Nga Shpendi TOPOLLAJ
Memorie.al / Ishim nisur nga Durrësi një grup shokësh për të marrë pjesë dhe për të nderuar post mortem Prof. dr. Nuhi Vincën në Strugë. Rruga më e shkurtër i binte të kalonim nga Qaf Thana, por nuk mund të mos shkonim në Pogradec, për të takuar mikun tonë të shtrenjtë, akademikun Kopi Kyçyku. Ca më shumë që në shkëmbimet e e-mail – eve dhe telefonatat që bënim, më pati thënë se kishte qenë ca kohë pa qejf. Na priti pikërisht tek ajo shtëpia buzë liqenit, ku ishte rritur ime shoqe Tatjana dhe unë kisha aq e aq kujtime nga koha e dashurisë. Tani ajo shtëpi karakteristike dykatëshe ishte kthyer nga pronarët në kafene, ku gëlonin klientët e shumtë, ngaqë ishte verë dhe në atë qytet kishte si përherë në këtë stinë, pafund pushues.
E pashë me keqardhje Kopin se nuk e kishte atë gjallërinë e zakonshme dhe në fytyrë kishte një çehre jo të mirë. Nuk e gjeta me vend ta pyes për diagnozën, por gjithsesi mendova se kjo ishte pasojë e asaj që kishte kaluar dhe se shumë shpejt do ta merrte veten. Këmbënguli të rrinim për drekë, por i thamë se nxitonim për veprimtarinë që na priste në Maqedoninë e Veriut. Pasi bëmë disa fotografi, hipi në makinë me ne dhe kur zbriti tek ai vendi ku banonte, të cilin si me shaka na thoshte se e quanin “Shurramani”, nuk harroi të na jepte me vete ëmbëlsirat që kishte blerë.
Këtë e bënte sa herë na binte rruga andej: e kishte merak të na blinte llokume me arra, që sipas tij, askush nuk i bënte më të mira se poradecarët. U ndamë aty për të mos u takuar kurrë më, sido që komunikimet i kishim të paprera. Si gjithmonë, para se t`i botoja artikujt ose krijimet e mia letrare, vazhdoja t`ia dërgoja atij dhe Kopi nuk ngurronte të më jepte gjerë e gjatë përshtypjet e tij. Më vinte sikur ia merrje kohën apo, e lodhja me to, por ai më përgjigjej: “Për ty, i dashur Shpendi, unë le çdo punë, sepse kur marr në dorë diçka prej teje, ngazëllehem, siç ndodhi edhe tani me Gëten” (për të cilin kisha shkruar).
I jepte shumë rëndësi artikujve publicistikë, ku trajtoja çështjen kombëtare, për të cilët jo vetëm më përgëzonte, por edhe më inkurajonte. Më quante “atmëmëdhetar” dhe kjo bënte që të ndihesha i kënaqur. Kisha arsye të mendoja se shëndeti i tij ishte përmirësuar dhe kjo më gëzonte. Nga ana tjetër, kisha bindjen se një burrë me energjitë e tij, nuk kishte plakje.
Aty nga mesi i dhjetorit, u botua libri im me kritika letrare; “Ç`do ishim pa letërsinë”, ku në pjesën e pasme të kopertinës, vendosa një pjesë nga ajo që Kopi shkruante për mua. Po ashtu, doli nga shtypi dhe volumi i pestë, kushtuar krijimtarisë time, ku analizat e tij zinin një vend të rëndësishëm dhe Shtëpia Botuese “2 M”, e gjeti të arsyeshme ta çelte me një poezi, që Kopi më kishte kushtuar.
Natyrisht që ndihesha i vlerësuar dhe i nderuar që me krijimtarinë time, merrej seriozisht një mendjendritur si ai. Prandaj i kërkova të më dërgonte adresën, që t`ia dërgoja ato libra, se “Shurramani” nuk kishte kuptim. E pashë se mezi i dilte fjala nga goja dhe më tha të mos nxitohem, pasi së shpejti do të nisej për Rumani.
Unë, fatmirësisht nxitova dhe falë të vetmit shërbim shembullor që kemi, (Postës), pakua me librat e mi i shkoi. Më uroj e falenderoj dhe më tha se; pasnesër nisem. Tek ai më rrinte mendja, se e kisha një parandjenjë se diçka nuk shkonte. Dhe kjo nuk zgjati shumë; shkrimtari mjaft i njohur Fatmir Terziu, që nga Anglia ku jeton e punon, jepte kumtin se; u shua akademiku Kopi Kyçyku.
Nuk kishte pritur edhe nja dy ditë, sa të vinte Viti i Ri 2025! Edhe pse u trondita pa masë, përsëri nuk u besova syve, pasi diçka së brendshmi më thoshte se; ndoshta nuk është e vërtetë, se jepen dhe lajme të rreme dhe mundet të këtë gabuar Fatmiri. Por jo: vullkani Kopi Kyçyku, eruditi dhe poligloti, prozatori dhe përkthyesi, madhështori dhe i thjeshti, ishte shuar vërtetë. Ndënja gjithë ditën duke vërtitur televizorin, por aha, asnjë stacion, nuk dha ndonjë njoftim për këtë humbje të madhe, për kombin mbarë! As gazetat nuk denjuan të shkruanin për të.
Askush nuk mori mundimin të botonte edhe artikullin që unë i kushtova atij, ku me bindje thosha se populli i Pogradecit, i detyrohet Kopi Kyçykut, që t`i ngrejë një monument bronzi, krahas atij të Lasgushit e Mitrushit, atje buzë atij liqerit të tij të dashur, nga i cili nuk i ndahej shpirti. Iku një njeri i shquar nga kjo jetë, sikur të mos kishte qenë fare!
Në Shqipëri mesa duket kishte lajme më të rëndësishme…! Kopi Kyçyku, inxhinieri, pushtetari, deputeti, gazetari, shkrimtari i shquar tani do të mbetej në kujtesën e të gjithë atyre që e njohën, burri tek i cili si te rrallëkush, bashkohej dituria superiore me thjeshtësinë e pabesueshme.
Kur vinte në Tiranë, e nderonte dhe e shoqëronte e gjithë ajka e inteligjencës tonë, dhe krijimtarinë e tij e promovonin në Akademinë e Shkencave, ku diskutonin njerëz nga më të mençurit, kurse në Pogradec, çdo ditë shoqërohej dhe e pinte kafenë, me njerëzit e zakonshëm, deri dhe nga ata të profesioneve më të rëndomta.
Sa herë hapja FB ishte e pamundur që në profilin e tij, të mos gjeje një skicë, ose poezi, kushtuar atyre, le pastaj kur ndonjëri ndërronte jetë. Te kushdo do të gjente diçka që e vlente të evidentohej, se fundja njeriun nuk e bëjnë të shquar, vetëm titujt që mban, apo detyrat e mëdha që kryen.
Kur e merrja në telefon, më thosh gjithmonë: Foli këtij mikut që kam në tavolinë, o dhëndër i Pogradecit. Nuk mbahej më të madh Kopi Kyçyku dhe kjo e bënte akoma madhështor, në sytë e mi. Ai, bukurinë e jetës, e shihte së pari te njerëzit.
Por emrin e Kopit, kam pasur shpesh herë rastin, ta dëgjoj që ta përmendin me shumë dashuri edhe në Kosovë e Maqedoni të Veriut. Ai, ishte i njohur në ato vende, se sa herë shkonte, me elokuencën, pasionin dhe logjikën e tij, i ndizte flakë zemrat e dëgjuesve, me dashurinë për Kombin tonë.
Me këtë elokuencë, pasion e logjikë, dalloheshin edhe ligjërata që mbante, edhe në konferencat e ndryshme anë e kënd Evropës, deri në Azi e Afrikë, ku ishte i ftuar. Ishte kjo arsyeja, pse ai lidhte miqësi të sinqertë, me personalitete të kulturës tonë dhe veprimtarë të shquar në diasporë, për çka flasin edhe librat monografikë, të shkruar prej tij, si ai kushtuar figurave të njohura atdhetare, si Astrit Leka apo Besim Sahatçiu, gjyshi i këngëtares me famë botërore, Rita Orës.
Me analizat e tij të thelluara për historinë apo kulturën shqiptare, jo vetëm që bëri plot miq e simpatizantë nga bota shkencore, por edhe i dhanë mundësinë të nderohej, duke u zgjedhur anëtar i disa Akademive me emër.
Po ashtu, një kontribut i madh i tij ishte dhe themelimi dhe botimi në vazhdimësi i revistës HAEMUS atje në Bukuresht, ku jeton dhe punon djali i tij, shkrimtari Prof. dr. Ardian Kristian Kyçyku, dhe “Thë Eastern Europian Mesenger” Londër. Ka shkruan disa libra, edhe në gjuhë të huaja, si ai për babain e Turqisë Mustafa Qemal Ataturkun apo Ataturkun e kohës tonë Hajdar Alievin, Jeta e Mihai Emineskut, marrëdhëniet shqiptaro – rumune, arumunët e Shqipërisë etj. Kopit i janë akorduar disa tituj dhe dekorata të ndryshme dhe Qarku i Korçës e ka shpallur “Nderi i Qarkut”.
Vitet e fundit, duket se ishte velur nga lavdia, dhe jo vetëm që nuk e kërkonte, por më bëhej sikur i largohej asaj. Sikur ishte bërë epikurian dhe nuk donte të dukej. Nuk kishte fushë të dijeve njerëzore dhe kulturës, që të mos fliste me kompetencë, dhe gjithmonë jo me fjalë të mëdha e të zgjedhura, për të bërë efekt, por thjeshtë, fare thjeshtë, sikur se edhe shkruante.
Ashtu siç shprehej edhe Çehovi, se; “te thjeshtësia qëndron talenti”. Fliste me zë të lartë, shoqëruar me gjeste, qeshte me gjithë shpirt dhe dinte të bënte shaka. Kopi ishte i drejtpërdrejtë dhe nuk ngurronte të bënte vërejtje, madje edhe kur dikush gabonte, në përdorimin e ndonjë fjale, ai krejt sinqerisht dhe pa fyer askënd, e korrigjonte, duke i thënë se do të flasësh edhe me të tjerët dhe duhet të jesh i saktë.
Në gjithë përditshmërinë e tij, si edhe në krijimtari, binte menjëherë në sy, skrupuloziteti i tij për pastërtinë e gjuhës shqipe. Ja sesi më shkruante në një rast, pasi kishte lexuar një novelën time: “Një superperlë! Të lutem Xhezuin, përdore gjthmonë me Xh, jo me Zh”. Ose: “Diçka teknike: të lutem përdor kryeradhën, e cila mungon dhe e bën leximin të mundimshëm”. Ah!
Kopi Kyçyku! Zemra jote pushoi së rrahuri në moshën e Gëtes, që e përmenda pak më sipër, ndaj lejomë të të drejtohem me fjalët që kam shkruar për të, por që i meriton edhe ti: “Kur rasti e solli që në vitin 1808… të takohej me Napoleon Bonapartin, ky iu drejtua të pranishmëve, duke u thënë afërsisht: Ja njeriu! Ju jeni burrë, zoti Gëte”!
Dhe i tillë qe ai që gjithë jetën këshillonte: “E ardhmja i takon vetëm atij, që harron urrejtjen dhe mbjell dashurinë”, ai, porosia e mençur e të cilit, edhe mua nuk m`u nda asnjëherë dhe për të cilin me të drejtë u tha se; “ishte njeriu i fundit në botë, që di çdo gjë”! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016