Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e njëzetë e dy
Memorie.al /Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Në këtë fole të Sigurimit të Shtetit, pat ardhur për një vizitë të shkurtër vetë ministri i Brendshëm, i cili atë ditë në aneksin e Hotel Turizmit të Fierit, kishte shtruar si alternativë: ose prano e firmos këtë dokument të veprimtarisë armiqësore dhe të lirojmë e të shkosh i lirë në shtëpi tek fëmijët e gruaja jote, sepse do ta falim, meqenëse je prej një familje të mirë, ose po nuk firmose, ne do të arrestojmë qysh tani, e do të të çojmë në burg për këto mendime që ke shfaqur! Zgjidh e merr!
– Dokumentin që do të firmosësh, – i pat shpjeguar Hekuran Isaj, – ne e duam që ta kemi si një paralajmërim për ty. Që të mos flasësh më kështu, në kundërshtim me orientimet e Partisë! Në fakt kjo ishte një gënjeshtër e thatë, një hile për të krijuar
artificialisht një dokument, një fill me të cilin më vonë ata do të shtjellonin “turrën e madhe”, për skenarin e ndyrë e të turpshëm, që udhëheqja e partisë, kishte ndërtuar për qëllimet e saj të ulëta kundër grupit tonë.
Gjatë këtyre pesë ditëve që mbahej në arrest, familja nuk dinte asgjë se ku gjendej Mynyri. Njerëzit kishin vajtur disa herë në ministri, për të pyetur se ku ndodhej ai dhe përse nuk i kish marrë në telefon. A mos vallë ishte i sëmurë? Në ministrinë e Gjeologji-Minierave, u ishin përgjigjur se nuk e dinin fare se ku ishte punonjësi i tyre, Mynyr Arapi. Ai më tregoi në burg se, në fund të fundit, i ndodhur para këtij terrori, para këtij ultimatumi, atij i qe dukur më e drejtë, të firmoste dokumentin e gënjeshtërt dhe të kthehej i lirë në familje e në punë.
Më pas ai shpresonte, se do ta sqaronte me udhëheqjen e shtetit, këtë ngatërresë.
Këtë peripeci tragjike, kur unë e takova në rrugën afër ministrisë, Mynyri e kishte kaluar. Atë në ato ditë e mbante shpresa, se ministri Brendshëm, nuk e kish gënjyer, meqenëse i ishte betuar me nderin e tij, se më tej, nuk do t’i bënin gjë. Gënjeshtrat, pabesia dhe cinizëm i këtyre njerëzve, nuk kishte kufi. Ata ishin rritur bashkë me gënjeshtrën dhe gënjeshtra ishte rritur bashkë me ta.
Më vonë, kur Mynyri më tregonte se me cilët kishte biseduar për shterpësitë e naftës, e kur ne hamendësonim se kush mund t’i kish nxjerrë fjalët e tij, më shumë më çuditi fakti, se njëri prej tyre, ishte inxhinier seizmik, i ati i të cilit, kishte qenë në burg si ballist. Prandaj operativi i Sigurimit të Institutit dhe i ndërmarrjes seizmike, shpesh na thoshte neve, se atë inxhinier Tomorin, do ta hiqnin nga ndërmarrja gjeofizike, për arsye biografie dhe për më tepër, se nuk punonte si duhej. I gënjente mendja se pas kësaj, ne do t’i besonim më shumë e do të flisnim me të, për temat delikate.
Bile unë disa herë e pata mbrojtur inxhinierin, sepse si specialist, ai ishte i mirë, tregohej me të gjithë shumë i shoqërueshëm, bënte humor dhe aktivizohej mjaft në temat studimore. Njeriu e ka vështirë që të ruhet nga të gjithë, e të dyshojë për të gjithë. Kohët e fundit, sa herë që Mynyri vinte me shërbim në Fier, ky e fonte të vinte në shtëpinë e tij, për të fjetur, sepse familjen e kishte të zhvendosur në Tiranë. Kuptohet se në shtëpi bënin lloj-lloj bisedash teknike, për problemet e kërkimeve. Ai, me sa dukej, përgatitej me kujdes për pyetjet që do t’i drejtonte mysafirit, që të bëhej i mundur, kombinimi nëpër shirita. E këto të gjitha inçizoheshin prej tij, në magnetofon specialë.
Edhe unë e lidha emrin e tij me një ngjarje që më kish ndodhur krejt pa pritur, para arrestimit tim. Po punonim në një temë studimi të përbashkët, ku, tani kuptohet se ai qe futur për të nxjerrë lëndën, që desh Dega e Punëve të Brendshme. Ishin ne orët e vona të natës dhe në përplasje mendimesh teknike, ai u shty në konflikt dhe më rëndoi me ca fjalë, që nuk i kisha dëgjuar në adresë time, as prej tij dhe as prej kurrkujt tjetër. Gjendja ime shpirtërore në ato ditë ishte tepër anormale, kështu që durimi im mbaroi dhe iu vërsula për ta goditur rëndë, dhe arrita ta bëja këtë disa here, se kisha një fizik të fortë nga një rini e shëndetshme. Kolegët e tjerë hynë në mes dhe ma hoqën nga duart.
Kjo ngjarje nuk do të ndodhte kurrë me natyrën plot edukatë, me maturinë dhe sidomos me moshën që kisha unë. Por, siç thashë, nervat e mia nuk mbanin më dhe ai këtë e dinte mirë. Jam i bindur se e bëri këtë provokim, me qëllim të caktuar. Po shihnim se shumë e më shumë njerëz, pavarësisht nga lartësia kulturore, rekrutoheshin fare lehtë, në punët e fëlliqura të Sigurimit enverian. Rekrutët pajtoheshin kollaj me ndërgjegjen e tyre dhe e dëmtonin të afërmin, me shpifjet që ishin lënda e parë e policisë sekrete, për të rregulluar mirëqenien e tyre.
Është e kuptueshme se në disa raste, Sigurimi i detyronte ata të bëheshin të tillë, me mjete presioni, por shpesh herë, karakteret e këtyre njerëzve, ia lehtësonin punën Sigurimit. Sistemi i Enver Hoxhës, i prishi virtytet e popullit tonë. Kishin kaluar vetëm disa ditë nga biseda me ministrin në Tiranë, kur ia behu ngjarja që pritej t’i ndodhte Mynyrit. Kjo ndodhi në sallën e kinemasë famëkeqe të Patosit, ku tashmë isha i prirur të mos besoja, të ishte shfaqur ndonjëherë ndonjë film.
Më njoftuan edhe mua të shkoja atje.
Në orën e caktuar, pasi salla ishte e mbushur dingas me naftëtarë, në presidium zunë vend të deleguar nga kryeqyteti, ministri i Gjeologji-Minierave, drejtues të partisë në rreth dhe njerëz nga ministria e Punëve të Brendshme. Personi që hapi mbledhjen tha shkurt se; në naftë, ne vazhdonim të kishim armiq, të cilët luftonin kundër orientimeve të Partisë, e mësimeve që na pat lënë shoku Enver për naftën. Njeri nga këta, tha ai, ishte Mynyr Arapi.
Dukej sikur çdo gjë ishte përgatitur me kujdes. U ftua menjëherë të ngrihej Mynyri, të lexonte autokritikën e tij. Ai u ngrit, nxori letrën tashmë të përgatitur dhe filloi të godiste veten. Të gjithë dëgjonin në një heshtje të thellë. Menjëherë mua m’u kujtua porosia e ministrit të Brendshëm dhe vura veshin të dëgjoja me kujdes, se ku qëndronte veprimtaria armiqësore e Mynyr Arapit. Ai nuk kishte asgjë tjetër armiqësore, përveçse në disa biseda me kolegët, kishte thënë qe vendi ynë nuk kish perspektivë të mirë për naftë dhe gaz. Ai paskej thënë, se; “ne nuk kemi struktura të mjaftueshme për kërkim”, se; “në Durrës nuk ka gaz”, e të tjera opinione të tilla me karakter gjeologjik. Tek po i dëgjoja, unë çuditesha se si mund t’i kish thënë Mynyri këto gjëra.
Ne takoheshim shpesh here, jo vetëm në konsulta, por edhe në mbledhje të specialistëve dhe asnjëherë nuk kishte shfaqur mendime të tilla, kaq skeptike, për kërkimet e naftës në vendin tonë. Jo se ato nuk ishin të vërteta, por së paku unë isha i bindur, që ai e dinte rrezikun e shfaqjes së opinioneve të tilla, sidomos pas tërë atyre shtrëngatave. Por kur dëgjoja që në këto fjalë autokritike, ku dënonte veten e tij si armik, ishte vetë Mynyri, natyrisht nuk kisha se si të mos i besoja, se i kish thënë ato marrëzi. Kjo vinte nga që unë atëhere, nuk dija për paraburgimin e tij në aneksin e Hotel Turizmit, nuk njihja praktika të prapaskenave që përdorte Sigurimi i Shtetit, për t’i detyruar njerëzit, të pranonin publikisht gjëra që kurrë nuk i kishin bërë, apo menduar në jetën e tyre. Punët e pista të Sigurimit, askush nuk kishte kurajon ti tregonte.
Një gjë duhet thënë ama, që unë inatin e kisha me Mynyrin, për papjekurinë me të cilën i kish shfaqur ato opinione, në veshë të pabesë, pa sa për perspektivën e pakët të territorit tonë, në atë kohë ai kishte plotësisht të drejtë. Ajo ishte diçka reale. Vetë jeta në vitet e mëvonshme, deri në kohën e tanishme, po tregon saktësinë e atij parashikimi gjeologjik. Realitetin gjeologjik, nuk e ndryshon dot asnjë ideologji. Kështu për-shembull edhe në disertacionin tim për doktoraturën, kam bërë parashikime, për pak struktura të mundshme që mund të ekzistonin në det dhe këtë me logjikën e ligjësive gjeologjike, sepse ne nuk kishim seizmikë detare, për të studiuar atje.
Dhe për perspektivën e kësaj zone, unë flisja me rezeva, por pa e mohuar atë, se edhe të desha ta pranoj nuk mund ta shkruaja. Dhe praktika e kërkimeve në det nga kompanitë e huaja, deri tani nuk ka përfunduar pozitivisht. Po të thuhej hapur ky mendim, a nuk ishte në dobi të ekonomisë, shmangia e shpenzime të mëdha? A nuk do të ishte më kriminale dhe antiekonomike, harxhimi i pamatur i vlerave të mëdha financiare, e të mos merrnim asgjë? Pra, a e kuptojnë ata byroistë që jetojnë akoma, se sa krim të madh kanë bërë, duke na kufizuar, apo më saktë na kanë ndaluar atëhere, për të thënë të vërtetën lakuriqe, për të shprehur mendimin gjeologjik, ashtu si e ndjenim e këto të debatoheshin lirisht?
Cilët pra, pyes edhe njëherë, ishin armiqtë e vërtetë të atij vendi, ata specialistë që me njohuritë e tyre, me intelektin e tyre vlerësonin saktë vlerën e perspektivës nëntokësore, apo udhëheqja e partisë, që me mendje ngushtësinë e saj, me injorancën në fushën e teknikës, preferonte sloganët e vinte tërë forcat, që ata sloganë të bëheshin tabu?! Këto ishin disa nga pikat e akt-akuzës, që duhej të kishte gjyqi i tyre në periudhën e demokracisë dhe jo shpenzimet e bllokut, prej disa dhjetëra mijë dollarësh qesharakë. Me përfundimin e autokritikës së tij, nga salla u kërkua që Mynyr Arapi, të arrestohej, por drejtuesi kryesor i mbledhjes, tha se partia ishte zemërgjerë dhe nuk do ta fuste Mynyr Arapin në burg. Ajo do ta linte atë, të punonte e ta shlyente fajin me punë të pakursyer.
Të nesërmen, e njëjta mbledhje, me të njëjtët të deleguar, u zhvillua vetëm me punonjësit e Institutit të Naftës. Si ndryshim, ishte se këtu u kërkua të bëheshin diskutime, nga specialistë të Institutit dhe të ndërmarrjes gjeofizike. Presidiumi me ngriti dhe mua, e ashtu siç kisha urdhrin apo porosinë nga ministri Isaj, bëra një diskutim, ku fola nga ana teknike, se vendi ka perspektivë për kërkime nafte e gazi, se nuk kanë përfunduar rezervat e reja, por që kërkojnë një punë studimore më të madhe. Po kështu, mbështetur në dënimin qe i bënte vetvetes Mynyri, natyrisht i dënova dhe unë qëndrimet e tij, ashtu siç bënë dhe të gjithë diskutantët e tjerë. Vetëm më vonë, unë mora vesh planin, pse më thirrën e më porositën që të dënoj; “konceptet armiqësore” të Mynyrit.
Pas disa ditësh, mësuam se Mynyrin e kishin çuar për të punuar si gjeolog, në minierat e zonave veriore dhe nuk kaluan disa javë, kur atë e sollën të arrestuar në burgun e Fierit. Ky ishte “premtimi” solemn, që Partia bëri para naftëtarëve në Patos, se gjeologun nuk do ta arrestonin! Kjo ishte ajo zemërgjerësia e Partisë së Punës së Shqipërisë! Ndaj fëmijëve të tij, nisi persekutimi i zakonshëm, si i të gjithë të dënuarve të tjerë politikë. Filluan shqetësimet e presionet politike ndaj familjes, e të afërmve të tij. Disa u shkarkuan nga përgjegjësitë që kishin, disa u lëvizën në vende të tjera. Krahas vuajtjes morale, filloi dhe shtrëngesa ekonomike se u pakësuan të ardhurat, ndërsa fëmijëve iu mbyllën portat për të studiuar në shkollat e larta.
Ditën e festës së çlirimit, në nëntor 1985, u arrestua inxhinieri gjeofizik, Petrit Sadushi. Disa muaj përpara se të arrestohej ky inxhinier i Institutit të Naftës, pat kaluar çaste të vështira lidhur, me një ngjarje të vjetër. Petriti kishte përvojë të gjatë pune në fushën e studimeve interpretuese gjeofizike. Atë e patën dërguar në Gjermaninë Perëndimore, në vitin 1972, për disa muaj, për t’u përgatitur në përdorimin e një qendre elektronike të përpunimit të materialit seizmik fushor. Kjo qendër ishte e prodhimit amerikan, por e përdorur për shumë kohë në Gjermani, ishte nxjerrë jashtë përdorimit, e vjetruar si teknologji. Meqenëse Petriti kishte studiuar disa vite në Gjermani Lindore dhe e zotëronte mirë gjermanishten, i dha mundësi kolegëve të tjerë, të përvetësonin më lehtë teknikën e përdorimit të kësaj qendre elektronike, ende të sofistikuar.
Me vonesë të madhe, për nevoja që unë i pata shfaqur dhe bile isha ndëshkuar për to në vitin 1969, vetëm tani shtetarët u bindën ta blinin këtë qendër, që megjithëse ishte në gjendje stoku, përsëri për vendin tonë, ishte një mjet i përparuar, shumë i rëndësishëm në fushën e seizmikës. Gjatë qëndrimit në Gjermani, grupi jetoi dhe punoi gjithë kohën, pa u shkëputur nga njeri tjetri. Ata kishin porosi që kudo që të shkonin, me shëtitje, në sport a në kinema, duhej gjithnjë të gjendeshin bashkë. Kjo ishte e zakonshme për çdo grup specialistësh që shkonte jashtë shtetit, qoftë në simpoziume, qoftë për shkëmbim përvoje, qoftë në kongrese ndërkombëtare të teknikës, qoftë për biznes, si dhe në grupet artistike apo sportive.
Shteti ynë nuk kish besim tek njerëzit e vet dhe mendonte se ata mund të rekrutoheshin nga shërbimet sekrete të vendeve perëndimore apo lindore. Sipas gjykimeve stereotipie të shefave të Sigurimit komunist, çdo specialist i huaj i këtyre vendeve, shikohej si spiun dhe të gjithë shtetet, sikur e kishin halë në sy Shqipërinë, për rrezikun që paraqiste vendi i shqiponjave, me sistemin e tij më të përparuarin në botë! E këto ishin klasifikime të bëra nga Shqipëria! Aq sa ishte qesharak ky koncept, ishte dhe tragjik, sepse mjaft specialist, kanë rënë viktimë e këtyre disiplinave të ngurta të daljes jashtë shtetit. Shumica e të huajve, me të cilët kishim punë ne, as nuk e dinin se ku binte Shqipëria, e jo me ta kishin zili vendin, qeveria e të cilit, bukën thatë e kishte objektivin kryesor të planeve pesëvjeçare. Por si t’ia bëje që të bindje udhëheqësit komunistë, të mos frenonin marrjen e përvojës së përparuar, nga shtetet më të zhvilluar të botës?
Pas të vjelit, shumë kohë pas ekspeditës në Gjermani, organizata e partisë e Institutit, ku bënte pjesë Petrit Sadushi, u mblodh dhe me porosi nga lart, kërkoi të sqaronte se ku pat qenë e çfarë pat bërë ai, në një nga ditët gjatë qëndrimit të tij me grupin e specialistëve në Gjermani. Petriti pat qenë larguar vetëm për një gjysëm ore. Por atij iu tha hapur: -Dyshohet se ti mund të jesh takuar me punonjës të shërbimit sekret gjerman!
Megjithëse ai i kundërshtonte në mënyrë të prerë këto hamendje absurde, përsëri ata që e akuzonin, nuk tërhiqeshin nga akuzat e tyre. Dukej se ata ishin porositur mire, për të mbajtur këtë qëndrim ndaj kolegut të tyre, me të cilin me vite të tëra kishin punuar bashkë, kishin pirë kafe ditë për ditë dhe asnjëherë nuk ishin kujtuar për të pyetur, se ç’pat bërë shoku i tyre këtu e trembëdhjetë vjet më parë!
Ai i thirri kujtesës dhe u shpjegoi anëtarëve të organizatës së partisë, se qe larguar nga banesa ku jetonte grupi për në një dyqan fare të afërt, për të blerë disa libra, të cilat ia kishte kërkuar një miku i tij. Ai kujtoi se në atë kohë, nuk kishte në banesë asnjë nga koleget dhe se ai e pat marrë atë nisiativë, duke menduar se dyqani i librave, ishte fare afër e nuk do të ndodhte gjë. Në bazë të propozimit të bërë, organizata e përjashtoi Petrit Sadushin nga Partia. Për çdo njeri që përjashtohej nga Partia, kjo vlerësohej si pushkatim politik dhe këta njerëz, ndiqeshin në çdo hap me një vëzhgim asfiksues.
Kjo ngjarje ishte preludi. U përjashtua nga Partia dhe menjëherë pastaj u krye arrestimit i tij.
Kështu brenda një kohe të shkurtër, u bënë dy inxhinierët naftëtarë, të cilët u burgosën për motive politike. Mbi ta menjëherë ishin zbatuar torturat fizike e psikologjike, që të pranonin akuzën, sipas të cilës ata, ishin pjesëtarë të një grupi të madh sabotatorësh e tradhtarësh, që po vepronin në industrinë e naftës, për të rrëzuar pushtetin popullor, e për të vendosur regjim kapitalist në Shqipëri. Këto akuza imagjinare të Sigurimit të Shtetit, natyrisht nuk u pranuan dhe u hodhën poshtë me neveri. Por terrori i egër i burgut e i hetuesisë famëkeqe, i detyroi këta fatzinj të nënshtrohen.
Nënshtrimin ata e panë si të vetmen rrugë, për të mbrojtur sado pak familjet e tyre, sepse ata e kuptuan që hetuesia, ishte mjaft këmbëngulëse dhe ata në çdo rast, nuk do t’i shpëtonin dot dënimit. Për t’ua bërë më të lehtë pranimin e akuzës, hetuesia u thoshte atyre, se në këtë grup, ata ishin “të vegjlit”, e nuk kishin ndonjë përgjegjësi kushedi se çfarë! –“Prandaj, mos u bëni budallenj! Lërini të tjerët ta marrin plumbin, përse ju?! Ne e dimë se cilët janë drejtuesit tuaj”! “Pse ti, – i thoshin Mynyrit, – nuk pranon që ka edhe të tjerë në grupin tuaj”?!
-“Petraqi ishte kryetar i grupit, nuk e dimë ne? Dhe ai diskutoi e nuk të mbrojti ty, por të dënoi në praninë tënde, ditën që ti bëje autokritikë. Pra – vazhdonin hetuesit, – prano që dhe Petraqi është armik, ju keni bashkëpunuar dhe faji më i madh i mbetet atij si kryetar grupi dhe jo ty. Kështu do t’i tregosh Xhaçkës, se në këtë botë lahen të gjitha! Dhe, kryesorja, shpëton nga plumbi. Ndërsa po vazhdove kështu, e ha ti plumbin”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016