Nga Lek Pervizi
Memorie.al / Si çdo ditë ropama shurdhuese e çangës, lajmeronte zgjimin e apelin, racionin e bukës, lugicën e supës taralange dhe nisjen për në punë. Ata dilnin nga barakat si milingonat nga galeritë e tyne nëntokësore. Racioni i bukës dhe supa, vlenin si ushqim deri në kthimin nga puna, mbramjën vonë, të raskapitun nga gërmimi i njё kanali faraonik të Lekajt të Kavajës, që duhet të shërbente për tharjen e moçalëve kenetore. Njё punё e stёrmundimshme qё kryhej me forcёn e krahёve tё mija tё burgosunve politikё, qё pёrveç se dёnoheshin me burg, u ngjitej edhe dёnimi me punё tё detyruar.
Poterja metalike e befasishme e çangës, i zgjoi tё burgosunit si tё trembun. Zhurma e lëvizjeve mbushte gjithё barakat, e shoqnueme nga sharjet e fjalë të ndyta të tyre, ndërsa zbrisnin e dilnin nga skelet ku flinin. Mbasi dolёn jashtё, siç ishin gjithё pis e leckamanë, të dobët e të mërzitun, ata u vendosën në rresht sipas barakave, përpara kapterёve që u banin apelin e secilёs barake. Nja dhjetë policë, rrinin aty rreth me armët drejtue nga të burgosunit, të gatshëm me hap zjarr, po t’u jepej urdhën. Nё apelin e baraksё Nr. 3, papritun thirrja e emnave, u ndërpre te emni i Gjergj Pjetrit. Heshtje.
-Gjergj Pjetri…! Gjergj Pjetri…! Paraqitu!
Zani i kapterrit u egërsue. Asnjeri nuk lëvizi nga rreshtat. Kapteri u inatos dhe rojet rrini gati me përdorë armët. Ai dha urdhën përgjegjësit të kazermës që, të shkonte të kërkonte Gjergjin. Ndёrkaq u kujtua se në rreshtat mungonin disa fytyra të tjera. Kapteri i njihte të gjithë të burgosunit të barakës, për të cilën përgjigjej. Ai vendosi të mbarojë apelin dhe pa se mungonin katër të burgosun të tjerë. Në barake nuk kishte njeri. Po kush do kishte guxue të rrinte aty, pa qenë i sëmunë e pa dijeni të tij? U dha alarmi dhe aty erdhi vetë komandanti i kampit, me një grup policësh t’armatosun.
Britma, urdhna, kërcënime. Vendi u mbush me oficerë, kapterё e policë. Komandanti, një trup shkurt, i skuqun nga tёrbimi, bërtiste e jepte urdhna si i çmendun. Të burgosunit, morën urdhën të ktheheshin në barake, e mjerë kush lëvizte prej andej. Policët kishin marrë urdhën të përdornin armët dhe të vrisnin këdo që guxonte të dilte prej barakës ose, tregonte shenja revoltimi.
Lajmi i arratisjes së pesë mirditorëve të barakës Nr. 3, u përhap si vetima në barakat e tjera. Emnat e tyre tashmë njiheshin: Gjergj Pjetri, Ndue Gjini, Zef Përleka, Gjin Uksani e Gjon Kolziu. Ata fituan një kunorë lavdie, ndër të burgosurit. Me u arratisë nga ai kamp ishte pothuaj e pamundshme. Duhej me qenë shumë guximtar e trim, me e ndërmarrë atë ikje dhe aq ma tepër, që të ia dilshe në krye. Ata, ia kishin dalë si heronj të vërtetë. Fati u buzëqesh gjithmonë guximtarëve. Kjo ishte një provë faktike. Mark Doçi, ish-majori ushtrisë, u kthye nga shokët e tij fatkeq dhe u foli:
-“Tashti, miq të mi, na pret ma e keqja… ! Them se kemi me e pague shumë shtrenjtë. Inati i Sigurimit, do të bjeri mbi ne dhe Genci ka me e pësue si bir i Gjeneral Prenk Pervizit dhe mik i tre të arratisunve nga Kurbini: Gjergj Pjetri, Zef Përleka e Ndue Gjini. Ndërsa unë, Doda, Luigji e Prenga, si mirditorë, dhe ish-oficerë, edhe ne do tё pёrfshihemi nё masat tejet drastike qё do tё ndёrmerren kundёr nesh”.
– “Asht vërtet për t’u shqetesue. Nuk na mbetët tjetër veçse me prit kundërmasat dhe me pësue pasojat që kanë me ra mbi ne”, ndërhyni stoikisht Genci. Djalë 28 vjeç, ishte pra bir i Gjeneral Prenk Pervizit, i arratisun jashtë shtetit, që konsiderohej si anmik numër një i regjimit komunist. Genci kishte studiue në Itali nga shkolla fillore deri ne Shkollën e lartё Ushtarake tё Aviacionit. Trup mesatar, por i fortë fizikisht, i dalluem si futbollist, ku kishte lujt në skuadrën e Modenës, në kategori të parë.
Kapitullimi i Italisë, e zuni në Shqipni, ku mbeti dhe ra nën persekutimin e regjimit komunist, që përfshiu gjithë familjen. Ai u arrestue dhe keqtrajtue e torturue e dënue, për pjesëmarrjen e ndihmën e arratisjen e të atit në Greqi, më 1946-ën. Hëngri 10 vjet burg me punë të detyrueshme në kampet e ndryshme, si Maliqi, Vloçishti, Bedeni dhe së fundi Lekaj e Kavajës. Sipas dajës tij, Mark Doçi, shpata Damokleut, varej me kokën e Gencit, sepse ai do të vihej ne shënjestrën e hakmarrjes, për ikjen e pesë të burgosurve.
Të burgosunit qëndruan të mbyllun në barakat për disa orë. Pritej grupi i oficerëve të Ministrisë së Brendshme. Ato erdhën në «Xhip»-sa drejt nga Tirana nën komandën e një koloneli, drejtor i përgjithshëm i burgjeve dhe kampeve të internimit, me disa gaz “Molotovё” plot me policë t’armatosun, që u vendosën rreth barakave dhe veçanërisht rreth barakës të të arratisurve.
Brenda kapanonit, mbretëronte një atmosferë ankthi e frike. Të gjithë burgosurit, ishin të ndërgjegjshëm se hakmarrja e shtetit do të binte kryesisht mbi Gencin e, shokët e tij. Shqiptarët dallohen pikërisht mbi vlerën e familjeve, historikisht të rëndësishme. Genci e përfaqësonte njenën prej tyre. I ati kishte qenë gjeneral e ministër i Mbrojtjes. Ai pra, do t’ishte viktima e caktueme mbi të cilin diktatura do të shfrynte egërsinë e saj. Nga ana tjetër, regjimi nuk ia falte organizimin e arratisjes në Greqi të babës tij. Për të cilin akt, ishte denue 10 vjet burg.
Ndërsa në shoqninë shqiptare, ai akt i guximshëm, kishte krijue admirim për dashurinë e birit ndaj prindit, besnikërinë, forcën e karakterit, guximin dhe cilësi të tjera morale, për të cilat shqiptarët mbahen krenarë. I ndërgjegjshëm përsa do t’i ndodhte, Genci i kishte lidhun deng plaçkat e veta: një dyshek sa me thanë i tillë dhe nja dy batanije e një strajcë me rroba, mbi të cilin rrinte i ulun stoik dhe i qetë në pritje të masave që do të merreshin ndaj tyre.
Porsa u hap dera e barakës, oficerët e policët u lëshuan brenda si qen të tërbuem. Koloneli, i shoqnuem nga dy oficerë të Sigurimit dhe një grup policësh, hynë midis shtretërve. Kapteri që bënte apelin, printe përpara dhe thirri:”Genc Pervizi, merr plaçkat e zbrit menjëherë nga skelja“.
“Pa shiko, pa shiko, ti na qenke Genc Pervizi, bir i gjeneralit, të cilin e ke ndihmue me kalue ne Greqi…! Mos vallë i ke ndihmue edhe miq e tu“?! bërtiti koloneli krejt i skuqun nga mania, “ne do ta tregojmë atë që ne iu bëjmë njerëzve që organizojnë arratisjet e komplotet kundër pushtetit tonë popullor! Merreni e prangoseni këtë armik të popullit“!
Urdhri u zbatua ne vend nga policët që ia vunë prangat sa hap e mbyll sytë. Kapteri ngarkoi një të burgosun që t’ja mbante dengun e plaçkave. Një nga oficerët, nxori një copë letër, e thirri mӫ të madhe sa mundi:
“Qetësi! Ata që do të dëgjojnë emrat të marrin plaçkat e të dalin nga baraka“. Ra një heshtje e madhe. Oficeri nisi me lexue me za të naltë, një listë emrash mirditorёsh e Kurbinas. Ishte si një njoftim për një fat ogurzi. Mbi fytyrat e zbehta të të burgosurve, dallohej tronditja për një demonstrim të tillë të terrorit, që shprehej me zanin e çjerrë dhe kërcënues të atyre kriminelëve me uniformë, të oficerëve të Sigurimit. Emant që u thirrën, ngjanin si vargje mortore:
-Mark Doçi, Dodë Bardhoku, Luigji Bardhoku, Zef Shkoza, Preng Paçuku, Kol Perlaska, Gjon Perleka, Fran Martini, Bardhok Preçi, Nikoll Perlati, Ded Melyshi, Zef Bajraktari. Fatkeqët, mbasi u vuen prangat, u përcollën nga policët deri te një kamion “Gaz- Molotov“, ku i hipën mbi karrocerinë, të lidhnin duar e këmbë, me kokën të futun midis gjunjëve. Plaçkat ua sollën me të burgosun të tjerë. Hipën disa police që i mbanin armët të drejtueme mbi ta. Në ato çaste të frikshme, atyre u kishte humbë çdo fill mendimi. Truri i tyre tashmë nuk funksiononte. Bosh.
Dielli kishte hip në zenith, t‘ue lëshue rrezet e tij të përflakshme mbi atë copë tokë tӫ caktueme për të burgosurit politikë, që përcëlloheshin nën ato rreze tue gërmue ato kanale vigane, me ato trupa skeletikë, të sfilitun, lëkurën e djegur, të nximë. Dielli tallej si pas mënyrës vet për njerëzit dhe natyrën. Si mund tӫ prishej bukuria e natyrës me ato kanale të përbindshëm dhe ato kampe pune të detyrueshme, të rrethuem me tela me gjemba, ku rreshtoheshin disa baraka primitive, plot me njerëz të mbuluem me lecka, të zbetë e të shëmtuem?
Kamioni krejt i mbuluem, ku i kishin stivosur tё burgosurit vazhdoi rrugёn pёr Tiranё, i shoqnuem nga “Xhip”-sat e Sigurimit dhe kamionёt plot me policё. Tё burgosurit e kuptuan se kishin hy nё qytet por, s’i binin nё tё se ku po i çonin. Pasi u suell nёpёr rrugёt qё tё ata mos tё kuptonin drejtimin, kamioni u ndal diku.
-“Çohuni”! thirri një zë kërcënues.
Si me u çue…?! Policët i kapën për krahu për t’i ngritё në këmbë dhe, pa i zbritur nga makina, u hodhën nga një batanije mbi kokë, qё tё mos merrnin vesh ku ishin. I çuan diku, pasi i kishin bë me hip e zbrit nëpër disa shkallë. Çdonjërin e mbyllën veças në një qeli. Po ku? Ma vonë, Genci arriti me kuptue që i kishin mbyllë në bodrumet e Ministrisë së Brendshme. Ku ishin qelitё ma sekrete te Sigurimit. Ishte fillimi i një tjetër kalvari.
Natën vonë, xhelatët u dukën si fantazma. Genci i njohu nja dy: kapiten Petrit Kosovën dhe toger Mit‘hatin, katila tӫ pashpirt, terrori i kryeqytetit. Ishin po ata qe e kishin arrestue e torturue pesë vjet ma parë.
“Po ç’surprizë, Genc Pervizi…!? Na qenke bërë një mjeshtër ne artin e organizimit të arratisjeve! Ajo e babait tënd nuk të paska mjaftuar! Kësaj radhe do ta paguash shtrenjtë mik i dashur“! Dhe historia filloi. E prangosën nё do hallka tё vendosura kastile nё mur, të kryqëzuem, njё shpikje për një të tillë torture.
Genci po mendonte se si trupi tij mund t’i duronte të tilla tortura të tmerrshme.
“Fol! Na thuaj si i ke mësuar të arratisën shokët e tu! Ç’mesazh e ç’direktiva u ke besuar? Ata do të takonin patjetër prindin tënd, gjeneralin e famshëm dhe miqtë e tij, që kërkojnë të ndërhyjnë ushtarakisht kundër nesh. Fol pra, në qoftë se do të shpëtosh lëkurën tënde! Përndryshe, nuk mund të imagjinosh se ç’metoda do të përdorim ne për të detyruar që të flasësh. More vesh», ulëriti Mitati gjithë inat e vrer.
Genci, megjithëse i sakatuam prej torturës, gjeti forcën që të përgjigjej:
– “Dëgjoni kapitenë, ju me njihni shumë mirë dhe e dini se unë nuk do nxjerrë një fjalë të vetme. Aq ma tepër për njerëz që unë nuk i njoh fare e, s’kam pasë punë me ta kurrë. Nuk mund të përgjigjem për sjelljet e të tjerëve, aq ma tepër të panjohur. Si paskam mundun me organizue ikjen e të tjerëve e, tё mos iksha dhe vetë? Me lini rehat se nuk jam përgjegjës për asgjë e askënd. Më keni denue një herë, e në qoftë se doni me më denue përsëri, ja ku me keni”.
-“Di tё flasёsh mirё, por kёtu jemi ne që flasim dhe mё mirё. Nё s’po tё kёrkojmё tjetёr veçse, tё na tregosh fill e për pè rreth kësaj ikje. Apo kujto se ne s’e dimё se ata kishin miqësi me ty”?!
– “Ç’miqësi qё s’i njoh fare. E mos mё lidhni se s’del hiç gjё prej meje, qё tё sajoj gjera tё paqena”.
-“Ti e ke studiuar latinishten: “Vae victis”, ç’të kujton? Këtë ta mbash mirë ne kokë: Mjer të mundurit! Dhe ju të mundur jeni. Ne jemi fitimtarët e ne e bëjmë ligjin. Bëju i arsyeshëm. Të merremi vesh si miq. Pse tё vuajsh kot se koti? Na trego si shkoi ajo punё e, tё lemё rehat”.
Mit’hati sillej ma i qetë e kërkonte me i’a mbush mendjen Gencit, me tregue përralla, pra, me u ngarkua me faje te pa bame kurrë dhe me i implikua edhe shokët e tjerë të burgut, me tӫ cilӫt e kishin arrestua. E dinte se do ta torturonin pёr me shpik dokrra sipas qejf tyre.
“Kapitenё, kot e keni se prej meje s’del asgjë. E ju e dini shumё mirё nga hetuesia e para tre vjetёve. Po ai jam edhe sot“.
“Ju mund të na tregoni për gjeneralin e famshëm dhe miqt e tij, që kërkojnë të ndërhyjnë ushtarakisht kundër nesh.
Fol pra, në qoftë se do të shpëtosh lekurën tënde! Përdryshe, nuk mund të imagjinosh se ç’metoda ne do të përdorim për të detyruar që të flasësh. More vesh”? ulëriti Mit’hati gjithë inat e vrer.
Kështu për Gencin, filluan mundime të reja. Policët ia hoqën prangat dhe e tërhoqën zvarrë për krahësh dhe e hodhën në një qeli të ngushtë, krejt e betonueme e pa dritare. Ia hodhën dhe plaçkat dhe e mbyllën derën me një potere menteshash të ndryshkura qё, lёshonin tinguj tё vrazhdё metalikё, thue ishte një muzikë makabre. Për sa kohë do të rrinte i mbyllun aty?
Sa totura do të hiqte mbi trupin e tij dhe a do t’i duronte dot? A thue do të dilte i gjallë prej atij ferri, apo jeta e tij merrte fund aty, i harruem? A do të bashkohej një ditë me të dashtunit e të përqafohej me ta? Iu kujtue shtylla ku e kishin lidhun vitin e kaluem në Vloçisht. Ju kujtue kur kishte thirr: O Zot mos më braktis! Shpëtoi gjallë mrekullisht atëherë, po tashti çdo të ndodhte me të? I hapi teshat dhe u shtri mbi atë biçim dysheku të leckosun ku e zuni një gjumë i thellë pa ëndrra./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016