Nga Robert Elsie
Pjesa e dytë
Dëshmitë e rralla të ish-anëtares së Byrosë Politike dhe sekretares së Komitetit Qendror të PPSh-së, Liri Belishova, në intervistën për studiuesin dhe albanologun britanik, Robert Elsie: “Enver Hoxha ishte karrierist, Koci Xoxe, injorant dhe i egër, Mehmet Shehu, stalinist, Ramiz Alia, pa karakter”!
Memorie.al / Në nëntor të ’45-ës, mori pjesë në një kongres botëror të Rinisë të mbajtur në Londër. Në ’46-’47, ishte kryetare e Rinisë Popullore. Kur në vitin ’47-të, burri i saj i parë, Nako Spiru, u spastrua nga partia dhe bëri vetëvrasje, edhe Lirinë e larguan nga postet politike dhe e dërguan në Berat si mësuese. Shkaku ishte përkrahja e saj për pavarësinë ekonomike të Shqipërisë nga Jugosllavia në kohën e aleancës së shkurtër midis të dy vendeve. Liri Belishova ishte një personalitet shumë i njohur në vitet e para të komunizmit në Shqipëri. Ajo lindi në vitin 1923, në fshatin Belishovë të Mallakastrës, nga një familje e pasur. Në fund të viteve 1930, ajo ndoqi Institutin “Nëna Mbretneshë” në Tiranë, ku studioi për një kohë si infermiere. E frymëzuar nga romani “Nëna” i shkrimtarit Maksim Gorki, Liria iu bashkua lëvizjes së rezistencës komuniste, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku humbi edhe një sy gjatë luftimeve. Në vitin 1944, Liria ishte sekretare e Këshillit të Rinisë Antifashiste dhe në fund të luftës ishte anëtare e Frontit Demokratik.
Por duke ardhur gjithnjë koha nuk mund të pajtohesha dot, sidomos kur u dënua Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu. Por nuk guxoje jo t’i mbroje, po të mos t’i kritikoje. Dhe të them të drejtën, në këtë kohë isha martuar për herë të dytë. Kisha bërë dy fëmijë. Burri, kur u martua me mua, kishte dy vajza d.m.th. katër fëmijë.
Kisha pesë vëllezër që i rrita vetë se babai vdiq shumë herët. Kishin mbaruar universitetet, ishin martuar tre, dy ishin të fejuar, kisha nënën dhe gjyshen, po e lë sojin e burrit. Dhe e dija që hapi im për të kundërshtuar Enverin nuk do të më kushtonte vetëm mua personalisht, që në fund të fundit, isha gati, si të thuash, të sakrifikohesha sepse ndieja dhe përgjegjësi për këtë rrugë.
Po ata ç’faj kishin? Kështu që kam bërë çmos që nga kjo kohë kur fillova të shikoj më qartë dhe deri sa u dënova, si e si mos të krijoj tek Enver Hoxha përshtypjen që unë kam vërejtje kritike, që unë nuk jam dakord me këtë rrugë. Një rol me shumë rëndësi ka luajtur Kongresi i 20-të.
Ai raporti sekret i Hrushovit. Unë atëherë kam qenë e sëmurë, sa kisha lindur djalin dhe kam qenë katër muaj në krevat. Megjithatë, erdhi Enver Hoxha në shtëpinë time, ma tha shumë shkurt dhe nga kjo, kuptova që ai nuk ishte dakord me kritikën ndaj Stalinit. Por ama edhe neve nuk e adhuronim pak Stalinin dhe çfarë kishte ndodhur në të vërtetë, nuk e kishim shumë të qartë.
Kur e kemi lexuar atë, burri (Maqo Çomo), e kishte lexuar në tjetër vend, kemi thënë që të dy që; edhe këto janë maja e ajsbergut, se Hrushovi, ka qenë bashkëpunëtor i Stalinit. Disa gjëra ndofta ai vetë nuk i kupton, por ndofta disa gjëra, me qëllim nuk i thotë sepse, e ngarkonte edhe atë me përgjegjësi.
Po dhe ato ishin mjaft për të thënë, “po tani çfarë do të themi se më përpara thoshim propaganda imperialiste-borgjeze”, po tani e thoshin ata vetë. Dhe çështja ishte këtu: njeriu mund të diskutojë a është e drejtë politika e kolektivizimit apo jo, a është i drejtë nacionalizimi i industrisë i gjithë vendit, a është rentabël apo jo, dhe shumë gjëra të tjera.
Ky kontroll kaq i madh për letërsinë, për artin, për kulturën, a është e drejtë kjo që nuk ka asnjë marrëdhënie me Perëndimin, që nuk mund të lexosh një libër, nuk mund të dëgjosh një radio. Këto të gjitha diskutohen dhe kuptohet që njeriu normal do t’i dënojë, por i falet edhe atij që është i indoktrinuar që mos t’i kuptojë menjëherë.
Por krimi është krim, Robert, apo jo. Dhe kur është puna për krime, për qindra, për mijëra, për miliona veta, këtu është e pafalshme të hezitosh dhe të lëkundesh, e pafalshme. Mua më ka bërë përshtypje më vonë, pas Kongresit të 20-të, kam lexuar disa kujtime dhe letra të Gorkit, që kishin botuar.
Dhe çfarë shkruan Gorki për Leninin. Thotë: “Sa mizor duhet të jetë ky njeri që lejon të bëhet eksperiment me jetën e miliona e miliona njerëzve, duke shkaktuar këto vuajtje mbinjerëzore dhe kaq shumë viktima dhe gjak”. Më ka tronditur.
Znj. Belishova, kur e keni njohur Enver Hoxhën?
Për herë të parë e kam takuar Enver Hoxhën kur u bë Kongresi i Rinisë në Helmës, në korrik të ’44. Ma prezantoi Nakua. “Ky është Enver Hoxha”- më tha. Unë u çudita sepse, të gjithë të tjerët ishin të veshur partizançe, me nga një xhaketë nga ato të anglezëve, pantallona civile dhe me opinga. Kurse ai ishte veshur me rrobat e një oficeri italian, shumë elegant, me çizme të lustruara, me flokët sikur i kishte bërë me brilantinë.
“Udhëheqësi komunist të jetë kështu, revolucionari…”?!- mendova e habitur. Por ajo që më ka tronditur, ishte se, fjala e parë që më tha, nuk ishte “Si je?” Unë sapo kisha dalë nga burgu i Tiranës, ku terrori ishte në kulm. “Si e lejuat ju që të shpëtonte armiku Zai Fundo. Kishit urdhër që; të vritej me çdo kusht, Zai Fundo” – më tha. ‘Unë kam qenë në burg shoku Enver. Nuk e di këtë gjë’.- iu përgjigja…! “Shumë keq që nuk e di – më tha – Komiteti Qarkor i Tiranës, është përgjegjës për Zai Fundon. I ka bërë një dëm të madh Partisë…”!
Unë isha anëtare e Komitetit Qarkor të Tiranës, përgjegjëse për rininë, por puna ishte se unë kisha qenë në burg. Por për të, ishte një gjë e rëndësishme vrasja e armiqve. Ajo që dua ta them me sinqeritet, është se, më ka ardhur shumë keq kur janë dënuar shokë të ndryshëm. Mirëpo, mendoja se, këta shokë do të kenë bërë gabime të rënda dhe Partia ka dhe të dhëna të tjera. Por nuk mund të pajtohesha, sidomos kur u dënua, Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu. Nuk guxova t’i mbroja.
Në këtë kohë isha martuar për herë të dytë. Kisha bërë dy fëmijë. Burri kur u martua me mua, kishte dhe dy vajza nga martesa e pare, d.m.th., kisha katër fëmijë. Kisha gjithashtu në familje pesë vëllezër që, i rrita vetë, sepse babai vdiq shumë herët, kisha nënën dhe gjyshen. Dhe e dija që hapi im për të kundërshtuar Enverin, nuk do të më kushtonte vetëm mua personalisht, që në fund të fundit isha gati të sakrifikohesha sepse, ndjeja dhe përgjegjësi.
Po Mehmet Shehun, si e keni njohur?
Mehmet Shehu ishte stalinist me bindje. Enver Hoxha ishte tjetër. Enveri u lidh me komunistët dhe vendosi të bënte karrierë. Edhe po të ishte lidhur me social-demokratët, apo dhe me fashistët, prapë qëllimi kryesor i tij do kish qenë karriera. Ai njeri, çdo gjë e bënte për karrierë. Nuk ka parë cila është e drejta por, cila është ajo që do t’i shërbente atij. Kurse Mehmet Shehu, ishte një stalinist idealist. Besonte tek revolucioni, diktatura, partia bolshevike, te lufta e klasave, te socializmi etj. Por Shehu, në krahasim me Hoxhën, ka patur disa anë pozitive.
E para, ai njeri ka qenë i sinqertë, vepronte sepse ashtu mendonte. Enver Hoxha ishte ai që, e kthente pllakën nga të donte. U lidh me jugosllavët deri në atë pikë sa, kërkoi bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Dëboi specialistët sovjetikë nga Shqipëria që, të mbeteshin vetëm jugosllavët dhe pastaj menjëherë kur erdhën letrat e Stalinit tha: Unë i kam bërë këto se, kam qenë i imponuar nga Koçi Xoxe dhe e hëngri Koçi Xoxe. Mehmet Shehu, ka qenë kundra ndërhyrjes së jugosllavëve.
E mbaj mend shumë mirë sepse, atëherë merrja pjesë dhe unë në mbledhjet e Byrosë. Shehu ishte gjithashtu shumë organizator. Nëse flitet për rol individual, ato që u ndërtuan nëpër Shqipëri, në radhë të parë kanë vulën e Mehmet Shehut. Ishte organizator dhe shumë kërkues. Enver Hoxha, të lodhte me llafet e tij. Mehmeti ishte i prerë. Të provoje të mos i zbatoje detyrat që të jepte. Të ngrinte në këmbë në 00.00 të natës, me telefon. Në atë mënyrën e tij, ka qenë më shumë patriot.
Po Koçi Xoxe?
Koçi Xoxe nuk ka qenë i nivelit të një udhëheqësi. Ai kishte bërë vetëm shkollë fillore. Ata apollogjentët e tij, se ç’kanë rregulluar një dëftesë se, gjasme ka bërë gjimnazin e Selanikut, por e di mirë që, nuk ka bërë gjimnaz. Ishte injorant. Por ajo më e keqja e tij, ishte egërsia që ai ushtronte në emër të proletariatit dhe veten e tij, e quante proletar. Këta të tjerët, duke përfshirë dhe Enver Hoxhën, ishin intelektualë borgjezë.
Ai e dëgjonte Hoxhën se, ishte i pari dhe Xoxe ishte i disiplinuar në këtë drejtim. Madje, kur Hoxha propozoi që Sekretari i Parë Partisë tone të ishte Tito dhe Partia jonë të jetë si Partia e Kroacisë dhe Sllovenisë, Koçi Xoxe, nuk pranoi. Ishte i pashkolluar dhe i egër. Në kohën e tij, janë bërë tortura të tmerrshme me urdhërin dhe dijeninë e tij.
Ju ishit në atë Partinë Komuniste, që ka bërë këto gjëra, përse nuk u tërhoqët?
Të tëra këto tortura që janë bërë, ju betohem për shpirtin e vajzës që më ka vdekur, nuk i dija. Kam ditur vetëm një rast që ma ka treguar Nako Spirua. Është rasti i Kostë Boshnjakut, i cili në rininë e tij, ka qenë dhe me ide socialiste-komuniste me ato organizatat e emigrantëve me qendër në Vjenë, i lidhur me Kominternin, etj. E bën drejtor të Bankës së Shqipërisë pas çlirimit, por kur arrestuan deputetët, arrestuan dhe Boshnjakun. Nën tortura, ai kërkoi të fliste më Nakon, sepse ishte mik familje.
E dërguan Nakon dhe e takoi. “M’u duk sikur më ra qielli, jo tavani në kokë, sepse ai nga torturat, ishte shpërfytyruar”- më tha Nako. Kostë Boshnjaku, e kishte thirrur Nakon, për t’i thënë: “Të lutem Nako, thuaji që nuk kam bërë gjë. Le të më pushkatojnë, por nuk i duroj dot torturat”. Dhe Nako e përjetoi shumë dhimbshëm këtë gjë. Shkoi te Enveri. Aty gjeti dhe Koçi Xoxen. Në vend që ata të dy të reagonin, Koçi filloi të lëvize nëpër dhomë, si një fuqi vere, siç ma përshkroi Nako dhe të thotë: “Kështu janë këta borgjezët, nuk durojnë dot, i mbushin brekët, kurse komunistët i durojnë të gjitha torturat, vdesin nën trotura”.
Ishte mizor. Tashti kjo ka ndodhur pak kohë para se të ndodhte gjëma me Nakon. Dhe atë ditë, para se të shkonte në Komision të Planit të Shtetit, ai më ka thënë: “Të kujtohet Kostë Boshnjaku…”? Po-i thashë. “Njashtu kanë për t’ma ba dhe mu”- se ai fliste në dialektin e Durrësit. Dhe vetëm kjo më ka bërë të mendoj mua, se ndoshta është vetëvrasje.
Mendoj se ai ka thënë me vete: “Unë do vdes se do vdes, sa të vdes në një mënyrë kaq të padurueshme dhe mizore e, të më turpërojnë para Partisë dhe popullit, një plumb dhe mbaro”. Atje kanë qenë prezent tre veta. Por nëse Partia u thoshte; do thoni kështu, si do thoshin ndryshe?! Asgjë nuk mund të besosh. Po pas 60-vjetëve, a mund të vërtetohet. Jo. Kështu që, krimet e komunizmit që dihen, nuk janë të gjitha, ka edhe shumë të tjera.
Keni dëgjuar për Musine Kokalarin?
Po dhe e kam njohur Musinenë. Ajo ka qenë një vajzë shumë inteligjente. Dhe është marrë me letërsi. Kishte kulturë. Ishte antifashiste. Gjatë Luftës, ka ndihmuar për organizimin e grave antifashiste. Ka qenë e lidhur me Nexhmije Hoxhën. Unë e kam takuar disa herë. Na tha Nexhmija, një here: “I thoni Musinesë, që kam nevojë për një pallto të madhe”. Ajo hoqi pallton e saj dhe na tha: “Ja shpini Nexhmijes”. Enveri vetë e kishte njohur të vogël, kishin edhe lidhje fisnore, me njëri-tjetrin. Ajo u tregua e guximshme.
Nexhmije Hoxha, çfarë njeriu ishte?
Nexhmija ka mbaruar shkollën që kam mbaruar dhe unë, Institutin “Nana Mbretneshë”. Atëherë unë nuk kisha shoqëri me Nexhmijen, sepse ajo, ishte katër klasë më lartë se unë. Por jam njohur në kohë të Luftës dhe atëherë, më dukej një shoqe shumë e mirë, shumë e vendosur. Nexhmija ishte produkt i Enver Hoxhës. Duke kaluar koha, ajo në vend që të influenconte tek Enveri, për ta zbutur, përkundrazi, ka influencuar në të kundërt. U tregua një nxënëse e zellshme, në këtë drejtim.
Më kanë treguar se, në një mbledhje të kryesisë së Gruas, vajti me vonesë dhe pasi kërkoi ndjesë, për vonesën, tha: “Tani që dola, më doli përpara Fiqret Shehu dhe donte të bisedonte me mua. Por unë, i thashë shoferit t’i jepte makinës sepse, për ‘armiqtë e popullit’, ne s’kemi mëshirë”. Ishte pak ditë pas vrasjes së Memet Shehut. Ajo Fiqreten, e ka patur shoqe të ngushtë. Ishin shumë të lidhura. Mehmet Shehu, i kishte shërbyer si qen Enverit, arriti deri aty sa të na thoshte: “Aty ku vë këmbën shoku Enver, ne të vëmë kokën”. E tmerrshme ajo çfarë i bënë familjes.
Po Ramiz Alinë si e keni njohur?
Ramizi, nuk kishte natyrën e Mehmet Shehut, domethënë, nuk ishte njeri i fortë dhe i egër e, as djallëzor dhe gjakësor si Enver Hoxha por, ishte nga ata njerëz që, nuk kanë karakter. Enver Hoxha, e zgjodhi Ramizin si pasardhës dhe e ka mbajtur gjithnjë nën sqetullën e tij. Ramizi, u bë sekretar i Propagandës dhe vazhdimisht, kishte lidhje me Enver Hoxhën dhe i ka shërbyer atij.
Gjithë ajo propagandë 30-vjeçare e tmerrshme me gjithë ato argumente dhe mijëra tonelata letrash që, e bënin të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë, nëpër duart e Ramizit, kanë kaluar. Ramizi ka një faj të madh sepse, ai duhej të fliste të vërtetën për këtë periudhë që, ka qenë pranë Enverit. Ka qenë njeriu i besuar i tij.
Enveri ka menduar se Ramizi, është njeriu më i mirë për të qeverisur me Nexhmijen. Enveri, ka menduar që të vazhdonte qeverisjen, familja e tij. Ramizi, po të kish pasur ndershmëri, patriotizëm, disa bindje apo parime politike, duhej të fliste. Ai shkroi një libër 500 faqe që, të betohem nuk ka një gjë të vërtetë. Të tëra janë të shtrembëruara. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016