Nga Sokrat Shyti
Pjesa e njëzetekatër
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
“Pavarësisht nga njolla e zezë e kunatit të arratisur, e cila nuk mund të hiqet nga biografia ime, do mbetet damkë, falë këndvështrimit të sekretarit të Parë, ndjehem me këmbët në tokë: sepse nuk do përgojohem e përflitem, dhe ndoshta s’do sulmohem pas shpine. Duhet ta dish se në ditët dhe javët e para, pas arratisjes, rreth meje e familjes time, u vërtitën mori ciklonesh ndëshkimi. Në disa mbledhje të njëpasnjëshme të organizatës bazë, kërcënimi mbi qafën time, rrinte si jatagan turku. Pritej mendimi dhe vendimi i byrosë së rrethit, sidomos në cilën anë do rëndonte fjala e shefit të madh të Partisë.
Lajmi i tmerrshëm, se internimi juaj familjar u krye në kushte të llahtarshme, nuk ju dërguan në asnjë kamp, as në Savër e, as në Gjazë, por drejt në kasollen e lopës të rojtarit të pyjeve, na u duk sa i çuditshëm kaq dhe i frikshëm! Edhe pse jam tip mjaft i druajtur, një ditë mora guximin dhe pyeta oficerin e Degës së Brendshme, që mbulon pikërisht sektorin e të internuarve”. (Përfitova nga errësira, kur kthehesha nga puna pas orës tetë të mbrëmjes dhe në rrugë s’kishte frymë njeriu):
– “Si e shihni me syrin e specialistit këtë formë të veçantë dënimi”?… – “Hera e parë që ndodh diçka e tillë, nuk di si të them…”! – ma ktheu ai, duke ngritur supet. “Sipas meje, çdo dënim përballohet më vështirë kur je i vetmuar, se sa kur ndodhesh në bashkësi me të tjerë. S’kam asnjë mendim, çfarë patën parasysh anëtarët e Komisionit Qeveritar, që përcaktuan këtë formë vendimi.
Por e përsëris: kunati yt, djalë fare i ri, do ta ketë mjaft të vështire të përballojë opinionin shtypës të banorëve vendas, pasi, mbështetur në përvojën time, do ta shohin me sy armiqësor. Pastë kurajë dhe guxim, t’i japë vetes qëndresën e duhur, që ta kapërceje fazën e parë pa pësuar goditje cerebrale”!…Pas këtij urimi, që m’u duk i sinqertë, më erdhi vetvetiu në kokë kjo pyetje: mos kanë patur pikërisht këtë parasysh, që e strehuan në kasollen e lopës?… Dhe nuk ngurrova t’ia shprehja oficerit.
– “Mundet, edhe ndoshta, – tha ai. – Fakti që kjo formë dënimi, jepet për herë të parë në rrethin tonë, patjetër duhet të ketë një shtysë të veçantë. Mbetet mister kujt i ka shkuar të parit ndërmend dhe cili nga anëtarët e komisionit e ka propozuar. Por kjo, nuk as nuk zhbirohet e, as nuk zbulohet dot. Prandaj mos merr mundimin të pyesësh dikë, qoftë ky oficer me grada të larta i këtij sektori, pasi do t’i hapësh telashe vetes tënde.
Edhe po ta krahasoja këtë dënim të veçuar, me atë të Hirësisë, Irine Banushit, që ndodhet në Manastirin e Ardenicës, prapë ka ndryshim të madh. Sepse Hirësia jeton si Pasha, në kushte ideale, ushqehet si zotëri, i shërben kujdestari dhe një kuzhinier! Shpesh e vizitojnë femra të bukura dhe funksionarë të lartë. Shëtit krejt i lirshëm nëpër pyje. Lexon në çdo kohë, kur i shkrepet.
Nuk kryen asnjë pune angari. Si kufizim ka lëvizjen për të shkuar në Tiranë, a në ndonjë qytet tjetër, dhe duhet të pajiset me leje speciale. Po ta kishin internuar kunatin tuaj në manastir, me që ka dhoma me bollëk dhe jetesa bëhet me e sigurt, mua s’do më shkaktonte fare habi. Dhe ju besoj do ishit më pak i shqetësuar, e ndoshta do ta falënderonit atë që e ka propozuar këtë vendim. Sepse këtu gazetari do ta ndjente veten si në kamp pushimi, s’do ta ndrydhte stresi i përçmimit, e do kishte kohë të lexonte, të shkruante e të mendonte.
Ndërsa paraqitja tre herë në ditë tek i Plotfuqishmi, do ta ndihmonte për mbajtjen e trupit në forme. Mirëpo ja që faktikisht nuk ndodhi kështu. Dhe kjo gjë më habiti shumë! Prandaj po e përsëris: pastë kuraje dhe guxim, ta kaloje këtë gjendje pa pësuar lajthitje, pasi është djalë i ri, në moshë të lulëzimit, dhe nga sa kam marrë vesh ka mendje të ndritur…”!.
– “Bashkëbisedimi me oficerin e Degës së Brendshme,- vijoi më tej bashkëshorti i motrës – sidomos krahasimi i dënimit me Hirësinë, duke patur parasysh para së gjithash ndryshimin e madh te botëkuptimeve tuaj në të gjithë drejtimet, përfshire moshën dhe shkollimin, më futi në mendime të thella, dhe më ngacmoi një pyetje të frikshme: mos ke shkelur në kallo pa dashur njërin nga shefat e Radios, jo drejtpërdrejtë atë personalisht, por mikun a farefisin e tij? Dhe ky ka pritur të hakmerret”?…
– “Nuk di ndonjë rast të tillë, sepse në emisionin e rinisë, gjithnjë vinim në dukje vetëm shembullin pozitiv…”, – ia ktheva unë me vështrim të habitur.
– “Mos ka lidhje ky qëndrim hakmarrës me faktin pse rrije në një zyrë me Vangjel Lezhon”? – shtoi ky i shqetësuar.
– “Nuk përjashtohet të ketë patur mllef të babëzitur kundër tij, aq sa nuk është ngopur me dënimin 25 vjet burg, dhe pjesën e mbetur, e derdhi kundër meje, me që iu dha rasti”!…shtova unë me njëfarë mëdyshje.
– “Po marrëdhëniet me drejtuesit e shkrimtarëve si i kishe”? – pyeti ai me kureshtje. – “E kam fjalën përveç Shevqet Musarajt. Ndoshta e kam gabim, por më duket se prej këtu duhet të jetë nisur orteku kundër teje…”! – theksoi me vështrim të vendosur.
– “Që mes tyre shfaqeshin herë pas here fërkime të nxehta, këtë e dija. Sepse e pësova mbi kurrizin tim, me botimin gjysmak të tregimit ‘Teto Maga’, në revistën ‘Nëntori’. Prandaj akoma s’e kam të qarte ç’fat e pret dorëshkrimin e romanit të pabotuar, ‘Madam doktoresha’”?!
– “Tani ka rëndësi të merret vesh në duart e kujt ndodhet dorëshkrimi. Ty si të duket pas kaq kohësh, e kam fjalën para se të shkruaje romanin: kishe parasysh ndonjë funksionar të lartë, për ta thumbuar”? – pyeti ai mjaft i shqetësuar.
– “Këtë nuk e di. Edhe pas leximit të dorëshkrimit, nuk bëri vërejtje të tillë. Me shqetëson tjetër gjë: u bënë gati tre vjet, që ai nuk më ka kërkuar! Kush e di si i ka hallet? Më premtoi ta ruante si sytë e ballit dorëshkrimin dhe unë i besoj fjalës së tij. Nuk përjashtohet mundësia ta kenë hequr nga kryesia e Lidhjes, me pretekstin e shëndetit. Dhe pa makinë, ai nuk lëviz dot nga Tirana. Por edhe sikur të jetë formalisht në detyrën e mëparshme, faktikisht çelësat e kashtës ka, pasi drejtimi i Lidhjes, po kalon në duart e elitës së re…”!
– “Po qe kështu siç thua ti, atëhere shtysën e të keqes e ke nga elita”, – më ndërpreu bashkëshorti i motrës. – “Sepse, po ta donin të mirën këta, gjenin një zgjidhje tjetër më pak poshtëruese. Sipas meje, ndëshkimi më i rëndë për ty, duhet të ishte heqja nga Radio dhe punësimi për disa vjet në një qendër pune e prodhimi, për ‘riedukim’, siç thuhet rëndom. Për ty, si person publik, meqë ishe gazetar dhe je shkrimtar, para se të jepet vendimi përfundimtar, patjetër merret mendimi i drejtuesve kryesorë të Radios dhe Lidhjes.
Nga mënyra si u veprua, del se këta jo vetëm s’të kanë përkrahur, përkundrazi, e kanë shfrytëzuar rastin të të heqin qafe, që të mos rikthehesh. Përderisa oficeri i Degës së Brendshme i këtij sektori, që me siguri e di me saktësi përmbajtjen e vendimit, u shpreh para meje se; ishin të gjitha mundësitë të caktonin si vend dënimi, Manastirin e Ardenicës dhe jo të strehoheshe në kasollen e lopës, hedh dyshimin se dikujt i ka shkuar të parit në mendje kjo strehë kaq poshtëruese, dikush që të do të shkuar në hell, jo pse ndaj tij ke patur synime jo dashamirëse, por ai ndaj teje ka ambicie nën yshtjen e ligësisë satanike.
Mundet qe sekretari i Parë, pasi ka lexuar vendimin, duhet të ketë nuhatur shmangien e qëllimshme, që la të habitur dhe oficerin e Degës së Brendshme dhe nuk e ka patur të vështirë të kuptojë se tjetërsimi mes përmbajtjes dhe zbatimit, e ka patur shtysën nga një ligësi e përbindshme. Kaq ka mjaftuar që me autoritetin e tij, ta ndryshojë qëndrimin e egër ndaj jush, pa u futur në hollësi të panevojshme, cili ka qenë keqdashësi.
Fakti që ti, as sot nuk e ke parë dhe lexuar vendimin e Komisionit Qeveritar, pas tre vjetësh nga dita e internimit, provon se pikërisht brenda kësaj loje fshehtësie, fshihet prapaskena e hakmarrjes, se këtë sajesë të ndyrë, e kanë katranosur fillimisht keqbërësit e atjeshëm, sigurisht në bashkëpunim me sahanlëpirësit e këtushëm. Por kjo intrigë, asnjëherë s’ka për t’u zbuluar.
Edhe biseda jonë e tanishme, bëhet vetëm për të qetësuar veten e, për të çuar deri në fund hamendjen, jo për të rrëmuar, pasi kaq e kemi mundësinë. Duhet t’i jemi mirënjohës sekretarit të Parë, për qëndrimin e mbajtur, që hoqi karantinën e tmerrshme mes nesh. Përndryshe, po të vazhdonte, rrezik të shkaktonte stres të pakthyeshëm, për të gjithë”!…
– “Gjatë këtyre tre vjetëve në kasollen e lopës, makthet brejtëse gati më katandisën në kafshë pune, endacak të vetmuar me bidonin e naftës mbi sup, të pagojë e të shformuar, duke pyetur veten; sa kohë do vazhdojë tortura e poshtërimit”!… – i shpreha unë mllefin përmes një psherëtime të thelle. – “Fyerja e poshtërimit, kishte depërtuar deri në palcë, aq thellë, sa nuk e dija nëse do ta duroja deri në fund, karantinën e tmerrshme!…
Ne, banorët e planetit Tokë, edhe pse i prekim dhe i shijojmë pjesërisht me vetëdije ndjesitë e jetës, prapë jemi të paaftë të shohim e parashikojmë gafat, do të kenë pas një minus.
Kjo mangësi, nxit përfytyrimin dhe imagjinatën të sajojnë e trillojnë gjithfarë hamendjesh për të mbushur e plotësuar boshllëkun e misterit, dhe e drejton kureshtjen, sytë, vëmendjen nëpër hapësirat e pafundme qiellore. Në fillesat e para të jetës njerëzore, si pasoje e kësaj mangësie, lindën besëtytnitë, më pas besimet, derisa në vetëdije, u ngjiz dukuria më përgjithësuese, që bashkon gjithë kombet e rruzullit, të falurit para Perëndisë me forma e mënyra të ndryshme, sipas riteve fetare.
Sa herë e shohim veten ngushtë apo, qerthullohemi nga terri i misterit, vetëdija njerëzore i drejtohet për ndihma Perëndisë, kur mendja s’na jep dot një zgjidhje, sado ta shtrydhim e të ndezim vrullshëm vatrat e përfytyrimit. Të pështjelluar me pelenat e shpresës së thyer të mosnjohjes së misterit, i lutemi Zotit me përgjërim, të na dërgojë një rreze drite, që të shohim përmes tunelit të errësirës, atë që presim të ndodhë…!
Por në jetë rastis të përballesh me një kthesë të tmerrshme befasuese, që neve s’na ka shkuar kurrë ndërmend, e cila bëhet strumbullari përcaktues i fatit. Diçka e tillë më ndodhi mua pas ndërprerjes të studimeve në universitetin me famë botërore të Moskës, dhe kthimit në Shqipëri: pikërisht kur prisja të korrja frytin e punës, me syrgjynosën familjarisht në kasollen e lopës, në fshatin Ardenicë të Lushnjes!
(Edhe pse për shumë lexues, ky kapërcim përqaset me një fantazi, enkas për të gatuar rrëfime te stisura, të ngjashme me aventura se sa me ngjarje të vërteta, ndaj pohimet e mia mund t’u duken trillime, apo sajesa imagjinate për ta bërë tregimin sa më tërheqës e interesant, duke patur parasysh se në morinë e pafund të botimeve, rastisin kësisoj shkrime, ju siguroj se kjo mënyrë të shkruari, nuk bën pjesë në stilin tim, pasi e ndjej si detyrim moral para lexuesit, t’i shtjelloj ngjarjet të pa tjetërsuara, siç kanë ndodhur realisht, pavarësisht pse shpesh marrin ngjyrime e nuanca mosbesuese.
Për tregimin, që po lexoni, s’ka vend as për hamendësime tronditëse e, as për habi qiellore, duke patur parasysh se përshkruhen ngjarje të kohës së paradokseve të çuditshme, kur Diktatorit Enver Hoxha, i qe’ mbushur mendja, se galaktika rrotullohet rreth tij, dhe kudo në botë, e shohin si Diell!
Pikërisht kjo paranojë propagandohej e përhapej me bujë marramendëse në letërsinë e realizmit socialist, përmes vargjeve të poemave apokaliptike: bëhej një garë e ethshme ambicioze ndërmjet poetëve e shkrimtarëve të elitës, për të tërhequr sa më shumë vëmendjen e “Diellit”!… Në terrin e thellësisë të vetëdijes së “Zeusit”, lëvrinte pa reshtur krimbi i urrejtjes patologjike, për intelektualët me bindje demokratike perëndimore: këtyre u mbyllej goja vetëm duke i trembur dhe ndrydhur në zhguallin e vetmisë. Nën shembullin e vëllait të madh kinez, “fshati të rrethojë qytetin”, Enveri spastroi Byronë Politike, Qeverinë, Komitetin Qendror të Partisë, nga “ngatërrestarët e pandreqshëm”!
Ngjiti në skenën politike fundërrinat e shoqërisë shqiptare: (Rritësen pulave të detit, me katër klasë shkollë nate! Sharrëxhiun e pyjeve! E të tjerë mostra kësisoj! Madje u dha këtyre role kyçe, deri në majën më të lartë të Piramidës, me synim t’ua bënte me të skëterrshme trysninë pjesës tjetër të Byrosë Politike e Qeverisë, para se gjithash kryeministrit e disa ministrave, për ta patur më të lehte t’i shpallte “armiq dhe poli-agjent!” në të ardhmen!)
(Pas kësaj ndërhyrjeje të domosdoshme, për të freskuar kujtesën, që të keni parasysh kohën reale kur shtjellohen ngjarjet, po vazhdoj më tej tregimin e ndërprerë):
Gjatë pushimeve, ndërmjet provave, mes shokëve e shoqeve nisnin bashkëbisedime të ndryshme, që shoqëroheshin me humor. Ndërmjet tyre, unë isha më i heshturi: vetëm dëgjoja dhe buzëqeshja. E njihnim kaq mirë njeri-tjetrin, sa na dukej sikur ishim pjesëtarët e një familjeje! Ndaj dhe nuk zemëroheshim kur tejkalohej pak masa e humorit, si në rastin kur Faslliu i tha krejt befas një pjesëtari të grupit: “sa vjeç të ka ardhur goja”?
(Sepse ky fliste kaq shpejt gjatë provës, nga frika mos harronte tekstin, sa i kafshonte fjalët dhe këto dilnin të cunguara!). Edhe pse atë çast të gjithë qeshëm nga ky humor i befshëm, e ndjemë të domosdoshme të ndërhyjmë për të mos e lënë shokun tonë të fyer: i thamë se; “kafshimi i fjalëve”, u ndodh dhe aktorëve me përvoje, e jo pastaj amatorëve. Për ta vazhduar më tej humorin, Todi, si mësues i gjuhës shqipe, qëmtonte të përcaktonte kryefjalën dhe kallëzuesin në çdo shprehje, kur shqiptohej e parregullt.
Dhe sidomos i pëlqente të ngacmonte regjisorin e trupës. Madje në disa raste, e nxehte kaq shumë, sa e bënte për hekura, duke e detyruar të dilte jashtë. Por ne, të mësuar me këto ngacmime, nuk shqetësoheshim aspak për largimin e regjisorit, sepse i vazhdonim vetë provat, pa praninë e tij. Dhe për hir të së vërtetës, gjatë kësaj kohe, ecuria ishte e mbarë, nga që mungonin fërkimet dhe gërricjet.
Nuk e di kush nga shokët hodhi mendimin që, përveç interpretimit të rolit, të kryeja dhe detyrën e grimiorit, kur këtë mund ta përmbushte fare mirë Faslliu, si piktor me Lice Artistik! Megjithatë nuk e kundërshtova, pasi e kisha provuar një herë veten në teatrin e fëmijëve dhe nuk dola keq. E përmenda këtë hollësi, pasi kjo aftësi u bë zanafilla e afrimit me bashkëshorten time të ardhshme, Arqilinin.
Në fakt, njiheshim me njëri-tjetrin që në fëmijëri, kur shkonim nëpër fshatra, për të dhënë shfaqje bashkë me grupin e rritur të Shtëpisë Kulturës. Ajo ishte më e vogla, me trup të ngjeshur: bënte ushtrime të ndryshme akrobatike e cirku. Por duke qenë se banonim në lagje të ndryshme e, nuk mësonim në të njëjtën shkollë, njohja e fëmijërisë deri këtu shkoi. Kujt ia merrte mendja, se rasti do ta sillte të shihemi e të afrohemi me njëri-tjetrin në moshën rinore, unë 25 vjeç e ajo 23, në grupin amator të teatrit?!…
Kur po i bëja grimin Arqilinit, në një qoshe të veçuar, (ajo lozte rolin e nënës aristokrate, ndaj kërkohej kohë e gjatë për grimin e saj), as vetë nuk e kuptuam në fillim, pse vështrimet e heshtura mbetën të ngërthyera mbi ninëzat e syve tanë, dhe filluan të shkëmbenin mesazhe drithëruese, që me fjalë nuk shpreheshin dot. Në mënyrë të pavetëdijshme u vunë në lëvizje të vrullshme shtysat e brendshme, dhe një energji e jashtëzakonshme ndjesie, tejçoi trurin, zemrën, trupin tonë, e cila ngjizi krejt befas lidhjen e parë shpirtërore, të brishtë e të pambrojtur, që nuk dihej si do përfundonte!
Them të brishtë e të pambrojtur, sepse pavarësisht pse fati e solli të futesha në grupin e teatrit amator, kjo kohë do mbaronte shpejt, pas konkurrimit, dhe pastaj vetvetiu do ndaheshim e, s’do shiheshim më. Por edhe sikur te takoheshim fare rastësisht, kur te vija tek motra e madhe, e shumta mund te shkëmbenim një përshëndetje e te kujtonim disa shaka nga provat.
Sigurisht, mua më takonte të tregohesha mjaft i përmbajtur, të mos i shfaqja ndjesitë e mia, duke patur parasysh realitetin e rënduar të luftës së klasave, pasi një ngacmim fare i vogël, mund të sillte pasoja të hidhura. E vura veten në vendin e saj. Përfytyrova trysnitë e fuqishme të prindërve, motrës së martuar, vëllait të madh, farefisit.
Kuptohej qartë se, të gjithë janë kundër kësaj lidhje, edhe pse s’kanë asgjë kundër meje në drejtim të familjes, sjelljes, karakterit, arsimimit, paraqitjes, duke patur parasysh që logjika normale njerëzore, sheh në fillim si parësore kushtet e jetesës dhe mundësitë e të ardhmes. Kur këto, jo vetëm nuk janë premtuese, përkundrazi sjellin e mbjellin pasiguri, vetvetiu kundërshtitë marrin trajta e forma të egërsuara.
Duke i analizuar të gjitha shkaqet dhe pasojat, arrita në përfundimin e padëshiruar, se kuçedra e luftës së klasave, s’do ta lejonte afrimin tonë. Prandaj për të mos i thelluar e trashur më tej marrëdhëniet tona të heshtura, na takonte parasëgjithash, të kalitnim durimin, me shpresë mos ndoshta gjendej një zgjidhje e ndërmjetme, (njësoj sikur të shpresosh mos bien simite nga qielli!). Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016