Nga Arben P. Llalla
Pjesa e dytë
– Kolaboracionistët grek, projektuesit dhe udhëheqësit e gjenocidit në Çamëri (1944-1945) E vërteta e bashkëpunimit të çamëve, me gjermanët –
PARATHËNIE
Memorie.al / Periudha që kam nisur për të shkruar librin ka qenë nga viti 2008-2016, duke mbledhur materialet pak e nga pak. E kam patur tepër të vështirë për të gjetur fotografitë origjinale dhe disa gazeta në gjuhën greke, për vitet që bëhet fjalë. Shteti grek me strukturat e saj shtetërore prej rreth 70 vitesh, e ushqejnë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, me libra dhe shkrime të gënjeshtrës rreth asaj që ka ndodhur në të vërtetë nga viti 1936-1945, në lidhje me minoritetin shqiptar në Çamëri-Epiri i Jugut.
Ka shumë fotografi të keqinterpretuar qëllimisht nga historianët dhe publicistët grekë, rreth akuzës të pa faktuar të bashkëpunimit të çamëve me gjermanët. Pas shumë vitesh punë, munda të gjej të vërtetën e atyre fotografive që grekët pretendojnë se janë bashkëpunëtorët çamë me gjermanët. Besoj se puna ime disa vjeçare për të botuar këtë libër, do vlerësohet drejtë nga lexuesit dhe kritika. Nuk ka patur asnjëherë bashkëpunim kolektiv të popullsisë çame me pushtuesit italian dhe gjermanë, qëllimi i Gjenocidit grek, ishte për të spastruar Çamërinë-Epirin e Jugut nga shqiptarët myslimanë, grabitja e pasurisë si dhe vendosja e refugjatëve orthodoksë të ardhur ndër vite nga Azia e Vogël.
Gjatë operacionit në shpërnguljen e hebrenjve të Janinës për në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes, gjermanët në bashkëpunim me xhandarmërinë greke, shpërngulën edhe dhjetëra çam antifashistë. Kjo tregon qartë se shqiptarët e Çamërisë, ishin në anën e partizanëve grek. Konservimi nga ana e shtetit grek, të shtëpive dhe tokës private që pronarë të vërtetë janë shqiptarët, tregon qartë se spastrimi etnik i Çamërisë nga elementi shqiptar, ka patur prapavijë politike e pa mbështetur në asnjë fakt për akuzën e bashkëpunimit me gjermanët. Pa një zgjidhje të çështjes kaq delikate çame nuk mund të ketë fqinjësi të mirë, miqësi të sinqertë midis grekëve dhe shqiptarëve të cilëve më shumë i bashkojnë lidhjet e interesave se sa i ndajnë.
Mendoj që mbi pasionin të dalë vlerësimi objektiv shkencor i dukurive dhe fakteve që parashtroj e analizoj, po botojmë fotografitë origjinale, ku tregohet qartë bashkëpunimi i shtetit grek dhe klerikëve të lartë të Kishës Orthodokse Autoqefale të Greqisë, me pushtuesit italian dhe gjermanë. Historia e vërtetë nuk quhet ajo histori që shkruhet nga gjysma e vërtetë e përzier me gjysmë gënjeshtre. Historia e vërtetë është ajo histori që shkruhet mbi baza të dokumenteve të vërteta, sado e hidhur të jenë ato. Falënderojmë mirëbërësin Hysni Omer Idrizin nga Margëlliçi, për mbështetjen financiare që dha për botimin e këtij libri, në përkujtim të të parëve të tij në Çamëri.
Greqia nazifashiste e Joani Metaksas (1936-1941)
Që në vitin 1933, kur kryeministër i Greqisë ishte Panagjis Çaldharis, ishin shfaqur shenjat e para të ideologjisë naziste. Më 21 Maj, 1933, në paradën që u mbajt në Korfuz, u vërejt kryqi i thyer nazistë në flamurin mbretëror të Greqisë. Pamjen nga flamuri grek me kryqin nazist e shohim në një fotografi të kohës ku nga pas fotografisë shkruhet: “Organizata e Rinisë Popullore të Korfuzit” (Λαϊθής Οργάλωζες Νέωλ Κερθύρας). Ky veprim për propagandën e grekëve me kryqin nazist bëhej vetëm pak muaj pasi Adolf Hitler ishte zgjedhur Kancelar i Gjermanisë më 30, Janar, 1933.
Pas zgjedhjeve të 26 janari 1936, Eleftero Venisellos edhe pse i fitoj ato, nuk mundi të krijonte qeverinë, kështu mbreti Jorgo i Dytë, pas vdekjes së papritur të kryeministrit të atëhershme Konstandinos Demerzhis më 13 prill 1936, autorizoj Joani Metaksa si kryeministër dhe ministër i mbrojtjes i Greqisë. Me të marrë pushtetin, Joani Metaksa instaloi diktaturën fashiste e njohur me emrin “Regjim i Katër Gushtit i Vitit 1936”. Ky regjim u karakterizua nga një sërë simbolesh të jashtme fashiste. Duke shkërbyer Rajhun e Tretë të Hitlerit, Metaksai përpunoi nocionin e “Qytetërimit të Tretë Helen”.
Nxënësit nëpër shkolla nderonin me gjeste fashiste me dorë të zgjatur përpara siç nderohej Hitleri. Veshja fashiste e tipit të regjimit të Musolinit, këmishëve me ngjyrë të zezë u bë veshja zyrtare e nxënësve nga shkolla fillore e deri në universitet. U krijua Organizata Kombëtare e Rinisë (EON), me anë të së cilës, në mungesë të bazave të vjetra të mbështetjes popullore, Metaksai u përpoq të institucionalizonte pushtetin e tij, nuk ishte veçse një shkërbim i zbehtë i Rinisë së Hitlerit.
Në 20 shtator 1936, erdhi në Athinë ministri i propagandës naziste të Gjermanisë, Joseph Goebbels, i cili u prit me nderime të larta shtetërore. Në aeroport, atë e priti Kryetari i Bashkisë së Athinës, Konstandinos Koxhias (Konstandis Kotzias). Të nesërmen më 21 shtator, ministri gjerman Goebels, u takua me kryeministrin Metaksas, ku kaluan bashkë gjithë ditë. Ai, bëri vizita në disa vende arkeologjie të Greqisë. Në mëngjesin e 28 shtatorit, Joseph Goebbels, bashkë me gruan e tij, u nisën për në Gjermani pas një vizite shumë të suksesshme. Para se të ikte Goebels la një çek prej 150.000 dhrahmi, si mirënjohje për njerëzit e sigurimit kombëtar grek që e shoqëruan gjatë ditëve të qëndrimit në Greqi, diplomatit Dh.Vikella.
Nga nënshkrimi i marrëveshjes midis Turqisë dhe Greqisë, 1-4 nëntor 1913, ku Greqia do t’ju njihte të drejtat e pasurisë mbi pronat e paluajtshme bujqësore, të zotëruara nga personat privatë me dokumente nga shteti osman, para zotërimit të tyre, do të njihen nga shteti grek. Mbretëria e Greqisë, nuk i qëndronte për të zbatuar këtë marrëveshje për pronat e paluajtshme, por gjatë viteve 1913 e në vazhdim kishte nxjerrë Ligje të ndryshme, që ua sekuestronte pronat çamëve duke shkelur marrëveshjen në fjalë.
Gjatë Qeverisjes së Joani Metaksa 1936-1941, u votuan edhe shumë ligje të tjera që u hiqte të drejtën e pronës, duke ua dhënë këto prona refugjatëve orthodoksë të ardhur nga Azia e Vogël. Qeveria e diktatorit Metaksas, e gushtit të 1936, me politikën nacionaliste që ndoqi, i shtoi edhe më tej masat diskriminuese për shqiptarët myslimanë. Ai e vuri në një survejim të plotë gjithë Çamërinë. Duke menduar se kryeqendra e Çamërisë, Filati gjendej përtej lumit Kalam, afër kufirit shqiptaro grek, i dha prioritet për kryeqendër të Çamërisë, Gumenicës. Qeveria e Metaksait i bëri këto ndryshime administrative, sepse nuk i shihte çamët si shtetas të besueshëm të shtetit Helen.
Opinioni i shëndoshë grek, konstatonte me dëshpërim se revanshi që kishte marrë Metaksai, i njohur për idetë e tij fashiste kundër minoritetit shqiptar çam, do ishte me pasoja tragjike, jo vetëm për çamët myslimanë, por për të gjithë Greqinë. Gjate viteve 1939-1940, u thirrën për të kryer shërbimin ushtarak rreth 2.000 djem çamë por duke i paragjykuar, Qeveria e Metaksait i mbajti në reparte të veçanta dhe në shërbime pa armë.
Gjatë luftës italo-greke ushtarët shqiptar prej Çamërie që shërbenin në ushtrinë greke nuk ju besuan armë për të luftuar pushtuesit italian, por u shfrytëzuan në prapavijë si krah pune për të ndërtuar ura dhe rrugë të reja. Para se të hynte në Greqi, ushtria fashiste italiane, qeveria greke filloi një fushatë të re masakrash dhe krimesh nga më monstruozët kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë. Dy muaj para konfliktit italo-grek, qeveria fashiste e Metaksait, kreu një akt pa precedent në historinë botërore.
Të gjithë meshkujt nga 16-70 vjeç, mbi 5.000 burra, u burgosën dhe u dërguan në ishujt e largët të Egjeut. Ky veprim u krye në bazë të vendimit të marrë më parë në Gumenicë nga një mbledhje e kryesuar nga Dhespoti i Janinës, Spiridoni, ku merrnin pjesë edhe zv/Prfekti i Gumenicës Jorgo Vasilako, komandanti i Korafilaqisë dhe përfaqësues të grekëve të Çamërisë. Gjatë periudhës së qeverisjes së Metaksas, filloj asimilimi me forcë i minoriteteve në Greqi si të shqiptarëve, bullgarëve, turqve, vllehve, duke shkelur edhe Marrëveshjen e Lozanës.
Regjimi i 4 Gushtit i Metaksas, u përpoq minoriteteve që jetonin në Greqi t‟u impononte përdorimin vetëm të gjuhës greke në vendet publike dhe brenda rrethit familjar të tyre. Kështu, minoriteti shqiptar, hebre, bullgar, sllavo-maqedonas, u bënë viktima të regjimit diktatorial të Metaksas. Mijëra njerëz u burgosën vetëm e vetëm se nuk i përkisnin etnisë greke. Këta të burgosur 3 muaj pas vdekjes së Metaksas, ju dorëzuan pushtuesve italian dhe gjerman, shumë prej tyre u ekzekutuan nga këta pushtues të Greqisë.
Diktatori Joani Metaksas, ndërtoj një regjim ku çdo kundërshtar i tij duhej të burgosej, të torturohej dhe më tej të punohej me të për tu bërë bashkëpunëtor i policisë sekrete. Në ditët e para të regjimit të Metaksas, u burgosën shumë drejtues të Partisë Komuniste Greke – KKE, midis tyre Niko Zahariadhis, të cilin e burgosi në burgun famëkeq të Korfuzit. Regjimi mbylli gazetat kundërshtare, deri në vitin 1938, ishin burgosur rreth 600 drejtues të lartë komunistë, në një farë mënyre Partia Komuniste nuk ekzistonte më.
Shumë komunistë kaluan në shërbim të regjimit të Metaksas, për t‟i shpëtuar burgosjeve dhe torturave. Dy deputetët komunistë, Mihali Tirimos dhe Manolis Manoleas, pasi u burgosën në ishullin e Korfuzit, pranuan më tej të jenë në shërbim të sigurimit të fshehtë të regjimit. Joani Metaksai, e quante vetën e tij “Protos Agrotis” (Fshatari i Parë) dhe “Protos Ergatis” (Punëtori i Parë), “Udhëheqësi”, “Babai i Kombit”, duke e mbivlerësuar veten e tij.
Retorika e tij populiste, antiplutokratike, së cilës gjithsesi nuk i mungonte sinqeriteti, rrallë përputhej me praktikën. Ai, i detyronte të rinjtë të hynin në Organizatën Kombëtare të Rinisë, të cilën e kishte menduar si mjetin për të përjetësuar idealet e tij pas vdekjes dhe shfrynte dufin kundër të gjithë spektrit të “klasës politike”, duke ushqyer një neveri të veçantë për të majtën ekstreme.
Figura e kryeministrit Metaksas urrehej nga pjesa popullore, ai nuk gjeti mbështetjen e gjerë të popullit për propagandën fashiste dhe naziste që promovonte. Por, ai, e fitoi simpatinë e grekëve vetëm kur më 28 tetor 1940, i tha Jo pushtimit paqësor të Greqisë, nga ana e Italisë së Musolinit. Joani Metaksas organizoi forcat e shumta vullnetare ushtarake në emër të patriotizmit grek, për çlirimin e Vorio-Epirit, duke bërë që te grekët të ndizen ndjenjat e bashkimit kombëtar, për mposhtjen e Italisë. Në pak kohë, ushtria greke hyri deri afër Vlorës. Pas vdekjes së Metaksas, Greqia u pushtua shumë shpejtë nga forcat gjermane, bullgare dhe italiane, të cilët e ndanë atë në tre pjesë.
Me fillimin e luftës italo-greke, u dhanë urdhër që të izoloheshin dhe të arrestoheshin figurat kryesore të shqiptarëve të Çamërisë. Komandanti i xhandarmërisë së Filatit, Zambeta dhe postëkomanda të tjera në Çamëri, kishin marrë urdhër që të arrestonin në çdo qendër të Çamërisë e fshat mysliman, parinë më të përzgjedhur të shqiptarëve. Ky veprim i Metaksait ishte një tjetër gabim i rëndë, që u pasuan nga veprime të gjithfarëllojshme e të pakuptimta.
Arrestimet e parisë çame filluan në Filat dhe menjëherë u pasuan në të gjithë rajonin e Çamërisë. Të arrestuarit e parë nga paria e Çamërisë, ishin figura që kishin treguar se ishin antifashistët e orëve të para, si; Musa Demi, Shuapi Metja, Myftiu i Filatit: Mehmet Zeqirjai, Sako Braho, Samet Murati, Shaban Demi, Gali Xhaferi, të gjithë këta nga Filati. Po kështu në Paramithi, Varfanj, Margëlliç, Gumenicë, Volë, Arpicë, Karbunar, etj11.
Gjithnjë veprimet e pushtetit të Greqisë në dëm të shqiptarëve të Çamërisë, e kanë gjetur një shkak, një akuzë të pabazë, duke deklaruar se çamët janë bashkëpunëtor të italianëve dhe duan të bashkohen me Shqipërinë. Kur në të njëjtën kohë ushtria greke kishte pushtuar tërë jugun shqiptar dhe dalëngadalë gjuha greke u fut edhe në administratën e qyteteve të Korçës, Pogradecit, Gjinokastrës, Tepelenës, Përmetit, Sarandës.
Më 10 nëntor 1940, me dekret mbretëror grek, ligji 2636, Greqia i shpalli luftë Italisë dhe Shqipërisë. Ky ishte një veprim dinak i Greqisë, për të sekuestruar pronat e shqiptarëve të Çamërisë, por edhe si shkak për t’i përzënë ata përgjithmonë nga trojet e tyre. Dekreti mbretëror i shpallur në nëntor të 1940, për shpalljen luftë Shqipërisë ishte i njëanshëm, pasi Shqipëria kishte më shumë se një vit e pushtuar nga Italia, Mbreti i saj Zogu i Parë, ndodhej në mërgim, forcat mbretërore shqiptare më 7 prill 1939, kishin luftuar aq sa mundeshin, kundër ushtrisë pushtuese italiane.
Pas pushtimit italian të Shqipërisë, masa e gjerë e popullsisë bënte rezistencë ilegale kundër pushtimit të Italisë. Në fund të janarit 1941, kryeministri Joani Metaksas vdes, në vend të tij u zgjodh Aleksandër Korizi. Pushtimit të disa pjesëve të Greqisë nga Gjermania naziste dhe pas një bisede me mbretin Gjeorgji i Dytë, kryeministri Aleksandër Korizis vrau veten në shtëpinë e tij më 18 prill 1941. Pas disa ditëve nga vetëvrasja e kryeministrit, Greqia nënshkroi kapitullimin dhe bashkëpunimin e saj me Gjermanin naziste.
Qeveritë Kolaboriste greke (1941-1944)
Pas një rezistence, ushtria greke ndaj italianëve, nëntor 1940-prill 1941, luftimet e së cilës kryesisht u zhvilluan në territorin e Shqipërisë, ushtria greke drejtuar në përgjithësi nga ushtarakë të lartë me origjinë vllahe, u dorëzua lehtësisht tek gjermanët. Më 20 prill, 1941, e Diela e Pashkëve, gjenerali i Korpusit të Parë, Panajot Dhemestihas, gjenerali i Korpusit të Dytë, Gjeorgjio Bako, Mitropoliti i Janinës, Spiridon, i cili edhe ky ishte vlleh nga Pogonia, nënshkruan dorëzimin dhe bashkëpunimin e ushtrisë greke të Epirit me gjermanët dhe italianët.
(Mitropoliti i Janinës, Spiridon, ishte një antishqiptar i tërbuar, ai ka qenë ministër i Brendshëm në qeverinë e Autonomisë së Veriut të Epirit më 1914. Mitropoliti i Janinës, Spiridon, në vitin 1949-1956, ishte Kryepeshkop i Greqisë, ai njihej në popull me emrin Spiridon Vllehu, por mbiemri i familjes ishte Sito). Më 10 prill 1941, drejtuesit e lartë të qytetit të Aleksandropolit në Evro të Trakës greke, i dërguan një letër falënderimi Adolf Hitlerit, ku i shkruanin:
“Drejtuar Fyrerit të popullit gjerman. Hyrja e trupave gjermane riktheu sërish ligjin dhe rregullin në Greqi. Një letër e drejtuar Fyrerit të popullit gjerman nga Komisioni popullor i Aleksandropolisit (ish Dedeagaç), kryeqyteti i qarkut grek të Ebrosit, ofron konfirmim të veçantë të këtij fakti:
“Popullata e Aleksandropolisit, të cilët tashmë tre ditë jetojnë në territorin e okupuar nga trupat e lavdishme gjermane, janë tubuar sot në mënyrë vullnetare që të shprehin falënderimin e tyre të përzemërta Ekselencës suaj në sajë të Komandantit Suprem të Ushtrisë së lavdishme gjermane. Ata zotohen se gjithnjë do ta japin dëshminë e tyre për falënderimin e tyre të vendosur për qytetërimin e madh dhe kavalerinë e vërtetë të shprehur nga trupat guximtare të okupacionit, ndaj popullatës.
Jeta, nderi, prona si dhe zakonet dhe traditat kombëtare kanë ngelur të paprekur. E lartpërmendura demonstrohet nga fakti që në këtë drejtim gjithçka vazhdon të rrjedhë si më parë. Aleksandropolis, 10 prill 1941 Komisioni popullor i Aleksandropolisit dëshiron t’ia përcjell ekselencës suaj admirimin dhe falënderimin e tij. Mitropoliti, Pataron Meletios Kryetar, Anas. Pentzos Anëtarë: Nik. Stiropoulos, Konst. Saridis Sekretari i përgjithshëm, Manganaris”. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm