjesa që kam njohur, s’ndihen aspak të lumtur, të lirë jo se jo. Rropaten për kafshatën dhe heshtin e duartrokasin padrejtësitë, nën tmerrin e gogolit burg, me të cilin i kërcënoni”, – polemizoi Astriti. “Natyrisht, të tillë do njohësh si armik i betuar, por populli gëzon lirinë dhe demokracinë, që i garanton Partia dhe shoku Enver”! – “Mbase me liri dhe demokraci, kuptoni lëmin me driza ideologjike, rrethuar me tela gjembaçë, ku e detyroni popullin të shkojë duke kënduar, gëzojnë njëherësh edhe të drejtën të gjezdisin me litar në qafë, brenda rrethit që iu keni piketuar! Me ç’të bukur liri, i këmbeni sfilitjet e popullit”?! – përfundoi shkrimtari.
“Shtatë ditë birucë, armik i pandreqshëm”! – dha verdiktin edhe komisari. Pas një jave doli i tretur dhe i zverdhur. U takuam në hyrjen e galerisë. U kryeshëndoshëm dhe e pyeta: “Si e shtyve javën Astrit”? – “Për bukuri, or djalë”! – “Reflektove besoj”? – “Ohu-u, mjaftuan shtatë ditë, të reflektoja dhe të përfitoja nga indulgjenca e qeverisë”! “Dhe në fund”? – “Do përfundimin”?! – bëri të habiturin. – “Me ç’konkluzion, dolët nga biruca”? – “Aha! Bash si në krye”! Bëri një piruet, si të vizatonte një rreth me një pikë qendrore dhe Përsëdyti: “Bash si në krye”! – “Konkretisht”? – “Konkretisht”? – përsëritjen ia njihnim si ves. Kur mëtonte të bindte të tjerët, përpiqej të paqëtonte së pari mendimet.
“Boll të shfresh, i nderuar doktor”! – nisën batutat të tjerët. Hodhi një shikim si të sfidonte javën që kish kaluar i veçuar dhe shfryu: “Do flas! Pa dyshim fjala lindi e para, si njeri i lire, do të shfrytëzoj avantazhin që më dhuroi Zoti! Ama liria ime, ndryshon kryekëput me të komisarit; imja është e spasë, pa cak, ajër, ujë, dritë, qiell, tokë, me zanafillë Zotin e Gjithëpushtetshëm, kurse e tija, është birucë, burg, dhune, gojë-kyçje, shurdhëri, angështi, ankth, makth, terr, gardh, strumbullar, urdhër dhe direktiva që buron nga Njëshi diktator”.
“Ç’po na rrëfen, o sh-krim-tar”!? – e cyti Esat Kala. – “Po përpiqem të shpjegohem më qartë. Të dashurit e mi, liria është medalje me dy faqe, në njërën ka të gdhendur emblemën e zogut flatra-ndehur, në tjetrën të verbrin me balancë. Zogu nënkupton lirinë, i verbëri përgjegjësinë”. – “Lëri figurat, trego funksionin”! – sërish Esati. “Aty do dal, hirësi! Liria dhe i verbëri, janë si siamezët, të dënuar të udhëtojnë dhe të ushqehen me të njëjtin gjak, vdekja e njërit, çon në eliminimin e tjetrit dhe secili syresh, është përgjegjës për jetën e shoqit, bash si liri që prodhon anarkia pa përgjegjësi, po edhe përgjegjësia pa liri, çon në diktaturë”.
“Sofizma, i dashur”!? – shpotiti Esati. – “Bota demokratike e ka ngërthyer lirinë me përgjegjësinë, si kundërpeshë e të drejtave civile dhe kusht ‘sine qua no’, për mos ta shpërdoruar”! – sqaroi shkrimtari pa ia vënë veshin. Kaloi mbi ballin e zbehtë, dorën me zgjyrë piriti dhe rinisi: “Vetëm në demokraci, individi e gëzon këtë të drejtë, siç gëzon të drejtën e jetës, të shprehjes, të besimit, të lëvizjes, të shkollimit, të zgjedhjes së profesionit, të vendbanimit dhe mbi të gjitha, të drejtën e pronës dhe të votës së lirë e, të fshehtë. Ka privilegjin e patjetërsueshëm, të zgjedhë periodikisht ata te të cilët beson se do t’i përmbushin aspiratat, do t’i rrisin nivelin e mirëqenies personale, familjare, shoqërore, shtetërore; me një fjalë, do t’i garantojë maksimalisht lirinë”.
“O sh-krim-tar, i dimë këto, përndryshe do ishim matanë gardhit”! – e ndërpreu Esati me qesëndi. – “Pikërisht tani hymë sërishmi në temë”! – bëri të ekzaltuarin dhe vijoi: “Hirësia juaj, edhe liria, s’mund të jetë pa kufi, atje ku mbaron imja, nis e jotja, ku nis e tjetrit, mbaron e jotja, e tjetrit dhe e tjetrit, sepse shkaktohet anarki, po u konfonduan caqet, ndaj hartohen akte juridike, për t’ju paraprirë anomalive publike, që secili t’i njohë të drejtat dhe detyrimet kushtetuese e, t’i zbatojë në praktikë”.
“Pa na rrëfe faqen, tjetrën”! – ndërhyra për ta lehtësuar sepse po lodhej me shpjegime të gjata. – “Për sa i përket anës tjetër, është e lehtë për ta shpjeguar, por tepër e komplikuar, për t’u zbatuar. Përgjithësisht, regjimet autokratike, teokratike, monarkike, praktikojnë këtë lloj lirie. Po kjo spikat sidomos te regjimi komunist, ku gjithçka lidhet me vullnetin e Njëshit, i cili ka zëvendësuar autokratin, teokratin, monarkun, partitë dhe Zotin! Zakonisht këto pseudo-regjime, vijnë në pushtet me revolucione të dhunshëm, mbështeten në egon popullore, gjoja mbrojnë interesat qytetare, por kanë pre dispozicion të shndërrohen në diktatura, sepse Njëshi, i atribuon vetes pushtet pa kufi.
I ëmbëlsohet pushteti dhe përjetësohet në karrige, njehsohet me Perëndinë, duke i akorduar vetes të drejtën të bëjë diellin dhe shiun. Ndërkohë bën demagogji me të drejtën e jetës, po s’pret që ta marrë Zoti, ta merr ai nëpërmjet gjykatave, që veprojnë në emrin e tij; bubullon për lirinë, por e eliminon individin; ulërin për të drejtën e fjalës, por të pret gjuhën, kur s’llap atë që i pëlqen Atij, në të kundërt, përfundon te gjykata që vepron në emrin e Tij; gjëmon për lirinë e besimit, por me një yçkël të vockël, adhurimin ndaj Perëndisë, t’ia blatosh Partisë dhe t’i besosh Njëshin, pa dyzim, përkundër, të pret gjykatorja që vepron në emër të Tij.
Natyrisht lirinë e lëvizjes, e ka zgjidhur ligji, normalisht lipsej ta gëzonte gjithkush, pa përjashtim dhe pa kufi, qytetarë, fshatarë, kollkozianë, punëtorë, po me një kusht ama, të lëvizin aq pashë, sa i lejon litari që u ka lidhur në fyt Njëshi, brenda perimetrit të lëmit që u ka vizuar ai dhe kush tenton ta këpusë, përfundon si më sipër; ndërsa liria e shkollimit, që determinon të ardhmen e çdo aspirant, mbetet ekskluzivitet i Njëshit; mendon ai për të ardhmen, mos e vra mendjen hiç, i dashur!
Liria për të zgjedhur vendbanimin, është e pazgjidhshme me paraardhësin, nëse ka treguar devocion mjaftueshëm karshi Njëshit, mund të zësh Tiranën, edhe në qofsh nga katundi më i humbur, në të kundërt, bëhu roje e eshtrave të të parëve dhe hap varrin me gjallje, sepse të pret gropa, edhe në qofsh profet! Vijmë te e drejta e votës, si e drejta themelore mbi gjithë të drejtat e të rriturve të përgjegjshëm. Çdo mbi tetëmbëdhjetë vjeçar, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet, po vetëm në letra, sepse në realitet, do votosh detyrimisht dhe haptas atë që piketon Njëshi”!
“S’di pse dyshon te i Madhi i dashur shkrimtar, ai e di kë zgjedh, sepse gdhin netët pa gjumë, duke u thinjur për të mirën tënde dhe të të tjerëve”! – ndërhyri piktori qyrekxhi. – “Në esfel armiqtë, që thonë të kundërtën”! – shpotiti edhe Esati. “Kështu mbetet të çohesh menatë, të marrësh një valle pogonishte te qendra e votimit me evgjitët, hidh goglën në kutinë e Frontit Demokratik dhe trys menderen, në punë vullnetare, i kënaqur që zgjodhe më të mirin”! – vijoi shkrimtari, pa ua vënë veshin ndërhyrjeve. – “Në të kundërt, e di ç’të pret? Gjykatat që veprojnë në emër të Njëshit dhe të degdisin në firifistun”!
“Këtu me ne”! – plotësoi piktori. – “Padyshim”! – pranoi shkrimtari. – “Pra, fjalët, regjimet totalitare, iu ngarkojnë individëve përgjegjësi, që s’ua mban samari, pa sanksionuar lirinë. Por barra e përgjegjësisë, mbi shpatullat e papërgjegjshme, i shtrembëron kurrizet dhe rrjedhimisht vendi rrëshqet në diktaturë”, – përfundoi ligjëratën patetike. Atë ditë shkrimtari ish më i frymëzuar se kurrë. Zaten kjo ndodhte, sa here e nxirrnin nga ndonjë izolim i zgjatur, ai s’reshte së foluri me orë, sikur mëtonte të kompensonte vetminë e birucës, ku kish medituar gjatë dhe mezi priste të zbrazte celulat e trurit produktiv, për t’iu hapur shteg ideve të reja.
“Kam një propozim, Doktor”! – ndërhyra unë. – “Po dëgjoj, i dashur”! – “Sikur të bënim një pakt? Por më parë kërkoj mirëkuptimin tuaj, në rast mosmiratimi, propozoj ta hedhim në votim…”! – “Shprehu, ku do të dalësh”? – foli i paduruar. – “Jemi demokratë, apo jo”? – pyeta me nënkuptim. – “Pa diskutim, po nxirrja kokën, të shkretën”! – “Asgjë e jashtëzakonshme, kur vonon të bësh një ‘faj’, që të meritoj ndëshkim, ta sajojmë ne që të kalosh, të paktën një javë në qeli”. “Pakt të bukur më urove! Si mund të na furnizosh, me ide kaq produktive”? – mbylla shakanë, por të qeshurat ushtuan në tavanet e gurtë, përshkuan ortitë e furnelat dhe shpërthyen në sipërfaqe. – “S’kam këllqe të duroj muaj për muaj, këto sprova, or mik”! – ma ktheu me të qeshur. Edhe pa shakanë time, doktorin sanguine, do ta ndrynin në qeli herë pas here dhe avazi përsëritej. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016