Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e njëzetë e shtatë
Memorie.al/ Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkt me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e qazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Unë duke përfituar nga ky pushim, e kapërceva kufirin dhe i thashë: Zoti hetues, po mundet, ejani uluni këtu pranë meje e të bisedojmë. Kështu, kot sa për të kaluar kohën, se dhe unë u lodha me këto që po shkruaj e rishkruaj ditë përditë. – “Po ja fol, kështu si jemi. Përse të vij atje”? Në përgjigje të kësaj i thashë: – Aty ku jeni ulur, jeni hetues Behari, ndërsa këtu do të jeni thjesht Behari! Ai u bë kureshtar dhe pranoi. Mori një karrige, u afrua dhe u ul përballë meje. – Mbase ju ka shkuar vetë në mend, – nisa unë, – po përse nuk punoni për të mbrojtur një disertacion? Ose të mblidhni material, për të shkruar një libër. Jo tani, por ndoshta më vonë.
Dhe për ta plotësuar e bëra më të qartë idenë time, vazhdova bisedën, duke i thënë se proçesi ynë hetimor, ishte shumë i rëndësishëm dhe ai mund t’i rilexonte shumë nga deponimet e mia, të bëra në qindra seanca që kishim zhvilluar. – Në rast se ju i ruani, – i thashë, – ju mund t’i ballafaqoni njëra me tjetrën dhe t’i krahasoni edhe me ato të kolegëve të mi. Me siguri do të dalin shumë gjëra interesante, parimore e sidomos shumë tërheqëse për një libër. Një hetues i zoti e i zgjuar, siç jeni ju, do të dijë të nxjerrë konkluzione të rëndësishme nga ballafaqimi i deponimeve tona.
Hetues Behari e kuptoi menjëherë moralin e kësaj përkujdesje sime. Nga ballafaqimet, që padyshim ata i kishin bërë, por që unë ia përmenda me qëllim, kuptohej qartë se deponimet tona, ishin skena të ndërtuara jo vetëm prej njerëzish naivë në këto punë, por mbanin erë një orë larg, që nuk ishin dhe aspak reale. Ai e kish vënë re pa tjetër mënyrën diletante të shtjellimit të tyre, ndryshimet skandaloze, midis deponimeve të njërit të arrestuar nga tjetri, kur bëhej fjalë për të njëjtën ngjarje, të cilën të dy palët, e kishin pranuar me urdhër të drurit.
Me të dëgjuar sugjerimin tim, ai u ngrit në këmbë, mori karrigen, e vuri në vendin e mëparshëm, larg meje, dhe u ul tek korrikja e tavolinës së punës së tij. Dhe më tha këto fjalë, të cilat më janë ngulitur fort në kujtesën time: – “Shiko, unë ty të kuptoj shumë mirë. Por besoj se dhe ti më kupton mua shumë mirë. Eh…?! Tani vazhdojmë punën”.
Kjo frazë ishte thelbi i gjithë asaj çka po ndodhte. Pra, ai e kuptonte se unë nuk kisha bërë asnjë faj, por dhe unë duhet të kuptoja se edhe ai nuk kish se çfarë të bënte. Të them të vërtetën, edhe pse ai u ngrys në fytyrë, ndjeva një lehtësim në shpirtin tim, që dhe ai e kuptonte mirë këtë dhe e pranoi para meje, ashtu tërthorazi, siç iu shpreha dhe unë atij. Ishte regjimi ai që na diktonte gjithçka dhe ne ishim në dy role të përcaktuar shumë qartë.
Pastaj, si për të më shtruar edhe një urë të vockël miqësie, që nga tryeza e vet, më pyeti butë: – “Të vjen keq për Ardenicën”? Mua me erdhi në grykë ngashërimi, i një mirënjohje të thellë. Nuk e prisja atë pyetje. Ajo, më shumë se pyetje ishte një përgjigje e rrallë, shumë e tërthortë për bindjen e vërtetë të një hetuesi, mbi pafajësinë time. E këtu le të tregoj pak edhe për pusin e Ardenicës…!
Pak kohë para arrestimit të grupit tonë, një ekip gjeologësh e gjeofizikësh, kishin punuar e përfunduar studimin e projektimit të një pusi të thellë kërkimi për gëlqerorët, në Ardenicë të Lushnjes. Një ditë, njeri nga autorët, më pat ftuar që të shkoja e të shikoja materialet, hartat e tyre të ndërtuara dhe pusin e projektuar. E çmova ftesën se ishte periudha e ftohtësisë së madhe ndaj meje. Atëhere, shumë vetë pas kurrizit, flisnin për arrestimin tim të afërt. Duke ditur që nuk isha një i ftuar zyrtar nga drejtoria, qëndrova një kohë shumë të shkurtër, për të parë materialin dhe në përfundim u shfaqa mendimin tim.– “Aty ku ju keni projektuar pusin, nuk ka strukturë, – u thashë hapur. – Pusi do të dalë negativ, pa e kapur fare objektin”!
Opinioni im, i cili binte në kundërshtim të plotë me atë të autorëve, e që praktikisht hidhte poshtë një punë prej disa muajsh, nuk u prit mirë. Vlerësimi im negativ u përhap nga të katër anët dhe, natyrisht, kishte arritur me pas edhe deri në veshët e hetuesisë. Në fakt, ky mendim pesimist që pata shfaqur unë, ishte dhe e vetmja e vërtetë kundër meje, që kishin hetuesit mbi tavolinë. Më pyetën për këtë që ditën e dytë dhe unë e pohova. Në muajt e mëvonshëm, kur pusi pat arritur të shpohet deri në thellësinë afër 3000 metrave dhe kishte përputhje me projektin, hetuesit e kishin gurin në dorë dhe çfarë nuk më bënin! Më fyenin, më shanin si sabotator e skeptik, që kisha thënë se; pusi do të dalë negativ.
Për të treguar para naftëtarëve edhe gjithë popullit, se si armiqve u therin sytë nga sukseset, përderisa kishin thënë se pusi nuk do të zbulojë naftë, organet qeveritare, arritën të bëjnë veprime prej idiotësh, duke dërguar në Ardenicë, një njësi efektivësh të Gardës së Republikës, për të ruajtur pusin nga ndonjë sulm i papandehur i grupeve armiqësore, të interesuara që Ardenica të sabotohej. Ai që i zuri vendin Enver Hoxhës, po bënte marrëzira edhe më të mëdha. Këto demonstrime me trupa ushtarake rreth puseve, ishin të papara në historinë e naftës në vendin tonë. Këtë radhë, kundër një mulliri me erë në Ardenicë, po luftonte Garda e Republikës!
Me psikozën e përforcimit sipëran të mbrojtjes nga armiku, (imagjinar, kuptohet, që nuk u shfaq asnjëherë!), Partia e Punës e Shqipërisë, përligji pak a shumë disiplinën “si në luftë”, në të cilën e mbajti popullin një gjysëm shekulli nën këmbët e saj. Dërgimi i Gardës në Ardenicë, ishte shembulli më i dukshëm dhe duke qenë se është më i vonshmi, ishte edhe më qesharaku. Jo vetëm kaq. Për herë të parë autoritetet komuniste, u përulën para kompanive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe blenë motora të fuqishëm GM, që pusi të shpohej në thellësitë e mbi 5000 metra.
Një ditë, gjatë hetuesisë, Behar Selimi, pat ardhur i vetëm dhe më shtroi një pyetje teknike, konkrete: “Kur në pus më përpara, ndesheshin këto forma mikrofaunash, – dhe hetuesi me zgjati një fletë blloku ku i kishte shënuar ato, – dhe tani ndeshen këto lloj mikrofaunash, – dhe më dha një fletë të dytë, – çfarë do të thotë kjo”?! Unë u çudita nga interesimi i hetuesit mbi këto çështje tepër teknike, por e kuptova se pyetja vinte nëpërmjet tij, drejt e nga specialistët. Menjëherë i kërkova një fije letër dhe i ndërtova dy profile gjeologjike, se me çfarë situatash mund të kishim të bënim në këtë rast. Ai nuk mbeti pa më lavdëruar, për këtë zgjidhje kaq të shpejtë që i dhashë dhe atëhere më tregoi, se këto fenomene ishin ndeshur në pusin e Ardenicës, që ishte në shpim e sipër.
– “A ke mundësi të më ndihmosh, që unë të kuptoj më mirë se çfarë mund të ndodhë më tej”? – më pyeti pa ndonjë prapamendim Behari. Unë i shpreha sinqerisht shqetësimin, që paraqiste problemi. Por i fola edhe për një mundësi, që pusi mund të binte përsëri në kushte të mira, prandaj shpimi nuk duhej ndaluar, por të sqarohej edhe pak më poshtë, se si do të shkonin të dhënat. Qysh nga ajo ditë, ai herë pas here më mbante në dijeni me të dhënat e pusit, derisa erdhi një pikë që çdo thellim i mëtejshëm i pusit ishte i kotë…!
Tani, pyetja e hetues Beharit, ishte; në më vinte keq për rezultatin e Ardenicës, u bë në një mënyrë të tillë, sa nuk linte asnjë shteg, se përgjigjja e të pandehurit, do të ishte e ndjerë dhe do të besohej plotësisht. Mora frymë thellë, ndala ngashërimin, por jo lotët që ndjeva se me lagën shikimin. -Shumë! Më erdhi shumë keq!
Natyrisht unë si naftëtar, nuk u gëzova atëherë për këtë dështim të paralajmëruar, por kisha të drejtë të pyesja, si hetuesit ashtu edhe udhëheqësit e partisë, se çfarë do të thonin tani për ata që i quanin armiq dhe kishin mbushur burgjet? Ndofta gjatë mbrojtjes së projektit, ka patur edhe ndonjë specialist tjetër, që e pat kundërshtuar, por po të ishte dëgjuar zëri im, do të ishte mirë, se do t’i ishin kursyer vendit, miliona dollarë. Pse nuk patën kurajo ata burra, të pranonin fajet e tyre dhe të tërhiqnin mbrapsht tërë atë baltë që hodhën, duke thënë se ne deshim ta sabotonim atë pus?! Kam të drejtë edhe këtë here të pyes, paçka se kjo pyetje në faqet e këtij libri, mund të jetë shtruar njëmijë herë: Ishim ne, apo ishin ata të majës së diktaturës, sabotatorët dhe varrmihësit e ekonomisë?
Lidhur me pusin e Ardenicës, një nga autorët e projektit, gjeologu Petrit Muhameti, kur më takoi në Fier, pasi unë isha liruar nga burgu, më tha se ata, autorët, kishin gabuar, kur nuk më dëgjuan. Pastaj më kërkoi falje edhe për nënshkrimin e një letre të ashpër, si përgjigje kundër meje, për një artikull që botova në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, ku u bëja thirrje naftëtarëve, të votonin për partinë e re opozitare.
-“Na shtynë ata të Sigurimit të Shtetit, që ta bënim atë artikull kundër teje, Petraq, na fal! Unë, të paktën kërkoj ndjesë për vete…”! Kur pika numër një e akuzës, mbi tradhtinë e lidhjet agjenturore, ishte duke përfunduar, na sollën përpara akuzën për sabotim. Ky dokument qe vonuar disi, sepse grupi i të ashtuquajturës ekspertizë, u ngrit sipas stilit të shëmtuar të hetuesisë, pas arrestimit tonë.
Pas një pune prej disa muajsh, grupi i ekspertizës, mundi të sajonte disa pika, që të jepnin idenë e sabotimit. Më shumë nga të gjitha ata, kishin nënvizuar shkeljen e orientimeve të partisë dhe të udhëheqësit Enver Hoxha, për naftën, duke shpuar jashtë kuadratit perspektiv, e të tjera siç e kam përmendur më lart. Së pari, del i qartë artificialiteti në këtë proçes, kur dimë që arrestimi për sabotim, u bë para se të ishin nxjerrë materialet faktike të sabotimit. Si çdo gjë tjetër tek ne në Shqipëri, edhe kjo praktikë, ishte e ndërtuar së prapthi.
Unë i kundërshtova me fakte dhe argumente të gjitha ato pak gjëra që ishin ngritur në atë farë ekspertize, sepse nuk qëndronin fare në këmbë. Grupi, e kishte shkelur me gabime të mëdha, sidomos në kohë. Grupi hetuesve, nuk ishte në gjendje t’i kundërshtonte argumentet e mia, që të mbërthenin nga të gjitha anët. Unë kërkova edhe ballafaqim me grupin e ekspertizës, por ata nuk pranuan.
Ekspertët kishin bërë gafën, që të futnin në aktivitetin tim puse të sabotuar: Ishin puse të projektuar dhe shpuar në vitet 1970-‘75, kur unë nuk punoja fare në Institut dhe bile nuk kisha qenë as anëtar në Këshillin Shkencor të Institutit, ku të kisha thënë së paku një “po”, për ata puse. Në asnjë forum nuk kisha dhënë mendim për miratimin ose jo të tyre. Prandaj menjëherë ishte e gatshme pyetja: si mund të kisha sabotuar, duke qenë larg projektimit, miratimit dhe shpimit të atyre puseve negative?! Dhe unë ngula këmbë, se edhe pa qenë unë pranë, ata prapë nuk ishin puse të sabotuar, por thjesht negative, që janë pjesë e kërkimeve. Këtë e bëja që për ata puse tani, të mos përvëlohej askush tjetër, sapo unë kisha alibinë, që me puset nuk kisha të bëja fare.
Ishin absurditete që dhe një fëmijë shkolle e kuptonte, se nuk qëndronin, por ishin futur aty pa vrarë mendjen, vetëm për të mbushur dosjet për dokumentacion si fakte, sepse e dinin që askush, nuk do të merrej me to. Akoma më absurde ishte akuza për puset e tjerë, me të cilët, sipas tyre, kisha shkelur jashtë kuadratit të Enver Hoxhës. Me këta puse, ishin përllogaritur e nënvizuar shuma të mëdha si dëme ekonomike nga ky veprim, që edhe kolegët tanë të mjerë të ekspertizës, e kishin quajtur sabotim.
-Po si mund të quhen shkelje e sabotime, kur këto puse që tani merren si argumente, janë projektuar e shpuar më përpara, pa u dhënë këto përcaktime, nga ana e kreut të Partisë?!- protestova unë. Hetuesit të ndodhur përpara kësaj katrahure, që unë me lehtësi ua hodha poshtë, u detyruan të përdorin mjetin e tyre më bindës, dhunën. Ata më shtruan përpara alternativën, që; ose unë të pranoja edhe këto të ekspertizës, ose atyre, do t’u mjaftonte vetëm lidhja agjenturore, që unë tashmë e kisha pranuar. – “Vetëm këtë ne e kemi mjaft, të çojmë në botën tjetër, – tha prerë Rustemi. Prandaj pranoi edhe këto dhe ta mbyllim me të mirë këtë proçes, këtë histori tënden”!
Si rrjedhim, unë edhe këtë pikë, siç pata pranuar dhe pikën e parë, të rekrutimit nga rusët, e cila po ashtu ishte absurde dhe aspak tipar i jetës sime, u detyrova ta pranoj. Ishte e qartë, se po të binte poshtë pika e sabotimit, nuk qëndronte as pika e tradhtisë, se tradhti, vetëm sabotimin ekonomik synonte, që të bëhej shtytje për rrëzimin e pushtetit. Përfundimisht, i gjithë kapitulli i sabotimeve në industrinë e naftës, u mbyll brenda ditës, bile, brenda disa orësh. Çdo gjë ishte e para vendosur. As hetuesia dhe as udhëheqja e shtetit, nuk tërhiqeshin nga qëllimi që i kishin vënë vetes. Kjo tashmë ishte katërcipërisht e qartë për ne dhe për çdo njeri të ndershëm, që i njeh këto ngjarje. Unë duke kuptuar situatën pa rrugëdalje dhe me riskun e goditjeve që mund të merrja, u thashë: – Bashkojeni edhe këtë me akuzën e pikës së parë, sepse janë njësoj si motër e vëlla!
Kundërshtari i vetëm i veprës së tyre, mund të isha vetëm unë. Po të mos kundërshtoja unë, prokuroria do të kish në dorë, një dokument të specialistëve dhe nuk do të vriste mendjen, se sa pa baza dhe amoral ishte ai! Ata nuk do të zbulonin cektësinë e miqve të tyre hetues, që t’u tregonin, se sa jo profesionale ish puna e tyre. Gjykatësit gjithashtu, kurrë nuk mund të hidhnin poshtë punën e kolegëve të prokurorisë dhe të hetuesisë, se urdhrat dhe ata i kishin nga i njëjti burim, e dosja e specialistëve ekspertë, u duhej më shumë fizikisht se logjikisht.
Avokatëve u ishte shuar fara. Kështu që, në një sallë pa të huaj, të drejtat e të pandehurve, duhet t’i mbronin vetë të pandehurit, ashtu siç ishin katandisur, pa dhëmbë, të sfilitur, në skelete të gjallë, e me kurrize të nxirë nga shqelmat e kriminelëve të hetuesisë. Por edhe fjala e të pandehurve, do të binte në honin e shurdhërisë. Historisë sonë, tërë këta burra të zotë, që paguheshin pesë herë më mirë se të gjorët naftëtarë, do t’i vinin përsipër, një kapak të rëndë prej guri. Kjo histori nuk mund të vazhdonte pa mbarim. Ne, diktatura na kish mundur!
Kur dola nga burgu, si pasojë e zhvillimeve demokratike në vendet e Lindjes dhe në vendin tonë, në vitin 1991, në Fier erdhi të më takonte një pjesëtar i grupit të ekspertizës, inxhinieri Vangjel Jani. Në prani të personave të tjerë, ai u shpreh me dhimbje: – “Zoti Petraq, të kërkoj thellësisht ndjesë që dhe unë u bashkova me të tjerët, e nënshkrova ato gjëra të neveritshme. Më beso që e vuaj shumë. Por ti e di që po të kundërshtoja, do të më sillnin dhe mua aty tek juve. Nuk ishte frika që më bënte të mendoja për këtë rrezik. Ata vetë ma thanë cope”!
E falenderova për ndershmërinë që shfaqi para të gjithëve. -Të lutem, më fal! Mos më mbaj mëri! – Nuk të mbaj, Vanqjel, – i thashë, duke i shtrënguar dorën. – Unë të kuptoj më mire, se këta shokët që na dëgjojnë. Po të ishte për mëri, unë së pari do t’i mbaja vetes. Unë pranova, se ishin të vërteta, më shumë mostruozitete se pranove ti, por vetëm duket sikur kam një avantazh, se dëshmitë e mia, dëmtonin po Petraqin. Po njësoj është! Pas një maratone të gjatë, prej rreth tetë muaj, të një maratone që përmbante tortura, presione, strese të rënda, jetesë në kushte të mjeruara e të neveritshme, izolim të plotë, errësirë informative për familjen, ne përfunduam aktin e deponimeve dhe e firmosëm atë.
Lexoja aktin përfundimtar dhe nuk u besoja syve të mi, nuk i besoja vetvetes dhe pyesja: A jam unë ky këtu?! Mbasi lexova letrat që më prunë, të nesërmen më thirrën në dhomën e hetuesisë dhe papritur pashë që më sollën atje Mynyrin. Më parë më dhanë urdhër, që të mos e ngrija kokën, e të mos e shikoja në sy atë që do të hynte, se ndryshe do të kisha pasoja. U ula në karrigen time të zakonshme, ndërsa vura re, se dy metra përpara meje, ishte shtuar një karrige tjetër, me pamje nga dritarja e me kurriz ndaj meje. Aty e ulën Mynyrin. Atij i thanë që të mos e kthente kokën prapa. Nuk e kuptova përse kishin aq frikë, nga syndërsymja jonë.
Ky takim, u organizua në fund fare, për të sheshuar ato mos përputhje të vogla, të cilat hetuesit i kishin lënë me qëllim, që të organizohej ky proçes ballafaqimi, që e kërkonte proçedura. Pra, çdo gjë bëhej prej tyre me hile, e me qëllime të caktuara. Kështu krijohej përshtypja, që deponimet në tërësi përputheshin, por kish vetëm disa mospërputhje të vogla, që janë të natyrshme. Si rrjedhim, një person i tretë, që mund t’i lexonte këto dokumenta, nuk dinte se ato shkrime, ishin rezultat i qindra e qindra varianteve nga më të ndryshmet, të shkuara më parë prej nesh, për të njëjtën ngjarje, gjatë hetuesisë. Po të liheshin ato ashtu si deponoheshin prej nesh, dilte hapur se këtu gjithçka ishte e montuar. Ishte kjo arsyeja, që ne nuk firmosnim ato që shkruanim çdo ditë, me plot budallallëqe e fantazira diletantësh. Prandaj në seancat e hetimit, nuk u pa asnjë prokuror të asistonte, siç e përmbanin formalisht edhe ligjet në fuqi.
Për të kaluar radhën, edhe me Enrikon, më bënë një takim të tillë, në të cilin ramë dakord, për ato “pak mospërputhje” që kishim në përshkrimet e të njëjtave ngjarje. Kështu, ata sheshuan gjithçka me kujdes dhe hetuesit triumfatorë, na i dhanë materialet përfundimtare për firma, të cilat ne i vumë pa e zgjatur. Në materialin përfundimtar, u përfshinë disa skema organizative, të gjithë grupeve armiqësore që ekzistonin në naftë dhe lidhjet e tyre, me disa anëtarë të udhëheqjes së partisë. Pra, u përgatitën materialet për arrestimin e menjëhershëm, në çdo moment, të tyre. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016