Memorie.al / Festivali i 11-të i Këngës në Radiotelevizion, në historinë e Shqipërisë komuniste, ishte një “gur kilometrazhi”, që tregoi edhe njëherë se çdo tentativë e artistëve për të çarë drejt Evropës, do të pengohej patjetër në atë “postbllok”, ku shpallej “ndalim qarkullimi”! Është kjo arsyeja që historianët e artit të muzikës, do t’i rikthehen shpesh atij festivali, i cili mbolli talente, por korri viktima. Në kalendarët e kohës, ky festival do të shënonte kulminacionin e përpjekjeve për të thyer rregullat e ngurta të Realizmit Socialist, të cilat megjithëse vepronin në mënyrë më të ashpër në letërsi, përsëri nuk mund të mos ndikonin gjithashtu në muzikë, pikturë, skulpturë etj., etj.
Starti
Tentativat e mëparshme në zhanrin e organizimeve muzikore, ishin dukur në ato vite qysh në emisionet televizive, “Fituesi i fituesve”, etj., të cilat në një farë mënyre, kërkonin t’i ngjanin emisioneve muzikore italiane, që në atë kohë kishin filluar të ndiqeshin prej të gjithëve.
Larg skematizmit
Kësisoj, një ditë prej ditësh urdhri për përgatitjen e Festivalit të 11-të të Këngës në Radiotelevizion, mblodhi në një kamp artistik disa prej emrave më të spikatur të fushave të ndryshme, të cilët gjithashtu njiheshin për prirjet e tyre liberale. Vetë Fadil Paçrami e Todi Lubonja, duke qenë me prirje të mirëfillta artistike, ndërtuan rreth vetes një “kështjellë” të vogël me artistë të talentuar e liberalë, duke shpresuar se në këtë mënyrë, do të rriteshin nivelet e artit muzikor dhe të traditës festivaliste në Shqipëri.
Dhe frytet erdhën shumë shpejt. Madje, që në përzgjedhjen e këngëve, iu dha prioritet pikërisht kompozimeve ritmike. Ndërsa, në tekstet e këngëve, për herë të parë ndihej tendenca për t’u shkëputur disi nga parimet kryesore të realizmit socialist, (siç ishte “Partishmëria Socialiste”, “Heroi Pozitiv”, etj). Një evolucion i madh u duk edhe në paraqitjen e dekorit, ku rekuizita e përdorur kishte mjaft diferenca me festivalet e mëparshme. Edhe mënyra e komunikimit të konferencierëve, Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu, me juritë e rretheve, me anë të telefonatave direkte, shënoi një arritje të re. Megjithatë, Kapexhiu dhe Luarasi në atë kohë, nuk mund ta dinin se kjo histori që filloi me tam-tamet e daulleve, do të mbaronte me gjyqe dhe arrestime.
Epilogu
Shumica e pjesëmarrësve të këtij festivali pa pasur asnjë faj, u internuan ose u burgosën, ndërkohë që shumë të tjerë u pushuan nga puna. Vetë Edi Luarasi pësoi një kalvar të tërë vuajtjesh, pas festivalit, për një faj të cilën nuk e kishte bërë. Ose faji i saj i vetëm kish qenë pasioni dhe dashuria për artin e madh, si edhe ndjeshmëria për t’i dhuruar spektatorit gjithmonë e më shumë, vepra artistike që të ishin sa më pranë të vërtetës jetësore.
Padyshim, që një fat akoma më tragjik pësoi bashkëshorti i saj i talentuar, regjisori Mihallaq Luarasi, i cili ishte njeri i spikatur i artit të asaj kohe, duke llogaritur këtu edhe vënien në skenë të dramës “Njolla të murrme”. Regjimi e burgosi, vetëm me akuza politike që u ngritën kundër artit të tij. Dhe në fund të fundit, ndëshkimi erdhi vetëm për faktin se ata të dy (dhe të tjerë para e pas tyre), kishin tentuar të dilnin nga skematizmi arkaik, për të dhënë një shembull të përsosmërisë artistike të asaj kohe.
Para dhe pas shfaqjes: Si u motivua sulmi mbi “të spikaturit”?!
Regjisor i Festivalit të 11-të, ishte Mihallaq Luarasi, skenarist ishte Bujar Kapexhiu, skenograf, Edi Hila dhe drejtor direkt i këtij festivali, ishte Todi Lubonja. Sipas skenarit, i cili ishte parë disa herë nga strukturat e larta, ky festival për herë të parë, doli nga “rrethi” dhe rrëzoi mitin e shabllonizmit, duke filluar që nga komunikimi i dy drejtuesve në skenë.
Para së gjithash ky komunikim midis tyre, ishte një portë e hapur për spektatorin, i cili për herë të parë ndjente, se ishte pjesëmarrës në atë që zhvillohej në skenë. Për këtë periudhë skenaristi i Festivalit Bujar Kapexhiu, tregon: “Kisha rreth pesë vjet që kisha mbaruar Konservatorin dhe në atë kohë punoja si regjisor në Estradën e Shtetit. Propozimin e parë për të qenë spiker i Festivalit, por njëkohësisht edhe skenarist i tij, ma dha regjisori Mihallaq Luarasi.
Unë në fillim nuk pranova. Këtë refuzim e bëra për faktin se unë atëherë isha regjisor dhe po të pranoja të dilja si spiker, më dukej një shkallë më poshtë. Por më vonë më thirrën në strukturat e larta të shtetit dhe pas disa bisedave, pranova. Isha njëkohësisht skenarist dhe prezantues”, – është shprehur ai. Kapexhiu padyshim që është një nga dëshmuesit më të vërtetë dhe më të qartë të këtij aktiviteti me përmasa kombëtare. Madje, juritë e ngritura nëpër të gjitha rrethet, tregonin qartë se kënga fituese për herë të parë në historinë e festivaleve, do të vendosej nëpërmjet votimeve të specialistëve, në të gjithë Shqipërinë.
“Linja telefonike direkt me sallën e Festivalit, u përdor për herë të parë”, dëshmon Kapexhiu. Këngëtarët që morën pjesë aty ishin nga figurat më të shquara të muzikës së lehtë shqiptare. Deri në atë kohë të gjithë së bashku kishin gjetur rrugët e duhura artistike për të kapur kulminacione. Kështu, përveç kompozitorëve të mëdhenj të asaj kohe), duhet thënë se si këngëtarë konkurruan: Vaçe Zela, Sherif Merdani, Tonin Tërshana, Dorian Nini, Lindita Sota, Françesk Radi, Bashkim Alibali etj., etj. Ndërsa këngët me të cilat konkurruan, si; “Në ekranin e televizorit”, “Erdh pranvera”, “Kafe Flora”, “Kënga e studentit”, “Në bulevard kalojmë”, “Mblodha shokët në park”, etj., etj., që të nesërmen filluan të këndoheshin në formë melodish nga njerëzit e thjeshtë.
Ajo që mbizotëroi gjatë netëve të festivalit ishte ritmi muzikor, ku xhazi kishte prioritet. Vetë festivali i cili në thelb gjithmonë përbën një festë muzikore për popullin, mori mjaft përgëzime nga të gjithë njerëzit në mbarë vendin tonë. Por ai gjatë atyre ditëve u pëlqye edhe nga drejtuesit e lartë të shtetit komunist. U thanë gjithashtu fjalë shumë të mira për këngëtarët, kompozitorët, autorët e teksteve dhe madje morën përgëzime të veçanta edhe piktorët e kostumeve.
Në thelb, me një fjalë të vetme e gjithë kjo ndërmarrje u cilësua si një evolucion. Por ndërkaq, pas pak javësh filloi të qarkullonte një thashetheme, sipas të cilit Enver Hoxha, ende nuk kishte thënë mendimin e tij. Pastaj dalëngadalë në shtyp filloi një valë artikujsh, kundër imitimeve moderniste dhe më në fund Plenumi i Komitetit Qendror të PPSH-së, zyrtarizoi censurën. Në atë plenum u goditën rëndë zhvillimet e reja të letërsisë, dramës, muzikës, pikturës etj., ku në mënyrë të veçantë u bënë ndëshkime për Fadil Paçramin e Todi Lubonjën.
Si u ndëshkuan organizatorët e Festivalit?
Lidhur me periudhën e ndëshkimeve, Bujar Kapexhiu tregon: “Në fillim, pra pas ditëve të Festivalit të 11-të në Radio-Televizionin Shqiptar, kishte një entuziazëm të madh tek njerëzit e thjeshtë dhe sidomos tek rinia e asaj kohe. Të gjithë na përgëzonin dhe na thoshin se ky festival, kishte kapur parametrat evropianë, duke arritur majat. Por dalëngadalë entuziazmi u fashit papritur dhe filluan ngado mbledhjet, në të gjitha institucionet artistike. Këto mbledhje bëheshin me urdhër nga Komiteti Qendror i PPSH-së.
Thuhej se personalisht Enver Hoxha, kishte shprehur pakënaqësinë e tij ndaj festivalit. Kështu që unë nga dita në ditë, prisja radhën e ndëshkimit”. Kështu shprehet regjisori dhe aktori i njohur Bujar Kapexhiu, i cili citon gjithashtu shprehjen e Balzakut se; “Më mirë një fund i tmerrshëm, se sa një tmerr pa fund”. Dhe tmerri i atyre mbledhjeve të gjata nuk kishte të mbaruar. Një mëngjes u lajmërua një mbledhje e tillë edhe për punonjësit e Estradës së Shtetit, ku punonte atëherë regjisori Kapexhiu.
Ja si e kujton ai: “Në këtë mbledhje ishte i deleguar Enver Halili, i cili në thelb, më është dukur gjithmonë një njeri i mirë. Aty Enver Halili vuri në dukje, ato që i kishin ngarkuar të thoshte, por zëri i dridhej, ngaqë ndihej se edhe ai vetë nuk kishte dëshirë t’i thoshte ato gjëra. Si përfundim, në fund të kësaj mbledhjeje, u vendos pushimi im nga puna. Dhe kështu ndodhi, mua menjëherë më çuan të punoja si punëtor në Ndërmarrjen e Ndërtimit ‘Josif Pashko’!
Gjithashtu edhe në institucionet e tjera artistike, u morën dënime për artistë të tjerë. Dua të përmend këtu kolegen time të nderuar, zonjën Edi Luarasi, e cila u pushua nga puna dhe për shumë kohë, u caktua të punonte si rrobaqepëse në N.I.L.R.G. Ndërsa Françesk Radin, e dërguan në Fushë-Arrëz, Edi Hilën në një pulari të Tiranës, Justina Aliajn e pushuan nga puna, Aleksandër Lalon, e transferuan në një zonë të largët, e kështu me radhë”.
Pak kohë më vonë Enver Hoxha ndëshkoi rëndë në plenumin famëkeq, edhe drejtuesit e lartë të kulturës në Shqipëri, ku i paprekur mbeti vetëm Ramiz Alia. Në atë kohë Ramizi ishte përgjegjësi direkt i kulturës, në Byronë Politike, por gjithsesi rrethi i të dënuarve u mbyll me kaq. Vetë Ramizi, në rrethet e ngushta të byroistëve, ka bërë autokritika për ngjarjet e Festivalit të 11-të, në Radiotelevizion dhe ai vetë ka kritikuar gjithashtu të tjerët për këtë festival.
Regjisori Mihallaq Luarasi, kishte bërë vetë Festivalin e 10-të, dhe kështu i besuan dhe festivalin pasardhës. Lidhur me këtë, bashkëshortja e tij, Edi Luarasi, është shprehur: “Në këtë festival, gjithçka ishte ndryshe, duke filluar nga vendosja e orkestrës, kombinimi në skenë-sallë, dinamizmi i prezantuesve, veshja e orkestrës, e këngëtarëve, lidhja me juritë e rretheve, orkestracionet etj., etj.. Orkestracionet ishin shumë dinamike. Në këtë festival i këndohej dashurisë, i këndohej natyrës, nënës, diçkaje të bukur dhe krejt ndryshe nga festivalet e tjera, ku i këndohej partisë, brigadierit pararojë, turnit të tretë, etj., etj.
Mbas festivalit, kush nuk na përgëzonte, na përgëzonin njerëzit në rrugë, atëherë shqiptarët mendonin se nuk e kemi më kokën nga Italia, tani kemi këngëtarët tanë. Dhe kjo gjë ne na pëlqente, sepse në atë kohë, ishte kulmi i Rafaela Karra, në Itali”. Por kur do të fillonte sulmi? Si e shpjegon këtë, Edi Luarasi: “Pas suksesit filluan goditjet. Por jam e bindur se Festivali i 11-të, ishte një pretekst. Ishte një rast për t’u goditur arti. Atëherë shteti kishte “futur në xhep” akuzën për “Njollat e murrme”, ku regjisor ishte Mihallaqi.
Në këtë dramë, unë kisha rolin kryesor. Ishte një rol fantastik. Pra, goditja ndaj artit dhe ndaj nesh, ishte e planifikuar. Unë ndjesinë e parë e provova kur isha me Mihallaqin, gjatë një koncerti. Dikush më tha: ‘Edi, shoku Enver nuk e ka pëlqyer festivalin dhe më duket se do ta godasë’. Por me këto fjalë, përsëri nuk na shkonte mendja, për ndonjë gjë të rëndë. Por papritur filluan një nga një breshëritë. Në fillim gjoja bëheshin letra nga punëtorët, ose të rinjtë e rretheve të tjera, nga Lushnja, Elbasani, etj.. Gjoja se nuk i kish pëlqyer festivali dhe se kishte shfaqje të huaja. Atëherë filluan edhe mbledhjet.
Më kujtohet në Radio Televizion, ka ardhur Pirro Kondi dhe nuk po e merrnim vesh, sepse mendonim që kishte ardhur për ta përgëzuar festivalin. Por të deleguarit thanë menjëherë: lërini përgëzimet, se na kanë ardhur letra, që e kritikojnë festivalin, nga rinia. Pastaj vazhdoi mbledhja. Ata që i jetuan ato kohëra, e kuptojnë fare mirë se çfarë furie filloi kundër të drejtave minimale të njerëzve. Mihallaqin fillimisht e kanë çuar në Ballsh për riedukim. Ishte viti 1973 dhe ai është dënuar që të mbante thasë me çimento”!
Ditët e marsit
Festivali i 11-të i këngës në Radiotelevizion, u ndëshkua në muajin mars të vitit 1973. Jeta e këngëve zgjati vetëm tre muaj. Kaq ndofta ka mjaftuar që kujtesa e artdashësve, t’i fiksonte ato. Për këtë arsye, marsi i vitit 1973, është identifikuar me një dimër censure. Jo më kot shkrimtarët dhe historianë e kujtojnë atë mars, si një periudhë me shi, kur në bulevardin qendror të Tiranës, njerëzit me çadra në duar nuk bisedonin për gjë tjetër, përveçse për vrasjen e muzikës, ku jo rrallë flitej për prerje kokash. Vetë Kadareja në një libër të tij, tregon se në ato ditë ka takuar në bulevard, Todi Lubonjën.
Midis të tjerave gjatë këtij takimi, jo rastësisht Lubonja ka kujtuar një libër të Kadaresë, ku flitej për prerje kokash. Atëherë Kadareja ishte duke i dhënë dorën e fundit romani “Kështjella”, për luftën kundër turqve. Me fjalë të tjera midis shkrimtarit Kadare dhe Drejtorit të RTSH-së Lubonja, u fol për kokat e turqve. Lubonja i tha Kadaresë: “Më ke folur për një lloj ndëshkimi, ku priteshin kokat e pashallarëve turq. Nëse ke një vend në romanin tënd, shkruaj diçka edhe për këtë lloj prerje kokash dhe mos më harro edhe mua”.
Post-Festival
“Yjet” që ndritën në ato tre net të festivalit, lanë pas një ndriçim të largët, i cili shërbeu si kulminacion për artistët e ardhshëm. Mesazhi dhe mirësia që doli ato net nga sallat e festivalit, u shpërnda si ajri dhe mbeti përgjithmonë si ushqim shpirtëror për artistët dhe njerëzit e thjeshtë. Nuk u harrua asnjëherë fakti se: Vaçe Zela, Justina Aliaj, Lindita Sota, Ema Qzimi, Sherif Merdani, Tonin Tërshana, Dorian Nini, Bashkim Alibali etj., kënduan me emocion këngë të tilla, që kishin kohë që i ëndërronin.
Këto këngë mbetën në kujtesë, dhe ndoshta njerëzit u lidhën më shumë me to, siç lidhet njeriu me fëmijën që vuajti më shumë. Kjo edhe për faktin se pikërisht ky festival u ndalua dhe i paracaktoi shumë familjeve të artistëve, një fat tragjik. Dhe pavarësisht nga kjo, edhe në spektaklin “Këngët e shekullit”, disa këngë të këtij festivali, vërtetuan edhe njëherë shprehjen e njohur, se; “arti i vërtetë, mund të shtypet prej diktaturave, por gjithsesi vetë diktaturat kanë një fund, ndërsa arti i madh, jo”. Memorie.al
Festivali i 11 i Këngës në Radiotelevizion, 22, 23, 24 dhjetor 1972
Udhëheqës artistik: Nikolla Zoraqi
Regjisor: Mihal Luarasi
Skenograf: Edi Hila, Myrteza Fyshekati, Tomi Vaso
Dirigjent: Ferdinand Deda, Ermir Krantja, Gaspër Çurçia
Orkestra e madhe e Radio Televizionit
Kompleksi ritmik i drejtuar nga Robert Radoja, Gaspër Çurçia, Ferdinand Deda, Gjon Simoni, Alqi Kareco
Prezantues: Edi Luarasi, Bujar Kapexhiu
Kryetar i jurisë: Çesk Zadeja
Çmimi i parë:
“Kur vjen pranvera”, e Pjetër Gacit
Çmimi i dytë:
“Kafe FLORA”, e Agim Krajkës
Çmimi i tretë:
“Kush me njeh mua”? e Agim Prodanit