• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Tuesday, October 14, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Pas arratisjes nga Shqipëria në 1949-ën, Azis Biçaku me djalin, Isufin, shkuan në Greqi, ku morën pjesë në luftën civile kundër forcave komuniste dhe…”/ Historia e panjohur e familjes nacionaliste nga Librazhdi

“Si për ta bërë edhe më brilante dhembjen, njëri nga miqtë e tij tha, se kishin të drejtë të akuzonin J. Gërvallën, se kishte përgatitur ai vetë vrasjen e…”/ Refleksione mbi veprën e Kadaresë   
“Mugosha dhe Miladini, ndikuan ndjeshëm në vendimet e marra nga ana e Enverit dhe PKSH-së, si dhe në Shtabin e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur
“Si qindra vajza të tjera, Fatimeja provoi urinë, përbuzjen e, jetën e përvuajtshme të kampit makabër të Tepelenës, ku një ditë në vitin 1951…”! / Historitë e trishta të familjeve “reaksionare” në komunizëm
“Pasi u stërvita nga amerikanët në periferi të Romës, u hodha me parashutë në Shqipëri në një mision sekret për…”/Kujtimet e panjohura të “diversantit”
“Agjentët britanikë e dërguar në Shqipëri e Ukrainë për të organizuar kryengritje anti-komuniste pas luftës, u kapën të gjithë, pasi Kim Filbi…”! / Libri më i ri për agjentin e famshëm në shërbim të Moskës
“Kapiten Riza Osmani, kreu i ‘Grupit Kosovar’ i dërguem prej Xhafer Devës me misionin parashutist, që kishte florinjtë me vete, u vra prej…”/ Letra e panjohur e Ernest Koliqit
Si na stërviste koloneli britanik, Hill, në Llavros të Greqisë, për rrëzimin e Enver Hoxhës…./Dëshmia e profesor Miftar Spahia

Nga Ali Buzra

Pjesa e njëzetedy

                                             –  JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –

                                              (VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)

Gjithashtu mund të lexoni

“Tom Stefan kishte lidhje me Enverin, duket edhe nga fotot ku janë bashkë, por miqësia u prish, kur Tomi u lidh me Lulu Vrionin…”/ Dëshmia e rrallë e gazetarit amerikan, që erdhi në Shqipëri në ’87-ën

“Terrori komunist mbi fshatin Zgosht, nuk u ndërpre gjatë vitit 1945, pasi më 14 mars, në Ditën e Verës, partizanët u vënë zjarrin shtëpive të Zylyf Shpatës…”/ Ana e panjohur e “Luftës Nacional-Çlirimtare”

Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.

                                                                                               Bedri Kaza

                                                       Vijon nga numri kaluar

Në vitin 1945, familjen e Isak Allës e ngrenë nga fshati për në internim. Ajo përbëhej nga 9 anëtarë; Nëna e tre vëllezërve Alla, e quajtur Gizaveshja, tashmë e moshuar mbi 70 vjeç, tre kunatat, e shoqja e Isakut, e Halilit dhe e Kamberit, dy djem të Isakut dhe tre djem të Halilit. I vetmi i mbijetuar sot, nga kjo familje, me të cilin kontaktuam, është Faik Alla, djali i Halilit, i datëlindjes 1943. Familja, fillimisht dërgohet bashkë me mjaft të tjera të të përndjekurish në Berat, te Kalaja, në një kazermë. Faiku ende nuk kish mbushur 3 vjeç, vëllai i tij më i madh Sehiti ishte 9 vjeç, ndërsa vëllai i vogël, Kurti, ishte disa muajsh. Ky i fundit nuk mundi të mbijetojë në kushtet e rënda të internimit dhe vdiq aty në Berat.

Nëna e tyre, Hejdija, që ishte e bija e vetme e Hamit Qoshit, nga Zgoshti, ndërroi jetë disa muaj pas foshnjës së vogël në moshën 27 vjeçe. Për dy fëmijët e tjerë, Sehitin e Faikun, të mbetur jetimë, pa nënë e pa baba, në kushtet makabre të internimit, përkujdeseshin dy kunatat e tjera dhe gjyshja e tyre e moshuar. Rrëfimet e Faikut të mbijetuar, janë rrëqethëse. Megjithëse i kam pasqyruar rrëfimet për Tepelenën, pasi vuajtja i bashkoi këta familje në ditët e tyre më të vështira, por jam i detyruar të jap përsëri detaje të marra prej të mbijetuarit, Faik Alla. Pas Beratit, në vitin 1949, i internojnë në Turhan, ku sipas tij për disa kohë qëndruan jashtë e më pas i vendosën në një stallë kuajsh.

Më vonë i çojnë në Tepelenë, në ish-kazermat e ushtrisë, ku edhe këtu ishin të rrethuar me tela me gjemba e policë roje, nga të katër anët. “Apeli bëhej tre herë në ditë. I jepej si të voglit ashtu edhe të madhit, nga 400 gram bukë në 24 orë”, – tregon Faiku, atëherë 6 vjeçar e jetim, pa nënë e pa baba. – “Filluan të gatuanin për ta një lëng supe me oriz ose bullgur, ku krimbat i hiqnin me dorë e pastaj e hanin supën me uri të paparë”. E pyeta Faikun, nëse kishin ndonjë vend të improvizuar si mencë ku hanin ushqimin. “Jo! – m’u përgjigj ai, -shkonin njerëzit me një tas alumini në dorë, në rresht për të marrë supën, ndërsa racionin e bukës e hanin shpejt e shpejt, ashtu të urishëm, pa dalë nga rreshti”.

Kanë qëndruar aty deri në moshën 11-12 vjeç bashkë me vëllanë e tij, Sehitin. Aty pranë tyre, mban mend Faiku, vdes një fëmijë i vogël, e familjarët për dy ditë nuk treguan për të marrë racionin e bukës. Në kampin-burg të Tepelenës, ishin mbi 3000 vetë, nga të cilët pak ishin burra, ndërsa shumica gra, fëmijë e pleq. Jo vetëm burrat e gratë, por edhe fëmijët e rritur i çonin në punë, ku prodhonin e mbanin me krahë dru zjarri në një pyll, në fshatin Dragan të Tepelenës, kujton ai. Përtej kampit, në një kodrinë, mbi përrua kishte shumë fiq. Kur ktheheshin nga puna, në ndonjë çantë lecke që e mbanin me vete, ata merrnin disa kokrra fiqsh për t’ua dhënë fëmijëve e të moshuarve. Megjithëse në fshehtësi, ky veprim u konstatua nga policët e shërbimit. Në afërsi të kazermave, policët filluan t’i kontrollojnë çantat, ua derdhnin fiqtë e ua shkelnin me këmbë.

Nga kampi i Tepelenës mundën të arratisen dy persona. Kjo u konsiderua si ngjarje e rëndë. Egërsia e keqtrajtimi ndaj të burgosurve në kamp shtohet. Arrestohen mbi 20 djem, si të dyshuar për mundësi arratisje. Midis tyre arrestohet edhe djali i Isakut, Haki Alla. Ai dënohet me 14 vjet burg, që e ka vuajtur në Gjirokastër e Burrel. Disa gra të kampit, i marrin dhe i dërgojnë në Vlorë, për të mbajtur gurë, ndërsa fëmijët e tyre mbetën në kamp, në Tepelenë. Mes tyre morën edhe të shoqen e Isakut.

Ndërkohë ndërroi jetë aty në kampin e Tepelenës, vjehrra e saj. Kjo grua, e urtë, trime, zemërmirë e bujare, e njohur në fis e në Zgosht me emrin “Gizaveshja”, ndërroi jetë në moshë të thyer, në kushte ç’njerëzore, me mungesë të plotë ushqimi, veshje, e pa asnjë ndihmë mjekësore. Me dhimbje në shpirt, me zemër të brengosur për gjendjen në të cilën i la në kampin-burg katër nipërit e saj, nuset e djemve, si dhe duke mos ditur gjë për tre djemtë në arrati, ajo ndahet nga jeta në kulmin e pikëllimit, që mund të provojë një nënë.

Kështu i degdisi qindra nëna shqiptare shteti komunist i Enver Hoxhës. Me ide të paprincipta, si “armiq të popullit”, qeveria komuniste, e ashtuquajtur “qeveri e popullit”, persekutoi pa asnjë shkak, nëna e gra të pafajshme, pleq të shkuar në moshë, djem e vajza në moshën e ëndrrave të rinisë, si edhe fëmijë të mitur e të sapolindur. Kur u kthye mbas disa javësh nga Vlora, e shoqja e Isak Allës, qante me dënesë, që nuk e lejuan të vijë për të varrosur të vjehrrën, të cilën e donte aq shumë. Ashtu si për qindra bashkëvuajtës që vdiqën atje, për nënën, dhe për nusen e djalit të saj, të ëmën e Sehitit e të Faikut, sot nuk ka një varr.

Ndërkohë që familjarët e tyre ishin në kampin e Beratit, grupi i armatosur i Allajve e Biçakëve, qëndronte i strehuar kryesisht në shpellat e maleve, në pritje për t’ju bashkuar një kryengritje të përgjithshme antikomuniste, të koordinuar me një ndërhyrje të mundshme nga jashtë, gjë që nuk u bë e mundur kurrë. Anglo-amerikanët, si duket Shqipërinë, ia lanë Lindjes Komuniste. Asnjëherë nuk u mor seriozisht, problemi i vendosjes së komunizmit në Shqipëri. Ata u mjaftuan vetëm me përkrahjen dhe nxitjen e disa ish të arratisurve shqiptarë, duke i ndihmuar për desantim nga ajri e nga toka.

Shumica e tyre ranë në grackën e Sigurimit të Shtetit shqiptar, të mirë informuar nga rusët për çdo rast, si rezultat i infiltrimit të agjentit anglez Kim Philbi, te spiunazhi sovjetik. Nga rrëfimet e disa prej pjesëmarrësve të mbijetuar në këto operacione, rezulton të jenë përfshirë edhe vëllezërit Alla, të cilët janë bërë pjesë e takimeve për organizimin e një kryengritje antikomuniste në Shqipëri. Më poshtë po e japim rrëfimin e Zef Lukës, sipas origjinalit:

Rrëfehet për herë të parë nga SHBA-ës një nga parashutistët e dërguar në Shqipëri. Dëshmon nga Cleveland i Ohio-s, SHBA, Zef Luka, një nga të paktët parashutistët e hedhur nga agjencitë e inteligjencës anglo-amerikane, për të rrëzuar komunistët dhe që jetoi 13 muaj nëpër malet e Shqipërisë së Veriut, duke u shpëtuar Forcave të Ndjekjes, që të ndihmuara nga rusët dhe Kim Philbi, kapën dhe vranë pjesën më të madhe të parashutistëve.

Zef Luka, antikomunisti shkodran që mbijetoi dhe nuk ra në kurthin që ngriti Sigurimi i Shtetit Shqiptar në bashkëpunim me kundërzbulimi rus; (kurth që ushqehej prej Kim Philbit, agjentit të dyfishtë anglez, i cili vepronte në Uashington; më vonë kaloi në Kremlin, u shpall “Hero i Bashkimit Sovjetik”). Ish-parashutisti jeton në Cleveland të Ohio-s. Zefi nuk i harron për asnjë çast bashkëluftëtarët me të cilët e lidhën ditët e vështira të luftës antikomuniste. Ai ka një ditar model që pasqyron me detaje aktivitetin e atyre që ai vetë i quan “Njëqind shqipe që erdhën me prue lirinë”.

Mesazhet e Zefit për të shkruar për ata që lanë jetën në këtë luftë, kanë qenë të shpeshta, por në mënyrë të veçantë ai ka kërkuar të shkruhet për ”profesorin”, Alush Lleshanakun. Zefi kërkon që të shkruhet e vërteta dhe jo hamendje; kërkon që të saktësoheshin disa prej ngjarjeve, nga që keqinformimet, qoftë edhe pa dashje, shtrembërojnë historinë dhe kjo nuk është në të mirë të kombit, aq më shumë se ata që mund të dëshmojnë janë rralluar ngaqë kosa e vdekjes i ka kositur njëri pas tjetrit. Zefi është i vetmi ndër parashutistët e gjallë që zbarkuan në atë kohë maleve të Shqipërisë së Veriut për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Me Zefin u lidha sërish në telefon për t’ia dëgjuar zërin dhe për të marrë dëshmi rreth Alush Lleshanakut, të cilin, ai, si shumë prej atyre që e njohën profesorin, e adhuronte. Me 28 korrik 1946, u organizua takimi i paralajmëruar i Allajbegut, ku mendohet se kanë marrë pjesë më shumë se 200 të arratisur të asaj zone, të cilët prej kohësh kishin lënë vatrat familjare dhe kishin rrokur armët për të rrëzuar komunizmin. Në këtë kuvend ishte i pranishëm edhe Hamit Matjani, një ndër luftëtarët më të rrezikshëm antikomunistë. Hamiti shoqërohej nga Hima, i vëllai i tij, Ibrahimi, i cili do të vritej më vonë e do të jepte jetën në luftë kundër komunizmit, mbeti i vrarë me të tre nipat: Hasanin, Dalipin dhe Hajdarin.

Nuk do të mbaronte me kaq flijimi i familjes Matjani në emër të anti komunizmit; në përpjekje do të binin edhe vëllai tjetër i Hamitit, Asllani, dhe djali i xhajës së tij, Veliu. Ndër emrat e njohur të luftës antikomuniste, pjesëmarrës në takimin e Allajbegut do të ishin edhe Nuri Plaka e Ramadan Kelmendi. Hamiti ishte nga fshati Matjan i Lushnjës, Nuri Plaka nga Gostima e Cërrikut, Elbasan, ndërsa Ramadan Kelmendi, ishte prej Kosove.

Në shënimet e Fiorolos, shkruhet se të tre këta: Hamit Matjani, Nuri Plaka dhe Ramadan Kelmendi, do të binin në kurthin e Sigurimit të Shtetit, të tradhtuar nga Xh. Mema, D. Kurti dhe B. Hoxha, pa harruar kontributin e Zenel Shehut, që prej kohësh kishte pranuar dhe ai të luante lojën e Sigurimit të Shtetit. Në radhën e pjesëmarrësve të kuvendit të Allajbegut ia vlen të përmenden edhe luftëtarë të tjerë antikomunistë si: Latif Karafila, Adem Tafani, Veiz Gjolena, Fetah Shabani; tre vëllezërit Sefer, Shaban e Pasho Gjika nga Shalësi i Elbasanit; Emin Lamçe; Cen Graceni, Mersin Muzhaqi; ishte ai që quhej heroi dhe trimi i shpellës së Zgoshtit të Librazhdit, Isak Alla me të vëllanë, Kamberin.

Isaku kishte hyrë në këngë për luftën dhe qëndresën heroike që kishte bërë tek Shpella e Zgoshtit në vitet 1945-‘46. Nuk kishin mundur që të vinin në kuvend Azis Biçaku dhe Xhevdet Blloshmi, të cilët kishin patur pengesa në rrugëtimin e tyre. Qe një takim i rregullt, ku diskutuan jo vetëm krerët. Në proces-verbalin e atij takimi, është ruajtur edhe fjala e organizatorit dhe drejtuesit të atij kuvendi, Alush Lleshanaku, i cili hapi takimin.

Ai u tregoi të pranishmëve për përpjekjet që po bëheshin nga luftëtarët e maleve për të rrëzuar komunizmin. Ai tregoi për takimet që kishte patur në veri të vendit, me kryetarin e Komitetit të Maleve të Veriut, Llesh Gjonmarkaj, si dhe me Jup Kazazin e Shkodrës, i cili, pas një muaji do të ishte në krye të kryengritjes. Pas dështimeve që erdhën pas shtypjes së Postribës, Alushi u përpoq që të bashkërendonte edhe një herë forcat.

Për këtë qëllim ai shkoi në Zgosht të Librazhdit, për t’u takuar me Isak Allën dhe Azis Biçakun, pastaj shkoi në Okshtun të Dibrës, për t’u takuar me Fiqiri Dinen, por atje mësoi se Fiqiriu, së bashku me Prenk Previzin dhe Hysni Demën, kishin dalë në Greqi. Nuk i mbeti gjë tjetër veçse të kalonte dhe ai në Greqi gjatë ‘47-ës,(atje në kampe u takua edhe me Zef Lukën e të tjerët). Alushi do të rikthehej sërish në Shqipëri për të vazhduar misionin e tij më 15 shkurt 1949 dhe dhjetor 1949.

4.2    Isak Alla, bashkë me të vëllanë, Kamberin, largohet në drejtim të Greqisë, ndërsa mbi familjarët e tyre vijon vala e persekutimeve

Në një nga përpjekjet me forca të shumta të Ndjekjes, në periferi të vendit të quajtur “Mali i Mirakut”, plagoset rëndë Halil Alla, i cili nuk mundi t’i mbijetojë plagëve, ndërsa nga forcat kundërshtare, pati disa të vrarë e shumë të plagosur. Megjithëse në kushte tepër të vështira, Isaku shkon në një fshat të Gollobordës, thuhet në Borovë, merr atje një hoxhë dhe e varros të vëllanë, duke i kryer të gjitha ritet fetare të varrimit.

Në fund të vitit 1947, mbas një rezistence të fortë e burrërore ndaj forcave të Ushtrisë, e të Sigurimit të Shtetit grupi i armatosur i Azis Biçakut e Isak Allës, detyrohet të largohet jashtë vendit në drejtim të Greqisë. U ndërmor ky itinerar lëvizje, për arsye se në dijeninë e tyre, marrëdhëniet mes Jugosllavinë e Qeverisë shqiptare ishin të mira dhe se nuk mund t’u besohej jugosllavëve. Dhe jo vetëm kaq, por Azis Biçaku ishte dhe mbeti një anti-sllav i vendosur.

Greqia ishte e përfshirë në luftën civile mes forcave të djathta dhe atyre të partizanëve komunistë grekë (1945-‘49). Në Greqi, marrin kontakt me komandën e Ushtrisë së forcave të djathta greke. Me sa informacion kemi, ata bëhen pjesë e luftës antikomuniste në territorin grek. Për këtë Isuf Biçaku i kthyer në Shqipëri pas shembjes së komunizmit, është shprehur: “Baba, (Azisi) me Isakun, – u shprehën, – qëndroni burra! Luftë atje, e luftë këtu”. Thuhet se Isaku, në frontin e luftës civile në Greqi, u vu në krye të një njësie ushtarësh.

Pas qëndrimit për disa kohë në Greqi, Azizi bashkë me djalin e tij Isufin, shkon në Turqi, ndërsa Isaku me të vëllanë, Kamberin drejt Italisë e më pas në Belgjikë. Ndërsa vëllai tjetër Halili, u vra në përpjekje me forcat e Sigurimit të Shtetit, në vitin 1947. Pas një qëndrimi për disa vjet aty, vëllezërit Alla, shkuan në Amerikë. Mbas vdekjes së babait të tij, Azizit, Isuf Biçaku emigroi në Belgjikë, ku qëndroi deri sa ndërroi jetë. Në vitin 1952, Isaku, vjen nga Belgjika në Zgosht, me qëllim për të marrë familjen, e cila në këtë kohë ndodhej në Tepelenë.

Natën vonë, në fshehtësi, ai merr kontakt me Jakup Allën. Thërresin aty edhe Zylyf Shpatën, nipin e tij. Isaku u thotë: “Kam ardhë të marr fëmijët e familjen”. Jakupi me Zylyfin i thonë: – “Ik e shpëto kokën, se atje ku i kanë çuar ata, edhe dhjetë Isakë të vijnë, nuk i nxjerrin dot”. Në këto rrethana ai largohet përsëri, në pamundësi për të tërhequr familjen e tij. Në vitin 1954, kampi famëkeq i Tepelenës u mbyll. Familjet e mbijetuara i dërgojnë në kampe të tjera internimi.

Familja e Allës dhe ajo e Biçakut, u dërguan në Savër të Lushnjës, ndërsa dy djemtë e Halilit, Sehitin e Faikun, që mbetën jetimë, pa nënë e pa baba, i lirojnë. Për këtë, i mbijetuari Faik Alla na ka rrëfyer më tej, për ardhjen në vendlindje. Largohen nga Tepelena, e me shumë vështirësi mundën të vijnë deri në Rrogozhinë. Sehiti më i madhi ishte 17 vjeç, ndërsa Faiku 11 vjeç. Aty hipën në tren, e zbresin në Elbasan.

Nga Elbasani, me një makinë në karroceri, vijnë në Librazhd. Aty, djemtë e gjorë, pyesin kalimtarët që të orientohen rrugës për në Zgosht. U nisën në këmbë e mbas dite vonë, arritën në lagje. “Ishte nëntori i vitit 1954, – tregon ai. – Mbi gërmadhat e shtëpisë së djegur, dhjetë vite më parë, kishte vetëm hithra. I mori Jakup Alla e i strehoi dy jetimët në shtëpinë e vet. Për afro dy vjet ndenjën në shtëpinë e tij.

Jakupi, ishte njeri i shkolluar, mbasi kishte kryer në kohën e Zogut normalen e Elbasanit. Për t’u punësuar si mësues, as që mund të bëhej fjalë. Ai vetë, dhe familja e tij survejoheshin vazhdimisht nga sigurimi i shtetit. Kështu Jakupi, tregohej shumë i kujdesshëm, për të mos rënë pre e provokacioneve të mundshme. Djemtë donin të ngrinin një kasolle, për të mos u bërë barrë familjes së Jakupit. Ky i fundit, me gjithë vështirësitë e shumta dhe kushtet e vështira ekonomike, i mbajti e i trajtoi mjaft mirë fëmijët e kushëririt të tij.

Tmerri komunist ishte i pranishëm kudo. Paria e Zgoshtit, nuk kishte tendenca për t’ju kundërvënë, por sigurimi i shtetit e kish shtrirë rrjetën e merimangës në çdo fshat. Kush komunikonte me ta, apo përpiqej t’i ndihmonte, survejohej e shihej si i dyshuar. Më në fund vjen Idriz Qoshi, e u ndërton një kasolle me dru e me gardh, e ua lyen me baltë. Çatinë ua mbulon me kashtë. Aty në atë kasolle, gatuanin, e jetonin djemtë. Duke u rritur e duke ju vënë punës. Një problem mbetej martesa e tyre.

Me interesimin e Ibrahim Brazhdës nga Dorëzi, i cili ishte nipi i Nazif Allës, në vitin 1960 martohet Sehiti. E fejojnë dhe e martojnë me të bijën e Hasan Hoxhës, Bejen, po nga Dorëzi, e cila ishte mbesa e Selim Brazhdës, vëllait të Ibrahimit. Të njëjtin interesim bën edhe Beg Hoxha nga Dorëzi, i cili edhe ky ishte nip te Nazif Alla.

Kështu, në vitin 1967, ai e fejon dhe e martojnë Faikun me Habiben, vajzën e Jonuz Brazhdës, e cila ishte e mbesa e Murat Doskut, i dënuar me burg nga diktatura komuniste. Të dy vëllezërit kryen shërbimin ushtarak në reparte pune, pa të drejtë arme. Sehiti në Libofshë, ndërsa Faiku në Rinas, Berat e Gjirokastër. Ata ishin punëtorë të zotë. Mbas lirimit nga ushtria, të dy vëllezërit e ndërtuan shtëpinë dykatëshe prej guri mbi gërmadhat e shtëpisë së vjetër me gurët e vet.

Sehiti, ka punuar kryesisht në kooperativë, ndërsa Faiku në ndërmarrje shtetërore; si punëtor e specialist në Fabrikën e verës, e në ndërmarrje ndërtimi deri në vitin 1990. Falë kujdesit edhe të ndonjë drejtuesi të partisë në Zgosht, vëllezërit Sehit e Faik Alla, nuk u cilësuan kulakë. Ata u pajisën me triska të Frontit e nuk u përndoqën. Megjithatë, pesha e diferencimit klasor e shoqëror herë pas here ndihej. Për këtë do të përmend një rast, të ndodhur në Librazhd./ Memorie.al

                                                                Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Tom Stefan kishte lidhje me Enverin, duket edhe nga fotot ku janë bashkë, por miqësia u prish, kur Tomi u lidh me Lulu Vrionin...”/ Dëshmia e rrallë e gazetarit amerikan, që erdhi në Shqipëri në ’87-ën

Next Post

“Dosja e Martin Camajt, s’është autentike, ajo paraqet shenja të qarta manipulimi dhe fabrikimi dokumentare, me qëllim përbaltjen dhe...”/ Refleksionet e Selami Zallit, për poetin dhe studiuesin e njohur

Artikuj të ngjashëm

“Tom Stefan kishte lidhje me Enverin, duket edhe nga fotot ku janë bashkë, por miqësia u prish, kur Tomi u lidh me Lulu Vrionin…”/ Dëshmia e rrallë e gazetarit amerikan, që erdhi në Shqipëri në ’87-ën
Dossier

“Tom Stefan kishte lidhje me Enverin, duket edhe nga fotot ku janë bashkë, por miqësia u prish, kur Tomi u lidh me Lulu Vrionin…”/ Dëshmia e rrallë e gazetarit amerikan, që erdhi në Shqipëri në ’87-ën

October 12, 2025
Dëshmia e italianit Paolo Saggioti: “Tarasconi solli 150 napolona flori dhe me sugjerimin e anglezëve ne bëmë një sabotim, duke i vënë zjarri në Kuçovë…”/ Gjyqi i ‘Deputetëve’
Dossier

“Terrori komunist mbi fshatin Zgosht, nuk u ndërpre gjatë vitit 1945, pasi më 14 mars, në Ditën e Verës, partizanët u vënë zjarrin shtëpive të Zylyf Shpatës…”/ Ana e panjohur e “Luftës Nacional-Çlirimtare”

October 13, 2025
“Të ardhurat nga eksportet tona në disa shtete te botës, do të bëhen në firma amerikane, pasi…”/ Zbulohet dokumenti i rrallë sekret, për llogaritë bankare të regjimit komunist, në Zvicër e SHBA-ës  
Dossier

“Të ardhurat nga eksportet tona në disa shtete te botës, do të bëhen në firma amerikane, pasi…”/ Zbulohet dokumenti i rrallë sekret, për llogaritë bankare të regjimit komunist, në Zvicër e SHBA-ës  

October 11, 2025
“Kur Isak Alla, thirret nga Qarkori i Partisë Komuniste, në shtëpinë e Miftar Hoxhës në Mirakë dhe i kërkohet që me çetën e tij të bashkohet me ta, ai…”/Ana e panjohur e konfliktit të nacionalistëve me partizanët!
Dossier

“Kur Isak Alla, thirret nga Qarkori i Partisë Komuniste, në shtëpinë e Miftar Hoxhës në Mirakë dhe i kërkohet që me çetën e tij të bashkohet me ta, ai…”/Ana e panjohur e konfliktit të nacionalistëve me partizanët!

October 13, 2025
“Pas 34 vitesh, kur u hap varri i At Serafinit, nga infermierja Marie, një besimtare katolike, që kishte varrosur vetë, u gjet…”/ Historia e trishtë e fratit që vdiq nën torturat e Sigurimit, në 1947-ën
Dossier

“Demiri nga Stebleva mundi të arratisej në Jugosllavi, por pas disa kohësh, UDB-ja e kthehu në Shqipëri, ku hetuesi Isa H. në burgun e Tiranës, e torturoi…”/ Historitë e trishta të arratisjeve në epokën komuniste

October 10, 2025
“Ne s’kemi marrëdhënie me ju dhe anija s’lejohet të futet në Portin e Durrësit, largohuni urgjentisht nga ujrat tona…”/ Zbulohet dokumenti sekret i majit ‘74, me anijen sovjetike me 29 persona, që “tërboi” Enverin ndaj Ballukut
Dossier

“Ne s’kemi marrëdhënie me ju dhe anija s’lejohet të futet në Portin e Durrësit, largohuni urgjentisht nga ujrat tona…”/ Zbulohet dokumenti sekret i majit ‘74, me anijen sovjetike me 29 persona, që “tërboi” Enverin ndaj Ballukut

October 11, 2025
Next Post
“Dosja e Martin Camajt, s’është autentike, ajo paraqet shenja të qarta manipulimi dhe fabrikimi dokumentare, me qëllim përbaltjen dhe…”/ Refleksionet e Selami Zallit, për poetin dhe studiuesin e njohur

“Dosja e Martin Camajt, s’është autentike, ajo paraqet shenja të qarta manipulimi dhe fabrikimi dokumentare, me qëllim përbaltjen dhe...”/ Refleksionet e Selami Zallit, për poetin dhe studiuesin e njohur

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme