Nga Visar Zhiti
Pllaka të kujtesës dhe thasë…!
Memorie.al/Vjen viti 1439 me një çudi në Europë, Një gjerman, Johan Gutenberg si ç’shpiku një si makinë, si ato bujqësoret, dru e metal bashkë, që mbjell jo bimë, por shkronja me ca përzierje boje dhe vaji, kallaj e plumb e ku di unë…!
Është punë djallit. Jo, e Zotit!
Do të bëhen libra tani, i shkruan makina, jo një e dy, por plot, jo si dikur që të duhej një jetë që të shkruaje një libër dhe një jetë tjetër, nëse do ta kopjoje. Libra, që mund të shkojnë kudo,. Do të kemi punë…!
Do përhapet dija e atij popullit andej dhe do të shkojë nga ky populli këtej e do të kemi dy dije, tre, të gjitha dijet nëpër libra, edhe gjuhët të gjitha. Biblën, poemat, legjendat, shkencën e re, kanunet. Do shkruaj dhe unë jetën time.
Do të bëhen libra pa fund…!
Përhapja e tyre do të ishte si një lumturi tjetër, por dhe rreziku i tyre si një tjetër epidemi. Murtaja që kishte arritur brigjet, s’përbënte më lajm, le të vriste, ashtu siç bëri deri në 1800 vrau mbi 1.5 milion njerëz nëpër Europë, në Spanjë e Francë e Zvicër, në Angli, Rusi e Gjermani, e Austro-Hungari, gjithandej. Tani është kundër vdekja, është libri Njerëzit vinin maska. Të ruheshin nga murtaja, por kishin dhe librin. Po shkruajte, nuk vdes…!
Ndërkaq nuk vonoi as mallkimi. Nisi dhe djegia e librave… Po mezi u bënë… fajin e kanë botuesit, ata duhet të përndiqen. Çarqe të mëdhenj, kafaze për njerëz.
S’kishin kaluar as 20 vjet pas Johan Gutenbergut dhe në Gjermani çelet institucionalisht e para zyrë censure. Dhe Henriku VIII i Anglisë urdhëron që botimet të gjitha t’i dërgohen së pari Kurorës, që të vendosë ajo, kurse mbreti francez, Franci, e nxjerr jashtë ligjit shtypjen e librave.
Dhe më 1559 u kalua te lista e parë e librave të ndaluar, që Kisha e quajti Index Librorum Prohibitorum, që vazhdimisht shtohej, duke u bërë 5.000 tituj deri në vitin 1966, kur ajo u shfuqizua. Po kështu edhe kisha spanjolle dhe ajo irlandeze shfuqizuan listat e tyre pothuaj në këto vite.
Edhe Bibla herë përndiqej e ndalohej dhe herë digjej, derisa në vitin 553 perandori romak Justiniani, me origjinë dardano-ilire, lejoi biblën në greqisht dhe latinisht, por jo përdorimin e Midrashit hebre.
Në Angli Henriku VII lejoi Ungjillin sipas Mateut, kurse mbretëresha Meri urdhëroi që të mos futeshin në mbretëri libra e letra me emrin e Martin Luterit, përkthyesit “heretik” të Biblës “së ligë”, siç u cilësua, po dhe të Jon Calvin-it, teolog, komentues i Biblës, reformator dhe themelues i Kalvinizmit, lëvizje protestante, që bëri shkëputjen nga Kisha Romane Katolike.
Ishte viti 1555, ku Gjon Buzuku botonte në shqip “Mesharin”e tij…!
Libra në zjarr / zjarr në libra
Vdekja e zezë përsëritej herë pas here. Deri në shekullin XVIII ciklet epidemike të murtajës kishte marrë 137 milion njerëz. Mbi flakët tymi i trishtë qe ngrihej lart, dukej sikur kërkonte të ndiqte udhën e shpirtrave. Ndërsa djegia e librave gati ishte festë demoniake. Edhe vonë, në shekullin XX.
Kur drejtonte Hitleri me partinë e tij, në Berlin mezi prisnin raste që të demonstronin forcën. Vetë studentët, në majin e vitit 1933, mblodhën 25.000 vëllime, kryesisht nga autorë hebrenj, i ndanë nëpër pirgje dhe u vunë flakën përpara Universitetit të Berlinit.
Tymi prapë sikur krijonte fantazmat e shkrimtarëve që po digjeshin: ishin dhe Xhek Londoni, dhe Albert Ajnshtajni, Upton Sinclair, Ernest Hemingway, Heinrich Mann etj., etj.
Studentët nisën të sulmonin shitoret e librave për të rrëmbyer prapë, se duheshin shtuar flakët. Vallja makabre vazhdoi dhe në Salsburg, ku 15 mijë vetë morën pjesë në ritualin “zjarr purifikimi”, ku u dogjën 2.000 vëllime, libra “hebrenj”, por edhe “katolikë”, e turma këndonte “Deutschland…”.
Në Bashkimin Sovjetik, Talmudi, Bibla dhe Kur’ani u lanë vetëm nëpër libraritë e mëdha dhe sipas direktivave të pushtetit sovjetik (“Feja është opium për popullin” – Marks), mund t’u lejoheshin vetëm hulumtuesve të caktuar të historisë. Ndalimi i librave fetarë ishte i shumëplanshëm dhe përherë është paragjykuar dhe gjykuar.
“Për të përmbushur pikësynimet djallëzore, komunizmi duhet të ketë një popullsi pa fe dhe pa atdhe, të shkallmojë si fenë, ashtu edhe kombin. Gjithsesi këtë politikë të dyfishtë komunistët e shpallin dhe e praktikojnë gjithkund.”, – do të shkruante shkrimtari disident rus, i burgosuri politik, Aleksandër Sollzhenicin. Kthehemi prapë mbrapsht. Çdo përkthim i Librit të Shenjtë të myslimanëve mendohej si i pa përkryer.
Sulltani X pushton Tokën e Shenjtë. Papa Urbani bën thirrje për të nisur kryqëzatën e parë që perandoria e Bizantit ta rifitojë ç’humbi.
Pushtimet mesjetare të Lindjes dhe kryqëzatat mesjetare të Perëndimit krijuan dhe një armiqësi mes Krishtërimit dhe Islamit. Deri në vitin 1215 në Europë myslimanët shiheshin si të pafe, madje botimi në arabisht i Kur’anit u lejua veç në 1530, siç u duk më pas, sa për t’u djegur.
Nga mbarimi i shekullit XVII doli leja nga sulltanati turk që të shtypeshin dhe libra përveç Kur’anit.
Talmudi ka qenë i ndaluar gjatë mesjetës. Që në vitin 1239 kishte urdhëresa dhe flakët mbi pirgjet me “Talmud” hovnin rrugëve të Parisit. Në Itali u shkatërruan 12 mijë vëllime.
Në vitin 1632, astronomi Galileo Galilei shkroi librin ku besonte në sistemin heliocentrik ashtu si Koperniku, dhe guxoi ta shpallte nëpër botimet e tij, me gjithë paralajmërimet e njëpasnjëshme. Prandaj dhe kërkoi t’ia bënte parathënien një nga teologët e Vatikanit, që e trajtoi librin si sprovë intelektuale. Megjithatë Galilein e burgosën dhe ai e tërhoqi librin, ndërkaq burgun ia kthyen në arrest shtëpiak.
Kisha gjithsesi do ta rehabilitonte bashkë me të tjerë dhe të pranonte “Mendimin përgjithësues të astronomëve modernë”, ajo vazhdimisht ka përmirësuar besimin. Rruga drejt dritës hyjnore gjithmonë ka patur pengesat e djallit.
Kur niste shekulli XX, Selia e Shenjtë në Vatikan dha pëlqimin që motërzimet në gjuhë të tjera të Biblës, me miratimin e tyre, mund të qarkullonin gjithandej. Hans Kung ngulmonte në pranimin e hapësirave të gabimeve, në atë të vërtetë që “Papa është për Kishën dhe jo Kisha për Papën”, – shkruan ai.
Edhe në SHBA, pas anijeve të Kolombit, herët e vonë do të arrinin dhe pandemitë, edhe gripi spanjoll, dëmet e të cilit ishin më të mëdha se ato të Luftë së Botërore. Kërkohej vaksina. Edhe librat…!
Libri i parë që u dogj në Amerikë, në tregun e Bostonit në 1650 do të ishte një pamflet fetar i William Pynsent. Censura amerikane u krijua nga Anthony Comstock, themeluesi i një Shoqërie për ndalimin e vesit në Nju-Jork më 1872. Ai loboi në kongres për “moral, jo art e letërsi”. Nga ky shkak filloi përndjekja, u shënjuan rreth 3500 vetë dhe 350 libra u ndaluan.
Këtu përfshiheshin dhe vepra të klasikëve si “Lisistrata” e Aristofanit ose “Rrëfimet e Kentërbërit” të Shoserit (“Tales of Caunterbury” Geoffrey Chaucer). Do të kërkohej më vonë të ndaloheshin klasikë të tjerë, si James Jouce, Ernest Hemingway, John Stainbeck, megjithëse qe ky i fundit që futi gjerësisht në Amerikë idenë e barazisë shoqërore, levën spekuluese që e përdori Marksi për të lëvizur botën me një utopi. Kurse Engelsi as që e pranonte trashëgiminë si pasojë e ligjit të gjeneve. Ai besonte se vetëm puna e bën dhe e plazmon njeriun.
Edhe djalli modernizohej, madje mund të vishte dhe frak e të vinte mbi krye cilindër. Në vend të brirëve mund të vinte dhe drapër e çekanin.
Natyrisht, edhe në ditët tona kundërshtohen libra kur përmbajnë blasfemi ose dhunë, shtrigani, magjira e homoseksualizëm, fëmijë violentë, racizëm e genocid.
Sipas një statistike, në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX nga 6.364 kundërshtime ndaj botimeve, 1.607 ishin ndaj atyre për përmbajtjen seksuale, 1.427 për gjuhën ofenduese, 1.256 konsideroheshin të papërshtatshëm për mosha të caktuara, 737, të dhunshëm dhe 419, për nxitje të një oponence fetare.
Ndalimet për shkaqe fetare edhe sot kanë po ato shkaqe: përdorim pa vend i emrit të Zotit, vizionet acaruese antikristiane, vepra e Shtajnbekut si mallkim ndaj Zotit, “Vargjet Satanike” të Salman Rushdie si roman kundër myslimanëve, e deri te karikaturat Muhamedit, stampuar kohët e fundit në Holandë, etj, duke sjellë maskara si ajo e Parisit.
Arsyet fetare janë forma më tradicionale e ndalimit të librave, kurse ato politike më rishtarët.
Murtajë në Shqipëri dhe kartela e parë:
Edhe librat edhe murtajat kanë historitë e tyre tronditëse në Shqipëri Muratajat ashtu si luftërat kanë vrarë njerëz dhe qytete, për librat janë vrarë njerëz dhe qytete si në luftra…
Sipas një shkrimi të Faik Konicës: “Më 1368 ra në Janinë një mortajë e madhe e u hap deri në Berat. Më 1374, ra murtaja në Nartë, dhe vdiq kryezoti i vendit Pjetër Llosha. Më 1375, murtaja goditi prapë Janinën, dhe vdiq zonja Irena, e bija e dukës së Janinës…”…pushtuesi osman e kishte ndaluar mësimin e gjuhës shqipe nëpër shkolla. Dhe janë helmuar mësues, përndjekur nxënës. janë shëmbur ngrehina ku mësohej gjuha amë fshehurazi,
Ipeshkvi Pjeter Bogdani
(1685-1689)
Jep kushtrimin për libra shqip, duhet t’i kemi si bukën. Dhe shkruan i pari letërsi artistike në gjuhën amë, poezi, teologji, shkencë, etnologji, gjendjen e mjerueshme ekonomike dhe shpirtërore nën pushtim. I përmbledh në librin e tij të rëndësishëm “Çeta e profetëve” (Cuneus prophetarum), që do të ket:ë disa botime, i pari në 1685 në Itali, atje ku kishte kryer studimet e larta. Kur kthehet, drejtoi disa ipeshkvi, të Shkodrës, Shkupit, etj. dhe botoi veprat “Jeta e Jezu Krishtit, shëlbuesit të botës” (De vita Iesu Christi, salvatoris mundi) dhe “Këngët e Sibilave” etj.
Ipeshkëv, poet dhe luftëtar. Donte që t’i bënin ballë otomanëve me libra dhe armë. Organizoi kryengritësit shqiptarë, e nisi ushtrinë shqiptare në Prizren, vendlindja e tij, ku bashkë me pushtuesin, kishte pllakosur dhe mortaja. Sëmuret keq. Shkon në Prishtinë. As mjekët gjermanë nuk e shpëtojnë dot. Vdes në po atë dhjetor dhe e varrosin në Prishtinë. Por me t’u thyer dhe ushtria aleate austriake atje, tartarët dhe turqit e nxjerrin nga varri trupin e Bogdanit dhe ua hedhin qenve. Pushtues, kolere dhe qen të tërbuar do të ishte e ardhmja.
Një shekull pas Bogdanit, shkruan studiuesi dhe shkrimtari Agim Vinca te “Ditari i Pandemisë” (Prishtinë 2020), do të ketë një murtaje tjetër, e rrëfyer dhe në romanin e shkrimtarit Jusuf Buxhovi, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, – klerik dhe ky, që njihet si zbuluesi i librit të parë në shqip, i “Mesharit të Gjon Buzukut” (1555) në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit.
Profesor Vinca na thotë se poshtë titullit të romanit, botuesi francez ka vënë këtë sentence: «Qui résiste à la peste résiste au diable (Kush i bën ballë murtajës, i reziston djallit)».
Nga andej nga vinin murtajat, arrin dhe librat e paktë të Rilindjes Kombëtare, gazetat e shoqatave. Shtypeshin jashtë, nëpër Ballkan, në Rumani më së shumti, në Itali e Greqi e deri në Egjipt, po dhe në qendër të perandorisë, në Stamboll, me alfabete si të mundej, si t’i kishin shtypshkronjat, arabe e greke, cirilike, si viruset, të përziera me latine, etj, dhe janë sjellë fshehurazi, kontrabandë, me karvane kuajsh, me makina, në këmbë, me varka, … po fshehurazi janë shpërndarë, që nga abetarja e Naum Veqilharxhit, te poemat e Naimit e te vepra programatike e Samiut, “Shqipëria ç’ka qenë, çështë e çdo të bëhet?”.
Dhe prapë sipas Konicës: “Më 1814, ushtarë shqiptarë të Sulltanit, duke u kthyer nga Misiri, sollën një murtajë të madhe që ra, e rreptë e e tutshme, në Shkodër, në Ipek (Pejë), në Durrës, në Vlorë, në Janinë, dhe më tepër në Delvinë. U mbajt deri më 1819, dhe bota binin porsi miza…”!
Në fillim të shekullit XX, në vitin 1908, ende nën pushtim, personalitete të shquara të kulturës dhe politikës mbarëshqiptare u mblodhën në qytetin e Manastirit dhe “standardizuan” alfabetin e gjuhës amë, këtë që kemi sot. Me shkronja latine, perëndimorin.
Ndalimi i librave dhe djegiet e tyre, kur Shqipëria ishte nën perandorinë osmane, bëhej edhe për të plotësuar dëshirat dhe projektet shovene të fqinjëve, luftohej “shqiptarizma”, me qëllim që perandoria të sundonte duke përçarë dhe duke ruajtur drejtpeshimin që i duhej asaj në Ballkan, ndërsa kur Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë në 1939, teksa futeshin me shumicë libra të propagandës së tyre, hiqeshin të tjerë dhe prapë digjeshin libra, siç ndodhi me bibliotekën e dhuruar nga Lady Carnarvon, madje kur ishte ministër arsimi një shkrimtar, dëshmon studiuesi A. Plasari, sepse ndërkohë Italia i kishte shpallur luftë Anglisë dhe s’dihej se sa mund të dëgjohej ministri-shkrimtar vendas atëhere.
Edhe kur Shqipëria e vogël do të bëhej pjesë e perandorisë së madhe komuniste, shkaqet e djegies së librave do të ishin politike si në fashizëm, por dhe fetare, prapë për të sunduar. Luftohej mendimi ndryshe dhe kundër, nuk dihej të besohej më në Zot, por në idealet komunizmit. .
Bëmat u ngjanin çmendurive kolektive, të organizuara, që herë pas herë shpërthenin aty-këtu si zjarret në pyje. Fitimtarët e rinj nuk do t’i donin librat e vjetër. Luftën kundër tyre e nisën që gjatë Luftës së Dytë Botërore. Partizanët kishin urdhër të digjnin shtëpitë e kundërshtarëve, të atyre që kishin prona, por që kishin studiuar dhe nëpër Europë e kishin dhoma me libra. Digjeshin dhe bibliotekat kështu. Ato ishin shkaku.
Në librin tim, burgologjia “Rrugët e ferrit”, kam treguar aksione të tilla famëkeqe: Edhe nga bibliotekat e Shkodrës, nga ato të franceskanëve, të jezuitëve, të shoqatave, botuesve, nga bibliotekat private etj., etj. u morën libra, libra pa fund, historikë, gjeografikë, arkeologjikë, dorëshkrime dhe objekte, relike, numizmatikë, piktura etj., etj. dhe me autokolona u nisën… prapë për në Jugosllavi. Ç’mbeti, u ri kontrollua dhe një pjesë e vogël u çua në bibliotekën e re të qytetit, pjesa tjetër më e madhe u dogj.
As pushtuesit nuk janë sjellë aq keq me librat tanë. Bibliotekat e vjetra, ato të Apolonisë e të Dyrrahut të shekullit I para Krishtit u grabitën gjatë luftërave të ndryshme. Po ku janë bibliotekat e Gjirokastrës, Filatit, Himarës, të shekujve XIII e XIV? Korça në shekullin XVIII kishte 4000 vëllime. Kishin biblioteka Voskopoja, Vithkuqi, Sevasteri. Më 1922 u krijua biblioteka kombëtare në Tiranë. Solli librat e Komisisë Letrare të Shkodrës, nja 3000 më duket, po aq edhe nga shoqëria “Vllaznia”. Gjithë fondin e Mit’hat Frashërit…
Kam treguar se si biblioteka e Eqrem Bej Vlorës u nxor nga sarajet e tij dhe me kamionë u dorëzua në Jugosllavi, kurse atë Agajve në Brusnjë të Vlorës, me librat e mbledhur ndër vite nga ministri Ago Agaj, që kishte studiuar në Vjenën perandorake, i dogjën bashkë me shtëpinë.
Vazhdojmë. Bibliotekat e mbetura u kontrolluan me rreptësi si vende komplotesh e përbetimesh të fshehta, u bllokuan libra, u konfiskuan, u hoqën, u zhdukën, u vranë…anije të ngarkuara me libra kishin shkuar nga porti i vogël i Shën Gjinit për në Split a porte të tjera në Jugosllavi, te aleati i parë, i parë dhe nga rrezikshmëria, ngaqë “s’mjaftonte letra atje për të nxjerrë gazetën ‘Borba’ (?!?)” dhe librat e vjetër në shqip, albanologji dhe gjuhë liturgjike, dëshmi e dokumente historike etj, do të griheshin me lloj-lloj presazh siç do të donin t’u bëhej dikur mbledhësve apo krijuesve të tyre, dhe kështu nga bibliotekat e vjetra do të bëhej brumi që të ricikloheshin në letër të bardhë si harresa.
Kjo bëmë kriminale do të përsëritej në forma dhe mënyra të ndryshme edhe kur do të prisheshin marrëdhëniet me Jugosllavinë e më pas do të prisheshin me Bashkimin Sovjetik dhe me Kinën, epidemia e prishjeve qe bërë sunduese, shkaqet do t’i shpallnin si politike.
Lëvizjet e ’68-ës jashtë nëpër Europë, revolucioni kulturor ende më larg, në Azi, bënë që partia-shtet, ajo e Diktaturës së Proletariatit, megjithëse vendi ishte pa proletarë, të ndërsente rininë për të shëmbuj tempujt e fesë, kisha e xhami e teqe, ç’ta gjenin përpara dhe Shqipëria kështu do të shpallej me kushtetutë vendi i parë ateist dhe i vetmi në botë. Bashkë me ikonat dhe postiqet, hidheshin në zjarr dhe Biblat e Kur’anet, librat fetarë të gjithë, poemat.
Në shtëpinë tonë ka patur dy bastisje, vërsulje kundër librave, një herë në Berat para se të arrestonin tim atë, s’kishte shumë që fitimtarët kishin marrë pushtetin, ndali para portës një karrocë e madhe e tërhequr me kuaj dhe policët thanë se kishin urdhër të merrnin librat, sa më shume, mbushën karrocën dhe herën e dytë në Lushnjë, kur më arrestuan mua, erdhën për kontroll, panë librat, paskeni libra të ndaluar, thanë dhe morën disa bashkë me dorëshkrime të miat, ditar, poezi, tregime, 39 blloqe e fletore, etj,
Ndërkaq burgjeve librat e paktë që kishim, i kalonim dorë më dorë e nga burgu në burg, vetë bibliotekat e kampit, ndonjë dhomë e errët si qelitë, ishin tmerrësisht të varfra, me libra të kuq të Enverit, ndonjë të marksizëm-leninizmit e letërsi e mbetur rifuxhio…!
Komandat e burgjeve herë pas here shpërndanin herë pas here dhe ndonjë epidemi nëpërmjet ushqimit të keq me anë të mjekut të tyre e guzhinierëve, vazhdim i luftës që të dobësonin robërit, armiqtë e regjimit…!
Edhe Komanda e burgut të madh – Shqipëri kujdesej ashpërsisht që epidemitë ideologjike të saj, të përhapura gjithandej me barazi, të jepnin efekte sa më të qëndrueshme e të forta si ata vetë, duke i kaluar dhe nëpërmjet ushqimit shpirtëror, letërsisë dhe arteve…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016