Vehbi Skënderi, një individualitet i shquar krijues i poezisë shqipe –
Memorie.al / Poeti Vehbi Skënderi ka lindur në Ersekë më 18 maj të vitit 1927, në familjen e një kleriku të lartë nga Strelca e Korçës. Babai i tij Imam Demir Efendiu, kishte kryer studimet e larta fetare në Stamboll. Ai ishte një njeri i ditur, kishte një bibliotekë nga më të pasurat e asaj kohe, në arabisht dhe persisht, kishte pikëpamje liberale antikomuniste, ishte për bashkëjetesë të mirëfilltë ndërfetare dhe shfaqte simpati për demokracitë perëndimore: djalin e madh, Kadriun, e dërgoi në Shkollën Amerikane Bujqësore të Fultz-it, në Golem të Kavajës. Imam Demir Efendiu kishte shërbyer si klerik në Korçë, Ersekë, Pogradec etj. Nëna e tij, Selimeja, ndonëse autodidakte, përveç librave fetare, lexonte edhe letërsi në gjuhën shqipe. Ajo ishte Kryetare e Komisionit të Luftës kundër Analfabetizmit në të gjithë Gorën.
Shkollën fillore (me pesë klasë) Vehbiu e kreu në Strelcë në vitet 1934-1939. Në vitin 1940, u mobilizua me forcë nga ushtria greke në vijën e parë të frontit, për hapjen dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Aty ai përjetoi nga afër tmerret e luftës: përpara syve të tij kalonin përditë me qindra luftëtarë të plagosur e të gjymtuar. Në vitet 1941-1943, vazhdoi studimet fetare në Medresenë e Lartë Tiranë, ku midis mësimdhënësve kishte orientalistin e mirënjohur Vexhi Buharaja, Profesor Mehdi Bushatin, Hafiz Ismetin etj. Në majin e vitit 1943, ndërpret studimet dhe del partizan në Çetën e Dibrës, me komandant Haxhi Lleshin, ku iu mbijeton tre plagosjeve. Në vitin 1944, pranohet në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare.
Me mbarimin e Luftës në vitin 1945, kalon në Divizionin e Mbrojtjes Popullore. Në fillim të vitit 1947, shtrohet në Sanatoriumin e Turanës, me një proces tuberkular të avancuar, kur merr raport për t’u shkëputur përfundimisht nga ushtria. Më 1951-in, fillon një kurs estetik dyvjeçar, ku jepnin leksione Jakov Xoxa, Bedri Dedja, Mark Gurakuqi etj. Në vitet 1953-1956, kryen shkollën e mesme profesionale (dega rusisht). Në vitet 1956-1961, kryen Fakultetin Histori-Filologji, me rezultate shumë të mira. Vehbi Skënderi njihte shumë mirë rusisht, italisht dhe frëngjisht.
Veprimtaria si gazetar
Bashkëpunimin me shtypin, Vehbi Skënderi e fillon tek gazeta “Arma e Mbrojtjes” e Ushtrisë Popullore, që nxirrte Ministria e Mbrojtjes. Shkrimi i tij i parë që gjen jehonë të veçantë, ishte ai i botuar më 1945, tek gazeta “Bashkimi”, me titullin “Myfiti”, ku bën portretin dhe historinë e një çami nga Filati. Në vitet 1949-1953, është redaktor në revistën “Miqësia”, me Gjovalin Lukën, ndërsa në vitet 1955-1956, në revistën “Hosteni”, me Spiro Çomorën. Në vitet 1956-1959, është korrespondent special në të përditshmen “Bashkimi”.
Nga viti 1960, deri në vitin 1966, punoi në revistën “Ylli”, ku ishte gazetar dhe anëtar i kolegjiumit. Në vitet 1973-1974, ai ishte redaktor i poezisë, në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë. Veprimtarinë publicistike, e cila është brilante, Vehbi Skënderi mundi ta rifillonte vetëm pas vitit 1992, me rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Në këto vite të periudhës postkomuniste, Vehbi Skënderi ka botuar publicistikë dhe poezi, kryesisht në gazetat e përditshme “Rilindja” e Kosovës, që botohej në Tiranë dhe “Bota Sot”.
Veprimtaria si poet
Poezinë e parë, e cila pati shumë sukses, Vehbi Skënderi e botoi në revistën “Letërsia jonë” në vitin 1947. Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, pa qenë kandidat. Më 1953, botoi librin e parë poetik, ‘Këngët e para’. Prej atëherë, ka botuar librat poetikë ‘Vjersha’ (1958), ‘Fletë nga ditari im’ (1964), ‘Vjershat dhe poemat e Drinit’ (1969), ‘Vazhdim i një bisede’ (1971), ‘Vdekja e Ofelisë’ (1971), ‘Shqiponja e Vermoshit’ (1972), ‘Përsëri mëngjes’ (1973), ‘Vjersha dhe poema të zgjedhura’- Kolana e poezisë shqipe (1973), ‘Kumbojnë vitet’ (1983), ‘Nxitoj’ (1987), ‘Bëjmë’ sikur (1995), ‘Hëna e vjedhur’ (2000), ‘Zvicra Shqipëria’ ime (2004).
Për “Fletë nga ditari im”, në vitin 1966, Vehbi Skënderi mori Çmimin e Republikës. Një vit më vonë, merr çmim në konkursin kombëtar për poemën ‘Vazhdim i një bisede’. Ai merr edhe çmime të tjera nga organet botuese në konkurse të ndryshme kombëtare. Poezitë e tij përfshihen në antologjitë dhe tekstet shkollore të kohës dhe në botimet e poezisë shqipe, në gjuhë të huaja. Vëllimin e fundit, ‘Mirëmëngjesi, Shqipëri – Lirika të një tetëdhjetëvjeçari’, i cili u botua pas vdekjes, poeti Vehbi Skënderi e përfundoi në fillim të vitit 2009.
Kalvari i gjatë nga persekutimet…!
Përplasjet e Vehbi Skënderit me regjimin e kohës, dolën hapur në vitin 1966-‘67, kur shkruan fejtonin; ‘Klubi i të qetëve ose, Klubi i të lumturve’, për Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve. Një sekretar partie për ideologjinë, u shpreh atëherë se; “ky fejton, përmban helm më shumë se romani më antiparti i kohës”. Po atë vit, me një grup të shquar intelektualësh – Profesor Selman Riza, Profesor Ligor Mile, Profesor Dhimitër Pilika, Kolonel Dilaver Radeshi, historiani i mirënjohur Zija Shkodra, majori Bektash Bedo etj. – ai përgatiti një “Brigadë shtypi” dhe e dorëzon për botim në Zërin e Popullit.
Në këtë pamflet, kritikoheshin rëndë Instituti i Historisë dhe Instituti i Gjuhësisë: Instituti i Historisë, në vend që të merrej me figura e epoka madhore të historisë kombëtare, merrej vetëm me Haxhi Qamilin, duke mos bërë asnjë monografi për Pirron e Epirit, Teutën e Ilirisë, Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin e Fan Nolin, duke mos bërë asnjë studim për Lashtësinë, Mesjetën, Rilindjen Kombëtare, duke mos bërë asnjë studim për Kosovën. Instituti i Gjuhësisë nuk kishte përgatitur ende Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Pamfleti nuk botohet. Kryeredaktori i ‘Zërit të Popullit’, Todi Lubonja ia dorëzon dorëshkrimin, sekretari të parë të Tiranës Manush Myftiut, dhe me të merret Byroja Politike, duke e cilësuar si “veprimtari armiqësore, të njëjtë me Konferencën e Partisë së Tiranës”.
Në Komitetin Qendror, gjatë seancash të terrorit të gjyqit politik, e akuzonin për veprimtari antiparti, sepse sipas tyre, sulmonte institucionet e superstrukturës të diktaturës dhe nacionalist, meqë u deklarua se Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë. Gjyqi ishte kaq i tmerrshëm, sa njëri prej pjesëtarëve, i ndjeri Bektash Bedo, vrau veten. Nga ky grupi intelektualësh në vitet e tranzicionit, është vlerësuar me të drejtë me nderime të larta, midis tyre vetëm Profesor Selman Riza, ndërsa për autorin e këtij shkrimi, Vehbi Skënderin, ka vazhduar gjatë këtyre njëzet viteve heshtja. I ndjeri Profesor Zija Shkodra, pas rrëzimit të diktaturës moniste, në një shkrim të gjatë, ka hedhur dritë të plotë rreth rolit kyç të Vehbi Skënderit.
Më 1967-ën, për pesë vjet rresht, Vehbi Skënderi, tashmë autor i ndaluar, dërgohet në Hidrocentralin e Vaun të Dejës, i dënuar me punë korrektuese. Një vit më vonë, në Kantjerin e Zadejës, dërgohet me punë fizike, zëvendësdrejtori i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës. Ai i kërkon Vehbi Skënderit, të bëhet agjent i Sigurimit, çka shkrimtari e refuzon kategorikisht. Funksionari i lartë i Sigurimit, i betohet shkrimtarit, se do të pendohet për këtë refuzim. I transferuar si zëvendësdrejtor i Degës së Punëve të Brendshme në Tiranë, ai ia përsërit kërcënimin shkrimtarit edhe disa vite më vonë. Më 1974-ën, nën udhëzimet e Sekretari të Parë të Tiranës, Sigurimi i Shtetit sajon të tjera reprezalje kundër Vehbi Skënderit, i cili përjashtohet nga partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga puna, i digjen librat dhe i ndalohet botimi.
Më 1975-ën, internohet në Shkodër, por organet e rrethit të Shkodrës nuk e pranojnë, sepse mungon vendimi me shkrim. Më 1976-ën, internohet familjarisht në fshatin e largët Zall-Mner të Tiranës. Pas katër vitesh pa punë, caktohet si punëtor transporti, në Kombinatin Poligrafik, në repartin e presimit dhe në magazinën e hedhjes së mbeturinave. Pas rreth dhjetë vitesh në atë punë të rëndë, i rikthehet e drejta e botimit. Por në Lidhjen e Shkrimtarëve i deklarojnë, se rehabilitimi i tij i plotë si autor, do të bëhet vetëm diku nga vitet 2030-2040…!
Del në pension në vitin 1987, duke qenë korrektor në repartin e dispensave, në Kombinatin Poligrafik. Prej 15 qershorit të vitit 1996, Vehbi Skënderi jetoi dhe krijoi në Zvicër, me familjen e tij të dashur, me gruan, dy nipat e tij, dhëndrin Skënder Buçpapaj dhe vajzën e tij të vetme, Elida Buçpapaj, të cilët e rrethuan me dashuri dhe përkujdesje shembullore, deri në fund të jetës së tij. Më 13.06.2011, në orën 04:30, në spitalin kantonal të Bazel Landit, Bruderholzspital, ku u shtrua në mëngjesin e datës 11.09.2011, pushoi së rrahuri zemra e Vehbi Skënderit, poetit të paepur, në përballjen me përndjekjet dhe ndalimet që përjetoi nga diktatura e egër komuniste dhe drejtpërdrejt nga Sigurimi i Shtetit.
Kanë thënë për Vehbi Skënderin:
SHKRIMTARI NAUM PRIFTI:
“Me Vehbiun pata fatin e mirë të punoja te revista e ilustruar ‘YLLI’ gjashtë vjet, nga 1960-ta, deri me 1967-ën, kur më dërguan për riedukim në Divjakë, në mars 1967. ‘Ylli’ ishte e para revistë e ilustruar, me tre redaktorë të aftë e me përvojë, Vehbiu, unë dhe Pipi Naçe. Kryeredaktor kishim Qamil Buxhelin. Ne redaktorët, kemi shkuar shumë mirë me njeri tjetrin, bashkëpunonim, konsultoheshim dhe kurdoherë mirëkuptoheshim për të mirën tonë dhe të revistës. Vehbiu ishte shembulli i pastërtisë shpirtërore, i njeriut me zemër të hapur e të sinqertë.
Më vonë mora vesh vuajtjet e tij të mëdha, shkarkim nga detyra e gazetarit, punëtor ngarkim shkarkimi në Vaun e Dejës, por poeti i kthyer hamall, qëndroi i fortë, nuk u epua, nuk u dorëzua dhe fitoi mbi poshtërsitë dhe intrigat e pasosura të partiakëve mendjeshkurtër. Jam i sigurt se krijimtaria e tij poetike, do të çmohet gjithmonë e më shumë, sepse ka lenë pas krijime artistike, të bukura, të sinqerta e plot ndjenja frymëzuese. Emri i tij do të kujtohet me respekt nga brezat e ardhshëm. Nuk e çmuan sa ishte gjallë, por ja kështu qenka jeta”.
SHKRIMTARI DHE KRITIKU AGIM VINCA:
“Poetit atdhetar iu plotësua një dëshirë e madhe: arriti ta shihte të lirë Kosovën, të cilën e deshi aq shumë dhe për të cilën këndoi me aq frymëzim, ashtu sikurse edhe për Shqipërinë, madje edhe nga Zvicra, ku i ngrysi vitet e fundit të jetës. Janë të rrallë poetët që kanë kënduar aq bukur e me aq pasion për jetën, lirinë, atdheun, natyrën, dashurinë dhe çdo gjë tjetër të bukur në këtë botë. Poeti Skënderi, është një autor ku nuk pranon vdekjen, ‘por e flak atë’, deri sa ta shikonte për së gjalli Kosovën e lirë. Vullnetin dhe përkushtimin e tij ndaj Atdheut, ndaj hapësirës shqiptare në përgjithësi, dhe ndaj dëshirës për lirinë e Kosovës në veçanti, për ta parë të lirë dhe të pavarur”.
Këtë dëshirë të përkushtuar të Vehbi Skënderit, kritiku Vinca e ka quajtur si; “kontratë” me vdekjen, që poeti nuk e dëshironte në asnjë mënyrë, pa e shijuar ndryshimin e statusit të Kosovës. Ky mendim nuk është i rastësishëm, por vjen në saje të vlerësimit të vargut artistik dhe lirik të poetit Skënderi, që i bëhet nga kritiku letrar Agim Vinca, i cili shquhet për kërkimet krijuese të të gjithë krijuesve shqiptarë, veçanërisht poetëve në gjithë hapësirat shqiptare. Pastaj, për poetin Skënderi, hapësira shqiptare nuk është e kufizuar. Struga, Dibra, Presheva, Ulqini, janë një truall i përbashkët, ku flitet një gjuhë, dhe ku jeton një popull. Këtë dukuri të mos kufizimit për hapësirën shqiptare, e vërejmë në botimet e mëparshme me poezitë: “Kosovë”, “Në këtë vend…”, “Vrasja e Shotë Galicës”, “Flijimi”, (kushtuar vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës) dhe shumë poezi të tjera”.
“Autori, te të tëra këto poezi, prekë, jo vetëm elementin e historisë së hidhur të shqiptarëve, që po përjetonin me vitet të tëra,por edhe elementin e pjekurisë kombëtare, e cila pjekuri po fillonte nga individi dhe ngadalë po vazhdonte në tërë shoqërinë. Prandaj, elementin e sakrificës për lirinë e vendit e trajton shumë qartë, me moralin e mirëfilltë njerëzor, në vargjet kushtuar vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, të cilët ishin nisur në rrugën më sublime, që çonte në lirinë e Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve. Një poet që ka një varg të përkushtuar për lirinë e njerëzimit, pa marrë parasysh hapësirat gjeografike të rruzullit, që nuk shikon racë, as fe, por në prioritet vënë lirinë e njerëzve të botës mbarë. Ky element është shumë i pranishëm me shembuj nga më të ndryshëm artistik në krijimet e tij të realizuara në vëllimin e fundit: “Zvicra Shqipëria ime”!
“Një poet që dashurinë ndaj femrës e respekton me përkushtim, dhe termin “Grua” e vë në shtyllë të shtëpisë, të cilën e lidhë ngushtë me tiparet e Atdheut. Ndonëse motivi i dashurisë për poetin mbetët vazhdimësi nga botimet e mëhershme, për dashurinë personazhi i femrës së bukur, na paraqitet edhe femra e huaj (joshqiptare), e largët nga ambienti ynë kulturor shqiptar. Zezakja, te vargu i poetit, përfaqëson tiparet e bukurisë, të elegancës, të tërheqjes së vëmendjes. Me këtë rast kemi një avancim të poetit, sepse në botimet e mëhershme gruaja, ose bukuria e femrës, personifikohej më shumë me elementin e jetës sociale shqiptare, ndërkaq, duke krijuar në Zvicër, ai këtë element nuk e kufizon, ose nuk i përmbahet me fanatizëm kësaj linje, por përkrah në sfond të gjitha femrat e bukura, pra edhe kur ato janë të; “zeza si kafja e pjekur”.
“Vehbi Skënderi në poezi këndon dhe vargu lirik i tij ka shumë muzikalitet dhe ritëm, por ai edhe shkruan, dhe mendimi mbetet gjithmonë i freskët. E veçanta e këtij frymëzimi artistik, mbetet te vlera e elementit të komunikimit. Nga shprehjet artistike mësojmë se autori është i lehtë në komunikim, e pranon këdo në bisedë, dhe kur fillon të flas, ai tregon gjërat që i di, me gjuhë shumë të qartë, dhe kështu ky komunikim në vargun e Skënderit merr melodinë artistike përkrah elementit komunikativ në jetën e përditshme”.
KRYEMINISTRI SALI BERISHA:
“Vehbiu mbetet në lëmin e letrave dhe poezisë shqipe, një nga emrat më të shquar të tyre, krijuesit e mëdhenj, por Vehbi Skënderi i përket atyre intelektualëve shqiptarë, që për mbrojtjen e vlerave, të ideve dhe pikëpamjeve që besonte, qëndroi me burrëri dhe kurajo të madhe, sakrifikoi, por nuk u mposht”.
PRESIDENTI BAMIR TOPI:
“Vehbi Skënderi ishte përfaqësues i denjë i asaj plejade letrarësh dhe personalitetesh, të cilët asnjëherë nuk i tradhtuan idealet e tyre, nuk e humbën shpirtin e lirë prej poeti, mendimet e qashtra, pasionin dhe dëshirën për jetën, por mbi të gjitha dashurinë për atdheun. Koha u tregua e ashpër me ta, por në kujtesën e kombit, ata do të mbeten gjithnjë në piedestalin e vlerave njerëzore dhe kombëtare falë trashëgimisë së paçmuar që u kanë lënë brezave të ardhshëm”.
SHKRIMTARI MOIKOM ZEQO:
“Emri i lirikut gjenuin, të çuditshëm Vehbi Skënderi, nuk do të harrohet asnjëherë. Për këtë jam i bindur”.
SHKRIMTARI VISAR ZHITI:
“E kam njohur, na donte kur nuk na donin, e donim dhe kur Ai ishte i ndaluar nga diktatura, bashkë me të papërkulurit e tjerë. Zëri i Tij i dashur, antalogjik tashmë, rikthehet, duke sjellë jetën e Tij, jetë poeti dhe si e tillë ajo është e pambarimtë”.
KRITIKJA KLARA KODRA:
“Në fazën e parë të krijimtarisë së Vehbi Skënderit, tema e parapëlqyer e poezisë së tij, ka qenë jeta dhe psikologjia e njerëzve të punës, e trajtuar me një lirizëm që shkrihet në një konkretësi detajesh. Pas vitit 1990, Vehbi Skënderi nisi të trajtojë temat ekzistenciale, duke e përtërirë krijimtarinë e tij me një përmasë universale filozofike dhe me thellësi psikologjike. Vehbi Skënderi është një poet me frymëzim spontan dhe me një gjuhë poetike shprehëse e të vetvetishme”.
SHKRIMTARI DHE KRITIKU XHAHID BUSHATI:
“I kam lexuar ato libra me kujdes. I lexoj përsëri…! Mbushem shpirtërisht dhe kujtoj me mall e nderim mikun tim, poetin e shquar, Vehbi Skënderi, njëri nga elitarët e poetikës shqiptare. I lexoj ato poezi magjiplote, sepse dua të respektoj ato vlera si amanete që la poeti, me të cilin, edhe në prani të Bahriut, në mjediset e ndryshme të kantierit të Zadejës, pata rastin të pi disa herë kafe. Çdo bisedë me të, ishte një leksion diturie për mua. E shprehte mendimin bukur, e thoshte fjalën bukur e plot ngjyra.
Një fjalë e shprehje plot ëndrra dhe dashuri jete. Dhe unë sa herë që largohesha nga ajo bisedë, sepse mbaronte takimi që nuk e dëshiroja, kisha dëshirë të kthehesha përsëri…! Po i kthehem librave poetikë. Pata rastin t’i njoh ato peizazhe punëtore. Pata rastin t’i njoh edhe nga turni i tretë. Çdo varg i poezisë së poetit, u bë i dashur për mua. U bë i vërtetë. Edhe në atë mjedis, shpesh gri e të egër, ai me mjeshtëri gjente të bukurën, të mahnitshmen, të mrekullishmen. Gjente bukurinë shpirtërore të njeriut, shpirtin e bukur të tij. Gjente dëshirën për të jetuar…! Ndaj, ato libra u bënë të dashur për mua dhe kanë vendin e nderit në bibliotekën time.
Unë për vete, dhe këtë e them me bindje, nuk kam parë asnjë poet t’i ketë kënduar aq bukur eplot pathos, Drinit plak, apo siç thonte Vehbiu në një varg brilant të tij: “… këtu janë zajet e rinisë së përjetshme”. Ndaj, në çdo kreshtë vale, gërxhe të thepisura, në llamburitjen e dritave që ngjanin si yje, rrugëve të përbaltura të kantierit, në të qeshurat, romuzet… është dhe kënga poetike dhe e pandalshme e poetit të shquar, Vehbi Skënderi, që i ngjan udhëtimit të Drinit plak, që nuk ka të sosur. Nderim”!
SHKRIMTARI SHEFQET DIBRANI:
“Libri poetik ‘Bëjmë sikur’ i Vehbi Skënderit, kap çështje më të shqetësuara që mund t’i përkasin individualitetit krijues e artistik të një poeti. Ndonëse përmbajtja e këtij libri, është e përbërë kryesisht nga lirikat, ai arrin me sukses të ofrojë një botë të tërë ndjenjash e shqetësimesh, por duke mos lënduar shpirtin e askujt. Bile, arrin ta përvetësojë lexuesin, duke e futur edhe atë në botën e lezetshme të meditimit lirik.
Poezia lirike është një zhanër specifik i krijimtarisë letrare, andaj, poezia e Vehbi Skënderit, që përfshihet në këtë libër mund të trajtohet si poezi e ekzistencializmit lirik, si poezi e mirëfilltë dhe e angazhuar. Format e kësaj poezie janë të gërshetuara brenda këtij libri, të lidhura mes veti me një konfiguracion idesh e mendimesh prej më të bukurave dhe me mesazhe të qarta, ku vë në spikamë fatin e individit si pjesë kolektivitetit në përditshmërinë tonë, ose ndryshe, përshkruan me emocione, ndryshimet e mëdha që ndodhën në shoqërinë shqiptare gjatë viteve të nëntëdhjeta”. Memorie.al