• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, August 24, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Pas marrjes së kështjellës në dorëzim nga Ahmed Evrenozi, kisha u shndërrua xhami garnizoni dhe një minare…”! / Historia e panjohur e kishës-xhami në Rozafat, pengu shekullor i Shkodrës

“Pas marrjes së kështjellës në dorëzim nga Ahmed Evrenozi, kisha u shndërrua xhami garnizoni dhe një minare…”! / Historia e panjohur e kishës-xhami në Rozafat, pengu shekullor i Shkodrës
“Të vramit në kufi, tërhiqeshin zvarrë e kufomat e përgjakuna, vendoseshin në trotuaret e qendrës së qytetit Shkodrës ku, komunistët fanatikë…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik, nga SHBA-ja
“Pas marrjes së kështjellës në dorëzim nga Ahmed Evrenozi, kisha u shndërrua xhami garnizoni dhe një minare…”! / Historia e panjohur e kishës-xhami në Rozafat, pengu shekullor i Shkodrës
“Pas marrjes së kështjellës në dorëzim nga Ahmed Evrenozi, kisha u shndërrua xhami garnizoni dhe një minare…”! / Historia e panjohur e kishës-xhami në Rozafat, pengu shekullor i Shkodrës
“Pas marrjes së kështjellës në dorëzim nga Ahmed Evrenozi, kisha u shndërrua xhami garnizoni dhe një minare…”! / Historia e panjohur e kishës-xhami në Rozafat, pengu shekullor i Shkodrës

Memorie.al / Pak monumente shënjuese i kanë mbetur ende në këmbë Shqipërisë Veriake. Një ndër më të rëndësishmet syresh, është rrënoja e kishës-katedrale të Shkodrës mesjetare. Kjo ngrehinë kulti që atëbotë matej me kishën madhështore të Shën Kollit, e cila qe po në kështjellë e, tash nuk gjendet më, ka qenë ndër më parësoret e qytetit, ngase i qe blatuar Shën Shtjefnit (Sanctus Stephanus), Pajtorit të Shkodrës. Duke qenë e vetmja kishë që ka mundur të mbërrijë nga Mesjeta e këtij qyteti, Shën Stefani, lyp përkujdesjen që i takon, për ta shpëtuar e për ta nxjerrë në dritë, mu si dokument unikal mesjetar i Shkodrës, në gjininë e vet arkitekturore.

Në një kohë me rëndësi për ekzistencën tonë, Shkodra shërbeu si kryeqendër e Mbretërisë Ardiane dhe u përjetësua ndër kronika greko-latine me qëndresën e mbrame, por të pa selitur mirë të Gentit në shekullin e II-të p.e.s. Rëndësia e kësaj qendre nuk u bor, as nën pushtimin romak, aty nga fundi i shekullit të I-rë e.s., periudhë ku për-shfaqet si koloni romake, e quajtur Colonia Claudia Augusta.

Kolonia shtrihej në këmbë të kështjellës ilire, në fushën ndanë Bunës (Barbanes), mu aty ku do të ngrihej më pas kështjella bizantine. Sikundër ka ngjarë rëndom në qytetet evropiane me bazë romake, të cilat e kanë trashëguar strukturën urbane prej in-sulave të dikurshme, edhe kjo koloni shërbeu si bërthamë e qytetit pas-mesjetar. Mjerisht, kjo pjesë e qytetit ka pësuar rrënime disaduarshe, fillimisht prej dyndjeve gjermane e, më pas prej luftërave dinastike shqiptaro-serbe, dërqysh iu fshinë edhe gjurmët e fundit nën sundimin osman.

Krishterimi pat zënë rrënjë në bregun e Adriatikut qysh në shekullin e I-rë e.s. dhe, duke iu mbajtur asaj që shkruan Shën Pali, i cili kish predikuar deri në Ilirik – pra në gjithë Shqipërinë tonë, që asokohe qe pjesë e Provincës Romake të Maqedonisë – ndikimi i këtij besimi ka depërtuar në gjendjen e këtij qyteti, ku e ku më parë se ushtarët ilirë të Justinianit të ktheheshin nga fushata siriane, duke sjellë me vete kultin e ndezur për Sergjin dhe Bahun.

Gjithashtu mund të lexoni

“Në një pritjen e dhënë nga komunistët rumunë, kur Hrushovi i mori shokët e tij të vjetër për krahu, për të bërë një bisedë me ta, u afrua dhe Mehmet Shehu, por atij…”/ Incidenti i panjohur në OKB, në vitin 1960

“Faiku shton: por kur quajm vjershëtor të madh, Naim Frashërin, një bërës toto e tatatash, ç‘fjalë do të mbetet për një Gjergj Fishtë…”?! / Polemika e Nonda Bulkës me Faik Konicën, gusht 1937

Krahina e Shkodrës e më tej zonat rrotull liqenit apo Pellgut Labeat, në rrjedhë të shekujve kanë pasur idiomën e vet gjuhësore, atë labeatike, me rrënjë në ilirikishte porse thuaj të latinizuar aty nga Mesjeta e Hershme. Po ashtu kanë sendërtuar një qytetërim origjinal gjithnjë në skaje perandorish, që këmbeheshin e sakaq linin shenjat e tyre të dukshme në territor (bizantine, herule, karolingje, bullgare, serbe, arbanore, venedikase a osmane).

Për sa temë e patrajtuar deri më sot, nga gërmimet e dy viteve të fundit, ndërmarrë në nekropolin mesjetar të Lezhës/Elisson nga arkeologia E. Nallbani, janë gjetur gjurme të latinitetit të vrazhdë karoling (n‘atë kohë Karli i Madh në krye të Perandorisë së Shenjtë Romake, mundi t‘u rimarrë bizantinëve Dalmacinë). Ndofta pikërisht te ky substrakt kulturor, duhet kërkuar edhe grishja që ky qytet i lakmuar u bën vetiu, jo vetëm vizitorëve, por krejt banorëve të viseve të tjera shqiptare.

Pavarësisht debatit se deri ku predikoi Sh‘Pali (për koincidencë simbolike, ai qe dhe njëri ndër ekzekutorët e Shën Shtjefnit) – debat në të cilin s‘ka pse të lihet në terr fakti, që Iliriku fillonte pikërisht në krahinën e Labeatisë, ngase pjesa tjetër e Shqipërisë së sotme në atë kohë, quhej Maqedoni – nderimi për shenjtorin e parë të krishterimit këtu ishte parësor edhe duke u krahasuar me kultin për shenjtët Sergj e Bah.

Aq i madh qe nderimi për të, sa ky shenjt u zgjodh Pajtor i Shkodrës. Këtë epërsi, komuniteti i qytetit, shekuj me pas, e sanksionoi edhe në dispozitat e fundit të Statutit Mesjetar të Shkodrës, ku shkruhet se nëse dikush: “vepron në kundërshtim me to (dispozitat e Statutit), mbi të dhe trashëgimtarët e tij le të bjerë mallkimi i Zotit, i virgjëreshës Mari, i 12 Apostujve dhe i pajtorit tonë Shën Shtjefën, si dhe i martirëve Shën Sergj e Shën Baft”. Si të mos mjaftohej me kaq, komuniteti e sanksionoi përzgjedhjen e vet edhe në kohën e ndërtimit të katedrales, duke prerë monedha prej argjendi në Shkodër, vjeti 1321-1322, në anën e pasme të të cilave shkruhej “S. Stefanus di Scutari”.

Kush ishte Shën Shtjefni?

Nga hagjografia zyrtare, ai konsiderohet martiri i parë i krishterimit – protomartir. Natyrisht ç‘ka mbërrirë deri në ditët tona nga jeta e tij, është pështjellë me shumë legjendë dhe me pak lëndë vërtetësie, por mbetet gjithsesi një rrëfim interesant.

Është mallëngjyese çka dëftohet mbi shfaqjen e Shtjefnit (Stephanus-Stefan). Mes barinjve që rendën të adhuronin lindjen e Krishtit, kishte edhe gra, të cilat morën secila ferishtet me vete, për t‘ia vënë pranë kësaj krijese hyjnore. Tekla, një nuse e re pa fëmijë, për të mos u veçuar nga gratë e tjera, mori një gur të madh, e pështolli me shall dhe e mbajti në krahë si foshnjë të porsalindur. Kur pa Jezusin, ferishte e vogël e plot dritë, ra në gjunjë dhe zu të ngashërehej me dënesje.

Si e mblodhi veten e u ngrit sërish më këmbë, Maria që e pat kuptuar kinsen e zorshme të saj, e pyeti se ç‘mbante në krah. E zënë ligsht, gruaja u gjegj se mëkonte një djalë e, atëherë Ama e Krishtit i tha: “Jepi gji tash birit tënd, se dëshira jote u përmbush”! Gruaja shpështolli shallin që mbulonte gurin dhe u shtang. Mrekullia i kish falur vërtet një djalë. “Por mbaj vesh – i tha Maria – se ky, nga guri ka lindur e, prej gurit ka me mbaru”.

U quajt Shtjefën dhe qe i pari që dha jetën për përhapjen e Ungjillit. Për këtë arsye krishterimi e njeh si protomartir, duke ia kremtuar festën liturgjike të shenjtëve më 26 dhjetor, pra fill pas Krishtlindjeve / Kërshëndellave. Devocioni i tij dhe më pas martirizimi dëshmohen në Aktet e Apostujve. Shën Shtjefni u akuzua aty nga viti 33 e.s., para Sinedrit (Gjykatës së Lartë të Izraelit) për fyerje ndaj ligjit të shenjtë dhe u dënua të vritej me gurë. Mes turmës që e rrëshante për ta vrarë, ndodhej dhe Sauli – Shën Pali i ardhshëm.

Dëshmohet gjithashtu, se me 415 e.s., një prift i quajtur Luçian, diftonte se kish gjetur kurmin e Shtjefnit pranë Rruzalemit / Jeruzalemit. Shtysë për t‘ia gjetur vendvarrimin, ish bërë bash një ëndërr, që ai kish parë. Reliktet u shpunë në Kostandinopojë dhe legjenda e tyre u përhap flur në botën greko-latine edhe për faktin se u spekulua shpesh me një sasi reliktesh, qe s‘kish gjasë të ishin të gjitha origjinale. Por në mos tjetër, kjo ndikoi edhe në shpërhapjen e pashoqe të kultit të tij për nga pikëpamja gjeografike.

Konteksti historiko-religjioz

Rëndësia e shpëtimit të kësaj rrënoje mbetet primordiale për historinë e Shkodrës dhe të Shqipërisë. Kjo kishë, dikur bazilikë, ka qenë bërthama rreth së cilës u zhvillua qendra mesjetare brenda kalasë, pra bërthama kompozicionale e qytetit, bri rrugës kryesore që përshkonte kështjellën-qytet e, që lidhte Portën Hyrëse me banesën e fortifikuar të Kontit-Kapiten (kapitenerinë).

Sikundër shumë kisha të tjera, që iu blatuar Shën Shtjefnit në Evropë, u ngritën mbi rrënojat e kishave më të hershme, edhe kjo, pas gjasash, është ngritur mbi themele ende më të vjetra. Kështu ka ndodhur me Kishën e Shirqit (shih Isambert), por edhe me atë të Zojs‘ Kshillit‘ Mirë, në themelet e së cilës me 1921, u gjetën pjesë mozaiku të bazilikës së dikurshme.

Më 1248, për të ndalur orthodoksizimin e Ballkanit, Papa Inocenti IV, kish dërguar kryepeshkop në Tivar mikun e tij, françeskanin Carpini (Ioannes de Plano Carpini). Ky kish qenë ambasador i besuar i tij dhe rezultoi i plotsukseshëm në misionin me rrezik koke, pranë perandorit mongol Kuiuk. Mbas këtij emërimi Albania/Rabana, u bë qendra e veprimit të kundër orthodoksizimit në Ballkan. Carpini me politikën e tij solli për herë të parë në këto vise, misionarët françeskanë dhe domenikanë, të cilët zëvendësuan benediktinët.

Duke parë dendësimin e madh të qytetit brenda mureve dhe ndofta mospërmbushjen e funksioneve nga kishat ekzistuese t‘atyshme, Helena e Rashës në vitin 1288, i çeli rrugë ndërtimit të Kishës së Shën Kollit. Risia që solli ky ndërtim, nuk ishte vetëm stili novator i ndërtimit, por dhe fakti se ai i përkiste Urdhrit të Françeskanëve, çka duhet të ketë qenë kërkesë e lëtinëve dhe shqiptarëve të qytetit, të cilët sipas të dhënave historike, ndodheshin nën një trysni të fortë të ortodoksisë monarkike serbe. Sikundër citohet shpesh, Lenë Anzhuinja, me devocionin dhe origjinën e saj, qe një garanci e fortë për qëndresën antiorthodokse të shqiptarëve në rajon.

Përkujdesja e frënges Helenë për urdhrat skamnore të françeskanëve e domenikanëve, i kish rrënjët në katolicizmin fanatik frëng. Ky fakt ka shumë rendësi, pse sipas studiuesve, ende në vjetin ‘300, popullata në Shqipëri u përkiste dy besimeve: ortodokse dhe katolike. Nga besimi ortodoks në Durrës, mbisundonte riti grek; ndërsa në provincat e Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, ushtrohej feja katolike e ritit sllav.

Ky ndërlikim rridhte prej bashkëjetesës së vështirë shqiptaro-sllave, lëkundjeve të mbretërve serbë mes katolicizmit dhe ortodoksisë, por dhe motiveve historiko-gjeografike që bregdetin Adriatik, e kishin lidhur gjithnjë me Perëndimin. Sa për kujtesë, me 1274-ën, në Konçilin e Lionit u pat shpallur bashkimi i dy kishave, në bazë të të cilit Bizanti i premtoi bindje Selisë së Shenjtë Romane.

Më 1290-n Helena rindërtoi nga themelet Kishën e Shirqit, duke sjellë aty dominikanët e duke bërë kësisoj që ky manastir, të shndërrohej në qendrën më të rëndësishme të abacive dominikane në Shqipëri (Å ufflay). Një vit më pas, Papa Nikollë IV, e lëvdoi katoliken Helenë, e cila i bënte me dije se do të kujdesej për të kthyer kah katolicizmi, jo vetëm mbretin serb, por edhe vetë Carin Bullgar.

Kisha-katedrale, xhamia, depoja e barutit

Devocioni fetar për Shën Shtjefnin kish marrë hov të fuqishëm në shekillin XII-të, (për saktësi në vjetin 1110), pas grabitjes së relikuarit të tij në Kostandinopojë, nga ana e priorit venedikas Pietro. Relikuari u çua në Venecia dhe u vendos në kishën San Giorgio Maggiore, ku u bë menjëherë motiv pelegrinazhi për besimtarë nga e gjithë Europa. Dhe jo vetëm Venecia, por krejt kishat blatuar shenjtorit, u bënë qendra të një pelegrinazhi të vijuar.

Helena e Rashës vdiq e u varros në kishën e Shën Kollit në Shkodër. Pesë vjet më pas aty nga vjeti 1319, duket se ka përfunduar edhe Kisha-Katedrale e Shën Shtjefnit, duke marrë pamjen e konstruksionit që shihet ende sot. Si e dhënë për të datuar përfundimin e punimeve, shërben një dokument i atij viti, në të cilin njoftohet se kleriku shkodran Andra, dërgoi tre karpentierë nga Raguza, për të përfunduar mbulesën e koreve. Edhe kjo kishë, si ajo e Shën Kollit, paraqitet në një stil romaniko-gotik, tashmë të përhapur në territorin e Dalmacisë dhe Shqipërisë së Veriut.

Më e vogël në mas shtab, për shkak të ngushticës së truallit në kështjellën e mbipopulluar, kisha përmbante të gjitha kanonet arkitekturore të stilit dalmatin romaniko-gotik, i cili kish kohë që ndikohej nga arkitektura italiane. Sikundër Kisha e Shirqit u projektua nga Pjetër Dokne Scutarensis, apo do vite më pas Manastiri i famshëm i Deçanit, u projektua nga një kryemjeshtër i cili “fu un albanese, certo Mikele di Antivari”, edhe kisha e Shën Shtjefnit, duhet të ketë qenë një stil i ndërmjemë i këtyre dy kishave shembullore. Ndërsa përsa i përket tipologjisë planimetrike, tipike e Urdhrave Skamnorë të Perëndimit, ngjason më tepër me Kishën e Çetës pranë Kavajës.

Mbuluar me qemer të kryqëzuar, harqe me majë (ogjivale) të tipit gotik dhe nervatura modeluar sipas romanikut të vonë, kjo kishë, për aq informacion sa përcjell, duket se ngjasonte edhe me gotikun venedikas, i cili po përhapej në bregun lindor të Adriatikut. Sikundër shumë kisha e kapela të shpërhapura nëpër Shqipërinë Dalmate, edhe Shën Shtjefni ruajti absiden të drejtuar nga Lindja, duke respektuar traditën që zinte fill nga krishterimi i parë e, që duke iu referuar Shën Thanasit të shekullit IV-të, “apostolos jussisse ut ecclesiae christianorum orientem spectarent”.

Sa i përket aspektit dekorativ, që në fillim të shekullit IX-të në Dalmacinë Jugore, ishte formuar një shkollë skulpture benediktine që vepronte në Raguze, Kotorr e Ulqin, ndërsa për sa i përket zbukurimit të interiereve, kishat zbukuroheshin me afreska shpesh të stilit oriental, me gjasë, nga ana e piktorëve bizantinë të vendosur në Venedik, që kalonin nëpër Arbani.

Do theksuar se në këtë periudhë, piktura perëndimore nuk kishte ende primat mbi atë lindore dhe një fluks i gjallë artistësh, ishte i përfshirë në shkollat lokale të Kostandinopojës, Moravës apo Rashës dhe punonin me porosi të aristokracisë vendase. Kështu, fjala vjen në vitin 1295, piktoret më të mirë të Ballkanit, ngritën së bashku një atelje dhe punonin në Ohër për porosi të fisnikut shqiptar, Progor Skura.

Afresk i epokës së Rilindjes mbi martirizimin e Shtjefnit

Shën Shtjefni i qëndroi bukur e mirë trazirave të luftës civile të viteve 1331, kur rrënohet oborri i mbretërve serbë me pallate shumë të bukura (Å ufflay) në luftën për marrjen e fronit, por edhe revoltës anti-serbe të 1332-shit, kur aristokrati shqiptar Dhimitër Suma, gjithë sipas Argjipeshkvit të Tivarit, drejton “arbanët të shtypur keq nga zgjedha e padurueshme dhe tepër e rëndë e sunduesve të urryer dhe të vështirë sllave”. Pas shumë kohësh, në vitin 1403, kisha-katedrale iu nënshtrua një rikonstruksioni të gjerë me naltimin e çatisë së dëmtuar dhe shtimin e hajatit jugor.

Katedralja e Shën Shtjefnit, me pozicionin e saj është e vetmja ndërtesë shkodrane e mbetur ende në këmbë, që ka ndjerë të shtënat e topave kontinentale të Mehmet Fatihut, që ka parë lavdinë e 1474-ës, përjetësuar në afreskun e gjallë të Paolo Veroneses në Pallatin Venecian të Dogjëve, por dhe heroizmin fatal të 1479-ës. Ka qenë aty, e shndërruar në xhami, dëshmitare e Principatës Autonome të Bushatllinjve në Shtatëqindën, por po aty edhe në 1913-ën, e kthyer në depo baruti, ndofta për të mos e parë atë shqiptar që ia dorëzoi Rozafën malazezeve.

Në fakt, kisha u shndërrua xhami garnizoni menjëherë pas marrjes së kështjellës në dorëzim nga Ahmed Evrenozi. Një minare elegante me tulla iu shtua xhamisë së re, që sipas dikujt, do të mbante emrin e Mehmetit II-të – Pushtuesit (Fatihut), duke u përngjitur me absiden. Në fakt, ky shndërrim vërtet e shpëtoi këtë monument që afërmendsh do ta kish gjetur shortja e tetë kishave të tjera të njohura në Kështjellë të Rozafës. Ndërtesa e ruajti këtë funksion të ri deri në vitet ’30-të të shekullit XIX-të dhe nuk funksionoi më si objekt kulti pas vitit 1863, kur qendra administrative e Shkodrës zbriti nga Kështjella dhe u zhvendos bash në territorin që zë qyteti i sotëm.

Pas këtij viti, ajo u shndërrua në depo baruti, funksion që e pati deri n‘ atë ditë fatale kur shpërtheu për pakujdesi të dizdarit të kalasë. Kështu mbeti rrënojë e kurrkush s‘u kujdes më për të. Ekzistenca e fragmenteve të altarit në brendësi të ish-kishës, është një element i cili ka intriguar shumë studiues dhe të shtyn vetiu drejt formulimit të hipotezës, se interieri mund të mos jetë përdorur kurrë si xhami, pasi në asnjë nga ndërtesat e kultit të krishterë të konvertuara funksionalisht në ndërtesa të kultit muhamedan, nuk haset prania e një altari brenda tyre. Për pasojë, vaktet duhet të jenë falur në fushën para ngrehinës, saku minarja madhështore e ka luajtur fare mirë rolin e saj kumtues.

Aktet e dorëzimit të kështjellës osmanëve dhe kushtet përkatëse nuk janë gjetur kurrë e, askush sot s‘mund të thotë me siguri, nëse venedikasit të kenë vënë ndonjë kusht që garantonte mos rrënimin e asaj ndërtese blatuar Pajtorit të qytetit. Nuk duhet harruar se të krishterët ishin të lirë të qëndronin në qytet edhe pas dorëzimit të tij dhe shumë historianë e kanë vënë gjithnjë në dyshim zbrazjen e plotë të kështjellës nga krejt të krishterët, detyrim që përfshin natyrisht edhe ruajtjen e të paktën një mjedisi liturgjik të vetin.

Dëmtimet e fundit u shkaktuan nga tërmeti i 1905-ës, që rrëzoi ndër të tjera një pjesë të minares, por edhe nga ai i vitit 1979, që dëmtoi kryesisht murin lindor të naosit. Riparimet e pjesshme, por të domosdoshme që ndërmori menjëherë Instituti i Monumenteve në vitin 1980, me qëllim konsolidimin e kësaj rrënoje unike për Shkodrën e para pushtimit osman, mbetën të papërfunduara.

Përpjekja për t‘i restauruar përfundimisht rrënojat e këtij relikti që nuk ka shok në Shqipërinë Veriake, restaurim i cili do nxirrte në pah vlerat e artit romaniko-gotik dhe atij osman për ne, po pengohet nga Myftinia e qytetit të Shkodrës dhe nga verbëria e institucioneve shqiptare, përgjegjëse për monumentet kombëtare. / Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Faiku shton: por kur quajm vjershëtor të madh, Naim Frashërin, një bërës toto e tatatash, ç‘fjalë do të mbetet për një Gjergj Fishtë...”?! / Polemika e Nonda Bulkës me Faik Konicën, gusht 1937

Next Post

“Në një pritjen e dhënë nga komunistët rumunë, kur Hrushovi i mori shokët e tij të vjetër për krahu, për të bërë një bisedë me ta, u afrua dhe Mehmet Shehu, por atij...”/ Incidenti i panjohur në OKB, në vitin 1960

Artikuj të ngjashëm

“Në një pritjen e dhënë nga komunistët rumunë, kur Hrushovi i mori shokët e tij të vjetër për krahu, për të bërë një bisedë me ta, u afrua dhe Mehmet Shehu, por atij…”/ Incidenti i panjohur në OKB, në vitin 1960
Dossier

“Në një pritjen e dhënë nga komunistët rumunë, kur Hrushovi i mori shokët e tij të vjetër për krahu, për të bërë një bisedë me ta, u afrua dhe Mehmet Shehu, por atij…”/ Incidenti i panjohur në OKB, në vitin 1960

August 23, 2025
“Faiku shton: por kur quajm vjershëtor të madh, Naim Frashërin, një bërës toto e tatatash, ç‘fjalë do të mbetet për një Gjergj Fishtë…”?! / Polemika e Nonda Bulkës me Faik Konicën, gusht 1937
Dossier

“Faiku shton: por kur quajm vjershëtor të madh, Naim Frashërin, një bërës toto e tatatash, ç‘fjalë do të mbetet për një Gjergj Fishtë…”?! / Polemika e Nonda Bulkës me Faik Konicën, gusht 1937

August 23, 2025
“Ish-kryeministri Shehu, zyrtarisht u raportua nga Tirana zyrtare, se kishte kryer vetëvrasje në dhjetor 1981, por përflitet shumë se Enver Hoxha…”! / Shkrimi i panjohur i revistës amerikane, prill ‘86
Dossier

“Ish-kryeministri Shehu, zyrtarisht u raportua nga Tirana zyrtare, se kishte kryer vetëvrasje në dhjetor 1981, por përflitet shumë se Enver Hoxha…”! / Shkrimi i panjohur i revistës amerikane, prill ‘86

August 23, 2025
Pamje nga paradat ushtarake të organizuara në Tiranë me pjesëmarrjen e president Ahmet Zogu dhe autoriteteve të kohës në vitet 1926-1927
Dossier

“Anëtar i fisit shqiptar të Matit, i biri i një kreu trashëgimtar të asaj lugine, Ahmet Zogu, ka trashëguar karakteristikat tipike të një politikani ballkanas…”/ Shkrimi i panjohur i revistës amerikane ‘TIME’, 17 prill 1939

August 22, 2025
“Materialet e dërguara nga ju, u studjuan nga zv.ministri Feçor Shehu, i cili miratoi asgjesimin e dokumentëve për antarët dhe kandidatët e partisë, si Ismail Kadare dhe…”! / Dokumenti sekret i janarit 1979
Dossier

“Veprimtaria armiqësore e kulakut nga periudha pas çlirimit e, deri në vitin 1949, do të trajtohet nga shokët: M. Bushati, E. Zeneli e J. Basha, të cilët…”/ Urdhri i zv. ministrit të Brendshëm Feçor Shehu, në 1978-ën

August 22, 2025
“Kush ishte ky njeri, një i persekutuar i burgjeve komuniste, a një dashurues i filozofëve dhe një njohës i pasionuar…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur, për ish-kolegun, deputet e shkrimtar
Dossier

“Ditari i grabitur nga UDB-ja, është dëshmi e dhunës së strukturave të saj me në krye Nikolla Ilievski e Kiro Koshtanov, të cilët…”/ Refleksionet e dhunës ndaj ish-zyrtarit të burgosur si agjent i CIA-s

August 20, 2025
Next Post
“Në një pritjen e dhënë nga komunistët rumunë, kur Hrushovi i mori shokët e tij të vjetër për krahu, për të bërë një bisedë me ta, u afrua dhe Mehmet Shehu, por atij…”/ Incidenti i panjohur në OKB, në vitin 1960

“Në një pritjen e dhënë nga komunistët rumunë, kur Hrushovi i mori shokët e tij të vjetër për krahu, për të bërë një bisedë me ta, u afrua dhe Mehmet Shehu, por atij...”/ Incidenti i panjohur në OKB, në vitin 1960

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme